Tag: festivali

  • Sunny Hill Festival: 3 ditë deri të festivali

    Sunny Hill Festival: 3 ditë deri të festivali

    Vetëm edhe 3 ditë kanë mbetur për të siguruar biletën tuaj për edicionin e sivjetmë të Festivalit Sunny Hill. Nëse akoma nuk e keni bërë këtë, tani është koha pasi që biletat e fundit janë në shitje.Festivali,këtë vit mbahet prej 1 deri më 3 gusht në Parkun e Festivalit në Bërnicë të Poshtme.Festivali tashmë ka bërë të ditur listën e plotë të artistëve që do të performojnë dhe sjell emra të njohur nga skena ndërkombëtare dhe vendore. Mes tyre janë Dua Lipa, Shawn Mendes, Headie One, Anyma, MYGAL b2b Edgar Kerri, TSHA, Cil, Sienna Spiro, Tommy Gold, Peggy Gou, Skream, Fatboy Slim, Bookie, Sugar Rush, Mochakk, Artssassin, Ledri, Yanina, Pint, Tayna dhe plot të tjerë.Biletat mund t’i blini përmes: Platformës zyrtare www.sunnyhillfestival.com;Pikës informuese të Festivalit, në sheshin Zahir Pajaziti në Prishtinë.Rave-travel.com;Të qasshme për momentin janë tiketat “Regular”, ato grupore (për 3 dhe 5 persona), VIP (për skenën kryesore dhe C4) ose “VIP Bundle” që ju ofron qasje në zonën “VIP” të të dy skenave.Për më shumë informata vizitoni kanalet zyrtare të Festivalit./KultPlus.com

  • “Divani Lunxhiot”/ Festivali folklorik që mbledh grupe nga Shqipëria dhe rajoni

    “Divani Lunxhiot”/ Festivali folklorik që mbledh grupe nga Shqipëria dhe rajoni

    Festivali “Divani Lunxhot” ka nisur edicionin e tij të 11-të me një program të pasur artistik dhe me pjesëmarrjen e grupeve folklorike nga e gjithë Shqipëria dhe rajoni.

    Këtë vit, festivali iu kushtua dy figurave të shquara të patriotizmit shqiptar, Pandeli dhe Koto Sotiri, për të nderuar kontributin e tyre në kulturë dhe arsim. Festivali po mbahet në fshatrat Dhoksat dhe Nokovë, destinacione të rëndësishme turistike rurale të Jugut.
    Koço Vasili, organizatori i festivalit, tha: “Kemi grupe të mirënjohura, që nga grupi i Bënçës në Tepelenë, valltarët e shquar të Janinës, grupi i Mirditës, orkestrina e Beratit, gratë e Selosë të Dropullit të Sipërm, grupi i Lunxhërisë.”
    Përveç grupeve nga Shqipëria, në skenë morën pjesë edhe ansambli nga Greqia, emigrantë shqiptarë dhe komunitete të tjera të diasporës. Gjithashtu, gratë e minoritetit grek sollën valle dhe këngë të rralla mbi 200-vjeçare, të ruajtura dhe grumbulluara me përkushtim brez pas brezi.
    Vasiliqi Biçuni, përfaqësuese e grupit të grave të Selosë, tha: “Këto këngë janë njëra këngë e vjetër kurbeti dhe tjetra më shumë këngë dashurie. Vallja i kushtohet bukurisë së çiftit në një dasmë.”
    Panajotis Janis, përfaqësues i grupit “Avjerinos” nga Janina, tha: “Jemi nga Janina dhe përfaqësojmë grupin Avjerinos. Jemi shumë të lumtur që marrim pjesë për herë të dytë në këtë event. Ndihemi shumë mirë këtu me mikpritjen dhe njerëzit, dhe besojmë se ky shkëmbim i shërben njohjes më të mirë dhe miqësisë mes popujve.”
    Goliku, përfaqësues i grupit të Bënçës, tha: “Do të sjellim një këngë për legjendarin kosovar Adem Jasharin. Kemi edhe një këngë për Hito Lekdushin.”
    Dhoksati, një nga 100 fshatrat e shpallura si destinacion turistik nga qeveria shqiptare, vazhdon të jetë një vend pritës ideal për këtë festival, që vit pas viti po shndërrohet në një pikë referimi për kulturën dhe trashëgiminë ballkanike.

