Tag: financave

  • Ministri i Financave, Malaj: Në 12 ditë aksioni, 76 ton mallra të bllokuara dhe 209 subjekte të inspektuara

    Ministri i Financave, Malaj: Në 12 ditë aksioni, 76 ton mallra të bllokuara dhe 209 subjekte të inspektuara

    Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka ndarë sot përmes një postimi në Facebook rezultatet e para të aksionit të ndërmarrë për formalizimin e tregut të produkteve bujqësore dhe blegtorale, si dhe për rritjen e sigurisë ushqimore në vend.
    Sipas tij, vetëm në 12 ditët e para të operacionit janë inspektuar 209 subjekte dhe janë bllokuar 76.1 ton produkte që nuk përmbushnin standardet e sigurisë dhe cilësisë ushqimore.

    “Ky është vetëm fillimi,” shkruan Malaj, duke nënvizuar se aksioni do të vijojë me intensitet për të garantuar një treg të rregullt, produkte të sigurta dhe të gjurmueshme, si dhe mbrojtje për fermerët dhe prodhuesit e ndershëm.
    Ministri theksoi se synimi kryesor i këtij operacioni është vendosja e rregullave të barabarta për të gjithë aktorët në treg, duke ndërtuar një klimë më të drejtë konkurruese dhe duke forcuar besimin e konsumatorëve te produktet e origjinës vendase.
    Ky aksion shënon një hap të rëndësishëm drejt formalizimit të plotë të sektorit bujqësor dhe ngritjes së standardeve të sigurisë ushqimore në Shqipëri.

  • Ministria e Financave publikon referencat për metër katror, çmimet në Durrës e Vlorë

    Ministria e Financave publikon referencat për metër katror, çmimet në Durrës e Vlorë

    Ministria e Financave ka hedhur për konsultim një draft ku përcaktohen edhe çmimet e reja të referencës për banesat. Ato prekin 11 qarqe të vendit dhe rritja më e madhe e çmimeve vërehet në zonat turistike si Durrës dhe Vlorë.
    Në Durrës çmimet variojnë nga 45 mijë lekë dhe vijojnë deri në 200 mijë lekë. Qyteti bregdetar do të jetë i ndarë në 13 zona. Ato më me vlerë për Durrësin janë zonat 13, 6, 1 dhe 10.
    Edhe në Vlorë çmimet e referencës shkojnë deri në 200 mijë lekë, më saktësisht asaj që i përket ishulli i Sazanit. Radhima ka një çmim prej 90 mijë lekësh ndërsa Orikumi prej 61 mijë lekësh.
    Himara është e ndarë në pesë zona, ku çmimet variojnë nga 45 mijë lekë deri në 140 mijë lekë për metër katror.
    E vetmja bashki ku çmimet referuese nuk kanë ndryshuar është Bashkia Tiranë. Për kryeqytetin, do të vijojë të përdoret e njëjta skemë vlerësimi si më parë.
    Ministria e Financave e argumenton këtë nismë me rritjen me mbi 23% të çmimeve të banesave vetëm në gjysmën e dytë të vitit 2024.
    Me një kosto të ulët dhe procedura të qarta, projektligji synon të ndihmojë qytetarët të reflektojnë vlerën reale të pronave të tyre. Për qeverinë, ky reformim pritet të sjellë rritje në të ardhurat vendore dhe të përmirësojë drejtësinë në sistemin e taksimit të pasurive të paluajtshme./tvklan

  • Shteti hap “derën” për rivlerësimin e pronave/ Tatimi, vetëm 5% mbi diferencën

    Shteti hap “derën” për rivlerësimin e pronave/ Tatimi, vetëm 5% mbi diferencën

    Ministria e Financave ka hedhur për konsultim publik projektvendimin për miratimin e metodologjisë,rregullat dhe procedurat e përcaktimit të vlerës së taksueshme për pasuritë e paluajtshme që pritet të nis vitin e ardhshëm.
    Nga 1 janari deri më 30 shtator 2026, qytetarët dhe bizneset do të kenë mundësinë të rivlerësojnë pronat e tyre, duke i përafruar me çmimet reale të tregut. Kjo nismë e re synon të rrisë transparencën në tregun e pasurive të paluajtshme dhe të sjellë më shumë të ardhura në buxhetin e shtetit, pa rritur normat tatimore ekzistuese.

