Tag: federale

  • Gjykatësja federale del kundër Trump, ndalon përkohësisht vendosjen e Gardës Kombëtare në Portland

    Gjykatësja federale del kundër Trump, ndalon përkohësisht vendosjen e Gardës Kombëtare në Portland

    Një gjykatëse federale ka bllokuar përkohësisht përpjekjen e administratës Trump për të vendosur Gardën Kombëtare në Portland, duke argumentuar se presidenti ka tejkaluar kompetencat kushtetuese dhe ka shkelur Amendamentin e Dhjetë.

    Në një vendim që përbën një pengesë të rëndësishme ligjore për Shtëpinë e Bardhë, gjyqtarja Karin Immergut, e emëruar vetë nga Trump, vendosi një urdhër të përkohshëm kufizues 14-ditor, duke e lënë Gardën nën komandën e guvernatores së Oregonit, Tina Kotek.
    Gjykatësja vlerësoi se incidentet e protestave, të cilat administrata i kishte cilësuar si “trazira të dhunshme” jashtë një objekti të ICE, nuk përbëjnë një situatë që kërkon ndërhyrje ushtarake federale. Ajo shkroi se veprimet e qeverisë federale rrezikojnë të turbullojnë ndarjen mes pushtetit civil dhe atij ushtarak.
    Sipas prokurorit të përgjithshëm të Oregonit, Dan Rayfield, shteti do të kërkojë zgjatje të urdhrit, i cili skadon më 18 tetor. Ai e quajti vendimin “një kontroll të shëndetshëm mbi pushtetin presidencial”.
    Administrata Trump kishte kërkuar federalizimin e 200 pjesëtarëve të Gardës Kombëtare të Oregonit për t’i dërguar në Portland. Por zyrtarët shtetërorë theksuan se këta ushtarakë ishin ende në fazë stërvitjeje dhe nuk ishin vendosur në terren.
    Vendimi i gjyqtares rikthen kontrollin mbi Gardën Kombëtare tek guvernatorja Kotek, e cila deklaroi:
    “Shpresojmë që Presidenti Trump të respektojë vendimin e gjykatës dhe sundimin e ligjit.”

    Top Channel

  • “Policia t’i rrëzojë dronët”, reagimi i ashpër pas paralizimit të aeroportit të Mynihut

    “Policia t’i rrëzojë dronët”, reagimi i ashpër pas paralizimit të aeroportit të Mynihut

    Kryeministri i landit gjerman të Bavarisë ka deklaruar se policia duhet të ketë autoritetin për të rrëzuar dronët e dyshuar, pasi objekte të tilla ajrore shkaktuan mbylljen e përkohshme të Aeroportit të Mynihut, duke lënë mijëra pasagjerë të bllokuar.
