Tag: forcat

  • “I ftohti po më mpinte, por vazhdova me të gjitha forcat”, rrëfehet shqiptari që shpëtoi nga mbytja ish-punëdhënësin

    “I ftohti po më mpinte, por vazhdova me të gjitha forcat”, rrëfehet shqiptari që shpëtoi nga mbytja ish-punëdhënësin

    Elton Zefi është 32 vjeç, punon në sektorin e energjisë fotovoltaike në Padova.

    Dhe sapo ka kryer një prej atyre gjesteve që të rikthen besimin te njerëzimi, një histori që do të duhej të tregohej nga të gjithë mediat dhe rrjetet sociale.

    Ditën e ditëlindjes së tij, më 20 nëntor, Eltoni ishte duke shkuar në një takim pune me një koleg, kur panë një grup njerëzish të mbledhur në brigjet e kanalit Battaglia, në Padova.

    Një burrë kishte përfunduar me makinën e tij në kanal dhe kishte mbetur i bllokuar brenda, duke rrezikuar të mbytej.

    Eltoni bëri atë që askush nga të pranishmit nuk pati guximin ta bënte. Ai hoqi pantallonat dhe xhaketën dhe hyri në ujërat e akullta të kanalit.

    Me ndihmën e një personi tjetër, fillimisht u përpoqën të thyenin xhamin e përparmë të makinës, pastaj tentuan të hapnin çatinë, por pa rezultat.

    Pjesën tjetër e ka treguar vetë ai:

    “Kisha krampa në këmbë dhe të ftohtit po më mpinte. Po mendoja të dorëzohesha. Provova edhe një herë, me të gjitha forcat që më kishin mbetur, dhe arrita ta nxjerr nga makina. Pastaj e çova në breg, të sigurt e të gjallë.”

    Vetëm atëherë Eltoni e kuptoi se njeriu që sapo kishte shpëtuar ishte sipërmarrësi Giuseppe Salvalajo, ish-punëdhënësi i tij. Ai, i prekur nga ajo që ndodhi, e njohu menjëherë dhe e falënderoi — shpresojmë jo vetëm me fjalë.

    Burri, i moshuar dhe i tronditur, është gjallë vetëm falë këtij gjesti të jashtëzakonshëm guximi dhe altruizmi nga ana e këtij të riu dhe personit që e ndihmoi.

    Tregimi i kësaj historie është mënyra e duhur dhe minimale për t’i thënë faleminderit.

  • Pirro Vengu nga Gjirokastra: Toka është si sfungjer, rreziku s’ka kaluar!

    Pirro Vengu nga Gjirokastra: Toka është si sfungjer, rreziku s’ka kaluar!

