Tag: fjalës

  • Emil Lafe: Me rastin e Ditës së Gjuhës Shqipe

    Emil Lafe: Me rastin e Ditës së Gjuhës Shqipe

    Genc Leka

    Genc Leka: 23 mars 1941 – 17 korrik 1977Genc Leka – një pasion për gjuhën shqipe i vrarë mizorishtDuke rilexuar librin Genc Leka, Vepra. Botimet “Almera”. Tiranë, 2009, 558 f.

    Nga Emil Lafe

    Njeriu dhe koha

    Nuk e kam njohur kurrë nga afër Genc Lekën, por emrin ia kisha dëgjuar si një nga bashkëpunëtorët më të zellshëm e më premtues të Institutit të Historisë e të Gjuhësisë, i cili në vitin 1972 u nda në dy institute të veçanta: Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë dhe Instituti i Historisë. Këto dy institute kanë pasur një aktiv të gjerë bashkëpunëtorësh, që gjurmonin, mblidhnin e studionin fjalët e shprehjet popullore, doket e zakonet në krahinat e ndryshme letërsinë gojore, elemente të kulturës shpirtërore, e materiale të popullit, kujtime e dëshmi ngjarjesh historike, Herë pas here këta bashkëpunëtorë vinin në Institut, me ndonjë çantë të vjetër, ku mbanin fletoret e tyre të shënimeve dhe gjithçka tjetër, hynin nëpër zyrat me druajtjen e zakonshme që të pushton kur e di që aty është Olimpi i shkencës albanologjike me Perënditë e tij, siç na janë dukur neve të gjithëve profesorët tanë të Universitetit, që na morën më pas për dore në hapat tanë të parë në të përpjetat e rrugës e rrugës së kërkimit shkencor.

    Në kohën kur Genc Leka filloi bashkëpunimin me Institutin e Historisë e të Gjuhësisë deh deri në fundin e tij tragjik e të dhimbshëm, i jepej rëndësi e madhe masivizimit të shkencës dhe krijimit të bërthamave shkencore në rrethe. Në raportet e analizave vjetore të punës masivizimi i shkencës zinte një vend të veçantë, vlerësohej puna e bashkëpunëtorëve, përmendeshin më të dalluarit dhe shtroheshin detyra për t’i shtuar radhët e tyre dhe për të ngritur në një nivel më të lartë kualifikimin e tyre shkencor. Zhvilloheshin edhe aktive ose analiza të veçanta për masivizimin e shkencës. Në këto raste kisha dëgjuar edhe emrin e Genc Lekës si njëri ndër bashkëpunëtorët e dalluar të Institutit tonë. Por vetëm më 2009 pata rastin të njoh punën e tij dhe vetë autorin përmes kësaj pune të kryer me përkushtim mallëngjyes për gjuhën shqipe si thelbi shpirtëror i Shqiptarësisë, si shprehje simbolike e kombit dhe e atdheut. Duke punuar për ta përgatitur për botim atë pasuri të mrekullueshme që Genci pati mbledhur për dymbëdhjetë vjet, siç shkruan edhe vetë, nga mendja dhe zemrat e njerëzve me të cilët jetoi e punoi, të cilëve u njohu mençurinë e zemërgjerësinë, herë-herë më janë përlotur sytë kur e përfytyroja përpara togës së pushkatimit atë natë të 17 korrikut 1977. Bashkë me Genc Lekën dhe Vilson Blloshmin (1948–1977) ishte vrarë edhe besimi, që na pëlqente t’ia ushqenim vetes, se atdheu ynë po ecte në rrugë të mbarë. Dënimi dhe pushkatimi i dy djemve të Bërzeshtës në lulen e rinisë nuk u popullarizua, nuk u organizuan mbledhje “për të demaskuar dhe dënuar veprimtarinë sabotuese të një grupi armiqësor”, nuk u kërkua “të solidarizoheshim” me “dënimin e tyre të merituar” dhe të ishim vigjilentë. Ngjarja megjithatë u mor vesh dhe u përhap mbytur-mbytur , një fjalë sot, një fjalë nesër. Nuk kishte asnjë fakt të besueshëm për “fajin” e tyre. U mor vesh se ata ishin viktima krejt të pafajshme të çmendurisë së luftës së klasave, që kishte pushtuar trurin e shtetit. Truri i shtetit kishte mprehur shpatën. Shpata e tij qëndronte pezull kudo, mjerë kujt i binte mbi krye. Jeta, sa vinte, bëhej më pa shije. Atmosferë inkuizicioni.

    Kur lexon fjalët dhe shprehjet që Genc Leka ka mbledhur nga ata njerëz të mirë e të thjeshtë, me të cilët punoi dhe ndjeu gëzimin e punës, kur lexon letërkëmbimin e tij me prof. Androkli Kostallarin, të shfaqet përpara një djalë i ri i mençur e shumë i edukuar, i mbrujtur me pasionin e mësuesisë dhe me dashurinë për gjuhën shqipe nga mësuesit e tij të përkushtuar në të mirënjohurën shkollë pedagogjike të Elbasanit, vijuese e traditave të shkollës Normale të Luigj Gurakuqit, Aleksandër Xhuvanit dhe një vargu arsimtarësh të virtytshëm e atdhetarë. Të shfaqet përpara një djalosh plot shpresa e dëshira të larta, që përpiqet të mësojë e të mësojë sa më shumë, që krahas punës së mësuesit e ndien si detyrë të tijën të bëjë diçka me vlerë për gjuhën shqipe, të vërë edhe ai disa gurë, qoftë edhe të vegjël e të palatuar mirë, pranë atyre gurëve të patundshëm të mjeshtërve të mëdhenj të gjuhës shqipe. Dhe Genci nuk bëri pak. Fjalët e mbledhura prej tij pasuruan jo vetëm Kartotekën e Leksikut të Shqipes (KLSH – fatkeqësisht sot e pashfrytëzueshme), por edhe “Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe” (FGjSSh 1980), për të cilin kam pasur edhe unë nderin të punoj si njëri nga katërmbëdhjetë hartuesit e tij. Duke kaluar nëpër duar mijëra e mijëra skeda, kam kuptuar atëherë sa e dobishme dhe e pazëvendësueshme ka qenë puna e mbledhësve të fjalës së popullit, puna e Genc Lekës dhe e shokëve të tij. Në letërkëmbimin e Gencit me Institutin më ka tërhequr vëmendjen, ndër të tjera, këmbëngulja e A. Kostallarit për të kërkuar sqarime lidhur me fjalët albër e albërishtë, krahas dashamirësisë dhe vlerësimit për punën e vyer të këtij djali të mbarë. Me shpjegimet e hollësishme e të përpikta të Gencit lidhur me kuptimet e përdorimet e këtyre fjalëve, ato u përfshinë për herë të parë në FGjSSh.

