Tag: fehmiu

  • Rrëfimi i Bekim Fehmiut pas xhirimeve të serialit të famshëm televiziv “Odisea” (1968)

    Rrëfimi i Bekim Fehmiut pas xhirimeve të serialit të famshëm televiziv “Odisea” (1968)

    Bekim Fehmiu

    “Radiocorriere” ka botuar, më 23 mars të 1968, në faqet n°32-33, një shkrim të gazetarit Antonio Lubrano në lidhje me bisedën e tij me Bekim Fehmiun pas mbarimit të xhirimeve të serialit televiziv “Odisea”, të cilin, Aurenc Bebja, e ka sjellë për publikun shqiptar:

    Nga Antonio Lubrano

    Takime pa kamera

    Bekim Fehmiu, aktori i ri që luajti heroin homerik, vjen nga teatri dhe kinemaja. “Odisea” do të ketë fytyrën e tij në të gjithë botën.

    Romë, mars.

    Në këtë orë, Bekim Fehmiu, Uliksi i televizionit, tashmë po qarkullon nëpër rrugët e Prizrenit pa mjekër. Në fund të shkurtit, puna e Odisea-s përfundoi në Romë, aktori, para se të nisej, bëri dy telefonata. Njërën me Branka Petriç, të dashurën në Beograd dhe tjetrën me nënën e tij që jeton në Prizren. “Kthehu me mjekrën”, i kërkoi mama Hedije. “Unë dua të shoh me të vërtetë se si je”. Dhe Bekimi e mbajti premtimin e dhënë. Ai ia solli mjekrën dhe pastaj e preu.

    Nga ana tjetër, ai nuk është tipi që ndjek modën me çdo kusht, sot mjekra duket shumë rebeluese tek të rinjtë por ai e ka lënë atë të rritet vetëm për nevoja profesionale, për hir të vërtetës homerike. “Shpresoj se është hera e parë dhe e fundit”, më thotë ai. “Sinqerisht kjo më shqetëson. Sapo shkoj në shtëpi, zac !…” dhe ai bën gjestin e rruajtjes. Mbase ia vlen të argumentohet se mund t’i hyjë në punë herën tjetër : në fakt, është thënë se një regjisor italian do të donte t’ia besonte Bekim Fehmiut rolin e protagonistit në një film për “Che” Guevara-n dhe revolucionari kuban kishte gjithashtu një mjekër.

    Fehmiu ka një fytyrë të drejtë, me rroba civile sigurisht që nuk duket si Uliksi dinak. Me gjatësi mesatare, shpatulla të forta, një unazë ari në gisht, ai ka mënyrën e thjeshtë të njerëzve që kanë besim në vetvete. Edhe nëse në sipërfaqe duken jashtëzakonisht të kujdesshëm. Ai dëgjon me kujdes secilën pyetje dhe para se të përgjigjet, hedh sytë sikur duhet të mprehë shikimin. Ai i shoqëron fjalët me një mimikë thelbësore dhe gjallërohet vetëm kur flet për teatrin dhe Prizrenin. (Gjatë Luftës së fundit Botërore, qendra u pushtua për tre vjet nga trupat italiane, nga 1941 deri në shtator të 1943).

    “I madhi Le Corbusier”, citon ai me krenari, “shkroi se vetëm katër vende në botë janë të mrekullueshme. Tre të parët nuk më vijnë në mendje tani por i katërti quhet Prizren. Në kohë, ai të kujton Venecian tuaj të lezetshme, edhe atje në fakt ka shumë kanale, madje dhe të vegjël. Shtëpitë janë të rrethuara me kopshte dhe secili kopsht është mbjellë me lule nga njëra anë dhe fruta nga ana tjetër. Një parfum, një heshtje …”.

    Bekim Fehmiu është 32 vjeç. Me origjinë shqiptare, ai lindi në Sarajevë më 1 qershor 1936, i gjashti nga një grup prej tetë fëmijësh, katër djem dhe katër vajza. “Por së shpejti e gjithë familja u zhvendos në Prizren, unë isha vetëm dy vjeç”. Babai Ibrahim dha mësim në një shkollë shqipe dhe do të donte që Bekimi të bëhej një prift (hoxhë) islamik. Ai pothuajse kishte vendosur ta dërgonte në Egjipt për të studiuar teologji, kur një mbrëmje – djaloshi 15 vjeçar – Bekimi u kthye nga kinemaja dhe i tha : “Baba, dua të bëhem aktor si Aleksandër Mojsiu”. “Mojsiu ? Por a e kupton që Moisiu ishte aktori më i madh shqiptar dhe ndoshta një nga më të njohurit në botë?”. Por ai nuk e kundërshtoi, përkundrazi e dërgoi në Prishtinë, një qytet gjashtëdhjetë kilometra larg, pikërisht në kufirin shqiptar, ku kishte një shkollë të mirë teatri.