    “Incidentet me dronë tregojnë presionin intensiv me të cilin po përballemi. Nga tani e tutje, politika jonë duhet të jetë: t’i rrëzojmë, jo të presim. Policia jonë duhet të jetë në gjendje t’i eliminojë menjëherë dronët”, tha Markus Söder për gazetën Bild të premten.
    Lideri konservator rajonal, që drejton landin jugor të Bavarisë, kërkoi gjithashtu masa më të gjera sigurie, duke propozuar atë që e quajti “Kupola e Hekurt për Gjermaninë” për të mbrojtur infrastrukturën kritike dhe instalimet ushtarake.
    “Na nevojitet urgjentisht mbrojtje efektive për të gjithë infrastrukturën dhe objektet tona ushtarake”, theksoi Söder. “Bavaria po propozon legjislacion të përshpejtuar. Do ta trajtojmë këtë në mbledhjen e kabinetit tonë të martën. Qeveria federale duhet të përshtasë shpejt ligjet për sigurinë ajrore”, shtoi ai.
    Komentet erdhën pas shfaqjes së dronëve të enjten në mbrëmje, që detyruan autoritetet të ndalonin operacionet në Aeroportin e Mynihut, një nga nyjet më të ngarkuara të udhëtimit në Gjermani. Mbyllja, që nisi në orën 22:30 me orën lokale, la rreth 3 mijë pasagjerë të detyruar të kalonin natën në shtretër të përkohshëm ose në ulëse. Zyrtarët raportuan se 17 fluturime nuk mundën të uleshin dhe 15 të tjera u devijuan në aeroporte alternative.
    Pavarësisht angazhimit të ekipeve të specializuara në terren dhe helikopterëve të policisë, autoritetet bavareze nuk kanë arritur të identifikojnë se kush i operonte dronët apo të përcaktojnë natyrën e tyre të saktë. Shfaqje të ngjashme dronësh në Gjermaninë veriore javën e kaluar gjithashtu shkaktuan alarme, por hetuesit nuk arritën të identifikonin përgjegjësit.
    Më herët këtë javë, qeveria federale njoftoi plane për krijimin e një qendre kombëtare për mbrojtjen nga dronët, për të koordinuar mes autoriteteve shtetërore dhe federale në lidhje me kërcënimet nga dronët. Ministri i Brendshëm, Alexander Dobrindt, tha se qeveria do të ndryshojë së shpejti legjislacionin për të forcuar autoritetin ligjor të forcave të sigurisë për të kundërshtuar dronët e paautorizuar.