    Top Channel

  • HAPU 2025: Festivali që e shndërron hapësirën publike në skenë arti, për herë të parë edhe në Gjakovë

    HAPU 2025: Festivali që e shndërron hapësirën publike në skenë arti, për herë të parë edhe në Gjakovë

    Edicioni i 11-të i festivalit HAPU, një ndër ngjarjet më kreative të verës në Kosovë, do të mbahet nga 1 deri më 5 gusht në dy qytete: Gjakovë dhe Prishtinë. Për herë të parë, ky festival ndërkombëtar i artit në hapësirë publike do të shtrihet edhe në Gjakovë, në bashkëpunim me Fondacionin “Për Gjakovën”.

    Ky edicion sjell performanca të guximshme nga artistë ndërkombëtarë nga Franca, Gjermania, Portugalia dhe Argjentina, të cilët do ta kthejnë qytetin në një skenë të hapur plot energji, muzikë, transformim dhe ndërveprim me publikun.

    Festivali do të hapet më 1 gusht në Parkun Kulturor “Ali Podrimja” në Gjakovë me performancën “L’Instant T!” nga artisti Juan Ignacio Tula (Francë/Argjentinë), një shfaqje që kombinon elementë të cirkut bashkëkohor me rrotullime hipnotizuese të frymëzuara nga dervishët.

    Më pas, publiku do të ftohet të bëhet pjesë aktive e veprës “Origami së bashku” të artistit gjerman Frank Bölter, ku do të ndërtohen figura gjigande prej letre me ndihmën e qytetarëve – për t’u ricikluar më vonë në forma të reja kreative.

    Spektakli vazhdon me artistët francez të kolektivit Tac o Tac, të cilët do të sfidojnë gravitetin me performancën “Take Off”, në një paradë mbi kingala dhe makina futuriste, që shndërrojnë rrugët në një udhëtim qiellor.

    Prishtina do të marrë stafetën nga 2 gushti, duke kulmuar më 5 gusht me mbylljen madhështore të festivalit nga grupi portugez Mimo’s Dixie Band, që me ritmet e Dixieland-it do të sjellin atmosferën e rrugëve të Nju Orlinsit në zemër të kryeqytetit.

    Drejtori artistik Florent Mehmeti thotë se HAPU 2025 nuk është vetëm një festival, por një thirrje për të rigjetur qytetin ndryshe: “Luani, përjetoni transformimin, bëhuni pjesë e këtij rizbulimi dhe dëshmitarë të mahnitjes.”/KultPlus.com

  • Ja artistët e ftuar në skenën unike të Porto Palermo Festival

    Ja artistët e ftuar në skenën unike të Porto Palermo Festival

    Këtë javë nis zyrtarisht edicioni i pestë i Porto Palermo Festival.

    Ky festival, me skenën më të veçantë nga cilido tjetër, zhvillohet në kalanë mesjetare të Ali Pashës, në Porto Palermo. Festivali është një udhëtim artistik në zemër të natyrës dhe historisë, por synon të tërheqë vëmendjen e publikut jo vetëm për këto, por edhe për mbrojtjen mjedisore.

    Ditën e enjte, 31 korrik, do të nisë festivali i cili zgjat deri më 17 gusht, por përpara se të nisin me muzikë, organizatorët zhvilluan një aksion pastrimi të territorit.

    Festivali synon që jo vetëm të sjellë artistët më të mirë, por edhe të promovojë turizmin e qëndrueshëm kulturor në Shqipëri. Kalaja historike e Ali Pashës do të mbushet me muzikë, emocion dhe energji pozitive për 12 netë të paharrueshme gjatë të cilave do të interpretojnë artistë të jashtëzakonshëm me emocione të forta në një skenë unike.

    Natën e çeljes do të performojë vetë ideatori i këtij festivali, violinisti Olen Cesari. Në datën 1 gusht është i ftuar Ansambli Folklorik Shqiptar, ndërsa një natë më pas (2 gusht) interpretojnë Ledina Çelo, Genc Tukiçi, Dëshira Ahmeti, Anamaria Beqaj.

