Tag: festivali

  • Festivali “Tirana Gate” me temë “Mesdheu dhe Evropa në letërsinë bashkëkohore -Arti i qëndrimit” në edicionin e 11-të

    Festivali “Tirana Gate” me temë “Mesdheu dhe Evropa në letërsinë bashkëkohore -Arti i qëndrimit” në edicionin e 11-të

    Festivali letrar ndërkombëtar për të rinj “Tirana Gate 2025” ka mbledhur autorë të letërsisë. Festivali nisi një ditë më parë edicionin e tij të 11-të dhe prej vitesh është pjesë në jetën kulturore në Tiranë. Festivali letrar ndërkombëtar për të rinj “Tirana Gate” po vijon dhe këtë vit panelet e diskutimit me autorë të pranishëm dhe vjen me temën “Mesdheu dhe Evropa në Letërsinë Bashkëkohore – Mesdheu: Arti i Qëndrimit”, një ftesë e hapur për të eksploruar rrjedhat e thella kulturore, historitë e ndërthurura dhe zërat e ndryshëm që vazhdojnë të zhvillojnë imagjinatën kolektive. Drejtoresha e festivalit, Irena Toçi u shpreh se u vendos që festivali të kishte si bosht Mesdheun, jo thjesht duke iu referuar një hapësire gjeografike së cilës ne i përkasim, por sepse Mesdheu është një kujtesë e përbashkët, një mozaik kulturash, nyje takimesh dhe shpeshherë edhe përplasjesh, një teatër i hapur ku breza të tërë kanë interpretuar dramën e jetës së tyre. Autorë nga Shqipëria, Italia, Greqia, Turqia,
    Suedia, Serbia, Kosova dhe Mali i Zi janë të pranishëm në panelet e diskutimit dhe do të lexojnë në gjuhët e tyre gjatë ditëve të festivalit. Paneli i parë dje me temë “Kohë të këqija për fjalën” u zhvillua me pjesëmarrjen e Maša Seničić nga Serbia dhe autorëve Manjola Nasit e Namik Dokle. Ndërsa autorët lexojnë solli Maša Seničić (Serbi), Enxhi Naumin, Namik Doklen dhe Genta Hodon. Paneli 2 me temë “Zërat e së ardhmes: Rinia, teknologjia dhe letërsitë e reja” u zhvillua me pjesëmarrjen e Enxhi Naumit, Xhensila Dautllarit, Diana Çulit dhe Genta Hodos. Ndërsa autorët lexojnë solli fragmente nga Sara Stridsberg nga Suedia dhe Alban Bala e Manjola Nasi. Edicioni i 11-të i festivalit letrar ndërkombëtar të të rinjve “Tirana Gate 2025” në ditën e parë solli dhe performancën e nxënësve të Liceut Artistik “Jordan Misja”. Festivali këtë vit do të vijojë deri në datën 10 tetor në Tiranë.

  • “Skampa” edicioni i 27-të, festivali i stileve dhe formave të reja teatrore me performanca nga vende të ndryshme të…

    “Skampa” edicioni i 27-të, festivali i stileve dhe formave të reja teatrore me performanca nga vende të ndryshme të…