  • SHBA drejt mbylljes së qeverisë,750 mijë punonjës pritet të pezullohen

    SHBA drejt mbylljes së qeverisë,750 mijë punonjës pritet të pezullohen

    Bota E Enjte, 2 Tetor 2025 11:34
    Qeveria federale e Shteteve të Bashkuara përballet me një mbyllje të afërt, pasi Shtëpia e Bardhë paralajmëron se brenda dy ditësh mund të nisë pezullimi i përkohshëm i rreth 750,000 punonjësve Shkaku është mungesa e një marrëveshjeje për buxhetin në Kongres, që ka krijuar një ngërç politik mes republikanëve dhe demokratëve.
    Pezullimi do të prekë sektorët jo-thelbësorë, ndërsa shërbimet kritike si siguria dhe emergjencat do të vazhdojnë pa pagesë. Mbyllja pritet të ndikojë në funksionimin e agjencive federale, transportin ajror dhe shërbimet publike në mbarë vendin.

  • Rreth 750 mijë punonjës federalë mbesin pa punë, çfarë do të thotë mbyllja e qeverisë amerikane?

    Rreth 750 mijë punonjës federalë mbesin pa punë, çfarë do të thotë mbyllja e qeverisë amerikane?

    Mbyllja e qeverisë amerikane do të shkaktojë mbylljen e shërbimeve federale jo-thelbësore, pezullimin e disa shërbimeve publike dhe probleme në shumë sektorë, veçanërisht në transport.
    Rreth 750,000 punonjës federalë do të vendosen në pushim të detyruar, sipas një vlerësimi nga Zyra e Buxhetit të Kongresit (CBO) të publikuar të martën.
    Punonjësit federalë në sektorët që konsiderohen “thelbësorë” do të vazhdojnë të punojnë, por pa pagesë. Kjo kryesisht ka të bëjë me personelin ushtarak në detyrë aktive, forcat e sigurisë dhe të kontrollit kufitar, si dhe kontrollorët e trafikut ajror. E njëjta gjë vlen edhe për punëtorët në spitale ose në mirëmbajtjen e rrjetit elektrik.
    Punëtorët në sektorët jo thelbësorë do të vendosen në pushim të detyrueshëm dhe nuk do të paguhen derisa të miratohet një buxhet.
    Kjo do të thotë që disa parqe dhe muze kombëtare do të mbyllen pjesërisht ose plotësisht, se do të duhet më shumë kohë për të regjistruar në aeroporte, se inspektimet ushqimore dhe mjedisore do të reduktohen, si dhe se do të ketë probleme me programet e ndihmës ushqimore, të tilla si WIC, i cili është i destinuar për gratë dhe fëmijët që jetojnë në familje me të ardhura të ulëta.
    Një goditje për ekonominë
    Një pasojë tjetër e mbylljes është se publikimi i të dhënave statistikore mbi ekonominë amerikane do të vonohet, duke rritur pasigurinë e tregut.
    Për më tepër, Presidenti i SHBA-së Donald Trump ka thënë se “shumë gjëra të mira mund të dalin nga mbyllja dhe ne mund të heqim qafe shumë gjëra që nuk i duam dhe kjo do të ishte punë e demokratëve”.
    Nga ana e tij, drejtori i buxhetit të Shtëpisë së Bardhë, Russell Vote, paralajmëroi së fundmi se disa punonjës federalë që janë vendosur në pushim të detyruar mund të pushohen përfundimisht nga puna.
    Kostoja për ekonominë amerikane mund të jetë e lartë pasi sipas kompanisë së sigurimeve NationWide, çdo javë paralizë mund të ulë rritjen me 0.2 pikë përqindjeje.
    Kohëzgjatje e paparashikueshme
    Në fakt, paraliza fiskale në SHBA mund të zgjasë për aq kohë sa vazhdon përballja midis demokratëve dhe republikanëve, për sa kohë që asnjëra palë nuk bën ndonjë lëvizje kompromisi.
    Akuzat e ndërsjella kanë filluar tashmë, me Trumpin që ankohet se demokratët “duan të mbyllin gjithçka, por ne nuk duam”.
    Nga ana e tyre, demokratët kritikojnë republikanët për mungesën e gatishmërisë për të negociuar, ndërsa udhëheqësi demokrat i Senatit, Chuck Schumer, theksoi se qëndrimi i partisë së tij “nuk ka të bëjë me egon”.
    Me pak më shumë se një vit deri në zgjedhjet e mesit të mandatit të vitit 2026, të cilat do të përcaktojnë se cila parti kontrollon Kongresin për dy vitet e fundit të mandatit të Trump, llogaritjet elektorale mund të mbizotërojnë mbi gatishmërinë për kompromis.
    Mbyllja më e gjatë në historinë e SHBA-së dhe më e fundit, ishte 35 ditë dhe ndodhi në dhjetor 2018 nën administratën e parë të Trump. Mesatarisht, që nga mbyllja e parë në vitin 1976, paraliza fiskale në vend ka zgjatur tetë ditë. Sa më gjatë të zgjasë, aq më e brishtë do të bëhet ekonomia amerikane.

  • Nuk ka marrëveshje në Kongres! Çfarë pasojash sjell mbyllja e qeverisë amerikane

