Tag: firma

  • Si po shuhet në heshtje korrupsioni disa miliarda euro i Bankers

    Si po shuhet në heshtje korrupsioni disa miliarda euro i Bankers

    Dy muaj pas aksionit të vonuar të drejtësisë shqiptare ndaj kompanisë koncesionare Bankers, ku u arrestuan disa drejtues dhe ish-drejtues, dosja e Prokurorisë së Fierit është në vendnumëro. Asnjë veprim për “bashkëpunëtorët” e kinezëve dhe shqiptarëve të arrestuar!
    Nëse deri më tani akuza ka faktuar se ata kanë shkelur ligjet e shtetit shqiptar, me një dëm të madh ndaj vetë buxhetit, me cilët bashkëpunuan këta individë privatë? Kush i lejoi të xhironin mbi 6 miliardë euro dhe t’i nxirrnin bilancet me fitime minimale, sa një market lagje?
    Dosja e “Bankers” patjetër që duhet të shtrihej deri te firmëtarët e koncesionit. Te ata që rinegociuan marrëveshjen apo te strukturat e Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore apo edhe të Drejtorisë së Tatimeve që lejuan një abuzim të frikshëm. Por, edhe te ata zyrtarë shtetërore që lejuan që shqiptarëve t’u vidhet një pasuri e stërmadhe.
    Askush nuk pretendon se, nëse do të fusësh kovën nga nëntoka do të marrësh karburant dhe do t’ia hedhësh automjetit. Por, gjithkush e di që nëntoka shqiptare është e pasur me burime natyrore, të cilat kanë nevojë për përpunim për të nxjerrë një karburant të mirë. Dhe të tillë material ka me bollëk në fushën naftëmbajtëse Patos-Marinzë, fusha më e madhe në Shqipëri, e cila i është dhënë prej gati 20 vitesh një firme me koncesion.
    Dosja e Prokurorisë së Fierit patjetër që duhet të shtrihet edhe ndaj kompanive që kanë bërë biznes me “Bankers”. Firma të cilat janë rritur ndjeshëm, aq sa paratë që janë nxjerrë nga nëntoka, janë investuar në ndërtime në zonat më elitare në Shqipëri. Por, kush po i amniston këto firma?!
    Një nga kompanitë që del edhe në dosje e deri më tani s’është goditur është edhe një kompani nafte. Faturat e Bankers tregojnë se kompania ka marrë miliona euro. Por, si i mori këto para’? A ka bërë ndonjë procedurë firma koncesionare për t’ia dhënë punët publike kësaj firme? Për të gjitha pyetjet padyshim që duhet të ketë një informacion zyrtar nga Prokuroria e Fierit dhe jo të lihet në heshtje i gjithë ky skandal. Por nëse firmat e lartpërmendura janë private dhe po gjetën “shesh do bëjnë përshesh”, cili institucion apo zyrtar shtetëror i lejoi?
    Natyrisht ata që duhet të bënin detyrën, por mbyllën të dy sytë dhe ndoshta kanë zgjatur duart që ky skandal vetëm që të vijonte pambarimisht, me një dëm kolosal. Tashmë drejtësia duhet të bëjë gjënë më të thjeshtë dhe që është “A” e hetimeve; ndiq paratë! Është shumë e lehtë të gjenden se ku shkuan këto para’, pasi mjafton që të kontrollosh bilancet e firmave për të parë se paratë janë investuar në ndërtime, kryesisht në Tiranë.
    Në aferën Bankers kanë ngrënë dhe ngjyer gishtat të gjithë, ku një firmë që operon në Fier siç është “”Albstar” ka përfituar nga kontratat e Bankers. Sërish e njëjta procedurë, ku duket se hetuesit duhet të përqendrohen te investimet e kësaj firme në Tiranë, kryesisht me ndërtimet shumë katëshe. Madje, kjo firmë ka bërë edhe ndërtime në bregdet, me leje nga krerët e shtetit. Madje edhe si investitor strategjik!
    Prokuroria thotë se Bankers i bënte punët me nënkontraktorë, pikërisht firma që e kanë rrjepur për vite me radhë, me miratimin e drejtuesve dhe pronarëve të koncesionarit. Hetimet kanë provuar se nga viti 2005 deri në 2025, Bankers ka eksportuar naftë bruto në vlerën prej 598,581,754,111 lekë. Megjithë këtë xhirim miliardash, sërish fitimet kanë qenë me pikatore.
    Në dosjen e prokurorisë ka me dhjetëra përgjime të punonjësve të “Bankers”, ku theksohet se koncesionari mbante aktive llogaritë e saj në Shqipëri, por nuk depozitonte para. Firma ka vepruar vetëm me bankën “Raiffeisen Bank”, në Shqipëri dhe më pas në Austri, duke “transportuar” paratë e nëntokës, me një operacion shumë të dyshimtë.
    “Bankers nuk ka të deklaruar në AKBN apo në Administratën Tatimore llogari bankare jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Nga përgjimet telefonike ka rezultuar se njëra nga këto llogari gjendet në Austri pranë bankës Raiffeisen, por nuk është raportuar as se kush e krediton atë, në cilat vlera e krediton, cilat janë balancat e saj, etj., pavarësisht detyrimit ligjor që ajo ka për ta deklaruar. Bankers nëpërmjet këtyre llogarive bankare të padeklaruara deri më tani, kryen pagesa preferenciale ndaj disa subjekteve edhe këtu në Shqipëri” thuhet në dosjen e prokurorisë.
    Kush e lejoi të ketë këtë llogari?! Përse nuk janë shtrirë hetimet edhe ndaj AKBN-së apo edhe ndaj kësaj banke të nivelit të dytë? A mos vallë influencat, qoftë të biznesit, politikës apo edhe të vetë krimit, kanë ‘penguar’ një hetim nga ana e Prokurorisë së Fierit?!
    Deri më tani është faktuar se Bankers ka transferuar para’ në drejtime të ndryshme, si ndaj subjekteve apo dhe individëve, pa raportuar tek asnjë institucion i shtetit shqiptar. Këto transferta janë bërë që nga viti 2005!
    /Vox News/

  • Pritej vetëm firma, portieri i Meksikës shkoi për të pirë një kafe dhe “u zhduk” papritur

    Pritej vetëm firma, portieri i Meksikës shkoi për të pirë një kafe dhe “u zhduk” papritur

    Ka dështuar kalimi i Gijermo Oçoas te Burgosi. Portieri që ka shkëlqyer në Kampionatet Botërore me Meksikën ka befasuar klubin spanjoll në çastet kur pritej vetëm firma në kontratë.
    Gardiani 40-vjeçar i kërkoi zyrtarëve të Burgosit të ndryshonin një pikë në kontratën e tyre në mënyrë që të nënshkruante. Portieri meksikan është larguar më pas për të pirë një kafe, por nuk u kthye më në zyrë. Oçoa u zhduk papritur, teksa drejtuesit e skuadrës spanjolle nuk arritën të kontaktonin më me të as nëpërmjet enturazhit të tij.
    Sipas stafit menaxherial të lojtarit, shkaku i braktisjes së këtij tranferimi ishin ato financiare. Pala e portierit të Meksikës pretendon se klubi nuk i ofronte as minimumin e rrogës së ligës së dytë spanolle, kampionat në të cilin Burgosi bën pjesë. Madje 60% e të ardhuravr nga marketingu do të shkonin në arkat e klubit./Sport Ekspres/

