Tag: filmi

  • Restaurimi i “Liri a vdekje” i vitit 1978, Nikolla Llambro:Filmi ka rëndësi të veçantë historike dhe realizimi artistik

    Restaurimi i “Liri a vdekje” i vitit 1978, Nikolla Llambro:Filmi ka rëndësi të veçantë historike dhe realizimi artistik

    Nga Julia Vrapi
    Premiera e filmit të restauruar  “Liri a vdekje” prodhim kinematografik i vitit 1978 do të jetë këtë shtator në “Tirana International Film Festival”. Filmi “Liri a vdekje” është realizuar nga regjisorët Ibrahim Muçaj dhe Kristaq Mitro, skenari i tij është shkruar nga Vath Koreshi, ndërsa muzika nga kompozitori Kujtim Laro. Në role e tij janë aktorë të njohur të kinemasë sonë, mes tyre dhe Nikolla Llambro. “Liri a vdekje” është një tjetër film shqiptar i shpëtuar falë restaurimit, por aktori Nikolla Llambro thotë se ai ka rëndësi të veçantë historike dhe realizimi artistik. “Një tjetër sukses i Arkivit Qëndror Shtetëror të Filmit  është restaurimi i filmit historik,”Liri a vdekje”. Filmi artistik “Liri a vdekje” me dy seri, xhiruar në vitin 1978 me skenar të shkrimtarit Vath Koreshi dhe regji të dy regjisorëve të rinj të talentuar, Ibrahim Muçaj dhe Kristaq Mitro ishte një realizim i arrirë artistikisht me një kast aktorësh të përzgjedhur e të goditur në personazhet që ju besuan dhe i mëshiruan cilësisht bukur! Si nga pikëpamja historike edhe nga pikëpamja artistike filmi “Liri a vdekje ” ka rëndësi të veçantë qoftë historike, qoftë dhe realizimi artistik nga regjisorët dhe nga grupi i aktorëve ”, shprehet aktori Nikolla Llambro. Në aktivitetin e tij artistik Nikolla Llambro ka realizuar një galeri të pasur rolesh në teatër dhe kinematografi. Nikolla Llambro është mjaft i njohur për artdashësit edhe me interpretimin e rolit të patriotit Zeman Mashkullora në filmin “Liri a vdekje”. Ai thotë se ky film ka një rëndësi të veçantë se trajton një aspekt të luftës së çetave patriotike kundër pushtimit turk. “Skenari është mbështetur dhe e ka realizuar artistikisht bukur historinë e shkruar nga luftëtari e shkrimtari Mihal Grameno, pjesëmarrës në tërë luftën e çetës së komandant Çerçiz Topullit në luftë kundër pushtuesve osman”, thotë aktori Nikolla Llambro. Restaurimi i filmit u bë me dije më parë, ndërsa Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit dhe Tirana Film Institute organizojnë premierën e filmit të restauruar “Liri a vdekje” (1978) me regji nga Ibrahim Muçaj dhe Kristaq Mitro, si shfaqje e filmit përmbyllës të edicionit të 23-të të “Tirana International Film Festival 2025”.
    Restaurimi i filmit nga projekti Sezoni i Filmave Klasikë
    Filmi “Liri a vdekje” i vitit 1978 është prodhuar nga “Kinostudio “Shqipëria e re”. Restaurimi digjital i filmit “Liri a vdekje”  u mundësua nga projekti Sezoni i Filmave Klasikë – nismë e Shoqatës së Kinematekave Europiane (ACE), me mbështetjen e programit Europa Krijuese MEDIA të Komisionit Europian. Arkivi Qëndror Shtetëror i Filmit bën me dije se filmi “Liri a vdekje” u restaurua nga elementet origjinalë negativë 35mm. Skanimi i negativit në 4K u krye në studion e AQSHF-së në Tiranë dhe restaurimi në laboratorin e Augustus Color në Romë, Itali.
    Ngjarjet në film dhe aktorët në role
    Aktorë në role janë: Timo Flloko, Gjergj Lala, Kadri Roshi, Nikolla Llambro, Sotiraq Bratko, Kastriot Çaushi, Fane Bita, Bujar Asqeriu, Edmond Tare, Reshat Arbana, Liza Laska, Pandi Raidhi, Viktor Çaro, Jorgaq Tushe, Elvira Diamanti, Teuta Keçi, Adem Gjyzeli, Ilia Shyti, Kastriot Çollaku, Irakli Lefteri, Tomor Bendo, Marta Burda, Aristotel Stefani, Adrian Lazëri, Birçe Hasko. Drejtor fotografie Petraq Lubonja, piktor filmi Arben Basha. Komitët e udhëhequr nga Çerçiz Topulli, Mihal Grameno dhe Hajredin Tremishti kthehen në fshat, tek njerëzit e tyre, përpara se të ekzekutojnë oficerin turk të Gjirokastrës. Pas kësaj, ushtria osmane ndërmerr një fushatë kundër krahinës së Mashkullorës, e cila shndërrohet në një simbol të rezistencës dhe luftës për pavarësi të shqiptarëve. Mësuesi Hysen, i cili u mëson fshehurazi gjuhën shqipe fëmijëve, vritet, gjithashtu, brutalisht. Çerçiz Topulli, personazhi i vërtetë i këtij filmi, ishte një revolucionar dhe luftëtar guerilas shqiptar i përfshirë në lëvizjen kombëtare shqiptare që vepronte në zonat malore të Shqipërisë së jugut. Ai dhe vëllai i tij, Bajo Topulli, ishin të njohur për luftën kundër osmanëve përpara se Shqipëria të shpallte pavarësinë e saj nga Perandoria Osmane në vitin 1912.

