Tag: festivalit

  • Homazhet për Gaqo Çakon… mbrëmja e festivalit “MIK” iu kushtua artistit të madh

    Homazhet për Gaqo Çakon… mbrëmja e festivalit “MIK” iu kushtua artistit të madh

    Një nga mbrëmjet më të veçanta të këtij edicioni të MIK Festival ju kushtua lirikut të vokalit shqiptar Gaqo Çako.

    Si një homazh në 90 vjetorin e lindjes në Korçë më 1935, nën praninë e artistëve të njohur dhe kujdesin e organizatores së festivalit, artistes Inva Mula mbrëmja riktheu në skenë tingujt dhe emocionet që Gaqo Çako u ka dhuruar brezave.
    Mes emocionesh dhe kujtimesh Inva Mula artistja me famë ndërkombëtare ndau disa nga kujtimet e saj me Gaqo Çakon
    Për ata që kanë bashkëpunuar me artistin e madh në skenë, që kanë qenë studentë të tij por edhe për artistët e rinj që nuk e kanë njohur nga afër por vetëm përmes repertorit Gaqo Çako është një prej figurave më të ndritura të skenës shqiptare dhe një thesar i Korçës
    Në teatrin Andon Zako Çajupi të mbushur plot me artdashës emocionet dhe përjetimet e kësaj nate ishin të forta. Artistët me interpretimin e tyre dhe publiku me duartrokitjet e shumta u unifikuan në një falenderim të ndjerë për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në artin shqiptar dhe një kujtesë se muzika e tij do të jetojë përherë.

    Top Channel

  • Festivali EXIT: Simboli i Novi Sadit drejt largimit nga Serbia?

    Festivali EXIT: Simboli i Novi Sadit drejt largimit nga Serbia?

