Festivali Sunny Hill ka sjellë më shumë se muzikë në Prishtinë, ka sjellë para, imazh ndërkombëtar dhe jetë për ekonominë lokale. Sipas përllogaritjeve të bëra nga Oda e Hotelerisë dhe Turizmit, përfitimi ekonomik vetëm për kryeqytetin është mbi 22 milionë euro. Festivali u zhvillua për tri net me radhë në Prishtinë. Yjet botërore si Dua Lipa, Shawn Mendes, DJ Peggy Gou dhe Anitta, që kanë mbi 210 milionë ndjekës të përbashkët në rrjetet sociale, e kthyen për disa ditë Kosovën në qendër të vëmendjes globale.Miliona adhurues të tyre, ndonëse jo fizikisht, e kanë dëgjuar emrin e Kosovës përmes këtij festivali.Por përtej famës, festivali solli ndikim konkret në jetën ekonomike të Prishtinës e disa qyteteve tjera të Kosovës.Taksistët përshkonin pa pushim rrugët drejt Bërnicës, ndërsa hotelet, restorantet dhe dyqanet ishin të mbushura përplot.“Përfitime kanë pasur të gjithë – jo vetëm hotelet, por edhe gastronomia, ushqimi dhe shitësit e veshmbathjeve”, deklaroi Hysen Sogojeva nga Oda e Hotelerisë dhe Turizmit.Sipas tij përfitimet sillen nga 22 milionë euro.“Përmbi 22 milionë sillet që veç Prishtina i ka fitu këtu kanë fitu të gjithë, nuk ka fitu veç Prishtina me Hotele por të gjithë, ai i ushqimit ai i gastronomisë, ai i veshmbathjes”.Edhe sipas Dukagjin Lipës, organizator i festivalit, vetëm për një javë, Prishtina arkëton rreth 20 milionë euro. Këto të dhëna, sipas tij janë të bazuara në matjet e një kompanie britanike, që vlerëson ndikimin ekonomik të eventeve të mëdha.“Nuk ka biznes në Kosovë që ia sjell Prishtinës 20 milionë euro për një javë”, – u shpreh Lipa, duke theksuar se promovimi që Dua Lipa i bën vendit nuk mund të blihet me para.Ai tha se rreth 45% e pjesëmarrësve janë nga jashtë, përfshirë edhe diasporën, duke shtuar kështu ndikimin e festivalit në turizëm dhe në ndërkombëtarizimin e imazhit të Kosovës.Për më tepër, organizatorët e vlerësojnë shumë edhe sjelljen e publikut.“Që nga viti 2016, kur kemi filluar me koncertin e parë të Duas, nuk kemi pasur asnjë incident. Kjo është mburrje për Kosovën. E kemi rininë më të mirë që kam hasur ndonjëherë”.Edhe ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Kosovë, Hajrulla Çeku thotë se me zhvillimin e këtij festivali çdo vit Prishtina bëhet skenë ndërkombëtare.“Me vizionin e Dua Lipës dhe përkushtimin e ekipit të saj, Sunny Hilll ka krijuar një hapësirë ku muzika, arti dhe rinia jonë bashkohen me energjinë e botës. Çdo vit, Prishtina bëhet skenë ndërkombëtare, ku Kosova shihet, dëgjohet dhe vlerësohet për atë që është: e talentuar, krijuese dhe e hapur për botën. Dua është shembulli më i mirë se si dashnia për vendin mund të shndërrohet në veprim me ndikim të jashtëzakonshëm. Faleminderit, Dua Lipa. Faleminderit Sunny Hill Festival. Kosova është më e ndritshme edhe falë jush”, shprehet Çeku në rrjete sociale.Sunny Hill Festival është një nga ngjarjet më të mëdha muzikore dhe kulturore në Kosovë dhe në rajon, i cili zhvillohet çdo vit në Prishtinë. Themeluar nga Dua Lipa, artistja shqiptare me famë botërore, dhe babai i saj Dukagjin Lipa, festivali ka për qëllim të sjellë yje ndërkombëtarë në zemër të Ballkanit, duke promovuar Kosovën si një qendër të rëndësishme artistike dhe turistike.Festivali mbledh mijëra pjesëmarrës nga Kosova, rajoni dhe diaspora, duke sjellë ndikim të madh në ekonominë lokale, turizëm, gastronomi dhe kulturë. Përveç muzikës live nga emrat më të njohur botërorë dhe vendorë, Sunny Hill shërben edhe si platformë për promovimin e të rinjve, artit modern dhe kreativitetit urban.Sunny Hill është më shumë se një festival – është një lëvizje kulturore që lidh Prishtinën me botën dhe e bën Kosovën një destinacion atraktiv për artdashësit ndërkombëtarë.Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Tag: festivali
-

Festivali “Lumina”, atmosferë elektrizuese për adhuruesit e muzikës elektronike
Festivali i muzikës elektronike “Lumina Electronic” solli ritëm dhe atmosferë për të gjithë adhuruesit e muzikës elektronike.