  • Iu sekuestruan 26 milionë euro pasuri, kush është Kristian Koni që përdor edhe 4 identitete të tjera

    Iu sekuestruan 26 milionë euro pasuri, kush është Kristian Koni që përdor edhe 4 identitete të tjera

    Një individ me identitet të dyfishtë është vënë nën hetim nga organet ligj zbatuese me dyshime të forta për pastrim parash. I dalë nga hiçi, Olsi Meta alias Kristian Koni, është ngritur në piedestal, duke u lartësuar në rangun e biznesmenëve dhe oligarkëve, për nga paratë që qarkullon.
    Por kjo rritje galopante kryesisht në fushën imobilare, ka sjellë edhe dyshime të forta se bëhet fjalë për pastrim parash në vlera të mëdha. Informacionet e organeve janë se Meta po sjell paratë nga trafiqet e narkotikëve dhe po i investon në ndërtime në Tiranë dhe bregdet.
    Burimet nga organet ligjzbatuese i thanë VoxNews se Meta ka bashkëpunuar edhe me biznesmenë të tjerë, egzistues në Shqipëri, për t’u marrë troje, godina dhe apartamente, duke krijuar një zinxhir. Në fakt, gjithçka bëhet vetëm me letra dhe për bilance, pasi paratë kanë burime të paligjshme.
    Sipas dokumenteve që hulumtoi VoxNews, në vitin 2021, Olsi Meta alias Kristian Koni, krijoi firmë Kriol.al. Firma ka si objekt eksportin e automjeteve, shit-blerje të pasurive të paluajtshme dhe reklamim për kompanitë kombëtare dhe ndërkombëtare në fushën e internetit. Madje, e njëjta kompani merret edhe me internet, televizion, konsulenca menaxheriale, tregti të frutave dhe perimeve apo edhe pjesëmarrje në kuota.

    Çdo të thotë pjesëmarrje në kuota?! A mos vallë merren me call-centera dhe me bursa? Një veprimtari e ndaluar në Shqipëri, pasi të tilla aktivitete bëhen për zhvatje dhe mashtrime në fusha të mëdha. Informacionet nga policia e prokuroria flasin se Meta, krahas dyshimeve për pastrim parash, merret edhe me call-centera të paligjshëm, duke krijuar lidhje deri në kupolat e disa organeve.
    Hetimet dhe hulumtimet e mëvonshme mund të zbardhin të gjithë aktivitetin e paligjshëm, por firma e tij, duke pasur një objekt me dhjetëra fusha, në vend për abuzime dhe pastrim parash.
    Firma merret edhe me transport të mallrave dhe udhëtarëve brenda dhe jashtë vendit, si dhe çdo veprimtari tjetër ekonomike që konsiderohet e nevojshme për shoqërinë. VoxNeës shfletoi edhe lejet për transport, ku nuk rezulton se kompania Kriol.al të ketë marrë ndonjë licencë transporti. Por nëse nuk transporton njerëz dhe mallra, çfarë sjell në Shqipëri Meta?! Dyshimet janë se paratë nga aktivitetet e paligjshme, brenda dhe jashtë vendit, investohen në pasuri dhe biznese.

    Redaksia jonë shfletoi edhe bilancet e fundit të kompanisë Kriol.al, ku rezulton se ka xhiruar qindra mijëra euro, pavarësisht se nuk ka ndonjë aktivitet të mirëfilltë. Dyshimet janë se pronarët dhe administratorët kanë krijuar një rrjet kompanish që bëjnë vetëm fatura furnizimi, por që në fund fitimet janë minimale. Në vitin 2024, sipas dokumenteve, Kriol.al ka dalë me një fitim prej rreth 12 mijë eurosh. Pra, 1 mijë euro në muaj.
    Ndërkohë, që në të njëjtin vit firma ka xhiruar gjysëm milioni euro, duke bërë kontrata me kompani të tjera. Duket një rrjet i madh pastrimi parash, pasi paratë investohen në pasuri të paluajtshme dhe më pas shpërndahen.

    I njëjti person, me një begraund tepër të dyshimtë, ka hapur një tjetër kompani në vitin 2023. Sipas dokumenteve që hulumtoi VoxNews, objekti i firmës është dhënie e apartamenteve, dhomave me qira, konsulencë marketingu dhe broker. Sërish me objekte të shumta, çka i mundëson që të bëjë fatura të pafundme për shërbime që askush nuk e di nëse janë bërë apo jo. Organet ligjzbatuese duhet të shohin se kush person, individ, ka bërë pagesa për këtë kompani.
    Apo të shohë se me cilat firma apo biznese bashkëpunon Meta (Koni) që ka marrë apartamente dhe dhoma me qira. Aq i fuqishëm është ky individ, që ka filluar të xhirojë miliona euro, dhe ka hapur biznese të pafundme? Madje me nipte sekondare, ku të gjitha të dhënat të çojnë të pastrimi i parave.

    Nëse do të themelosh një kompani me 100 mijë lekë dhe më pas të xhirosh miliona euro, natyrisht që të gjitha indiciet të çojnë të pastrimi i parave, pasi aktiviteti i kompanisë fillon në Tiranë dhe përfundon në zonat bregdetare elitare në Palasë dhe Dhërmi.
    Ndërkohë që dyshimet janë edhe për aktivitete të tjera në fushën e call-centerave, pasi adresat e kompanive që ai ka themeluar përkojnë me celulat e tyre në kryeqytet. Nga këto aktivitet ai ka arritur të përvetësojë prona të pafundme, si troje, vila, apartamente apo edhe hotele. /Voxnews

  • Skandali me tenderin 2.3 milionë euro të Arkivave, Gjykata rikthen në garë firmën “Adel Co”

    Skandali me tenderin 2.3 milionë euro të Arkivave, Gjykata rikthen në garë firmën “Adel Co”

    Një tender me vlerë rreth 2.3 milionë euro ka shkaktuar një përplasje të fortë mes dy firmave, me akuza të ndërsjella ndaj njëra tjetrës. Nga njëra anë firma “Kristalina” dhe nga ana tjetër firma “Adel Co”, të cilat kanë përplasur “brirët” jo vetëm në procedurën e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave por kanë bërë kallëzime dhe padira ndaj njëra tjetrës.
    Tenderi po hetohet edhe nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion, pasi njëra nga firmat bëri edhe kallëzim penal. Por ka edhe vendime të Agjencisë së Prokurimit Publik, apo edhe Komisionit të Prokurimit Publik, me vendime të kundërta me njëra tjetrën. Nëse njëra (APP-ja) i jep tenderin firmës “Kristalina”, tjetra (KPP) ia jep firmës “Adel Co”.
    Një histori me shumë të panjohura, aq më tepër edhe vendimmarrjet e këtyre institucioneve meritojnë një hetim më të thelluar.

