Festivali Sunny Hill ka sjellë më shumë se muzikë në Prishtinë, ka sjellë para, imazh ndërkombëtar dhe jetë për ekonominë lokale. Sipas përllogaritjeve të bëra nga Oda e Hotelerisë dhe Turizmit, përfitimi ekonomik vetëm për kryeqytetin është mbi 22 milionë euro. Festivali u zhvillua për tri net me radhë në Prishtinë. Yjet botërore si Dua Lipa, Shawn Mendes, DJ Peggy Gou dhe Anitta, që kanë mbi 210 milionë ndjekës të përbashkët në rrjetet sociale, e kthyen për disa ditë Kosovën në qendër të vëmendjes globale.Miliona adhurues të tyre, ndonëse jo fizikisht, e kanë dëgjuar emrin e Kosovës përmes këtij festivali.Por përtej famës, festivali solli ndikim konkret në jetën ekonomike të Prishtinës e disa qyteteve tjera të Kosovës.Taksistët përshkonin pa pushim rrugët drejt Bërnicës, ndërsa hotelet, restorantet dhe dyqanet ishin të mbushura përplot.“Përfitime kanë pasur të gjithë – jo vetëm hotelet, por edhe gastronomia, ushqimi dhe shitësit e veshmbathjeve”, deklaroi Hysen Sogojeva nga Oda e Hotelerisë dhe Turizmit.Sipas tij përfitimet sillen nga 22 milionë euro.“Përmbi 22 milionë sillet që veç Prishtina i ka fitu këtu kanë fitu të gjithë, nuk ka fitu veç Prishtina me Hotele por të gjithë, ai i ushqimit ai i gastronomisë, ai i veshmbathjes”.Edhe sipas Dukagjin Lipës, organizator i festivalit, vetëm për një javë, Prishtina arkëton rreth 20 milionë euro. Këto të dhëna, sipas tij janë të bazuara në matjet e një kompanie britanike, që vlerëson ndikimin ekonomik të eventeve të mëdha.“Nuk ka biznes në Kosovë që ia sjell Prishtinës 20 milionë euro për një javë”, – u shpreh Lipa, duke theksuar se promovimi që Dua Lipa i bën vendit nuk mund të blihet me para.Ai tha se rreth 45% e pjesëmarrësve janë nga jashtë, përfshirë edhe diasporën, duke shtuar kështu ndikimin e festivalit në turizëm dhe në ndërkombëtarizimin e imazhit të Kosovës.Për më tepër, organizatorët e vlerësojnë shumë edhe sjelljen e publikut.“Që nga viti 2016, kur kemi filluar me koncertin e parë të Duas, nuk kemi pasur asnjë incident. Kjo është mburrje për Kosovën. E kemi rininë më të mirë që kam hasur ndonjëherë”.Edhe ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Kosovë, Hajrulla Çeku thotë se me zhvillimin e këtij festivali çdo vit Prishtina bëhet skenë ndërkombëtare.“Me vizionin e Dua Lipës dhe përkushtimin e ekipit të saj, Sunny Hilll ka krijuar një hapësirë ku muzika, arti dhe rinia jonë bashkohen me energjinë e botës. Çdo vit, Prishtina bëhet skenë ndërkombëtare, ku Kosova shihet, dëgjohet dhe vlerësohet për atë që është: e talentuar, krijuese dhe e hapur për botën. Dua është shembulli më i mirë se si dashnia për vendin mund të shndërrohet në veprim me ndikim të jashtëzakonshëm. Faleminderit, Dua Lipa. Faleminderit Sunny Hill Festival. Kosova është më e ndritshme edhe falë jush”, shprehet Çeku në rrjete sociale.Sunny Hill Festival është një nga ngjarjet më të mëdha muzikore dhe kulturore në Kosovë dhe në rajon, i cili zhvillohet çdo vit në Prishtinë. Themeluar nga Dua Lipa, artistja shqiptare me famë botërore, dhe babai i saj Dukagjin Lipa, festivali ka për qëllim të sjellë yje ndërkombëtarë në zemër të Ballkanit, duke promovuar Kosovën si një qendër të rëndësishme artistike dhe turistike.Festivali mbledh mijëra pjesëmarrës nga Kosova, rajoni dhe diaspora, duke sjellë ndikim të madh në ekonominë lokale, turizëm, gastronomi dhe kulturë. Përveç muzikës live nga emrat më të njohur botërorë dhe vendorë, Sunny Hill shërben edhe si platformë për promovimin e të rinjve, artit modern dhe kreativitetit urban.Sunny Hill është më shumë se një festival – është një lëvizje kulturore që lidh Prishtinën me botën dhe e bën Kosovën një destinacion atraktiv për artdashësit ndërkombëtarë.Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.