  • E paprecedentë/ Ndërpritet shfaqja e një filmi në gjuhën shqipe në Podgoricë

    E paprecedentë/ Ndërpritet shfaqja e një filmi në gjuhën shqipe në Podgoricë

    Shfaqja e filmit “Lejleku” të regjisorit shqiptar, Isa Qosja, në festivalin e filmit Xhada në Podgoricë të Malit të Zi, u ndërpre derisa po shfaqej për publikun në mjedis të hapur më 3 shtatorit, njoftuan organizatorët. Ajo u ndërpre për shkak të pakënaqësive të shprehura zëshëm nga një grup personash ende të panjohur, të cilëve, siç thuhet, u pengoi fakti që filmi ishte në gjuhën shqipe.

    Organizatorët konfirmuan se ndodhi një “situatë e pakëndshme” dhe se shfaqja e filmit u ndërpre.

    “Pasi një grup individësh shprehën pakënaqësi për shkak të shfaqjes së filmit, vendosëm që, për arsye sigurie, ta ndërprisnim shfaqjen. Policia, sipas detyrës zyrtare, mbrëmë doli në vendngjarje”, deklaruan organizatorët e festivalit.

    Policia nuk i ka bërë të ditura rezultatet e hetimit. Radio Evropa e Lirë ka dërguar pyetje që lidhen me epilogun e hetimeve.

    Ndërprerjen e dhunshme të filmit “Lejleku” e dënuan ashpër organizatat joqeveritare, të cilat theksuan se kjo përbën sulm të rrezikshëm ndaj lirisë së shprehjes artistike e kulturore dhe shpërfaqje të hapur të urrejtjes për shkak të përkatësisë kombëtare dhe gjuhës.

    “Një grup dhunuesish ndërpreu shfaqjen vetëm pse filmi ishte në gjuhën shqipe. Është shqetësuese që një sulm i tillë ndodh në një shtet shumetnik ku gjuha shqipe, sipas Kushtetutës, është gjuhë zyrtare”, theksuan OJQ-të malazeze.

    Ato thanë se presin nga policia dhe prokuroria të zbulojnë autorët dhe u bëjnë thirrje partive në pushtet të reagojnë.

    “Partitë në pushtet mbajnë përgjegjësi për një sërë provokimesh nacionaliste që i paraprinë këtij rasti, dhe rrjedhimisht edhe për destabilizimin e Malit të Zi si shtet qytetar. U bëjmë thirrje përfaqësuesve më të lartë të pushtetit të parandalojnë incidente të tjera dhe prishjen e harmonisë multietnike”, thanë to.

    Shqetësim për ndërprerjen e dhunshme shprehu edhe delegacioni i Bashkimit Evropian në Mal të Zi, i cili e kishte financuar festivalin Xhada.

    “Liria e shprehjes artistike është pjesë përbërëse e lirisë së fjalës dhe një nga vlerat thelbësore demokratike”, theksoi delegacioni në rrjetin X.

    Festivali i filmit Xhada mbahet që dhjetë vjet dhe është festival ndërkombëtar i filmit debutues. Të gjithë filmat dhe dokumentarët shfaqen kryesisht në hapësira të hapura në Podgoricë.

    Filmi i gjatë malazez “Lejleku”, i regjisorit kosovar Isa Qosja, u shfaq premierë në shtator të vitit 2024 në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit PriFest në Prishtinë. Ngjarja zhvillohet në fshatin e braktisur Vuthaj, të banuar me popullsi shqiptare, në kufirin malazezo-shqiptar. Tema e emigracionit rrëfehet përmes historisë së tri brezave të grave fatkeqe.

    Ky është projekti i parë malazez që u mbështet nga fondi evropian i filmit Eurimages, me 80 mijë euro. Filmi u realizua nga kompania “Artikulacija” e Podgoricës, në bashkëpunim me ABHO Film dhe ABA Film nga Mali i Zi, si edhe me shtëpi të tjera produksioni nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut./REL

  • Filmi ‘Lejlek’ nesër në TVCG1, pas ndërprerjes në ‘Džada Fest’

    Filmi ‘Lejlek’ nesër në TVCG1, pas ndërprerjes në ‘Džada Fest’

    Radiotelevizioni i Malit të Zi (RTCG) ka njoftuar se nesër, më 5 shtator, nga ora 21:30 në programin e parë (TVCG1) do të transmetohet filmi “Lejlek”.

    Ky film kishte qenë pjesë e programit të “Džada Fest”-it, por shfaqja e tij u ndërpre nga huliganë për shkak të përdorimit të gjuhës shqipe.