    Mbrëmja e së dielës (3 gusht) do të jetë nën magjinë e këngëve të Dren Abazit. Të enjten e 7 gushtit do të performojë e mirënjohura Aurela Gaçe, një natë më pas Adrian Trebicka dhe Kastriot Tusha. Ndërsa më 9 gusht, Carlo Paz dhe Sin Fronteras.

    Këngëtari Alberto Laurenti do të performojë të dielën e 10 gushtit, ndërsa në netët finale do të performojnë disa prej artisteve që janë bërë pjesë e pandarë e këtij festivali si Marsela Çibukaj, Eda Zari etj./atsh/

  • “Lumina” – Festivali i muzikës elektronike që ndryshoi atmosferën e Korçës

    “Lumina” – Festivali i muzikës elektronike që ndryshoi atmosferën e Korçës

    Festivali i muzikës elektronike Lumina solli emocion dhe ritëm gjatë dy netëve që kapërcyen çdo pritshmëri.Aktiviteti dëshmoi edhe një herë se Korça është jo vetëm një qytet i kulturës dhe historisë, por edhe i rinisë dhe energjisë së jashtëzakonshme. Mbrëmja e dytë e Lumina Electronic Festival përfundoi me një superatmosferë. Muzika elektronike, natyra dhe të rinjtë u bënë një dhe e ndezën Korçën për dy net rresht.Të rinjtë, vendas dhe turistë, u entuziazmuan, në një atmosferë që vështirë të përshkruhet me fjalë.“Kjo është Korça që po ndërtojmë bashkë, një qytet që rreh ndryshe, që jeton me ritmin e kohës dhe që frymëzon të ardhmen. Faleminderit të gjithëve që ishit pjesë e kësaj përvoje unike”, shkroi kryebashkiaku Sotiraq Filo në rrjetet sociale, ku edhe ndau një album me pamjet nga mbrëmja e fundit, që e cilësoi si “magji nën yje”/atsh/

  • Festivali Galway, zemra kulturore e Irlandës

    Festivali Galway, zemra kulturore e Irlandës

    Në Irlandë, qyteti bregdetar i Galway çdo verë shndërrohet në një skenë të hapur të artit dhe krijimtarisë ndërkombëtare. Galway International Arts Festival (GIAF), është një ndër ngjarjet më të mëdha kulturore në Evropë dhe një pikë takimi për artistë, krijues dhe spektatorë nga mbarë bota.

    Me një program të pasur prej mbi 200 aktivitetesh të shpërndara në harkun e dy javëve, festivali që nga data 14 korrik deri më 27 korrik, ofron një përvojë të gjithanshme që përfshin teatër, muzikë, arte pamore, instalacione bashkëkohore, performanca rrugore dhe ngjarje letrare. Nëpër rrugët me kalldrëm të qytetit, galeritë intime dhe sallat historike të teatrit, publiku përjeton një përzierje të veçantë të traditës dhe risisë, të kulturës lokale dhe asaj globale, përcjellë KultPlus.

    Ky festival jo vetëm që sjell në skenë emra të njohur ndërkombëtarë, por shërben edhe si një platformë për të promovuar talentet e reja, duke krijuar ura mes brezave dhe stileve të ndryshme artistike. GIAF është një reflektim i shpirtit krijues të Galway, një qytet i vogël për nga përmasat, por i madh në ndikim kulturor.

    Atmosfera gjatë festivalit është e gjallë, me mijëra vizitorë që mbushin kafenetë, sheshet dhe baret e qytetit, duke ndarë pasionin për artin dhe kulturën. Në një botë gjithnjë e më të ndarë, Galway International Arts Festival mbetet një shembull i fuqisë bashkuese të artit dhe një kujtesë se kultura është zemra e çdo komuniteti./KultPlus.com

