Festa e titullit në La Liga nga skuadra e Barcelonës solli një mori episodesh për t’u kujtuar, për mënyrën se si u arrit suksesi i tretë i sezonit dhe çlirimin e tensionit të lojtarëve, veçanërisht më të rinjtë, por edhe veteranët.
Të gjithë përjetuan natën barcelonase me plot gëzim, pas muajsh me presion dhe nerva. Skuadra katalanase e tregoi edhe një herë miqësinë e fortë që ka brenda grupit, një nga çelësat e suksesit, si edhe lidhjen e thellë me tifozët, me të cilët ndihen një e të pandarë.
Një tjetër moment domethënës dhe për t’u kujtuar ishte ai i shpërndarë në rrjete sociale, ku shiheshin disa futbollistë të Barçës duke lëvizur nëpër bulevardin “Diagonal” me biçikleta të shërbimit publik “Bicing”, për të vizituar mikun dhe shokun e skuadrës Ferran Torres, i cili nuk mundi të ishte pjesë e festës, pasi ndodhej i shtruar në spital, duke u rikuperuar për operacionin e apandesitit që e la jashtë ndeshjes vendimtare të derbit për titullin.
Festa zgjati gjatë në “Luz de Gas”, diskoteka emblemë e Barcelonës, por përpara kësaj, Dani Olmo, Eric García, Pedri dhe Iñigo Martínez kaluan nga spitali i Barcelonës për të përshëndetur “peshkaqenin”, siç e quajnë Ferranin.
pic.twitter.com/Aih09LUZqB
— Jan Martínez Alquézar (@janmartinez011) May 16, 2025
Më herët, e gjithë skuadra kishte komunikuar me Ferran Torres përmes një videokonference, por ata donin ta takonin personalisht. Më pas, morën biçikleta nga shërbimi “Bicing” dhe shkuan drejt vendit ku festa do të vazhdonte.
Festa do të ketë vazhdim edhe me “Rúan”, që do të nisë pranë “Spotify Camp Nou” në orën 18:00 dhe do të përfundojë te Harku i Triumfit. Gjithashtu, të dielën, me rastin e ndeshjes Barça–Villarreal, do të zhvillohet ceremonia e dorëzimit të trofeut dhe një festë përmbyllëse me anëtarët e tifozët, pasi ndeshja e fundit e sezonit do të luhet në “San Mamés” kundër Athletic Club.