    Foto ilustruese

    BEOGRAD- Në kalanë e Petrovaradinit, një nga simbolet e Novi Sadit, po zhvillohen përgatitjet e fundit para hapjes së festivalit muzikor EXIT, që për 25 vjet me radhë ka mbledhur qindra mijëra vizitorë nga mbarë bota. Megjithatë, akrepat e sahatit të njohur në kala – një simbol i vetë festivalit – mund të jenë duke u rrotulluar për herë të fundit për EXIT-in në Serbi. Organizatorët pretendojnë se po përballen me presion nga autoritetet për shkak të mbështetjes së tyre ndaj protestave, në të cilat demonstrues nga mbarë vendi, që tetë muaj, po kërkojnë përgjegjësi për vdekjen e 16 personave në një incident në Novi Sad – qyteti nga i cili e ka origjinën vetë festivali.
    Që nga 1 nëntori, kur ndodhi incidenti në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, festivali EXIT, sipas organizatorëve, është rreshtuar në krah të studentëve që udhëheqin protestat. Edhe vetë festivali lindi 25 vjet më parë nga një lëvizje studentore, që kontribuoi në rrëzimin e regjimit autoritar të presidentit të atëhershëm, Sllobodan Millosheviç, në vitin 2000. Ndërkohë, festivali është shndërruar në një simbol të njohur të Serbisë dhe, me rreth 200 mijë vizitorë çdo vit, është futur në hartën e festivaleve më të rëndësishme muzikore në botë.
    Por, siç theksojnë organizatorët, ndihma financiare për EXIT-in nga buxheti shtetëror i Serbisë është ndërprerë në të gjitha nivelet e pushtetit – atë republikan, krahinor dhe lokal.
    “Përveç ndalimit të financimit nga të gjitha nivelet e pushtetit, disa sponsorë afatgjatë në pronësi shtetërore janë detyruar ta ndërpresin bashkëpunimin me festivalin”, thuhet në një përgjigje të ekipit të EXIT-it për Radion Evropa e Lirë (REL).
    “I fundit në një Serbi të tillë”
    Mjetet shtetërore të mohuara përbëjnë rreth 15 për qind të buxhetit të përgjithshëm të festivalit EXIT. Organizatorët thonë se as Qeveria e Serbisë, as ajo e krahinës autonome, këtë vit nuk do të marrin pjesë në asnjë mënyrë në realizimin e festivalit, ndërsa në nivelin e qytetit të Novi Sadit kanë vetëm një bashkëpunim teknik me shërbimet komunale. Megjithatë, ata theksojnë se “nuk pranojnë të heshtin”, edhe pse e pranojnë se, në plan afatgjatë, nuk është e mundur të mbahet një festival i përmasave dhe reputacionit të tillë pa bashkëfinancim publik.
    Qeveria e Serbisë, Qeveria Krahinore dhe qyteti i Novi Sadit nuk iu përgjigjën pyetjeve të REL-it për mungesën e financimit dhe për akuzat për presion ndaj festivalit, deri në momentin e publikimit të tekstit.
    “Mbështetja jonë për studentët sot nuk është çështje zgjedhjeje, por çështje identiteti”, thuhet në një deklaratë të ekipit të EXIT-it.
    “Edhe pse me këtë mbështetje kemi vënë në rrezik 25 vite ekzistencë, besojmë se liria nuk ka çmim”, përfundojnë ata.
    Festivali i sivjetmë, jubilar, i 25-ti me radhë në kalanë e Petrovaradinit, është planifikuar të mbahet nga 10 deri më 13 korrik.
    Organizatorët e kanë përshkruar atë si “të fundit në një Serbi të tillë”.
    “Bashkë me studentët do të shënojmë 25 vjet bashkëjetesë. Nëse ky është vërtet EXIT-i i fundit në kala, atëherë le të jetë i paharrueshëm. Le të jetë më i fuqishmi deri tani”, kanë transmetuar ata mesazhin për publikun.
    Mbështetje nga studentët dhe yjet botërore
    Pas njoftimit të parë nga EXIT-i për mundësinë e largimit nga Serbia, studentët që po mbajnë të bllokuar disa fakultete në vend i kanë dërguar një mesazh: “Jemi të lindur nga e njëjta betejë” dhe “qëndrojmë së bashku në luftën për liri”. Studentët nisën bllokadat protestuese në fund të nëntorit të 2024-tës dhe, ndërkohë, janë shndërruar në një lëvizje që ka udhëhequr protestat masive kundër qeverisë gjatë tetë muajve të fundit. Përmes një postimi në rrjetin social Instagram, ata shprehën solidaritet me të gjithë ata që, siç thanë, janë ndëshkuar për mbështetjen ndaj protestave.
    “Paratë nga buxheti i shtetit i përkasin të gjithë qytetarëve, e jo partive politike në pushtet. Ato duhet të shërbejnë për të mirën e shoqërisë, e jo për të ndëshkuar organizatat ‘e padëshiruara’”, thuhet në deklaratën e studentëve në bllokadë.
    Ata theksuan se nuk e pranojnë idenë se “arti mund të ekzistojë vetëm nëse është i bindur, sepse çdo sulm ndaj arsimit dhe kulturës është sulm ndaj lirisë”. EXIT-it i është ofruar mbështetje nga shumë organizata, yje të muzikës nga rajoni dhe bota, figura publike, si edhe nga audienca ndërkombëtare që e ka ndjekur festivalin ndër vite.
    Përveç mbështetjes, edhe zëra kritikë
    Krahas valës së mbështetjes, një pjesë e opinionit në Serbi ka adresuar edhe kritika ndaj organizatorëve të EXIT-it.
    “Me kalimin e kohës, EXIT u shndërrua në një manifestim shumë fitimprurës dhe komercial. Nuk kam parë ndonjë qëndrim të qartë nga ana e tyre, mendoj se që nga vitet 2000 kjo është hera e parë që reagojnë në këtë mënyrë”, vlerëson për REL-in kritiku muzikor, Petar Janjatoviç.
    “Më vjen keq që festivali nuk ka reaguar politikisht më herët, duke vepruar sikur jetojmë në një vend krejtësisht normal, por nga ana tjetër më vjen mirë që tani kanë shprehur një qëndrim”, shton ai.
    Disa kanë kritikuar organizatorët për qëndrimin e tyre deri tani të paqartë dhe jo kritik ndaj pushtetit në Serbi, të drejtuar që nga viti 2012 nga Partia Përparimtare Serbe e Aleksandër Vuçiçit. Përkrahja për protestat studentore është vlerësuar nga disa si “e vakët” dhe “e pamjaftueshme”. Nga EXIT-i, megjithatë, përgjigjen se këto kritika vijnë nga ata që “nuk janë të njohur me aktivitetet e festivalit” ose që janë “me qëllim të keq”. Ata theksojnë se EXIT-i ka publikuar dhjetëra mesazhe mbështetjeje për studentët. Deklarata e parë, kujtojnë ata, u bë më 4 nëntor – vetëm pak ditë pas aksidentit në Novi Sad – ku kërkuan të zbulohet përgjegjësia e plotë për shembjen e çatisë në stacionin hekurudhor.
    “EXIT i ka mbështetur studentët që nga fillimi i bllokadave, përmes ndihmës logjistike dhe infrastrukturore,” thotë ekipi i festivalit për REL-in.
    Në ditët e fundit, përmes postimeve në rrjete sociale, ata kanë kërkuar lirimin e të gjithë studentëve të arrestuar pas protestës së madhe më 28 qershor në Beograd, dhe bllokadave të mëvonshme të rrugëve. Në përgjigjen për REL-in, organizatorët thonë, po ashtu, se kanë “angazhuar” disa yje ndërkombëtare të muzikës që të mbështesin studentët nga Serbia.
    “Më e rëndësishmja ndër ta është mbështetja nga ikona e aktivizmit shoqëror në industrinë e muzikës, themeluesi i Live Aid-it, Bob Geldof, i cili do ta hapë edhe edicionin e sivjetshëm të festivalit”, thuhet në përgjigje. Një mesazh për studentët serbë ka dërguar edhe këngëtarja Gala, hiti botëror i së cilës nga vitet ’90, “Freed from desire”, është kthyer në një nga himnet jozyrtare të protestave dhe bllokadave në Serbi.
    “Ju do ta shkruani historinë, sepse liria dhe dashuria janë ajo që kërkojmë,”- ka thënë ajo në një video të publikuar në llogarinë e EXIT-it në Instagram.
    Siç është paralajmëruar, kënga e saj do të këndohet gjatë ceremonisë së hapjes së festivalit, e cila i është kushtuar studentëve.
    Zërat e muzikëdashësve
    Natasha nga Novi Sadi kishte shkuar për herë të parë në EXIT në vitin 2009, kur ishte 18 vjeçe.
    “Për mua përfaqësonte një revoltë të të rinjve kundër sistemit, por tashmë nuk është më ashtu”, thekson ajo.
    Pas lajmeve për mundësinë që EXIT të largohet nga Serbia, fillimisht ishte e zhgënjyer.
    “Sepse, disi EXIT është simbol i Novi Sadit, dhe mendova të shkoj të paktën një ditë për t’u përshëndetur me të. Por, pastaj hulumtova pak më shumë, dhe arrita në përfundimin se e gjithë kjo mund të jetë false, ndoshta edhe një truk marketingu”, thotë ajo.
    Natasha kritikon qëndrimin e festivalit ndaj pushtetit: Thonë se po mbështesin studentët, por nuk ishin aty kur duhej. Tashmë nuk jam e sigurt nëse dua të shkoj fare këtë vit.
    Sandra, po ashtu nga Novi Sadi, dhe pjesëmarrëse në protestat studentore, mendon se EXIT, pavarësisht pretendimeve të organizatorëve, “nuk i ka mbështetur kurrë realisht studentët”.
    “Ato storiet në Instagram nuk do të thonë asgjë. Duhet të ndalojmë së trajtuari si viktima”, shton ajo. Këtë vit, ajo nuk e ka ndër mend të marrë pjesë në festival. Jelena, nga Novi Sadi, nga ana tjetër, thekson se do të ishte për të ardhur keq nëse festivali largohet nga Serbia.
    “Shpresoj që EXIT të mbetet, ndërsa të largohen ata që e kanë shtyrë drejt largimit”, thotë ajo, duke aluduar në pushtetin aktual në Serbi.
    Festivali, sipas saj, i sjell kujtime të bukura: Shoqërime deri në mëngjes me një ekip të mirë, këpucë të mbuluara me pluhur dhe këmbë të lodhura – por gjithmonë me buzëqeshje dhe energji pozitive.
    Për Ollgën, nga Novi Sadi, EXIT është shumë më tepër se një festival.
    “Është simbol i lirisë, bashkësisë dhe energjisë së veçantë që e ngjyros qytetin çdo vit”, thotë ajo.
    Ajo ka ndjekur festivalin rregullisht që nga viti 2013, dhe disa vite ka qenë edhe vullnetare. Për këtë arsye, i vjen keq që ekzistenca financiare e festivalit është vënë në pikëpyetje.
    “E kanë themeluar studentët dhe gjithmonë ka qenë një hapësirë mbështetjeje për të rinjtë. Mendoj se e drejta për qëndrim shoqëror nuk duhet të jetë arsye për të mohuar mbështetjen, sepse pikërisht ai shpirt lirie dhe iniciative e ka bërë EXIT-in të madh – dhe të rëndësishëm për gjithë qytetin tonë”, përfundon Olga.
    Sërxhani, nga Novi Sadi, kishte shkuar për herë të parë në festival në vitin 2007.
    “Për mua, EXIT është një dritare drejt një bote më të bukur dhe më të drejtë”, thotë ai.
    Ai përmend disa nga performancat më të dashura për të – që nga Manu Chao e deri te The Cure, Chemical Brothers dhe Fatboy Slim. Megjithatë, deklaratën e EXIT-it për ndërprerjen e mbështetjes shtetërore e konsideron “patetike”. Ai thekson se ka gjëra më të rëndësishme se fitimi, dhe se organizatorët nuk duhet të “ankohen” që u është hequr mbështetja.
    “Unë e kuptova njoftimin si një sinjal se ky është EXIT-i i fundit ‘në një Serbi të tillë’. Si të mos jenë të qartë as vetë organizatorët për mesazhin që duan të përcjellin – shpjegimi i tyre është i cunguar”, vlerëson ai.
    Ku mund të zhvendoset EXIT-i?
    Aktualisht nuk dihet se ku mund të zhvendoset festivali EXIT. Organizatorët theksojnë se, ndër vite, festivali ka organizuar mbi 50 ngjarje të ndryshme në plot 20 vende të botës.
    “Ftesa për ta zhvendosur festivalin në një shtet tjetër po vijnë nga disa vende të ndryshme”, shtojnë ata.
    Sepse, siç nënvizojnë, EXIT kontribuon në zhvillimin e turizmit, ekonomisë dhe kulturës. Sipas të dhënave të ekipit të EXIT-it, festivali i ka sjellë ekonomisë serbe rreth 300 milionë euro deri më tani. Ata shtojnë se nga ky festival kanë lindur dhjetëra ngjarje të tjera kulturore, dhe se EXIT ka ndikuar edhe në hapjen e shumë organizatave dhe kompanive brenda industrisë muzikore. Përkujtojnë gjithashtu rolin e EXIT-it në ndërtimin e pajtimit rajonal. Këtë rol e thekson edhe kritiku muzikor, Petar Janjatoviç.
    “Ka ndihmuar në rivendosjen e lidhjeve mes shteteve të dala pas shpërbërjes së Jugosllavisë”, thotë ai.
    Sipas tij, festivali ka qenë për shumë vite një “mikpritës i mirë” për artistët nga rajoni dhe nga vetë Serbia, të cilët, përmes EXIT-it, kanë pasur mundësi të prezantohen përpara një audience ndërkombëtare. Ai nënvizon edhe rolin e festivalit në ndërtimin e imazhit të Serbisë.
    “Pas viteve ’90 dhe epokës së Sllobodan Millosheviqit, kur Serbia kishte reputacion të dëmtuar dhe ishte në periferi të vëmendjes ndërkombëtare, papritmas u shfaq një festival që sillte emra të mëdhenj të muzikës, organizohej në mënyrë të jashtëzakonshme dhe mijëra të rinj nga e gjithë bota patën mundësi ta njihnin vendin tonë përmes tij”, thotë Janjatoviç.
    Në kalanë e Petrovaradinit, përgjatë dy dekadave e gjysmë, kanë performuar disa nga emrat më të mëdhenj të muzikës botërore – si Arctic Monkeys, The Cure, Nick Cave, Morrissey, Duran Duran. Në edicionin jubilar të sivjetshëm, të 25-tin me radhë, The Prodigy do të performojë për herë të gjashtë në këtë festival. Përveç tyre, disa nga emrat më të mëdhenj të këtij viti janë The Sex Pistols, në një formacion me Frank Carterin, si dhe DJ dhe producenti i njohur francez, DJ Snake.
    EXIT, deri më tani, ka fituar dy herë çmimin për Festivalin Evropian të Vitit./REL

