Florsha Prengu
ITALI-Floresha Prengu, 35 vjeçe, doli nga banesa e saj në mëngjesin e 22 tetorit për të shkuar në punë, por nuk u kthye më në shtëpi, ku e prisnin bashkëshorti dhe dy vajzat e saj të vogla. Më shumë se dy javë nga zhdukja e shqiptares në Itali, ende nuk ka snjë gjurmë.
Familja, që jeton mes Italisë, Shqipërisë dhe Greqisë, është në pritje të një përgjigjeje nga autoritetet. Ata kërkojnë një kronologji të saktë e situatës dhe ngjarjeve. Sipas tyre Prengu nuk është larguar me dëshirë dhe telefoni i saj vijon të jetë i fikur.
“Si familje, kërkojmë që të na konfirmohet një kronologji e saktë e situatës dhe ngjarjeve. Flora meriton të gjendet, ajo meriton të vërtetën,”-shprehen të afërmit e Floreshës.
Një detaj që mund të ndihmojë në identifikimin e saj, sipas familjarëve, është fakti që Floresha ka sy blu të ndritshëm, por njëra qepallë është pak më e mbyllur se tjetra, një veçori që mund të jetë e rëndësishme për hetuesit. Floresha jetonte në Trento prej tre vitesh dhe punonte si pastruese në pallate banimi. Sipas të afërmve, ajo ishte shumë e lidhur me vajzat e saj dhe kishte përjetuar një periudhë të vështirë pas vdekjes së babait, por nuk dihet nëse kjo lidhet me zhdukjen e saj.
Karabinierët e Trentos kanë aktivizuar planin provincial të kërkimit, ndërsa njoftimi për zhdukjen është shpërndarë në të gjitha prefekturat e Italisë, pasi ekziston mundësia që ajo të jetë larguar nga rajoni i Trentos./ZËRI