Aktiviteti dëshmoi edhe një herë se Korça është jo vetëm një qytet i kulturës dhe historisë, por edhe i rinisë dhe energjisë së jashtëzakonshme.
Kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo e konsideroi këtë edicion të dytë të festivalit “Lumina”, si të jashtëzakonshëm.
Filo u shpreh se për dy net me radhë, parku “Rinia” u mbush me ritme elektrizuese, energji pafund dhe qindra të rinj që festuan muzikën moderne në një atmosferë që vetëm “Lumina” di ta krijojë.
“Ky edicion e forcoi më tej identitetin e festivalit si një nga eventet më të rëndësishme verore në Korçë, duke tërhequr vizitorë dhe adhurues të muzikës elektronike nga e gjithë Shqipëria dhe rajoni”, tha Filo, në një postim në rrjetet sociale.
Të rinj vendas dhe turistë të huaj u entuziazmuan, në një atmosferë që vështirë të përshkruhet me fjalë.
Lumina Electronic Festival është tashmë një traditë që do të vazhdojë çdo vit, me synimin për të rritur edhe më shumë ndikimin kulturor dhe turistik të Korçës, si një destinacion festash bashkëkohore dhe përjetimesh unike./atsh
-

Festivali i Teatrove në Suharekë mbahet nga 8 deri më 12 shtator, edicioni i gjashtë
Festivali i Teatrove këtë vit do të organizojë edicionin e tij të gjashtë, duke filluar më 8 dhe duke përfunduar më 12 shtator 2025. Ngjarja do të zhvillohet në Shtëpinë e Kulturës “Uke Bytyqi” në Suharekë, ku do të prezantohen shfaqje teatrale nga artistë vendas.
Ky festival tradicional synon të promovojë artin dramatik dhe të ofrojë një platformë për artistët dhe regjisorët e teatrit për të shfaqur talentin e tyre përpara publikut.
Organizatorët bëjnë thirrje për pjesëmarrje dhe mbështetje të gjerë nga qytetarët dhe dashamirësit e artit./KultPlus.com
-

Ministri Çeku: “RLIOF rikthen Prishtinën në qendër të muzikës operistike” pas edicionit të pestë me sukses
Festivali Ndërkombëtar i Operës Rame Lahaj (RLIOF) përmbylli me sukses edicionin e tij të pestë, duke kthyer Prishtinën në qendër të muzikës operistike për dhjetë net me radhë. Ky eveniment prestigjioz u zhvillua në ambiente të ndryshme të kryeqytetit dhe solli në skenë emra të njohur vendorë dhe ndërkombëtarë, të cilët ofruan koncerte dhe performanca të shkëlqyera artistike.
RLIOF tashmë është kthyer në një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në rajon, duke shërbyer si një platformë ku artistët e operës nga vende të ndryshme bashkohen me publikun kosovar për të përjetuar së bashku magjinë e këtij zhanri muzikor.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, në një postim në rrjetet sociale, shprehu kënaqësinë për suksesin e festivalit dhe falenderoi artistin Rame Lahaj dhe gjithë ekipin e tij për punën e palodhur dhe pasionin që kanë vënë në organizimin e këtij eventi. Ai theksoi rëndësinë e këtij festivali në promovimin e kulturës dhe muzikës klasike në Kosovë dhe për vendosjen e Prishtinës si një destinacion të rëndësishëm artistik.