  • “ZA Fest” në edicionin e nëntë, artistë të njohur pjesë e festivalit

    “ZA Fest” në edicionin e nëntë, artistë të njohur pjesë e festivalit

    “ZA Fest” mbërrin në edicionin e nëntë. Festivali këtë vit do të sjellë artistët më në zë të momentit, duke bashkuar arti modern me traditën. Festivali “Za Fest” në edicionin e nëntë do të zhvillohet në datat 24, 25, dhe 26 korrik. Pjesë e këtij festivali janë Vlashent Sata, Armend Rexhepagiqi, Rednex, MC Kresha & Lyrical Son, Casadilego, Petrit Çarkaxhiu, Arbër Agalliu, Lorik Cana, Rafael Hoxhaj, etj. Skenë e këtij festivali, që vjen në edicionin e nëntë është bërë kalaja e Rozafës në Shkodër. “ZA Fest” është aktivitet kulturor i përvitshëm, krijuar nga pasioni i artistit të njohur Vlashent Sata. Festivali këtë vit është i mbështetur edhe nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. “Za Fest” lindi në 2017 në Theth për të bashkuar njerëzit nëpërmjet rizgjimit dhe rivlerësimit të kulturës sonë.
    Me muzikën dhe fjalën si bosht dhe si elementë kryesorë që na përfaqësojnë, festivali ka për qëllim vetëvlerësimin dhe modelin frymëzues që përshfaq vlerat tona. Njëherësh festivali fton artistë të zgjedhur nga e mbarë bota që mbartin në artin e tyre vlera. Si aktiviteti më i veçantë kulturor që ndodh në veri të Shqipërisë “Za Fest” bashkon njerëzit jo vetëm nëpërmjet estetikave të ndryshme të artit si muzika, teatri, poezi, etj, por edhe përmes bisedave, ku këmbehen përvoja e vihen në dukje modele të vyera për tu marrë shembull. Gjithashtu dhe nxitjen e turizmit, mbrojtjen e ndërgjegjësimin e natyrës, mbështetjen e grupimeve sociale në vështirësi, etj.

  • Rama ka një ftesë për qytetarët: Festivali ”Nona” në Përmet, udhëtim i veçantë në rrënjët tona

    Rama ka një ftesë për qytetarët: Festivali ”Nona” në Përmet, udhëtim i veçantë në rrënjët tona

    Showbiz E Hënë, 21 Korrik 2025 14:44
    Kryeministri Edi Rama ka një ftestë për qytetarët, që të ruajnë datat 8,9, 10 gusht për të vizituar Përmetin, ku në këto data mbahet një festival interesant i quajtur “Nona” e që këtë vit mbush 5 vjeç.
    “Festivali “Nona”, një udhëtim i veçantë në rrënjët tona, me zemrën plot. Festojmë bashkë me gjyshet më të dashura nga gjithë Shqipëria, në një festë plot dashuri, kujtime dhe muzikë në zemër të Përmetit”, shkruan kryeministri Rama duke kujtuar dhe datat 8-9-10 gusht.

    Ky do të jetë edicioni i pestë i Festivalit “Nona”, një ngjarje unike treditore që bashkon të gjithë njerëzit, brezat e rinj dhe të vjetër, ruan traditën dhe e kthen parkun qendror, gjatë fundjavës, në një shtëpi të madhe ku duket si shtëpia e gjyshes së të gjithëve.
    Duke qenë se ky festival, ka në thelb traditat dhe mjeshtërinë e gjysheve në gatim, njerëzit janë të ftuar të mblidhen për të ngrënë nga duart e gjyshes, për të qeshur dhe për të kaluar kohë me njëri-tjetrin. Festivali “Nona” synon të sjellë dialog midis brezave në vend të hendekut në rritje midis të moshuarve dhe të rinjve në jetën e përditshme urbane.

  • Tjetër tragjedi në Tomorrowland! Pas zjarrit që përfshiu skenën, një grua kanadeze humb jetën gjatë festivalit

    Tjetër tragjedi në Tomorrowland! Pas zjarrit që përfshiu skenën, një grua kanadeze humb jetën gjatë festivalit

    Një grua kanadeze, 35 vjeçe, humbi jetën pak orë pasi nisi festivali i muzikës elektronike Tomorrowland, në qytetin Boom pranë Antwerpës, Belgjikë. Ajo ishte pjesë e dhjetëra mijëra të pranishmëve që morën pjesë në natën e hapjes.

