Tag: festivali

  • Koncerti i grupit Zifras Armonikas nga Spanja në festivalin “Vox Baroque”

    Koncerti i grupit Zifras Armonikas nga Spanja në festivalin “Vox Baroque”

    Festivali ndërkombëtar i muzikës baroke “Vox Baroque” është festivali i parë në Shqipëri, që i kushtohet tërësisht repertorit barok dhe këtë vit shënon edicionin e tij të 12-të. Në kuadër të edicionit të 12-të të festivalit “Vox Baroque”, hapësira e COD u mbush me tinguj nga muzika baroke dhe antike mesdhetare. Artistët Carlota Pupulin në harpën spanjolle dhe Juan Jose Francione në kitarë baroke sollën një performancë të jashtëzakonshme, si pjesë e grupit Zifras Armonikas, duke krijuar një atmosferë intime dhe të paharrueshme për të gjithë të pranishmit. “Një udhëtim në kohë përmes muzikës -në zemër të Tiranës!”, shprehet COD.
    Programi i festivalit shtrihet nga 28 qershori deri më 12 korrik, në qytetet Korçë, Shipskë, Tiranë, Durrës dhe Vlorë, me pjesëmarrjen e ansambleve nga Greqia, Spanja dhe Italia. Festivali “Vox Baroque” i drejtuar nga muzikanti Jusuf  Beshiri që në edicionin e parë solli risi në zhanrin e muzikës, duke trajtuar muzikën e vjetër dhe stilin barok në disa nga qytetet kryesore të Shqipërisë, konsideruar si qendra të rëndësishme të trashëgimisë kulturore. Një synim tjetër i këtij festivali është të zgjerojë sa më shumë panoramën e barokut duke i sjellë publikut një repertor të pasur jo vetëm me pjesë të kompozitorëve të njohur, por edhe me pjesë qe deri më sot nuk janë luajtur në skenat shqiptare.
     

  • Festivali “Vox Baroque” në MKAM, koncerti “Ex Silentio” një udhëtim përmes tingujve të muzikës antike mesdhetare

    Festivali “Vox Baroque” në MKAM, koncerti “Ex Silentio” një udhëtim përmes tingujve të muzikës antike mesdhetare

    Nga Julia Vrapi
    Koncert me muzikë antike mesdhetar në Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë. Festivali Ndërkombëtar i Muzikës Baroke “Vox Baroque” është festivali i parë në Shqipëri, që i kushtohet tërësisht repertorit barok dhe këtë vit shënon edicionin e tij të 12-të, ndërsa një koncert u zhvillua këto ditë në Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë. Koncerti “Ex Silentio” erdhi si një udhëtim përmes tingujve të muzikës antike mesdhetare, pjesë e edicionit të XII-të të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës Baroke me drejtor artistik Jusuf Beshirin.
    Në këtë koncert artistët pjesëmarrës nga Greqia- Dhimítris Koundouras (flaut), Irini Bilini-Moraiti (vokal & vielë) dhe Thymios Atzakas (liutë orientale) sipas MKAM sollën një interpretim të rrallë dhe të përmbajtur, në respekt të atmosferës që ruan thesare të shenjta të trashëgimisë sonë shpirtërore. “Një mbrëmje që bashkoi hijeshinë e muzikës së lashtë me madhështinë e ikonografisë shqiptare dhe që i shtoi një tjetër kapitull të paharruar verës kulturore të Korçës”, thuhet nga Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë. Koncerti që u zhvillua në MKAM në Korçë këtë qershor është në vijim dhe të tjera veprimtarive që zhvillohen në hapësirat e tij, ku nuk mungojnë dhe ekspozitat.  Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë u hap në vitin 1980, për të qenë më pas në një godine tjetër në vitin 2016. Ky muze që ndodhet në Korçë është dhe një qendrat muzeore më të rëndësishme në vend. Fondi i tij ka objekte kulti e arti, kryesisht ikona e më pak punime guri, druri, metali e tekstili të krijuara nga mesjeta e hershme deri në fillim të shekullin XX prej artistësh anonimë e të mirënjohur, nga treva të ndryshme të vendit.
    Synimi i festivalit
    Festivali i muzikës se vjetër “Vox Baroque” prej disa vitesh po zhvillohet në vendin tonë, ku me koncerte e tij nuk ka munguar edhe në qytete të tjera më parë. Që në edicionin e parë, ky festival drejtuar nga muzikanti Jusuf  Beshiri solli risi në zhanrin e muzikës, duke trajtuar muzikën e vjetër dhe stilin barok në disa nga qytetet kryesore të Shqipërisë, konsideruar si qendra të rëndësishme të trashëgimisë kulturore. Një synim tjetër i këtij festivali është të zgjerojë sa më shumë panoramën e barokut duke i sjellë publikut një repertor të pasur jo vetëm me pjesë të kompozitorëve të njohur, por edhe me pjesë qe deri më sot nuk janë luajtur në skenat shqiptare.
    Gjithashtu festivali synon të përhapë muzikën baroke të luajtur me instrumente origjinalë, në respekt të plotë të stilit, rregullave dhe mënyrës së interpretimit të asaj kohe. I konceptuar të ndikojë njëherësh në zhvillimin rajonal, nëpërmjet edukimit muzikor, por edhe të kthehet në një nxitës të politikave drejt zhvillimit të turizmit kulturor, duke kthyer vëmendjen dhe interesin në disa nga monumentet e rëndësishme të trashëgimisë kulturore shqiptare.

