Nga Julia Vrapi
“Ngadhnjim mbi vdekjen” i vitit 1967 një nga filmat më ikonikë të kinematografisë shqiptare u shfaq i restauruar. Pas 58 vitesh, filmi i restauruar “Ngadhnjim mbi vdekjen” foli me gjuhën e teknologjisë së re. Me regji nga Gëzim Erebara dhe Piro Milkani bazuar në ngjarje reale, “Ngadhnjim mbi vdekjen” mbrëmjen e së martës u shfaq në kinema. Mes kujtimesh dhe emocionesh u përjetua shfaqja e premierës së filmit të restauruar, ku të pranishëm në sallë ishin edhe regjisori Piro Milkani, piktori Ksenofon Dilo, artistët e ekipit të filmit e më gjerë. Regjisori i mirënjohur Piro Milkani ndër të tjera tha se filmi “Ngadhnjim mbi vdekjen” ka shënuar edhe një ngjarje të rëndësishme të jetës së tij.
“Pas 58 vitesh asistoj me emocion të veçantë në këtë film, që për mua ka shënuar një ngjarje të rëndësishme të jetës sime, sepse ai film mua dhe gjithë kolegëve të mi na nderoi. Nuk mund të përmend gjithë emrat, por shpreh mirënjohje për Peçi Dado, Gëzim Erebara, Saim Kokona, Feim Ibrahimi, Eglantina Kume, Edi Luarasi, Naim Frashëri, etj. Falenderojmë Arkivin e Filmit dhe shpresojmë të digjitalizojë edhe filma të tjerë, sepse këto filma janë pjesë e historisë së kulturës e artit shqiptar”, tha Milkani. “Ngadhnjim mbi vdekjen” prodhim i vitit 1967, gjithashtu është një prej filmave shqiptarë, të cilëve iu ndalua qarkullimi për gati dy dekada gjatë periudhës së diktaturës komuniste, për shkak se në film interpreton aktorja Edi Luarasi, e dënuar pas Festivalit të 11-të të Këngës në Radio Televizion.
E pranishme në këtë premierë të filmit restauruar, aktorja Eglantina Kume që interpretoi rolin e Mirës në “Ngadhënjim mbi vdekjen” tha se të gjithë protagonistët e kanë vuajtur heqjen nga qarkullimi ato vite. “Ju kthye dinjiteti filmit përveçse u restaurua, edhe që ka qenë i dënuar për shumë vite dhe u zhduk nga qarkullimi, dhe ne kemi këtë e kemi vuajtur shumë, të gjithë protagonistët e filmit”, tha aktorja. I restauruar nga Augustus Color, si një projekt i Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit ky version i restauruar në 4K rikthen shkëlqimin e plotë të imazhit dhe zërit, duke rivlerësuar punën regjisoriale të Erebarës dhe Milkanit, skenarin origjinal të Peçi Dados, kamerën e mrekullueshme të Saim Kokonës, lojën e aktorëve dhe muzikën drithëruese të Feim Ibrahimit.
Ruajtja e trashëgimisë së filmave
“Ngadhnjim mbi vdekjen” me regji nga Gëzim Erebara dhe Piro Milkani është bazuar në ngjarje reale, ku dy protagonistet në film janë aktorja Edi Luarasi me rolin e Afërditës dhe aktorja Eglantina Kume me rolin e Mirës. Mes të pranishme në premierën e filmit të restauruar ishte dhe producenti Skënder Jaçe që thotë se filmat shqiptarë duhen konsideruar pasuri kombëtare. “Është tepër e rëndësishme dhe imediate të ruhen, duke u restauruar filmat shqiptarë, duke i konsideruar një pasuri dhe histori kombëtare, e cila do u shërbejë brezave, ashtu si çdo vend i botës së qytetëruar”, thotë Jaçe.