    Zyra e prokurorit në Antwerp konfirmoi se po heton vdekjen e gruas, e cila u dërgua menjëherë në spital pasi u ndje keq gjatë festivalit. Fatkeqësisht, ajo ndërroi jetë në spital. Autoritetet nuk kanë zbuluar ende shkakun e vdekjes dhe hetimet vazhdojnë.
    Debby Wilmsen, zëdhënëse e festivalit, tha për mediat: “Ajo mori ndihmën e parë mjekësore dhe u transportua në Spitalin Universitar të Antwerpës. Më vonë morëm lajmin e trishtë për ndarjen e saj nga jeta. Ngushëllimet tona të sinqerta shkojnë për familjen dhe miqtë e saj. Prokuroria e Antwerp-it po heton rrethanat e kësaj ngjarjeje dhe do të japë informacion shtesë sapo të ketë rezultate.”
    Festivali Tomorrowland u godit rëndë vetëm dy ditë para nisjes nga një zjarr i fuqishëm që shkatërroi skenën kryesore tematike të ngjarjes, e ndërtuar me shumë kujdes dhe kreativitet, me një koncept të veçantë të akullit. Pamjet dramatike treguan një shtëpizë e flakëve të mëdha dhe tym të dendur që mbuloi zonën.
    Megjithatë, organizatorët ishin të vendosur që festivali të vazhdonte edhe pa skenën kryesore, duke përballuar sfidën me vendosmëri dhe duke garantuar një përvojë të paharrueshme për rreth 400,000 vizitorë që priteshin gjatë fundjavës dhe javës në vijim.
    Skena e shkatërruar ishte planifikuar të presë emra të mëdhenj si David Guetta dhe Swedish House Mafia, por zjarri nuk e ndali entuziazmin e mijëra fansave që u mblodhën për të nisur festimet, edhe pse ceremonia e hapjes u vonua pak për shkak të pasojave të zjarrit.

    Top Channel

  • Festivali EXIT: Simboli i Novi Sadit drejt largimit nga Serbia?

    Festivali EXIT: Simboli i Novi Sadit drejt largimit nga Serbia?