    “Më bëri përshtypje,” thotë Bekim Fehmiu sot, “protagonisti i “Zemrës së çmendur”, një film anglez. Pas një kohe të gjatë emri është zhdukur nga kujtesa. Por aftësia e tij ishte një pranverë për mua, atë mbrëmje zbulova profesionin tim të vërtetë”.

    Udhëtimi nga Prishtina për në Beograd është mjaft i gjatë, por Bekimi i ri është i vendosur të përparojë. Ai tani është 18 vjeç dhe niset. Së pari, ai duhet të kapërcejë vështirësinë e gjuhës, ai di vetëm shqip dhe në Akademinë e Artit Dramatik ata nuk mund ta pranojnë atë.

    Pas gjashtë muajsh ai mësoi me përsosmëri gjuhën sllave dhe filloi të ndiqte shkollën prestigjioze. Në vitin 1956 ai dha provimin e parë, duke interpretuar “Antigonën” e Sofokliut. Nga më shumë se dyqind studentë që mbushin klasat e Akademisë, vetëm pesëmbëdhjetë pranohen çdo vit në kurset e mjeshtrit të madh të aktrimit Mata Millosheviç, dhe Bekim Fehmiu bën pjesë ndër këta fatlumë.

    Në vitin 1960 ai u diplomua si aktor dhe u dergua për të aktruar në Teatrin e Dramës Jugosllave, institucioni më i rëndësishëm artistik në Beograd, skena në të cilën kalojnë aktorët më të mirë në vend. “Unë gjithashtu mund ta konsideroj veten”, thotë ai pas një pauze, “si shqiptari i parë që është pjesë e atij teatri të famshëm”.

    Shansi i madh

    Nga momenti i debutimit të tij, Fehmiu ka korrur një seri suksesesh : ai fiton çmimin e parë në Festivalet e Teatrit Avangardë në Beograd, kinemaja e kupton menjëherë dhe për pak më shumë se gjashtë vjet ai xhiron njëzet e një filma njëri pas tjetrit, shumë prej tyre si protagonist. “In Clacson”, kisha si partnere Branka Petriç, të fejuarën time. Në fiksioni kinematografif ajo ishte gruaja ime”.

    Pastaj në Festivalin e fundit të Filmit në Kanë ai fitoi vëmendjen ndërkombëtare me filmin e Aleksandër Petroviç, “Unë gjithashtu kam takuar ciganë të lumtur”, i cili së shpejti do të shfaqet në ekranet italiane. Përfundimisht në vitin 1967 ai fitoi një çmim në Festivalin Bergamos si interpretues i Profesta-s.

    Sidoqoftë, mundësia e madhe iu paraqit atij vetëm pak se një vit më parë me Dino De Laurentiis. Ishte pikërisht producenti italian që i ofroi Bekim Fehmiut rolin kryesor, atë të UIiksit, në Odisean, seriali i parë evropian me ngjyra i porositur nga RAI-TV dhe i blerë tashmë nga kompanitë televizive në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermaninë Perëndimore dhe Francë.

    Emri i tij së shpejti do të zgjojë kureshtjen e audiencës familjare në të gjithë botën. Një rast i rrallë, mbase që nuk ekzistonte më parë në televizion. Ai është krejtësisht i vetëdijshëm për këtë dhe thjesht zbulon shqetësimin e tij : “Mund të jetë gjithashtu një shembje (rrëzim)”, thotë ai me kujdes. “Por është një rrezik për të cilin jam i apasionuar, e kam përballuar atë me entuziazëm menjëherë, që kur, tetë muaj më parë, fillova të xhiroja nën drejtimin e Franco Rossi-t. Më pëlqen të luftoj, i dua gjërat e vështira”.