    Ndryshe nga herët e mëparshme, ku norma e tatimit mbi rivlerësimin varionte nga 1 deri në 3 për qind, këtë herë tatimi do të jetë 5% mbi diferencën e vlerës. Ligji do të përfshijë edhe pasuritë që janë në proces regjistrimi apo legalizimi, ndërsa për subjektet juridike do të kërkohet rivlerësim nga ekspertë të licencuar.
    Nëse ky rivlerësim do të miratohet, do të jetë i pesti proces në 13 vite. Procesi i fundit i rivlerësimit të pasurive nisi në vitin 2020 dhe mbaroi në gusht të 2022, dhe nga i cili përfituan 110 mijë familje në të gjithë vendin dhe u rivlerësuan 168.200 pasuri, ndersa buxheti i shtetit përfitoi 12.7 miliardë lekë.
    Edhe rivlerësimi i fundit kishte normë tatimi 3%. Udhëzimet konkrete për zbatimin e procesit pritet të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave dhe përmes një udhëzimi të përbashkët të Ministrisë së Financave dhe Agjencisë së Kadastrës.

     

  • Menaxhimi i fondeve të BE-së në Shqipëri, Ministria e Financave nxjerr Udhëzimin e ri

    Menaxhimi i fondeve të BE-së në Shqipëri, Ministria e Financave nxjerr Udhëzimin e ri

    Ministria e Financave ka nxjerrë Udhëzimin, i cili përcakton rregulla të detajuara për kontrollin e brendshëm dhe verifikimin e masave për zbatimin e Instrumentit të Facilitetit për Reforma dhe Rritje (RGF). Ky udhëzim vjen në kuadër të marrëveshjes së ratifikuar mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian dhe ka për qëllim garantimin e integritetit, transparencës dhe efektivitetit në përdorimin e fondeve të BE-së.
    Udhëzimi ka për qëllim të përcaktojë procedurat, funksionet dhe rolet për të gjitha institucionet e përfshira në zbatimin dhe monitorimin e Instrumentit RGF, në përputhje me Agjendën Kombëtare të Reformave 2024–2027. Ai krijon një kornizë për zbatimin e mekanizmave të kontrollit dhe auditimit të brendshëm, duke siguruar menaxhim të mirë financiar dhe mbështetjen e Deklaratës së Sigurisë, një kërkesë kyçe për disbursimin e fondeve.
    Objektivat specifikë përfshijnë përshkrimin e proceseve dhe hapave për kontrollin dhe auditimin e brendshëm, duke përfshirë verifikimin e përmbushjes së objektivave sasiore dhe cilësore, si dhe përcaktimin e roleve dhe përgjegjësive të Koordinatorit Kombëtar, Ministrisë së Financave dhe institucioneve të tjera zbatuese në raportim dhe zbatim.
    Sipas dokumentit, zbatimi i udhëzimit bazohet “në parime kyçe si menaxhimi i mirë financiar, efikasiteti, transparenca, llogaridhënia, parandalimi dhe zbulimi i mashtrimit/korrupsionit, si dhe sigurimi i pakthyeshmërisë së reformave”.
    Udhëzimi detajon edhe rolet e institucioneve kyçe. Koordinatori Kombëtar (KK) është përgjegjës për koordinimin e përgjithshëm të Instrumentit RGF me Komisionin Evropian dhe bashkë-nënshkruan Deklaratën e Sigurisë me Ministrinë e Financave.
    Ndërsa Zyra Mbështetëse e Koordinatorit Kombëtar (ZMKK), mbështet KK-në në koordinim dhe monitorim, përgatit raporte periodike dhe formulon kërkesat për pagesa, shkruan rtsh.al.
    Ministria e Financave ushtron rolin e autoritetit koordinues për harmonizimin dhe mbikëqyrjen e sistemeve të menaxhimit financiar dhe kontrollit, si dhe funksionin e auditimit të brendshëm.
    “Ajo koordinon Sistemin e Menaxhimit të Parregullsive, harton udhëzime standarde dhe mbledh prova verifikuese për Deklaratën e Sigurisë.”, theksohet në dokument.
    Ndërsa ministritë e linjës dhe institucionet zbatuese dhe përfituese, janë përgjegjëse për planifikimin, zbatimin, monitorimin dhe raportimin e reformave dhe investimeve. Detyrimet e tyre përfshijnë zbatimin e udhëzimeve, hartimin e planeve tremujore, ruajtjen e evidencave, funksionimin efektiv të auditimit të brendshëm dhe përgatitjen e raporteve periodike.
    Procesi i kontrollit të brendshëm
    Kontrolli i brendshëm përbën një proces të vazhdueshëm dhe sistematik, që synon të sigurojë përdorimin e ligjshëm, të rregullt, ekonomik, efikas dhe efektiv të fondeve të Bashkimit Evropian.
    Çdo institucion përfitues duhet të sigurojë sisteme efektive kontrolli, transparencë dhe të dorëzojë një deklaratë sigurie. Institucionet duhet të identifikojnë dhe menaxhojnë riskun për çdo hap reforme, duke hartuar plane të kontrollit të brendshëm dhe duke zbatuar masa parandaluese ndaj mashtrimit, korrupsionit dhe konfliktit të interesit.
    Procesi i auditimit të brendshëm
    Auditimi i brendshëm luan një rol të pavarur, objektiv dhe këshillues në vlerësimin e sistemeve të menaxhimit financiar dhe kontrollit.
    “Struktura përgjegjëse për harmonizimin e auditimit të brendshëm në Ministrinë e Financave koordinon këtë funksion dhe siguron udhëzime specifike. Institucionet zbatuese duhet të dorëzojnë raporte gjashtëmujore auditimi, të cilat konsolidohen nga Ministria e Financave për të mbështetur kërkesat për pagesë dhe Deklaratën e Sigurisë.”, theksohet në Udhëzim.
    Ky udhëzim shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e kuadrit rregullator për menaxhimin e fondeve të BE-së në Shqipëri.

