Rigels Seliman
Një “tërmet” politik ka goditur dje Beogradin dhe gjithë skenën gjeopolitike ballkanike. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka tronditur opinionin publik duke shpallur se nuk do të rikandidojë për një mandat të tretë dhe nuk ka ndërmend të ndryshojë Kushtetutën për të qëndruar në pushtet, teksa theksoi se mandati i tij aktual do të përfundojë brenda një periudhe prej rreth 18 muajsh. Deklarata e papritur, e bërë dje në Beograd gjatë një konference për shtyp me kancelarin austriak Christian Stocker, u shoqërua me një fjali të fortë: “Nuk jam diktator, siç më paraqesin disa media në Austri.” “Jam prej kohësh pjesë e skenës politike dhe nuk do të rikandidoj. Nuk kam asnjë qëllim të ndryshoj Kushtetutën për qëllime personale. Nuk jam diktator, siç më paraqesin shpesh disa media në Austri”, deklaroi dje Vuçiç.
Prapaskenat
Por prapa këtij vendimi nuk fshihet vetëm “lodhja politike” e Vuçiç. Sipas burimeve diplomatike, ky hap vjen pas një serie sinjalesh të forta nga Uashingtoni, veçanërisht nga administrata e presidentit Donald Trump. Vizita disa javë më parë e ministrit të Jashtëm serb, Marko Gjuriq, në Departamentin e Shtetit, duket se ka qenë momenti kur Vuçiç thuhet se mori mesazhin e qartë: “Koha jote po mbaron.” Në qarqet ndërkombëtare, Vuçiç prej kohësh shihet si një nga “ushtarët” më besnikë të rrjetit Soros në Ballkan dhe Evropë. Dhe largimi i tij shihet si një fitore strategjike për forcat politike që synojnë të pastrojnë skenën nga ndikimi i Sorosit (Miliarderi Xhorxh Soros konsiderohet si armik i presidentit Trump) dhe aleatëve të tij. Por ky “fund i epokës Vuçiç” ngre një pyetje të madhe: a mund të ketë i njëjti fat edhe Edi Rama?
Kryeministri shqiptar ka kultivuar prej vitesh një marrëdhënie të ngushtë e të afërt me Vuçiç, duke e quajtur shpesh “vëlla” në publik. Një pjesë e analistëve dhe politikanëve mendojnë se, ashtu si homologu i tij serb, edhe Rama shihet me sy kritik nga administrata Trump, ku etiketohet si një “bufon” politik i Sorosit në Shqipëri, sikundër ndodhi disa muaj më parë në Mynih në Gjermani, ku kryeministri shqiptar nuk u lejua të merrte pjesë në një darkë ku ishte zv/presidenti i SHBA, James David Vance. Megjithatë nëse mesazhi i Uashingtonit për Vuçiç ishte i qartë dhe i prerë, mbetet për t’u parë nëse një sinjal i ngjashëm do të mbërrijë në Tiranë. Largimi i “vëllait serb” mund të jetë paralajmërimi më i fortë për Edi Ramën, se era politike në Ballkan po ndryshon, dhe kush nuk përshtatet, mund të rrëzohet pa shumë zhurmë- ose me shumë. Kështu që tani, sytë janë te Tirana: a do të vazhdojë Rama t’i qëndrojë besnik aleancës me Sorosin dhe Vuçiçin, apo do të përpiqet të shpëtojë nga fati politik që po i troket në derë?
Çfarë ka ndodhur?
Ndërkohë nga ana tjetër, kujtojmë se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka qenë gjatë muajit maj të këtij viti në qendër të vëmendjes pas raportimeve nga mediat ndërkombëtare dhe burime të opozitës serbe, të cilat pretendojnë se ai ka tentuar të marrë pjesë në një ngjarje të Partisë Republikane në Florida, SHBA, duke përdorur një emër të rremë dhe duke ofruar një donacion të paligjshëm prej 1 milion dollarësh për të siguruar një fotografi me presidentin Donald Trump.
Tentativa për të blerë një fotografi me Trump
Në rrjetet sociale është shfaqur asokohe një video e re e presidentit serb e cila dyshohet se është regjistruar në Florida, pak para se, sipas raportimeve ai të ndjehej keq, gjë që çoi në ndërprerjen e papritur të vizitës në SHBA dhe kthimin e tij në Serbi. Videon e Vuçiçit në Florida e ka publikuar deputeti opozitar serb, dhe në të shihet Vuçiç, ndërsa po largohet nga një restorant, duke përqafuar një grua që më pas u konfirmua se ishte Suzana Vasiljević, këshilltarja e tij për media. Sipas tij, Vuçiç kishte planifikuar të fotografohej me Trump për qëllime propagandistike, por përpjekjet e tij dështuan me turp. Ai u përjashtua nga eventi si një i paftuar dhe, për më tepër, u kërcënua me ndjekje penale për shkelje të ligjeve amerikane që ndalojnë financimin e fushatave nga shtetas të huaj.
Skema e ngjashme me atë të Ramës
Por skandali i Vuçiç kujton rastin e bujshëm të kryeministrit shqiptar Edi Rama gjatë fushatës së Barack Obamës, kur përmes ndërmjetësimit të Bilal Shehut u realizua një foto e Ramës me presidentin amerikan të kohës. Në SHBA, disa persona, përfshirë Shehun, u dënuan për këtë çështje, ndërsa në Shqipëri kurrë nuk u sqarua se kush pagoi 80 mijë dollarët për këtë foto. Ajo që dihet me siguri është se Edi Rama hyri në atë aktivitet si “gruaja e Bilal Shehut”, një mashtrim i ngjashëm me përpjekjen e Vuçiç për të infiltruar ngjarjen republikane në Florida.