    “Në dritën e akuzave se RTCG është në shërbim të revizionizmit, nesër nga ora 21:30 në programin e parë do ta shfaqim filmin ‘Roda’, shfaqja e të cilit në kuadër të ‘Džada Fest’-it u ndërpre nga huliganë për shkak të gjuhës shqipe. Duke shtypur butonin play në sallën e regjisë, ne solemnisht marrim rolin udhëheqës në betejën kundër revizionizmit”, ka deklaruar Drejtori i Përgjithshëm i RTCG, Boris Raonić, përmes një postimi në Facebook.

    Filmi “Lejlek” e ka pasur premierën në Mal të Zi fundvitin e kaluar dhe është shfaqur tashmë në disa qytete, përfshirë Tuzin, Barin dhe gjatë Festivalit të Filmit në Herceg Novi. Subjekti i tij zhvillohet në një zonë kufitare mes Malit të Zi dhe Shqipërisë dhe trajton temat e mentalitetit, patriarkatit dhe jetës në hapësirat e izoluara./ KultPlus.com

  • Keanu Reeves, 61 vjet modesti, talent dhe ndikim global

    Keanu Reeves, 61 vjet modesti, talent dhe ndikim global

    Më 2 shtator 2025, një nga aktorët më të dashur dhe më të respektuar të Hollywood-it, Keanu Reeves, feston 61-vjetorin e lindjes. Një figurë që ka thyer kufijtë e një ylli filmi të zakonshëm, Reeves është kthyer në një simbol të thjeshtësisë, përkushtimit dhe dashurisë për artin.

    Keanu Reeves lindi më 2 shtator 1964 në Beirut, Liban, dhe u rrit në Kanada. Që nga rolet e tij të para në fund të viteve ’80 dhe fillimin e viteve ’90, ai shfaqi një prani të veçantë në ekran, të cilën publiku dhe kritikët nuk e shpërfillën, transmeton KultPlus.

    Filmi “The Matrix” (1999), ku ai interpretoi Neon, e ngriti në një status legjendar në kinematografi dhe shkencë fantastike. Me pasionin dhe përkushtimin që shfaqi në rolin e hakërit që shpëton njerëzimin nga realiteti virtual, Reeves u bë simbol i një gjenerate.

    Në vitet më të fundit, ai rigjallëroi karrierën e tij me serinë “John Wick”, një tjetër rol ikonë, ku ai luan një vrasës me kode etike dhe ndjenja të thella personale, duke sjellë në ekran një kombinim të rrallë mes dhunës stilistike dhe emocioneve të përmbajtura.

    Përtej suksesit në ekran, ajo që e bën Keanu Reeves unik është modestia dhe humanizmi i tij. I njohur për jetën e thjeshtë, për gjestet e tij të mirësjellshme ndaj stafit të filmit, fansave dhe njerëzve të zakonshëm, Reeves ka fituar respektin universal jo vetëm për punën e tij, por edhe për karakterin e tij.

    Ka raste të shumta kur ai ka ndarë pjesë të mëdha të fitimeve me ekipin teknik të filmave, ka udhëtuar me metro si çdo qytetar tjetër, apo ka ndihmuar të panjohur në rrugë, gjeste që janë bërë virale dhe kanë forcuar lidhjen e tij me publikun.

    Përveç aktrimit, Keanu është edhe muzikant, ka qenë basist në grupin Dogstar, i cili kohët e fundit është ribashkuar dhe ka nisur një turne. Ai është gjithashtu një lexues i pasionuar dhe një shpirt filozofik që ka reflektuar shpesh për jetën, humbjen dhe ekzistencën, veçori që e dallojnë nga shumë prej kolegëve të tij në industrinë e filmit.

    Në një epokë ku fama shpesh shoqërohet me arrogancë dhe distancim nga realiteti, Keanu Reeves mbetet një përjashtim i bukur, një yll që nuk ka harruar të jetë njeri./KultPlus.com

  • Dhimitër Anagnosti: “Filmi, ky Art Kohor”

    Dhimitër Anagnosti: “Filmi, ky Art Kohor”

    Botuar në revistën “Kult”, tetor 2006

    “Filmi është një art kohor. Nuk ngjan me një pikturë, por është si një muzikë simfonike. Jashtë kohës industriale, filmi është një kohë tjetër, pa rregulla të përcaktuara”. Janë mendimet e para që shkëmbejmë me kineastin Dhimitër Anagnosti. I “rehatuar” në poltronin e shtëpisë së tij, ka pranuar të flasë për revistën “Kult” (duke e cilësuar paraprakisht se nuk do të jetë një intervistë), duke shembur mitin e regjisorit hermetik me median. Në këtë shkrim vijnë për herë të parë disa nga mendimet e tij  për procesin filmik, filmat e prodhuar, raportin mes fjalës dhe imazhit,  teoria e fillesës në një realizim filmik, punën nën presionin e diktaturës, uljet dhe ngritjet e kohës.

    Nga Milena Selimi

    Ka kërkuar para së gjithash të tregojë histori rreth njeriut, karakterit njerëzor, individit universal,  duke e çuar rrëfimin filmik drejt “energjisë së tij vitale”. Ka dashur të tregojë njeriun, në të cilin bashkëjeton gëzimi dhe hidhërimi, dashuria dhe urrejtja, zilia dhe intriga, njeriun me skllavëritë e momentit (nëpërmjet gjetjes- metaforë në sistemin komunist) dhe, sot, pavarësisht sistemit është përpjekur të gjejë tek ky njeri  aspiratat  e tij të mëdha për të ecur përpara, ikje-ardhjet dhe rrënjët në vendin e  origjinës. Çdo film, (në fakt rreth 19 si regjisor) në të vërtetë ka hapur porta të reja, duke na lejuar të hyjmë në kompleksin e universit të regjisorit, që në qendër të gjithçkaje vendos njeriun, karakterin njerëzor, me frikërat e tij, luftën dhe përpjekjen për të qenë i lirë dhe i lumtur. 

