Sonte në mbrëmje, spektakli i shumëndjekur “Ferma VIP 2” përmbyll edicionin e tij të dytë me një finale madhështore, që do të transmetohet live në ekranet e Vizion Plus dhe Tring, duke nisur nga ora 21:00.
Pas afro tre muajsh izolimi, sfidash të përditshme dhe përballjesh të forta, pesë konkurrentë kanë arritur të sigurojnë një vend në natën finale: Big Mama, Big Basta, Erandi, Andueli dhe Andrea. Finalistët janë përzgjedhur përmes një kombinimi mes votimit të publikut dhe performancës së tyre në sfidat e spektaklit.
Opinionistët e spektaklit, Zhaku dhe Kastro Zizo, ishin të ftuar sot në emisionin “7pa5” në Vizion Plus me moderatorët Alma Çelaj dhe Syrjan Rahova, ku ndanë mendimet e tyre për rrugëtimin e konkurrentëve dhe eksperiencën si pjesë e “Ferma VIP”.
I ndalur te Alba, një nga personazhet më të komentuara të këtij edicioni, Zhaku tha:
“Po, është bullizuar. Alba bëri shumë gabim që u largua nga loja, sepse humbi një shans të madh.”
Kastro shtoi:
“Të gjithë aty janë bullizuar. Në një analizë të thjeshtë, janë pjesë e një sistemi ku i ndjekin miliona njerëz. Si Alba, si Big Mama, si Elinara, apo edhe burrat aty, të gjithë kanë kaluar nëpër situata të tilla.”
Lidhur me “formacionin” final, Zhaku tha:
“Më erdhi keq për daljen e Elinarës. Do të kisha dashur ta shihja në finale. Edhe Esterin do e doja më gjatë në lojë. Por besoj se ata që janë, janë ndër më të dashurit nga publiku dhe ata që kanë krijuar më shumë debat.”
Ndërkohë, Kastro komentoi me një qasje më kritike:
“Katër burra dhe një grua në finale. Kjo është pasqyra reale e shoqërisë shqiptare. Edhe në spektakël, roli i burrit zë më shumë hapësirë. Por plus-minus, këta ishin të pritshëm në finale.”
Bashkëpunimi me Luanën: vetëm fjalë pozitive
Të dy opinionistët folën gjithashtu për përvojën e tyre në spektakël dhe bashkëpunimin me moderatoren Luana Vjollca.
Zhaku u shpreh:
“Jam shumë e kënaqur që punoj me Luanën. Është e përgatitur dhe shumë profesioniste. Madje disa më thonë që e teproj me lavdatat, por më vjen natyrshëm. Luana është e zonja.”
Kastro shtoi:
“Unë e njoh Luanën prej vitesh. Është mike familjeje. Ka bërë progres të madh në karrierë. Më vjen inat që shpesh paragjykohet për pamjen. Ajo vetë ka zgjedhur të paraqitet si ‘personazhi bjond’, por është shumë e zgjuar dhe punëtore.”
Në orën 21:00, publiku do të ndjekë finalen e madhe dhe do të zbulojë fituesin e “Ferma VIP 2”, ndërsa emocionet dhe surprizat pritet të jenë të shumta në këtë mbrëmje përmbyllëse.
/vizionplus.tv