    Foto ilustruese

    BEOGRAD- Në kalanë e Petrovaradinit, një nga simbolet e Novi Sadit, po zhvillohen përgatitjet e fundit para hapjes së festivalit muzikor EXIT, që për 25 vjet me radhë ka mbledhur qindra mijëra vizitorë nga mbarë bota. Megjithatë, akrepat e sahatit të njohur në kala – një simbol i vetë festivalit – mund të jenë duke u rrotulluar për herë të fundit për EXIT-in në Serbi. Organizatorët pretendojnë se po përballen me presion nga autoritetet për shkak të mbështetjes së tyre ndaj protestave, në të cilat demonstrues nga mbarë vendi, që tetë muaj, po kërkojnë përgjegjësi për vdekjen e 16 personave në një incident në Novi Sad – qyteti nga i cili e ka origjinën vetë festivali.
    Që nga 1 nëntori, kur ndodhi incidenti në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, festivali EXIT, sipas organizatorëve, është rreshtuar në krah të studentëve që udhëheqin protestat. Edhe vetë festivali lindi 25 vjet më parë nga një lëvizje studentore, që kontribuoi në rrëzimin e regjimit autoritar të presidentit të atëhershëm, Sllobodan Millosheviç, në vitin 2000. Ndërkohë, festivali është shndërruar në një simbol të njohur të Serbisë dhe, me rreth 200 mijë vizitorë çdo vit, është futur në hartën e festivaleve më të rëndësishme muzikore në botë.
    Por, siç theksojnë organizatorët, ndihma financiare për EXIT-in nga buxheti shtetëror i Serbisë është ndërprerë në të gjitha nivelet e pushtetit – atë republikan, krahinor dhe lokal.
    “Përveç ndalimit të financimit nga të gjitha nivelet e pushtetit, disa sponsorë afatgjatë në pronësi shtetërore janë detyruar ta ndërpresin bashkëpunimin me festivalin”, thuhet në një përgjigje të ekipit të EXIT-it për Radion Evropa e Lirë (REL).
    “I fundit në një Serbi të tillë”
    Mjetet shtetërore të mohuara përbëjnë rreth 15 për qind të buxhetit të përgjithshëm të festivalit EXIT. Organizatorët thonë se as Qeveria e Serbisë, as ajo e krahinës autonome, këtë vit nuk do të marrin pjesë në asnjë mënyrë në realizimin e festivalit, ndërsa në nivelin e qytetit të Novi Sadit kanë vetëm një bashkëpunim teknik me shërbimet komunale. Megjithatë, ata theksojnë se “nuk pranojnë të heshtin”, edhe pse e pranojnë se, në plan afatgjatë, nuk është e mundur të mbahet një festival i përmasave dhe reputacionit të tillë pa bashkëfinancim publik.
    Qeveria e Serbisë, Qeveria Krahinore dhe qyteti i Novi Sadit nuk iu përgjigjën pyetjeve të REL-it për mungesën e financimit dhe për akuzat për presion ndaj festivalit, deri në momentin e publikimit të tekstit.
    “Mbështetja jonë për studentët sot nuk është çështje zgjedhjeje, por çështje identiteti”, thuhet në një deklaratë të ekipit të EXIT-it.
    “Edhe pse me këtë mbështetje kemi vënë në rrezik 25 vite ekzistencë, besojmë se liria nuk ka çmim”, përfundojnë ata.
    Festivali i sivjetmë, jubilar, i 25-ti me radhë në kalanë e Petrovaradinit, është planifikuar të mbahet nga 10 deri më 13 korrik.
    Organizatorët e kanë përshkruar atë si “të fundit në një Serbi të tillë”.
    “Bashkë me studentët do të shënojmë 25 vjet bashkëjetesë. Nëse ky është vërtet EXIT-i i fundit në kala, atëherë le të jetë i paharrueshëm. Le të jetë më i fuqishmi deri tani”, kanë transmetuar ata mesazhin për publikun.
    Mbështetje nga studentët dhe yjet botërore
    Pas njoftimit të parë nga EXIT-i për mundësinë e largimit nga Serbia, studentët që po mbajnë të bllokuar disa fakultete në vend i kanë dërguar një mesazh: “Jemi të lindur nga e njëjta betejë” dhe “qëndrojmë së bashku në luftën për liri”. Studentët nisën bllokadat protestuese në fund të nëntorit të 2024-tës dhe, ndërkohë, janë shndërruar në një lëvizje që ka udhëhequr protestat masive kundër qeverisë gjatë tetë muajve të fundit. Përmes një postimi në rrjetin social Instagram, ata shprehën solidaritet me të gjithë ata që, siç thanë, janë ndëshkuar për mbështetjen ndaj protestave.
    “Paratë nga buxheti i shtetit i përkasin të gjithë qytetarëve, e jo partive politike në pushtet. Ato duhet të shërbejnë për të mirën e shoqërisë, e jo për të ndëshkuar organizatat ‘e padëshiruara’”, thuhet në deklaratën e studentëve në bllokadë.