    Për këtë arsye, profesionalizmi i autorit, aftësia  e tij për të ndërtuar në detaje çdo pasazh të parabolës artistike krijuese, ngjyrat e forta të dekorit të kontrasteve,  e bëjnë unik këtë regjisor të mençur dhe të rreptë, kritik ndaj vetes dhe gjithçkaje që ndodh në sheshxhirim, të pakfjalshëm dhe të pakapshëm në kërkimet e tij filmike, e bëjnë të ekzistojë përgjatë një 40-vjeçari, një kinema me emrin Anagnosti. Një kërkim i vazhdueshëm rreth njeriut, brenda tij dhe jashtë tij, gjithmonë e më preciz në detajin. As më shumë dhe as më pak, por një lëvizje estetike e kronometruar perfekt rreth njeriut, karakteri. Anagnosti rrëfen se ka bërë ç’ka dashur, në filmat e tij, edhe atëhere, edhe sot.  Skalit një Kadri Roshi dhe e bën të pavdekshëm me “kujdestar surrat patate” në “Lulëkuqet mbi mure”, ndërsa rrënqeth tërë ekranin e madh kur projekton sytë e fëmijëve të jetimores teksa ndjekin poezinë “Anës lumenjve” në një interpretim monumental nga aktori i mirënjohur Timo Flloko. Të njëjtën gjë mund të bëjë edhe me Marigonë, që e stërmundon ndërsa përpiqet t’i shpëtojë baltës dhe llohës që se lë të ecë përpara nga barra e shpinës, apo me Vangjelin që “tërbohet” ndërsa është duke u tallur nga i gjithë fshati, apo me Marjana Kondin, që arrin ta largojë nga komedia (pa menduar kurrë se ai edhe mundet të gabojë) duke e sjellë në një film dramatik. Një sy kineasti i pagabueshëm që thuhet nga aktorët me të cilët ka punuar se “Ai nuk të lë kurrë të mbytesh”. Dhimitër Anagnosti është nga kineastët e vetëm që ka aftësinë të jetë brenda dhe jashtë botës së kinemasë, që si një asket e di se mund të influencojë me prezencën, ose mosprezencën e tij ditë pas dite . Duke kontrrolluar të gjitha aspektet e filmit, ai mbetet unik në fillesën dhe vazhdimësinë e realizmit të një filmi, duke punuar me teorinë  e përjashtimit dhe jo të justifikimit, me aftësinë për të kuruar të gjithë dialogët dhe montazhin, me dëshirën për  të refuzuar disa kushte që për të mbeten të pakapërcyeshme dhe parime të mëdha, pasi ai thotë se“Nuk nisem të pasqyroj ngjarjet, pasi filmi nuk është një pasqyrim fotografik, por pasqyroj njerëzit mbi përgjithësimet filozofike, karakteret dhe magjinë e tyre”..  Qejfmbetjet dhe pengjet..një temë “e vështirë” për tu shpjeguar…rasti më i fundit Festivali i Filmit të 12-të..për të cilin thotë se “Do të flas njëherë tjetër, ndoshta do të shkruaj, ose ndoshta do të them diçka. Tani, jo akoma”. Koka e fantazisë punon për projekte të reja, por  nuk tregon asgjë konkrete, duke lënë të vazhdojë misteri rreth tij, rreth emrit, rreth veprës, rreth hermetizmit së komunikimit me median..por e vërteta kokëfortë flet me gjuhën e filmit…ajo është vepra kohore që mbetet.

    Koha në një film

    “Ka dy lloj kohësh. Koha industriale dhe koha dramaturgjike.. Filmi është një art kohor. Filmi rritet në qartësinë e veprimit dhe koordinimit të të gjithë proceseve.  Nuk ngjan me një pikturë, por është si një simfoni, si një balet. Është një kohë tjetër, nuk ka rregulla të përcaktuara”.

    Si erdhi filmi i fundit

    “Thjesht dhe natyrshëm. Nuk më peshojnë vitet, aspak. Kurosava realizoi një film në moshën 80-vjeçare. Mendoj se shumë kolegë, me filmin tim të fundit, prisnin dështimin tim. Por nuk ndodhi kështu. Nuk më vjen keq për këtë, kolegët e mi janë ata që janë,  na bashkon vetëm arti.  Ndërsa kam raportet  e mia me publikun. Ballafaqohemi me publikun, që është i mrekullueshëm. Ai ma ka kthyer përherë me bujari të madhe”.