    Në punën e Genc Lekës si mbledhës dhe studiues i fjalëve dhe shprehjeve popullore vërehet se ai hap pas hapi zgjeroi njohuritë zgjeroi njohurit e tij shkencore në fushën e gjuhësisë dhe, po të mos ishin hijet e zeza të mëkateve klasore, që nuk i kishte bërë kurrë, ai do ta kishte vendin në mes nesh, në Institutin e Gjuhësisë. Por mbi fillin e jetës së tij ra egërsisht dhe e pamëshirshme shpata e mprehur “që u rinte armiqve te koka”. Ishte koha kur edhe ata që kishin luftuar me armë dhe kishin përballuar sakrifica të shumta për pushtetin popullor, pyesnin veten dhe shokët (sigurisht me zë të ulët, po edhe me revoltë): Pse për këtë luftuam ne?

    Genc Leka nuk ishte armik, nuk kishte kryer veprimtari armiqësore. Këtë e dinin edhe ata që e dënuan si të tillë. Ai ishte njeri i punës, i virtyteve të larta morale dhe për këtë gëzonte simpati në krahinën e tij. Ishte poet lirik me ndjeshmëri për natyrën, për vlerat e jetës, për dashurinë. Shkroi vjersha edhe për luftën e partizanëve. Ai dinte të çmonte edhe të mirat që pati ajo kohë, veçanërisht në shkollimin masiv të fëmijëve deri në skajet më të largëta, në shkundjen e pluhurit të prapambetjes mendore të njerëzve, në ngjalljen e shpresave të mëdha për ditë më të mira, ashtu siç ka ditur të ndrynte brenda vetes edhe brengat e tij për prangat e padukshme që e mbanin të mbërthyer shpirtërisht, derisa një ditë iu hodhën prangat e hekurta. Genc Leka dhe Vilson Blloshmi u pushkatuan për të ndrydhur dhe për të mpirë mendjet dhe vullnetin e rinisë, për të vrarë shpresën e përparimit e të ndryshimit. Genc Leka është edhe një dëshmor i gjuhës shqipe. Gjuha shqipe dhe trashëgimia kulturore shpirtërore e krahinës së Bërzeshtës u bënë frymëzimi i jetës së tij intelektuale. Ai do të mbetet i paharruar.                                                               

    Genc Leka për veten dhe punën e tij

    Tetor 1963

     “Jam arsimtar i gjuhës shqipe në shkollën 7-vjeçare Zdrajsh të lokalitetit të Çermenikës. …. Seksioni i arsimit të rrethit tonë deri tani nuk na ka njoftuar mbi sa ju na shkruani. Sidoqoftë, një punë të tillë unë e kam nisur vetë pa më thënë ndokush, vetëm e vetëm se jam i pasionuar pas gjuhës shqipe.”

    15 dhjetor 1964

    “Unë dua që të jem një “bashkëpunëtor”, nëse mund ta quaj kështu, i Institutit të Histori-Filologjisë, ose më mirë një mbledhës i rregullt i fjalës. Për këtë kam besim se do të jap kontributin tim në sajë të ndihmës suaj. Mora edhe ftesën që më dërgonit me rastin e sesionit shkencor organizuar në kuadrin e 20-vjetorit të çlirimit. Do të ishte ngjarje e madhe për mua sikur të mundja të merrja pjesë, por letra erdhi më datë 3.XI, kështu që mbeta pa ardhur.”

    17 janar 1968

    “… Dua t’jua shpreh me zemër të hapur, shoku drejtor, se dëshira ime e zjarrtë është dhe do të mbetet gjithmonë që të kem një bashkëpunim të rregullt dhe të përhershëm me ju, … prandaj ju premtoj me besim në forcat e mia, se do të vazhdoj të mbledh materiale sa më të vlefshme… Një ngjarje e paharruar për mua dhe shumë e vlefshme, do të ishte edhe pjesëmarrja ime në Konferencën e Dytë Albanologjike, që po zhvillohet në kuadrin e 500-vjetorit të vdekjes së Heroit tonë të madh, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu. Sot, që kjo konferencë e çmuar albanologjike  po përfundon punimet e saj të frytshme, edhe unë e ndiej veten krenar dhe shpreh edhe një herë dëshirën time të zjarrtë për të rifilluar së shpejti bashkëpunimin tim të rregullt, sapo të lirohem nga radhët e ushtrisë.”

    4 tetor 1970

    Një dorë fjalësh e shprehjesh frazeologjike. Ja më në fund fryti i thjeshtë i një pune, duke u endur poshtë e lart te ky vend plot gjurmë, që të çojnë deri në thellësitë më të largëta të lashtësisë. E ndoshta, mjeshtërve të thesarit gojor të popullit do t’u duhet një punë shumë e madhe për t’i bërë këto fjalë e shprehje të vlefshme për gojën e brezave të ardhshëm!