    Sipas dokumenteve, në datën 14 gusht 2025, në kulmin e ditëve të pushimit të zyrave shtetërore dhe nën një vapë përvëluese, Agjencia e Prokurimit Publik ka nxjerrë një vendim tjetër për tenderin e shumë përfolur.
    Vendimi është marrë nga Drejtoria Juridike dhe e Monitorimit të Procedurave në APP, teksa shkruan se me vendimin me numër 51, të datës 11 korrik 2025, është vendosur përjashtimi për 12 muaj i firmës “Adel Co” nga e drejta për të fituar kontrata publike, për “keqinformim për qëllime kualifikimi, në procedurat e prokurimit”.
    “Kundër këtij vendimi ‘Adel Co’, i është drejtuar Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, duke i kërkuar marrjen e masës së sigurimit të padisë, si dhe pezullimin e efekteve të vendimit të APP-së me numër 51. Gjykata Administrative me vendimin e datës 11 gusht 2025, ka vendosur pranimin e kërkesës për sigurimin e padisë, si dhe pezullimin e zbatimit të vendimit të APP-së, deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes” thuhet në këtë dokument.
    Sipas APP-së, vendimet e gjykatës për sigurimin e padisë janë tituj ekzekutive dhe ekzekutohen. “APP ka vijuar duke proceduar me heqjen e emrit të këtij operatori ekonomik nga lista e operatorëve ekonomikë të përjashtuar nga e drejta për të fituar kontrata publike. Ky vendim qëndron në fuqi deri në marrjen e një vendimi përfundimtar” shkruhet më tej në dokument.

    Vendimi i APP-së që përjashtoi firmën për keqinformim për të fituar 2.3 milionë euro

    Në dokumentin e datës 11 korrik 2025 të APP-së, theksohet se firma “Adel Co” u përjashtua 1 vit pas një hetimi administrativ për keqinformim për qëllime kualifikimi në procedurën e prokurimit “blerje kuti dhe dosje për ruajtje të përhershme për autoritete dhe ente kontraktore qendrore dhe rajonale”. Vlera e tenderit ishte 227.210.2025 lekë pa TVSH, zhvilluar nëpërmjet marrëveshjes kuadër nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave më datë 14 gusht 2023.
    Ky tender pësoi një kalvar të gjatë, teksa në APP procedura u fitua nga firma “Kristalina” me ofertë 1.7 milionë euro. Ndërkohë firma “Adel Co” e ankimoi këtë vendim në Komisionin e Prokurimit Publik, pavarësisht se vlera e saj ishte rreth 2 milionë euro. KPP-ja i dha të drejtë dhe e shpalli fitues firmën “Adel Co”.
    Nuk mbaron këtu, pasi firma “Kristalina” e ankimon në gjykatë vendimin e KPP-së, ku Gjykata Administrative e Apelit, me një vendim të formës së prerë, urdhëroi Komisionin e Prokurimit Publik që të ndryshonte vendim dhe të shpallte fitues firmën “Kristalina”. KPP-ja siç ka bërë zakon gjatë kohës që drejtohej nga Jonaid Myzyri nuk e zbatoi vendimin e gjykatës, por përjashtoi sërish firmën “Kristalina” nga kjo procedurë, teksa kjo firmë ka bërë edhe një kallëzim penal në SPAK, por deri më tani nuk ka një njoftim pubik për mbarëvajtjen e këtij hetimi.
    Si përfundim, ende sot e kësaj dite, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave nuk ka në dorë dosjet. Aq më tepër edhe me vendimin e fundit, ku pas përjashtimit, vjen edhe heqja e kësaj mase sikur të mos kishte ndodhur gjë.
    /Vox News/

  • Transaksione, bllokime në bankë, dy bilance, shit-blerje fiktive! Ku po shkojnë milionat e koncesionit të skanimit?!

    Transaksione, bllokime në bankë, dy bilance, shit-blerje fiktive! Ku po shkojnë milionat e koncesionit të skanimit?!

    Një nga koncesionet më të diskutuar të dy qeverive, i dhënë nga “Berisha” dhe i mbështetur fuqimisht nga “Rama”, në të katërt mandatet, është ai i skanimit. Por, gjatë kësaj kohe ka lulëzuar pikërisht objekti për të cilën është dhënë edhe skanimi; kontrabanda dhe trafiku i drogës!
    Gjatë 12 viteve që koncesioni është në fuqi dhe me një kontratë me qeverinë, droga ka vërshuar lumë në pikat e kalimit kufitar, qofshin ato tokësore, ujore apo ajrore. Janë sekuestruar vetëm disa pako, ndërkohë që indiciet janë se nga territori i Republikës së Shqipërisë kanë kaluar dhjetëra tonelata me çdo mjet të mundshëm, që nga ajri, toka apo edhe uji!
    Ndërkohë, paralelisht ka lulëzuar edhe kontrabanda nga të gjitha anët, ku disa doganierë edhe nga radhët e aparatit qendror janë vënë nën akuzë. Por, asnjë “qime nuk i është prekur” koncesionarit, pavarësisht se mban përgjegjësi njësoj.
    Por, në gjithë këtë situatë, çfarë bëjnë firmat që menaxhojnë skanimin?! VoxNews ka mësuar se firma apo edhe aksionerët bëjnë lloj – lloj manovrash që fitimet prej miliona eurosh të transferohen jashtë vendit. Ato funksionojnë me dy bilance, ndërkohë që dyshohet se janë bërë shit-blerje fiktive, apo edhe vendosen dhe hiqen kuotat e firmave kolateral.
    E gjitha një skemë sesi këto para’ të ikin jashtë vendit, teksa gjatë kësaj kohe megjithëse firmat dalin me fitim, nuk ndahet dividenti. Arsyeja?! Natyrisht për të mos paguar taksa shtesë, ku këto para’ riinvestohen me arsyetime “për punë”.
    VoxNews ka shfletuar dokumente zyrtare të kompanisë “S2 Albania”, e cila në vitet e fundit ka shtuar ndjeshëm fitimin. E njëjta kompani ka xhiruar dhjetëra miliona euro, ndërkohë që në “lojë” futet edhe kompania që është ortake esaj “ICMS”, e cila nga ana e saj bën sërish bilance me fitime prej miliona eurosh.
    Pra, ta themi më thjeshtë; firma koncesionare “S2 Albania” del me fitim vjetor 1.5 milionë euro. Firma e cila ka gjysmën e aksioneve del sërish me fitim 1.5 milionë euro. Ka dyshime se paratë nga firma koncesionare transferohen te ortaku, në mënyrë tepër të dyshimtë! Në krye të skemës qendron biznesmeni Olti Peçini, i cili është pronar me 100 % i firmës “ICMS” dhe zotëron me 49 % aksionet te koncesioni.Madje, ka dyshime të mëdha se që në krye të herës janë bërë manovra me këtë koncesion, ku vite më parë firma “mëmë” nga Amerika i fali për disa qindarka gjysmën e aksioneve. Pra, një firmë me xhirime prej dhjetëra miliona eurosh, ku mësohet se xhirimet deri në fund të koncesionit do të shkojnë deri në 200 milionë euro, shitet për 5 euro?!