Me të njëjtin mendim për restaurimin e filmave shqiptarë prodhime para viteve 1990 në vendin tonë është edhe studiues i artit Agim Janina. “Ruajtja dhe mirëmbajtja e trashëgimisë së filmave, dokumentarëve, kronikave etj është domosdoshmëri se lidhet me identitetin e kulturës sonë, tregojnë si ishim dhe si krijonim”, shprehet Janina. Studiuesi Janina sjell gjithashtu në vëmendje edhe se si u prit filmi kur u shfaq në kinema në vitin 1967. “Filmi është pëlqyer për realizimin, skenarin dhe interpretimin e aktorëve, ku u dalluan Naim Frashëri në rolin e komandantit gjerman dhe Edi Luarasi për rolin e një prej heroinave, një interpretim dinjitoz nga ana e saj”, thotë Janina.
Publiku njihet me vlerat e kinematografisë
Shfaqja e filmit të restauruar “Ngadhënjim mbi vdekjen” u përcoll mes emocioneve mbrëmjen e së martës. I pranishëm në sallën e kinemasë ishte dhe kompozitori Miron Kotani, i cili ndër të tjera sjell në vëmendje punën e bërë nga regjisorët, muzikën e kompozitorit Feim Ibrahimi apo dhe lojën e aktorëve. Kotani thotë se digjitalizimi i filmave është shumë i rëndësishëm. “Do ta cilësoja si një premierë të dytë për filmin, duke i bërë një shërbim të madh publikut dhe artdashësve përsa i takon cilësisë maksimale nga ana teknike, por dhe duke ndikuar ndjeshëm në zgjatjen e jetëgjatësisë së filmit. Filmi në sallë na fali shumë emocion jo vetëm sa i takon lojës brilante të aktorëve, ku mjeshtrat regjisorë të filmit Erebara-Milkani kanë ditur të vënë me detajet më të imta çdo gjë në vendin e vet, por ky film do të shquhet e mbahet mend gjatë për muzikën e gjetur plot talent të spikatur të mjeshtrit Feim Ibrahimi.
Kur po e ndiqja me vëmendje këtë muzikë kuptova se kjo ka qenë për dekada me radhë sigla mbyllëse e sinjalit të RTSH deri në vitin 1993, kur për çdo natë RTSH fillonte transmetimet në orën 18.00 dhe i mbyllte në 22.30 pikërisht me tingujt simfonik të mjeshtrit Feim Ibrahimi. Gjithashtu mësova për këngën – temën kryesore të filmit, që përveç shqiptarëve për vite të tëra u këndua e u pëlqye dhe nga publiku kinez, duke u bërë një nga këngët patriotike më të dashura”, thotë Kotani. Me restaurimin e filmit “Ngadhënjim mbi vdekjen”, Kotani thotë se jo vetëm publiku jonë, por edhe ai i huaj ka mundësi të njihet me vlerat e kinematografisë shqiptare.
“Ngadhnjim mbi vdekjen”
Lufta e Dytë Botërore. Shqipëria është nën pushtimin nazist. Gjermanët arrijnë të kapin dy vajza të reja dhe i torturojnë ato për të zbuluar lidhjet me lëvizjen komuniste. Në fund ata i ekzekutojnë duke i varur në litar në mes të qytetit për të trembur dhe terrorizuar popullin. Filmi është i bazuar në ngjarjen reale të dy heroinave Bule Naipi dhe Persefoni Kokëdhima. Prodhim i ish Kinostudios “Shqipëria e re” në 1967, skenari i filmit është nga Peçi Dado, Gëzim Erebara, Piro Milkani. Në filmin e regjisorëve Gëzim Erebara dhe Piro Milkani në role janë: Eglantina Kume (Mira Korani), Edi Luarasi (Afërdita), Naim Frashëri (Hans von Shtolc), Rikard Ljarja (Perlat Pëllumbi), Sheri Mita (Villi Heller), Timo Flloko (Fatosi), Demir Hyskja (Zihni Shaqiri), Andon Qesari (Skënderi), Antoneta Fishta (nëna e Mirës), Drita Haxhiraj (Violeta), Pandi Raidhi (xha Telo). Operator Saim Kokona, kompozitor Feim Ibrahimi, piktor Ksenofon Dilo, operator zëri Xhevat Behri. Drejtor filmi Todi Bozo.