  • “1463 problematika të identifikuara në Tiranë”, Rama ngre 3 grupe pune për kontrollin e territorit në këtë bashki

    “1463 problematika të identifikuara në Tiranë”, Rama ngre 3 grupe pune për kontrollin e territorit në këtë bashki

    Kryeministri Edi Rama ka ngritur tre grupe punën për kontrollin e Territorit në bashkinë e Tiranës. Gjatë fjalës së tij në takimin me deputetët e zgjedhur të Tiranës në zgjedhjet e 11 majit dhe drejtuesit e strukturave të bashkisë Tiranë, ai tha se zëvendëskryeministrja Belinda Balluku do të drejtojë grupin për analizën e shërbimeve në Bashkinë e Tiranës. Grupi tjetër do të drejtohet nga ministri i Financave Petrit Malaj, për analizën e financave në bashki. Dhe grupi tjetër nga drejtuesja e Agjencisë së Zhvillimit të territorit dhe ajo e planifikimit urban.
    “Një grup që drejtohet nga Zëvendëskryeministrja në lidhje me analizën e shërbimeve në bashkinë e Tiranës, një grup që koordinohet nga Ministria e Financave lidhur me analizën e financave dhe një grup që koordinohet nga drejtuesja e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit dhe drejtuesen e Agjencisë së Planifikimit Urban dhe nën drejtimin e Persidës që përfshin rreth 60 arkitektë lokalë dhe një numër të konsiderueshëm të huaj të cilat kanë filluar të punojnë për modelet e ndërhyrjeve të këtyre lagjeve dhe zonave ku njerëzit kanë nevojë për hapësirë. Nuk mjafton vetëm lirimi dhe pastrimi, por duhen edhe disa ndërhyrje të tjera që do të bëhen në bashkëpunim me bashkinë e Tiranës”.
    Rama bëri të ditur se deri më tani janë evidentuar 1463 çështje ku shumica dërrmuese e tyre janë të lidhura me zënien e hapësirës publike.
    “Kam përpara inventarin e problematikave të konstatuara në territor, mund të mos jetë shterues, por nëse thjesht dhe vetëm këto problematika do të adresohen si duhet është një garanci e padiskutueshme që do të sjellë një çlirim të madh një frymëmarrje të re të kryeqytetit dhe do të hapim perspektiva të reja për punët në vazhdim që së bashku me bashkinë e Tiranës do të bëjmë për të adresuar nevojën që në këto territore të ndërtohet hap pas hapi një mozaik i ri i një Rilindje Urbane 2.0. Kjo përmbledhje ka 1463 çështje të identifikuara, shumica dërrmuese e tyre janë të lidhura me zënien e hapësirës publike dhe prekin praktikisht jetën e të gjitha komuniteteve që jetojnë në bashkinë e Tiranës”.