    Pasioni për fjalën shqipe

    Ky është Genc Leka me pasionin e tij për të bërë diçka më shumë sesa detyra e mësuesit të fshatit, për të sjellë një ndihmesë sado të thjeshtë për gjuhën shqipe. Në radhët e mësipërme pulson zemra e tij me frymëzim atdhetar, zemër e një mësuesi, si shumë e shumë të tjerë që ka nxjerrë Normalja emërmadhe e Elbasanit. Duke bashkëpunuar me Institutin e Gjuhësisë, që është përpjekur gjithnjë ta mbajë afër atë dhe të tjerët si ai, Genc Leka fitoi më shumë besim në vete, studioi, i zgjeroi dijet e tij për fjalorin e gjuhës shqipe, e përsosi mjeshtërinë e vëzhguesit dhe mbledhësit të fjalës së popullit, hyri në mendjet dhe zemrat e njerëzve të thjeshtë dhe atë pasuri fjalësh e shprehjesh që gjeti atje, e quajti në mënyrë kuptimplote “Nga mendjet dhe zemrat e njerëzve të thjeshtë”.  

    Genc Leka e ndjeu kënaqësinë e bashkëpunimit me një institucion shkencor, që jo vetëm ia vlerësoi punën, por edhe e ndihmoi të ecte përpara, i dha besim në vete, ia ngriti autoritetin përpara burokracisë vendore. Letrat që merrte ky mësues fshati, të nënshkruara nga drejtori i Institutit A. Kostallari, dëshmojnë se Genc Leka ka pasur jo vetëm vullnet e pasion për hulumtime, por edhe një aftësi intelektuale të spikatur. Materialet e tij që në fillim janë vlerësuar si të mira e shumë të mira. Genc Leka si djalë i rritur pranë bujqve të mirë të Bërzeshtës, dinte të mblidhte e të shpjegonte fjalët e shprehjet më karakteristike e të trevës së tij dhe plot të tjera që e zgjeronin njohjen tonë për gamën e kuptimeve të fjalëve dhe për shtrirjen gjeografike të  tyre. Ja disa nga vlerësimet për punën e tij si mbledhës i fjalës shqipe:

    4.12.63

    Një pjesë e mirë e materialit tuaj është mjaft i vlefshëm për Kartotekën e Leksikut të Shqipes. Lutemi që në mbledhjen dhe regjistrimin e fjalëve e frazave të rralla shqipe të keni parasysh udhëzimet e dhëna nga ne.

    1964

    Ju njoftojmë se materialet leksikore dërguar prej jush në datën 28.12.1963 u vlerësuan. Të gjitha materialet ishin të vlefshme për Kartotekën e Leksikut të Shqipes. Vazhdoni të na ndihmoni me materiale të tilla, për të cilat leksikografia shqipe ka nevojë.

    3.3.1964

    Theksojmë se materiali juaj i përmbush pothuajse të gjitha kërkesat e udhëzuesit. Si i tillë, ky material është i vlefshëm për leksikografinë shqipe. Disa udhëzime dhe vërejtje më speciale që po jua shkruajmë më poshtë, do t’ju ndihmojnë në punën e mëtejshme.

    16.4.1964

    Materiali juaj pasqyron një punë më të ngritur nga ana cilësore për mbledhjen e fjalës së rrallë e të frazeologjisë shqipe. Ne shpresojmë se puna juaj do të shkojë edhe më tej nga caqet e nivelit të tanishëm. Ju keni filluar t’i zgjeroni kërkimet tuaja në lëmin e leksikut abstrakt. Këtë duhet ta vazhdoni edhe më tej. Për mbledhjen e frazeologjisë popullore shqipe të krahinës suaj keni bërë gjithashtu hapat e parë… Ne kërkojmë gjithashtu që ju t’u shtini dashurinë për punën edhe arsimtarëve të tjerë të rrethit tuaj dhe t’i nxisni ata që të kontribuojnë në mbledhjen e leksikut. Instituti ynë ka udhëzuar Seksionin e Arsimit të rrethit tuaj për të ndjekur punën për krijimin e fletores së fjalës së rrallë në çdo fshat. Ne duam që përvojën tuaj t’ua jepni edhe të tjerëve. (shih: Letërkëmbimi i Genc Lekës me prof. Androkli Kostallarin, f. 495–529 te libri Genc Leka “Vepra”

    Vepra e  Genc Lekës

    Më 2009 u botua vepra e plotë e Genc Lekës, ku janë përmbledhur poezitë, studimet etnografike, materialet gjuhësore (fjalë e shprehje të mbledhura nga goja e popullit)[1]. E gjithë lënda e librit është gjurmuar, mbledhur dhe sistemuar nga Bedri Blloshmi. Libri u redaktua dhe u pajis me shënime dhe parathënie nga prof. Sadik Bejko.  Lënda gjuhësore në “Veprën” e Genc Lekës zë 181 faqe (313-494) dhe letërkëmbimi i tij me Institutin 34 faqe (495-529). Genc Leka ka mbledhur dhe ka shpjeguar rreth 2000 fjalë e shprehje. Kohë pas kohe ai bënte plotësime e sqarime të reja për kuptimet dhe përdorimet e fjalëve. Dihet se njeriut nuk i bie rasti të bëjë gjithnjë atë punë që do, që ka për zemër, por njeriu duhet gjithnjë ta dojë atë punë që bën. Veçse nuk ndodh gjithnjë kështu. Një pjesë e mbledhësve të fjalës shqipe punën e tyre e kanë ndier më fort si një detyrim administrativ. Për rastin e Genc Lekës mund të them, besoj pa u gabuar, se ai ka lëvruar atë arë që ka pasur më për zemër: arën e gjuhës shqipe e të kulturës popullore shqiptare dhe e ka dashur me gjithë zemër edhe njërën edhe tjetrën. Si redaktor i lëndës gjuhësore të librit, mund të them me bindje të plotë se Genc leka  ka punuar me shumë kujdes e me shumë dashuri, prandaj materialet e tij janë plotësisht të besueshme. Dorëshkrimet origjinale të tij dhe të mbledhësve të tjerë kanë vlerë dokumentare e arkivore. Megjithëse mbi bazën e tyre mund të përgatiten botime të ndryshme, ato ruajnë vlerën e dokumentit origjinal.

