Tag: fishtës

  • Fjalët e fundit të Fishtës

    Fjalët e fundit të Fishtës

    Shkrimtari i madh shqiptar i “Lahutës së Malcisë”, vdiq më 30 dhjetor të vitit 1940 në spitalin civil të Shkodrës. Para disa vitesh janë botuar detaje të rëndësishme të ditëve të fundit të jetës së tij.

    Në studimin e Fr. Agustin Gemelli, shkruhet: “At Gjergj Fishta, pak para se të ndahej nga kjo jetë, pasi u la porosi rinisë françeskane të provincës shqiptare, e mbyllte testamentin e tij me këto fjalë: ‘Po vdes i kënaqur, sepse kam punuar për fe, për Atdhe e për provincën tonë’”.

    Ndërkohë, sipas At Viktor Volajt, bashkëpunëtor i afërt i poetit, Gjergj Fishta para se të vdiste kishte përmendur nevojën për rishikimin e “Lahutës së Malcisë” dhe kishte përsëritur fjalën “i kryqëzuemi” në latinisht. Ai kishte kërkuar t’i pikturonin në murin përballë shtratit të tij skena nga “Gjyqi i fundit”.

    Edhe Patër Marin Sirdani, filolog e mik i poetit, shkruan në librin e përgatitur nga Benedikt Dema, se Fishta e mbylli testamentin e vetë me këto fjalë: “Po des konden (i kënaqur) përse kam punue për fe, Atdhe e për provincën tonë”.

    Ndërkohë, Lasgush Poradeci shkruante se mesazhi i fundit i poetit Gjergj Fishta janë fjalët e tij thënë një françeskani që i qëndronte te koka në çastet e fundit: “Po vdes. Ju tash keni me mendue për salikim, por edhe kombi ka të drejtë për rreth meje”.

    Ndërsa, italiani Enriko Grasi, që e kishte njohur nga afër poetin, duke folur për popullaritetin e tij në të gjitha shtresat e popullsisë, pohon se prej një të riu shkodran kishte dëgjuar se fjalët e fundit të shenjta të Fishtës kishin qenë: “Jo për tjetër, por sepse po lë armikun mbi truallin shqiptar, mua më vjen keq që më duhet të vdes”.

    Gjergj Fishta lindi në fshatin e vogël Fishtë të Zadrimës më 23 tetor 1871. Fillimisht punoi si bari, por shumë shpejt, kur ishte 6 vjeç, zgjuarsia e tij i bie në sy famulltarit të fshatit, i cili e dërgon Fishtën në Seminarin Françeskan të Shkodrës. Më 1880, kur hapet seminari në Troshan, ai vijon mësimet në këtë shkollë. Këtu ai shfaqi trillin poetik. Më 1886 dërgohet për studime në Bosnjë. Vitin e parë e kaloi në Guçjagorë, afër Travanikut. Mësimet filozofike i mori në kuvendin e Sutidkës, ndërsa ato teologjike në kuvendin e Livnos. Të kësaj kohe janë edhe “Ushtrimet e para poetike”. Më 1893 i kreu studimet shkëlqyeshëm.

    Krijimtaria artistike

    Gjergj Fishta ishte i pari shkrimtar shqiptar, i propozuar për çmim ‘Nobel’, prozator, poet, përkthyes; “Militant i letërsisë shqipe” – cilësuar nga Lasgush Poradeci dhe “Poet kombëtar i shqiptarëve” nga Eqrem Çabej.

    Poezinë e parë Fishta e botoi në “Albania”, më 1899, me pseudonimin e popullit. Gjatë veprimtarisë së dendur botuese, e cila përveçse në librat, u publikua edhe në 15 gazeta e revista të kohës brenda edhe jashtë vendit, veprimtaria e tij përfshin 40 vite të jetës, ku ai përdori 24 pseudonime.

    Si krijues Fishta, në radhë të parë ishte poet. Përkushtimin më të madh e pati ndaj epikës. “Lahutës së Malësisë”, veprës së jetës, ai i kushtoi 40 vjet punë. Ndërsa, vepra tjetër epike “Moisi Golemi dhe Deli Cena” u botua jo plotësisht në shtypin periodik. Tonet e madhërishme heroike, burimësia e papërsëritshme e përfytyrimeve, shqiptarësia në dhënien e mjediseve, heronjve dhe rrethanave kanë bërë që Fishta si epik të quhej “Homer i Shqipërisë”.

    Ndërthurjet e ndryshme të mitologjisë me realitetin, ashpërsia e stilit, mendimi i fuqishëm filozofik, dramaciteti i veprës kanë bërë që Fishta të krahasohet në këtë lëmë me Gëten e Danten.

    Fishta arriti të botojë këngët e para të “Lahuta e Malcisë”, kryevepër e poezisë epike shqiptare, më 1904. Tre vjet më vonë botoi përmbledhjen satirike “Anzat e Parnasit” dhe më 1909 përmbledhjen lirike “Pika veset”, më 1913 boton “Mrizi i Zanave”. Për veprimtarinë poetike, arsimore, atdhetare e fetare Gjergj Fishta mori nderime të ndryshme. Më 1931, Greqia i jep dekoratën “Foenix “. Më 1939, Italia e bën anëtar të Akademisë së saj.