  • Kur Salma Hayek i thotë “jo” dasmës së Bezos dhe “po” festivalit

    Kur Salma Hayek i thotë “jo” dasmës së Bezos dhe “po” festivalit

    Ndërsa shumë fytyra të njohura të showbiz-it udhëtuan drejt Venecias për dasmën madhështore të Jeff Bezos dhe Lauren Sanchez, Salma Hayek kishte plane të tjera. E ftuar, por mungesë e ndjerë në ceremoninë e shumëpërfolur, aktorja meksikano-amerikane zgjodhi të shijojë energjinë e Festivalit Glastonbury në Angli.
    Në vend të fustaneve glamuroze buzë kanaleve të Venecias, Hayek u shfaq në mes të turmës artistike të Somerset, në krah të emrave si Stella McCartney, Cara Delevingne, Anya Taylor-Joy dhe Chelsea Handler.
    Një zgjedhje ndryshe, por aspak e papërshtatshme për dikë që njihet për shpirtin e saj të lirë dhe refuzimin për të ndjekur gjithmonë protokollin e të famshmëve.
    Ndërkohë, bashkëshorti i saj, miliarderi francez Francois-Henri Pinault, ishte pjesë e festimeve në Venecia, i fotografuar në një “taksi uji” përkrah Kim Kardashian, Oprah Winfrey, Orlando Bloom, Tom Brady dhe Leonardo DiCaprio.