“RLIOF është një hapësirë ku zërat më të mirë të operës bashkohen me publikun tonë në një përjetim të rrallë kulturor. Faleminderit Rame Lahaj dhe ekipit që po e bëjnë këtë festival një ngjarje të veçantë në kalendarin artistik të vendit,” shkroi Çeku.
Festivali përfshiu një gamë të gjerë koncertesh, recitalesh dhe eventesh kulturore që patën jehonë të madhe në media dhe mes publikut, duke tërhequr dashamirës të muzikës nga e gjithë Kosova dhe më gjerë.
RLIOF pritet të vazhdojë të rritet e fuqizohet në vitet në vijim, duke ofruar mundësi për artistët e rinj dhe duke promovuar trashëgiminë kulturore në skenën ndërkombëtare/KultPlus.com
-

Kurti në hapjen e DokuFest-it: Kultura si forcë për zhvillim dhe edukim
Nën dritat e Kalasë së Prizrenit dhe pranë rrjedhës së lumit Lumbardh, është hapur zyrtarisht edicioni i 24-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër – DokuFest. Në praninë e qindra artdashësve, festivali më i njohur i filmit në Kosovë nisi rrugëtimin e tij me një program të pasur që do të zgjasë nëntë ditë.Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e cilësoi këtë ngjarje si një motor të fuqishëm zhvillimi, duke theksuar ndikimin që DokuFest ka jo vetëm në fushën artistike, por edhe në atë kulturore, ekonomike dhe edukative. “Ka dëshmuar qëndrueshmëri ekonomike, shoqërore e artistike. Është një organizatë që lidh zhvillimin kulturor me zhvillimin lokal”, u shpreh Kurti, përcjellë KultPlus.Këtë vit, festivali sjell mbi 100 filma nga rreth 50 vende të botës, të ndarë në shtatë kategori garuese dhe të shfaqur në tetë kinema të ndryshme të qytetit. Përmes programeve të edukimit dhe përfshirjes në shkolla, DokuFest po ndihmon në rritjen e brezit të ri të kineastëve në vend.Kryeministri theksoi gjithashtu rritjen e përkrahjes institucionale për festivalin gjatë katër viteve të fundit, duke vlerësuar organizatorët për punën dhe pasionin e tyre.Prizreni tashmë ka hyrë në një atmosferë magjike që vetëm DokuFest di të krijojë./KultPlus.com
-

Festivali i 64-t i Këngës në RTSH, hapet thirrja për artistët. Dani: Eja nëse ke një këngë me shpirt dhe shqip
Showbiz E Premte, 1 Gusht 2025 21:23
Nisin ethet e Festivalit të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar. Stafi drejtues i Fest64 dhe RTSH kanë publikuar thirrjen për të gjithë artistët që do t’i bashkohen eventit më të rëndësishëm të muzikës shqiptare. Artistët që dëshirojnë të jenë pjesëmarrës në edicionin e 64-t të Festivalit kanë një muaj kohë, duke filluar nga data 1 shtator deri në 30 shtator, për dorëzimin e materialeve të tyre muzikore vetëm përmes email-it zyrtar [email protected].
Para dorëzimit të këngëve, Stafi drejtues i Festivalit ju kujton artistëve dhe krijuesve të sjellin vetëm krijime të reja dhe të papublikuara në asnjë formë tjetër. Në email çdo pjesëmarrës duhet të dërgojë:Këngën e plotë në formatin MP3;Orkestralen bashkë me zërat shoqërues në formatin MP3;Tekstin (poezinë) e këngës në formatin Word;Minutazhi i këngës nuk duhet të kalojë 4 minuta;Emrat e autorëve të këngës (kompozitor, poet, orkestrues, producent, studio realizuese);Ditën e lindjes, vendlindjen dhe vendbanimin aktual të këngëtarit;Një përshkrim të shkurtër të aktivitetit të këngëtarit, përfshirë pjesëmarrjet e tij në festivale, si Festivali i Këngës në RTSH, Kënga Magjike apo evente të tjera muzikore të rëndësishme (nëse ka);Fotografi të artistit ose grupit performues, nëse është hera e parë që merr pjesë në festivalin e RTSH;Artisti performues (këngëtari) duhet të ketë mbushur 16 vjeç;Numër kontakti dhe email për komunikim direkt me Stafin e Festivalit;Këngët e krijuara me ndihmën e inteligjencës artificiale (AI) do të skualifikohen menjëherë.Pas nisjes së materialeve, pjesëmarrësve do t’u dërgohet një email që konfirmon dorëzimin e tyre.