    Vlera e fjalës së popullit

    Në vitet 1963-1975, kur Genc Leka ka mbledhur materialet gjuhësore, Instituti ynë kishte ndërmarrë një aksion të madh kombëtar për mbledhjen e fjalës së popullit. Njerëzit më të shquar të gjuhësisë shqiptare kanë theksuar se në gojën e popullit gjenden mijëra e mijëra fjalë të panjohura dhe me vlerë të madhe jo vetëm për ta pasuruar fjalorin e gjuhës e shkrimit, por edhe për studimet gjuhësore. Prof. A. Kostallari dhe bashkëpunëtorët e tij, që po ndërtonin atëherë projektin e një fjalori të ri të gjuhës shqipe, e kishin të qartë se ky fjalor, pa një fushatë kombëtare për mbledhjen e pasurisë leksikore, do të dilte i gjymtë. Fjalorët (jo vetëm të mesmit, po edhe të mëdhenjtë) e gjuhëve me tradita lëvrimi dhe me letërsi të pasur përmbajnë, si rregull, fjalë që dëshmohen në gjuhën e shkrimit, në botime. Në rastin e shqipes gjendja është ndryshe. Nga përvoja ime mund të them se një numër jo i vogël fjalësh të “Fjalorit të gjuhës shqipe” (FGjSh 1954) nuk dëshmohen në letërsinë e vjelë për kartotekën. Ato janë vetëm fjalë fjalorësh, d.m.th. FGjSh i ka marrë nga Kristoforidhi, nga Bashkimi, nga N. Gazulli, nga P. Tase e nga mbledhës të tjerë të fjalës shqipe, që janë mbështetur kryesisht te gjuha e folur. Pra, shumë fjalë të fjalorëve nuk kanë hyrë ende në gjuhën e shkrimit, ndërsa fjalët e gjuhës së shkrimit deri në vitet ’70 përgjithësisht kanë hyrë në “Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe” (1980), kuptohet kur përmbushnin kriteret leksikografike përkatëse.

    Me këtë sy, me syrin e përfshirjes në fjalorin e ardhshëm, është parë nga sektori i leksikologjisë edhe materiali i Genc Lekës. Atij i është kërkuar të japë shpjegime plotësuese, të gërmojë më thellë për të shkuar te rrënjët e kuptimeve të fjalëve, të bëjë skica e vizatime sqaruese (që ai i ka bërë me mjeshtëri). Dhe disa nga fjalët e Genc Lekës, që ai besonte se mjeshtërit e thesarit gojor të popullit do t’i bënin të vlefshme për gojën e brezave të ardhshëm, vërtet kanë hyrë në “Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe” (1980). Po sjell nja dy shembuj. Në FGjSSh gjenden fjalët ALBËR dhe ALBËRISHTË.

    ALB/ËR, ~RA f. sh. f. sh. ~ra,  ~rat 1. Ashkël e hollë, cifël e hollë druri. Albra sëpate.

    2. Lapër, copë lëkure e shqitur. Iu ngrit një albër në dorë.

    3. Cipa e hollë që mbështjell pjellën, ani.

    «Trembet nga një albër trembet nga një punë a nga një vështirësi fare e vogël.

    ALBËRISHT/Ë, -A f. sh. ~a,  ~at. Vendi ku zakonisht çahen drutë me sëpatë dhe ku bien e mblidhen vazhdimisht albra; grumbull albrash në një shesh a në oborr. E kaluan dimrin me albërishtën.

    Për këto fjalë Genc Leka, me kërkesë të A. Kostallarit, që ka ngulmuar shumë për fjalën albër, ka dhënë shpjegime të hollësishme gjatë v. 1971

    [2]. Nuk e di nëse në Kartotekë kjo fjalë është sjellë edhe nga mbledhës të tjerë, por shpjegimet e FGjSSh (1980) duket se janë formuluar sipas shpjegimeve të Genc Lekës.

    Në FGjSSh janë përfshirë për herë të parë edhe fjalët:

    XIBËRRIMË, ~A f. sh. ~a,  ~at. Vend shumë i pjerrët; tokë joprodhuese, xibërrakë.

    XIBËRRISHT/Ë, ~A f. sh. ~a,  ~at. Vend i pjerrët e me tokë të keqe; tokë që nuk prodhon; xibërrakë, xibërrimë.

    Të dyja këto fjalë, me të cilat besoj se sqarohen dhe toponimet Xibërr e Xibërrakë,  gjenden të shpjeguara në materialet e Genc Lekës.

    Genc Leka sjell dhe fjalën tum/e, ~ja me kuptimin “vend i ngritur në formë të rrumbullakët”, që të kujton po këtë fjalë te FGjSh (1954) “Majë kodre a mali pa dru”. Kjo nuk është përfshirë në FGjSSH, por aty gjendet tum/ë, ~a si term i arkeologjisë me kuptimin kodërvarr (italisht tumulo). Ndoshta fjala tume nuk ka të bëjë me italishten tumulo dhe me këto të dhëna mund të përfshihet përsëri në fjalorin shpjegues të shqipe.