    Faksimile: Bilanci i kompanisë “ICMS” në vitin 2024

    Dhe, me vetëm këtë investim, firma “ICMS” del me fitime prej miliona eurosh vit pas viti. Peçini arrin që të fusë në këtë kompani nga 3 deri në 4 milionë euro në vit nga koncesioni me punë dhe shërbime të kryera në pikat e kalimit kufitar, apo atje ku janë vendosur pajisjet, kamionët e skanimit.
    Sipas dokumenteve që ka hulumtuar VoxNews, në vitin 2022 ICMS doli me një fitim prej 1.7 milionë euro. Pak e shumë e njëjta shumë edhe në vitin 2023. Ndërkohë, në datën 20 qershor 2025 janë publikuar bilancet e kësaj firme për vitin 2024.
    Në këtë vit, firma ICMS që ka 49 % të koncesionit të skanimit, me pronar 100 % Olti Peçini, ka dalë me një fitim prej 149 milionë lekë, ose 1.5 milionë euro. “Shoqëria nuk do të shpërndajë dividendë” thuhet në dokumente, një veprim për të mos paguar asnjë kacidhe më pas shtetit.

    Faksimile: Deri në vitin 2024, kuotat e kompanisë ICMS ishin “peng” te BKT

    Firma që zotëron gjysmën e koncesionit ka qenë “peng” në një bankë të nivelit të dytë. Disa muaj më parë, në Qendrën Kombëtare të Biznesit është depozituar një deklaratë noteriale nga përfaqësuesit e Bankës Kombëtare Tregtare, në të cilën deklarohet se heqin dorë nga pengu i 49 % i kuotave të shoqërisë ICMS me qëllime që pengdhënësit të kryejnë veprimet e nevojshme për zhbllokimin e kuotave.
    “Lirohet nga çdo detyrim si barrëdhënës kundrejt bankës në zbatim të marrëveshjes siguruese të datës 7 dhjetor 2013. Koment ishte ‘shoqëria ICMS sh.p.k nuk do të shesë kuotat që ajo zotëron tek shoqëria koncesionare ‘S2 Albania’ sh.p.k, pa miratim nga Banka Kombëtare Tregtare” shkruhet në atë dokument.
    Nga një lexim i këtij vendimi me të drejtë lindin disa pyetje; Përse mori kredi dhe vendosi kuotat peng në BKT, kur 49 % e aksioneve i bleu për më pak se 5 euro? Mori kredi vetëm 5 euro?! Dhe këto kuotat i la peng?
    Por, ndërkohë lindin të tjera pyetje pas heqjes së pengut. Në dokument shkruhej se “BKT do të pyetej nëse ICMS do t’i shitej ‘S2 Albania”. Tashmë që janë hequr, a do të shitet kjo firmë? Ose më saktë, çfarë veprimesh do të kryejnë personat dhe a është një skemë e mirëfilltë pastrimi?
    Veprime tepër kontradiktore, me një nga shërbimet që cënon edhe sigurinë kombëtare. Por, nëse vetë firmat nuk janë të besueshme, bilance të dyshimta, veprime në bankë, a mos jemi në fazën që i gjithë koncesioni ka qenë dështim?

    Faksimile: Deklarata noteriale e krerëve të BKT-së në favor të firmës ICMS

    VoxNews ka shfletuar edhe deklaratën noteriale, ku Ndue Maluta, drejtor i Grupit të Menaxhimit të Riskut në BKT dhe Luigj Gjonaj, drejtor i BKT-së, kanë dhënë në favor të ICMS.
    “Aksionari i vetëm shoqërisë ‘ICMS’ z.Olti Peçini ka vendosur peng 49% të kuotave dhe të gjitha të drejtat dhe pretendimet lidhur me to, në favor të përfituesit në dhjetor 2013. BKT heq dorë nga pengu i 49% të kuotave e të shoqërisë ICMS shpk me qëllim që pengdhënësi të kryejë veprimet e nevojshme për zhbllokimin e kuotave pranë Qendrës Kombetare të Biznesit (QKB)” thuhet në këtë deklaratë.

    Faksimile: Bilanci i vitit 2023 i firmës koncesionare doli me një fitim prej 1.5 milionë eurosh

    Veprimet e firmave që menaxhojnë koncesionin duken si një orë zvicerane. Nga njëra anë firma ICMS del me një fitim prej 1.5 milionë eurosh, ndërkohë që edhe firma kryesore “S2 ALBANIA” del sërish me një fitim prej 1.5 milionë eurosh.
    “Ortakët e shoqerisë miratojnë pasqyrat financiare të shoqërisë për vitin 2023, të cilat rezultojnë me një fitim neto prej 152,901,516 lekë” thuhet në këtë dokument. Por, sërish nuk deklarojnë se ku do të përfundojnë këto para’. A janë shpërndarë apo do të riinvestohen në kompani që kryejnë punë?!
    /VoxNews/

  • Vota e diasporës, Berisha: Shqiptarët kudo që janë të ngrihen për një betejë përfundimtare kundër kësaj qeverie armike

    Vota e diasporës, Berisha: Shqiptarët kudo që janë të ngrihen për një betejë përfundimtare kundër kësaj qeverie armike

    Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë së tij në konferencë për mediat ka folur në lidhje me votën e diasporës. Berisha u shpreh se fletët e votimit nuk u janë dorëzuar votuesve. Ai më tej denoncoi se për këto zarfe nuk ka firmosur votuesi por persona të tjerë.
    Sipas tij kjo faktohet pasi në shumë raste firmat janë të njëjta si fjongo. Berisha shtoi se edhe në votimin e diasporës janë realizuar të gjitha falsifikimet, deformimet, manipulimet sesi procesi të mos shprehë votën e qytetarëve. Ai thekson se sqiptarët kudo që janë të ngrihen për një betejë përfundimtare kundër kësaj qeverie armike.
    “Vazhdojmë. Nuk i është dorëzuar votuesit. Me datën 14 maj, merreni me mend. Vazhdojmë. Me 12 maj dorëzimi, një ditë pas votimit. Me 12 maj. Vazhdoni. Me 12 maj. 12 maj. 14 maj. 12 maj. 12 maj. 12 maj. 12 maj, pra pas votimit. Vazhdo. Nuk ka firmë fare. Ua tregova historinë e postës së Hazirit, por Haziri e kishte për mirësi dhe jo për keqësinë e këtyre kriminelëve. Urdhëroni, pa firma. Nuk firmos kush.
    Të tjerë persona kanë firmosur. Vazhdoni. Tjetër person ka firmosur këtu për votuesin. Po kështu vazhdon kjo. Firma një zhgarravinë. Një antifirmë. Firma, shihni çfarë firme e bukur. Një vizë. Firmë, firma, firma… shikojeni…. viza thjesht, nuk kanë marrë as mundimin. Fjongo… fjongo, të tjera shenja… Të tjera shenja, shikojeni.
    Siç e shihni, edhe në votimin e diasporës janë realizuar të gjitha falsifikimet, deformimet, manipulimet se e si ky proces të mos shprehë votën e qytetarëve, por të shprehë mashtrimin dhe falsifikimin e narkoqeverisë, partisë së krimit, PS-së. Të gjitha këto janë një thirrje dhe kushtrim për shqiptarët kudo që janë, në Shqipëri, Itali, Greqi, SHBA, Gjermani e kudo, të ngrihen për një betejë përfundimtare kundër kësaj qeverie armike e egër e lirive të tyre, e të ardhmes së tyre. Unë kam besim se shqiptarët do përgjigjen më të fuqishme, më të merituar dhe do rikthejnë votën e lirë për qytetarët shqiptarë në Shqipëri dhe diasporë,’ tha ai.