    Nga Julia Vrapi
    Shfaqje teatrore nga trupa artistike shqiptare dhe të huaja në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit Kontemporan “Skampa”. Një festival i stileve dhe formave të reja teatrore sjell edhe këtë vit një larmi performancash nga vende të ndryshme të botës. Jo vetëm shfaqje teatrore, por edhe aktivitete të ndryshme do të zhvillohen në ditët e festivalit “Skampa 2025” që nisi në qytetin e Elbasanit  këtë vit edicionin e 27-të tij.  Regjisori i njohur Adonis Filipi, themelues dhe drejtor artistik i festivalit ndërkombëtar  “Skampa” shprehet për synimet e këtij festivali që nisi në Elbasan, e këtë vit sjell 11 shfaqje për publikun.
    Sipas tij ky edicion i 27-të i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit Kontemporan “Skampa” mban titullin “Extension” (Zgjerim/Shtrirje), si një ftesë për të zgjeruar kufijtë tanë të të menduarit, të ndjenjës dhe të përjetimit të artit. “Vlerësimi për të bukurën në të gjitha format e saj, si dhe dëshmia se arti i gjallë mbetet forca më e madhe për të reflektuar mbi botën tonë të ndërlikuar, janë synimi i këtij festivali: për të na lidhur me njëri-tjetrin dhe për të mirëpritur ndryshimin. Kohë e teatrit…”, shprehet Adonis Filipi, drejtor i festivalit. Më parë nga organizatorët e festivalit u zhvillua dhe një konferencë për mediat për edicionin e këtij viti, programin artistik të tij, etj.
    Nga data 2 – 6 tetor do të ngjiten në skenën e festivalit 11 shfaqje teatrore në qytetin e Elbasanit, por edhe në Tiranë, nga nëntë  trupa të ndryshme teatrore, mes të cilave: trupat e ardhura nga teatri shtetëror turk, ai i Ankarasë dhe i Stambollit, si dhe trupat nga Greqia, Kosova, Lituania, Serbia dhe Shqipëria. Sa i takon aktiviteteve të tjera në festival do të vijojnë dhe workshop-et, ekspozitat fotografike dhe promovimet e librave. Festivali “Skampa 2025” zhvillohet nën mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Bashkisë së Elbasanit dhe bashkëpunimin e Qendrës së Artit Elbasan, Ambasadës Greke në Shqipëri, Institutit të Kulturës turke “Yunus Emre Enstitüsü” – Tiranë, Universitetit të Arteve, teatri “Metropol” -Qendra Kulturore Tirana, etj.
    Dita e parë shfaqje nga Teatri Shtetëror i Ankarasë dhe Stambollit
    Festivali në ditën e parë të tij në program përmbante shfaqjen për fëmijë “Cikli i jetës” nga Teatri Shtetëror i Ankarasë, si dhe “Medea-Material” nga Teatri Shtetëror i Ankarasë dhe Stambollit.  Shfaqja për të rritur “Medea-Material” ndërthur mitologjinë dhe historinë, kujtimet dhe ëndrrat. Heiner Müller, i njohur për bashkëpunimet e tij me artistë të njohur si Brecht dhe Robert Wilson, ka frymëzuar krijues të disiplinave të ndryshme dhe konsiderohet si një figurë udhëheqëse e teatrit avangardë postmodern, si në Gjermani ashtu edhe në mbarë botën. Më herët në materialin për shfaqjen nga festivali bëhej me dije se pjesa e tij e vitit 1982 “Medea-Material” është vënë në skenë në turqisht për herë të parë përmes një bashkëpunimi midis Teatrit Shtetëror të Ankarasë dhe atij të Stambollit. Në vijim programi artistik i festivalit vijon sot me të tjera shfaqje, që do të jenë në ambiente të hapura apo dhe në skenën e teatrit të Elbasanit. Festivali ndërkombëtar “Skampa” çdo vit është dhe një prej ngjarjeve artistike të rëndësishme për teatrin që zhvillohen në këtë qytet, duke sjellë për publikun  trupa artistike teatrore të huaja dhe shqiptare me shfaqjet e tyre.
     