    Censura e dikaturës

    “Nuk mohoj asgjë.  E kam shkruar edhe në një artikull timin “Jam ndihmës i Partisë”, se arti kinematografik, në kohën e dikaturës ishte arti i propagandës komuniste. Por, jo të gjithë kemi patur të njëjtat vizione. Kam qenë i ndërgjegjshëm që ky sistem e ka një fund. Këtë e dija, edhe atë tjetrën, se do të përgjigjesha një ditë për filmat e mi. Ndoshta prandaj unë nuk kam krijuar personazhe komikë dhe qesharakë. Kam qenë i idesë që personazhi të mbrojë idetë e veta. Kujtoj filmin “Malet me blerim mbuluar”, i cili për mua mbetet dinjitoz. Nuk më kanë tërhequr ngjarjet. Përpjekja ime ka qenë krijimi i karaktereve. Historia e filmit është historia e artit të personazhit, është “arti i syve”, asaj që buron nga brenda. Kanë qenë karaktere realiste. Kam bashkëpunuar me njerëz të talentuar. Ndoshta kështu kanë mbijetuar filmat e mi”.

    Filmat e ndryshimit

    “Duel i heshtur” është filmi i parë panoramik. Aty ka ndodhur përmbysja  e parë. Kemi një ndryshueshmëri të madhe të personazhit pozitiv, i cili lufton deri në fund për të mirën…dhe sipas porosive të Partisë ai “duhej të mbytej në det”, por ai nuke bën këtë, kthehet fitimtar, duke e pmoshtur të keqen. Tek  filmi “Lulëkuqet mbi mure” ka rëndësi fabula. Ishtë një film i vështirë, që nga përzgjedhja e fëmijëve e deri tek karakteret e aktorëve. Kërkova identitetin nëpërmjet fëmijëve. Unë mendoj se nuk mund të perceptohet një jetë pa fëmijët, andaj nuk mund të shoh një film pa praninë e fëmijëve. Në këtë krijim artistik është fabula ajo që krijon metaforën. Flitej për dhunim të personalitetit të njeriut në një sistem të caktuar, (flasim për vitet ’70), nën gjetjen artistike me emrin “brenda fashizmit”. Tek “Përrallë nga e kaluara”më kujtohet se Pëllumb Kulla më tha atëhere, po ku të vajti mendja, o Dhimitër! Kërkova të krijoja një realitet grotesk, karaktere dhe personazhe, edhe jashtë vetë Çajupit..intriga, hilera, manipulime. Filmi sjell një shoqëri pluraliste dhe është bërë nëpërmjet një situate njerëzore dhe parë si në një përrallë. Situata, në një kohë filmike nuk duhet tjetërsuar, kur emocionon atëhere mbetet dhe është e përjetshme”.

     Përvoja&eksperienca

    “Përvoja si operator, shkrimi si skenarist dhe regjia janë tri elementë që e detajojnë veprën kinematografike në një dorë të fortë. Më duhet dekori që kapërcen syri. Atëhere krijohet ansambli, stafi i punës. Kam punuar me profesionistë të shkëlqyer gjithmonë, por, sot në këtë kohë ne na pengon teknika  e vjetëruar, për të realizuar filma të mirë, pasi operatorë, montazhierë, kompozitorë I kemi shumë të mirë. Duhet kuptuar njëherë e mirë se Kinostudio mbaroi. Duhen gjetur mënyra të tjera, nga ana teknike për të  mbijetuar. Duhet të ndryshojë ligji, duhet punuar për rregullimin e tij. (Kujtojmë këtu se ia vetë ka qenë një nga ligjbërësit e ligjit “Mbi kinematografinë”)”.

    Raporti fjalë-imazh

    “Është një raport që mbetet shumë i rëndësishëm. Fjala hyn në veprim , atëhere kur plastika nuk ka mundësi të çojë deri në fund veprimin. Ndihmoj aktorët që të shkojnë aty ku duhet. I kam bashkëpunëtorët e mi dhe në një sheshxhirimi duhet dirigjuar drejt që të kuptohet se kush është diletanti dhe kush profesionisti. Punoj me teorinë e përjashtimit, jo të justifikimit. Arti është përzgjedhje. Asgjë të re s’ka më në këtë botë. Nuk nisem të pasqyroj ngjarjet, pasi filmi nuk është një pasqyrim fotografik, por njerëzit mbi përgjithësimet filozofike, karakteret dhe sjell magjinë e tyre. Arti është krijuar për të dhënë emocione. Nuk është detyrë e artit të rrëfejë ngjarje, ato i takojnë historisë për t’i analizuar. Duhet shumë dashuri për të realizuar një film.

    Imazhi i Shqipërisë

    “Jemi  një shtet i ri dhe një komb i vjetër. Ka një kontradiktë këtu, por ne e kemi treguar se kemi mbijetuar në shekuj dhe unë mendoj se, ajo që kam treguar në filmat e mi ,është vetëm një pjesë e asaj ç’ka janë shqiptarët në të  vërtetë. Nuk është ky imazhi, imazh është tregimi i një historie dhe një ngjarjeje të vërtetë. Por ne  jemi një komb i lashtë në kërkim të identitetit, në këtë kryqëzim mes Lindjes dhe Perëndimit,  një popull me figura të rëndësishme kombëtare që kanë sjellë ndryshime si  Fan Noli, Ahmet Zogu, Hasan Prishtina. Por kjo është një temë  e gjerë që mund të flasim njëherë tjetër”.