  • Ndërtimi i 4 hidrocentraleve në Kaçinar/ Prokuroria kërkon pushimin e çështjes, banorët protestë

    Ndërtimi i 4 hidrocentraleve në Kaçinar/ Prokuroria kërkon pushimin e çështjes, banorët protestë

    Pamje nga protesta

    LEZHË- Prokuroria e Lezhës ka kërkuar për herë të dytë pushimin e hetimeve në lidhje me koncesionin për ndërtimin e 4 hidrocentraleve të vegjël në Kaçinar të Mirditës. Ky koncension kundërshtohet prej 7 vitesh nga banorët e zonës. Por vendimi i organit hetues është pritur me protestë nga banorët e zonës, të cilët ishin mbledhur para Prokurorisë. Në arsyetimin e parë, pasi ende nuk është zbardhur vendimi i plotë, gjyqtares Iva Caca i është bërë me dije nga Prokuroria se ndryshe nga kallëzimi i banorëve, nuk janë konstatuar elementë të veprës penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe “falsifikimit të dokumenteve”.
    Për banorët, Prokuroria nuk ka kryer asnjë hetim. 
    Me pankarta në duar ku shkruhej: Uji asht jetë, mos na thani shpirtin!, banorët e Kaçinarit kanë kundërshtuar vendimin. Kryetari i fshatit Simon, nga Njësia Administrative Kaçinar ka dhënë një prononcim për mediat duke mos e fshehur zhgënjimin e tij për vendimin, kjo sepse sipas tij, Prokuroria nuk ka marrë asnjë masë për një kallëzim penal që lidhet me 38 firma të falsifikuara. Po sipas tij, një subjekt privat ka përfituar shtyrje të paligjshme lejeje dhe në mesin e firmëtarëve ka pasur persona që ndoshin jashtë vendit në kohën kur pretendohej se ka ndodhur nënshkrimi.
    PJESË NGA FJALA E TIJ:
    Prej 10 vitesh është kuptuar se pak gjëra mund t’i shtohen asaj që tha avokati Logu. Kemi bërë disa herë kërkesa dhe kemi dorëzuar disa dokumente në prokurori. Një prej dokumenteve është një kallëzim penal për 38 firma të falsifikuara, të cilat janë bërë më datë 29.05.2023 nga firma koncesionare. Në këtë dokument figuron emri Fation Hoxha dhe është përpiluar në Kaçinar. Në bazë të këtij dokumenti, firma koncesionare ka marrë një shtyrje të lejes nga Kryeministria. Kur është dhënë kjo leje, afati ishte tejkaluar me mbi 7 muaj, pra leja është dhënë jashtë çdo ligji. Deri më sot janë bërë 12 muaj nga momenti i kallëzimit penal dhe askush nuk është thirrur për shpjegim. Kallëzimi është bërë nga 6 kryetarët e fshatrave dhe nga banorët që pretendojnë se firmat e tyre janë falsifikuar. Dy nga banorët, emrat e të cilëve janë përfshirë në deklaratën e bërë gjatë dëgjesës publike, janë Nik Kola, djali i kryetarit të fshatit Shperdhazë i cili ndodhej jashtë vendit 15 ditë para se të falsifikohej firma e tij, dhe Gëzim Gjeta, i cili është prej katër vitesh jashtë shtetit. Pavarësisht gjithë kësaj, askush nuk e ka marrë mundimin të na thërrasë për të na pyetur. Për çdo dokument apo provë të falsifikimit, prokuroria ka zgjedhur ta anashkalojë procesin. Nëse duan dokumentacionin, ne e kemi të disponueshëm dhe e vëmë në dispozicion përmes rrugëve ligjore. Një tjetër problematikë ka ndodhur në Kaqinar, më datë 10 të muajit: është dhunuar një bashkëfshatar pa asnjë arsye. Më vjen keq ta them, por jam i bindur se ky veprim është nxitur nga firma koncesionare. Ai person nuk do ta bënte kurrë këtë në mënyrë të pavarur, sepse zona e Kaqinarit nuk ka shkuar të marrë tokën apo ujin në Orosh; përkundrazi, ai ka ardhur në Kaçinar. Më datë 15.04.2025, gjatë një proteste të banorëve, është ndaluar një person me makinën e tij me fenelina, dhe kur kemi dalë në protestë kemi gjetur gëzhoja armësh në vendngjarje. Shefat e komisariateve kanë qenë të pranishëm, por nuk kanë marrë asnjë masë. Zona është nën kërcënim të vazhdueshëm. Më datë 9 është qëlluar me armë nga Bukmena deri në zonën e Kaqinarit. Punimet vazhdojnë, krimet gjithashtu, dhe çdo natë dëgjohen të shtëna armësh. Nëse qëllimi është të krijohet terror në këtë formë, unë bëj thirrje që askush të mos përlyhet duke filluar nga drejtuesit e policisë. Një subjekt privat nuk mund të ruhet nga Policia e Shtetit, sepse nuk janë bandë. I bëjmë thirrje që të ndalojnë punimet, sepse janë të paligjshme.
    Krah banorëve ka qenë dhe avokati por gjithashtu edhe përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Marash Logu. Avokati deklaroi se një banor i zonës është kërcënuar për tu tërhequr nga padia nga një person me precedentë në trafikun e drogës.
    “Sjell dëmtim të rëndë të florës dhe faunës e zonës së mbrojtur. Në vitin 2019 banorët kanë bërë kallëzim penal në prokurorinë e Lezhës. Kanë kaluar 6 vite që banorët presin drejtësi dhe nxjerrjen para drejtësisë ligjore të gjithë zyrtarët që kanë abuzuar me këtë histori dhe personat privatë që kanë qenë të interesuar. Edhe pse gjykata e ka urdhëruar të kryejë hetimet dhe të nxjerrë personat përgjegjës vjen me kërkesë për pushimin e cështjes. Në 6 vite nuk u krye asnjë hetim, por vetëm u përpoq si të mbyllej historia duke fshehur shkeljet e rënda. Përballë interesit privat që kanë pronarët e koncesionarit janë shurdhuar dhe verbuar të gjithë zyrtarët e shtetit. Nuk dëgjon kryetari i bashkisë, ministrja e infrastrukturës, as prokurori as gjyqtari. Nuk dëgjon askush. dhe me cfarë i kanë shurdhuar dhe verbuar e dini shumë mirë. Do vijojmë të kërkojmë një hetim të plotë dhe të gjithanshëm. Të merren përgjegjësitë penale përgjegjësit. Banorët e kanë ndarë mendje se nuk do të tërhiqen as me presion, as kërcënim as kanosje as dhunë. Një javë më parë njëpunonjës i shoqërisë koncesionare dhunoi një banor në mësnyrë barbare e personi sot është i lirë. Nuk ndodh askund që një person që dhunon nëmënyrë barbare të jetë edhe i lirë. Ky person në tetor të 2022 është arrestuar për prodhim dhe shitje narkotikesh, 32 kg. Kjo duhej ti bënte institucionet të alarmoheshin por heshtin të gjithë. Vjen dikush që pretendon të ndihmojë banorët, por më pas a i bëjnëpresion apo i ofrojnë para tërhiqet. nëse janë organet e drejtësisë duhet të bëjnë drejtësi. Nëse janë organet e padrejtësisë dhe banorët të mos harxhojnë kohën kot,”- tha Logu.
    Koncesioni për ndërtimin e 4 HEC-eve të vogla në zonën e Kaçinarit në Mirditë është dhënë në vitin 2018 dhe pas rinovimit të lejeve, Kompania “Shpërdhaza Energji”, e cila ka nisur punimet në terren. Më herët, për këtë çështje, banorët e Kaçinarit paditën koncesionarin dhe zyrtarët e Bashkisë Mirditë që kishin dhënë lejet në Prokurorinë e Posaçme, por kjo e fundit regjistroi procedim penal për veprat e “shpërdorimit të detyrës” dhe “falsifikimit të dokumenteve” dhe ia transferoi çështjen Prokurorisë së Lezhës./ZËRI