    Rreziku nga reshjet e shumta të shiut dhe prurjet e lumenjve vijon të mbetet i lartë edhe mbrëmjen e kësaj të premteje, më 21 nëntor. Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, i pranishëm në mbledhjen e Komitetit të Emergjencave Civile në rang prefekture, deklaroi se të gjitha forcat dhe strukturat e pushtetit vendor janë në gatishmëri dhe po punojnë për menaxhimin e situatës.
    Vengu theksoi se lajmi i mirë është që nuk ka humbje jete, ndërsa vijojnë kërkimet për një grua 76-vjeçare të zhdukur në Korçë.
    “E kemi marrë si informacion dhe kanë nisur operacionet e kërkim-shpëtimit. Bëhet fjalë për një person në moshë, me problematika të shëndetit mendor. Nuk dihen arsyet e zhdukjes së saj dhe do të jenë operacionet e kërkim-shpëtimit dhe hetimet që do të tregojnë se çfarë ka ndodhur. Ajo që mund t’ju them është se sapo kemi mbyllur Komitetin e Emergjencave Civile për qarkun e Gjirokastrës, me të gjithë aparatin qendror e vendor.”, u shpreh Vengu.
    Situata në terren
    Lidhur me urën e Glinës në Dropull, Ministri Vengu bëri me dije se është mundësuar kalimi për banorët nëpërmjet një rruge alternative dytësore.
    “Kemi bërë edhe një dislokim forcash, përfshirë edhe forcat e armatosura. Dhe reparti i Gërhotit po funksionon si bazë mbështetëse për Emergjencat Civile për bashkitë e qarkut: Gjirokastër, Delvinë e Sarandë. Po bëhen rehabilitime në nivelin e Qukës në mënyrë që të kufizohen pasojat e përmbytjes masive të orëve të para të mëngjesit.”, vazhdoi ai.
    Vengu shtoi gjithashtu se janë marrë të gjitha masat që qytetarët, në rast nevoje, të furnizohen me medikamente, ushqime dhe ndihmë financiare për dëmet e shkaktuara nga moti i keq.
    Ministri bëri me dije se Gjirokastra, Delvina dhe Saranda kanë pësuar prurje dhe reshje masive gjatë 48 orëve të fundit, duke shkaktuar rrëshqitje dherash në rrugët dytësore dhe fshatra.
    “Toka është si sfungjer dhe rrezikon rrëshqitje edhe në vijim. Nuk jemi jashtë rrezikut dhe duhet të shpërndajmë të gjitha forcat,” tha Vengu.
    Forcat e armatosura dhe reparti i Gërhotit po funksionojnë si bazë mbështetëse për Emergjencat Civile për bashkitë e qarkut, ndërsa po kryhen punime rehabilituese në Qukë për të kufizuar pasojat e përmbytjeve.
    Urat e dëmtuara dhe rrugët alternative
    Ura e Glinës dhe ura e Isues, midis Libohovës dhe Dropullit, kanë pësuar dëmtime. Për urën e Glinës është gjetur një aksesi alternativ nga Nepravishta, ndërsa për Isues do të bëhet një investim rehabilitues.
    “Emergjencat Civile janë struktura edhe vendore edhe qendrore. Kanë qenë në dispozicion edhe në terren për më shumë se 48 orë. Ajo që ndodhi në nivelin e Qukës në Sarandë ka të bëjë me një shembje dhe një rrëshqitje masive. Toka është si sfungjer sepse ka tre ditë që bie shi. Po verifikojmë edhe njëherë elementët e digave dhe urave, pasi kemi pasur situata ku këmbë urash janë shembur. Po mundohemi të gjejmë rrugë alternative deri sa të kemi rehabilitim të plotë të infrastrukturës. Kemi informuar popullin për motin e keq dhe kemi identifikuar elementët e basenit të Vjosës për problematikat që ndodhën. Ura e Glinës dhe ura e Isues, midis Libohovës dhe Dropullit, janë dëmtuar. Për Glinën është gjetur aksesi alternativ nga mbrapa, nga Nepravishta. Për pjesën e Isues duhet të bëjmë një investim rehabilitues, pasi është një dëmtim domethënës.”, tha ministri.
    Vengu bëri me dije se janë marrë masat për mbështetje ushqimore, materiale dhe financiare për banorët e zonës. Ai e përfundoi fjalën duke thënë: “Situata është e vështirë, por ne po punojmë intensivisht për të menaxhuar pasojat dhe për të siguruar jetën dhe pasuritë e qytetarëve.”

  • “Rreziku nga moti i keq nuk ka kaluar”, ministri Vengu: Do të diskutojmë me forcat në terren nëse është e nevojshme të kryhen evakuime

    “Rreziku nga moti i keq nuk ka kaluar”, ministri Vengu: Do të diskutojmë me forcat në terren nëse është e nevojshme të kryhen evakuime

    Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ndodhet pasditen e sotme në urën e Mifolit, ku po monitoron nga afër situatën e prurjeve të lumit Vjosa.
    Reshjet e shiut nuk kanë pushuar ende dhe situata vijon të jetë kritike, pasi edhe në orët në vijim pritet të ketë reshje në gjirin e Vlorës si edhe në jug të vendit.
    Ministri Vengu: Vojsa ka qenë në monitorim të rreptë. Duhet një alert maksimal, nuk ka kaluar rreziku. Do të kemi edhe një diskutim të forcave në terren nëse duan që të kryejnë avakuime. Jemi pranë banorëve dhe bizneseve. U prek Lezha dhe Kurbini, jemi në kushtet ku situata është normalizuar dhe forcat e armatosura kanë qenë në dispozicion të bashkive ku ka pasur problem.