  • Sulme me shiringa gjatë festivalit të muzikës në rrugë në Francë, 145 të plagosur dhe disa të shtruar në spital

    Sulme me shiringa gjatë festivalit të muzikës në rrugë në Francë, 145 të plagosur dhe disa të shtruar në spital

    Franca është tronditur nga një valë sulmesh me shiringa gjatë festivalit vjetor “Fête de la Musique”, ku 145 persona raportuan se janë therur në mënyrë të mistershme në ngjarje të ndryshme në mbarë vendin. Policia ka arrestuar 12 persona të dyshuar, ndërsa hetimet janë duke vijuar intensivisht.

    Incidentet kanë ndodhur në qytete të ndryshme, përfshirë Parisin, ku vetëm në kryeqytet janë shënuar 13 raste.

    Zyrtarët po hetojnë nëse janë përdorur substanca të rrezikshme si GHB apo Rohypnol, që lidhen me krime seksuale, ndërsa mbi një duzinë grash dhe vajzash të mitura janë shtruar në spital.

    Influencues dhe autoritete kanë paralajmëruar më herët për thirrje në rrjetet sociale për të shënjestruar gra me injeksione gjatë festivalit. Në qytetin Metz, ku u raportuan 17 viktima të reja vajza, një sulmues u arrestua falë sistemit të mbikëqyrjes urbane.

    Ministria e Brendshme franceze e ka cilësuar situatën “jashtëzakonisht serioze”, duke kujtuar se raste të ngjashme janë regjistruar edhe në vitet e kaluara në Francë, Spanjë dhe Mbretërinë e Bashkuar.

  • Përfundon “Ekrani i Artit 2025”, me mbi 40 premiera shqiptare dhe ekspozita

    Përfundon “Ekrani i Artit 2025”, me mbi 40 premiera shqiptare dhe ekspozita

    Festivali “Ekrani i Artit 2025” në edicionin e tetë u mbyll pas pesë ditësh, të cilat e kthyen Shkodrën në një skenë të gjallë të video-artit, kinemasë dhe imagjinatës kolektive. Nën temën “Kartolina nga Tjetërkund”, festivali krijoi një hapësirë ku rrëfimet kapërcyen kufijtë, disiplinat dhe brezat. Gjatë javës, më shumë se 30 artistë nga Shqipëria dhe jashtë saj ishin prezentë për të ndarë punimet e tyre në shtatë hapësira të ndryshme, me mbi 40 premiera shqiptare dhe ekspozita që ftuan publikun në hapësira reflektimi, kujtese dhe poezie vizuale.
    Në njoftimin për festivalin bëhet me dije dhe për disa nga momentet kryesore si nata hapëse në Kinema Republika. “Festivali u çel me shfaqjen e filmit ARSA nga MASBEDO, ku regjisori Iacopo Bedogni ishte i pranishëm për një bisedë të hapur me publikun. Kinema Republika mbeti një pikë kyçe lidhëse, duke pritur shfaqje filmash dhe takime të festivalit gjatë gjithë javës. Ekspozitat Ekspozita “Covers” nga Barbara Prenka në Art House ofroi një eksplorim personal dhe të shtresëzuar të intimitetit vizual”, thuhet në njoftim. Paralelisht, në Galerinë e Arteve, “REWIND: Copëza nga Video Arti Shqiptar”, kuruar nga Edi Muka, krijoi një kronologji të pasur vizuale të video-artit shqiptar nga vitet ’90 deri në ditët e sotme.
    Projekti bashkëpunues “Si lindi emri nga guri” prezantoi punimet e nxënësve të shkollave “Ismail Qemali” dhe “Ndre Mjeda” në dialog me artisten Bora Baboci, nën koordinimin e Melisa Pacit. Sipas njoftimit rreth zhvillimit të festivalit në Shkodër, një nga aspektet më të vlerësuara të këtij edicioni ishin bisedat me artistë dhe diskutimet publike të zhvilluara në Art House dhe në Auditorin Françeskan. “Këto takime krijuan hapësira të vlefshme për shkëmbim domethënës mbi identitetin, mitet familjare, arkivat dhe politikën e kujtesës, duke përfshirë zëra si Edi Muka, Barbara Prenka, Zef Paci, si dhe artistë ndërkombëtarë pjesëmarrës si Valentina Furian, Giorgio Andreotta Calò, Basir Mahmood dhe Ari Benjamin Meyers”, thuhet në njoftim.
    Ndër të tjera aktivitete, me instalimin e katër ekraneve LED përgjatë rrugës G’juhadol, festivali shndërroi zemrën e Shkodrës, pedonalen, në një ekspozitë të hapur, ku video-arte nga e gjithë bota u shfaqën vazhdimisht, duke krijuar ndërveprime spontane me qytetarët. Filmi i përmbyllës i festivalit ishte Temo Re nga Anka Gujabidze, i shfaqur në Kinema Republika. Ky edicioni i festivalit nisi më datë 18 qershor dhe vijoi deri më datë 22 këtë muaj.