    Në tetor 1913 botoi revistën “Hylli i dritës”, ndërsa më 23 tetor 1913 shpalosi flamurin kombëtar në kishën e Shkodrës, duke e lidhur atë me drita me xhaminë, për të treguar unitetin mes shqiptarëve. Gjergj Fishta mori shumë medalje të ndryshme nga populli i Shkodrës, i Beratit, mbreti i Austrisë, nga Greqia dhe Turqia. Vetëm pas viteve ’90-të, krijimtaria e Fishtës zuri vendin e merituar në letërsinë dhe në kulturën tonë kombëtare.

    Aktiviteti i tij patriotik

    Deri më 1899 Fishta shkruante me alfabetin shqip të françeskanëve. Në janar të 1899 ai u bë bashkëthemelues dhe pjesëtar aktiv i shoqërisë “Bashkimi”, të cilën e drejtoi poeti atdhetar Preng Doçi. Me alfabetin e kësaj shoqërie u botuan edhe krijimet e Fishtës të kësaj periudhe.

    Më 1902 emërohet drejtor i shkollës françeskane në Shkodër, deri atëherë e drejtuar nga klerikë të huaj. Menjëherë ai instaloi gjuhën shqipe si gjuhë mësimi në këtë shkollë. Shpejt Fishta u afirmua si poet dhe si atdhetar. Më 1908 ai mori pjesë në Kongresin e Manastirit si përfaqësues i shoqërisë “Bashkimi”.

    U zgjodh Kryetar i Kongresit dhe drejtoi punën e Komisionit të Alfabetit. Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë ai e priti me entuziasëm të veçantë, por Luftën Ballkanike dhe Konferencën e Ambasadorëve me një brengë të madhe. Shkodra, qyteti i tij, të cilin kërkonte ta aneksonte Mali i Zi, ishte në duart e fuqive ndërkombëtare. Brenga dhe entuziazmi duken në poezitë, por edhe në shkrimet publicistike, që boton në revistën “Hylli i dritës”, revistë letrare-kulturore, të cilën e themeloi në tetor të 1913 dhe u bë drejtor i saj. Nën pushtimin austriak boton gazetën “Posta e Shypnisë” (1916-1917) dhe më 1916 themelon, bashkë me Luigj Gurakuqin, “Komisinë letrare” që kishte për qëllim krijimin e gjuhës letrare kombëtare.

    Mbarimi i Luftës së Parë Botërore përkon me pjekurinë e plotë të personalitetit të Fishtës si poet, si intelektual, dhe politikan atdhetar. Nga fillimi i prillit të 1919 dhe gjatë vitit 1920 është sekretar i përgjithshëm i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Në dhjetor 1920 zgjidhet deputet i Shkodrës. Në prill 1921, në mbledhjen e parë të parlamentit shqiptar, zgjidhet nënkryetar, ku kreu veprimtari të denduara politike. Merr pjesë në Revolucionin e Qershorit më 1924. Përndiqet pas rikthimit të Zogut në Shqipëri dhe vitet 1925 e 1926 i kalon në Itali, ku ndërkohë krijon, boton e riboton pareshtur. Të kësaj kohe janë edhe pjesa më e madhe e dramave, tragjedive, etj. Pas kthimit në Shqipëri nis etapa e fundit e krijimtarisë së Fishtës. Kësaj etape i vë vulën përfundimi e botimi i plotë i “Lahutës së Malësisë” në 1937.

  • Kur Fishta ‘maskohej’ si sovjetik

    Kur Fishta ‘maskohej’ si sovjetik

    Qarkullon një legjendë se në vitet 1980, Petro Marko thoshte se Fishta është një elefant mbuluar me hi. I ndaluar e i mohuar gjatë gjithë viteve të regjimit komunist, poeti klerik, arkitekt, shkrimtar e dramaturg rizbulohet tashmë përmes kujtimesh e dromcash të fshehura.

    Gjergj Fishta në 149-vjetorin e lindjes, vjen përmes dëshmish e kujtimesh të atyre që ia ruajtën veprën, qoftë edhe duke e maskuar si sovjetik. Kjo shkruan literaturë sovjetike, një libër i tim eti, Mark Ndoja që ka qenë nxënës i Fishtës dhe në fakt është ‘Anzat e Parnasit’. Ky libër ka qarkulluar në Shqipërinë komuniste me kopertinë të letërsisë sovjetike. Ky është libër i 1937, mund të jetë kopja e parë e lahutës me dorëshkrimin e Fishtës që babai im e kishte idhur dhe është dënuar për të.

    Në këtë formë qarkullonin librat në atë kohë, me kamuflazh, tha Leka Ndoja. Vitet e ndalimit, patën vetëm rrekje për ta përbaltur. Ndoja tregoi rastin kur iu kërkua Fatos Arapit në vitet 1960, që të trajtonte Fishtën me sens negativ. Arapit ju mbushën sytë me lot, qante për Fishtën. Nuk pranoi dhe e hoqi nga puna se nuk pranoi Manush Myftiu, tregoi Ndoja.

    Në konferencën e mbajtur nga Qendra e Librit me rastin e përvjetorit, u nxorën në pah, jo vetëm vlerat e figurës poliedrike të Fishtës, por u dhanë edhe përgjigje mbi pikëpyetjet që e shoqëruan ndalimin e tij nëpër dekada. Alda Bardhyli tha se Fishta është joshje prej pasurisë që i la gjuhës. Ndërsa për Kolec Çefën, disa e kanë dashur e disa jo, por Fishta nuk mund të përkthehet në gjuhë letrare. 