  • “Koncesione, tendera, leje ndërtimi, park fotovoltaik, gërryerje lumi”, si po favorizohet Salillari dhe “hijet” e tij nga qeveria

    “Koncesione, tendera, leje ndërtimi, park fotovoltaik, gërryerje lumi”, si po favorizohet Salillari dhe “hijet” e tij nga qeveria

    Një nga kompanitë që po favorizohet ndjeshëm është “Salillari”, dikur pjesë e “opozitës” dhe veçanërisht e LSI-së e tashmë e rreshtuar në krahë të Rilindjes. Në dy zgjedhjet e fundit, ato lokale dhe të përgjithshme, firma me origjinë nga Berati dhe me bazë qendrore në Vorë, ka bërë “fushatë” hapur për Partinë Socialiste, ndërkohë që është shpërblyer me një mori të mirash, duke nisur nga koncesionet, tenderat, lejet e ndërtimit, parqe fotovoltaike e shumë të tjera.
    Nuk kanë munguar as lejet për gërryerjen e lumenjve, në Mat dhe Shkumbin, apo të afërm të pronarëve të firmës që marrin subvencione për agroturizëm apo iu bëhet rruga deri te shtëpia apo biznesi. E njëjta firmë operon edhe në zonën e Dimalit, me një leje të stërmadhe që ka rrafshuar malin, ndërkohë që bëri edhe një pjesë të Unazës, duke u shpërblyer më pas.
    Ndërkohë, njerëzit e afërt të Pëllumb Salillarit, kunati dhe nipi dikur magazinier dhe mekanik, tashmë kanë hapur firma dhe arrijnë që të blejnë edhe koncesione, apo me kapitale 100 mijë lekë, arrijnë që t’i mbushin mendjen qeverisë për të marrë qindra hektarë tokë për të bërë parqe.

    Faksimile: Lista e pagave të vitit 2021, ku z. Hektor Agalliu rezulton si magazinier në firmën “Salillari”

    Disa vite më parë, hakerat arritën që të marrin nga tatimet listën e pagave. Publikimi i listës ka nxjerrë zbuluar sektorin publik dhe atë privat, por edhe ka “treguar” edhe të kaluarën e disa “biznesmenëve”. Një ndër ta është edhe z. Hektor Agalliu, me origjinë nga fshati Tërpan i Beratit, ku ky pensionist ka arritur që të blejë një nga koncesionit e shumë debatuar, Triportin në Vlorë.
    Mësohet se, në vitin 2021 kur z. Agalliu ka qenë magazinier te firma “Salillari”, qeveria dha me koncesion ndërtimin e një marine jahtesh. Koncesioni iu dha firmave “Agbes”, “Besta” dhe “Arconstudio” dhe “Premium Construction & Maintenance”. Këto firma duhet t’a ndërtonin portin e ri tregtar të Vlorës me paratë  etyre dhe qeveria do t’u kalonte me këste shumën prej rreth 60 milionë euro për 7 vite.

    Faksimile: Kontratat e shitjes së kuotave nga firmat “Agbes”, “Besta” dhe “Arconstudio” për magazinierin e “Salillarit”

    Ndërkohë, një vit pas dhënies me koncesion, të tria firmat e mëdha të ndërtimit që plotësuan edhe kushtet për të fituar ankandin, filluan të shesin një e nga një kuotat. Emri i firmës koncesionare është bërë i huaj, nga ata që duken si investim serioz “Vlora Harbor Construction and Maintanance”. Me lëvizje të këtyre firmave, aksionet i kaluan z. Hektor Agalliu, me origjinë nga Tërpani.
    Ka dyshime se, pas gjithë këtyre transaksioneve, është z. Pëllumb Salillari, pronari i firmës “Salillari”. Z. Hektor Agalliu është kunati i tij, ndërkohë që siç edhe e vërtetuam më sipër, ai ka qenë magazinier i kësaj firme. Por, si mund të shesësh një investim 60 milionë euro për 100 mijë euro? Dhe, te një firmë apo individ që s’ka asnjë të kaluar në ndërtim?!
    Duket se gjithçka ka qenë fiktive, me qëllim që të mbulohet edhe ndërtimi i veprës së më shpejtë. Të tria firmat që fituan koncesionin në vitin 2021 duhet t’a përfundonin për 3 vite, pra në vitin 2024. Por, jo vetëm që s’është ndërtuar, por punimet as kanë filluar në zonën e Triportit.

    Faksimile: Vendimi i KKTU-së në vitin 2025 për lejimin e ndërtimeve në zonën e Triportit

    Duket se është një skemë për të fshehur ndërtimet, apo mënyrën e dhënies së koncesionit. Një hetim i mundshëm i organeve ligjzbatuese, megjithë këto kalime pronësie, do të duket shumë i vështirë. Por, letrat aty janë dhe gjithçka duket se ka një “orkestrim” nga sipas.
    Sipas dokumenteve që disponon VoxNews, disa javë më parë Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit ka dhënë autorizimin për ndërtimin e strukturave ankoruese, portuale në det, me vendndodhje në zonën e Triportit në Vlorë. Autorizimi është dhënë për firmën koncesionare “Vlora Harbor Construction and Maintanance”.
    “Gjatë realizimit të punimeve dhe shërbimeve të Portit të Integruar në Triport Vlorë, të vijohet dhe të mos pengohet aktiviteti i hyrjes, daljes dhe ankorimit të anijeve peshkimit, që aktualisht ankorohen. Ngarkohet Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore për zbatimin e këtij vendimi” thuhet në vendim.
    Po përse ky vendim 4 vite pas dhënies së koncesionit? Afati i ndërtimit ishte 3 vite, ndërkohë që me këtë vendim, firma koncesionare që shkoi në duart e pensionistit nga Tërpani i Beratit do të justifikohet se në vitin 2025 mori autorizimin nga KKTU. Duket se gjithçka është bërë me një urdhër, ku zona e Triportit të përdorej fillimisht për TEC-et anije dhe tashmë të ndërtohet.