    Fjalori i Genc Lekës qëndron me meritë përkrah fjalorëve të mbledhësve të tjerë të zellshëm të fjalës shqipe, të cilëve gjuhësia shqiptare u detyrohet shumë. Lënda e tij kam përshtypjen se nuk është skeduar e gjitha në KLSH. Materialet e mbledhësve të fjalës shqipe e fitojnë vlerën e tyre të vërtetë vetëm kur radhiten së bashku në skedarët e kartotekës dhe plotësojnë njëra-tjetrën me hollësitë e kuptimeve e të përdorimeve dhe me të dhënat për shtrirjen gjeografike. Të vështruara kështu së bashku ato rivlerësohen dhe nga skedarët e KLSH kalojnë nëpër faqet e fjalorëve, bëhen pasuri e përbashkët, e të gjithëve. Genc Leka me materialet e tij të pasura ka sjellë një ndihmesë të çmuar për njohjen më të plotë të visareve të gjuhës e të kulturës sonë popullore./albspirit.com

                                                                                                                 

    [1] Genc Leka, “Vepra”. Redaktoi, pajisi me shënime dhe parathënie: Sadik Bejko. Botimet “Almera”, Tiranë, 2009, 558 f.

    [2] Në letrën drejtuar A. Kostallarit lidhur me këtë fjalë, Genc Leka jep shpjegimet e sqarimet e mëposhtme  për kuptimet dhe përdorimet e saj:

    Për fjalën e parë álbër, dua të theksoj se përdoret me kuptimin cifël, çikël, siç shkruani edhe ju, por në këtë zonë, e konkretisht në Bërzeshtë, përdoret me kuptimin áshkël, pjesëz druri që del nga të rënit e sëpatës shumë herë në një vend, ku ka një nyç të fortë. Kurse kur pritet (shkurtohet) druri, pjesët që dalin nga sëpata quhen buláshka. Pra, kuptohet se álbërat janë së më të vogla dhe më të imëta se buláshkat. Ato përdoren për të ndezur zjarrin në fillim (si pjesë që marrin flakë menjëherë, ngaqë janë të holla), kur këto janë të thata. Theksoj se fjala álbër nuk përdoret për rastin cifël guri a diçka tjetër. Vendi ku çahen drutë me sëpatë, tek i cili qëndron një tjetër dru i fortë me kllápë për të mbështetur drurët e tjerë që do të shkurtohen apo çahen, si edhe për të mos rënë sëpata në tokë quhet albërishte, sepse aty vazhdimisht nga çarja e druve bien álbëra. Kurse kur drutë priten me sharrë (shkurtohen), ose edhe kur çahen për dërrasa, nuk kemi álbëra, por miell sharre (tallásh, siç quhet në terminologjinë e sharrave, shën. im).

    Shembuj: 1) Dil nga lëmi dhe na merr ndonjë álbër të thatë, sa të ndezim zjarrin. 2) Prej një álbëre trembesh ti? 3) Nuk kalon dimri vetëm me albërishtën, mor bir, jo! (D.m.th. dimri kërkon shumë dru e jo mbeturinat e druve që janë çarë e djegur herë mbas here). (Sipas bisedës me G. Lekën, mars 1971).

    Por dua të theksoj se fjala álbër ka edhe një kuptim tjetër, që mendoj se ia vlen ta përmend, ndonëse përdoret pak rrallë. Quhet álbër ajo cipa e hollë që mbështjell viçin e sapolindur. Lopa, fill mbas lindjes, duke nxjerrë edhe një britmë (pállje) të mbytur, e lëpin viçin dhe me gjuhë ia heq álbërën, me qëllim që viçi të ngrihet sa më parë për të pirë qumësht (kulloshtër). Për ta lehtësuar këtë veprim që bën lopa, mbi trupin e viçit hedhim një dorë kripë, sidomos kur lopa e ka lindjen e parë. Pra, álbërën lopa e ha gjatë lëpirjes dhe viçit i krijon frymëmarrjen e lirë, si edhe një farë ngrohtësie. Shembull: Tashti po i heq álbërën, pastaj do të ngrihet. (N. Leka, qershor 1971, Bërzeshtë). Po kjo fjalë përdoret edhe për kafshët e tjera (dhen, dhi etj.). Me álbër, thotë biseduesja, është e mbështjellë edhe fëmija kur lind. Raste të tjera të përdorimit të kësaj fjale nuk kam hasur deri tani në bisedat e lira me njerëzit.

    ObserverKult

    Lexo edhe:

    EMIL LAFE: NJË “MËKAT” I ASDRENIT

  • Ceremoni për 113-vjetorin e Pavarësisë, Begaj: Të gjithë kemi një rol në integrimin në BE

    Ceremoni për 113-vjetorin e Pavarësisë, Begaj: Të gjithë kemi një rol në integrimin në BE

    Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka zhvilluar mbrëmjen e kësaj të premteje, më 28 nëntor, një pritje zyrtare në Presidencë me rastin e 113-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
    Gjatë fjalës së tij, presidenti Begaj theksoi rëndësinë e një kulture të re politike dhe angazhimin e çdo institucioni dhe qytetari në prioritetet kombëtare që e çojnë vendin përpara.

    “Ne kemi nevojë për një kulturë politike të re, që e vendos interesin kombëtar dhe të qytetarit mbi interesin partiak. Ne kemi nevojë të fokusohemi te prioritetet tona kombëtare, që e çojnë vendin përpara. Vetëm të përbashkuar në një qëllim të madh kombëtar ne mund të shmangim ndasitë që vonojnë rrugëtimin tonë të përbashkët.”, tha Begaj. Ai shtoi: “Në këtë rrugëtim europian çdo reformë ka rëndësi, çdo institucion ka përgjegjësi dhe çdo qytetar ka rol.”

    Më tej presidenti Begaj u shpreh: “113 vjet më parë, të parët tanë na lanë një amanet të çmuar: të ruajmë identitetin, të forcojmë shtetin dhe të mbrojmë lirinë! Detyra jonë sot është ta çojmë këtë amanet në një nivel tjetër. Ta bëjmë Shqipërinë një vend të drejtë, të sigurt, modern dhe europian. Për këtë na duhet guximi i Vlorës i vitit 1912, urtësia dhe mençuuria e Ismail Qemalit dhe vullneti i shqiptarit.”
    Pritja zyrtare vjen në kuadër të festimeve për 28 Nëntorin dhe përkujton sakrificat e brezave që sollën pavarësinë dhe themeluan shtetin shqiptar. Ceremonia pas fjalës së presidentit vijoi me disa dolli dhe shfaqje muzike e kërcimi me motive patriotike.