    Autoritetet kanë njoftuar të gjithë banorët dhe bizneset përgjatë vijës lumore të tregohen të kujdesshëm dhe të qëndrojnë në gadishmëri për çdo zhvillim të mundshëm.

  • Stërvitje elitare SHBA-Shqipëri, gatishmëri për reagim të menjëhershëm në krizë

    Stërvitje elitare SHBA-Shqipëri, gatishmëri për reagim të menjëhershëm në krizë

    Bota E Mërkurë, 19 Nëntor 2025 12:44
    Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka bërë të ditur zhvillimin e një stërvitjeje të posaçme gatishmërie nga Forcat e Operacioneve Speciale të Komandës së Operacioneve Speciale të SHBA për Europën (SOCEUR), e cila u realizua javën e kaluar në bazën ushtarake të Zall Herrit, në bashkëpunim të ngushtë me Forcat e Armatosura Shqiptare.
    Stërvitja u zhvillua gjatë natës dhe përfshiu mbërritjen e forcave amerikane me dy avionë CV-22 Osprey, mjete të avancuara të Forcave Ajrore të SHBA të specializuara për operacione taktike, zhvendosje të shpejtë dhe misione me rrezik të lartë.

    Në njoftimin e Ambasadës thuhet se: “Nën errësirë dhe në koordinim me aleatët tanë shqiptarë, Forcat e Operacioneve Speciale të SOCEUR zhvilluan një stërvitje gatishmërie për vendosje emergjente në bazën ushtarake të Zall Herrit. Forcat mbërritën me dy aeroplanë CV-22 Osprey në një operacion me dukshmëri të ulët gjatë natës.”

    Ambasada vuri në dukje se operacioni konsolidoi bashkëpunimin strategjik mes dy vendeve dhe konfirmoi angazhimin e përbashkët për sigurinë dhe stabilitetin rajonal.

    “Ushtrimi testoi aftësinë për vendosje të shpejtë dhe reagim efektiv ndaj situatave të mundshme emergjente në rajon, duke përforcuar bashkëpunimin dhe sigurinë kolektive,” theksoi Ambasada amerikane.

  • Reagimet e ashpra: Një rezolutë për Gazën që bën me turp OKB-në!

    Reagimet e ashpra: Një rezolutë për Gazën që bën me turp OKB-në!