  • Festivali Ndërkombëtar i Video Artit “Gjon Mili” hapet në New York

    Festivali Ndërkombëtar i Video Artit “Gjon Mili” hapet në New York

    New York, 27 shtator 2025 – Edicioni i 3-të i Festivalit Ndërkombëtar të Video Artit “Gjon Mili” (IVAF) ka nisur zyrtarisht programin e tij në SHBA, me një hapje mbresëlënëse në Producers Club Theatres, në zemër të Manhattan-it.
    Kjo ditë e parë e festivalit në New York shënon një ngjarje të rëndësishme kulturore, ku artistë nga mbarë bota prezantojnë krijimet e tyre bashkëkohore nën temën “The Skin of the Light” (Lëkura e Dritës). Përzgjedhja e jurisë sjell në ekran vepra që eksplorojnë identitetin, kujtesën, marrëdhënien e njeriut me natyrën, por edhe dimensionet poetike të dritës, tingullit dhe lëvizjes.
    Përzgjedhja e Jurisë
    Programi i ditës nisi me seanca shfaqjesh nga ora 11:00 deri në 13:00 dhe vazhdon pasdite nga ora 17:00 deri në 19:00. Në këtë përzgjedhje shfaqen vepra të artistëve nga Italia, Shtetet e Bashkuara, Bjellorusia, Mbretëria e Bashkuar, Holanda, Polonia, Gjermania, Franca, Kina dhe Australia.
    Titujt e veprave përfshijnë:The Music Box (Itali)The Tree of Life (Itali)The Inherit (SHBA)Lake (Bjellorusi)Murphy Was An Optimist (Gjermani)Elemental Feelings (Mbretëria e Bashkuar)Quary (SHBA)Prayer of the Sea (Gjermani)In the Shadow of Small Acts (Australi)Let it Grow (Kinë), e shumë të tjera.Programi i MbrëmjesNë orën 19:30 do të mbahet një program special me dy shfaqje shqiptare:Absence of 21 – Video Art, 7’, nga Sara TafaramAlexander – Dokumentar, 72’, nga Ardit Sadiku
    Ndërsa në orën 21:30 mbrëmja do të mbyllet me një performancë stand-up comedy nga Romir Zalla.
    Një Urë Kulturore Ndërkombëtare
    Festivali “Gjon Mili” vijon misionin e tij si një urë kulturore mes vendeve dhe artistëve, duke nderuar trashëgiminë e fotografit dhe artistit të madh shqiptaro-amerikan Gjon Mili, pionier i dritës dhe lëvizjes në artin vizual.
    Ky edicion i 3-të i festivalit, pas Korçës dhe Dhërmiut, sjell tashmë në New York një përvojë unike artistike, ku arti bashkëkohor vizual bashkon kultura, gjuhë dhe përvoja njerëzore të ndryshme.

  • “Balkan Jazz Showcase” në edicionin e pestë në Universitetin e Arteve, një festival që po merr përmasa ndërkombëtare

    “Balkan Jazz Showcase” në edicionin e pestë në Universitetin e Arteve, një festival që po merr përmasa ndërkombëtare

