Tag: finlandez

  • Trump i gatshëm për kompromis? Presidenti finlandez zbulon detaje nga biseda

    Trump i gatshëm për kompromis? Presidenti finlandez zbulon detaje nga biseda

    Bota E Diel, 23 Nëntor 2025 17:38
    Presidenti i Finlandës, Alexander Stubb, ka bërë të ditur se ka zhvilluar një bisedë telefonike me Presidentin amerikan Donald Trump dhe Kryeministren italiane Giorgia Meloni, në kuadër të diskutimeve për një plan paqeje për konfliktin në Ukrainë.
    Në një deklaratë për AFP, Stubb tha se telefonata u zhvillua për të diskutuar planin 28-pikësh dhe zhvillimet më të fundit lidhur me përpjekjet ndërkombëtare për arritjen e paqes, gjatë Samitit të G20 në Johannesburg, ku po marrin pjesë zyrtarë të lartë europianë.

    “Pata mundësinë të flisja me Presidentin Trump, së bashku me Kryeministren Meloni. Diskutuam situatën, planin 28-pikësh dhe hapat e mëtejshëm për procesin e paqes”, u shpreh Stubb.

    Ai shtoi se telefonata me Trump është zhvilluar herët në mëngjes sipas orës së SHBA-së.

    “Presidenti Trump iu përgjigj telefonit në orën 05:00 të mëngjesit të së dielës në SHBA, gjë që tregon se ai po punon ditë e natë për të arritur një marrëveshje paqeje në luftën e Rusisë kundër Ukrainës”, theksoi Presidenti finlandez.

  • Ishte shpallur në kërkim nga vendi i tij, arrestohet në Tiranë 30-vjeçari finlandez

    Ishte shpallur në kërkim nga vendi i tij, arrestohet në Tiranë 30-vjeçari finlandez

    Një shtetas finlandez i shpallur në kërkim ndërkombëtar është arrestuar në zonën e Laprakës, në Tiranë. Arrestimi u krye me qëllim ekstradimin e tij drejt Finlandës.
    Falë informacioneve të përfituara nga Seksioni i Kërkimit, në bashkëpunim me Sektorin e Krimeve të Rënda dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, si dhe përmes shkëmbimit të të dhënave me Interpol Tiranë, u bë i mundur ndalimi i shtetasit L. E., 30 vjeç, me shtetësi finlandeze.
    Ky shtetas ishte shpallur në kërkim nga autoritetet e Finlandës Perëndimore, pasi ndaj tij ishte caktuar masa e sigurisë “Arrest me burg” për një sërë veprash penale të rënda, përfshirë:
    -Hyrje në banesë private
    -Vjedhje me dhunë
    -Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie (mbetur në tentativë)
    -Heqje e paligjshme e lirisë

  • Turisti finlandez humbet në Shkodër, familja në kërkim: Nuk kemi asnjë gjurmë prej…

    Turisti finlandez humbet në Shkodër, familja në kërkim: Nuk kemi asnjë gjurmë prej…

    Një turist nga Finlanda, i quajtur Anssi Raasio, ka humbur në Shkodër që prej datës 9 tetor.
    Sipas familjarëve, Raasio ndodhej prej disa ditësh në qytetin verior, ku kishte vendosur të kalonte dimrin, por ditën e fundit që është parë ka qenë duke ndryshuar vendin e akomodimit, për t’u zhvendosur në një shtëpi tjetër.
    Që prej asaj dite, ai nuk është përgjigjur më në telefon, ndonëse zilen e celularit e ka aktive. Familjarët kanë nisur kërkimet dhe kanë kontaktuar disa ambiente akomodimi në zonë, por deri më tani nuk ka asnjë gjurmë nga turisti finlandez.
    Motra e tij, Krista Raasio, ka shpërndarë një mesazh ndihme në rrjete sociale dhe u është drejtuar personave që mund ta kenë parë:
    “Përshëndetje, ky është vëllai im Anssi Raasio nga Finlanda. Nuk kemi mundur të lidhemi me të. Do të dëshironim të dinim nëse ka qëndruar në akomodimin tuaj gjatë muajit të fundit? Do të ishim shumë mirënjohës për çdo informacion që mund të keni rreth tij. Ju faleminderit paraprakisht, Krista Raasio.”
    Sipas përshkrimit të familjes, Anssi Raasio është rreth 185 cm i gjatë dhe shumë i dobët.