    Me Italinë s’ishte për opurtunitet, ndryshe nga si duan ta trajtojnë, ai ishte me Italinë sepse Italia donte shtet shqiptar. Zhdukja e veprave u ndoq nga zhdukja e eshtrave, por figura e tij, mbeti e pashlyeshme në kujtesën e brezave që i mëkoi me dashuri për vendin dhe kritikë për klasën politike.

  • At Zef Pllumi: Eshtnat e Gjergj Fishtës i zhvarrosën dhe i gjuejtën në Drin…

    At Zef Pllumi: Eshtnat e Gjergj Fishtës i zhvarrosën dhe i gjuejtën në Drin…

    Nga At Zef Pllumi

    “Nji vorr për Atë Gjergj Fishtën”

    “Ajo natë e 31 dhjetorit 1940 nuk kje natë gzimi: nji ndër bijt ma në za të Shqipnisë mbulohej në dhe të zi. Nuk pati andrra lirije, pse dy pushtues të huej luftojshin mes vedit mbi këtë truell. Qielli kje i ngrysun, i ftoftë, i merdhitun si zemrat e shqiptarëve e toka me borë e me skllotë, kur po zhvillohej funerali i zi mortuor i Fishtës. Vonë në natën e 31 dhjetorit nji grup i vogël françeskanësh hapëm atë vorr me zemër të thyeme e me lot ndër sy. Te kryet nji kryq dullije për me çue në vend dishirin: Nji kryq druni, t’kojsha true,/nxierre e venma përmbi krye… Qindra kurora lulesh, që e mbuluen vorrin, nuk e zbukuruen atë vdekje”.

    “Dukej sikur në luftën e madhe të popujve mëndjeçoroditun Fishta po binte fli. Vorri ishte aty, në fund të kishës. Heshtje e mallëngjim. A thue se bota kje përmbysë me tërbim. Furishëm hynë ushtarët e 1944-trës me hyllin e kuq në ballë. Ata shpallën se kishin shembë botën e vjetër dhe do të ndërtonin “botën e re”: ‘Internacionale do të jetë bota e re!”. Para tyne u duk sikur kombit tonë iu përvdorën të gjithë hyjt e diejt e vet. Nga vorri në fund të kishës u hoqën në fillim kunorat me lule. Kryeqi dullije u zhgul. Mbet vetëm nji rrasë e bardhë e ftohtë mermeri, pa emen e pa kombsi. “Bota e re” që kishte ardhë nuk kje botë shqiptare; kjo e huej, sdihej e kujë. Nji botë me inade e maraze, pa din e pa iman, pa fe e pa atdhe, pa nderë e pa liri, pa gëzime as dëshirë, pa shpresa për të ardhmen. Kështu u ngrysën vitet e gjatë mbi atë vorr, ku prehej poeti: në nji robni që vetëm armiku e dëshiron”.

    “Kishat e xhamijat u shembën në tokë, bashkë me to Atdheu e njeriu. Herojt e kombit u quejtën spijuen e tradhëtarë. Hienat e kuqe, në tërbim e sipër iu suellën varrit në fund të kishës e dhunuen e shkatërruen”. Simbas nji dishmitari okular, eshtnat e të vorruemit i nxuerën gjithë inad e i hodhën në Drin. Partia kishte vendosë që Kishën Françeskane ta kthejë në kino-teatër, ndoshta nga friga se nga fundi i Kishës mund të ngjallej nji za, kje shkak i veprimit të shëmtuem. Por ai çast i turpshëm për mbarë kombin dhe rracën shqiptare ishte pregatitë kaherë: fillonte që te programet e para shkollore të pushtetit të ri. Vazhdonte me urdhën partiak, në fillim në surdinë te mbledhjet e plenumet e shkrimtarëve e gjuhëtarëve ndër rrethe të mbyllura, deri që shpërthente haptë me korin e neveritshëm të shkrimtarëve, kritikëve e historianëve të realizmit socialist, që u vunë në garë mes vedit se cili po hjedh gurë e baltë më shumë mbi poetin”.

    “I mbetun pa vorr, Fishta vazhdoi me jetue i strukun në kujtesën e legjendën e kombit, bashkë me herojt e epopesë së tij. Me gjasë lexuesit e tij nuk dinin kurrgja mbi fatin e trupit e t’eshtnave , dinin se kishte dikund një vorr, ku Poeti pushonte në paqe , ndoshta as nuk u jepnin randësi të mbetunave të tij. Ndërkaq në heshtje nën za, recitonin me ngulm kangët e “Lahutës së Malcis”, ky ishte një veprim konspirativ antishtetnor, antisocialist, antitiranik, antiservil që dënohej së paku me 10 vjet burg”.

    “Gjysmë shekulli ka kaluar prej vdekjes së tij fizike, e ka vërtetuar jetëgjatësinë e veprës së tij letrare, me gjithë kushtet specifikisht të vështira në të cilat i është dashur asaj të gjallojë. Na bie neve, breznisë që do të përgjigjemi tash e tutje për respektin ndaj traditës sonë letrare, t’ia japim asaj votën e dashurisë. Jo me fjalë. Ta mbrojmë me jetëgjatësi, duke ia shtypur e rishtypur pjesën më të mirë të kësaj vepre, e sidomos duke rregulluar marrëdhëniet e saj me historinë e letërsisë. Unë do të thosha jo duke i dhënë Fishtës vendin që i takon, por duke i kthyer historisë së letërsisë atë çka i mungon”.