    Ata theksuan se nuk e pranojnë idenë se “arti mund të ekzistojë vetëm nëse është i bindur, sepse çdo sulm ndaj arsimit dhe kulturës është sulm ndaj lirisë”. EXIT-it i është ofruar mbështetje nga shumë organizata, yje të muzikës nga rajoni dhe bota, figura publike, si edhe nga audienca ndërkombëtare që e ka ndjekur festivalin ndër vite.
    Përveç mbështetjes, edhe zëra kritikë
    Krahas valës së mbështetjes, një pjesë e opinionit në Serbi ka adresuar edhe kritika ndaj organizatorëve të EXIT-it.
    “Me kalimin e kohës, EXIT u shndërrua në një manifestim shumë fitimprurës dhe komercial. Nuk kam parë ndonjë qëndrim të qartë nga ana e tyre, mendoj se që nga vitet 2000 kjo është hera e parë që reagojnë në këtë mënyrë”, vlerëson për REL-in kritiku muzikor, Petar Janjatoviç.
    “Më vjen keq që festivali nuk ka reaguar politikisht më herët, duke vepruar sikur jetojmë në një vend krejtësisht normal, por nga ana tjetër më vjen mirë që tani kanë shprehur një qëndrim”, shton ai.
    Disa kanë kritikuar organizatorët për qëndrimin e tyre deri tani të paqartë dhe jo kritik ndaj pushtetit në Serbi, të drejtuar që nga viti 2012 nga Partia Përparimtare Serbe e Aleksandër Vuçiçit. Përkrahja për protestat studentore është vlerësuar nga disa si “e vakët” dhe “e pamjaftueshme”. Nga EXIT-i, megjithatë, përgjigjen se këto kritika vijnë nga ata që “nuk janë të njohur me aktivitetet e festivalit” ose që janë “me qëllim të keq”. Ata theksojnë se EXIT-i ka publikuar dhjetëra mesazhe mbështetjeje për studentët. Deklarata e parë, kujtojnë ata, u bë më 4 nëntor – vetëm pak ditë pas aksidentit në Novi Sad – ku kërkuan të zbulohet përgjegjësia e plotë për shembjen e çatisë në stacionin hekurudhor.
    “EXIT i ka mbështetur studentët që nga fillimi i bllokadave, përmes ndihmës logjistike dhe infrastrukturore,” thotë ekipi i festivalit për REL-in.
    Në ditët e fundit, përmes postimeve në rrjete sociale, ata kanë kërkuar lirimin e të gjithë studentëve të arrestuar pas protestës së madhe më 28 qershor në Beograd, dhe bllokadave të mëvonshme të rrugëve. Në përgjigjen për REL-in, organizatorët thonë, po ashtu, se kanë “angazhuar” disa yje ndërkombëtare të muzikës që të mbështesin studentët nga Serbia.
    “Më e rëndësishmja ndër ta është mbështetja nga ikona e aktivizmit shoqëror në industrinë e muzikës, themeluesi i Live Aid-it, Bob Geldof, i cili do ta hapë edhe edicionin e sivjetshëm të festivalit”, thuhet në përgjigje. Një mesazh për studentët serbë ka dërguar edhe këngëtarja Gala, hiti botëror i së cilës nga vitet ’90, “Freed from desire”, është kthyer në një nga himnet jozyrtare të protestave dhe bllokadave në Serbi.
    “Ju do ta shkruani historinë, sepse liria dhe dashuria janë ajo që kërkojmë,”- ka thënë ajo në një video të publikuar në llogarinë e EXIT-it në Instagram.
    Siç është paralajmëruar, kënga e saj do të këndohet gjatë ceremonisë së hapjes së festivalit, e cila i është kushtuar studentëve.
    Zërat e muzikëdashësve
    Natasha nga Novi Sadi kishte shkuar për herë të parë në EXIT në vitin 2009, kur ishte 18 vjeçe.
    “Për mua përfaqësonte një revoltë të të rinjve kundër sistemit, por tashmë nuk është më ashtu”, thekson ajo.
    Pas lajmeve për mundësinë që EXIT të largohet nga Serbia, fillimisht ishte e zhgënjyer.
    “Sepse, disi EXIT është simbol i Novi Sadit, dhe mendova të shkoj të paktën një ditë për t’u përshëndetur me të. Por, pastaj hulumtova pak më shumë, dhe arrita në përfundimin se e gjithë kjo mund të jetë false, ndoshta edhe një truk marketingu”, thotë ajo.
    Natasha kritikon qëndrimin e festivalit ndaj pushtetit: Thonë se po mbështesin studentët, por nuk ishin aty kur duhej. Tashmë nuk jam e sigurt nëse dua të shkoj fare këtë vit.
    Sandra, po ashtu nga Novi Sadi, dhe pjesëmarrëse në protestat studentore, mendon se EXIT, pavarësisht pretendimeve të organizatorëve, “nuk i ka mbështetur kurrë realisht studentët”.
    “Ato storiet në Instagram nuk do të thonë asgjë. Duhet të ndalojmë së trajtuari si viktima”, shton ajo. Këtë vit, ajo nuk e ka ndër mend të marrë pjesë në festival. Jelena, nga Novi Sadi, nga ana tjetër, thekson se do të ishte për të ardhur keq nëse festivali largohet nga Serbia.