Festivali i Këngës në RTSH është një mundësi e shkëlqyer për çdo artist që dëshiron suksesin, pasi kënga fituese përfaqëson Shqipërinë në skenën magjike të Eurosongut. Shkodra Elektronike, fituesi i edicionit të 63-të të Festivalit, bëri sivjet një paraqitje dinjitoze që elektrizoi gjithë publikun në Bazel të Zvicrës.
-

Kayak Fest Kosova rikthehet me edicionin e dytë
Kayak Fest Kosova mbahet këtë vit nga data 8 deri më 10 gusht 2025 në Liqenin e Batllavës. Festivali u zhvillua për herë të parë në vitin 2024, dhe mbajti gara, trajnim fillestarësh, aktivitet për fëmijë dhe ambient festiv pranë ujërave të qeta të liqenit.
Programi përfshin gara kajaku për konkurrentë të shkallëve të ndryshme, muzikë live, kamping në natyrë, ekspozita pajisjesh, demonstrime të teknika dhe sigurisë dhe zona argëtuese për fëmijë. I gjithë organizimi është realizuar nga Federata e Kajakimit të Kosovës, përcjellë KultPlus.
Festivali ka për qëllim promovimin e kajakimit dhe sporteve ujore si relaks dhe aktivitet rekreative për të gjitha grupmoshat, forcimin e komunitetit dhe rritjen e ndërgjegjësimit për konservimin e natyrës. Vizitorëve u ofrohen hapësira për kamping, infrastruktura e duhur dhe një mjedis i sigurt me ndihmën e vullnetarëve dhe instruktorëve të licencuar.
Liqeni i Batllavës është ndër liqenet më të mëdha të Kosovës, me sipërfaqe rreth 3.29 km² dhe thellësi deri në 48 metra. Ai ndodhet rreth 13 km larg Podujevës dhe 30 km nga Prishtina, dhe njihet për peizazhet e bukura dhe ujërat e qeta që e bëjnë vendin ideal për sporte ujore./KultPlus.com
-

Masat e Policisë së Kosovës për mbarëvajtjen e festivalit ‘Sunny Hill’
Policia e Kosovës ndërmerr masa në aspektin e sigurisë, për mbarëvajtjen e festivalit ‘Sunny Hill’.
Policia e Kosovës, Drejtoria Rajonale-Prishtinë, ka ndërmarrë të gjithë hapat e duhur të sigurisë për mbarëvajtjen e festivalit “Sunny Hill” që do të mbahet nga data 01.08.2025 deri më 03.08.2025, në fshatin Bërnicë të komunës së Prishtinës, përcjellë KultPlus.
Marrë parasysh rrethanat që karakterizojnë festivalin, policia ka angazhuar një numër të konsiderueshëm të zyrtarëve policorë me detyra specifike në zonën ku do të mbahet festivali, shtuar këtu edhe zyrtarët e tjerë të angazhuar me detyra të përgjithshme në gjithë rajonin e përgjegjësisë.
E gjithë infrastruktura policore e angazhuar në këtë drejtim me vëmendje të shtuar do të monitoron rrjedhën e kësaj ngjarjeje duke qenë e gatshme për të trajtuar gjithçka që kërkohet brenda autorizimeve dhe kompetencës policore.