  • “Ndodh edhe kështu”, ish-zyrtarja e Financave ngre alarmin: Ja çfarë zbulova në e-Albania për vitin 2014

    “Ndodh edhe kështu”, ish-zyrtarja e Financave ngre alarmin: Ja çfarë zbulova në e-Albania për vitin 2014

    Ish-punonjësja e Ministrisë së Financave Anila Boshnjaku ka bërë një postim në rrjetet sociale ku shkruan se nga një kontroll që ka bërë në e-Albania, rezulton se për muajin tetor 2014, nuk janë paguar siguracionet. Boshnjaku i sugjerin publikisht ish-kolegëve të saj që të bëjnë një kontroll për atë muaj, por edhe në përgjithësi sepse siç thotë “ndodh edhe kështu”.
    POSTIMI:

    Ky mesazh eshte per ish-koleget e mi te Ministrise se Financave: Nga nje kontroll qe bera ne e-Albania, me rezulton qe per muajin tetor 2014 nuk jane paguar sigurimet. ju sugjeroj te beni nje kontroll per ate muaj, por pse jo edhe ne pergjithesi se ja qe ndodh edhe keshtu. Nuk di pse e si, por…. ju pershendes!

     

  • Dosja “Buka”, GJKKO vendos sot nëse kalon për gjykim çështja ndaj Arben Ahmetajt

    Dosja “Buka”, GJKKO vendos sot nëse kalon për gjykim çështja ndaj Arben Ahmetajt

    Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pritet të vendosë sot për dosjen “Buka” ndaj ish-zv/Kryeministrit Arben Ahmetaj, nëse do të kalojë për gjykim.
    Arben Ahmetaj ndodhet në arrati, ndërsa avokati i tij është paraqitur në seancë.
    Gjykata i kishte lënë dy javë kohë mbrojtjes për të që të njihet me veprimet e reja hetimore të kryera nga prokurori Elvin Gokaj dhe të japë konkluzionet e saj.
    SPAK e ka marrë të pandehur ish numrin dy të qeverisë Arben Ahmetaj për veprën penale “Shpërdorim detyre”, pasi dyshohet se ai i ka shkaktuar shtetit shqiptar dëm ekonomik në vlerën 7 miliardë lekë.
    Organi i akuzës vijon hetimet për 7 personat e tjerë të përfshirë në ketë çështje, përfaqësues të Ministrisë së Financave si dhe ndaj biznesmenit Lirim Fezollari.
    Ky i fundit sipas hetimeve, përfitoi nga privatizimi në kohën kur Arben Ahmetaj ishte ministër i Financave. Ka dyshime se Ahmetaj dhe Fezollari, kishin marrëdhënie përtej komunikimit institucional, nga e cila ka arritur të privatizojë aksionet e shoqërisë “Buka Sh.a.

  • REL: Për fajin e kujt mund të mbetet Komuna e Prishtinës pa para?

    REL: Për fajin e kujt mund të mbetet Komuna e Prishtinës pa para?