  • Pas Bardhit, VanHorn pret edhe Ballën: Dialogu konstruktiv dhe liria e fjalës janë…

    Pas Bardhit, VanHorn pret edhe Ballën: Dialogu konstruktiv dhe liria e fjalës janë…

    E Ngarkuara me Punë e SHBA në vendin tonë, Nancy VanHorn, priti këtë të martë, më 25 nëntor, në takim krerët e grupeve parlamentare, Taulant Ballën dhe Gazment Bardhin. Siç bëri të ditur ambasada amerikane në një postim në rrjetet sociale, VanHorn theksoi se dialogu konstruktiv dhe liria e fjalës janë shtylla të institucioneve të forta politike.
    “E Ngarkuara me Punë, Nancy VanHorn, zhvilloi sot diskutime frytdhënëse me kryetarët e grupeve parlamentare, duke i angazhuar ata në planet e tyre për të përmbushur pritshmëritë e popullit shqiptar. Ajo theksoi se dialogu konstruktiv dhe liria e fjalës janë shtylla të institucioneve të forta politike”, thuhet në postim.
    Ambasada e Shteteve të Bashkuara shton se “pret të bashkëpunojë me përfaqësues nga i gjithë spektri politik për t’i bërë vendet tona më të sigurta dhe më të begata”.

  • Përshendetje ju sjell nga Brazili/ Dyrnjaja: Berisha u rikthye në origjinën e PPSH

    Përshendetje ju sjell nga Brazili/ Dyrnjaja: Berisha u rikthye në origjinën e PPSH

    Analisti Denis Dyrnjaja e krahasoi nisjen e fjalës së Sali Berishës dje në Foltoren përpara kryeministrisë, si një reminishencë me përshëndetjet që vinin në kongreset e PPSH-së, 40 vite më parë nga partia simotra nëpër botë dhe kjo, sipas Dyrnjasë, bëhet për të inkurajuar masat.“Mua mu duk shumë interesante se pashë Berishën të kthyer në origjinën e hershme me përshëndetje nga parti simotra si në kongresin e 8 të të PPSH-së, ku vinin përshëndetje nga Vietnami apo vende të tjera socialiste për t’i dhënë inkurajim masës. Dhe si në 1985 tani në 2025 kthehemi në të shkuarën.Por nuk korresopdon forca e fjalës me atë që ndodh poshtë.Këtu ka një problem disproporcional. Berisha mendon se mund të ketë sukses dhe nuk mund të ketë dyshim se ka marrë 500 mijë vota. Kaq pushtet do Berisha dhe mjafton të jetë aty”- tha Dyrnaja.

  • Protesta e opozitës, Spahia: Mesazhi kryesor rikthimi i fjalës së lirë në parlamentin e Shqipërisë dhe jo vetëm

    Protesta e opozitës, Spahia: Mesazhi kryesor rikthimi i fjalës së lirë në parlamentin e Shqipërisë dhe jo vetëm

    Opozita ka nisur serinë e protestave kombëtare, duke e cilësuar këtë si një formë të re të komunikimit me qytetarët, me objektiv kryesor rikthimin e fjalës së lirë dhe mbrojtjen e interesit publik. Gjatë fjalës së tij, deputeti demokrat, BardhSpahia, theksoi se protesta synon të kthejë zërin e munguar në institucionet demokratike, veçanërisht në parlament.

    Sipas tij, mazhoranca aktuale po përdor forcën e numrave për t’i hequr opozitës të drejtën e fjalës në çdo seancë. “Është një protestë e cila synon të rikthejë edhe njëherë fjalën e lirë, të munguar tashmë në institucione si parlamenti,” deklaroi ai, duke shtuar se qëllimi është rikthimi i parlamentarizmit tek qytetarët.

    Spahia akuzoi qeverinë se po tenton “në mënyrë djallëzore” të shtypë dhe të mbulojë problematikat e pafundme të vendit, duke eliminuar debatet, interpelancat me ministra dhe duke hedhur poshtë çdo iniciativë të opozitës, siç është ngritja e komisioneve hetimore.

    Mesazhi kryesor i protestës, siç u shpreh Spahia, është kërkesa që mazhoranca dhe qeveria të japin shpjegime për situatën e vështirë me të cilën përballet Shqipëria, duke vënë në pah atë që ai e quajti “korrupsion galopant”.

    Në këtë kontekst, ai solli në vëmendje aferën korruptive të tunelit të Llogarasë, duke pretenduar se në të janë të përfshirë drejtpërdrejt Kryeministri Edi Rama dhe Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku. “Janë paratë e taksapaguesve shqiptarë, të paktën 50 milionë, flitet edhe për më shumë, deri në 90 milionë euro të vjedhura nga xhepat e qytetarëve,” theksoi Spahia.

    Në përfundim, ai u shpreh se opozita nuk ka rrugë tjetër përveçse t’i drejtohet rrugës dhe diskutimit të drejtpërdrejtë me qytetarët për të mbrojtur interesin publik që, sipas tij, është “jashtëzakonisht i sulmuar”

    Spahia:

    Ne e kemi deklaruar në fakt që në organizimin, në fillimin e deklarimit të kësaj forme të re të afrimit me qytetarët shqiptarë. Është një protestë e cila synon të rikthejë edhe njëherë fjalën e lirë, të munguar tashmë për hir të së vërtetës në institucionet e fjalës së lirë, siç është parlamenti, ku mazhoranca me forcën e numrave dhe të kartonave, çdo seancë i ka hequr të drejtën e fjalës opozitës shqiptare.