Administrata Trump i mbyll derën Vuçiçit
Po çfarë po ndodh me Ramën dhe Vuçiçin? Një nga arsyet kryesore që dy liderët ballkanikë kanë humbur aksesin në rrethet e larta të Partisë Republikane është pikërisht lidhja e tyre e fortë me George Soros. Në administratën e Trump, Sorosi dhe rrjeti i tij janë konsideruar si kundërshtarë të hapur të axhendës konservatore amerikane. Kjo i ka futur si Vuçiçin, ashtu edhe Ramën, në një listë joformale “të zezë”, që bën të pamundur pjesëmarrjen e tyre në aktivitete të nivelit të lartë republikan, edhe nëse përpiqen të blejnë vendin si rasti i Vuçiç me miliona dollarë.
“Gruaja e hekurt” që i ka izoluar liderët ballkanikë
Pas këtij përjashtimi fshihet një emër me ndikim të jashtëzakonshëm në radhët e Partisë Republikane dhe rrethit të ngushtë të Donald Trump: Susie Wiles, shefja e kabinetit të presidentit amerikan. Pikërisht ajo, sipas burimeve të shumta, ka ndërhyrë për të ndaluar hyrjen e Vuçiç në kompleksin ku mbahej aktiviteti në Florida. E njëjta Susie Wiles ishte edhe ajo që izoloi kryeministrin shqiptar Edi Rama gjatë Konferencës së Mynihut në shkurt 2025, duke e lënë jashtë një darke elitare ku ishin të pranishëm J.D. Vance dhe Marco Rubio. Përpjekjet për të rikuperuar ftesën e Ramës përmes Richard Grenellit, lobistëve shqiptarë dhe kontakteve në Florida dështuan sërish pas ndërhyrjes së prerë të Wiles.
Kush është Susie Wiles?
Susie Wiles ka lindur më 14 maj 1957 në New Jersey me emrin Susan Sameral. Ka diplomuar në Universitetin e Marylandit dhe në vitin 1980 iu bashkua fushatës presidenciale të Ronald Reganit. Për gati 10 vjet ka drejtuar firmën lobuese Ballard Partners në Tallahassee. Wiles tashmë është gruaja e parë në historinë e SHBA-së që është emëruar si shefe e kabinetit të presidentit amerikan dhe konsiderohet person i besuar i tij. Ajo është një veterane e politikës në Florida. Karrierën e nisi në zyrën e kongresmenit nga New Yorku, Jack Kemp, në Uashington gjatë viteve ’70. Më pas punoi në fushatën e Ronald Reganit dhe në Shtëpinë e Bardhë si organizatore e agjendës së tij.
Më vonë u transferua në Florida, ku ka këshilluar dy kryebashkiakë të Jacksonville dhe ka punuar për kongresisten, Tillie Fowler. Ka qenë e angazhuar në disa fushata shtetërore në Floridë dhe ndihmoi biznesmenin Rick Scott të fitojë postin e guvernatorit. Për një kohë të shkurtër udhëhoqi fushatën presidenciale të guvernatorit të Utah, Jon Huntsman, në vitin 2012, ndërsa në vitin 2016 drejtoi fushatën e Donald Trump në Florida, shtet kyç që i siguroi atij rrugën drejt Shtëpisë së Bardhë. Dy vite më pas, Wiles ndihmoi Ron DeSantis të zgjidhet guvernator i Floridës, por marrëdhënia mes tyre u përkeqësua.
Fillimi i bashkëpunimit me Trumpin
Susie Wiles përfundimisht mori drejtimin e fushatës së Trumpit kundër DeSantis gjatë garës paraprake dhe e mposhti bindshëm. Ekipi elektoral i Trumpit dhe aleatët e tij shpesh e tallnin DeSantis duke përdorur informacione që dyshohej se vinin nga Wiles dhe ish-bashkëpunëtorë të DeSantis që tani ishin në krahun e Trumpit. Ajo iu bashkua fushatës së tretë të Trumpit dhe gjatë tre viteve të fundit ka vepruar si shefja de facto e kabinetit, duke udhëhequr kandidaturën e tij për rizgjedhje dhe duke e ndihmuar në çështje ligjore e gjyqësore. “Susie Wiles më ndihmoi të realizoj një nga fitoret më të mëdha politike në historinë e SHBA-së dhe ka qenë pjesë thelbësore e fushatave të mia të suksesshme në 2016 dhe 2020. Ajo është e fortë, e mençur, inovative dhe gëzon respekt të gjerë,” ka deklaruar Trump.
Sipas Politico, asnjë tjetër nuk ka ndikim mbi Trumpin si Susie Wiles. Ai vetë e ka quajtur atë “zonja prej çeliku”. Ndryshe, përveç lidhjeve të forta me familjen Trump, Wiles ka ndërtuar marrëdhënie edhe me Robert F. Kennedy Jr., i cili më vonë hoqi dorë nga kandidimi presidencial dhe e mbështeti Trumpin. Susie Wiles ka krijuar gjithashtu një lidhje të afërt me Elon Musk, i cili është bërë një mbështetës i madh i Trumpit. Mediat amerikane theksojnë se Susie është përgjegjëse për faktin që fushata më e fundit e Trumpit ka qenë më e disiplinuar dhe profesionale se të mëparshmet. Megjithatë, disa e përshkruajnë edhe si një figurë që mbështet ambiciet autokratike të Trumpit. “Susie Wiles është tepër inteligjente dhe tepër e sofistikuar si operatore politike për të mos e kuptuar këtë”, tha analisti demokratik nga Miami, Fernand Amandi.