viktima dhe të plagosur
SHKODËR-Të shtëna me armë, të plagosur me barrela, sirena ambulance, klientë që largohen të tmerruar nga lokali…ky isht mëngjesi i 8 shtatorit në Shkodër, ku ashtu si në çdo vend të Shqipërisë, pamja që duhet të mbulonte rrugët e qytetit supozohej të ishte ajo e prindërve që shoqëronin fëmijët në shkolla e kopësht.
Gati dy vite nga ajo që njihet si masakra e Dobraçit, ngjarja tronditëse e ndodhur më 30 tetor 2024, me 4 viktima, Hamza Lici, Arlind Bushati, Flutura dhe Bashkim Basha, krimi do të vriste sërish në Shkodër dhe përpos shënjestrave edhe këtë here plumbat nuk kursen as të pafajshmit.
Ngjarja e 30 tetorit u kushtoi jetën edhe dy kalimtarëve të rastit, Bashkim dhe Flutura Basha, të cilët po ktheheshin nga puna në shtëpi, kur motoçikleta e tyre u përplas nga “Benzi” i Hamza Licit që kishte humbur jetën në timon. Flutura ndërroi jetë në vend, ndërsa Bashkim Basha ndërroi jetë në spital. Sot kamarierja 25-vjeçare Meri Kaceri dhe një grua që ndodhej rastësisht në vendngjarje, u plagosën nga plumbat që ishin të destinuar për një personazh tjetër.
Konkretisht 29-vjeçari Ragip Gila hapi zjarr mëngjesin e sotëm në një lokal pranë Bashkisë së Shkodër, Armando Pali dhe Erogen Brajoviçku ishin duke pirë kafe. Por breshëria e plumbave kapi 5 persona, mes tyre kamarieren 25-vjeçare Meri Kaceri dhe një grua që ndodhej rastësisht në vendngjarje.
Shënjestër e atentatit ishte 43-vjeçari Erogen Brajoviç, allias Vaso, i cili është anëtar i fisit Bajri, vëllai i Denis Brajoviç (Bajri). 43-vjeçari mbeti i plagosur dhe është transportuar drejt Tiranës për mjekim më të specializuar në Spitalin Ushtarak. Mësohet se Vaso ka marrë tre plumba në trup, të cilët kanë prekur arteriet kryesore. Ndërkohë, i vdekur mbeti Armando Pali, punojës i IKMT-së dhe ish-anëtar i Këshillit Bashkiak në Shkodër, dhe Liridon Kraja (Lushi) 31-vjeç, truproja e Erogen Brajoviç.
Autori 29-vjeçar, Ragip Gila është arrestuar. 29-vjeçari jo vetëm që nuk ia doli të ekzekutojë shënjestrën e dyshuar, por edhe u aksidentua në tentativë për t’i ikur policisë dhe kështu ra në pranga.
‘Vjeshta e nxehtë’ nuk kurseu Shkodrën as në 2025 e teksa për ngjarjen e 30 tetorit 2024, i vetmi person i arrestuar, Gjuljo Vuksani u lirua…kapja e autorit të masakrës së sotme pritet të hedhë dritë mbi hetimet./ZËRI