    Ndërkohë, në vitin 1993 kishte nisur rindërtimi i Kishës Françeskane të Gjuhadolit.

    “Kur u emnue Provinçial Superjoj i françeskanëve të Shqipërisë, At Flavio Cavallini, fola me të për këtë punë që na priste. Dhe ma premtoi se kah mbarimi i rindërtimit të kishës, me siguri do të punohej edhe për reperimin e vorrit të përdhunuem. E mbajti premtimin.

    Mbas dy vjet punimesh erdh radha me u shtrue dyshemeja e kishës me rrasa mermeri. Ajo nuk u shtrue pa u ba sondazhet për vorrin, simbas të dhanave që kishim tregue. Më datë 13.11.1995 ditën e hënë, rreth orës 14.30 minuta, filluen gërmimet në prani të noteres V. Sulkaj.

    Aty kah ora 18.00 mbërritja edhe unë me At Leo Kabashin dhe kryeredaktorin e Hylli Aurel Plasari, kishim thirrë edhe drejtorin e radio Shkodrës, Z.D Luka. Me disa të tjerë që punojshim në rindërtimin e kishës ishte dhe Z. Ferdinand Topalli i cili dishmonte se e kishte pa me sy dikur kah i bajtën me karro eshtnat e Fishtës për me i hedh në Drin.

    Nga gërmimi i deriatyshëm u pa kjartë se nuk ishte dhe i zakonshëm i tokës, por nji material i ardhun nga prishje ndërtesash si copa tullash, gëlqere suvatimi, etj. Atë natë u punue deri aty kah ora 21 në thellësinë rreth 2 metra u gjetën vetëm pak eshtra të vogla dhe nji unazë kurrizore.

    U vërtetue plotësisht se vorrprishësit kishin gërmue jo vetëm në mes, ku gjindej rrasa e mermertë por në çdo qoshe, derisa kishin ra në eshtna. N’e nesre gërmimet vazhduen përsëri. U gjet fundi i kalbun i nji arkivoli drunit, nji copë nga petku fetar (stola), si dhe pak ornamente metalike t’arkës. Dheu aty përreth u kalue nëpër sitë e u gjetën edhe nji pakicë eshtnash , shpëtue prej dhunimit të vorrit”, kujton At Zef Pllumi, i cili do të vazhdonte të këmbëngulte deri në rivarrosjen dinjitoze të Fishtës.

    *pergatitun prej Rexhep Shahut

    ObserverKult

    ——————–

    Lexo edhe:

    INTERVISTA E FUNDIT E AT ZEF PLLUMIT: DY SENDE U DASHKAN NË JETË, FATI…

  • Na duhet një Antologjia e Naimit dhe Fishtës/Plotëson një mungesë, është një ide bashkuese !

    Na duhet një Antologjia e Naimit dhe Fishtës/Plotëson një mungesë, është një ide bashkuese !

    E vegimtë dhe grishëse është idea për një antologji të poezive të famshme të Naim Frashërit dhe Gjergj Fishtës, sëtoku.Dy emra të mëdhenj, me status të padiskutueshëm mbarëkombëtar, dy emra monumentesh mendarë, me fuqi rrezatuese të pashterueshme, çlirues energjish të brendshme shpirtërore në pafundësi.Kjo antologji e dyfishtë nuk është bërë kurrë më parë. Guximi për ta bërë këtë është substancialisht logjik dhe tërheqës, konstruktiv dhe i dobishëm nga të gjitha pikëpamjet.

    Nga Moikom Zeqo

    Naim Frashërin dhe Gjergj Fishtën i lidh në gen vetë Shqipëria.Ata quhen poetë kombëtarë, aspak rastësisht dhe jo thjesht për retorikë. Përkundrazi. Ata janë poetë kombëtarë sepse historikisht ishin pashmangshëm për të qenë të tillë.Ata janë poetë kombëtarë për shkak dhe arsye të thellë, të qenësishme. Ata janë poetë kombëtarë në harmoni me konstitucionet në rrafshin e konceptualitetit të patjetërsueshëm të përmasave, kumteve dhe misioneve historike. Ata janë poetë kombëtarë dhe do të jenë të tillë, jo thjesht në pikëpamje hierarkike, strukturore por edhe të vlerave të mëdha estetike dhe artistike.Naim Frashëri dhe Gjergj Fishta janë megjithatë të ndryshëm. Kjo ndryshueshmëri pasuron, nuk kontrakjon.Naimi vdiq më 1900 në pikëndarjen dhe pikëtakimin e shekullit XIX me shekullin XX.Naimi i takon gjysmës së dytë të shekullit XIX.Fishta i takon gjysmës së parë të shekullit XX.Së bashku kronologjikisht zotërojnë një shekull të plotë krijimtari. Nuk është pak. Askush përveç të dyve, nuk janë së bashku një shekull. Një kronologji sui generis.Naim Frashëri dhe Gjergj Fishta qenë megjithatë të ndryshëm. Njëri gegë dhe tjetri toskë e njëkohësisht thelbësisht shqiptarë.