    Largohem nga kineasti Dhimitër Anagnosti, duke marrë me vete një kuptim “ndryshe”për filmin..një proces i gjatë në celuloid që krijon më shumë karaktere dhe më pak pasqyrim i ngjarjes reale. Sipas kineastit, kjo temë  le t’i mbetet historisë. Më vijnë ndërmend disa fjalë të të famshmit Kubrik kur thotë se “Një film është, ose duhet të ngjajë më shumë me muzikën, sesa me një fiction. Duhet të jetë një progresion i gjendjes shpirtërore dhe emocionit. Fabula është ajo që vjen pas emocionit..gjithçka vjen pas…”….pas më ndjekin sytë e kineastit që përpiqen të thonë se do të donte t’a “kontrrollonte” këtë shkrim..si në një sheshxhirim…si i tërë procesi filmik…por kultura, apo besimi tek gazetarja… e pengojnë të shprehet..iki duke lënë pas një botë të trazuar filmike dhe sy që vëzhgojnë për karakterin e rradhës.

    Lazio: Anagnosti, personaliteti shqiptar i kulturës

    Nga 21 shtatori -10 tetor 2006 u zhvillua në Lazio, Itali, edicioni i parë i Festivalit “Lazio, mes Europës dhe Mesdheut”, një rast për t’u njohur me horizontet kulturore mes të cilëve lëvizin piktorë, skulptorë, fotografë mesdhetarë, mes vazhdimësisë dhe traditës dhe aspiratës drejt së ardhmes. Giuseppe Talamo, presidenti i Institutit të Historisë  del Risorgimento, i dorëzoi çmimin për gjininë audiovizive regjisorit shqiptar, Dhimitër Anagnosti,  me motivacionin për “një prodhim kinematografik të gjerë dhe të larmishëm dhe kontributin në kinemanë shqiptare, esenciale për shpëndarjen e kulturës së vendit në tij në botë, kundër çdo lloj regjimi dhe çdo diktature”./KultPlus.com

  • Filmi “Obraz” fiton çmimin “Best Production Award” në Montenegro Film Festival

    Filmi “Obraz” fiton çmimin “Best Production Award” në Montenegro Film Festival

    Filmi “Obraz”, i bazuar në një histori të vërtetë nga Lufta e Dytë Botërore, është nderuar me çmimin “Best Production Award” në Montenegro Film Festival, një nga ngjarjet më të rëndësishme të kinemasë në Mal të Zi.

    Në qendër të filmit qëndron figura e Nur Dokës, një shqiptar që strehon një djalë të vogël dhe përballet me një dilemë morale: ta dorëzojë tek armiku për të shpëtuar familjen, apo ta mbrojë duke rrezikuar gjithçka.

    Rolin kryesor e luan Edon Rizvanolli, i cili mori pjesë personalisht në festival për të përfaqësuar filmin. Ai u shpreh i emocionuar pas marrjes së çmimit:

    “Faleminderit publikut malazez që e bëri premierën kaq të paharrueshme, dhe faleminderit festivalit për mikpritjen. Fitimi i çmimit ishte si qershia mbi tortë.”

    Ky sukses e vendos filmin “Obraz” ndër projektet kinematografike shqiptare që po marrin vëmendje ndërkombëtare, duke sjellë në ekran histori që lidhen me sakrificën, nderin dhe sfidat njerëzore në kohë lufte./KultPlus.com

  • Filmi “Obraz” shpërblehet në Mal të Zi

    Filmi “Obraz” shpërblehet në Mal të Zi

    Filmi “Obraz”, i bazuar në një histori të vërtetë nga Lufta e Dytë Botërore, është nderuar me çmimin “Best Production Award” në një festival filmi në Mal të Zi.

    Në qendër të filmit qëndron figura e Nur Dokës, një shqiptar i cili strehon një djalë të vogël dhe përballet me një dilemë morale: ta dorëzojë tek armiku për të shpëtuar familjen, apo ta mbrojë duke rrezikuar gjithçka.

    Rolin kryesor e luan Edon Rizvanolli, i cili njëherësh është edhe i pranishëm për ta përfaqësuar filmin në festival. Ai u shpreh i emocionuar pas marrjes së çmimit:“Faleminderit publikut malazez që e bëri premierën kaq të paharrueshme, dhe faleminderit festivalit për mikpritjen. Fitimi i çmimit ishte si qershia mbi tortë”.

    Ky sukses e radhit filmin “Obraz” ndër projektet kinematografike shqiptare që po marrin vëmendje ndërkombëtare, duke sjellë në ekran histori që lidhen me sakrificën, nderin dhe sfidat njerëzore në kohë lufte./KultPlus.com

  • George Clooney si Jay Kelly: Është koha që kinemaja dhe televizioni të ndalin adhurimin ndaj të pasurve

    George Clooney si Jay Kelly: Është koha që kinemaja dhe televizioni të ndalin adhurimin ndaj të pasurve

    Filmi i ri komedi-dramë me George Clooney në rolin e një superylli të Hollivudit që udhëton nëpër Europë është vetëm një tjetër homazh i lëmuar për një përqindëshin më të pasur, dhe, për të qenë të sinqertë, kjo po bëhet e mërzitshme.

