Juristi Romeo Kara ka deklaruar se kontrata 6 milionë dollarë e Partisë Demokratike për lobim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është një rast i pastër korrupsioni dhe pastrim parash. Në një studio televizive, Kara e cilësoi këtë kontratë si më të shtrenjtën e këtij lloji që është bërë ndonjëherë, duke theksuar se ajo tejkalon edhe praktikat e zakonshme të lobimit shtetëror.
Sipas tij, kontrata është firmosur përmes një fondacioni të krijuar vetëm pak ditë para marrëveshjes, gjë që ngrit dyshime serioze mbi ligjshmërinë dhe burimin e fondeve të përdorura.
“Kemi të bëjmë me një rast të pastër korrupsioni dhe pastrim parash. Fondacioni është krijuar vetëm pak ditë para kontratës. Nuk ka prova se është fondacion nga shqiptarët dhe nuk shpjegon burimin e parave,” tha Kara, duke shtuar: “Kjo kontratë është më e madhja që mund të jenë bërë ndonjëherë jo nga individë, por edhe nga vetë shtetet.”
Juristi theksoi se rasti duhet të jetë objekt hetimi nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë si edhe nga SPAK, pasi sipas tij kemi të bëjmë me shkelje të rënda financiare dhe penale.
“Përfshirja e një fondacioni është për të fshehur gjëra të tjera. Këtu kemi një pagesë konkrete dhe partia përfiton nga kjo. Duhet transparencë. Kjo është çështje për SPAK,” deklaroi ai.
Duke vijuar me kritikat ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, Kara e akuzoi atë për përpjekje për të ndikuar drejtësinë amerikane dhe për të manipuluar opinionin me qëllim shmangien e përgjegjësive:
“Berisha kërkon të marrë peng drejtësinë amerikane. Këta kanë hedhur para të paligjshme në sasi dhe në burim. Ky është krim. Nuk mund të zbulohet një skandal i tillë dhe të mos dënohet.”
Duke e lidhur këtë rast me të shkuarën politike të Berishës, Kara shtoi:
“Gërdeci dhe ‘97 nuk shbëhen më. Ai në Tropojë varu 200 vetë me politikën e tij. I ka ikur koha, por do të qëndrojë aty akoma. Këto 6 milionë janë asgjë, këta kanë biliona.”
Tag: fondacioni
-

Kontrata 6 milionë dollarë e PD-së për lobim në SHBA, Romeo Kara: Korrupsion dhe pastrim parash, SPAK të veprojë
-

DOKUMENTI / Fondacioni i 6 milionë dollarëve ka anëtarë vetëm familjen Seci! Në fokus edhe… autizmi!
“Make Albania Great Again”, fondacioni që ka marrë përsipër të mbulojë deri 6 milionë dollarë, pagesa për lobimin e partisë Demokratike në Shtetet e Bashkuara, është vetëm një organizatë e familjes së Nuredin Secit. Aktet e siguruara ekskluzivisht nga Report TV, dëshmojnë se në përbërje të tij nuk figuron asnjë emër tjetër nga grupi i “patriotëve shqiptaro-amerikanë” që kanë vendosur të dhurojnë shuma të larta në mbështetje të PD-së.
Fondacioni siç zbuloi më herët Report Tv, u themelua vetëm pak ditë përpara firmosjes së kontratës, në të cilën, krahas emrit të Flamur Nokës, është vetëm ai i shqiptaro-amerikanit Nuredin Seci, në rolin e garantorit dhe personit që do të kryejë pagesat.
Report tv ka siguruar ekskluzivisht dokumentin e themelimit të këtij fondacioni, 27 marsin e kaluar, ku thuhet qartë, e zeza në të bardhë, se anëtarët e Bordit Drejtues të këtij fondacioni janë Nuredin Seci, Valdrin Seci, djali i tij dhe Ajshe Seci, bashkëshortja e Nuredinit. Sipas akteve, qëllimi i fondacionit, i regjistruar nga shteti i New Jerseyt si organizatë jo fitimprurëse, është promovimi i të mirës së përbashkët dhe mirëqenia e komunitetit lokal të atjeshëm. Në fund ka edhe një shtesë të shkurtër ku thuhet se ai “mund të angazhohet edhe në aktivitete politike.Në këtë akt themelimi të MAGA-s shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, evidentohet se adresa e themeluesit Nuredin Seci dhe familjarëve të tij, të vetmit anëtarë bordi, është e njëjtë me atë të fondacionit, pra “65 Woodland Road Woodcliff Lake, New Jersey 07677”, pra vila 2 milionë dollarëshe, të cilën Report Tv e ka raportuar më herët.
Ky dokument ngre pikëpyetje të mëdha rreth qëllimit të vërtetë të themelimit të Fondacionit. Partia Demokratike u përpoq ta projektonte si një organizatë që kishte mbledhur rreth vetes përfaqësuesë të komunitetit. Por në fakt janë vetëm 3 anëtarët e ngushtë të një familjeje me origjinë nga Tropoja. Periudha disa ditore, nga themelimi, te kontakti me kompaninë e njohur lobuese “Continental Strategy”, te pranimi nga ana e kësaj të fundit e kërkesës për t’u angazhuar e deri të firmosja, qartazi lënë të kuptohet se ajo u ngrit thjesht si një mbulesë për realizimin e pagesës.