  • Festivali Folklorik Tipologjik Kombëtar i Valles Burimore, grupet pjesëmarrëse sollën vallet nga trevat shqiptare

    Festivali Folklorik Tipologjik Kombëtar i Valles Burimore, grupet pjesëmarrëse sollën vallet nga trevat shqiptare

    Nga Julia Vrapi
    Vallet nga trevat shqiptare erdhën përmes interpretimit të grupeve të ndryshme folklorike në Festivalin Folklorik Tipologjik Kombëtar të Valles Popullore Burimore. Festivali këtë vit zhvilloi edicionin e tij të 13-të dhe u zhvillua për dy ditë me radhë në qytetin e Lushnjës. Ky aktivitet kulturor ka për qëllim të paraqesë vlerat dhe arritjet më të mira në gjininë e valles popullore, si dhe të gjallërojë jetën kulturore. Në festival vjen krijimtaria më cilësore e të gjitha rretheve të vendit, ku bëhet edhe paraqitja e kostumeve popullore kombëtare. Në këtë festival merrnin pjesë grupe të ndryshme, por çmimi i parë i këtij edicioni të 13-të këtë vit shkoi për grupin e Hasit. Juria në Festivalin Folklorik Tipologjik Kombëtar të Valles Popullore Burimore e vlerësoi për origjinalitetin, ruajtjen e elementëve burimorë dhe interpretimin artistik.
    Grupe të ardhura nga të gjitha trevat shqiptare parakaluan në hapje të edicionit XIII të Festivalit Folklorik Tipologjik Kombëtar të Valles Popullore Burimore, ku Qendra Kombëtare e Veprimtarive Tradicionale shprehet se parada e natës së parë solli atmosferën e paharrueshme të fillimit, ku tradita, kostumet dhe energjia e grupeve konkurruese u kthyen në një festë të gjallë në zemër të qytetit.  Festivali Folklorik Tipologjik Kombëtar i Valles Popullore Burimore u zhvillua në sheshin kryesor të qytetit të Lushnjës, ndërsa Qendra Kombëtare e Veprimtarive Tradicionale shprehet se edhe nata e dytë nisi me ritëm. “Edicioni XIII i Festivalit Folklorik Tipologjik Kombëtar të Valles Popullore Burimore e nisi mbrëmjen me ritëm, emocione dhe krenari për trashëgiminë tonë shpirtërore. Grupet pjesëmarrëse sollën në skenë vallet burimore nga trevat shqiptare, duke përcjellë për publikun një energji të jashtëzakonshme për traditën”, thuhet nga kjo qendër. Festivali Folklorik Tipologjik Kombëtar i Valles Popullore Burimore  këtë edicion u zhvillua në datat 23 dhe 24 qershor.
     Festivali në Lushnjë pjesë e veprimtarive të tjera folklorike
    Festivali Folklorik Tipologjik Kombëtar i Valles Popullore u zhvillua për herë të parë në vitin 2006 në qytetin e Lushnjës, ndërsa zhvillohet në vijim edhe të festivale të tjerë folklorike në vendin tonë përgjatë një viti dhe që vijnë me një program të pasur për publikun. Festivali Folklorik Tipologjik Kombëtar i Iso Polifonisë është një prej tyre, i cili ka për qëllim të paraqesë dhe të nxisë vlerat e arritjet më të mira të kësaj gjinie. Pjesë e veprimtarive është edhe Festivali Folklorik Tipologjik Kombëtar i Këngës Popullore Qytetare, i cili ka për qëllim paraqitjen, nxitjen dhe promovimin e vlerave dhe të arritjeve më të mira të këngës qytetare shqiptare si një gjini, ku bashkëjetojnë elemente tradicionale të trashëguara dhe shprehje të reja të prejardhura nga kultura qytetare, po ashtu edhe Festivali Folklorik Tipologjik Kombëtar i Sazeve Popullore  është një prej aktiviteteve kombëtare në fushën e trashëgimisë jomateriale në lidhje me traditën e muzikës me saze si shprehje e isopolifonisë me vegla. Muzika me saze përfshin të gjitha rrethet e Jugut, të Juglindjes dhe Jugperëndimit të Shqipërisë, në mënyrë të veçantë muzikën e disa qyteteve si: Korça, Vlora, Pogradeci, Përmeti, Berati, Leskoviku. Një tjetër aktivitet është edhe Festivali Folklorik Tipologjik Kombëtar i Rapsodëve dhe Instrumentistëve Popullorë në Lezhë.
     