    Të jesh tmerrësisht i pashëm, tmerrësisht i pasur dhe një yll i Hollivudit duhet të jetë një barrë e rëndë për t’u mbajtur. Të paktën, ky është mesazhi i filmit të ri Jay Kelly, një komedi dramatike nga regjisori Noah Baumbach (i njohur për The Squid and the Whale, Frances Ha dhe Marriage Story). Personazhi kryesor, Jay Kelly, luajtur nga vetë George Clooney, pra nuk është ndonjë shtrëngesë aktoriale, duket se ka një jetë të përkryer: një karrierë të lavdërueshme, një staf besnik dhe një mori çmimesh në sirtar. Por… ai po kalon një krizë ekzistenciale.

    Jay është i shqetësuar se rolet që ka pranuar nuk kanë më peshë artistike dhe se nuk ka kaluar mjaft kohë me vajzat e tij, njëra prej të cilave është duke bërë “backpacking” nëpër Europë me shoqet. Por, siç pritet, nuk ka vend për panik. Jay e lë menjëherë projektin e ri filmik, por thjesht thërret një flotë Range Rover-ash për ta çuar te avioni privat që e dërgon në Paris. Prej andej, kap të njëjtin tren me të bijën dhe udhëton drejt Toskanës, ku do të marrë një çmim për arritje jetësore në një festival arti. E gjithë logjistika, siç pritet, menaxhohet nga ekipi i tij, me menaxherin (i luajtur nga Adam Sandler) që është aq i lodhur e i përkushtuar, sa mund të nominohet për një Oscar si aktor dytësor.

    Edhe kur treni është plot, njerëzit e zakonshëm që takon gjatë udhëtimit e përshëndesin me admirim. Edhe pse nuk ka qenë babai më i përkryer, vajzat e duan ende. Çdo konflikt me babanë e tij egoist (Stacy Keach) apo me një mik të vjetër xheloz nga shkolla e aktrimit (Billy Crudup) zgjidhet magjikisht nga stafi. Edhe problemet e të pasurve duken… të paprobleme.

    Dhe pikërisht këtu qëndron problemi kryesor i Jay Kelly, i cili u shfaq premierë në Festivalin e Filmit në Venecia dhe pritet të dalë në Netflix në dhjetor: kur një protagonist mund të realizojë çdo dëshirë me një të qeshur simpatike apo një telefonatë të shpejtë, çdo tension, konflikt apo ndjenjë e vërtetë zhduket.

    Shikuesit mund të qeshin me disa batuta të mprehta dhe të kënaqen nga pamjet mahnitëse të Toskanës, por është e vështirë të ndjesh ndonjë lidhje emocionale me “krizat” e Jay-t. Sepse, në fund të fundit, çfarë është realisht në rrezik? Çfarë është më e keqja që mund t’i ndodhë?

    Filmi, i bashkëshkruar nga Noah Baumbach dhe Emily Mortimer, i bashkohet një vale të gjatë filmash dhe serialesh amerikanë të viteve të fundit që janë fiksuar pas jetës së një përqindëshit, të pasurve e të famshmëve, një trend që u përforcua edhe më shumë nga suksesi i The White Lotus. Por ndryshe nga seriale si Succession apo The Perfect Couple, ku intriga, tradhtitë dhe ndonjë vrasje e bëjnë spektatorin të ndjejë se po sheh më shumë sesa thjesht kuzhina luksoze me pamje nga oqeani, Jay Kelly nuk ofron asgjë të tillë. Ky është një film që e trajton krizën e një burri super të suksesshëm si një dramë ekzistenciale të thellë, dhe pret që publiku ta marrë seriozisht.

    Filmi hapet me një citat nga Sylvia Plath, një zgjedhje disi e ekzagjeruar për të nisur një histori për një aktor që po pyet veten nëse ka zgjedhur rolet e duhura në jetë. Ndërkohë, për pjesën tjetër të filmit, Jay trajtohet si një “gjysmëperëndi” e lodhur nga suksesi: ka skena nostalgjike nga e kaluara e tij, fjalime për madhështinë e karrierës së tij dhe muzikë melankolike me piano që e bën gjithçka të duket më dramatike nga ç’është në të vërtetë.

    Po, ka edhe disa momente vetë-reflektimi dhe ndonjë kritikë të lehtë për jetën e privilegjuar, por në thelb, filmi e adhuron protagonistin e vet. Dhe kjo është zhgënjyese, sidomos kur kujton se Baumbach dikur ishte mjeshtër në satirën ndaj borgjezisë urbane. Tek The Squid and the Whale dhe Marriage Story, ai trajtoi me ironi të hollë personazhe të paaftë, të pasigurt dhe shpesh të padurueshëm. Këtu, ai duket se ka rënë në grackën e vetëpersonifikimit dhe glorifikimit.

    Ndoshta kjo qasje e re ka lidhje me jetën e tij aktuale. Pas bashkë-shkrimit të filmit Barbie me partneren e tij Greta Gerwig, një sukses gjigant global, ndoshta Baumbach ndjen tashmë një afri më të madhe me jetën luksoze të Hollivudit. Por edhe nëse është kështu, nuk do të ishte keq të ruante pak nga ironia dhe vetëdija që e karakterizonte dikur.