Valdrin Seci, djali 32-vjeçar i Nuredin Secit, ka në Shqipërinë një tjetër fondacion të njohur si “Seci Foundation”, i cili ka hapur thotë se ka dy qendra për fëmijët me autizëm në Shqipëri, një në Tropojë dhe një në Tepelenë. Në fushën e trajtimit të fëmijëve me autizëm në Shqipëri njihet bashkëshortja e ish Kryeministrit Berisha, Liri Berisha, me fondacionin e saj “Fëmijët Shqiptarë”.
Nga ana tjetër Valdrin Seci shpesh është bërë edhe objekt i lajmeve në media shqiptare për lidhjen me një personazh të showbizzit shqiptar, Agnesa Hadërgjonaj dhe jetën luksoze që bëjnë. Hadërgjonaj e promovon fondacionin Seci edhe në rrjetet sociale. Në njëvjetorin e fondacionit pak ditë më parë, stafi i tij falënderonte donatorët Vladrin Seci dhe Agnesa Hadërgjonaj për kontributin. Djali i Nuredin Secit, Valdrini figuron pronar i 2 bizneseve në New Jersye në SHBA, një i vogël me punëtor vetëm vetën dhe SECI HOME IMPROVEMENT, një kompani për rregullim të çative.
Në New Jersey rezultojnë disa firma në pronësi të familjarëve të Nuredin Secit, si “Seci Construction, Inc” me pronar nipin e tij Akil Seci biznes i cili është bërë dhe objekt i autoriteteve hetuese në SHBA. Ndërsa Valbona Seci, agjente imobiliare, e cila realizoi dhe shitjen me 2 milionë dollarë të vilës që raportohet si selia qendrore e “Make Albania Great Again”, punon për “Fair Lawn”, edhe kjo kompani po ashtu me probleme ligjore.
Sa i përket kontratës së firmosur së firmosur nga Flamur Noka, ajo rezulton të jetë më e shtrenjta edhe për një kompani shumë të njohur lobimi në SHBA si “Continental Strategy”. Në periudhën shkurt prill 2025 kjo firmë ka lidhur 5 kontrata ku në vend të parë me shumën 250.000 dollarë në muaj renditet PD e Shqipërisë, me një diferencë të theksuar nga të tjerat.
Kontratën 6 milionë dollarëshe Flamur Noka e firmosi në emër të të gjithë koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, ndërsa nuk ka asnjë informacion që për këtë të jenë pyetur kryetarët e 25 partive të tjera. Ndërsa Partia Demokratike ka vendosur të mos japë asnjë informacion të mëtejshëm për kontratën e lobimit, për të cilën janë paguar tanimë 750 mijë dollarë, angazhimi disa milionësh, i marrë nga Seci, tre ditë pas themelimit të Fondacionit, mbetet një pikë e errët në këtë histori.
Për këtë kontratë, Prokuroria e Posaçme njoftoi se nisi hetimet menjëherë. Tashmë përmes hetimit do t’i takojë SPAK të tregojë burimin e financimit marramendës, për një kontratë që është më e shtrenjta në historinë e lobimeve në politikën shqiptare. -

Kërkesa për trafik e Wikimedia nga gërmuesit e informacionit për AI rritet me 50 përqind
Fondacioni Wikimedia, organizata ombrellë e Wikipedia dhe dhjetëra projekteve të tjera “crowdsourced knowledge”, tha ditën e Mërkure se konsumi i bandwidth-it për konsumet media nga Wikimedia Commons është rritur me 50 përqind që prej Janarit 2024.
Arsyeja sipas organizatës nuk është nga rritja e numrit të përdoruesve, por nga gërmuesit e uritur për të dhëna trajnimi të modeleve AI.
“Infrastruktura jonë është ndërtuar për të mbështetur goditjet e papritura të trafikut nga njerëzit gjatë ngjarjeve me interes të lartë, por sasia e trafikut të gjeneruar nga gërmuesit robotikë është e paprecedentë dhe paraqet rreziqe dhe kosto në rritje”, thuhet në postim.Wikimedia Commons është një depo imazhesh, videosh dhe audiosh e lirë për tu aksesuar nga të gjithë nën licencat e hapura.
Wikimedia thotë se pothuajse 2/3 e trafikut vjen nga botët. Megjithatë vetëm 35 përqind e shikimeve vinë prej tyre. E thjeshtë ekipi menaxhues i faqeve të Fondacionit Wikimedia duhet të shpenzojë shumë kohë dhe burime duke bllokuar gërmuesit për të shmangur ndërprerjet për përdoruesit e rregullt.Dhe e gjithë kjo përpara se të marrim parasysh kostot e shërbimeve cloud me të cilat përballet Fondacioni.