  • “Medea” nga Euripidi çel festivalin ndërkombëtar të monodramës “Albamono”

    “Medea” nga Euripidi çel festivalin ndërkombëtar të monodramës “Albamono”

    Nga Julia Vrapi
    Shfaqje me artistë nga vendi dhe shtete të tjera dhe që trajtojnë tematika të ndryshme janë pjesë e këtij viti në festivalin “Albamono”. Festivali ndërkombëtar i monodramës këtë vit ka nisur edicionin e tij të 21-të, duke u bërë edhe pjesë e jetës artistike dhe kulturore këtë sezon. “Medea” e Euripidit çeli festivalin ndërkombëtar të monodramës “Albamono”. Festivali nisi mbrëmjen e së hënës në Pallatin e Kulturës “Dhimitër Orgocka” Maliq që po restaurohet. Edicioni i 21-të i International Monodrama Festival “Albamono” pas përshëndetjes së kryetarit të Bashkisë Maliq z. Gëzim Topçiu, vazhdoi me shfaqjen “Medea” nga Euripidi, regjisor Klajdi Marku dhe interpretoi Darlin Dimo që u ndoq më interesin e të pranishmëve. Festivali këtë vit po zhvillohet në qytetet e Pogradecit dhe Maliqit edhe si një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore.
    Edmond Xhumari drejtor i festivalit “Albamono” edhe vitet më parë ka folur për rëndësinë e zhvillimit të tij, shfaqjet që sjell dhe artistët pjesëmarrës që janë jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga shtete të tjera. Pak ditë përpara se të niste ky aktivitet drejtori Edmond Xhumari u shpreh në rrjete sociale për zhvillimin e edicionit të -21 të festivalit ndërkombëtar të monodramës “Albamono”, që sipas tij është i vetmi i këtij lloji në vendin tonë. “Jeni të mirëpritur të ndiqni shfaqjet me artistë profesionistë nga mbarë bota, që trajtojnë tematika të ndryshme. Oscar Wilde thotë :”teatri është më i shkëlqyeri ndër të gjitha format e artit, rruga më direkte përmes së cilës, një qenie njerëzore mund të ndajë me një tjetër, ndjesinë e të qenurit njeri”, shpërehej Edmond Xhumari ndër të tjera drejtor i “Albamono”. Festivali këtë vit u bë i munduar nga Bashkia Maliq, Ministria e Ekonomisë Kulturës dhe Inovacionit (MEKI) dhe Bashkia Pogradec, si edhe nga donatorë të tjerë.
    Pjesëmarrja e artistëve
    Festivali këtë vit ka pjesëmarrjen e artistëve nga SHBA-ja, Shqipëria, Ukraina, Greqia, Kroacia, Emiratet e Bashkuara Arabe, Maqedonia e Veriut, Polonia. Një event kulturor ndërkombëtar, që mbledhë së bashku artistë profesionistë të skenës nga 8 shtete të ndryshme. “Medea” është një nga tragjeditë më të bukura e më të fuqishme të Euripidit që hapi këtë festival, ndërsa nata e dytë e International Monodrama Festival “Albamono” vazhdoi në qytetin e Pogradecit me shfaqjen performancë “When it hurts you play”, autore dhe aktore Danijela Popovic dhe regjia Aleksey Burago. Festivali ndërkombëtar i monodramës “Albamono”, i themeluar nga mjeshtri i madh i skenës shqiptare Dhimitër Orgocka do të vijojë deri më 30 qershor, kur do të ndahen edhe çmimet për regjisorin më të mirë, aktorin më të mirë dhe monodramën më të mirë. Festivali ndërkombëtar i monodramës “Albamono” një vit më parë zhvilloi edicionin e tij të njëzetë. Siç është bërë tashmë traditë festivali bëri bashkë artistë nga disa shtete, ndërsa veprat që u interpretuan ishin me tematika të ndryshme.