    Durim dhe guxim

    Ai nuk ndërmerr hipotezën e kundërt, të suksesit të plotë dhe të menjëhershëm kudo që do të transmetohet shfaqja, por në thelb vetëdija se ka punuar me angazhim të thellë lejon që Fehmiu ta formulojë atë, të paktën brenda tij.

    Megjithatë, pas kësaj, publiku do të identifikojë lehtësisht karakterin homerik me aktorin e ri. Në të vërtetë, pse nuk përpiqemi të shohim nëse në të vërtetë ka ndonjë pikë të përbashkët midis Uliksit dhe Bekim Fehmiut? Dinakëria, për shembull, është arma më e mirë e Uliksit. Në rrjedhën e aventurës së tij, protagonisti shpesh u drejtohet shpërfytërimëve dhe gënjeshtrave për të shpëtuar veten dhe shokët e tij.

    A i pëlqen interpretuesit televiziv stili i Uliksit? “Besoj se jam njeri i sinqertë. Ndër cilësitë e karakterit tim preferoj dy veçanti: durimin dhe guximin”. Por a është Fehmiu, një person i durueshëm? “Varet nga rrethanat. Unë nuk jam i paduruar, por jo dhe e kundërta”.

    Çfarë lloj sirene preferoni? “Unë i dua të gjitha sirenat, përveç sirenave të alarmit ajror. Seriozisht, unë jam i bindur se gruaja vlen gjithmonë diçka më shumë se gjithçka që ekziston”.

    Uliksi zbret në Hades (Ade) për të mësuar për të ardhmen e tij. A jeni këshilluar ndonjëherë me një fallxhore? “Po, më kanë lexuar dorën, kohë më parë. Më thanë se do të vdes në moshën 32 vjeçare. Po e arrij. Por jam i sigurt se do të arrij të nëntëdhjetat”.

    A ju pëlqen të udhëtoni si Uliksi? “Sigurisht, por unë preferoj Prizrenin tim nga çdo vend tjetër. Unë nuk e kam parë atë që prej një viti”.

    Një vit larg? Epo, gjithnjë e më pak se Uliksi.

    Antonio Lubrano

    Episodi i parë i Odisesë transmetohet të dielën e 24 marsit, në orën 21:00 në Programin Kombëtar të televizionit./darsiani.com

    LEXO EDHE: KUSH ISHTE DASHURIA E PARË E BEKIM FEHMIUT?

  • Bekimi Fehmiu dikur tha:” Nuk është e lehtë të jesh shqiptar në Serbi”

    Bekimi Fehmiu dikur tha:” Nuk është e lehtë të jesh shqiptar në Serbi”

    Aurenc Bebja

    Revista “Variety”, më 14 prill 1993, në faqen 75 ka botuar intervistën e gazetares Deborah Young me aktorin e famshëm shqiptar, Bekim Fehmiun. Shkrimi është si më poshtë.

    “I vetmi superyll i vërtetë i dalë ndonjëherë nga Jugosllavia, aktori i filmit dhe teatrit, Bekim Fehmiu, është i njohur më së shumti për karrierën e tij unike në Hollivud – si plejboj amerikano-jugor te ‘Aventurierët’ e ‘Paramount’-it më 1970.

    Ai ishte gati për një kalim në Hollivud, pasi u bë yll ndërkombëtar me ‘Mbledhësit e puplave’. Ky shans i erdhi në momentin e fundit, kur një aktor rus, cigan i vërtetë, u largua.

    Dy dekada më parë Fehmiu e vizitoi botën si superyll i ardhshëm. Tani përpiqet të mbijetojë në një Beograd të shkatërruar nga lufta, si shqiptar i izoluar dhe i rrethuar nga lufta.

    Kur ‘Mbledëshit …’ morën çmim të madh në Kanë, dhe një audiencë amerikane më 1968, Fehmiu papritmas kërkohej. Gruaja e Dino De Laurentisit, Silvana Mangano, donte që ai të luante me të te ‘Edipi mbret’, por një angazhim tjetër e prishi atë projekt. Ndërkohë, gruaja dhe djali i Lewis Gilbertit panë ‘Mbledhësit …’ dhe regjisori i dha atij rolin e vrasësit të zonjave – Dax Xenos te ‘Aventurierët’.