    Dhe nëpërmjet opozitës, njëkohësisht edhe të qytetarëve, të cilët opozita i përfaqëson. Në këtë kontekst, mendoj se është një rëndësi e të veçantë fillimi i këtyre protestave, për ta rikthyer edhe njëherë parlamentarizmin tek qytetarët. Problematikat janë të pafundme, të cilat kërkojnë vëmendje dhe të cilat synon në mënyrë shumë djallëzore mazhoranca aktuale t’i shtyp, t’i mbulojë nëpërmjet eleminimit të debateve në parlament apo të interpelancave me ministra dhe përfaqësuesit e qeverisë, apo edhe duke hedhur poshtë çdo iniciativë të opozitës shqiptare, siç është ngritja e komisioneve hetimore, për shembull, që është një e drejtë kushtetuese e deputetëve, të opozitës dhe jo vetëm.

    E thashë më përpara, objektivi kryesor është mbrojtja e interesit qytetar dhe publik, i cili është jashtëzakonisht i sulmuar nga kjo mazhorancë dhe kjo qeveri. Nuk kemi rrugë tjetër përveçse t’i drejtohemi rrugës dhe kontaktit dhe diskutimit me qytetarëve.Mesazhi kryesor e thashë dhe pak më përpara, është rikthimi i fjalës së lirë në parlamentin e Shqipërisë dhe jo vetëm. Duhet, kjo mazhorancë dhe kjo qeveri duhet t’i japin shpjegime për problematikat jashtëzakonshme me të cilat përballet sot Shqipëria. Korrupsioni galopant.

    Dhe këtu sjell në vëmendje aferat korruptive të njëpasnjëshme, madhore, siç ishte ajo e fundit e aferës korruptive e tunelit të Llogarasë, e cila sheh të përfshirë kryeministrin Rama dhe zëvendës kryeministren Balluku. Janë paratë e taksapaguesve shqiptarë, të paktën 50 milionë, flitet edhe për më shumë, deri në 90 milionë euro të vjedhura nga xhepat e qytetarëve.

  • Voton kandidati i PS në Mat, Altin Bojni: Sot është dita e fjalës së qytetarëve

    Voton kandidati i PS në Mat, Altin Bojni: Sot është dita e fjalës së qytetarëve

    Kandidati i Partisë Socialiste në Mat, Altin Bojni, i është drejtuar kutive të votimit ditën e sotme, në zgjedhjet lokale.

    Ai ka deklaruar se sot është dita e fjalës së lirë të votuesve, teksa u bën thirrje të gjithëve të votojnë.
    “Sot është një ditë e rëndësishme për të ardhmen e bashkisë sonë. E diela është dita e votuesve, e votimit, dita e fjalës së qytetarëve. Ju ftoj të dilni në votime, me qetësi dhe dinjitet”, tha ai.
    Altin Bojni është përballë dy kandidatëve të pavarur të mbështetur nga opozita, Eduart Brahilika dhe Suzana Pasha.

  • Voton kandidati socialist në Mat, Altin Bojni: Sot dita e fjalës së lirë, dilni votoni

    Voton kandidati socialist në Mat, Altin Bojni: Sot dita e fjalës së lirë, dilni votoni

    Kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë e Matit, Altin Bojni, pasi ka ushtruar të drejtën e votës, u ka bërë thirrje qytetarëve të marrin pjesë masivisht në zgjedhje. Ai e cilësoi ditën e sotme si një moment të rëndësishëm për të ardhmen e bashkisë dhe apeloi për një proces të qetë e dinjitoz.
    Altin Bojni: Sot është një ditë shumë e rëndësishme për të ardhmen e bashkisë tonë. E diela është dita e votuesve, dita e vendimit, dita e fjalës së qytetarëve. Ju ftoj të dilni të gjithëve në votime me qetësi dhe dinjitet.

    Procesi i votmit në bashkinë e Matit ka nisur në orën 07:00. Në këto zgjedhje kanë të drejtë vote sipas listës së zgjedhjeve të fundit parlamentare 26,700 qytetar, ndërsa pritet që të marrin pjesë rreth 50%.
    Procesi votimit pritet të mbyllet në orën 18:00./vizionplus.tv

  • Next Verse 2025/ Shkodra,  vendtakim i poezisë dhe kulturës mbarëshqiptare

    Next Verse 2025/ Shkodra, vendtakim i poezisë dhe kulturës mbarëshqiptare

    Shkodra, qyteti i artit dhe kulturës, u bë për dy ditë me radhë qendra e fjalës poetike dhe e krijimtarisë letrare shqiptare, me zhvillimin e Festivalit Letrar Mbarëkombëtar “Next Verse – Ku Shkojnë Fjalët”. Kjo ngjarje kulturore u organizua nga Biblioteka Publike “Marin Barleti” në bashkëpunim me Bashkinë e Shkodrës, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë, duke sjellë një program të pasur me lexime, diskutime dhe reflektime mbi letërsinë e sotme shqipe.

    Mbrëmja e 31 tetorit shënoi hapjen zyrtare të festivalit në hollin e katit të dytë të Teatrit “Migjeni”, ku organizatorët mirëpritën autorët pjesëmarrës nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.

    Në fjalën përshëndetëse, drejtoresha e Bibliotekës Publike “Marin Barleti”, Ledia Dushi, theksoi rëndësinë e bashkimit të zërave letrarë nga hapësira mbarëkombëtare dhe vlerën që ky festival ka në forcimin e dialogut kulturor përmes fuqisë së fjalës.

    Pas saj, foli Xhahid Bushati, i cili vlerësoi larminë krijuese të autorëve pjesëmarrës dhe u ndal në rëndësinë e kontributit të secilit prej tyre në pasurimin e letërsisë bashkëkohore shqipe, duke e parë këtë festival si një dëshmi të gjallë të vitalitetit kulturor që bashkon trojet shqiptare.

    Në ditën e dytë e festivalit, më 1 nëntor, Teatri “Migjeni” u kthye në një skenë të gjallë ku fjala poetike mori jetë përmes leximeve autoriale të mysafirëve të ftuar.