  • Përfundon “Ekrani i Artit 2025”, me mbi 40 premiera shqiptare dhe ekspozita

    Përfundon “Ekrani i Artit 2025”, me mbi 40 premiera shqiptare dhe ekspozita

    Festivali “Ekrani i Artit 2025” në edicionin e tetë u mbyll pas pesë ditësh, të cilat e kthyen Shkodrën në një skenë të gjallë të video-artit, kinemasë dhe imagjinatës kolektive. Nën temën “Kartolina nga Tjetërkund”, festivali krijoi një hapësirë ku rrëfimet kapërcyen kufijtë, disiplinat dhe brezat. Gjatë javës, më shumë se 30 artistë nga Shqipëria dhe jashtë saj ishin prezentë për të ndarë punimet e tyre në shtatë hapësira të ndryshme, me mbi 40 premiera shqiptare dhe ekspozita që ftuan publikun në hapësira reflektimi, kujtese dhe poezie vizuale.
    Në njoftimin për festivalin bëhet me dije dhe për disa nga momentet kryesore si nata hapëse në Kinema Republika. “Festivali u çel me shfaqjen e filmit ARSA nga MASBEDO, ku regjisori Iacopo Bedogni ishte i pranishëm për një bisedë të hapur me publikun. Kinema Republika mbeti një pikë kyçe lidhëse, duke pritur shfaqje filmash dhe takime të festivalit gjatë gjithë javës. Ekspozitat Ekspozita “Covers” nga Barbara Prenka në Art House ofroi një eksplorim personal dhe të shtresëzuar të intimitetit vizual”, thuhet në njoftim. Paralelisht, në Galerinë e Arteve, “REWIND: Copëza nga Video Arti Shqiptar”, kuruar nga Edi Muka, krijoi një kronologji të pasur vizuale të video-artit shqiptar nga vitet ’90 deri në ditët e sotme.
    Projekti bashkëpunues “Si lindi emri nga guri” prezantoi punimet e nxënësve të shkollave “Ismail Qemali” dhe “Ndre Mjeda” në dialog me artisten Bora Baboci, nën koordinimin e Melisa Pacit. Sipas njoftimit rreth zhvillimit të festivalit në Shkodër, një nga aspektet më të vlerësuara të këtij edicioni ishin bisedat me artistë dhe diskutimet publike të zhvilluara në Art House dhe në Auditorin Françeskan. “Këto takime krijuan hapësira të vlefshme për shkëmbim domethënës mbi identitetin, mitet familjare, arkivat dhe politikën e kujtesës, duke përfshirë zëra si Edi Muka, Barbara Prenka, Zef Paci, si dhe artistë ndërkombëtarë pjesëmarrës si Valentina Furian, Giorgio Andreotta Calò, Basir Mahmood dhe Ari Benjamin Meyers”, thuhet në njoftim.
    Ndër të tjera aktivitete, me instalimin e katër ekraneve LED përgjatë rrugës G’juhadol, festivali shndërroi zemrën e Shkodrës, pedonalen, në një ekspozitë të hapur, ku video-arte nga e gjithë bota u shfaqën vazhdimisht, duke krijuar ndërveprime spontane me qytetarët. Filmi i përmbyllës i festivalit ishte Temo Re nga Anka Gujabidze, i shfaqur në Kinema Republika. Ky edicioni i festivalit nisi më datë 18 qershor dhe vijoi deri më datë 22 këtë muaj.