    Në fund, Jay Kelly nuk është domosdoshmërisht një film i keq. Është i kuruar, i bukur vizualisht dhe ka interpretime të mira (Adam Sandler bie në sy). Por ai është simbol i një tendence gjithnjë e më të lodhshme në kinemanë amerikane: filmat që nuk mund të ndahen nga botëkuptimi i super të pasurve – dhe që nuk arrijnë të thonë asgjë me vërtetësi për ta.

    Filmi do të jetë në kinematë e SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar nga 14 nëntori dhe do të transmetohet në Netflix ndërkombëtarisht nga 15 dhjetori. Pritet që të gjejë një audiencë, falë emrit të Clooney-t dhe emrave të tjerë të njohur, por shumëkush mund të largohet nga ekrani me ndjesinë se ka parë më shumë një fushatë lavdërimi sesa një histori të vërtetë njerëzore./BBC/KultPlus.com

  • Filmi “Burri i shtëpisë” në mbyllje të “PriFest” në Prishtinë

    Filmi “Burri i shtëpisë” në mbyllje të “PriFest” në Prishtinë

    Filmi “Burri i shtëpisë”, që pasqyron konfliktet e thella njerëzore dhe shoqërore shqiptare do të përmbyllë edicionin e 17-të të “PriFest” si premierë rajonale. Filmi është me regji, skenar dhe producent Andamion Murataj dhe në materialin e “Prishtina International Film Festival” thuhet se me një kastë të fuqishme të aktorëve Drita Kaba Karaga, Alesia Ruçi, Bislim Muçaj, Astrit Alihajdaraj dhe Armond Morina shpalos një dramë të heshtur, por të fuqishme, që i fton shikuesit të ndalojnë, të mendojnë dhe të ndjejnë.
    Fran, një grua që ka zgjedhur të jetojë një jetë beqare si burrë, duke ndjekur traditën e burrneshave. Për t’u bërë nënë për mbesën e saj jetime, Fran duhet të marrë një vendim të vështirë mes ruajtjes së statusit të saj si “burrë” ose heqjes dorë prej tij për t’u rilidhur me ndjenjat amësore, që kishte shtypur prej kohësh. Kur vjen momenti për të ecur përpara, zgjedhja e vetë mbesës e detyron Franin të përballet me frikërat më të thella: të mbajë fëmijën pranë ose t’i japë krahë vajzës së re.
    Filmi “Man of the House” përmbyll “PriFest-in” më 14 shtator me një rrëfim të thellë emocional dhe shoqëror dhe është një koproduksion i gjashtë shteteve- Shqipërisë, Kosovës, Italisë, Austrisë, Kroacisë dhe Maqedonisë së Veriut. Producent i Kosovës është Ismet Sijarina. “Prishtina International Film Festival” mbahet këtë vit nga data 9-14 shtator në Kino Armata në Prishtinë në Kosovë. Filmi artistik me metrazh të gjatë, “Burri i Shtëpisë” (Man of the House) me regji të Andamion Murataj dhe me produksion të shtëpisë kinematografike “Lissus Media” pati premierën botërore në programin e konkurrimit të Festivalit të Filmit në Sarajevë 2025.
     

  • Dinjiteti? Ah, i shkreti, trajtohet shpesh si pare xhepi!

    Dinjiteti? Ah, i shkreti, trajtohet shpesh si pare xhepi!

    Zija Çela

    Nga Zija Çela

    Çdo ditë njeriut i shtohet një plagë morale që ose ia bën vetes, ose ia bëjnë të tjerët. Megjithatë, ai ec dhe ec… Derisa vjen dita që një plagë e tillë mund ta vrasë, dhe kjo ndodh kur shkelmon dinjitetin.Dinjiteti?… Ah, i shkreti!

    Dinjiteti i personit është guri më i çmuar i njeriut, xhevahiri që për ta shitur gjen treg përherë, lehtësisht përherë, ndërsa për ta blerë kurrë dhe asnjëherë, veçse po të ketë qenë gur i rremë.Kur nuk e ke, dinjitetin s’ka pushtet që ta jep, por kur e ke, s’ta heq dot as edhe një mbret.

    Dinjiteti?… Ah, i shkreti, trajtohet shpesh si pare xhepi.

    ObserverKult

    Lexo edhe:

    FILMI I FUNDIT I GJERGJ XHUVANIT DO TË SHFAQET NË PEJË

    Në Kinemanë “Jusuf Gërvalla” në Pejë me datë 8, 9 dhe 10 shkurt duke filluar nga ora 19:00 do të shfaqet filmi “My Lake” (“Liqeni im”) me regji të Gjergj Xhuvanit.

    Pasi kishte mbaruar xhirimet e filmit “Liqeni im” në Shqipëri, Gjergj Xhuvani edhe pse vuante nga sëmundja e diabetit, në vapë gushti s’e ndali punën. Regjisori i njohur u nda nga jeta në sheshxhirim në moshen 56-vjeçare, në vitin 2019, nga një sulm në zemër! U nda nga jeta pikërisht në sheshxhirimin e filmit “Liqeni im” që po bënte në shtetin italian.

    Filmi ‘Liqeni im’, megjithëse është një rrëfim kinematografik në vetvete, është një histori e zakonshme, e natyrshme për realitetin e tij të jashtëzakonshëm, e panatyrshme për shoqërinë shqiptare.

    Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

    ObserverKult