  • Projekte filmike, ekspozita, diskutime me artistët në festivalin “Ekrani i Artit”, edicioni i tetë në Shkodër

    Projekte filmike, ekspozita, diskutime me artistët në festivalin “Ekrani i Artit”, edicioni i tetë në Shkodër

    Nga Juljana Vrapi
    Festivali “Ekrani i Artit” një nga eventet e rëndësishme kulturore të Shkodrës vjen këtë vit me projekte të ndryshme filmike, ekspozita arti dhe aktivitete të tjera. Edicioni i tetë i festivalit nisi në kinema “Republika” në qytetin e Shkodrës, ndërsa po vijon me një program të pasur artistik.  Edicioni i tetë i festivalit “Ekrani i Artit” në Shkodër nisi me temën poetike “Kartolina nga Tjetërkund”. Dita e parë e festivalit nisi me dy ekspozita të rëndësishme dhe u përmbyll me një premierë filmike në kinema “Republika” në prani të artistëve të ndryshëm dhe më gjerë. Kryetari i Bashkisë së Shkodrës Benet Beci shprehet në rrjete sociale se është një festival që përfshin projekte të ndryshme dhe Shkodra do të jetë kryeqendër e artit.
    “Deri më 22 qershor Shkodra do të jetë kryeqendër e artit me këtë festival, që përfshin projekte filmike, ekspozita, diskutime dhe prezenca artistike në vende të ndryshme të qytetit”, shprehet Beci ndër të tjera. I organizuar nga Art House festivali është i bashkëfinancuar edhe nga BE-ja. Në faqen e Delegacionit të BE-së në Shqipëri thuhet se “Ekrani i Artit” i dhuroi një tjetër atmosferë të veçantë Shkodrës. “Në një nga qendrat kryesore kulturore të Shqipërisë dhe në qytetin, ku filmua për herë të parë në historinë e  Shqipërisë, “Ekrani i Artit” i dhuroi një tjetër atmosferë të veçantë Shkodrës. I organizuar nga Art House dhe i bashkëfinancuar nga BE-ja, festivali mbledh qindra dashamirës të filmit nga i gjithë rajoni, duke nxitur dialogun midis regjisorëve evropianë dhe shqiptarë. Më shumë se 120 prodhime do të shfaqen në vendodhje të ndryshme rreth qytetit – një koleksion magjepsës i “kartolinave nga vende të tjera” që premton të ngjallë kuriozitet dhe imagjinatë”, thuhet rreth festivalit që nisi më 18 qershor në Shkodër.
    Aktivitet në festival
    Projektet filmike, ekspozitat, diskutimet mes artistëve zhvillohen në disa vende në qytetin e Shkodrës si kinema “Republika”, Galeria e Arteve Shkoder, Art House, Rruga e Gjuhadolit, Auditori Françeskan. Ekspozita “Covers” nga Barbara Prenka pjesë e festivalit është kuruar nga Zef Paci. Barbara Prenka rikthen mbulesën, jo si nostalgji, por si transformim. Mes kujtesës, teknologjisë dhe kujdesit, “Covers” thur së bashku të kaluarën me të ardhmen. Ekspozita është në Art House – Shkodër, por një tjetër ekspozitë  është “Si doli emni prej gurit” koordinuar nga Melisa Paci në bashkëpunim me artisten Bora Baboçi po në “Art House”.
    Një ekspozitë e ndjerë mbi kujtesën, imagjinatën dhe përkatësinë – me punë nga nxënësit e shkollave “Ismail Qemali” dhe “Ndre Mjeda”, në dialog me artisten Bora Baboçi. Në materialet rreth festivalit bëhet me dije se pjesë e aktiviteteve është dhe “Rimbledhje” – një vështrim mbi videoartin në Shqipëri kuruar nga Edi Muka. Një antologji unike dhe në shkallë të gjerë e videoartit shqiptar, për herë të parë, kjo ekspozitë historike gjurmon zhvillimin e tij që nga vitet ’90 e deri më sot. Përmes veprave të rralla nga artistë pionierë dhe zëra të rinj, “Rimbledhje” eksploron videon si një formë thelbësore të shprehjes për të naviguar identitetin, kujtesën dhe ndryshimet shoqërore.

  • “Dea Open Air” në edicionin e 12, filmi më i mirë me metrazh të gjatë “Përkushtimi i Hasanit” nga Semih Kaplanoglu

    “Dea Open Air” në edicionin e 12, filmi më i mirë me metrazh të gjatë “Përkushtimi i Hasanit” nga Semih Kaplanoglu