    Foto ilustruese

    PRISHTINË- “Hakmarrje politike”, “rrenë”, “gjej punë tjetër pas tetorit” dhe “zhbllokoje buxhetin” janë vetëm disa prej shprehjeve që i kanë përdorur publikisht kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, dhe zyrtarë të Qeverisë në detyrë të Kosovës, në disa episode zënkash mes tyre në muajt e fundit. Buxheti komunal duket se është kryefjala e mosdurimit mes pushtetit qendror, që udhëhiqet nga Lëvizja Vetëvendosje, dhe pushtetit lokal në kryeqytet, që drejtohet nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Por, për të kuptuar fillin e tij, le të kthehemi mbrapa në kohë.
    Ligji për menaxhimin e financave publike në Kosovë përcakton se komunat kanë afat deri më 30 shtator për ta miratuar buxhetin e vet për vitin pasues fiskal. Nëse nuk e respektojnë këtë afat, ato humbin të drejtën për ta propozuar vetë buxhetin për vitin e ardhshëm, ndërsa Ministria e Financave e harton një version të buxhetit për to, i cili zakonisht bazohet në shifrat e buxhetit ekzistues.
    Çfarë ka bërë Komuna e Prishtinës?
    Më 9 dhjetor të vitit 2024 – pra me vonesë – e ka miratuar buxhetin për vitin 2025 në vlerë prej 128 milionë eurosh, rreth 6 milionë euro më i lartë sesa ai i vitit paraprak. Edhe Gjilani dhe Zubin Potoku janë vonuar njëjtë, dhe bashkë me Prishtinën janë komunat e vetme në këtë situatë. Buxhetet e reja të tyre nuk janë përfshirë në Ligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin 2025, i cili është miratuar paraprakisht në nëntor nga Kuvendi i Kosovës. Bekim Salihu, nga Instituti për Studime të Avancuara (GAP), thotë për Radion Evropa e Lirë se këtu nis “historia e buxhetit”. Sipas tij, “gabimi ka rrjedhur nga një lloj papjekurie e këtyre komunave, të cilat kanë insistuar të marrin shumën e buxhetit në total, dhe jo të miratojnë buxhetin paraprak. Nëse do ta ndiqnin rrugën e dytë, do ta shmangnin procedurën e Qeverisë dhe Kuvendit”.
    Meqë buxheti i Komunës së Prishtinës është miratuar pasi është miratuar Ligji për buxhetin, është kërkuar të ndryshohet ky ligj, i cili ka kaluar në Qeveri, por jo edhe në Kuvend të Kosovës. Por, ai tani as nuk mund të kalojë, sepse Kosova vazhdon të mos e ketë të konstituuar institucionin ligjvënës. A ka mundur Kuvendi t’i miratojë këto ndryshime në periudhën dhjetor 2024 – shkurt 2025? Ish-nënkryetari i Prishtinës, Dardan Sejdiu, beson se po, nëse Qeveria në detyrë nuk do ta kishte stil të veprimit “fërkimin me këdo që i del përpara”.
    “Qeveria e ka votuar buxhetin, dhe e kuptoj kur thotë nuk mund ta dërgonte në rishikim në shkurt, por rrethanat kanë qenë të jashtëzakonshme. E kemi ditur që ka zgjedhje, dhe rrjedhimisht është dashur të bëhet një rrugëzgjidhje, para se të shpërbëhej Kuvendi”.
    Sipas Sejdiut, e gjithë zhurma e krijuar është më tepër për tërheqje të vëmendjes nga mungesa e performancës.
    “E vetmja mënyrë për të krijuar temë publike nuk është përmes punëve që janë kryer apo me të cilat janë marrë, por me akuza, arsyetime dhe në fund ankesa. Siç do të thoshte populli, kapak për tenxhere”.
    Qeveria “po luan politikisht”
    As Salihu nuk mund t’i drejtojë gishtin vetëm njërës palë.
    “Këtu është një e vërtetë: që edhe Qeveria po luan. Këtu nuk ka asnjë diskutim. Por, po luan politikisht, duke u mbuluar ligjërisht”.
    Si po e bën këtë?
    Sipas Ligjit për menaxhimin e financave publike, kur buxheti i ri i një komune nuk përfshihet në Ligjin për buxhetin, për shkak të vonesës në miratimin e tij, Ministria e Financave autorizon shpenzime mujore në nivelin e një të dymbëdhjetës së buxhetit të vitit të kaluar për çdo muaj, deri në fund të muajit qershor. Pas kësaj periudhe, nuk mund të autorizohen fonde për kategori të tjera, përveç pagave dhe obligimeve të detyrueshme, dhe ato kërkojnë miratim nga kuvendi komunal çdo muaj. Kategoritë, si investimet kapitale, mallrat, shërbimet dhe subvencionet, mbesin të bllokuara. Për Salihun, Qeveria në detyrë po e ndjek logjikën e këtij ligji, duke e harruar që ekziston edhe Ligji për buxhetin, të cilin e ka për detyrim ta zbatojë. Në këtë ligj, buxheti për Komunën e Prishtinës është i paraparë sikurse ai i vitit 2024, pra bëhet fjalë për vetëm 6 milionë euro më pak, të cilat komuna ka të drejtë t’i shfrytëzojë.
    Por, Ministria, sipas tij, po përdor një arsyetim tjetër për mosndryshim të qasjes.
    “Ministria po thotë ‘jo, sepse kuvendi komunal ka miratuar buxhet tjetër, e për ta zbatuar Ligjin për buxhetin, duhet të bëhen ndryshime edhe në Kuvend’”.
    Për dallim prej fajtorit, viktima identifikohet lehtë.
    “Komuna e Prishtinës dhe qytetarët e saj do ta shohin që asnjë investim dhe ndryshim nuk do të mund të bëhet për periudhën tutje, nëse Ministria e Financave nuk e ndryshon kursin. Edhe këto investime që po bëhen në terren do të bllokohen. Do të ketë pasoja zinxhirore, sistemore dhe afatgjata, dhe në fund të ditës do të humbë qytetari”, thotë Salihu.
    Për Sejdiun, përveç mospunës, këto ankesa janë edhe sinjale të një fushate të hershme për zgjedhjet lokale.
    “Është fatkeqësi që janë bllokuar kështu me njëri-tjetrin, por ndoshta edhe këtu e kemi një lajm të mirë, sepse nuk harxhohen paratë kot në investime kapitale, për t’u dëshmuar që po punohet nga dikush që për tri vjet nuk ka punuar asgjë”./REL

