Adriatik BALLA
Java e 15-të e Kategorisë Superiore, quajtur edhe “Abissnet Superiore”, mbylli dje ndeshjet e saj, ku pati rezultate interesante por edhe të papritura të shumta. Në tërësi fituan skuadrat e mëdha dhe të kreut, duke dominuar skenën futbollistike në garë por njëherësh pati edhe derbi që i dhanë Partizanit të drejtën të ikë nga fundi e të afrohet me grupin e “Final Four”, pasi të dielën të kuqtë mposhtën rivalen e tyre historike, Tiranën, me rezultatin 2-0. Ndërkohë, dje u luajtën tre ndeshje, ku e para në radhë ishte ajo mes Egnatias dhe Vorës, fituar nga rrogozhinasit 2-0 dhe që me trepikëshin e djeshëm arrijnë të forcojnë pozitat e tyre në grupin kryesues. Ndeshje mjaft e vështirë dje ishte ajo mes Elbasanit dhe Vllaznisë, që ishte një përplasje mes dy kryesuesve të garës. Në fakt, Vllaznia u penalizua që në fillim të lojës së djeshme, pasi Gjini me dy kartonë të verdhë në pak minuta u detyrua të lëshonte fushën e lojës me karton të kuq, duke e lënë Vllazninë me 10 vetë në fushë. Të gjendur në epërsi numerike, elbasanasit e patën më të lehtë në këtë ndeshje. Pjesa e parë, në fakt, u mbyll me rrjeta të paprekura 0-0. Por me fillimin e pjesës së dytë Elbasani gjeti golin me anë të Blaise Tsague. Ky rezultat nuk ndryshoi deri në fund dhe elbasanasit morën një trepikësh me shumë vlera për vazhdimësinë e garës, pasi mundën një rival direkt për kreun dhe tani kryesojnë të vetëm me 29 pikë, ndjekur nga Egnatia me 28, e më pas Dinamo me 26 pikë. Vllaznia zbret në vend të katërt me 25 pikë.
Dinamo, “nëndetësja” mposht Flamurtarin
Dinamo e bëri si duhet detyrën dje në Vlorë përballë Flamurtarit, duke fituar dhe duke marrë tri pikë të çmuara në garën për titull. Ishte Vila që shënoi golin e parë në minutën e 29-të, pothuajse në aksionin e parë sulmues serioz që bënë dinamovitët në portën vlonjate. Pjesa e parë do të mbyllej 1-0 për kryeqytetasit, kurse në pjesën e dytë, kur duhej të reagonte Flamurtari, ndodhi e kundërta. Kështu, Dinamo e kontrolloi lojën dhe arriti madje të shënonte edhe golin e sigurisë, me anë të Qefalijës në minutën e 78-të. Por “nëndetësja” doli përfundimisht mbi “ujë” në minutën e 87-të, kur Xhejms shënoi golin e tretë, duke vulosur fitoren e thellë të Dinamos dhe ngjitjen e saj në vend të tretë, me 26 pikë, duke qenë kështu në pozita të pretendojë titullin.
Egnatia nuk fal, mposht Vorën dhe vijon rivalitetin për kreun
Ndërkohë që dueli Elbasani-Vllaznia shihej dje si përplasje për kryesimin, duket se kjo gjë favorizoi një tjetër skuadër rivale për titullin, Egnatia, e cila e bëri si duhet detyrën e saj përballë Vorës, duke marrë tri pikë të vyera në rrugëtimin ambicioz të saj në këtë edicion futbollistik në Kategorinë Superiore. Kampionët në fuqi kanë fituar tani edhe përvojë dhe kanë një grup të mirë që dinë të marrin rezultatin e duhur në kohën e duhur. Kështu, Egnatia rikthehet te fitorja në kampionat, teksa mposhti Vorën me rezultatin 2-0, në duelin që rrogozhinasit e patën nën kontroll, thuajse gjatë gjithë sfidës. Për golin e avantazhit do të mendonte Albaneze, në minutën e 51-të, i cili u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë së fituar nga Buriç. Goli i qetësisë do të vinte nga Ndreca në minutën e 68-të. Ky ishte triumfi i tetë në 15 javë për Egnatian, që ka arritur të sigurojë 28 pikë.