  • “Shpresoj që Trump t’i humbë durimi me Rusinë sa më shpejt”, presidenti finlandez: Ta detyrojë Moskën të ulet në tryezën e negociatave

    “Shpresoj që Trump t’i humbë durimi me Rusinë sa më shpejt”, presidenti finlandez: Ta detyrojë Moskën të ulet në tryezën e negociatave

    Presidenti finlandez, Alexander Stubb i bëri thirrje sot presidentit amerikan, Donald Trump të ndërmarrë hapa për ta detyruar Rusinë të ulet në tryezën e negociatave me Ukrainën, duke shprehur shpresën se durimi i Trump me Moskën të soset shpejt.

    Stubb, i cili është një mik golfi i Trump dhe drejton një vend që ndan një kufi të gjatë me Rusinë, kohët e fundit udhëtoi në Uashington me udhëheqës të tjerë evropianë për të provuar të zgjidhë konfliktin.
    “Shpresoj që durimi i vendeve perëndimore, veçanërisht i Shteteve të Bashkuara, të soset. Sepse sa herë që durimi i presidentit Trump soset, ai ndërmerr hapa që lejojnë të gjetjen e një zgjidhje”, tha Stubb në një konferencë për shtyp.
    Ai përmendi tarifat që Shtetet e Bashkuara thanë se donin t’i vendosnin Indisë këtë javë.
    “Shembulli më i fundit janë tarifat që iu vendosën Indisë sepse India blen naftë, gaz dhe armë ruse. Tani, nëse Presidenti Trump do të bënte të njëjtën gjë me vendet A, B dhe C, mund të shohim një rikthim në tryezën e negociatave”, udhëheqësi finlandez.
    Donald Trump shpesh i lidh çështjet e luftës dhe paqes me tregtinë, duke kërcënuar të vendosë tarifa prej 50% ndaj New Delhit në shenjë hakmarrjeje për blerjet e vazhdueshme të naftës ruse që Uashingtoni thotë se ndihmon në financimin e luftës së Moskës në Ukrainë.

    Top Channel

  • VIDEO / Homologun finlandez e kishte përballë, Trump nuk e njeh: Ku është ai…?!

    VIDEO / Homologun finlandez e kishte përballë, Trump nuk e njeh: Ku është ai…?!

    Presidenti amerikan, Donald Trump ka takuar gjatë ditës së hënë liderët evropianë në kuadër të përpjekjeve për përfundimin e luftës mes Ukrainës dhe Rusisë.
    Në mesin e pjesëmarrësve ishte presidenti finlandez, i cili iu bashkua takimit me homologun ukrainas, Volodymyr Zelensky.
    Trump duket se u hutua për një moment kur kërkoi presidentin e Finlandës, Alexander Stubb, i cili ishte ulur përballë tij.
    Ai u shpreh “president Stubb i Finlandës, ai është dikush që… ku është ai?”
    Presidenti Stubb iu përgjigj qetësisht “unë jam këtu”.
    Trump nuk ngurroi të vlerësonte shëndetin dhe punën e tij, duke shtuar se:
    “Oh! Dukesh më mirë se kurrë që të kam parë! Ke bërë një punë të shkëlqyer!”