    Forcat ndërkombëtare do të përdorin “të gjitha masat e nevojshme për të zbatuar mandatin e tyre” në Gaza, thuhet në rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Rripin e Gazës.
    Rezoluta e vendos Gazën nën Presidentin e SHBA-së Donald Trump, me trupa shumëkombëshe në “Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF)” për të mbikëqyrur planin e tij prej 20 pikash.
    Termi “mandat” është shumë i njohur në kontekstin e ndërhyrjes së huaj në çështjet palestineze.
    “Kjo është një skemë klasike koloniale që injoron plotësisht të drejtat dhe aspiratat e popullit indigjen“, thotë për Middle East Eye Avi Shlaim, një historian britaniko-izraelit.
    “Në këtë kuptim, është i krahasueshëm me Mandatin Britanik për Palestinën.”
    Helena Cobban, autore e librit “Të kuptosh Hamasin dhe pse ka rëndësi”, tha se “mandati” është vetëm një term teknik.
    “Por për të gjithë në Azinë Perëndimore, ai mbart një barrë të rëndë historike”, tha ajo për MEE.
    “Mandatet e dhëna Britanisë dhe Francës pas Luftës së Parë Botërore në ish-territoret osmane bazoheshin në supozimin e natyrshëm kolonialist se popujt e atyre rajoneve nuk ishin disi ‘gati’ për vetëqeverisje”.
    Pothuajse njëqind vjet më vonë, fuqitë globale po rimarrin kontrollin e territorit palestinez për atë që përshkruhet si një periudhë “kalimtare”.
    Rezoluta 2803, e miratuar të hënën në OKB, përshkroi një plan për një “këshill paqeje” për të mbikëqyrur trupat shumëkombëshe, teknokratët palestinezë dhe forcat lokale të policisë gjatë një periudhe dyvjeçare.
    Rezoluta u refuzua nga Hamasi dhe disa fraksione të tjera palestineze, por ka mbështetje të konsiderueshme nga Autoriteti Palestinez.
    Ajo përmban një referencë të paqartë dhe jo-detyruese për “vetëvendosjen dhe shtetësinë palestineze”, nëse plotësohen një numër kushtesh.
    “Ajo përcakton kushtet për diçka që është një e drejtë: e drejta për vetëvendosje”, tha për MEE Daniel Levy, një analist britaniko-izraelit dhe ish-negociator paqeje.
    “E shndërroi rojen e së drejtës ndërkombëtare, OKB-në, në një organ që e minon atë.”
    Përveç 13 anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, teksti i rezolutës u mbështet nga një numër vendesh myslimane dhe arabe, përfshirë Egjiptin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katarin, Arabinë Saudite, Turqinë dhe Indonezinë.
    Rusia dhe Kina abstenuan nga votimi. Edhe Rusia e quajti rezolutën “koloniale”.
    Levy thekson se mbështetja e Autoritetit Palestinez për rezolutën siguroi mbulim për shtetet me shumicë myslimane dhe arabe për ta mbështetur atë, gjë që nga ana tjetër siguroi mbulim për Rusinë dhe Kinën për të mos vënë veton ndaj saj.
    Mohamed ElBaradei: Rezoluta, patetike, e padrejtë dhe e pashembullt!
    Ish-zv/presidenti egjiptian dhe ish-drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, Mohamed ElBaradei, e përshkroi rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Gazën dhe paqen si “të mjerë, të padrejtë dhe të pashembullt”.
    Në një postim në Platformën X, ElBaradei deklaroi: “Kjo rezolutë transferon të gjithë çështjen palestineze nga Kombet e Bashkuara, legjitimiteti dhe rezolutat e saj, te Shtetet e Bashkuara, paragjykimet dhe kontrolli i saj.” Ai theksoi se rezoluta injoron të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtën e popullit palestinez për vetëvendosje dhe për të menaxhuar punët e veta, dhe përjetëson padrejtësinë dhe pushtimin.
    Ai shtoi: “Kjo rezolutë e Këshillit të Sigurimit nuk do të kontribuojë në asnjë mënyrë në arritjen e paqes dhe stabilitetit.”
    Mosgatishmëria për t’u vendosur
    Hamasi e hodhi poshtë rezolutën, duke deklaruar se ajo nuk e pranon konceptin e çarmatimit dhe se teksti nuk i plotëson të drejtat dhe kërkesat e palestinezëve.
    Gjasat që forcat ndërkombëtare paqeruajtëse të vendosen në Gaza për të ndihmuar në shkatërrimin e infrastrukturës mbrojtëse të rezistencës palestineze, siç supozon rezoluta, ndërsa Hamasi është ende i pranishëm, janë të pakta.
    Historiani Shlaim paralajmëroi se ushtria izraelite “ka dështuar të çarmatosë Hamasin pas dy vitesh bombardimesh të pamëshirshme”.
    “Pra, si do ta bëjë këtë një organ ndërkombëtar? Dhe cili vend arab do të dëshirojë të bëjë punën e ndyrë të Izraelit për të?” pyeti ai. “Ky është një plan për kontroll të pacaktuar izraelit të Gazës.”
    Cobban u pajtua se duhej të kishte ngurrim nga ana e aktorëve rajonalë.
    “Nëse ushtria izraelite ka dështuar të mposhtë rezistencën palestineze në Gaza, atëherë asnjë planifikues në selinë e ndonjë ushtrie arabe ose myslimane që po shqyrton bashkimin me Forcat e Sigurisë (ISF) nuk do të dëshirojë që ushtria e tyre të përpiqet ta bëjë këtë”, tha ajo.
    Hamasi ka shprehur njëfarë gatishmërie për të zvogëluar armët dhe forcat e tij: ai ka aluduar në çarmatosjen dhe përfshirjen e aftësive të tij në ushtrinë e një shteti të pavarur palestinez. Cobban vëren se kjo ka qenë norma për forcat luftarake antikoloniale përmes procesit të dekolonizimit gjatë gjithë historisë.
    Duke pasur parasysh bllokimin e vazhdueshëm mbi çarmatimin, zbatimi i rezolutës mbetet i pasigurt.
    Por në çdo rast, fakti që Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi planin e administratës Trump me bekimin e pjesshëm të Izraelit është shumë domethënës.
    Cobban pyeti pse kaq shumë anëtarë të Këshillit të Sigurimit “u dorëzuan kaq plotësisht” dhe pse Rusia dhe Kina nuk përdorën veton e tyre.
    “Ajo që ndodhi dje në Këshillin e Sigurimit të OKB-së i solli turp vetë Kombeve të Bashkuara”, tha ajo.
    “Organizata dhe gjithçka që ajo përfaqëson është tani në një pikë krize nga e cila mund të duhet shumë kohë për t’u rikuperuar, nëse do të duhet ndonjëherë.” /tesheshi.com/