    “Shpresoj që EXIT të mbetet, ndërsa të largohen ata që e kanë shtyrë drejt largimit”, thotë ajo, duke aluduar në pushtetin aktual në Serbi.
    Festivali, sipas saj, i sjell kujtime të bukura: Shoqërime deri në mëngjes me një ekip të mirë, këpucë të mbuluara me pluhur dhe këmbë të lodhura – por gjithmonë me buzëqeshje dhe energji pozitive.
    Për Ollgën, nga Novi Sadi, EXIT është shumë më tepër se një festival.
    “Është simbol i lirisë, bashkësisë dhe energjisë së veçantë që e ngjyros qytetin çdo vit”, thotë ajo.
    Ajo ka ndjekur festivalin rregullisht që nga viti 2013, dhe disa vite ka qenë edhe vullnetare. Për këtë arsye, i vjen keq që ekzistenca financiare e festivalit është vënë në pikëpyetje.
    “E kanë themeluar studentët dhe gjithmonë ka qenë një hapësirë mbështetjeje për të rinjtë. Mendoj se e drejta për qëndrim shoqëror nuk duhet të jetë arsye për të mohuar mbështetjen, sepse pikërisht ai shpirt lirie dhe iniciative e ka bërë EXIT-in të madh – dhe të rëndësishëm për gjithë qytetin tonë”, përfundon Olga.
    Sërxhani, nga Novi Sadi, kishte shkuar për herë të parë në festival në vitin 2007.
    “Për mua, EXIT është një dritare drejt një bote më të bukur dhe më të drejtë”, thotë ai.
    Ai përmend disa nga performancat më të dashura për të – që nga Manu Chao e deri te The Cure, Chemical Brothers dhe Fatboy Slim. Megjithatë, deklaratën e EXIT-it për ndërprerjen e mbështetjes shtetërore e konsideron “patetike”. Ai thekson se ka gjëra më të rëndësishme se fitimi, dhe se organizatorët nuk duhet të “ankohen” që u është hequr mbështetja.
    “Unë e kuptova njoftimin si një sinjal se ky është EXIT-i i fundit ‘në një Serbi të tillë’. Si të mos jenë të qartë as vetë organizatorët për mesazhin që duan të përcjellin – shpjegimi i tyre është i cunguar”, vlerëson ai.
    Ku mund të zhvendoset EXIT-i?
    Aktualisht nuk dihet se ku mund të zhvendoset festivali EXIT. Organizatorët theksojnë se, ndër vite, festivali ka organizuar mbi 50 ngjarje të ndryshme në plot 20 vende të botës.
    “Ftesa për ta zhvendosur festivalin në një shtet tjetër po vijnë nga disa vende të ndryshme”, shtojnë ata.
    Sepse, siç nënvizojnë, EXIT kontribuon në zhvillimin e turizmit, ekonomisë dhe kulturës. Sipas të dhënave të ekipit të EXIT-it, festivali i ka sjellë ekonomisë serbe rreth 300 milionë euro deri më tani. Ata shtojnë se nga ky festival kanë lindur dhjetëra ngjarje të tjera kulturore, dhe se EXIT ka ndikuar edhe në hapjen e shumë organizatave dhe kompanive brenda industrisë muzikore. Përkujtojnë gjithashtu rolin e EXIT-it në ndërtimin e pajtimit rajonal. Këtë rol e thekson edhe kritiku muzikor, Petar Janjatoviç.
    “Ka ndihmuar në rivendosjen e lidhjeve mes shteteve të dala pas shpërbërjes së Jugosllavisë”, thotë ai.
    Sipas tij, festivali ka qenë për shumë vite një “mikpritës i mirë” për artistët nga rajoni dhe nga vetë Serbia, të cilët, përmes EXIT-it, kanë pasur mundësi të prezantohen përpara një audience ndërkombëtare. Ai nënvizon edhe rolin e festivalit në ndërtimin e imazhit të Serbisë.
    “Pas viteve ’90 dhe epokës së Sllobodan Millosheviqit, kur Serbia kishte reputacion të dëmtuar dhe ishte në periferi të vëmendjes ndërkombëtare, papritmas u shfaq një festival që sillte emra të mëdhenj të muzikës, organizohej në mënyrë të jashtëzakonshme dhe mijëra të rinj nga e gjithë bota patën mundësi ta njihnin vendin tonë përmes tij”, thotë Janjatoviç.
    Në kalanë e Petrovaradinit, përgjatë dy dekadave e gjysmë, kanë performuar disa nga emrat më të mëdhenj të muzikës botërore – si Arctic Monkeys, The Cure, Nick Cave, Morrissey, Duran Duran. Në edicionin jubilar të sivjetshëm, të 25-tin me radhë, The Prodigy do të performojë për herë të gjashtë në këtë festival. Përveç tyre, disa nga emrat më të mëdhenj të këtij viti janë The Sex Pistols, në një formacion me Frank Carterin, si dhe DJ dhe producenti i njohur francez, DJ Snake.
    EXIT, deri më tani, ka fituar dy herë çmimin për Festivalin Evropian të Vitit./REL