  • Festivali i muzikës dhe valleve, 400 pjesmarrës nga 10 shtete mbushin Amfiteatrin e Durrësit

    Festivali i muzikës dhe valleve, 400 pjesmarrës nga 10 shtete mbushin Amfiteatrin e Durrësit

    Amfiteatri antik i Durrësit u mbush mbrëmjen e së enjtes me ngjyra, tinguj dhe emocione, në hapjen e Festivalit të Muzikës dhe Valleve, organizuar nga World Festival Association.

    Rreth 400 pjesëmarrës nga më shumë se 10 shtete, përfshirë Ukrainën, Poloninë, Bullgarinë, Rumaninë, Malin e Zi, Bosnjën & Hercegovinën, Kroacinë, Turqinë, Serbinë, dhe të tjerë, do të performojnë në ditët në vijim, duke sjellë me vete traditat, kostumet dhe shpirtin kulturor të vendeve që përfaqësojnë.
    Pjesëmarrësit vlerësojnë faktin që marrin pjesë në këtë festival duke folur me superlativa për Shqipërinë.

    “Jemi nga Polonia, nuk është hera e parë që vijmë këtu, por është hera e dytë që marr pjesë në këtë kompeticion. Mendoj se është një atmosferë fantastike dhe Shqipëria është një vend shumë i bukur.”
    “Edhe unë jam nga Polonia dhe vij për herë të parë, është një eksperiencë shumë e mirë që marr pjesë këtu dhe më pëlqen shumë.”
    “Unë jam nga Bullgaria, vij për herë të parë dhe jam shumë i kënaqur. Ne vallëzojmë dhe luajmë me këngë folklorike, jemi shumë të lumtur që marrim pjesë në këtë tur.”
     “Ky është festivali më i madh që bëhet në lidhje me kulturat e ndryshme. Ne e bëjmë këtë festival çdo vit në Durrës duke filluar nga 2016 dhe dua të falënderoj të gjithë që na kanë bashkuar. Shqipëria po shkon shumë shpejt përpara duke u zhvilluar, jo vetëm me infrastrukturën dhe turizmin, por me çdo gjë. Të gjithë grupet që vijnë këtu nga jashtë kanë të njëjtin opinion: Shqipëria po zhvillohet shumë shpejt”, tha Zoran Strezovski, zv/presidenti i World Festival Association.
    Ky festival ndërkombëtar, i kthyer në traditë tashmë do të vijojë gjatë gjithë verës duke sjellë tingujt dhe ngjyrat e këngëve dhe valleve folklorike anembanë botës. Festivali e ka shndërruar arenën antike të Durrësit në një skenë të gjallë të trashëgimisë kulturore botërore, ku vallet tradicionale dhe muzika folklorike i japin jetë një spektakli që i flet të gjitha gjuhëve./vizionplus.tv

  • “Shpirti i Ballkanit”/ Grupe nga gjithë Ballkani dhe nga Franca interpretojnë në Korçë

    “Shpirti i Ballkanit”/ Grupe nga gjithë Ballkani dhe nga Franca interpretojnë në Korçë

    Festivali Folklorik Shpirti i Ballkanit në këtë edicion të 7 ka sjellë së bashku ansamble nga Shqipëria dhe vendet e rajonit.  