  • Qeveria u fali ndërtuesve të paligjshëm mbi 2 milionë euro tarifa

    Qeveria u fali ndërtuesve të paligjshëm mbi 2 milionë euro tarifa

    Foto ilustruese

    TIRANË- Në vjeshtën e vitit 2022, kur prezantoi vendimin e qeverisë së tij për konfiskimin e shtesave pa leje në kullat e Tiranës, kryeministri Edi Rama i paralajmëroi ndërtuesit se “do ta paguanin shtrenjtë shkeljen e ligjit”. Ai premtoi gjithashtu se ndërtimet e konfiskuara do të përdoreshin për qëllime sociale ose do të mbushnin arkën e shtetit pasi të shiteshin me çmimet e tregut. Por një vit e gjysmë më vonë, dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë se qeveria, jo vetëm që ua ktheu godinat mbrapsht shkelësve të ligjit me çmime 10 herë më të ulëta se vlera e tregut, por u amnistoi atyre detyrime fiskale për lejet e reja të ndërtimet në një vlerë që llogaritet në gati 2 milionë euro.
    Sipas kontratave që Ministria e Financave nënshkroi me ndërtuesit në gusht të vitit të kaluar, këtyre të fundit u mundësohet që të marrin leje të reja ndërtimi për t’i shitur më pas normalisht shtesat e ndërtuara në kundërshtim me ligjin. Por në këtë proces, ndërtuesit përjashtohen nga tarifat e aplikimit për leje zhvillimi dhe ndërtimi, certifikatën e përdorimit, policat e sigurimit, pagesat për shërbimet kadatrale si dhe pagesën e taksës së ndikimit mbi infrastrukturë. Në shtatë pallatet e konfiskuara në Tiranë rezultoi të ishin ndërtuar pa leje 21404 metra katrorë shtesa. BIRN llogariti se sipas kontratës së nënshkruar me Ministrinë e Financave, kompanive ndërtuese u faleshin në total detyrime fiskale në një shumë që varion nga 1.8 milionë euro deri në 2.2 milion euro.
    Jorida Tabaku, deputete e Partisë Demokratike në opozitë akuzon qeverinë se skema e përdorur në këtë rast është e paramenduar, antikushtetuese dhe cenon barazinë përpara ligjit.
    “Përjashtimi i tyre nga taksat është akoma dhe më i rëndë. Kjo së pari është bërë me paramendim,”- tha Tabaku për BIRN.
    Standardet e dyfishta kanë shqetësuar gjithashtu komunitetin e biznesit.
    “Për ne që jemi totalisht të rregullt, nuk është se po na shqetëson në çmime, por vetëm që kemi marrë njollë nga ata ndërtues totalisht të pandershëm,”- tha Latif Miha, nënkryetar i Shoqatës së Ndërtuesve.
    I pyetur nga BIRN për arsyet se pse ata që kishin ndërtuar pa leje shmangeshin nga detyrimet fiskale për këto ndërtime, ministri i Financave, Ervin Mete i tha BIRN përmes një mesazhi se këto praktika kishin ndodhur “para se të vija në ministri”. Zyrtarisht, ministria e Financave i tha BIRN se kontrata bazohej në ligj, por nuk iu përgjigj pyetjes se pse ndërtuesit pa leje po trajtoheshin në mënyrë preferenciale.
    Favorizime për paligjshmërinë
    Qeveria e kryeministrit Edi Rama vendosi të konfiskojë për interes publik pallatet e ndërtuara pa leje përmes një vendimi të miratuar në shtator të vitit 2022. Me pretendimin se do t’i administronte pallatet e konfiskuara, parlamenti miratoi në verën e vitit 2023 edhe ligjin përkatës të pagëzuar me emrin e gjatë: “Për administrimin e objekteve të konfiskuara si ndërtime pa leje me qëllim përdorimin e tyre për interes publik apo strehim social si dhe zbutjen e pasojave sociale të shkaktuara”.
    Megjithatë, ligji që përmend strehimin social dhe interesin publik, duket se po përdoret për t’u falur ndërtuesve të paligjshëm edhe detyrimet fiskale. Konkretisht, kontratat mes kompanive ndërtuese të kapura në shkelje të lejeve të ndërtimit dhe ministrisë së Financave, të nënshkruara në gusht 2023, referohen në nenin 30 të tij për të siguruar që kompanitë nuk do paguanin detyrime për lejet e reja që legalizojnë shtesat pa leje.