    Nuk ka marrëveshje në Kongres! Çfarë pasojash sjell mbyllja e qeverisë amerikane

    Foto ilustruese, MBYLLET QEVERIA AMERIKANE

    SHBA- Qeveria federale e Shteteve të Bashkuara ka hyrë zyrtarisht në mbyllje administrative, pasi mesnatën e së martës nuk u arrit asnjë marrëveshje buxhetore mes republikanëve dhe demokratëve në Kongres. Pezullimi i qeverisë pritet të ketë ndikime të gjera në jetën e përditshme të qytetarëve amerikanë dhe në funksionimin e institucioneve publike.
    Çfarë do të thotë kur një qeveri amerikane “mbyllet”?
    Sistemi politik amerikan kërkon që çdo vit, më 1 tetor, Kongresi të miratojë buxhetin për agjencitë federale. Në mungesë të një marrëveshjeje për financimin vjetor ose për një zgjatje të përkohshme (e quajtur rezolutë e vazhdueshme), shumë agjenci publike pezullojnë pjesërisht ose plotësisht veprimtarinë e tyre.
    Mbyllja nuk ndikon në të gjithë qeverinë – shërbime të rëndësishme si policia, patrullat kufitare, kontrollorët e fluturimeve dhe spitalet federale vijojnë punën. Por një numër i madh punonjësish federalë – qindra mijëra – vendosen në pushim të detyruar pa pagesë, duke shkaktuar efekte zinxhir në ekonomi dhe në shërbimet për qytetarët.
    Cilat shërbimesh preken?
    Parqet kombëtare, muzeumet dhe monumentet publike;
    Inspektimet e ushqimeve dhe shërbimet e sigurisë ushqimore;
    Programet për fëmijët, si Head Start (arsim i hershëm);
    Procesimi i aplikimeve për kredi studentore dhe përfitime sociale;
    Shërbimet tatimore dhe dokumentet për bursa;
    Pagesat për kuponët ushqimorë (SNAP), të cilat mund të ndërpriten nëse mbyllja zgjat.
    Ndërkohë, pagesat për pensionet dhe Medicare (programi federal i kujdesit shëndetësor për të moshuarit) vazhdojnë, por aplikimet e reja mund të mbeten pezull.
    Sa zgjat një mbyllje dhe cilat janë pasojat?
    Mbyllja më e gjatë në historinë amerikane ndodhi në vitin 2018, gjatë presidencës së Donald Trump, dhe zgjati 35 ditë. Ajo kushtoi ekonomisë rreth 11 miliardë dollarë, ndërsa mbi 800,000 punonjës federalë mbetën pa paga.
    Sipas zyrtarëve, nëse nuk arrihet një kompromis së shpejti, mbyllja aktuale mund të zgjasë më gjatë dhe të ketë ndikim më të thellë. Disa analistë paralajmërojnë se administrata Trump mund ta shfrytëzojë këtë situatë për të reduktuar në mënyrë të qëllimshme numrin e vendeve të punës jo-thelbësore në sektorin publik, gjë që do të përbënte një ndryshim të madh në filozofinë e administrimit shtetëror.
    Një krizë që përsëritet
    Që nga viti 1980, Shtetet e Bashkuara kanë përjetuar 15 mbyllje të pjesshme ose të plota të qeverisë federale. Veçantia e sistemit amerikan është se miratimi i buxhetit nuk është i lidhur me një votë besimi ndaj qeverisë, si në shumicën e vendeve të tjera – çka e bën këtë lloj ngërçi të mundshëm dhe të përsëritur.
    Mbyllja e tanishme konsiderohet një mbyllje e plotë, pasi asnjë nga 12 ligjet përkatëse buxhetore nuk është miratuar në Kongres.
    Një mbyllje e qeverisë amerikane nuk është thjesht një çështje politike, por prek drejtpërdrejt miliona qytetarë, ekonomi lokale dhe funksionimin e përditshëm të shtetit. Nëse nuk gjendet zgjidhje së shpejti, pasojat do të ndihen edhe më gjerë, përfshirë vonesa në udhëtime, pagesa publike dhe akses në shërbime jetike./ZËRI 

  • I riu shqiptar gjendet i varur në tabelën sinjalizuese në rrugët e Brukselit, mediat vendase: Metoda e njëjtë me ato që përdorin bandat meksikane

    I riu shqiptar gjendet i varur në tabelën sinjalizuese në rrugët e Brukselit, mediat vendase: Metoda e njëjtë me ato që përdorin bandat meksikane

    Trupi i një 29-vjeçari u gjet i varur në një tabelë sinjalizuese të dielën e kaluar në Bruksel.