  • U vetëvra brenda parlamentit finlandez, kush ishte deputeti 30-vjeçar 

    U vetëvra brenda parlamentit finlandez, kush ishte deputeti 30-vjeçar 

    Eemeli Peltonen, deputet i Partisë Socialdemokrate të Finlandës (SDP) dhe vetëm 30 vjeç, u gjet i vdekur të martën në ambientet e Parlamentit finlandez. Zyra e komunikimit e Parlamentit konfirmoi se deputeti, që ishte në mandatin e tij të parë dhe përfaqësonte qytetin Järvenpää, kishte ndërruar jetë.
    Në një deklaratë për media, komuniteti i punës parlamentare shprehu ngushëllimet e tij ndaj familjes së Peltonen dhe theksoi dhimbjen për humbjen e kolegut të tyre.
    Sipas raportimeve të tabloidit Iltalehti, një deputet kishte kryer vetëvrasje brenda ndërtesës së Parlamentit. Drejtori i Sigurisë së Parlamentit, Aaro Toivonen, tha për Yle se nuk e kundërshton këtë informacion.
    Policia e Helsinkit njoftoi se thirrja emergjente erdhi në orën 11:06 të paradites dhe se ngjarja nuk duket të jetë rezultat i ndonjë krimi; ajo po hetohet si një rast i vdekjes së natyrshme ose i vetëvrasjes.
    Kryeministri finlandez, Petteri Orpo (NCP), konfirmoi lajmin e vdekjes së deputetit gjatë një konferencë për shtyp në Kajaani, ku grupi parlamentar i Partisë Kombëtare Koalicioniste po mban takim veror vjetor.
    “Para pak kohe morëm një lajm vërtet tronditës nga Parlamenti, vendi ynë i përbashkët i punës. Një nga kolegët tanë ka ndërruar jetë në ambientet parlamentare. Kjo është një lajm shumë i trishtë,” tha Orpo.
    Ai shtoi se, për respekt ndaj deputetit të ndjerë, u mbajt një minutë heshtje dhe theksoi nevojën për t’i dhënë forcë familjes, të afërmve dhe kolegëve. Për shkak të incidentit, Orpo tha se grupi parlamentar i NCP-së do të pezullojë diskutimet politike për pjesën tjetër të ditës.
    Kryetari i Parlamentit, Jussi Halla-aho (Finns), gjithashtu shprehu ngushëllimet e tij në një postim në rrjetin social X. “Në emër të Parlamentit, shpreh ngushëllimet e mia për familjen dhe miqtë e deputetit Peltonen. Zoti Peltonen ishte një koleg i respektuar dhe i pëlqyer nga të gjitha partitë,” shkroi ai.
    Tytti Tuppurainen, kryetare e grupit parlamentar të SDP-së, tha: “Vdekja e Eemeli Peltonen na trondit thellësisht mua dhe të gjithë ne. Ai ishte një anëtar shumë i dashur i komunitetit tonë dhe do të na mungojë thellësisht. Një jetë e re ka përfunduar shumë herët. Ne ndjejmë dhembjen e familjes së ngushtë dhe urojmë forcë në këtë humbje.”
    Më herët gjatë qershorit, Peltonen kishte ndarë në Facebook se po përballej me probleme shëndetësore, përfshirë një sëmundje të veshkave. Ai kishte munguar nga puna parlamentare gjatë javëve të fundit të sesionit të pranverës dhe kishte qenë në leje shëndetësore gjatë verës.
    Yle thekson se zakonisht nuk raporton për vetëvrasje, por ky rast po publikohet sepse deputetët janë zyrtarë publikë të zgjedhur direkt dhe incidenti ndodhi brenda një ndërtese publike. Raportimi i konfirmuar ndihmon në parandalimin e përhapjes së informacionit të pasaktë.
    Në vendngjarje ishte një prani e madhe policore dhe ekipe të emergjencës mjekësore. Policia e Helsinkit bëri me dije se nuk u dërgua njësia speciale e ndërhyrjes; mjeti i blinduar që u pa aty ishte një makinë patrulle e zakonshme, e cila ndodhej thjesht afër vendit të ngjarjes.
    “Po zhvillohet një operacion i vazhdueshëm me autoritetet e shpëtimit, policinë dhe shërbimet mjekësore emergjente. Nuk mund të komentoj më tej në këtë fazë,” tha Drejtori i Sigurisë, Aaro Toivonen, për Yle.
    Një burim brenda Parlamentit përshkroi atmosferën në ndërtesë si “të ftohtë dhe tronditëse”.
    Parlamenti ndodhet aktualisht në pushim veror, ndërsa sesioni i vjeshtës pritet të nisë më 2 shtator.