    Filmi “Përkushtimi i Hasanit” ( Commitment Hasan) me regji të Semih Kaplanoglu, Turqi 2021 mori Kupën DEA për Filmin më të Mirë me Metrazh të Gjatë në edicionit e 12-të të festivalit ndërkombëtar të filmit “Dea Open Air”. Mbrëmja gala që u mbajt në Tiranë këtë të premte, solli një atmosferë festivali, ku kryefjalë ishte kinematografia. Drejtoresha artistike e festivalit Mirela Oktrova, në hapje të ceremonisë tha se edhe ky edicion konfirmoi, se kinemaja serioze mbetet një nga mjetet më të fuqishme për të eksploruar, ndjerë dhe kuptuar vetveten. “Kjo është arsyeja, përse DEA nuk ndjek trende, por investon te konsolidimi i profilit të vet, si festival i përmbajtjes dhe ndërton te besimi i shikuesit”, u shpreh Oktrova. Ndërsa drejtori i festivalit Edmond Topi, falenderoi të gjithë ata që mbështetën këtë organizim.
    “Kemi mbyllur një maratonë filmash, të cilët shpresojmë t’i keni shijuar”, u shpreh ai. Regjisori Semih Kaplanogluishte tha se ndjehej krenar, që merr një çmim të rëndësishëm në një vend, që është special për të. “Krahas nderimit ndjehem shumë i emocionuar, pasi unë jam nip i një gjysheje që ka lindur në Shqipëri dhe e ndiej deri në palcë këtë nderim që më bëtë”, u shpreh Kaplanoglu. “Dea Open Air” vlerësoi të njëjtin film turk edhe me kupën për Regjinë më të mirë në Filmin me Metrazh të Gjatë. Juria e festivalit akordoi Çmimin Special, një përmendje të veçantë skenarit të filmit “Këtu vallëzohet me hijet” të Pluton Vasit, me skenar të Bashkim Hoxhës . Me Senhoritas/Zonjushat, Mykaela Plotkin fitoi Kupën DEA për Skenarin më të Mirë në Filmin me Metrazh të Gjatë.
    Çmimi DEA e Mirënjohjes shkoi për Regjisorin Saimir Kumbaro. Homazhi i festivalit këtë vit iu bë aktores Margarita Xhepa, ndërsa çmimin e tërhoqi i biri Ndriçim Xhepa. Filmi më i mirë i shkurtër  u zgjodh “Sara” nga Ariana Andrade, ndërsa juria vlerësoi edhe me çmim Inkurajues  Granit Dragaj me “Shkëmbim”. Çmimi i Medias për filmin e shkurtër shkoi “Dhe kjo është për këtë Krishtlindje” nga Peter Vulchev, ndërsa për filmin me metrazh të gjatë  “Këtu vallëzohet me hijet” nga Pluton Vasi. Çmimin e publikut e fitoi Karafil Shena për interpretimin e Zigurit në filmin “Këtu vallëzohet me hijet”. Mbrëmja e ndarjes së çmimeve rezervoi edhe të tjera vlerësime mes tyre edhe për konkurrimin në filmit studentor. Edicioni i 12-të i “Dea Open Air” përputhur me moton “Kinemaja si integritet” konfirmoi edhe një herë vlerën e kinemasë si formë reflektimi dhe rrëfimi me integritet. Në konkurrim këtë vit morën pjesë 34 filma nga 20 vende të botës.
     
     

  • Ndahen çmimet e edicionit të 12-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit DEA OPEN AIR

    Ndahen çmimet e edicionit të 12-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit DEA OPEN AIR