    Faksimile: Lista e pagave e vitit 2021, z. Ëngjëll Agalliu ka qenë mekanik te firma “Salillari”

    Nëse më sipër faktuam se koncesioni i Triportit u fitua nga Hektor Agalliu, kunati i Pëllumb Salillarit, më poshtë po faktojmë se djali i Hektorit, Ëngjëll Agalliu, ka marrë një leje për park fotovoltaik. Duket se një qark i gjatë, por që në fakt është shumë i shkurtër, ku të gjitha fijet e këtij parku të çojnë te firma “Salillari”.
    Me letra shkruhet se z. Ëngjëll Agalliu themeloi me 100 mijë lekë një firmë “Albania Solar Power” dhe më pas qeveria i dha leje për central diellor 82 mega. Sipas dokumenteve dhe hulumtimit që bëri VoxNews, deri në vitin 2021 Ëngjëlli ka qenë mekanik te firma “Salillari”, me një pagë tepër modeste, prej rreth 80 mijë lekësh, por në xhep i shkonin pak më shumë se 60 mijë lekë. Dhe, ky mekaniku arrin të fitojë një supër leje, nga ku do gjenerojë miliona euro?!
    Edhe në këtë rast, përfituesi indirekt është padyshim z. Pëllumb Salillari ai që punoi ditë e natë për Rilindjen në dy zgjedhjet e fundit. Por nëse ka frikë të vendosë emrin, përse “fshihet”?

    Faksimile: Vendimi i KKTU-së për t’i dhënë firmës “Salillari” leje për të gërryer lumin Shkumbin

    Firma “Salillari” ka një mori lejesh shfrytëzimi, që nga zona e Dimalit ku malin sipër qytezës e ka rrafshuar, ashtu edhe në lumin Mat, ku janë prishur një mori veprash arti. Megjithëse lejet për gërryerje lumi janë hequr dhe pezulluar për firmat e vogla, tashmë ato kanë shkuar për një grusht oligarkësh.
    Sipas dokumenteve që disponon VoxNews, muajt e fundit Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit i ka miratuar firmës “Salillari” lejen për përdorimin e burimit ujor. “KKTU vendosi miratimin e lejes ‘për përdorim burimi ujor’, me qëllim shfrytëzimin e materialeve inerte që nxirren nga shtretërit e lumenjve, përrenjve, liqeneve, me ose pa ujë me vendndodhje: Shtrati i lumit Shkumbin, Bashkia Elbasan, subjektit ‘Salillari’” thuhet në vendim.
    Mësohet se leja është dhënë për zbatimin e projektit “ndërtim aksi rrugor Elbasan-Papër, (faza I)”. Pra, pasi mori mbi 20 milionë euro tender nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, kompania “shpërblehet” edhe të gërryejë lumin.
    Sipas dokumenteve që disponon VoxNews, kompania “Salillari” ka fituar edhe një mori tenderësh të tjera, nga institucionet qendrore dhe lokale, duke u kthyer në një nga “peshkaqenët” që po ha përditë buxhetin e shtetit. Disa nga tenderët i ka fituar edhe me ofertë më të lartë, ndërkohë që në të tjera procedura është shpërblyer edhe me shtesa kontratash.
    /VoxNews/

  • Farsa elektorale/ Berisha publikon të tjera prova tronditëse të manipulimit të votave së diasporës: Firmat tek zarfet e dorëzuara nga DHL-ja e qeverisë janë vetëm disa viza

    Farsa elektorale/ Berisha publikon të tjera prova tronditëse të manipulimit të votave së diasporës: Firmat tek zarfet e dorëzuara nga DHL-ja e qeverisë janë vetëm disa viza

    Të tjera prova ka publikuar në konferencën me gazetarët të zhvilluar sot, kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha.

    Gjatë fjalës së tij, Berisha tha se provat dëshmojnë manipulimin e votave të diasporës dhe se firmat tek zarfat e dorëzuar nga DHL-ja e qeverisë, janë vetëm dy viza.

    Pjesë nga fjala e kreut të PD, Sali Berisha:

    Tani të ndalemi tek farsa më e shëmtuar elektorale e 32 viteve të fundit, farsa e 11 majit 2025.

    Kjo farsë pati aspektet më të shëmtuara, më të egra, më të turpshme, por duhet t’u them se kapitulli i diasporës apo qëndrimi i Ramaduros ndaj votës së diasporës, tejkalon qëndrimin e cilitdo diktatori tjetër në histori.

    Poshtërimi që i ka bërë shqiptarëve në diasporë me manipulimin masiv të votave të tyre, Edi Rama është faktuar se është armik i egër i votës së lirë të shqiptarëve, por edhe i shqiptarëve kudo që janë jashtë vendit.

    Tani jemi përsëri në fazën e procesit me të cilin DHL-ja e qeverisë u ka dorëzuar votuesve zarfet sepse kthimin ata po përpiqen ta fshehin.

    Sepse kthimi është edhe më i rëndë ose kaq i rëndë sa ky.

    Këtu keni një gjë që nuk do ta besoni.

    Të gjitha këto përfaqësojnë zarfet e adresuara Vangjelit, Adriatikut, Beharit…

    Tani, u lutem, shikoni firmat që ka vendosur Vangjeli, firma është një drejtëz. Firma, sikur gjoja e ka marrë Vangjeli këtë. Firma tjetër dy viza që kryqëzohen në fund.

    Firma tjetër, një vizë e shtrirë.

    Firma tjetër kjo, firma tjetër një zhgarravinë.

    Firma tjetër përsëri një vizë që duhet ta merrte Aida.

    Kjo tjetra është Skerdi, një vizë.

    Vazhdojmë me të tjera.

    Këto janë të tjera, vizë, kjo është firmë e DHL-së.

    Firma, firma, firma një vizë…

    Pra, firmë një vizë. Firmë një vizë.

    Firmë një V. Firmë një vizë.

    Të tjerat, dy viza vertikale. Një vizë, një vizë e pjerrët, një vizë e drejtë, një vizë vertikale, një vizë e përkulur.

    Këto janë firmat e atyre që kanë marrë gjoja zarfin me fletën e votimit.

    Firmë dy viza, një gremç, vizë e drejtë, vizë e përthyer. Vazhdojmë me firmat.

    Këto janë firmat. Një V.

    Vazhdojmë me firmat, vizë e drejtë, tre viza, një V, vizë e drejtë, vizë e drejtë.

    E njëjta gjë, vazhdojmë.

    Urdhëroni. Viza, të gjitha viza.

    Faktikisht këto nuk kanë shkuar, kanë shkuar në një zyrë dhe janë mbushur nga Lubia, nga Pëllumbesha, nga Taotao, etj me radhë.

    Nuk janë lodhur, i kanë rënë shkurt me nga një vizë.

    Viza, viza, viza…

  • Vijon “dashuria” e Operatorit të Blerjeve të Përqendruara me “Mektrin Motors”, dy tendera brenda ditës!

    Vijon “dashuria” e Operatorit të Blerjeve të Përqendruara me “Mektrin Motors”, dy tendera brenda ditës!