  • Diplomacia në fushën e golfit, ‘asi’ nën mëngë i Europës ndaj Trump mund të jetë presidenti finlandez

    Diplomacia në fushën e golfit, ‘asi’ nën mëngë i Europës ndaj Trump mund të jetë presidenti finlandez

    Në vigjilje të samitit të Alaskës, Europa zbuloi një “urë” të paparashikuar për t’u afruar me Donald Trump dhe për të ndikuar në sjelljen e tij për luftën në Ukrainë: presidenti finlandez Alexander Stubb. Në sipërfaqe, dy udhëheqësit s’kanë asgjë të përbashkët veç një detaji shumë të rëndësishëm për presidentin e Shtëpisë së Bardhë: golfit, shkruan La Repubblica.
    Stubb është kaq i mirë në këtë sport saqë kur ishte i ri mori një bursë për të ndjekur një universitet amerikan pa pagesë ku luajti në kampionatin kombëtar të universiteve dhe më vonë, e mendoi që të bëhej lojtar profesionist. Në vend të kësaj, zgjodhi politikën: kur u kthye në atdhe, u bë anëtar i parlamentit, ministër, kryeministrër dhe së fundmi, president.
    Pesë muaj më parë, e gjeti veten në një fushë të gjelbër me Trump në Florida duke i lënë mbresa presidentit amerikan. Nga ai moment, ata kanë luajtur bashkë disa herë dhe Donald e ka telefonuar në agim në Helsinki, duke u habitur “çfarë, je zgjuar që tani?” Ai e gjeti zgjuar sepse Stubb, 57 vjeç, është i vëmendshëm ndaj shëndetit, zgjohet në pesë të mëngjesit për trajnimin e përditshëm të triathlonit dhe më pas sauna. Falë golfit, miqësia që ka lindur tashmë është e dobishme për vendet europiane. Për këtë arsye, lideri finlandez është përfshirë në grupin e përzgjedhur, bashkë me kolegë nga Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar i cili flet vazhdimisht me presidentin ukrainas, Zelensky dhe më pas i raporton Trump.
    “Ne finlandezët nuk kemi agjendë të fshehtë dhe njihemi si të drejtpërdrejtë në bisedat tona”, tha Stubb për Wall Street Journal. “Unë mund t’i them Trump çfarë mendon Europa dhe Zelensky dhe më pas t’u them atyre çfarë mendon presidenti amerikan.” Mbi të gjitha, ai e kupton më mirë se kushdo ç’do të thotë të pushtohesh nga Ruasia: gjyshi dhe babai i tij lindën në 15% e Finlandës që Stalini ia doli ta aneksonte në luftën e 1939-1940. Diktatori rus donte ta pushtonte të gjithën, por finlandezët rezistuan.
    Financial Times raporton se Stubb citon rastin e vendit të tij që ka mbetur demokratik dhe i pavarur, si një zgjidhje e mundshme për Kievin. Ajo që është e sigurt është se kur Trump përshkallëzoi tensionet me Putin, po rikthehej nga një turne golfi nga i cili postoi foto në rrjetet sociale me Stubb dhe trofetë që kishin fituar. Shpresa e liderëve europianë është që me ndihmën e presidentit finlandez, drejtuesi i Kremlinit të dalë huq në Alaskë.

  • Qyteti i famshëm finlandez përvëlohet nga vala rekord e të nxehti! Babagjyshi izolohet, drerët kërkojnë hije

    Qyteti i famshëm finlandez përvëlohet nga vala rekord e të nxehti! Babagjyshi izolohet, drerët kërkojnë hije

    Laplanda finlandeze është përfshirë nga një valë të nxehti rekord, me temperatura që kanë kaluar 30°C për 14 ditë rresht, një fenomen i paprecedentë që shkencëtarët e lidhin me ndryshimet klimatike.