  • TotalEnergies e Francës akuzohet për bashkëpunim në ‘masakrën civile’ në Mozambik

    TotalEnergies e Francës akuzohet për bashkëpunim në ‘masakrën civile’ në Mozambik

    ECHR ka paraqitur një ankesë në Francë duke pretenduar se ushtarët që siguronin projektin LNG të TotalEnergies në Mozambik kanë mbajtur dhjetëra civilë në kontejnerë metalikë ku shumë prej tyre u torturuan, u zhdukën ose u ekzekutuan. Total ka kërkuar një hetim nga autoritetet e Mozambikut.

    Një OJQ gjermane për të drejtat e njeriut ka ngritur një padi në Francë kundër gjigantit të energjisë Total Energies për “bashkëpunim në krime lufte, tortura dhe zhdukje me forcë” përmes mbështetjes së saj financiare dhe materiale për Task Forcën e Përbashkët në Mozambik, tha grupi në një deklaratë.

    “Korporata kryesore e naftës dhe gazit akuzohet se ka financuar drejtpërdrejt dhe mbështetur materialisht Task Forcën e Përbashkët, të përbërë nga forcat e armatosura të Mozambikut”, vazhdoi deklarata e Qendrës Evropiane për të Drejtat Kushtetuese dhe të Njeriut (ECCHR), duke theksuar se një ankesë ishte paraqitur edhe në Prokurorin Kombëtar Francez Kundër Terrorizmit (PNAT).

    Pretendimi përqendrohet në të ashtuquajturën “masakra e kontejnerëve”, gjatë së cilës ushtarët e paguar nga Total arrestuan dhe torturuan dhjetëra civilë në vendin e saj të gazit midis korrikut dhe shtatorit 2021, ku vetëm 26 nga rreth 150 të tillë raportohet se kanë mbijetuar.

    Task-forca u krijua në vitin 2020 nëpërmjet një memorandumi midis degës së Total në Mozambik dhe qeverisë si një njësi sigurie që do të mbronte operacionet e projektit të LNG-së së gjigantit francez në vend.

    Sipas kësaj marrëveshjeje, kompania gjithashtu siguroi akomodim, ushqim, pajisje dhe bonuse për ushtarët e njësisë, “mbështetje që vazhdoi pavarësisht dijenisë së kompanisë për shkeljet sistematike të të drejtave të njeriut”, tha ECCHR.Organizata e bazon ankesën e saj pjesërisht në dokumentet e brendshme të Totalit të marra përmes kërkesave për liri informacioni drejtuar financuesve publikë të projektit, disa prej të cilave janë raportuar tashmë nga mediat franceze.

    Dokumentet tregojnë se kompania ishte në dijeni të akuzave për dhunë kundër civilëve të kryera nga forcat e armatosura të Mozambikut, megjithatë vazhdoi mbështetjen e saj për task forcën.

    TotalEnergies kërkon ‘ndërhyrjen’ e komisionit të të drejtave të njeriut

    Dega e Total, Mozambique LNG, tha më parë se “nuk kishte dijeni për ngjarjet e supozuara të përshkruara” dhe as “ndonjë informacion që tregon se ngjarje të tilla kanë ndodhur”, sipas ECCHR-së.