    Fatkeqësisht, kur gjithçka u tha dhe u bë, Fehmiu kaloi nga ‘Mbledhësi i lumtur’ në një fatkeq. Filmi prej 15 milion dollarësh – një nga më të shtrenjtët të realizuar deri në atë kohë – dështoi; Fehmiu mori përsipër një pjesë të madhe të fajit. Ai i shuajti shpresat e tij në Hollivud.

    ‘Gabimi i madh i Gilbertit ishte të qenit shumë besnik ndaj romanit të Harold Robbins’, thotë Fehmiu, duke u kthyer prapa në kohë. ‘E bëri atë sikur të ishte duke përshtatur ‘Luftën dhe Paqen’’.

    Si 57 vjeçar, Fehmiu jeton në kryeqytetin serb, në Beograd. Edhe ai luajti rregullisht role dytësore në bashkëprodhime të huaja dhe pavarësisht se ishte ylli më i madh i Jugosllavisë në vitet 1960’70, një aksident i rëndë automobilistik e pengoi atë të interpretonte – nga viti 1978 deri në 1981. Edhe pse herë pas here ka xhiruar filma ose seriale televizive jashtë vendit, mendja e tij është fiksuar në luftën që ka copëtuar vendin e tij.

    ‘Nuk jam i interesuar të aktroj për momentin’, tha Fehmiu për ‘Variety’. ‘Jam shumë i shqetësuar për të gjithë situatën këtu’.

    Ai aktualisht mbështet shkollimin e katër të afërmve të tij pasi lufta shkaktoi mbylljen e disa shkollave. ‘Duhet të bësh punën tënde në çdo mënyrë që mundesh’.

    Fehmiu pranon se jeta nuk është e lehtë për të si shqiptar në Serbi. Ai jeton me gruan e tij dhe dy djem, njëri prej të cilëve, Uliksi, është aktor i ri në ngritje. Por, pavarësisht luftës dhe persekutimit të grupeve etnike, Fehmiu thotë se nuk do të largohet nga Beogradi. ‘Arratisja është gabimi më i madh. Ka serbë, shumë progresistë, por shumica e intelektualëve janë larguar nga vendi. Unë do të qëndroj dhe do të vdes këtu nëse kjo është e nevojshme”. /Darsiani/

  • Bekim Fehmiu u çudit kur vizitoi Shqipërinë: Pse në fusha punojnë gratë?

    Bekim Fehmiu u çudit kur vizitoi Shqipërinë: Pse në fusha punojnë gratë?

    Kur Bekim Fehmi vizitoi Shqipërinë

    Aktorit shqiptar me famë botërore Bekim Fehmiut, gjatë vizitës së tij në Shqipëri në majin e vitit 1972, iu bë përgjim i vazhdueshëm nga Sigurimi i Shtetit shqiptar…

    Në vazhdim gjeni raportin sekret të Sigurimit të Shtetit. U realizua nëpërmjet Drejtorisë së Zbulimit pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme, (Drejtoria e V-të). Mban datën 15 maj 1972, ku agjentët e shërbimit të fshehtë, survejuan, përgjuan dhe inçizuan (me teknikë operative) të gjitha bisedat e aktorit të famshëm shqiptar nga Kosova, Bekim Fehmiu, gjatë periudhës tre javore që ai qëndroi në Shqipëri.

    Raporti i Sigurimit të Shtetit për Bekim Fehmiun, botuar nga memorie.al, është si më poshtë:

    “1. Për sa i përket qëndrimit të serbëve ndaj Kosovës, ai kish një urrejtje të madhe për të gjithë trajtimin që u është bërë kosovarëve, burgosjen e të jatit etj, nga serbofilët. Bekim Fehmiu tregoi mjaft raste të formave të ndryshme provokime dhe vrasjesh në mas të familjeve të tëra kosovare nga serbët.

    ‘Njerzit e qeverisë, tha Bekim Fehmiu, lajmëronin se ata që duan të kthehen në Shqipëri, le të regjistrohen. Gjendeshin plot njerz patriot dhe njëkohësisht naivë, që binin në këtë kurth. Familjet e regjistruara i merrin veç e veç me kamion dhe ato zhdukeshin’.