    Në qytetin arktik të Rovaniemit, vendlindja e famshme e Babagjyshit të Krishtlindjeve, termometri ka shënuar deri në 33°C në diell, duke e bërë të pamundur që ai të dalë jashtë për pjesën më të madhe të ditës.
    “Kostumi im është shumë i ngrohtë për këtë vapë, dal vetëm pas orës 18:00 për të notuar”, thotë Babagjyshi.
    Sipas Institutit Meteorologjik Finlandez, kjo është vala më e gjatë e të nxehtit që është regjistruar ndonjëherë në Lapland që nga viti 1961. Temperaturat janë rreth 10 gradë Celsius mbi mesataren sezonale, me stacione në Ylitornio dhe Sodankylä që regjistruan deri në 31.7°C.
    “Herën e fundit që patëm një valë të tillë ishte në vitin 1972, por zgjati më pak”, tha meteorologu Jaakko Savela, duke shtuar se kjo valë tashmë ka thyer çdo rekord në rajon.
    Shkencëtarët theksojnë se, ndonëse kjo valë nuk është shkaktuar drejtpërdrejt nga ndryshimet klimatike, ngrohja globale ka ndikuar fuqishëm në intensitetin dhe gjatësinë e saj. Arktiku po ngrohet 4 deri në 5 herë më shpejt se pjesa tjetër e Tokës.
    Nxehtësia ka ndikuar edhe te drerët e Laplandës, të cilët tani shihen duke braktisur pyjet në kërkim të freskisë. Mushkonjat që shumohen në vapë i ndjekin, duke i shtyrë të kërkojnë strehim në fshatra dhe përgjatë rrugëve.
    Ekspertët paralajmërojnë se, me përkeqësimin e kushteve klimatike, barinjtë mund të detyrohen të ndërtojnë struktura të reja për t’u ofruar hije kafshëve.
    Turistët në fshatin e Babagjyshit janë gjithashtu të tronditur nga temperaturat e larta. Ndërkohë, ditët e gjata verore me diell deri në orën 23:00 po i mbajnë temperaturat lart për më shumë orë, duke e përkeqësuar situatën.

    Top Channel

  • Samiti Politik Evropian, mbërrin në Tiranë edhe kryeministri finlandez

    Samiti Politik Evropian, mbërrin në Tiranë edhe kryeministri finlandez

    Kur na ndajnë edhe pak orë nga nisja e Samitit të Komunitetit Politik Europian në Tiranë, liderët europian kanë nisur të zbarkojnë që prej ditës së sotme në kryeqytetin shqiptar.
    Kryeministri finlandez, Petteri Orpo ishte miku i radhës i pritur pasditen e sotme nga kreu i qeverisë Edi Rama.
    Lajmi u nda nga Rama, i cili përmes një reagimi në rrjetet sociale, postoi dhe pamje nga pritja që iu bë homologut të tij finlandez.
    “Kënaqësi të mikprisja kryeministrin e Finlandës Petteri Orpo, teksa diskutuam mbi forcimin e bashkëpunimit dypalësh dhe sfidat e përbashkëta europiane”, shprehet kreu i qeverisë Rama.
    Kujtojmë se në Samitin e ditës së nesërme do të marrin pjesë  40 lider shtetesh, të BE-së dhe përfaqësues të NATO-s.

  • Lufta Ukrainë-Rusi/ Presidenti finlandez zbulon datën: 20 prilli është kohë e mirë për një armëpushim të plotë dhe pa kushte

    Lufta Ukrainë-Rusi/ Presidenti finlandez zbulon datën: 20 prilli është kohë e mirë për një armëpushim të plotë dhe pa kushte

    Presidenti finlandez Alexander Stubb ka sugjeruar se 20 prilli është një “kohë e mirë për një armëpushim të plotë pa asnjë kusht” në Ukrainë.

    Stubb, i cili do të takohet me kryeministrin britanik, Sir Keir Starmer sot, tha se ai kishte kaluar shtatë orë me Trump dhe kishte diskutuar një sërë temash, nga anëtarësimi në NATO deri tek Evropa duke marrë përgjegjësinë për sigurinë e saj.
    Gjatë bisedimeve, Stubb tha se ai theksoi se duhet të arrihet një armëpushim – dhe se perspektiva e Finlandës është se 20 prilli do të ishte një datë e përshtatshme.
    “Pse më 20 prill? Kjo është sepse ne kemi nevojë për një afat, sepse është Pashkë dhe sepse Donald Trump do të jetë në detyrë për tre muaj,” tha ai.
    Presidenti finlandez tha se ndjente zhgënjimin në rritje nga Trump me vonesat e Rusisë në arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi.
    “Trump është mjaft i paduruar me veprimet e Rusisë, këtë lloj mashtrimi dhe vonese në lidhje me armëpushimin. Unë u përpoqa të shpjegoj se kjo është sjellje krejtësisht normale ruse. Së pari ne negociojmë diçka – dhe më pas kushtet ndryshohen edhe një herë,” shtoi ai.
    Finlanda u bashkua zyrtarisht në NATO në 2023 dhe Suedia u bashkua menjëherë pas kësaj.

    Top Channel