     Nga Julia Vrapi
    Grupe muzikore me artistë shqiptarë dhe të huaj në koncertet e “Balkan Jazz Showcase”, që këtë vit zhvillon edicionin e pestë të tij. Festivali që vjen i fokusuar te artistët dhe muzika xhaz sjell një program të pasur muzikor. Festivali nis nga teatri i Vlorës, për të vijuar dhe me të tjerë grupe artistësh në netët e tij në Universitetin e Arteve.
    Jo vetëm muzikantë të njohur janë pjesë e këtij festivali, por një hapësirë e veçantë i kushtohet edhe artistëve të rinj. “Balkan Jazz Showcase 2025 (25-28 shtator) thuhet në njoftim për këtë edicion përfaqëson identitetin e një festivali gjithnjë e më ndërkombëtar, i cili mbi bazat e muzikës jazz ndërton një program të larmishëm, të hapur ndaj ideve të reja dhe në gjendje të përmbushë shijet e një publiku që rritet vit pas viti. “Ky organizim muzikor është i vetmi i këtij lloji në hapësirën ballkanike. I fokusuar totalisht tek artistët dhe Jazz-i ballkanik. Krahas promovimit të muzikës së artistëve të njohur të rajonit, një ndër qëllimet kryesore është krijimi i hapësirave për debutimin e muzikantëve të rinj. Vendosja e urave të komunikimit që marrin jetë edhe në projekte të tjera të përbashkëta. Në çdo edicion këto lloj bashkëpunimesh nuk kanë munguar. Çdo vit artistët shqiptarë vijnë me projekte të përbashkëta me muzikantë nga Ballkani dhe më gjerë. Veçanti e këtij edicioni të “Balkan Jazz Showcase 2025” është se zhvillohet në kuadër të veprimtarive që mbahen në Tiranë, si kryeqyteti mesdhetar i kulturës dhe dialogut”, thuhet në njoftimin e festivalit ndër të tjera. Festivali mirëpret yje ndërkombëtarë, talente në ngritje, virtuozë të muzikës jazz, muzikës etno-jazz ballkanike dhe ndërdisiplinore, performues eksperimentalë dhe inovatorë.  Në materialin rreth festivalit thuhet se “Jazz in Albania” në edicionin e tij të 15-të dhe projekti “Balkan Jazz Showcase” në edicionin e pestë do t’i japin vendit, sidomos qendrës së Tiranës, atë atmosferë që i shkon për shtat natyrës mikpritëse të kryeqytetit. Dy tipare janë karakteristike dhe mbeten të pandryshuara për organizatorët, cilësia e programit dhe formula që është konsoliduar ndër vite.
    Pjesëmarrësit në “Balkan Jazz Showcase 2025”
    “Adriatik Jazz Ensemble” nga Italia në festival është një formacion që ofron një mozaik tingujsh dhe një dialog të hapur ndërmjet dy kulturave (Itali-Shqipëri) ku muzika jazz merr trajta të reja, duke i mbajtur rrënjët në traditë, por edhe duke u frymëzuar nga jazz-i bashkëkohor dhe eksplorimi. Në vijim është “Argalios” nga Greqia. Një trio muzikore bashkëkohore që përzien rrënjët tradicionale me eksperimentime të guximshme. “Argalios” është vetë personifikimi i “Balkan Jazz Showcase”, sepse nuk paraqet thjesht traditën e Ballkanit, por i jep asaj një shpirt të ri, për ta ringjallur në kohët moderne. Pjesëmarrës në festival edhe Muhamed Ibrahimi nga Maqedonia e Veriut, një instrumentist dhe kompozitor, i cili vjen në skenën e “Balkan Jazz Showcase” me një prani të rrallë dhe origjinale. Me kitarë akustike, mandolinë, saze dhe instrumente të tjera me tela, ai krijon një gjuhë muzikore unike. İZ / ARA / SEYİR, Turkish Modal Music & Jazz, është një udhëtim muzikor që bashkon thellësinë e makame-ve turke me lirinë shprehëse të jazz-it dhe fuqinë e improvizimit. Në muzikën turke, arabe ose indiane modaliteti është thelbësor: makam-et ose raga-t përcaktojnë strukturën e melodisë, intervalet, lulet dhe strukturën që krijohet.  “Just Trio” nga Shqipëria është një hapësirë eksperimentale muzikore, ku secili prej instrumentistëve kontribuon me stilin dhe idetë e tij personale, duke krijuar një tingull unik që ndërthur folklorin ballkanik me ritmet dhe harmonitë e jazz-it modern. “UART Combo” është në vijim në programin e festivalit. Një ansambël i përbërë nga studentë të Degës së Muzikës Jazz në Universitetin e Arteve, i udhëhequr nga mentorët Andi Kongo (piano) dhe Emiljan Dhimo (bateri). Repertori i grupit përfshin kompozime të njohura standarde të jazz-it. Për organizatorët pjesëmarrja e këtij grupi në Balkan Jazz Showcase (Jazz in Albania) është shumë e rëndësishme, sepse u ofron studentëve të Universitetit të Arteve Tiranë të degës së muzikës jazz dhe jo vetëm- mundësinë për të përmirësuar aftësitë e tyre me profesorë që përfaqësojnë një nga metodat më prestigjioze të mësimdhënies në botë.

  • Zhani Ciko: Festivali i Këngës, ngjarja që ndryshoi fytyrën e muzikës shqiptare

    Zhani Ciko: Festivali i Këngës, ngjarja që ndryshoi fytyrën e muzikës shqiptare

    Në studion e emisionit “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH 1, maestro Zhani Ciko foli për rëndësinë e historike të Festivalit të Këngës, duke rikujtuar atmosferën e veçantë dhe ndikimin që ky festival ka pasur në jetën artistike shqiptare.