    Mbrëmja gala që u mbajt në kryeqytet këtë të premte, solli një atmosferë festivali, ku kryefjalë ishte kinematografia.
    DEA OPEN AIR e përfundoi këtë edicion të dymbëdhjetë, duke ofruar sërish përvojë të re kulturore, si edhe duke vijuar të zgjerojë hartën e njohjes së kinemasë botërore.
    Ky edicion, që u mbajt nga datat 9-13 qershor bëri bashkë të gjithë rreth kinemasë cilësore. Në konkurrim morën pjesë 34 filma nga 20 vende të botës.
    ’’Edhe ky edicion konfirmoi, se kinemaja serioze mbetet një nga mjetet më të fuqishme për të eksploruar, ndjerë dhe kuptuar vetveten. Kjo është arsyeja, përse DEA nuk ndjek trende – por investon te konsolidimi i profilit të vet, si festival i përmbajtjes dhe ndërton te besimi i shikuesit”, u shpreh drejtoresha Artistike e Festivalit, Mirela Oktrova, në hapje të ceremonisë
    Drejtori i Festivalit, Edmond Topi, falenderoi të gjithë ata që mbështetën këtë organizim.
    ’’Kemi mbyllur një maratonë filmash, të cilët shpresojmë t’i keni shijuar. Unë i kam parë edhe më parë dhe si drejtor kisha sikleta të tjera, por shpresoj që ju t’i keni shijuar vërtetë. Nuk jam i fjalëve të gjata, por shpresoj të përjetoni njësoj edhe këtë mbrëmje, siç keni qenë gjatë këtyre ditëve prezent në shfaqjen e filmave’’, u shpreh drejtori Edmond Topi.
    Filmi ’’Përkushtimi i Hasanit’’ (titulli në origjinal Commitment Hasan) me regji të Semih Kaplanoglu, Turqi 2021 mori Kupën DEA për Filmin më të mirë me Metrazh të Gjatë, me motivacionin për saktësi dhe mjeshtëri të lartë.
    Filmi eksploron tema si pajtimi, falja dhe lidhja njerëzore me thellësi dhe përmbajtje. Në një peizazh që shndërrohet në pasqyrë të brendshme, filmi rrëfen një histori universale përmes pak personazheve të ndërtuar me nuancë dhe autenticitet.
    Të nominuar në këtë kategori ishin edhe dy filma të tjerë ;
    Mykaela Plotkin – Zonjushat, Brazil 2024
    Igor Aleksov – Lena dhe Vladimiri – Maqedonia e Veriut 2023
    Regjisori Semih Kaplanoglu ishte vetë i pranishëm në marrjen e Kupës DEA, ndërsa mes emocioneve dhe falenderimit për trofeun tha se, ndihej krenar që mori një çmim të rëndësishëm në një vend që është special për të.
    ’’U jam falenderues për jurinë, që më nderuan me çmim, por krahas nderimit ndjehem shumë i emocionuar, pasi unë jam nip i një gjysheje që ka lindur në Shqipëri dhe e ndiej deri në palcë këtë nderim që më bëtë. Çmimet janë të bukura, por shërbejnë edhe për motivim e rinojnë regjisorin. Unë jam 63 vjec dhe kjo më jep nxitje për të sjellë një gjë më të mirë, që mund të vlerësohet në të ardhmen . Sa mirë që ekzistoni, sa mirë që ekziston kinemaja dhe sa mirë që ekzistojnë festivale të tilla që na vlerësojnë’’, u shpreh regjisori fitues Semih Kaplanoglu
    DEA OPEN AIR vlerësoi të njëjtin film turk edhe me kupën për Regjinë më të mirë në Filmin me Metrazh të Gjatë.
    Me motivacionin për regjinë e tij të rafinuar dhe thellësisht reflektuese, për saktësinë dhe përmbajtjen me të cilat e kthen thjeshtësinë në kinema të thellë regjisorin Kaplanoglu.
    Umut Karadak i dha trofeun e tretë në këtë festival, filmit me të njëjtin titull për vërtetësinë e thellë në portretizimin e Hasan-it — një interpretim që përqafon pa frikë ambiguitetet e jetës dhe kontradiktat e qenies njerëzore. Ky çmim u dorëzua nga Drejtor i Teatrit Kombetar, Indrit Cobani
    Konkurimi në këtë program u ndoq nga juria e Filmit me Metrazh të gjatë, e përbërë nga: Niccolo Castelli (kryetar – Zvicër), Luiza Xhuvani (anëtare – Shipëri), Claudio Bucci (anëtar – Itali), Fatos Berisha (anëtar – Kosovë), Nikos Moustakas (anëtar – Greqi).
    Si simbole të respektit për kontributet e individualiteteve të shquara të ekranit DEA OPEN AIR nderoi kujtimin e të madhes Margarita Xhepa, ndërsa çmimin e mori në dorëzim i biri, aktori gjithashtu i njohur Ndriçim Xhepa. Dy muaj pas kalimit në amshim, filmi i fundit ku interpretoi ikona e kinematografisë dhe teatrit shqiptar, është “Vdekja le të presë”. Një film ky përshëndetës, në çelje të festivalit që erdhi si homazh për Margarita Xhepa.
    ’’Ja që vjen një moment dhe detyrohesh. Një kënaqësi të tillë, në këtë rast ime më do ta kishte marr vetë, por ja që gjithcka e ka një fund në jetë. Me kënaqësi do ta çoj në shtëpinë e saj këtë statujë. Falenderoj edhe pjesëmarrësit për reagimin. Në respekt të dy festivalbërësve, që e kanë ideuar këtë festival, e bëjnë për 12 vite edhe do t’i uroja shumë e shumë vite të tjera. Ju falenderoj për këtë respekt që përcillni për karrierën 70-vjeçare të Margaritës’’, tha Ndriçim Xhepa.
    Një tjetër çmim ishte edhe DEA e Karrierës ose siç organizatorët e këtij fesuivali e kanë emërtuar, DEA e Mirënjohjes, i cili sivjet shkoi për jetën artistike dhe veprimtarinë e një prej emrave më të njohur të kinematografisë shqiptare regjisorin Saimir Kumbaro.
    Juria e festivalit akordoi Çmimin Special, një përmendje të veçantë skenarit të filmit ’’Këtu vallezohet me hijet’’ të Pluton Vasit, me skenar të Bashkim Hoxhës, për guximin në përballjen me një kapitull kompleks dhe të dhimbshëm të historisë shqiptare, me thellësi dhe sinqeritet. Një histori që spikat për ndershmërinë e këndvështrimit dhe përkushtimin për të rikthyer kujtesën dhe humanizmin përmes rrëfimit.
    Me Senhoritas/Zonjushat, Mykaela Plotkin fitoi Kupën DEA për Skenarin më të Mirë në Filmin me Metrazh të Gjatë. Ajo i qaset një teme rrallëherë të trajtuar me ndjeshmëri dhe guxim: kënaqësisë, dëshirës dhe dashurisë në moshën e tretë. Plotkin dërgoi një video përshëndetëse për festivalin.
    Filmat konkurrues në programin e Filmit të shkurtër dhe Filmit me Metrazh të Gjatë i vlerëson nga ky këndvështrim tradicionalisht Juria e medias, e përbërë sivjet nga: Alda Bida (kryetare), Ermal Peci (anëtar), Juljana Vrapi dhe Egla Xhemalaj (anëtare). Juria e Medias ndau dy çmime – një për kategorinë e Filmit të Shkurtër dhe një për kategorinë e Filmit me Metrazh të Gjatë.
    Çmimi Special i Medias në Konkurimin e Filmit të Shkurtër dhe motivacioni i tij shkoi për ’’Dhe kjo është për këtë Krishtlindje’’ me regji të Peter Vulchev, Bullgari 2024. Me motivacionin për një narrativë të ndjeshme dhe fokusim te vlerat e solidaritetit.
    Ndërsa Çmimi Special i Medias në Konkurimin e Filmit me Metrazh të Gjatë dhe motivacioni përkatës shkoi për ’’Këtu vallëzohet me hijet’’ nga Pluton Vasi, Shqipëri 2024. Ky film u vlerësua si një akt angazhimi qytetar që merr përsipër të hedhë dritv mbi pasojat e represionit të diktaturës. Çmimin e mori vetë regjisori i pranishën në ceremoninë e ndarjes së çmimeve:
    ’’Kënaqësi për mua, falenderimi i veçantë për organizatorët. Për mua ishte një kthim në inocensë. Janë emocione të rralla, pasi këtu në këto ambjente kemi marr fillimet e para të profesionit. Një përmendore të jashtëzakonshme për pedagogët tanë’’, u shpreh regjisori Vasi
    Nga vlerësimet e jurisë organizatorët e Festivalit ndanë Çmimin Special të Publikut/Audiencës – vleresim, qe rezulton nga klikimet dhe mesazhet ne llogarite zyrtare te festivalit si edhe nga vlersimet e publikut, e ka ndjekur shfaqjet e filmave ne kinema.
    Me këtë çmim publiku vlerësoi aktorin Karafil Shena, në rolin kompleks të Zigurit – ish-punonjës i Sigurimit të Shtetit dhe njëherësh baba i një gazetareje që përpiqet të ndriçojë të kaluarën, në filmin ’’Këtu vallëzohet me yjet’’. Në emër të organizatorëve, vendimin e kësaj here e zbuloi Drejtori i Programit të Filmit me Metrazh të Gjatë, Genc Përmeti.
    Kupa Dea për Kamerën më të Mirë iu dha Aleksandar Rusjakovit, drejtor fotografie i filmit ’’Lena dhe Vladimiri’’ me regji të Igor Aleksovit, për një punë vizuale që na lejon të ndjejmë emocionet e personazheve dhe pothuajse të nuhasim vendet ku ata jetojnë.
    Gjithashtu ky film u vlerësua me Kupën DEA për aktoren më të mirë në filmin me metrazh të gjatë akorduar Sara Klimoska, për aftësinë për të sjellë në jetë një personazh me intensitet dhe vërtetësi. me këtë performancë, ajo konfirmohet si një nga zërat më premtues jo vetëm në kinemanë ballkanike, por edhe më gjerë.
    Programi i Filmit të Shkurtër në DEA OPEN AIR 2025 Solli një mozaik rrëfimesh të thella dhe të larmishme, ku ndërthuren trauma personale, sfida sociale dhe momente të papritura ndërgjegjësimi. Temat që dominuan ishin humbja, padrejtësia, shtypja, identiteti dhe dashuria.
    Në kategorinë, Filmi i Shkurtër më i Mirë, i përzgjedhur në 14 filma të Shkurtër nga 12 vende të botës, mes tre te nominuarve çmimi shkoi për ’’Sara’’ me regji të Ariana Andrade Castro, Spanjë–Peru, 2024. Me motivacionin për atmosferën e ndërtuar me ndjeshmëri të thellë, për regjinë e rafinuar dhe gjetjet e bukura vizuale, për mënyrën si drama ndërthuret me poezi filmike, trishtim dhe reflektim njerëzor,
    Festivali ka prej kohësh në traditën e vet inkurajimin e kineastëve të rinj në rrugën jo fort të lehtë të krijimit kinematografik. Këtij synimi i shërben edhe Çmimi Inkurajues.
    Drejtorja e Programit të Filmit të Shkurtër, Ajola Daja zbuloi çmimin që shkoi për Granit Dragaj – “Shkëmbim” – Kosovë 2022 me motivacionin e një gjuhë të pastër kinematografike dhe me një qasje të sinqertë, filmi na kujton rolin që kinemaja mund të luajë për të promovuar humanizmin dhe empatinë, ku përmes syve të një fëmije, ai na fton të shohim botën me më shumë mirësi.
    Mbrëmja e ndarjes së çmimeve rezervoi të tjera vlerësime edhe për konkurimet në Seksionet e Filmit Studentor dhe Filmit të Shkurtër, seksionet me aplikimet më të shumta në të gjithë këto dymbëdhjetë vjet të rrugëtimit të DEA-s. Ofertën filmike në Programin dhe Konkurimin e Filmit Studentor e ndoqi Juria e Filmit të Shkurtër dhe Studentor e përbërë nga: Andriana Vickovic (kryetare – Kroaci), Lulzim Zeqja (anëtar – Shqipëri), Ben Apolloni (anëtar – Kosovë).
    Në këtë edicion, u bënë pjesë 13 filma nga 9 vende të botës, ndër të cilët: Shqipëria, Irani, Korea e Jugut, Bullgaria, Spanja, Italia, Kili dhe Rusia, shqetësimi kryesor i të cilëve mbetet raporti i njeriut me botën përreth apo i individit me komunitetin.
    Ben Apolloni një nga anëtaërt e jurisë zbuloi emrin e Matteo Giampetruzzi nga Italia fitues me oferëtn filmike ’’Lum ata që janë të pastër në zemër’’ një film ky i vitit 2023.
    Sivjet, juria, kishte vendosur të “përmendë në mënyrë të veçantë” edhe një konkurrues tjetër, me dëshirën për ta vlerësuar atë në mënyrë inkurajuese dhe ai është Mauro Zaçes. Një çmim i veçantë ky për filmin “Shtigje” që spikat për ndërtimin e qëndrueshëm dramaturgjik dhe për një regji të pastër, të qartë dhe të përmbajtur.
    Edicioni i 12-të i DEA OPEN AIR – Tirana 2025 – përputhur me moton “Kinemaja si integritet” konfirmoi edhe një herë vlerën e kinemasë si formë reflektimi dhe rrëfimi me integritet.
    Me falenderimin për mbështetjen dhe kthimin sërish vitin e ardhshëm Mirela Oktrova, drejtoresha artistike e DEA OPEN AIR e deklaroi të mbyllur Edicionin e dymbëdhjetë DEA – International Film Festival – Tiranë 2025.
    Nën tingujt e kuartetit të harqeve, në skenë u ngjitën të gjithë pjesëmarrësit për foton tradicionale përmbyllëse.