    Nën tingujt e muzikës tradicionale dhe ngjyrat e kostumeve popullere artistë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bullgaria, Mali i zi etj kanë sjellë një mozaik të trashëgimisë kulturore ballkanase dhe jo vetëm.
    Festivali i cili zhvillohet në dy net nisi me paradë dhe performancat e artistëve në Pazarin e Vjetër.
    “Ky është edicioni i 7 i Shpirtit të Ballkanit. Në këtë edicion shumë të veçantë do ta cilësoja unë sepse përveç ansambleve folklorikë që sjellin vallet burimore të të gjithë ballkanit, një traditë e jashtëzakonshme që ne kemi, do të kemi edhe shumë banda muzikore që është për herë të parë. Ky festival shtrihet në dy ditë dhe do të sjellë bandat më të mira ballkanike.
    Në natën e parë vjen një bashkëpunim nga Tirana, Maqedonia dhe Bullgaria më pas vjen Fanfara e Korçës që janë një formacion me tunxhe fantastike që sjellin një muzikë ballkanike dhe alternative dhe do të kulmojmë me Dren Abazin dhe Zig Zag orkestra.
    Sot kemi shijuar në të gjithë qytetin kostumet dhe paradën e grupeve që na kanë ardhur nga vendet tona fqinje ndërkohë që nesër do të kemi një performancë nga grupi më i madh ballkanik i cili është mes Rumanisë, Bullgarisë dhe Maqedonisë. Do të kemi gjithashtu një trio nga Mali i Zi, Greqia dhe do të performojnë të gjitha ansamblet që sot patë në rrugë do të jenë të gjithë në sheshi i Pazarit”, tha Blerta Belliu.
    Për herë të parë artistë nga Franca i janë bashkuar këtij festivali duke ndarë emocionet e tyre për këtë rrugëtim kulturor
    “Jemi të lumtur që jemi këtu.  Është hera e parë që vijmë në Shqipëri vijmë nga Franca nga zona e Savojës, në Alpet Franceze.  Do të sjellim kërcimet tradicionale të vendit tonë”.
    “Jemi të lumtur që jemi këtu, njerëzit janë mikpritës”.
    “Kemi ardhur këtu dje dhe kemi mundur t’i takojmë pjesëmarrësit  e tjerë. Na pëlqyen shumë traditat e tyre. Është kënaqësi të zbulojmë më shumë rreth traditave të tjera është diçka e bukur”.
    “Jemi grupi që vjen nga Franca, nga provinca e Savojës, afër Italisë dhe Zvicrës.  Jemi këtu sepse këtë vit është një kremtim  mes  Shanberisë dhe Korçës. Jemi këtu për paradën, për të demonstruar kërcimet e Savojës. Savoja është një pjesë që ju kthye Francës në 1870 ndaj është e rëndësishme që t’ju tregojmë të rinjve të gjitha vallet dhe traditat e vjetra të vendit”.
    “Vijmë nga Franca dhe përfaqësojmë rajonin e Savojës dhe qytetin e Shanberisë. Do të sjellim një prekje perëndimore për vendet e Ballkanit që përfaqësohen këtu sot.  Korça është një qytet shumë i bukur, mikpritës, me njerëz që janë shumë të sjellshëm dhe me ushqim të mirë.  Festivale të tilla janë të rëndësishme sepse bashkon tradita të ndryshme dhe ne jemi një plus për këtë festival dhe jemi ndryshe nga kulturat e tjera dhe është bukur të zbulojmë”, thanë turistët.
    Festivali Folklorik Shpirti i Ballkanit po kthehet në një prej ngjarjeve më të rëndësishme folklorike në Ballkan, duke promovuar Korçën si destinacion turistik dhe kulturor.