    Viktima është me origjinë shqiptare, konfirmon prokuroria e Brukselit, e cila e konsideron ngjarjen si të dyshimtë dhe ka hapur një hetim.
    Në vendngjarje janë angazhuar Policia Federale Gjyqësore, një mjek ligjor dhe një hetues.
    Ende është herët për të përcaktuar rrethanat e sakta të ngjarjes, dhe nuk përjashtohet mundësia e vetëvrasjes, por gjithsesi bëhet fjalë për një akt dhune ekstreme.
    Trupi u gjet pranë Westland Shopping, jo larg zonës së Peterbos, një vend ky strategjik për trafikun e drogës në Bruksel. Edhe pse nuk ka ndonjë lidhje të konfirmuar midis bandës së Peterbos dhe trupit të gjetur, kjo ngjarje përbën një tjetër fakt të rëndësishëm në një zonë të ndjeshme të kryeqytetit.
    Nëse lidhja me trafikun e drogës konfirmohet, kjo ngjarje do të vendosë Brukselin në një situatë të re dhe shqetësuese. Një burim i mirëinformuar për gazetën La Capitale thekson se kjo ngjarje i ngjan metodave të përdorura nga bandat meksikane, të njohur për dhunën e tyre ekstreme dhe për përdorimin brutal të dhunës ndaj rivalëve, tradhtarëve apo atyre që nuk respektojnë rregullat e tyre.
    Në një intervistë për gazetën Het Laatste Nieuës, drejtori i Drejtorisë së Policisë Federale në Bruksel, Eric Jacobs, përmend praninë e mafias së Marsejës dhe të famshmes Mocro-Mafisou me origjinë veriafrikane. “Të gjithë përdorin të njëjtat metoda: kërcënime, vrasje,” thotë ai. Pyetja është nëse viktima e së dielës i përkiste kësaj bote mafioz dhe nëse u përdor si një paralajmërim për rivalët e tij. Hetimi i policisë do ta zbulojë këtë.
    Në një raport të Drejtorisë së Policisë Federale të Drejtësisë në gusht, shkruhet: “Në botën e nëndheshme ndodhin shumë gjëra, kërcënime, frikësime… po, edhe tortura. Nuk kemi raste aktuale të torturave në hetim, por kemi zbuluar raste të tilla nga deshifrimi i komunikimeve sekrete. Këto janë teknika të mafias.” Gazeta La Capitale ka raportuar disa raste të tilla më parë.

    Top Channel

  • DW/ Katastrofa infrastrukturore e Gjermanisë

    DW/ Katastrofa infrastrukturore e Gjermanisë

    Sa mund dhe duhet të shpenzojë shteti e për cilat projekte? Drafti i ministrit Federal të Financave dhe Zëvendëskancelari, Lars Klingbeil (SPD) për buxhetin e vitit 2026 po diskutohet dhe pritet të miratohet nga deputetët në fund të nëntorit. Një gjë është që tani e qartë: debatet nuk do të jenë të lehta. Shumë ministri duhet të operojnë me buxhete të reduktuara ndjeshëm, sepse të ardhurat nga taksat nuk janë të mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet qeveritare.

    Në fillim të diskutimeve për buxhetin, Klingbeil foli për kohë të vështira. Qeveria e CDU/CSU dhe SPD do të duhet të marrë “vendime të guximshme dhe ndonjëherë të pakëndshme”. “Do të jetë e lodhshme, do të jetë sfiduese”. Borxhi është i madh. Ka qenë vetëm më i lartë gjatë pandemisë së koronavirusit.

    Gërmimet të fillojnë sa më shpejt?

    Ministria Federale e Transportit fillimisht nuk ishte shqetësuar se do të prekej nga shkurtimet buxhetore, pasi rinovimi i infrastrukturës së rrënuar shihet si përparësi kryesore. Qeveria sapo ka miratuar një fond special prej 500 miliardë eurosh, të financuar nga borxhi, për infrastrukturën dhe mbrojtjen e klimës. “Vendi ynë është shkatërruar nga masat shtrënguese kursyese në shumë fusha. Ne duam që ekskavatorët të fillojnë punën sa më shpejt”, ishte kredoja e Ministrit të Financave Klingbeil.

    Prandaj ministri i Transportit Patrick Schnieder (CDU) priste që ministria e tij të përfitonte jashtëzakonisht shumë nga ky fond special.  Rrugët e transportit, d.m.th., autostradat, hekurudhat dhe urat, janë pjesë e infrastrukturës dhe gjendja e tyre nuk është në nivelin e duhur në Gjermani.

    Autostradat e Gjermanisë shtrihen afërsisht në 13,200 kilometra. Sipas Ministrisë Federale të Transportit, gjysma e tyre janë të dëmtuara. Duke përfshirë edhe autostradat federale, afërsisht 25,000 kilometra rrugë konsiderohen se kanë nevojë për rikonstruksion. Situata është edhe më kritike për urat e autostradave: Rreth 5,000 ura konsiderohen se kanë nevojë urgjente për riparim ose duhet të rindërtohen. Rrjeti i Deutsche Bahn është aq i rrënuar sa vetëm çdo tren i dytë arrin në destinacionin e tij në kohë.