Angazhimet policore do të shtrihen në disa nivele, përfshirë:
Parapërgatitjen dhe ndërmarrjen e masave të nevojshme planifikuese, koordinuese, preventive dhe operative policore në terren, në mënyrë që festivali të zhvillohet në suaza normale të rendit dhe qetësisë publike;
Shtimin e masave preventive dhe operative-policore për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike para, gjatë dhe pas festivalit;
Sigurimin dhe menaxhimin e hapësirës ku do të zhvillohet festivali;
Rregullimin dhe kontrollin e trafikut rrugor përreth zonës së festivalit, përfshirë ndalesa të përkohshme, bllokime ose riorientime të rrugëve, varësisht nga nevoja;
Monitorimin e rendit publik për të parandaluar çdo sjellje asociale, të paligjshme apo të dëmshme për sigurinë kolektive;
Identifikimin dhe ndërmarrjen e masave adekuate ligjore me Prokurorinë e Shtetit ndaj të gjithë personave të cilët bien ndesh me ligjin;
Praninë e shtuar të patrullave në zonat përreth, për të rritur ndjesinë e sigurisë për qytetarët dhe vizitorët;
Ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme policore operative dhe hetimore, sipas ligjit dhe në varësi të situatës apo kërkesave që mund të paraqiten gjatë operacionit;
Koordinimin me organizatorët dhe institucionet e tjera për të siguruar reagim të shpejtë dhe efektiv ndaj çdo situate të papritur.
Për shkak të fluksit të madh të automjeteve dhe personave që pritet të frekuentojnë festivalin do të ketë bllokime të plota apo të pjesshme të rrugëve që qojnë për në zonën ku mbahet festivali si dhe ri-drejtim të trafikut rrugor, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim nga pjesëmarrësit në trafik.Për shkak të kufizimeve hapësinore të ndërlidhura edhe me faktorë të sigurisë dhe cilësisë së qarkullimit rrugor, do të ketë ndalimqarkullimi për të gjitha mjetet motorike në perimetrin e afërt ku do të zhvillohet festivali. Përjashtimisht do të lejohen automjetet e policisë, ndihmës së shpejtë, zjarrfikësve si dhe mjetet e autorizuara/akredituara në shërbim të festivalit.Varësisht nga rrjedha e situatës në terren mund të paraqiten rrethana që kërkojnë veprime të tjera policore në funksion të ri drejtimit të trafikut apo orientimit të pjesëmarrësve, porse në të gjitha rastet qytetarët do të instruktohen nga policët në pikat e caktuara./KultPlus.com
-

Festivali “Sunny Hill” këtë vit me edicionin më të madh ndonjëherë
Showbiz E Mërkurë, 30 Korrik 2025 09:39
Edicioni i sivjetëm mbahet prej 1 deri me 3 gusht me yjet të skenës ndërkombëtare si: Dua Lipa, Shawn Mendes, Fatboy Slim, Peggy Gou, Anyma, Headie One, MYGAL b2b Edgar Kerri, TSHA, Cil, Sienna Spiro etj.
Edicioni i sivjetshëm i “Sunny Hill Festival”-it sjell një nivel të ri madhështie, me skena gjigante që premtojnë një përvojë spektakolare për publikun.Skena kryesore ka përmasa mbresëlënëse: 62 metra gjerësi e mbi 30 metra thellësi dhe 18 metra lartësi, duke krijuar hapësirë për performanca të jashtëzakonshme vizuale dhe muzikore. Dua Lipa, Shawn Mendes, Headie One, Anyma, MYGAL b2b Edgar Kerri, TSHA, Cil, Sienna Spiro, Ledri, Yanina, Pint, Tayna, Era e Kida janë veç disa prej emrave që do të performojnë në këtë skenë.
Ndërsa, skena C4 është 34 metra e gjerë e mbi 20 metra thellësi dhe 13 metra e lartë, e disenjuar për artistët që sjellin energji alternative dhe eksperimentale duke ju mbajtur nën ritme të muzikës deri në orët e para të mëngjesit. Tommy Gold, Peggy Gou, Skream, Fatboy Slim, Bookie, Sugar Rush, Mochakk, Artssassin janë artistët që këtë edicion do performojnë në këtë skenë që këtë vit për herë të dytë, ia shton madhështinë festivalit.
