Shqipëria do të jetë mikpritësja e një prej ngjarjeve më të rëndësishme diplomatike të vitit. Më 16 maj 2025, Tirana do të presë Samitin e Komunitetit Politik Evropian, një forum i nivelit të lartë që pritet të mbledhë liderët e vendeve evropiane për të diskutuar mbi të ardhmen e kontinentit, sfidat e përbashkëta dhe perspektivën e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Në funksion të organizimit të këtij samiti, Këshilli i Ministrave ka miratuar një shtesë fondi në buxhetin e vitit 2025 me një shumë totale prej 452.8 milionë lekësh. Sipas vendimit të qeverisë, fondet do t’i shpërndahen Ministrisë së Brendshme dhe Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare për përballimin e shpenzimeve të nevojshme për samitin.
Nga kjo shumë, rreth 92.8 milionë lekë i janë akorduar Ministrisë së Brendshme. Konkretisht, 44.1 milionë lekë do të shkojnë për mbështetjen e Policisë së Shtetit përmes shpenzimeve korrente, ndërsa 48.6 milionë lekë për Gardën e Republikës si investime kapitale. Ndërkohë, pjesa më e madhe e fondit, rreth 360 milionë lekë, i është ndarë Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare për të mbuluar kostot logjistike dhe organizative të ngjarjes. Ky financim do të mbulohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit të miratuar për këtë vit.
Samiti i Komunitetit Politik Evropian konsiderohet një sukses për diplomacinë shqiptare dhe një mundësi e artë për të dëshmuar angazhimin e vendit në forcimin e institucioneve demokratike dhe përparimin drejt integrimit evropian. Organizimi i këtij samiti në Tiranë jo vetëm që i jep Shqipërisë një rol qendror në axhendën evropiane, por edhe përforcon pozicionin e saj si një partner i besueshëm për stabilitetin në rajon.
Komuniteti Politik Evropian është një iniciativë e propozuar nga Presidenti francez Emmanuel Macron dhe synon të krijojë një platformë bashkëpunimi e dialogu mes vendeve evropiane për të adresuar çështje të sigurisë, stabilitetit dhe zhvillimit të përbashkët. Takimi në Tiranë do të shërbejë si një hap i rëndësishëm drejt thellimit të këtij bashkëpunimi dhe vënies në pah të rolit të Shqipërisë në sfidat dhe zgjidhjet e kontinentit.
Vendimi i qeverisë:
VENDIM
PËR
NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2025, MIRATUAR PËR MINISTRINË E BRENDSHME DHE DREJTORINË E SHËRBIMEVE QEVERITARE, PËR PËRBALLIMIN E SHPENZIMEVE TË ORGANIZIMIT TË TAKIMIT TË NIVELIT TË LARTË TË KOMUNITETIT POLITIK EVROPIAN (EPC), TË DATËS 16 MAJ 2025
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936/2016, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 14, të ligjit nr.115/2024, “Për buxhetin e vitit 2025”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në buxhetin e miratuar për vitin 2025, për përballimin e shpenzimeve të organizimit të Takimit të Nivelit të Lartë të Komunitetit Politik Evropian (EPC), që do të organizohet në Tiranë, në datën 16 maj 2025, bëhet shtesë fondi, si më poshtë vijon:
a) Ministrisë së Brendshme, fondi prej 92 828 000 (nëntëdhjetë e dy milionë e tetëqind e njëzet e tetë mijë) lekësh, i ndarë:
Për programin “Policia e Shtetit”, në zërin “Shpenzime korrente”, fondi prej 44 168 000 (dyzet e katër milionë e njëqind e gjashtëdhjetë e tetë mijë) lekësh;
Për programin “Garda e Republikës”, në zërin “Shpenzime kapitale”, fondi prej 48 660 000 (dyzet e tetë milionë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë mijë) lekësh.
b) Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, fondi prej 360 045 000 (treqind e gjashtëdhjetë milionë e dyzet e pesë mijë) lekësh.
Efekti financiar, prej 452 873 000 (katërqind e pesëdhjetë e dy milionë e tetëqind e shtatëdhjetë e tre mijë) lekësh, përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2025.
Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.