    Naim Frashëri është shëmbëlltyra ndriçuese e Rilindjes Kombëtare, emblema simbolizuese që u riktheu identitetin shqiptarëve dhe kombit, i ringjalli, i dha dinjitet.Koha e Naimit është shumë më tepër se limitet kalendarike. Naimi njeriu i tre shekujve. Thonë, se në shekullin XXI patina e pikturave të Rembrandit humbet diçka, kurse fjala poetike është më përparësore, nuk i nënshtrohet rrezatimeve, madje fiton një rinim të imazhit, një lëvizje të pafundme. A nuk e kemi të tërë ndjesinë e mrekullueshme se fjala e Naimit është rinuar, – kush e beson se Naimi i lindur në fundin e shekullit XIX sot është i plakur – ndoshta bashkëkohësinë, qytetarinë e arteve tona ai e ka jo aq sa ne – po – më shumë”!Ne jemi të tërë naimianë, dmth Naimi shpreh diçka të pavdekshme nga identiteti ynë shekullor që s’vdes, që s’vjetrohet. Janë të paktë ata njerëz, që e arrijnë këtë gjë. Naimi është demiurg i fjalës hijerëndë shqipe.Naimi është – guxoi të jetë shumë më tepër: demiurg i kohës. Ai është po aq i së ardhmes, sa ç’është i vetëm përpjekës i së kaluarës së paharruar.Naimi e shpartalloi anonimatin.Naimi e ndjeu si askush, apelin e historisë – kur kombi rrezikon të shpërbëhet, të zhduket atëherë lind sozinë e tij – pra, Naimi është shumë më tepër se sa një njeri – është më saktë një qenie e pluralizuar – Njeriu Popull.Naim do të thotë i fuqishëm. S’është e rastësishme kjo semantikë, s’është e pa kuptim metafora e emrit. Naimi është me të vërtetë i fuqishëm, sepse, ai krijoi kryeformulën e shpirtit tonë.Ti Shqipëri më jep nder më jep emrin shqiptar!Sa shumë shekuj, sa shumë dendësi ka në këtë varg – sa shumë tragjedi!Sa kuptime ka ky varg – absolutisht i papërsëritshëm në aspektin historik, anagogik, alegorik e tropologjik, siç do të thoshte Bogdani i madh.Naimi është nga ata emra, që krijuan kozmogoninë e kulturës sonë me katër elementë.E para me idenë e njeriut shqiptar, nga homerikët më të vjetër të kontinentit, njeri i qytetërimit të qëmotshëm dhe të ri, njeri i emancipuar, krenar, thellësisht demokratik, i ashpër dhe lirik, i brishtë, sakrifikues dhe mendje e talent shpesh i mahnitshëm.E dyta me universin e botës shqiptare, e gjuhës letrare. Naimi është i pari, që konstruktoi e bëri shumë formula të këtij universi, të shumë koncepteve e ideve, që sot janë në bazën e konstitucionit modern e shpirtëror të shqiptarëve.E treta Naimi, si askush nga shkrimtarët e mëdhenj ballkanikë ngriti atributin e miqësisë së popujve – ish më tepër se një poet – një lider shpirtëror i mençur, paralajmëtar.E katërta me idenë, se arti fisnikëron, humanistizon, se arti s’është ornament i kotë, por një katharsis i fuqishëm, një mrekulli e demokracisë, lidhje e ndritur, lidhje e veçantë dhe e jashtëzakonshme e individit me popullin e ndërsjelltas.

    Naimi me De Raden është baba i literaturës moderne shqipe.Porsi pikë referuese ai është përfaqësuesi i madh i paraardhësve të mëdhenj.Pra, i një race të pavdekshme krijuesish kolosë.Vepra buzukiane është një manifest i jashtëzakonshëm gjuhësor e kombëtar po edhe letrar.Pjetër Budi synoi të bënte epopetë e para në poezi shumë më përpara, se Naimi të shkruante “Qerbelanë” e tij. Bogdani – padyshim talent i përmasave europiane, me ciklin e Sibilave krijoi konceptin e bukurisë perëndi dhe perëndisë bukuri, po që, s’kish asnjë vlerë pa Shqipërinë – pra bëjnë një herezi të pashembullt në konceptin teologji, s’janë perënditë, që krijuan Shqipërinë, po Shqipëria krijon edhe perënditë – dhe nuk kemi këtu mistikë të pakonceptueshme.Ne themi emrat e talenteve të popullit dhe s’kemi nevojë për përkthim, as për retorikë shpjeguese.Naimi është një novator i madh, idea e kombit, idea e pavarësisë, lirisë, është në tërë kozmosin naimian.Me eposin e Skënderbeut ai lartësoi tregimin epokal të Barletit – mesazh qytetërimi e krenarie për Europën.Ai është shkrimtari që bashkon kulturat, Homerin, Virgjilin me Hygoin, Lamartinin, Bajronin me Firdusin e Sadiun. Ecën kështu në hullinë e hapur bogdaniane, erudit i gjuhëve të perëndimit e të lindjes, për t’u pasuar nga Noli – gjithashtu i papërsëritshëm.

    Naimi krijoi sidomos lirikën shqiptare. Kryevepra e tij “Lulet e verës” është edhe për sot një model artistik. Në moshë shumë të re Naimi botoi persisht “Ëndërrimet”, gjithashtu një kryevepër e lirizmit filozofik dhe ekzistencial.Po Naimi e kuptoi se duhet t’i rigjente dhe t’i rikthente pikërisht gjuhës shqipe atributet estetike dhe vizionarizmin.Ai i riktheu gjuhës shqipe fuqinë e brendshme.Ai i riktheu gjuhës shqipe kujtesën historike, sidomos Gjergj Kastriot Skënderbeun.Naimi bëri ringjalljen e kombit, kur nuk ishte shteti. Gjergj Fishta luftoi për ringjalljen e kombit tashmë me shtet.