-

Fondacioni Vodafone Albania mbështet zhvillimin e aftësive digjitale të të rinjve në veri
Fondacioni Vodafone në Shqipëri është prej më shumë se dhjetë vitesh partneri kryesor në edukimin për Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit (TIK), nëpërmjet investimit në edukimin e të rinjve dhe grupeve të pafavorizuara, duke transformuar jetën e tyre drejt rritjes së kapaciteteve digjitale për të ardhmen. Për rreth tre vite, ky fondacion shënoi arritje e rezultate të jashtëzakonshme në edukimin STEM, pjesë e programit Generation Next. Qëllimi i fondacionit është promovimi i ideve e nismave që përdorin teknologjinë dhe ndërtojnë aftësi digjitale.
Projekti i radhës i Fondacionit Vodafone Albania në bashkëpunim me Ambasadën Britanike në Tiranë, “Mbështetje për zhvillimin e aftësive digjitale të të rinjve në Veri të Shqipërisë”, synon t’u japë të rinjve më shumë arsye për të jetuar dhe investuar në vendin e tyre, duke shmangur emigracionin si alternativë. Si zbatues i këtij projekti, Fondacioni Vodafone në Shqipëri mundësoi investimin në infrastrukturën digjitale për arsimin dhe zhvillimin e trajnimeve të përshtatura për nevojat e të rinjve.Në 7 shkolla në Qarkun e Dibrës u ngritën laboratorë të rinj të TIK, u trajnuan 16 mësues mbi metodologjinë STEM, të cilët trajnuan dhe punuan me 128 fëmijë të shkollave mbi po të njëjtën metodologji, duke garantuar krijimin e projekteve të cilat u përgjigjën çështjeve sociale nëpërmjet zgjidhjeve teknologjike. Ky kontribut i Fondacionit Vodafone për më tepër synon dhe ndërgjegjësimin për mundësitë e reja që iu ofrohen të rinjve në këto zona.
STEM është një program unik arsimor jashtëshkollor që ndihmon mësuesit dhe studentët të zhvillojnë kompetencat digjitale. Nëpërmjet qasjes praktike të mësipërme, studentët mund të njihen me temat e STEM-it, të ndjekin aktivitetet si dhe të krijojnë projektet e tyre, që synojnë adresimin dhe zgjidhjen e problemeve në komunitet.
“Prej një viti Fondacioni Vodafone Albania e Ambasada Britanike po zbatojnë një projekt të përbashkët për të rinjtë në veri të Shqipërisë. Kemi ndërtuar në shtatë shkolla në Mat, Bulqizë, Klos, Peshkopi, laboratorë të teknologjisë me standardet më të larta evropiane, për të gjithë të rinjtë e zonës, nga 12 deri në 18 vjeç, në mënyrë që t’i pajisim me njohuri në edukimin digjital, duke investuar në të ardhmen e tyre dhe të komunitetit ku jetojnë. Fondacioni Vodafone ka si qëllim që të krijojë mundësi të barabarta për të gjithë fëmijët dhe nxënësit për të patur akses në edukimin digjital”, u shpreh Jonida Lakuriqi, Drejtoreshë e Çështjeve Ligjore, Politikave Publike e Çështjeve të Jashtme në Vodafone Albania dhe Kryetare e Fondacionit Vodafone në Shqipëri.
Ndërkohë, zëvendës ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar në vendin tonë, Mia Marzouk, shtoi se: “Jemi shumë të lumtur që jemi këtu për të ndihmuar në aftësimin digjital dhe pajisjen me laboratorë TIK, nga të cilët përfitojnë të rinjtë në disa zona të veriut të Shqipërisë. Të rinjtë këtu janë të talentuar dhe kanë shumë ide inovative, ndaj shpresojmë që pajisjet dhe edukimi digjital t’i ndihmojnë të ndërtojnë të ardhmen në vendin e tyre”.
Fondacioni Vodafone Albania, përmes programeve dhe projekteve si Generation Next apo “Mbështetje për zhvillimin e aftësive digjitale të të rinjve në Veri të Shqipërisë”, ka qenë dhjetë vitet e fundit partneri më i rëndësishëm dhe i besueshëm i qeverisë shqiptare në zhvillimin e aftësive digjitale të të rinjve, trajnimin e mësuesëve në më shumë se 150 shkolla dhe përshtatjen e kurrikulave me fokus teknologjinë. Ajo çka e bën Vodafone partner strategjik në digjitalizimin e Shqipërisë është fakti se ka pas vetes një brand ndërkombëtar si Vodafone Group, i cili sjell gjithë ekspertizën, përvojën dhe fuqinë e një lideri botëror në teknologji e komunikacion, një avantazh i madh për një vend të vogël dhe në zhvillim si Shqipëria.
Gjatë këtij rrugëtimi, Fondacioni Vodafone Albania ka ditur të ndërtojë edhe partneritete strategjike, siç ishte ky më i fundit me Ambasadën Britanike në Tiranë, pasi së bashku mund ta kthejmë Shqipërinë në një lider rajonal të digjitalizimit dhe inovacionit.