    Në një deklaratë të bërë publike në mars, TotalEnergies iu përgjigj pretendimeve duke deklaruar se dega e saj Mozambique LNG “kryeu një shqyrtim të elementëve në zotërim të saj në kohën e fakteve, të cilët nuk lejuan të identifikonin ndonjë informacion vërtetues, megjithëse Mozambique LNG kishte në dispozicion disa kanale funksionale informacioni dhe raportimi ankesash”.

    “Në tetor 2024, Mozambiku LNG ftoi autoritetet e Mozambikut të kryenin një hetim mbi këto akuza.”

    “Përveç kësaj, TotalEnergies ka kërkuar ndërhyrjen e Komisionit Mozambikan për të Drejtat e Njeriut (CNDH)”, me komisionin që do të nisë vlerësimin e vet në mars “për të siguruar që faktet të vërtetohen siç duhet dhe që të drejtat e palëve të përfshira të respektohen plotësisht”.

    Në vitin 2025, Prokurori i Përgjithshëm i Mozambikut njoftoi se ishte hapur një hetim penal për akuzat, një veprim që TotalEnergies e inkurajoi, sipas deklaratës së saj.

    Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar dhe ajo holandeze, të cilat ofrojnë financim për eksportin e projektit të LNG-së, thuhet se kanë nisur gjithashtu hetimet e tyre. Deri më sot, në Evropë nuk është hapur asnjë hetim gjyqësor që të shqyrtojë rolin e Total.

    “TotalEnergies e dinte se forcat e armatosura të Mozambikut ishin akuzuar për shkelje sistematike të të drejtave të njeriut, megjithatë vazhdoi t’i mbështeste ato me qëllimin e vetëm për të siguruar objektin e vet”, tha në deklaratë Clara Gonzales e ECCHR-së.

    Ata këmbëngulin se përfshirja e TotalEnergies me forcat e armatosura lokale dhe serioziteti i akuzave duhet të çojnë në hapjen e një hetimi nga autoritetet gjyqësore franceze.

    “Kompanitë dhe drejtuesit e tyre nuk janë aktorë neutralë kur veprojnë në zona konflikti: nëse ata mundësojnë ose nxisin krime, ata mund të jenë bashkëpunëtorë dhe duhet të mbahen përgjegjës”, vazhdoi ajo.

    Dokumentet e brendshme të TotalEnergies, përfshirë ato nga kontraktori i saj i sigurisë, detajojnë aktet e dhunës kundër civilëve të kryera nga forcat e armatosura të Mozambikut që nga maji 2020, duke nënvizuar se kompania ishte në dijeni të shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut të kryera nga Task Forca e Përbashkët në afërsi të objektit të saj para masakrës së kontejnerëve, sipas pretendimeve të OJQ-së së përqendruar në litigacionin strategjik.

  • Stërvitje për luftë në qytet/ Ushtria gjermane nis manovrat pesëditore duke improvizuar mbrojtjen e infrastrukturës

    Stërvitje për luftë në qytet/ Ushtria gjermane nis manovrat pesëditore duke improvizuar mbrojtjen e infrastrukturës

    Forcat ushtarake gjermane nisën në Berlin pesë ditë stërvitjeje për skenarin e një lufte urbane, të fokusuara tej zhvendosja e shpejtë dhe mbrojtja e infrastrukturës jetike në rastin e një sulmi real.

    Simulimi i një situate emergjente vjen në kohën kur peizazhi i sigurisë në Europë ndryshon pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Stërvitja e pagëzuar me emrin “Bollwerk Bärlin III” përfshin veç një stacioni metroje, edhe një polygon të përdorur nga forcat e policisë dhe ish uzinën kimike në Rüdersdorf.
    Bundeswehri e pranoi hapur se lufta e Moskës në Ukrainë ka nxitur nevojën për shtimin e masave mbrojtëse të vendit. Stërvitja e luftës urbane konsiderohet e nevojshme pasi rrugët e ngushta, ndërtesat e larta dhe tunelet e metrosë së Berlinit kërkojnë trajnim të specializuar për zhvendosje të shpejtë.
    Ushtarët kanë praktikuar skenarë luftimesh urbane, “duke siguruar infrastrukturën kritike, duke iu kundërvënë sabotatorëve dhe duke evakuuar personelin e plagosur”. Ekipet e sigurisë, përfshirë snajperët, zunë pozicione gjatë stërvitjes në metro, megjithëse plumba gome zëvendësuan ata luftarakë për të garantuar sigurinë publike.