    Maestro Ciko theksoi se ky festival ishte një “bum” artistik në vitet e para të organizimit, që ndryshoi gradualisht imazhin e këngës shqiptare, duke e bërë atë një platformë të rëndësishme publike dhe televizive.
    “Populli është kronika e gjallë e jetës, dhe ato njerëz që akoma sot jetojnë janë ato që nuk i harrojnë mbresat e para. E ndoqa kolegun tim Jetmir Barbullushin i cili tregoi se e ndiqnin nga radio Festivalin e Këngës, ku festivali ishte një “bum” artistik në atmosferën e atyre viteve. Populli e priti shumë mirë, dyert e sallës që sot është universiteti i arteve ruheshin me polic. Festivali ndërroi imazhin e këngës shqiptare pak nga pak që nga edicioni i parë nga një faktor që merrte pjesë në jetën e njeriut u bë një paradë e cila doli në skenë dhe më pas në ekran”, u shpreh Maestro Ciko.

    Një tjetër moment i rëndësishëm i festivalit sipas Cikos ishte prezantimi i autorit të këngës në mikrofon, një risi që nisi me emrin e Avni Mulës. Ai theksoi gjithashtu rolin e dy dirigjentëve të orkestrës, Kristo Kotes dhe Agim Krajkës, të cilët sollën një kombinim të muzikës klasike dhe ritmike.
    “Në atë edicion nuk u dha çmimi i parë, por u dhanë 3 çmime të dyta, dhe 2 çmime të treta. Këngët këndoheshin në dy variante, për shembull kënga “Fëmija e parë” e këndoi Vaçe Zela por e këndoi dhe Qemal Kërtusha për të treguar se çfarë sjell një interpretim. Diçka tjetër e rëndësishme ishte se formacioni orkestral u dirigjua nga Kristo Kote, një muzikant shumë i mirë i cili drejtoi orkestrën tonë ;por ishte dhe formacioni ritmik i drejtuar nga Agim Krajka. Një fenomen i ri ishte që për herë të parë u shfaq në mikrofonin shqiptar vendi i këngë autorit, dhe ky ishte i pari në historinë e muzikës shqiptare që ishte Avni Mula. Pavarësisht prirjeve politike të asaj kohe në këngë nuk kishte të tilla”, tha ai.

  • Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Tiranë ndërpret partneritetin me ambasadën izraelite: Dënojmë gjenocidin

    Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Tiranë ndërpret partneritetin me ambasadën izraelite: Dënojmë gjenocidin