    Brenda një kohe shumë të shkurtër, Operatori i Blerjeve të Përqendruara, i ka dhënë disa tendera firmës “Mektrin Motors”, duke filluar nga makinat e policisë dhe tashmë për zjarrfikëse apo mjete foristradë. Duket si një “dashuri vere”, ajo mes OBT dhe firmës me seli në Xhafzotaj të Durrësit, pasi drejtuesve të Operatorit u “errësohen” sytë sa herë që në tendera merr pjesë “Mektrin”.
    Më parë është raportuar për tenderin e shumë diskutuar të makinave të policisë, ku më shtrenjtë rezultoi për t’i marrë me qira sesa që t’i blinin. Fitues foli firma nga Xhafzotaj, në një lot, me vlerë mbi 2 milionë euro. Madje, për të parrë një makinë me qira shteti do paguante 34 mijë euro për 4 vite, ndërkohë që koncesionarët e tjerë kanë makina të ngjashme për shitje në vlerën e 18 apo 20 mijë eurove.
    Ndërkohë, disa ditë më pas, i njëjti Operator i jep të njëjtës firmë rreth 800 mijë euro për të blerë disa zjarrfikëse. Madje, skualifikon të gjithë pjesëtarët e tjerë që morën pjesë në këtë procedurë, duke përfshirë edhe firmën shqiptare “TIMAK”. Pa dashur që t’i bëjmë reklamë, firma në fjalë prodhon zjarrfikëse për një mori shtetesh europiane, me të gjitha pajisjet. Disa ditë më parë dërgoi në Ukrainë dhjetëra autoambulanca, ndërsa ka prodhuar edhe makinën e parë shqiptare ushtarake “Made in Albania”, të emëruar “Shota”.

    Faksimile: Njoftimi i fituesit i OBP për tenderin e blerjeve të zjarrfikëseve

    Duket se paraja është e njëjtë për Operatorin, i cili merr guximin që të heqë “qafe” të gjithë konkurrentët. Në rastin në fjalë, tenderin e ka marrë oferta më e ulët, por mbetet shumë i dyshimtë skualifikimi i të gjithë firmave të tjera. Duket sikur u ka thënë “kur hyn në tender Mektrin, hapni rrugë”. Ose një shenjë arrogance e këtij institucioni, që vetëm bën tendera.
    Sipas dokumenteve që disponon VoxNews, në datën 3 korrik Operatori i Blerjeve të Përqëndruara ka shpallur fituesin e tenderit “blerje zjarrfikëse dhe automjete shërbimi Pick Up për ARRSH”, me afat zbatimi brenda 180 ditëve nga data e nënshkrimit të kontratës. Mori pjesë firma “ARTEO 2018” me vlerë 87 milionë lekë, “MEKTRIN MOTORS” me vlerë 80 milionë lekë, “SPARKLE 32” me vlerë 99 milionë lekë, “START CO” me vlerë 96 milionë lekë, firma “TIMAK” me vlerë 84 milionë lekë.
    Ndërkohë, në të njëjtin dokument shkruhet se “TIMAK” është skualifikuar për shkak se “s’ka autorizim nga prodhuesi ose nga distributori për llojin e mjetit të ofruar”. Sipas Operatorit, “TIMAK” s’ka sjellë autorizim nga prodhuesi i mjetit japonez “ISUZU”. Gjithashtu, firma shkruan OBP, duhet të paraqesë katalog ose skedë teknike. Një tjetër arsye e skualifikimit të firmës “TIMAK” që prodhoi edhe mjetin ushtarak “Shota” është se duhet të paraqiste dëshmi për furnizimet e mëparshme të kryera gjatë 3 viteve në vlerën jo më pak se 40 % e vlerës së fondit
    limit të kontratës. Firma dërgoi disa kontrta me Bashkinë e Tiranës, e Bashkinë e Kukësit si dhe disa kontrata me firma private, por nuk e kaloi “pragun”.
    Duket se, dokumentet standarde i përshtateshin vetëm një firme, asaj fituese “Mektrin Motors”. Kjo për shkak se është skualifikuar edhe firma “SPARKLE 32” pasi s’ka xhiro vjetore aq sa vlera e tenderit apo s’ka furnizime të ngjashme. Me të njëjtën arsye për furnizimet e ngjashme, u skualifikua edhe “ARTEO 2018”.

    Faksimile: Njoftimi i fituesit të tenderit nga OBP për tenderin e blerjeve të minibusëve për Doganat

    Në të njëjtën ditë me shpalljen e fituesit të tenderit të mësipërm, Operatori i Blerjeve të Përqendruara shpalli të njëjtën firmë “Mektrin” fituese të një tjetër procedure. Sipas dokumenteve që disponon VoxNews, firma nga Xhafzotaj fitoi procedurën me objekt “blerje minibusa për DPD dhe automjet për AKDC, e ndarë në 2 (dy) lote.
    Bëhet fjalë për lotin e parë “blerje minibusa për Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave”, me fond limit të lotit 13.320.000 lekë pa TVSH, me afat zbatimi brenda 45 ditëve nga dita e nënshkrimit të kontratës. “Mektrin” i fali vetëm një bakshish prej 480.000 lekë buxhetit të akorduar për këtë tender, ose as 5 mijë euro.
    Disa ditë më parë, VoxNews publikoi dokumente për shpalljen e fituesit të tenderit për marrje me qira të mjeteve të Policisë së Shtetit, një procedurë e finalizuar nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara. Firma “Mektrin” u shpall fituese e lotit 2 për marrjen me qira të makinave për Policinë e Shtetit, me objekt “marrje autovetura SUV me qira për Policinë e Shtetit”, me fond limit në vlerën 227,800,627.
    Oferta më e ulët ka qenë sërish e kompanisë “ALBANIA MOTOR COMPANY” me vlerë 171 milionë lekë. “MEKTRIN” ofroi 201 milionë lekë. Policia shkruan se do të marrë 60 makina me qira për 4 vite SUV. Me një kalkulim rezulton se 1 makinë e tillë do t’i kushtojë arkave të shtetit shqiptar 3.350.400 lekë, ose rreth 34 mijë euro.
    Ofertë më të ulët se fituesi pati edhe “PORSCHE LEASING” me vlerë 194 milionë lekë, por të dyja ato që ofruan më pak u skualifikuan. “PORSCHE” për shkak se nuk ka plotësuar informacionin se kush janë personat aksionerë ose ortakë. Ndërkohë, që firma “ALBANIA MOTOR COMPANY” “s’ka punë të ngjashme”.
    Në dokumentet shoqëruese ishin disa klauzola, ku rezulton se “mjetet do të merreshin në përdorim të qiramarrësit për 4 vjet me një planifikim vjetor mesatar 32.500 km për grup mjetesh ose shfrytëzim mesatar prej 130.000 km për 4 vjet po për grup mjetesh”. Mjetet do të merren në përdorim për Policinë e Shtetit për një afat 4 vjeçar, ndërkohë që pas përfundimit të këtij afati, këto mjete do t’i dërgohen firmës “Mektrin”, që u shpall fituese e tenderit.
    /CopyrightVoxNews/