  • Videokartolina/ Festivali i Arkitekturës, Rama: Diskutime për ecurinë e Shqipërisë

    Videokartolina/ Festivali i Arkitekturës, Rama: Diskutime për ecurinë e Shqipërisë

    Kryeministri Rama ndan me ndjekësit e tij videokartolinën e Festivalit Ndërkombëtar Bread&Heart, që mblodhi në Tiranë arkitektë nga e gjithë bota.
    Në një postim në rrjetin social ‘Facebook’, Rama shkruan se u zhvillua një ditë e hapur diskutimesh publike dhe një ditë e mbyllur diskutimesh teknike, për ecurinë e Shqipërisë.
    ‘MIRËMËNGJES 😊
    dhe me këtë videokartolinë të edicionit të parë të Festivalit Ndërkombëtar Bread&Heart, që mblodhi në Tiranë ajkën e arkitektëve të botës, të cilët zhvilluan një ditë të hapur diskutimesh publike dhe një ditë të mbyllur diskutimesh teknike, për ecurinë e Shqipërisë, sfidat e planifikimit, ndërtimit, mbrojtjes së natyrës, edukimit e të tjera me radhë, në një format unikal bashkëpunimi ku u përfshinë edhe profesionistë të ftuar nga vetë arkitektët për të ndarë eksperiencat e tyre në fushat e Inteligjencës Artificiale, arkitekturës së pejzazhit, transportit, dizajnit të brendshëm e me radhë, ju uroj një të dielë të qetë🖐️❤️’, shkruan Rama në FB.