    Top Channel

  • Prag proteste! Forcat e rendit ‘blindojnë’ Kryeministrinë

    Prag proteste! Forcat e rendit ‘blindojnë’ Kryeministrinë

    PAMJE NGA VENDNGJARJA

    TIRANË-Pak minuta para nisjes së protestës së opozitës, forcat e rendit rrethojnë kryeministrinë. Në orën 18:00, PD dhe aleatët do të zhvillojnë protestën e parë, që do çelë një sezon protestash, tashmë para kryeministrisë. Aksioni opozitar do të jetë i përjavshëm, në formën e një platforme parlamente me podium dhe foltore në Bulevardin e kryeqytetit.
    Në protestë janë thirrur qytetarët e të gjithë vendit dhe është e para që mbahet përballë zyrës së Edi Ramës, që pas humbjes së zgjedhjeve të 11 majit. Protesta, sipas demokratëve, nis për shkak të marrjes si e pandehur të zv.kryeministres Belinda Balluku.

  • Izraeli përshkallëzon tensionet: Nuk do të ketë shtet palestinez në perëndim të Jordanit

    Izraeli përshkallëzon tensionet: Nuk do të ketë shtet palestinez në perëndim të Jordanit

    Qeveria izraelite ka deklaruar se nuk do të pranojë kurrë krijimin e një shteti palestinez në asnjë territor në perëndim të lumit Jordan, duke rritur edhe më tej tensionet rajonale në një moment kur situata në kufirin me Libanin mbetet jashtëzakonisht e brishtë.
    Tensionet u rritën pas incidentit kur forcat e UNIFIL-it u qëlluan gabimisht nga një tank izraelit Merkava në veri të Metulës. Paqeruajtësit, që po lëviznin në këmbë, u ngatërruan me elementë “të dyshimtë” për shkak të motit të keq, sipas shpjegimit të ushtrisë izraelite. Plumbat ranë vetëm pesë metra larg trupave të UNIFIL-it, pa shkaktuar të plagosur, por incidenti konfirmoi tensionin e lartë në kufi dhe dobësinë e armëpushimit, i cili parashikon tërheqjen e IDF-së nga jugu i Libanit në këmbim të çmilitarizimit të Hezbollahut.
    Sipas mediave izraelite, IDF-ja ka marrë nën kontroll të paktën pesë pozicione të tjera në territorin libanez dhe vijon goditjet e përditshme në Libanin jugor dhe Luginën Bekaa. Javën e kaluar, ushtria kreu disa inkursione gjatë natës për të penguar riarmatimin e Hezbollahut; në Aitaroun u shkatërruan ndërtesa që, sipas IDF-së, përdoreshin nga grupi. Në një tjetër operacion në Ramyeh, trupat izraelite sekuestruan dhe shkatërruan armë, ndërsa forcat ajrore kryen pesë sulme ku u vranë tre anëtarë të Hezbollahut.
    Edhe pse shiu ka pushuar së rëni në Rripin e Gazës pas përmbytjeve të rënda, shpresat për mbajtjen e armëpushimit mbeten të pakta. Shefi i Shtabit të IDF-së, Eyal Zamir, deklaroi se forcat izraelite janë të gatshme të avancojnë përtej vijave aktuale të ndalimit të zjarrit nëse kërkohet, “për të çmontuar Hamasin dhe për të çmilitarizuar Gazën, me marrëveshje ose me mjete ushtarake”.
    Në këtë klimë tensioni, Arabia Saudite, vetëm pak orë para vizitës së Mohammed bin Salman në Shtëpinë e Bardhë, të parës që nga viti 2018, nënvizoi se normalizimi i marrëdhënieve me Izraelin është i mundur vetëm nëse ekziston një propozim i qartë për krijimin e një shteti palestinez.
    Riadi shtoi se kjo nuk mund të ndodhë me qeverinë aktuale të Benjamin Netanyahut, të cilën e konsideron të papranueshme për shkak të ministrave si Smotrich dhe Ben Gvir. Kjo qëndron në kontrast të plotë me deklaratat e Netanyahut, i cili përsëriti se Izraeli kundërshton “çdo shtet palestinez në çdo territor në perëndim të Jordanit”, linjë e mbështetur edhe nga ministri i Mbrojtjes, Israel Katz.
    Tensionet politike nuk kanë kursyer as Jeruzalemin. Opozita ka kritikuar vendimin e qeverisë për të ngritur një hetim të brendshëm mbi dështimet e 7 tetorit 2023, në vend të krijimit të një komisioni të pavarur. Lideri i opozitës, Yair Lapid, akuzoi qeverinë se “po përpiqet të fshehë të vërtetën dhe të shmangë përgjegjësitë”, ndërsa Yair Golan deklaroi se “ata që hetohen nuk mund të zgjedhin vetë hetuesit e tyre”, duke premtuar se ngjarjet e 7 tetorit do të hetohen nga një komision shtetëror i pavarur.