    Tirana Film Festival ka marrë vendimin ta ndërpresë bashkëpunimin dhe financimin nga ambasada izraelite. Në një deklaratë zyrtare në profilin e saj në Instagram, TIFF thekson se qëndrojnë fort kundër të gjitha formave të gjenocidit, dhunës, shtypjes dhe padrejtësisë.
    Deklarata shpjegon se meqënëse shteti izraelit i ndërpreu fondet Festivalit Ophir pas ndarjes së Çmimit për një film palestinez, tërheqja vjen edhe si simbolikë që TIFF-i mbështet lirinë, artin dhe artistët kudo që janë. TIFF thekson ndër të tjera se janë krenarë që qëndrojmë përkrah regjisorëve, artistëve dhe audiencës që e njohin kinemanë jo vetëm si një medium artistik, por si një forcë për empati, dialog dhe ndryshim.
    Deklarata e Plotë:
    TIFF, i themeluar në vitin 2003, ka qenë gjithmonë një festival i pavarur, i dedikuar kinemasë dhe lirisë artistike. Ne kemi jetuar vite diktature dhe e dimë thellësisht vlerën e lirisë dhe të drejtës për t’u shprehur përmes artit. Që nga fillimi, ne kemi promovuar zëra shpesh të heshtur dhe histori që frymëzojnë dialog, kreativitet dhe mirëkuptim. Gjatë viteve, festivali ka mbetur plotësisht i pavarur, i lirë nga ndikimi ose presioni politik. Kjo pavarësi është e qartë çdo vit në përzgjedhjet tona zyrtare, duke paraqitur filma nga më shumë se 120 vende. Fituesit e TIFF gjatë viteve janë provë e angazhimit tonë ndaj integritetit artistik dhe lirisë së zgjedhjes. Edhe këtë vit, përzgjedhjet tona nderojnë regjisorët, puna e të cilëve pasuron festivalin tonë, pavarësisht frymës së tij madhështore dhe buxhetit modest.
    Për ne, arti është gjithmonë më i rëndësishëm se politika. Ne qëndrojmë fort kundër të gjitha formave të gjenocidit, dhunës, shtypjes dhe padrejtësisë. Ne duam të krijojmë ura, jo barriera, dhe të nxisim dialogun dhe lidhjen përmes kinemasë. Për këtë arsye, ne kemi marrë masat e nevojshme sot duke hequr logon dhe partneritetin me Ambasadën Izraelite. Meqenëse shteti izraelit ndërpreu fondet e Festivalit Ophir pas ndarjes së Çmimit të një filmi palestinez, ne po tërhiqemi simbolikisht si një deklaratë parimore, një gjest solidariteti dhe një kujtesë se ne mbështesim lirinë, artin dhe artistët kudo që janë.
    Auditorëve, artistëve dhe mbështetësve tanë, u kërkojmë ndjesë për çdo shqetësim ose konfuzion që mund të ketë shkaktuar kjo. TIFF ju përket juve aq sa na përket neve dhe ne duam të vazhdojmë të festojmë kinemanë me ju, hapur dhe lirisht. Misioni ynë është më i fortë se kurrë: Të mbështesim artin në të gjitha format e tij, të amplifikojmë zëra të ndryshëm dhe të ofrojmë një strehë për shprehjen e lirë të ideve. Jemi krenarë që qëndrojmë përkrah regjisorëve, artistëve dhe audiencës që e njohin kinemanë jo vetëm si një medium artistik, por si një forcë për empati, dialog dhe ndryshim. TIFF do të vazhdojë të jetë një vend ku historitë gjejnë një skenë, një zë dhe një komunitet të gatshëm për të dëgjuar, ndërsa pavarësia dhe integriteti artistik mbeten në zemër të gjithçkaje që bëjmë. MENDO NDRYSHE, SHIKO NJËJTËSISHT

    Edicioni i 23-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Tiranë do të mbahet në datat 21-27 shtator dhe pjesë e ti janë filma nga disa vende. Festivali organizohet nën kujdesin e Institutit të Filmit në Tiranë, me mbështetjen e disa ministrive dhe Qendrës Kombëtare të Kinematografisë së Shqipërisë, Bashkisë së Tiranës dhe institucioneve dhe të tjera.
     

  • Mitrovicë, nis Festivali Tradicional i Komedisë “Mittrix Fest”

    Mitrovicë, nis Festivali Tradicional i Komedisë “Mittrix Fest”

    Edicioni i 15-të i Festivalit Tradicional të Komedisë “Mittrix Fest” ka nisur në Mitrovicë. Ky festival, tashmë i kthyer në një traditë dhe një nga ngjarjet më të rëndësishme teatrore në Kosovë, po zhvillohet në skenën e Teatrit “Muharrem Qena”, duke sjellë një sërë shfaqjesh komedie nga trupa teatrore vendore dhe rajonale.

    Përveç shfaqjeve konkurruese, MittrixFest XV ofron edhe punëtori të udhëhequra nga profesionistë të teatrit dhe kulturës, të cilat synojnë zhvillimin profesional të aktorëve, regjisorëve dhe të rinjve të pasionuar pas artit skenik.

    Për pesë ditë me radhë, publiku do të ketë mundësi të shijojë një program të pasur me shfaqje që sjellin humorin, artin dhe mesazhe të fuqishme sociale, duke e kthyer qytetin në një qendër të gjallë të kulturës.