    Vërtet që ministri i Financave, Klingbeil ka ndarë pothuajse dymbëdhjetë miliardë euro nga fondi special për Ministrinë e Transportit në vitin aktual fiskal. Në vitin 2026, kjo shifër pritet të kalojë 21 miliardë euro. Por ajo që Ministri i Transportit Schnieder sigurisht nuk e priste ishte që Klingbeil, në anën tjetër t’i ulte buxhetin aktual të ministrisë me dhjetë miliardë euro, në 28 miliardë euro.

    Kritika ndaj ministrit të Financave, Lars Klingbeil

    Ndërsa Klingbeil mohon se ka ndërmend të përdorë miliardat e kursyera për të mbushur boshllëqet në buxhet, opozita është tejet kritike. Qeveria kishte premtuar se kreditë nga fondi special do të përdoren vetëm për të financuar investime shtesë. Edhe ministri i Transportit reagoi i zemëruar. Jo vetëm se do të marrë më pak para, por edhe sepse i nënshtrohet kufizimeve shtesë. Përveç urave të autostradave që nuk mund të rinovohen, asnjë projekt ndërtimi ose zgjerimi i ri nuk mund të financohet nga fondi special. Për këtë qëllim është i planifikuar vetëm buxheti normal.

    Të zemëruar janë edhe në zonat e prekura nga ngrirja e punimeve të ndërtimit. Landet federale këmbëngulin që qeveria federale të vazhdojë të financojë projektet e planifikuara të ndërtimit dhe rinovimeve. Edhe grupi parlamentar CDU/CSU në Bundestag po e kërkon këtë. Duke pasur parasysh borxhin prej 500 miliardë eurosh, nuk mund t’i shpjegohet askujt se projektet e autostradave që janë gati për ndërtim nuk mund të financohen, tha Steffen Bilger, drejtor parlamentar i grupit të CDU/CSU.

    Në një takim të grupit parlamentar, Kancelari dhe kreu i CDU-së Friedrich Merz premtoi më në fund se do të bëhet gjithçka për të mundësuar numër sa më të madh të projekteve të reja të ndërtimit. Kjo tani do të diskutohet me SPD-në në koalicionin CDU/CSU.

    Në kërkim të zgjidhjeve kreative

    Fjala magjike është fleksibilitet. “Për momentin, struktura e fondit special nuk e lejon ende që ai të shfrytëzohet plotësisht”, tha ministri i Transportit Schnieder në fillim të diskutimeve për buxhetin në Bundestag. “Në procesin parlamentar, tani do të punojmë së bashku për të gjetur zgjidhje dhe fleksibilitet më të madh në investimet në transport.” Fillimisht, rinovimi dhe mirëmbajtja do të jenë përparësia. “Në buxhetet e ardhshme, duhet të përqendrohemi edhe në rritjen e ndërtimit të rrugëve të reja dhe hekurudhave.”

    Grupi parlamentar i SPD-së po dërgon sinjale të paqarta për këtë. Drejtori i grupit parlamentar, Dirk Wiese, tha se parimi i “mirëmbajtjes para ndërtimeve të reja” nuk do të thotë, sigurisht, se të gjitha projektet e planifikuara më parë nuk do të zbatohen më. Megjithatë, është gjithashtu përgjegjësi e Ministrit Federal të Transportit të vendosë përparësitë.

    Zyra Federale e Auditimit kritikon qeverinë

    Debati mbi autostradat dhe autostradat e reja nuk do të jetë e vetmja polemikë në diskutimet e buxhetit të ardhshëm. Kjo edhe pasi Zyra Federale e Auditimit, e cila mbikëqyr mënyrën se si shteti i shpenzon paratë e tij, po kërkon masa më të mëdha kursimi nga qeveria. Qeveria federale shpenzon  përtej mundësive thuhet në raportin mbi buxhetin e vitit 2026. Kushdo që planifikon të financojë pothuajse çdo të tretën euro “me kredi” është larg të paturit një sistem të shëndoshë financiar. Ekziston rreziku i një spiraleje borxhi, paralajmëron Zyra Federale.