    Në katundin Fishtë në veriperëndim të Troshanit të Lezhës, lindi një djalë, që i vunë emrin Zef.Askush nuk ka mundësi të rikonstruktojë ditën e thjeshtë të lindjes së kësaj fëmije.Çdo gjë është mbuluar me mjegull, por ne sot bëjmë përpjekje, duke sforcuar përfytyrimin tonë, që të kuptojmë disi gëzimin e thjeshtë të familjes, dhe padyshim të kuptojmë diçka më tepër se kaq.Askush nuk ka mundur të profetizonte dot, se çdo të bëhej në të ardhmen ky djalë.Është vetë historia e kombit, që mundi përfundimisht të vinte simbolet e shenjta të shqiptarizmit në mendjen dhe në shpirtin e poetit të ardhshëm kombëtar.Fishta, pa mëdyshje, sot vlerësohet si një nga figurat më të mëdha të kulturës kombëtare.Mirëpo, duke bërë publikisht një ekzorcizëm para të gjithëve, para atyre, që e kanë dashur, por që heshtën, para atyre që në mënyrë mediokre dhe cinike e mohuan, para miqve dhe armiqve të Fishtës, që harruan thelbin e pavdekshëm të kësaj figure, atë thelb, që është i patjetërsueshëm, pavarësisht nga tërë skajimet e dyshimta politike.Kapërcimi i situatës anatemike dhe mohuese për Fishtën përkon me demokracinë, është në vetvete një vetëdije e re për këtë kryepersonazh të letrave shqipe.Ai është lavdëruar si askush, por edhe është sharë si askush. Ai në mënyrë paradoksale është vendosur edhe në Zenit, edhe në të kundërtën e Zenitit.Ky fat i çuditshëm i tij nuk u përcaktua aq nga letërsia dhe kultura sesa nga politika. Kundërshtarët krijuan tabu të vërteta për të.Aq më tepër që pjesa më e madhe e tyre as nuk tentuan ta kuptonin, ose edhe ta lexonin Fishtën.Diktatura krijoi një antipod për të dhe bëri një gjyq burlesk – një manipulim i pashembullt ky në historinë e kombit tonë.Është e nevojshme, që të ridimensionohet Fishta, të studiohet dhe të përcillen vlerat e tij tek të gjithë shqiptarët kudo në botë.Ai ka vendin e tij në panteonin e letrave shqipe.Këtë vend ai e ka patur gjithmonë, pavarësisht nga heshtja, pavarësisht nga paradoksi.Kur Fishta aderoi në urdhrin fetar të françeskanëve u mbiquajt me emrin Gjergj.A është ky një evokim i emrit të heroit tonë kombëtar? Gjatë studimeve të tij në Bosnjë ai u njoh edhe me krijimtarinë e poetit kroat Kaciq, i cili kishte bërë një poemë për jetën dhe bëmën e fatosit shqiptar, Gjergj Kastrioti, fragmentet e s cilës, të përkthyera në shqip i botoi edhe Konica në “Albaninë” e tij.Fishta u bë i pavdekshëm, pikërisht, duke u mbiquajtur Gjergj, sepse në të vërtetë në tërë aksionin e madh të jetës së tij ai shpirtëzoi trimërinë shqiptare, idenë kolosale të lirisë dhe të mosnënshtrimit të kombit.Fishta qe krijues i kalibrit të madh.Vepra e tij ka përmasa të cilat janë të pakrahasueshme me shumë krijues të tjerë shqiptarë.Ai shkroi shumë dhe është mjeshtër i vërtetë i gjuhës shqipe.Në 1908 ai do të ishte mis i Kongresit të Manastirit, ku u vendos për alfabetin, që përdorim dhe sot. Pettrota në veprën “Popolo, lingua e literature albaneze”, Palermo, 1931, faqe 335, ka thënë se diskutimi i Fishtës në Kongresin e Manastirit qe vendimtar dhe se “ai fitoi admirimin e të tërë të pranishëmve”.Mjafton vetëm kjo veprimtari kombëtare, që emri i Fishtës të përmendej në histori.Por mohuesit e tij xhuxhë, qëllimisht i mbyllnin sytë.Sa qe gjallë vepra e Fishtës qe një nga instrumentat kryesorë të arsimit kombëtar. Fama e tij i kapërceu shpejt kufijtë e Shqipërisë. Ai u bë një emër i ndërkombëtarizuar. Dhe kjo nuk u bë me anë të marifeteve apo trukeve të dyshimta të publicitetit.

    Norbert Jokli, një nga albanologët më të mëdhenj, flet për Fishtën me admirim në Enciklopedinë “Grosser Brockhaues”. Një tjetër albanolog, Maksimilian Lamberci që do të botonte në gjermanisht kryeveprën e Fishtës, që në vitin 1916 shkroi në Vjenë fjalët e mëposhtme: “Koha e ardhshme do të dijë ta çmojë më mirë rëndësinë e këtij njeriu”. E.Stranik, gjithashtu përkthyes i Fishtës në gjermanisht, më 1922 do ta krahasonte Fishtën me Tagorën. Por, shumë të rëndësishme për mendimin eseistik shqiptar janë dy esetë e shkruara nga profesor Eqerem Çabej dhe poeti Lasgush Poradeci për Fishtën, fill mbas vdekjes së tij. Për fat të keq këto dy ese kryevepra, modele të analizave artistike dhe filologjike, nuk janë përmendur asnjëherë më pas dhe nuk janë marrë në konsideratë nga shkenca letrare shqiptare. Ripublikimi i tyre do të ishte një ndihmesë e kualifikuar, e klasit të parë, për të kuptuar figurën e Gjergj Fishtës. Mendimet e Çabejt dhe të Poradecit janë mendime të dy kolosëve të kulturës. Ato në vetvete janë më autoritative dhe të vërteta sesa tërë analizat e cekëta apo kualifikimet e politizuara.