    Duhet pranuar se ai ushqen iluzion për Titon. Për reformat e tij të fundit duke ja atribur çdo të keqe a gabim lidhur me Kosovën, Rankoviçit dhe pasuesëve të tij. Kurse simbas tij nuk ka patur dijeni dhe Pleniumi i IV-të deri diku i rregulloi punët. Nga përshtypjet e këtyre ditëve, deri diku mund të mendohet se po të ketë një informim më të mirë, është i prirur që të kuptojë drejt kontraditat ideologjike. Në biseda të ndryshme në rreth shumë të ngushte njerzish, përdornin si argument vetëm faktet që tregonte ai, Bekimi tha; sigurisht gjithë këto gjana nuk mund të jenë ba pa dorën e tij (Titos). Dihet ajo se ‘peshku qelbet nga koka’.

    Bekim Fehmiu kishte mendimin se Ansambli ynë duhet të shkojë patjetër në Jugosllavi. Se duhej të japë shfaqje kudo. Se është një ansambël i mrekullueshëm. Ai kishte dijeni lidhur me marrëveshjet kulturale midis vëndit tonë dhe Jugosllavisë. (me sa duket këtë ja kishin thënë në ambasadën jugosllave, ku shkoi dy herë gjatë kohës që qëndroi këtu).

    Për çështjen e marrëveshjes Bekim Fehmiu, kishte mendimin se, pavarësisht se pala jugosllave nuk ishte dakort që në marrëveshje të theksohej çështja e Kosovës, do të ishte mirë që të ishte nënshkruar. Pastaj të gjendeshin mënyra me zgjuarsi për të ndihmuar Kosovën. (këtë mendim e ka shfaqur në bisedat me shokët J. Mato. K. Obdari. E. Oktrova, dhe T. Bozo).

    2. I dëshiruar për emrin e mirë të Shqipërisë në të gjithë botën, mendon se ne duhet të çajmë më filmat dhe artin tonë në Europë. Për këtë ai u shpreh: ‘Europa do të dijë për Shqipërinë, prandaj duhet të çani me guxim me filmat tuaj. Mendimi se filmat tuaj janë të mirë nuk është vetëm i imi, por edhe i kolegëve të tjerë’… ‘Më ka imponuar thjeshtësia e temave dhe trajtimi i tyne’… ‘Duhet të keni kujdes çështjen e ndërtimit dramaturgjik dhe të skenarit’…. ‘Filmat të kenë më shumë ritën dhe dinamizëm’… ‘Mendoj që filmat duhen të largohen sa më shumë nga pllakataizmi dhe agjitacioni, të jenë sa më jetësorë dhe emocionalë’.

    3. Gëzohej kur shikonte në muzeumet tona që pasqyrohej lufta dhe historiku i Kosovës, por mendonte: ‘Dhe ky nuk është vetëm mendimi im, thosh-që duhet t’i jepet më tepër vënd propagandimit të historisë dhe Kulturës së Kosovës, sepse kjo do të na gëzonte së tepërmi’. Nga ana tjetër çmonte kujdesin tonë për të ruajtur Kosovën dhe kosovarët, kujdesin për të mos i dhënë shkas, shpërthimit të ndjenjave dhe persekutimeve nga ana e shovinistëve serbë.

    Ai shprehte një farë dyshimi lidhur me përkrahjen dhe lirinë që i është dhënë Kosovës, sepse thoshte ai: ‘serbët gjithmonë kanë qenë dinakë’.

    4. Bekim Fehmiu mendon se për të mirën e teatrit dhe artit Kosovar, do të ishte e nevojshme të vinin për studime në Institutin e Arteve, 4-5 studentë kosovarë. Kjo do t’i paiste ata me kulturë e disipline të vërtetë pune.

    5. Gjatë vizitës në Krujë, në përgjithësi mbeti shumë i kënaqur, por pati vërejtje lidhur me ndërtimet e reja të cilat janë krejt në kundërshtim me stilin e ndërtimeve të këtij qyteti muze. Veçanërisht pati vërejtje lidhur me arkitekturën e Muzeut të Skënderbeut që është ngritur në kala.

    6. Duke udhëtuar nëpër Shqipëri i bëri përshtypje jo të mirë, dhe këtë e shprehu sinqerisht, fakti se nëpër fusha punonin kryesisht gratë dhe vetëm pak burra.