    Neni i titulluar “Përjashtime fiskale”, nuk përmend në fakt ndërtuesit dhe as blerësit e këtyre pronave, por lejon që autoriteti publik që bën administrimit e objekteve të konfiskuar të “përjashtohet nga të gjitha tarifat” përfshi aplikimin për leje zhvillimi/ndërtimi, certifikatat e përdorimit, polica e sigurimit, pagesat për shërbimet kadastrale, si dhe nga pagesa e taksës së ndikimit në infrastrukturë.
    Ndërkohë, përmes kontratës mes Ministrisë së Financave dhe ndërtuesve, këto të drejta u kalohen automatikisht këtyre të fundit. Në nenin 3 të kontratës, në pikën 3.4 parashikohet se “referuar dispozitave të nenit 28, 29 dhe 30 të “Ligjit me nr 66/2023”, kompanitë përjashtohen nga një listë e gjatë me detyrime.
    Zef Preçi, drejtor ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike, ngre dyshime se vendimi i qeverisë u miratua për të favorizuar një grup ndërtuesish me probleme.
    “Unë e shof si një copë të zezë të qepur më pe të bardhë. E shoh si një shërbim që elita qeverisëse i bën komunitetit të biznesit,” tha Preçi për BIRN.
    “Në vend që t’i ndëshkojnë shkelësit, hartohen të tilla akte që nuk i shërbejnë interesit publik për të cilin janë marrë”, shtoi ai.
    Edhe përfaqësuesit e Shoqatës së Ndërtuesve vlerësojnë se biznesmenët që shkelën ligjin u favorizuan nga shteti.
    “Tek e para, nuk është që ne ndërtuesve të tjerë na sjellin ndonjë problem, por problemi është që dëmi i shkaktohet shtetit që i favorizoi. Shkurt muhabeti i favorizoi shteti dhe më gjatë s’di të të them,”- tha Miha nga shoqata e Ndërtuesve përmes një mesazhi në Ëhatsapp.
    Precedenti për të ardhmen
    Përfituesit e kësaj “amnistie” i përkasin një grupi ndëtuesish, godinat e të cilëve u konfiskuan në vjeshtën e vitit 2022 me vendim të Këshillit Kombëtar të Territorit, pasi kishin shkelur lejet e ndërtimit me disa mijëra metra katrorë. Që prej fillimit akti i qeverisë, një VKM dhe më pas legjislacioni që pasoi, u cilësuan nga opozita dhe ekspertë si një përpjekje për t’i amnistuar këta ndërtues, që nga ana tjetër ishin nën hetim nga prokuroria për shkeljet e ligjit. Në shkurt të këtij viti, Prokuroria e Tiranës ngriti akuzë për ndërtim të paligjshëm për kompanitë Salillari dhe Arb&Trans-2010 dhe drejtues të këtyre kompanive, përfshi ish-administratorin e kompanisë Salillari, Lulzim Sallillari.
    Edhe arkitektja Doriana Musai thotë se akti është i nxituar dhe i marrë vetëm për të favorizuar pak kompani. Ajo thotë se veç faljes së miliona eurove në taksa, precedenti i vendosur është i rrezikshëm.
    “Normativa e krijuar Ad Hoc për legalizimin e ndërtimeve dhe shtesave pa leje, përveç se ka prodhuar kushte pabarazie të qytetarëve përpara ligjit, ka sjellë rezultat nul në “ndëshkimin” e këtij modeli ilegal të ndërtimit, duke krijuar një precedent të rrezikshëm për të ardhmen,”- tha Musai.
    Ajo shtoi gjithashtu se çmimi i ulët që u përdor për t’i rishitur këto godina dhe e gjithë procedura e ndjekur i ngjan një amnistie, e cila ndryshe nga sa pretendohet prej qeverisë do të sjellë shtim të ndërtimeve pa leje.
    “Me amnistinë qeveria krijoi kushte të përshtatshme për investitorët që të tejkalojnë ligjin, planin dhe rregullat dhe përsëri të dalin me fitim. Pra, kjo formulë e zbatuar nga lart-poshtë, shihet të stimulojë ilegalitetin në vend që ta ndalojë atë,” thotë Musai.
    Edhe Jorida Tabaku, deputete e opozitës në parlament, thotë se ky ligj dhe mënyra se si po zbatohet do të sjellë rritje të informalitetit.
    “Përveç faktit që cënojnë barazinë para ligjit, përjashtimi nga taksat në këtë rast janë shumë të dëmshme, pasi nxisin informalitetin dhe paligjshmërinë,”-tha Tabaku.
    Ajo shtoi gjithashtu se kjo nxitje e paligjshmërisë ka ndodhur me një grup të seleksionuar ndërtuesish dhe nuk vlen për qytetarin e thjeshtë apo edhe ndërtuesit normalë./BIRN