    Gjergj Fishta është autori i “Lahutës së Malcisë”. Është e vërtetë që krijimi i një eposi në vargje mund të dukej si diçka e vonuar, madje dhe e prapambetur krahasuar me letërsinë e kultivuar apo dhe shpesh herë të sofistikuar europiane.Është gjithashtu e vërtetë se kjo kryevepër e Fishtës qëndron midis letërsisë orale dhe letërsisë profesionale. Por Fishta qe një njeri që në mënyrë origjinale diti të bëjë një sintezë që është padyshim një nga dëshmitë më të çuditshme jo vetëm për shqiptarët por edhe në Ballkan e në Europë.“Lahuta e Malcisë”, ka një skenar tipik homerik, në të ka arketipe të stërlashta që lidhen me rrënjë të thella të shekujve. Pse iu drejtua kësaj forme poetike Fishta? Në libra të tjerë Fishta dëshmoi që e njihte shkëlqyeshëm prozodinë e kultivuar, njihte sonetin dhe forma të tjera të poezisë europiane. Ai kishte dijeni të shumanshme stilistike, ishte njohës i klasicizmit, por pa dyshim njihte edhe letërsinë moderne që dominoi sidomos dy dekadat e para të shekullit 20-të.Qëllimi i Fishtës kur zgjodhi formën adekuate të eposit të tij, ishte përtej aspiratave të artit, përtej vetëm faktit të një vepre të mirëfilltë letrare. Ai do të krijonte kështu një art që qëllimisht e afroi me deklamimin ose më saktë me këngët legjendare të lahutës së kombit të tij për të krijuar maksimumin e komunikimit me shqiptarët për të realizuar një gjë që rrallëkush në histori ka mundur të bëjë; vepra e tij të mësohej përmendësh edhe nga analfabetët. Po pse qe kaq e rëndësishme kjo gjë? Kush ishte apeli imperative, klithma e tmerrshme që shungullonte horizontet e kohës? Për të kuptuar mesazhin e Gjergj Fishtës duhet kuptuar një mesazh akoma më i vjetër, absolutisht një nga mesazhet më të mëdha dhe më të gjatë të kohërave për shqiptarët.Ky mesazh buronte që në kohërat antike, atëherë kur vërshimi i fiseve sllave asimiloi shumë gjëra dhe në kundërpërgjigje populli krijoi Eposin e Veriut, një nga monumentet më hijerëndë dhe të pushtetshëm për imagjinatën dhe vetëdijen e brezave. Asnjë popull nuk e ka patur si populli ynë rrezikun dhe mundësinë e zhdukjes totale. Është e vërtetë që shqiptarët mbijetuan, por është aq e vërtetë që ata nuk mbijetuan rastësisht. Apeli i mbijetesës u trashëgua nga Eposi i Veriut i kreshnikëve tek epika fishtjane. U bë kështu si të thuash një lloj edicioni i dytë, por tashmë nga një poet i vetëm, i cili ka origjinalitetin e tij dhe i popullarizoi bëmat e shqiptarëve me një varg më të kapshëm: siç ishte vargu tetërrokësh.

    Fishta e shkroi të tërë “Lahutën e Malcisë” edhe për t’iu kundërvënë vitit 1913 që bëri ndarjen fatale të kombit. Për vitin 1913 ka protesta, dokumente, letra, artikuj të atdhetarëve, të cilët nuk pranuan asnjëherë këtë padrejtësi. Por duhej një vepër unike, duhej më saktë një kryevepër për t’iu kundërvënë kësaj ndarjeje.Fishta është i vetmi në historinë e letërsisë shqipe që e bëri këtë gjë në llojin e vet, sipas mendësisë shqiptare. Dhe për të mos mbetur veprat dhe vargjet një relike bibliotekash e formësoi qëllimisht me atë prozodi që ishte më e kapshme, më popullorja duke bërë të mundur që të ishte çdo shqiptar pjesëtar një koautor në veprën fishtjane.Këtu është sekreti pse mbijetoi Fishta!Këtu është thelbi i tij kombëtar i cili qëndron përtej jetës së tij politike, përtej jetës së tij letrare apo dhe fetare. Dhe njëkohësisht ky pikëshikim bën të mundur që të shpjegohen edhe jetët e tjera të poetit.Me të drejtë një dijetar bashkëkohës, veprën e Fishtës e quajti “Syri ciklopik i vetëdijes së kombit”. Nga kjo pikëpamje ajo është sot më aktuale se kurrë. Madje, ajo përjeton një aktualitet të shumëfishuar, shumëherë më të fuqishëm sepse është në sfondin plot ankth të emergjencës historike, kur të gjithë shqiptarët kudo në botë presin nga Konferenca e Hagës një zgjidhje të denjë për Europën e emancipuar dhe të kulturuar të këtij fundshekulli.Orët e maleve që kanë kaq shumë vend dhe lëvizje në vargjet e Fishtës janë valkiret alpine të shqiptarizmit. Vargu i Fishtës ka vërtet diçka oshëtuese, ai është vagnerian, ai është plot besim për kombin.Karakteristik është pseudonimi i poetit Gegë Toska, i mbushur nga nënkuptimet dhe mbikuptimet e unitetit të kombit.Ai u drejtohet figurave të mëdha të kujtesës kombëtare; “Surgite mortui”, (Ngrihuni të vdekur).Në pikëpamje etike vepra e Fishtës është edhe një lloj dualizmi zarathustrian i së Mirës dhe së Keqes, ku me të Mirën kuptohet Liria e shqiptarit dhe me të Keqen mohimi i kësaj Lirie.Substanca etnike është guri filozofal i Fishtës me të cilin ai transformon fjalët dhe metaforat e tij në qenie të vërteta të përjetshme të imagjinatës dhe të historisë. Për Fishtën illyrika gens metamorfizohet nga albanica gens dhe këtu mund të gjendet i tërë universi i tij.