Mos e lini pa vizituar edhe skenën “The next stage”. Organizatorët aty kanë krijuar një vend ideal për ata që kërkojnë një atmosferë të veçantë ku dominojnë zërat e artistëve të rinj.
Por “Sunny Hill” nuk është vetëm për muzikë. Festivali ofron edhe një përvojë të paharruar kulturore. Në parkun e festivalit këtë edicion do zënë vend mbi 10 tenda promocinale dhe argëtuese me lojëra interaktive e aktivitet të ndryshme. E aty, do zënë vend edhe mbi 15 vendës të ushqimit që do ofrojnë mundësi të ndryshme për të shijuar opsione me të mira nga kuzhina vendëse dhe ndërkombëtare.
E veçanta e këtij edicioni padyshim mbetet fakti se festivali “Sunny Hill”, këtë vit sjell më shumë artistë se çdo edicion tjetër.
Artistë ndërkombëtarë, yje të skenës botërore bashkë me emra të dashur nga skena vendëse dhe rajoni do e bëjnë këtë edicion të paharrueshëm.
Nëse tashmë nuk e keni siguruar biletën tuaj, atë mund ta blini në: https://sunnyhillfestival.com/tickets/ -

Ylli i The 1975 paralajmëron për kërcënimin ndaj vendeve të vogla për koncerte
Më shumë se 1,000 bare, pube dhe restorante në Mbretërinë e Bashkuar do të organizojnë ngjarje muzikore si pjesë e një festivali të ri kombëtar, të quajtur Seed Sounds Weekender, që do të mbahet në shtator. Kjo nismë ka mbështetjen e Matty Healy, këngëtarit të grupit The 1975, i cili ka paralajmëruar për shuarjen e hapësirave të vogla muzikore, vendet ku lindin yjet e së ardhmes.
“Vendet lokale nuk janë thjesht vende ku bandat e reja nisin karrierën, ato janë themeli i çdo kulture të vërtetë,” tha Healy në një deklaratë. “Pa to, nuk do të kishim The Smiths, Amy Winehouse apo The 1975. Do të kishim heshtje.”
Festivali synon të mbështesë hapësirat që quhen “seed venues”, vendet e para ku artistët e rinj bëjnë debutimin e tyre. Shembuj të këtyre hapësirave përfshijnë Grapes pub në Sheffield ku debutuan Arctic Monkeys, Rayner’s Hotel në Londër ku këndoi për herë të parë Amy Winehouse, dhe The Castle Hotel në Manchester, një nga skenat e para të The 1975.
Sipas organizatorëve, këto hapësira po përballen me sfida të jashtëzakonshme ekonomike. Sektori i mikpritjes në Mbretërinë e Bashkuar është në rënie, dhe mbi 370 pub-e pritet të mbyllen vetëm gjatë vitit 2025, sipas Shoqatës Britanike të Birrës dhe Pub-eve, që fajëson taksat dhe kostot e larta.
Kit Muir-Rogers, bashkëthemelues i platformës së muzikës live GigPig, tha se ky festival është “një moment për të bashkuar dhe për të festuar hapin më të rëndësishëm në rrugëtimin e një artisti”.
Sipas tij, ky lloj muzike tani po njihet gjerësisht si “seed music” dhe këto hapësira si “seed venues”, vende që mbjellin talentin që një ditë do të ngjitet në skenat më të mëdha si ajo e Glastonbury.
Matty Healy, ambasadori i këtij festivali, shtoi se rrënimi i financimeve për këto hapësira është simptomë e një tendence më të gjerë për të shkatërruar infrastrukturën demokratike që mundëson artin. “Në vend të saj, mbetet një ekonomi kulturore ku vetëm të privilegjuarit kanë mundësi të krijojnë, dhe ku mbijeton vetëm arti që sjell fitime të menjëhershme,” tha ai.
Seed Sounds Weekender do të mbahet nga data 26 deri më 28 shtator, në shumë lokacione në të gjithë Britaninë – për të kujtuar se muzika e vërtetë lind në bodrume, në lokale të vogla, dhe jo në zyra korporatash apo arena të mëdha./BBC/KultPlus.com