    Top Channel

  • SYRI TV/ DEA Open Air përmbyll edicionin e 12, festivali i jep zë kinemasë së angazhuar

    SYRI TV/ DEA Open Air përmbyll edicionin e 12, festivali i jep zë kinemasë së angazhuar

    Festivali “DEA Open Air” përmbylli edicionin e tij të 12-të me vlerësime për filmat më të mirë të vitit dhe nderime për figura të shquara të kinemasë. Çmimin e madh e fitoi “Përkushtimi i Hasanit”, ndërsa momenti më prekës ishte homazhi për Margarita Xhepën, ku kupa u tërhoq nga i biri, Ndriçim Xhepa.

    Festivali Ndërkombëtar i Filmit “DEA Open Air” përmbylli edicionin e tij të 12-të me ndarjen e çmimeve kryesore për kinemanë europiane dhe rajonale, duke sjellë në qendër të vëmendjes autorë me zë të veçantë dhe tematikë të angazhuar shoqërore. Filmi më i mirë me metrazh të gjatë  “Përkushtimi i Hasanit” nga Semih Kaplanoglu solli një rrëfim të thellë mbi faljen dhe ndërgjegjen njerëzore.

    Regjia më e mirë  iu dha po regjisorit Semih Kaplanoglu për mjeshtërinë e tij reflektuese dhe qasjen poetike ndaj temave universale. Aktori më i mirë u vlerësua Umut Karadağ portretizoi Hasan-in me një ndjeshmëri të thellë dhe një lojë të përmbajtur, por tronditëse, ndërsa aktorja më e mirë u zgjodh Sara Klimoska që dhuroi një interpretim të fuqishëm dhe të brishtë në “Lena dhe Vladimiri”.  Kamera më e mirë Dusan Kardalevski u vlerësua për gjuhën e pasur vizuale në filmin “Lena dhe Vladimiri”, kurse Skenari më i mirë Mykaela Plotkin trajtoi me delikatesë dhe origjinalitet një histori femërore në filmin “Zonjushat”.

    Përmendje e veçantë u bë Bashkim Hoxhës që u vlerësua për guximin në trajtimin e traumës historike në “Këtu vallëzohet me hijet”. Çmimi DEA e Mirënjohjes shkoi për Regjisorin Saimir Kumbaro, i cili  u nderua për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në kinemanë shqiptare. Homazhi i festivalit këtë vit iu bë aktores Margarita Xhepa, ndërsa çmimin e tërhoqi i biri Ndriçim Xhepa, i cili u shpreh se kupën do ta çojë në shtëpinë e saj.

    Filmi më i mirë i shkurtër  u zgjodh “Sara” nga Ariana Andrade, ndërsa juria vlerësoi edhe me Çmimi Inkurajues  Granit Dragaj me “Shkëmbim”. Çmimi i Medias për Filmin e shkurtër shkoi “Dhe kjo është për këtë Krishtlindje” nga Peter Vulchev, kurse  Filmin me metrazh të gjatë u shpall fitues “Këtu vallëzohet me hijet” nga Pluton Vasi, Çmimi i Publikut e fitoi Karafil Shena për interpretimin e Zigurit në filmin “Këtu vallëzohet me hijet”. DEA Open Air 2025 u mbyll si një platformë që promovon kinemanë me zë, me ndërgjegje dhe me shpirt.

  • Festivali Ndërkombëtar i Karnavaleve, qyteti juglindor përjeton një atmosferë mbushur me muzikë dhe ngjyra

    Festivali Ndërkombëtar i Karnavaleve, qyteti juglindor përjeton një atmosferë mbushur me muzikë dhe ngjyra

    Korça ka qenë sërish në qendër të vëmendjes kulturore me organizimin e edicionit të 18-të të Festivalit Ndërkombëtar të Karnavaleve.