    Latinët thonin: “Poeta nacitur” poeti lind. Është e vërtetë që Fishta është një poet që nuk mund të përsëdytet më. Ai sot më shumë se kurrë duhet të vendoset drejt dhe saktë në raportet midis shkrimtarëve dhe krijuesve të tjerë të mëdhenj të gjuhës shqipe.Një kult i ri i tij është absolutisht i panevojshëm madje dhe i dëmshëm.Ai kërkon të vihet në atë vend që i takon me meritë dhe jo më shumë. Ai është nga ata krijues që i mjaftojnë vetvetes. Një kult i ri do të ishte pasojë e një politizimi të ri ashtu siç qe mohimi i tij pasojë e një politizimi absurd që tashmë duhet ta quajmë përfundimisht të kapërcyer. Nga ana tjetër edhe një lloj skepticizmi i ri do të qe gjithashtu një retrograd politizues. Poeti qëndron si monument në truallin e vet se ashtu siç është shprehur Lasgushi i madh se Gjergj Fishta është “shkëmb i tokës dhe shkëmb i shpirtit shqiptar”.Po sa punë duhet – punë serioze e vërtetë për të bërë përcjelljen e librave të Fishtës tek brezat e rinj, tek të gjithë, për të bërë botimet komplete të kësaj trashëgimie, që janë Vademecum i shqiptarizmit!

    Antologjia e Naimit dhe Fishtës plotëson një mungesë, është një ide bashkuese dhe sinkretike. Ata janë Veriu edhe Jugu dhe ndërsjelltas, sepse kombi shqiptar është vetëm një, të dy mjeshtrit e fjalës, firmosën dhe janë garantë të një pasaporte të shpirtit dhe identitetit.Kjo antologji është e rrëfimit lirik. Nuk janë përfshirë poemat e mëdha epike të dy autorëve.Poezitë kanë përafërsi temash dhe materiesh.Poezitë që i kushtohen Shqipërisë burojnë nga e njëjta dashuri përvëluese dhe kombkrijuese.Të dy poetët shkruajnë apoteoza për gjuhën shqipe. Ata e theksojnë mitin përtëritës të gjuhës etnike, kodin e saj. Motivi atdhetar bëhet kështu substancë.Naimin dhe Fishtën i bashkon nostalgjia për vendlindjen.Ata janë dy dhe vetëm dy kombndriçuesit e mëdhenj.Të dy poetëve u intereson liria e natyrës, e peizazhit. Të dy këndojnë për malet si simbolikë mendore. Bjeshkët alpine dhe mali i Tomorit janë e njëjta racë e peizazhit shqiptar, i njëjti dekor.Të dy poetët kanë ndjesi universale dhe vizione për jetën dhe vdekjen.Të dy shkruajnë për dhimbjen për të afërmit në varreza. Poezi epigrafike, të ndjera.Të dy janë atdhetarë të pazëvendësueshëm dhe mistikë të mëdhenj.Veç ata janë të atdheut dhe të kulturës, ndoshta më shumë se sa të Zotit.Ata nuk ndajnë, ata vetëm plotësojnë.Nuk mund të mënjanojmë një vlerë tjetër të madhe të dy poetëve tanë në çështjet e gjuhës.Naimi është kryemjeshtri i asaj që u formësua si gjuha letrare shqipe.Fishta është mjeshtri i një norme më dialektore, i gegërishtes letrare. Në fakt është dimension i një gjuhe kombëtare. Nuk kemi të bëjmë me dy gjuhë.Kjo s’duhet harruar.S’ka vend për polemika shterpe.Të dy poetët janë monumente të madhërishme gjuhësore, të fiksuar përjetësisht në histori.Duhen mësuar pasardhësit që t’i shijojnë të dy, kështu mprehen më shumë shqisat e gjuhës tek secili.Është e vërtetë që kjo gjë i bën të ndryshëm, por jo të papajtueshëm.Në një farë mënyre ata krijojnë edhe alternativa të së njëjtës kulturë poetike.

    Antologjia nuk është thjesht një eksperiment botimi, por një konfirmim i gjallë. Naimi dhe Fishta janë misionarë të pavdekshëm, siç u tha më lart, janë kombndriçuesit tanë.Kështu, ata u njehsuan me Kombin si Janusi mitik: një kokë e vetme me dy fytyra.

    (Tiranë 20 shtator 2006)

    ObserverKult

    Lexo edhe:

    JORGE LUIS BORGES: KUR TË VDES UNË…