    Festivali pasurohet gjithashtu me aktivitete të ndryshme si ekspozita artistike, vizita turistike promovuese të qytetit dhe trashëgimisë kulturore, eksplorime në Muzeun e Qytetit etj.

    Nga data 15-19 shtator 2025 në festivalin MittrixFest, të gjitha shfaqjet janë falas për publikun.

    ObserverKult

    Lexo edhe:

    LASGUSH PORADECI: GJUHA NUK KA FAJ, POR KA POETË QË S’DINË TË PËRKTHEJNË…

  • Festivali Europian i Filmit për të rinj/ Kompozitori i ndjerë Kujtim Prodani nderohet me çmimin special të mirënjohjes

    Festivali Europian i Filmit për të rinj/ Kompozitori i ndjerë Kujtim Prodani nderohet me çmimin special të mirënjohjes

    Edicioni i tretë i Festivali Evropian i Filmit për të Rinj që u mbajt për gjashtë ditë me radhë në kryeqytet, e ktheu Tiranën në një ekran të madh të kinemasë europiane.

    Regjisorë nga Kosova, Mali i Zi, Turqia, Gjermania, Bullgaria, Polonia, Italia dhe Suedia u bënë pjesë me filmat e tyre.
    Në natën finale, juria ndau çmimet për konkurrentët. ‘Shtëpia pa adresë’ i regjisores turke Hatice Askin u vlerësua si filmi më i mirë.
    Riprojektimet e disa filmave shqiptarë përgjatë ditëve të festivalit, u shoqëruan me diskutime nga pjesëmarrësit për sfidat e filmit para dhe pas viteve ‘90. Në natën finale, shfaqja e klasikut të restauruar shqiptar “Vdekja e Kalit” me regji të Saimir Kumbaros, u pasua nga një bisedë ekskluzive me Aktorin e Madh, Timo Flloko.
    Teksa kujtuan veprën e artistëve që kanë lënë gjurmë në kinemanë tone, organizatorët nderuan me çmimin special te mirënjohjes kompozitorin e ndjerë Kujtim Prodani, për realizimin e muzikës së filmit shqiptar “Unë e dua Erën”, të regjisorit Albert Minga.
    Për tre vite radhazi, Festivali Evropian i Filmit për të Rinj ka shërbyer si një urë lidhëse mes regjisorëve të rinj dhe audiencave të reja, duke promovuar energjinë e re të kinemasë evropiane.

    Top Channel

  • Festivali Evropian i Këngës – Holanda kërcënon të tërhiqet nga edicioni i 2026-ës nëse merr pjesë Izraeli

    Festivali Evropian i Këngës – Holanda kërcënon të tërhiqet nga edicioni i 2026-ës nëse merr pjesë Izraeli

    Holanda iu bashkua të premten listës në rritje të vendeve evropiane që kërcënojnë të tërhiqen nga festivali evropian i këngës Eurovision që mbahet vitin e ardhshëm në Vjenë të Austrisë. Transmetuesi publik holandez Avotros u shpreh në një deklaratë se “për shkak të vuajtjeve të rënda njerëzore që vijojnë në rripin e gazës, do të tërhiqet nga festivali nëse Izraeli merr pjesë në të”.
    Avotros bëri me dije se së fundmi kishte mbajtur bisedime me Unionin Evropian të Transmetimit rreth pjesëmarrjes së Izraelit në edicionin e 2026-ës dhe ndër të tjera kishte shprehur shqetësimin edhe për minimin e rëndë të lirisë së shtypit, duke iu referuar, ndërhyrjes së qeverisë izraelite në edicionin e këtij viti çka e cilësoi si përdorim të eventit muzikor si mjet politik.
    Së fundmi, qeveritë dhe transmetuesit e Islandës, Sllovenisë dhe Spanjës njoftuan se nuk do të marrin pjesë në Eurovision nëse Izraeli përfshihet në festival. Transmetuesi i Irlandës njoftoi të enjten se edhe ai do të bllokonte pjesëmarrjen e vendit të tij në festivalin e përvitshëm evropian të këngës.