    Ngjarja, e kthyer tashmë në një traditë, ka sjellë këtë vit një numër të konsiderueshëm grupesh artistike, jo vetëm nga Korça, por edhe nga vende të ndryshme të rajonit dhe më gjerë.
    Drejtoresha e Kulturës në Bashkinë e Korçës, znj. Zamira Kita, u shpreh se ky edicion ka qenë i veçantë si për nga pjesëmarrja, ashtu edhe për kostumografinë dhe risitë që sollën grupet pjesëmarrëse.

    “Ky vit ka qenë ndryshe, jo vetëm në numrin dhe cilësinë e grupeve pjesëmarrëse, por edhe në krijimtarinë artistike, veçanërisht në kostumografi. Karnavalet e këtij viti sollën një frymë të re dhe energji të jashtëzakonshme në qytet”, shprehet Zamira Kita.
    Festivali është pritur me entuziazëm nga banorët vendas, por edhe nga vizitorë dhe turistë të shumtë.
    Grupet e karnavaleve kanë përshkuar bulevardin “Republika”, për të përfunduar më pas në Pazarin e Vjetër të qytetit, ku atmosfera festive arriti kulmin mes muzikës, ngjyrave dhe energjisë së pjesëmarrësve.
    Ky festival vazhdon të jetë një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore të qytetit të Korçës, duke promovuar jo vetëm artin dhe traditën, por edhe turizmin e qytetit si një destinacion i rëndësishëm kulturor jo vetëm në juglindje, por në të gjithë Shqipërinë.
    /vizionplus.tv

  • Festivali i arkitekturës “Bread & Heart” bën bashkë arkitektë nga e gjitha bota në Tiranë

    Festivali i arkitekturës “Bread & Heart” bën bashkë arkitektë nga e gjitha bota në Tiranë

    Festivali Ndërkombëtar i Arkitekturës “Bread & Heart” që po zhvillohet në Tiranë ka mbledhur 150 arkitektë ndërkombëtar. Në këtë festival të konsideruar si një ngjarje e re europiane, arkitektë nga Europa, Azia, Amerika Veriore e Jugore, të cilët punojnë në Shqipëri, kanë sjellë me vete edhe të ftuarit e tyre, për të ndarë eksperiencat dhe perspektivën mbi zhvillimin e kryeqytetit. I pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama, që sipas tij Shqipëria po intrigon gjithnjë e më shumë si një vend në zhvillim, arkitektë nga e gjithë bota.
    “Shqipëria është kthyer në një port shprese, arkitektët ndërkombëtarë vijnë në numra që vetëm pak vite më parë nuk do t’i kishim imagjinuar. Tirana sot nuk është më vetëm një skenë, është katalizator. Projektet që lindin në Shqipëri nuk janë mediokrite lokale apo klishe globale, janë të gjalla, rezonuese me vlerë. Në një botë të fiksuar me ikona, ajo çfarë shpaloset këtu duket thuajse supersive, diçka që krijohet si e përbashkët, por si asgjë tjetër më parë. Çfarë është më e rëndësishme guxon të ndërtojë mes asaj që është vërtetë e përbashkët, si një akt krijimi. Ky festival s’ka të bëjë me arkitekturën si profesion, por si aktin më të afërt njerëzor, të krijosh hapësira ku jeta mund të rritet dhe të mbrojë veten”, tha Rama.
    Pjesë Festivalit Ndërkombëtar të Arkitekturës (Bread & Heart-Bukë e zemër) janë dhe ekspozita që të tregojnë zhvillimin e vendit përmes modeleve arkitekturore, të ndërtuara dhe të pandërtuara, nga konkurset dhe komisionet në Tiranë, bregdet dhe rajone të tjera. Në kuadër të këtij festivali 3 ditor është dhe prezantimi i librit “Bosco Verticale” monografia e plotë, e kuruar nga Stefano Boeri, arkitekti i një prej ndërtesave më të njohura në Milano “Pylli vertikal”. Libri që shënon 10-vjetorin e Bosco Verticale, ndjek historinë e ndërtesës, që është kthyer në një ikonë të arkitekturës ndërkombëtare dhe ka hapur një mënyrë të re për të imagjinuar të ardhmen e qyteteve.