    Në sesionin e parë, publiku ndoqi leximet autoriale të Blerina Rogova Gaxha, Stefan Çapalikut, Durim Taçit, Donika Dabishevcit, Fahredin Shehut, Ndue Ukajt dhe Lena Ruth Stefanović. Poezitë dhe tregimet e tyre përshkuan temat e identitetit, kujtesës, dashurisë dhe përjetimit njerëzor, duke e mbajtur publikun të përfshirë në një përvojë të thellë ndjesish dhe reflektimesh.

    Më pas, zërat e Nora Prekazit, Lulzim Hazirit, Mark Lucgjonajt, Andreas Dushit, Marsela Neni, Artur Bakut sollën një valë të re fryme e energjie krijuese. Poezitë e tyre lëviznin nga personalja në universalen, nga përvoja intime te përballja me realitetin bashkëkohor.

    Salla e Teatrit “Migjeni” u mbush me jehonën e fjalës së gjallë, duke dëshmuar se letërsia shqipe vazhdon të ketë zëra të fuqishëm e të ndryshëm, që dialogojnë fuqishëm me publikun.

    Programi i festivalit pastaj vazhdoi me një vizitë në Varrezat e Rrmajve, një udhëtim ky për të nderuar personalitetet e kulturës që prehen në Shkodër, aty ku fjala jeton përtej kohës. Drejtues i këtij udhëtimi dhe folës ishte akademik Stefan Çapaliku.

    Aktiviteti pati karakter reflektues dhe kulturor, duke sjellë një ndalesë mbi historinë, arkitekturën dhe rëndësinë e këtyre hapësirave të kujtesës, si pjesë e traditës dhe identitetit të qytetit. Vizita u kthye në një moment përkushtimi dhe meditimi mbi lidhjen mes kujtesës, kulturës dhe vazhdimësisë së fjalës.

    Në mbrëmje, vëmendja u zhvendos në sallën “Koliqi” të Bibliotekës Publike “Marin Barleti”, ku u zhvillua paneli diskutim me temën “Letërsia shqipe pas viteve ’90”. Studiuesit Prof. Dr. Anton Berishaj, Dr. Brikena Smajli dhe Dr. Fabio M. Rocchi sollën analiza të thelluara mbi transformimet e letërsisë shqipe në periudhën post-tranzicion, ndikimin e globalizimit në krijimtarinë bashkëkohore dhe rolin e autorit shqiptar në kontekstin e sotëm kulturor. Diskutimi u shoqërua me pyetje dhe komente nga publiku, duke e kthyer panelin në një forum të hapur mendimesh dhe vizionesh për të ardhmen e letërsisë shqipe.

    Që të gjitha këto sesione u moderuan nga poetja e njohur shkodrane Arjola Zadrima.

    “Next Verse – Ku Shkojnë Fjalët” nuk ishte vetëm një ngjarje letrare, por një rrugëtim shpirtëror dhe intelektual që bashkoi gjithë hapësirën shqiptare në një të vetme, përmes fuqisë së fjalës.

    Me këtë edicion, Shkodra forcoi rolin e saj si një prej qendrave më të gjalla të kulturës shqiptare, ndërsa festivali la pas një ndjesi të thellë bashkimi, frymëzimi dhe vazhdimësie.Në fund, fjalët e poetëve duket se gjetën përgjigjen e tyre: ato shkojnë atje ku dëgjohen, ku ndahen dhe ku prekin zemrën e tjetrit. Dhe për dy ditë, ato gjetën shtëpinë e tyre në Shkodër.

    ObserverKult

  • Festivali Kombëtar Letrar “Në dritën e fjalës”, 30 konkurrentë në garë

    Festivali Kombëtar Letrar “Në dritën e fjalës”, 30 konkurrentë në garë

    “Çdo fjalë nga thellësia e shpirtit është një dritë e vogël që ndriçon një fillim të ri”. Nën këtë moto, gjatë fundjavës u zhvillua në kryeqytet edicioni i parë i Festivalit Kombëtar Letrar “Nën dritën e fjalës”.

    Rreth 30 konkurrentë nga vendi dhe trojet shqiptare interpretuan krijimet e tyre poetike në “Qendrën për Kulturë”, në ambientet e Kishës Ortodokse.
    Juria profesioniste, e kryesuar nga poeti e gazetari Preç Zogaj vendosi të vlerësojë me çmim të parë poeten nga Ferizaj Blerta Tmava.
    Teuta Biçaku u vlerësua me çmimin e dytë, ndërsa në vend të terë juria vendosi poeten Silva Anagnosti.
    Kjo nismë që kryefjalë ka poezinë si kryefjalë të shpirtit, synon të bëhet një ngjarje e përvitshme, duke u përfshirë në kalendarin kulturor të vendit.

    Top Channel

  • Incidenti gjatë fjalës së Ramës në Forumin e Investimeve, batuta e kryeministrit shkakton të qeshura: Ky është ilustrimi i…

    Incidenti gjatë fjalës së Ramës në Forumin e Investimeve, batuta e kryeministrit shkakton të qeshura: Ky është ilustrimi i…

    Po mbahet në Tiranë Forumi i parë i Investimeve EU–WB6 (Bashkimi Europian – Ballkani Perëndimor), një ngjarje historike që bashkon vendet e rajonit, vendimmarrësit e Bashkimit Europian dhe investitorë nga e gjithë bota.

    Gjatë fjalës së tij për krizën, kreu i qeverisë u përball me një incident të vogël, kur një pjesë e pankartës para mikrofonave u shkëput.
    Ndërsa po mundohej që ta vinte në vendin ku ishte, Rama e kaloi këtë moment me batutë dhe sportivitet.
    “Nëse kishit nevojë për ilustrimin e krizës, sapo e patë”, tha Rama me humor, teksa edhe në sallë shpërtheu e qeshura.
     
     

    Top Channel