  • Forcat amerikane godasin anijen me trafikantë droge në Karaibe, 4 të vrarë, asnjë i mbijetuar

    Forcat amerikane godasin anijen me trafikantë droge në Karaibe, 4 të vrarë, asnjë i mbijetuar

    Forcat amerikane kanë shkatërruar një anije të dyshuar për trafik droge në Karaibe, duke vrarë katër persona që ndodheshin në bord, raportuan CNN dhe CBS News, duke cituar një zyrtar të Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-së.

    “Sulmi ndodhi në Karaibe dhe katër narko-terroristë u vranë. Nuk ka të mbijetuar,” – deklaroi zyrtari për CNN. Ngjarja ndodhi të martën, ndërsa Pentagoni ende nuk ka publikuar një deklaratë zyrtare mbi incidentin.

    Fushata kundër trafikut ndërkombëtar të drogës
    Sipas CBS News, ky është sulmi i 21-të që nga fillimi i shtatorit në kuadër të fushatës së re të Uashingtonit kundër rrjeteve të trafikut ndërkombëtar të drogës në Karaibe dhe Oqeanin Paqësor.

    Në total, forcat amerikane kanë vrarë rreth 80 persona gjatë këtyre operacioneve, që përfshijnë goditje ajrore dhe ndërhyrje detare ndaj anijeve të dyshuara si transportuese kokaine dhe substancash të tjera ilegale.

    🚨 ¡ÚLTIMA HORA! 🚨🇺🇸 EE.UU. realiza su vigésimo ataque contra una presunta lancha de narcotráfico en el Mar Caribe, dejando 4 muertos a bordo.⚠️Según reporta @CBSNews, el ejército estadounidense llevó a cabo otro ataque este martes contra una embarcación sospechosa de traficar… pic.twitter.com/bPI8oJRuAV— Fabian Dicosta (@fabiandicosta) November 13, 2025

    Reagimi i Departamentit të Drejtësisë

    Në një deklaratë të ndarë për mediat, Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së mbrojti ligjshmërinë e operacioneve, duke theksuar se veprimet ushtarake janë në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe se personeli i përfshirë “nuk rrezikon ndjekje penale për vrasje jashtëgjyqësore”. “Këto operacione synojnë rrjete kriminale që paraqesin kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj sigurisë kombëtare të SHBA-së dhe stabilitetit rajonal,” – thuhet në deklaratën e Departamentit të Drejtësisë.

    Operacionet ushtarake dhe trafiku në Karaibe
    Zyrtarë amerikanë kanë paralajmëruar prej kohësh se Karaibet janë kthyer në një korridor të rëndësishëm për trafikimin e drogës drejt Shteteve të Bashkuara, duke përfshirë rrugët që kalojnë nga Amerika Latine drejt Floridës dhe Gjirit të Meksikës. Operacionet ushtarake janë kryer në bashkëpunim me Rojën Bregdetare të SHBA-së (US Coast Guard) dhe Komandën Jugore të Ushtrisë Amerikane (SOUTHCOM), të cilat monitorojnë trafikun detar në rajon.