  • Malaj: Bashkëpunimi me bankat, i rëndësishëm për zbatimin me sukses të Garancisë Sovrane në bujqësi

    Malaj: Bashkëpunimi me bankat, i rëndësishëm për zbatimin me sukses të Garancisë Sovrane në bujqësi

    Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, mori pjesë sot në tryezën e diskutimit me përfaqësues të sektorit bankar lidhur me garancinë sovrane për bujqësinë, organizuar nga Ministria e Financave dhe Banka e Shqipërisë.Gjatë fjalës së tij, Ministri Malaj theksoi se garancia sovrane nuk është vetëm një instrument financiar, por një mundësi reale për të ndërtuar një model të ri zhvillimi për bujqësinë dhe ekonominë, ku bashkëpunimi me sektorin bankar është një nga faktorët kyç të suksesit.Skema e garancisë sovrane, tha z. Malaj, do të mbështesë bujqësinë me një fond prej rreth 3 miliardë lekësh apo 30 milionë euro dhe do të vihet në dispozicion në bashkëpunim me sektorin bankar.“Kjo garanci synon të zgjidhë një nga pengesat më të mëdha për financimin në këtë sektor, mungesën e kolateralit dhe të nxisë kreditim e këtij sektori kaq të rëndësishëm me kosto sa të ulët”, u shpreh z. Malaj.Elementët kryesorë të skemës janë: garanci deri në 70% të vlerës së kredisë për fermerët dhe SME-të bujqësore; normë interesi e kufizuar në 2% dhe përdorim vetëm për investime që rrisin kapacitetin prodhues dhe konkurrueshmërinë: agropërpunim, mekanikë bujqësore, agroturizëm, peshkim, akuakulturë, sera moderne, etj..Zbatimi me efikasitet i garancisë sovrane, tha më tej Ministri, kërkon një pjesëmarrje aktive edhe nga vetë fermerët dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në të gjithë vendin.Z.Malaj tha se qeveria shqiptare dhe Ministria e Financave mbeten të angazhuara për të krijuar mjedisin e duhur financiar, ligjor dhe rregullator me qëllim nxitjen e investimeve në sektorët prioritarë të zhvillimit ekonomik. Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gezon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetm duke cituar “Revista Monitor” shogëruar me linkun e artikullit origjinal.