    7. Ishte i etur të shikonte që në çdo qytet të valviteshin sa më shumë flamurë kombëtarë. Veçanërisht, tha: flamurë duhet të valëviten në Kalanë e Krujës, në Gjirokastër, në Tiranë, etj. Prandaj kur vajti në Vlorën e zbukuruar me flamuj të shumë kombëtarë me rastin e festës, u kënaq pa masë. ‘… Tani po më ngopet syri dhe zemra dhe po e ndjej vehten tamam në Shqipëri’.

    8. Në çdo bisedë tregohej i gatshëm për të luajtur në ekranin dhe filmat tanë, por nuk jepte përgjigjie për vepra konkrete. Kjo ndoshta se nuk e njeh literaturën tonë pas çlirimit. Kur u largua ju dhuruan disa libra si ‘Gjenerali i ushtrisë së vdekur’, ‘Përsëri në këmbë’, ‘Kështjella’, etj. Nga biseda rezultoj se ëndrra e tij ishte të luaj në film, rolin e Skënderbeut.

    9. Tha se nëna dhe motra e tij kanë kërkuar që të vijnë në Shqipëri, por ai shprehu shqetësimin nëse do t’i dalë shpejt viza ose jo. Mbasi ‘nënën e kam plakë’ – thoshte – ‘dhe ajo nuk dëshiron të vdesi pa e parë njëherë nënën Shqipëri’.

    10. Bekim Fehmiu shprehu dëshirën që të punonte vullnetarisht një ditë në aksion me goditje të përqëndruar (dhe theksoi; gjithë ditën).

    11. Në bisedën që pati me punonjësit e teatrit mbas shikimit të provave të dramës “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, natën e fundit pera nisjes ai tha: ‘…Më bëhet zemra mal që jam midis jush’, pastaj mbasi bëri disa vërejtje profesionale dhe shfaqi dëshirën që të luaj së bashku me aktorët tanë, përfundoi: ‘Në këtë zëmrën time të vogël, do të mundohem t’u përfshij të gjithëve’.

    Tiranë, më 15 maj 1972

    Drejtoria e V-të e Ministrisë së Punëve të Jashtëme” (sic.)

    ObserverKult

    ————————

    Lexo edhe:

    Ç’TË SHKRUASH?- JA KËSHILLAT QË I JEPTE ERNEST HEMINGUEJ

  • Testamenti i rrallë i aktorit të madh

    Testamenti i rrallë i aktorit të madh

     “Njeriu këndon pas luftës” nga Dushan Vasiljev, është poezia që Bekim Fehmiu e kishte lënë testament, për t’u recituar në mbledhjen komemorative në Prishtinë.

     

     

     
     
    Unë kam shkelur në gjak deri në gjuDhe ëndrra më nuk kam.Motra ime është shitur, nënës flokët e thinjur ia kanë prerëUnë nuk kërkoj hise në këtë botë lavire dhe të baltosur.Unë jam i etshëm për ajër, qumështDhe për këtë vesë të bardhë mëngjesi.Unë kam shkelur në gjak deri në gjunjëDhe nuk kam ditur pse?Vëllanë armik të madh e kam quajturDhe jam sulur në errësirë përpara duke klithurDhe atëherë edhe Zoti, edhe njeriu, edhe istikamiFluturojnë në ferr.Dhe sot i qetë shikoj se si cikërrimtari zgjebanTë dashurën grua ma përqafonSe si vërshima pullazin ma shpartallonDhe nuk kam dëshirë e as fuqi që t’i hakmirrem.Oh, më jepni vetëm një grusht ajër dhe qumështDhe pakëz vesë,Vesë të bardhë mëngjesiTë tjerat i paçit për nder.

     
    Aktori Bekim Fehmiu është një nga emrat më të dëgjuar shqiptarë të aktrimit. I lindur në Sarajevë në vitin 1936, ai do të bëhej i famshëm me filmin “Unë kurrë nuk kam parë ciganë të lumtur”, në vitin 1966. Deri në atë kohë, ai kishte studiuar dhe ishte bërë i njohur nga shumë shtëpi filmi nëpër botë.

     

     
     
    Ai është aktori i parë shqiptar i filmit dhe i teatrit, i cili ka luajtur me sukses në filmat dhe skenat e gjithë hapësirës së ish-Jugosllavisë. Ka qenë një nga përsonalitetet që ka lënë gjurmë në kinematografinë ballkanike, por mbi të gjitha, ai është i madh për kontributin artistik në kinematografinë botërore.