    Ndërkohë, Kancelari Merz e  ka paraqitur ndërkohë një ide. “Vetëm investimi publik nuk mund të sigurojë atë që nevojitet në Gjermani dhe nuk mund të kompensojë atë që kemi lënë pas dore vitet e fundit në aspektin e investimeve, përfshirë infrastrukturën tonë.” Ekziston një interes i madh nga investitorët privatë për të investuar në infrastrukturën gjermane. “Pra, këto mund të jenë edhe projekte të përbashkëta midis sektorit publik dhe investitorëve privatë. Ne po planifikojmë të krijojmë projekte më të mëdha PPP (Partneritet Publik Privat) me Ministrinë e Transportit.”

  • Brazili lëshon urdhër arrest për Ervin Matën, Shqipëria kërkon ekstradimin, mediat e përshkruajnë si “manjat”

    Brazili lëshon urdhër arrest për Ervin Matën, Shqipëria kërkon ekstradimin, mediat e përshkruajnë si “manjat”

    Ervin Mata

    BRAZIL- I arratisur prej kohësh nga Shqipëria, Gjykata e Lartë Federale në Brazil ka lëshuar një urdhër-arrest për shtetasin Ervin Mata. Mediat braziliane shkruajnë se urdhri është lëshuar më 23 shtator 2025, pas kërkesës së qeverisë shqiptare për ekstradimin e tij. Mata akuzohet për drejtimin e një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të drogës.
    Sipas autoriteteve shqiptare, Mata dyshohet se është përgjegjës për tentativën për të transportuar 69 kilogramë kokainë nga São Paulo drejt Valencias, në Spanjë, përmes një ngarkese me lëng limoni në Portin e Santos. Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se, në shtator të vitit 2020, ai ka qenë i përfshirë në një tjetër aktivitet kriminal në Kolumbi, ku dyshohet se ka organizuar transportin e 240 kilogramëve kokainë drejt Frankfurtit, në Gjermani. Pas këtij operacioni, ai u largua nga Evropa dhe u vendos në Brazil.
    “Mata është i përfshirë edhe në financimin e disa vrasjeve, si dhe në skema të pastrimit të parave përmes kontratave hoteliere të lidhura me një spital publik në Tiranë, i regjistruar në emër të babait të tij. Edhe pse i arratisur, ai dyshohet se ka vijuar të përfitojë rreth 81 milionë lekë.”, shkruhet në artikullin e 180graus.com.
    Ai do të esktadohet në Shqipëri! Ndërkohë është zbardhur dhe vendimi i gjykatës braziliane që do e gjeni më poshtë!
    Vendimi i Gjykatës Federale në Brazil
    Në vendimin e tij, ministri Alexandre de Moraes thekson se paraburgimi është i domosdoshëm për të garantuar realizimin e procedurës së ekstradimit:“Paraburgimi është një kusht për procesin e ekstradimit dhe ka për qëllim të sigurojë ekzekutimin e çdo urdhri ekstradimi,” shkruan ministri në vendimin e tij. Ekzekutimi i urdhrit të arrestit duhet t’i raportohet menjëherë Gjykatës së Lartë Federale, Ministrisë së Drejtësisë, Interpol-it, si dhe misionit diplomatik shqiptar në Brazil./ZËRI

  • Ligj i ri në Kaliforni: Agjentët e emigracionit s’mund të veprojnë më me maska

    Ligj i ri në Kaliforni: Agjentët e emigracionit s’mund të veprojnë më me maska

    Kalifornia bëhet shteti i parë që ndalon përdorimin e maskave nga agjentët federalë të emigracionit. Guvernatori Gavin Newsom thotë se ligji synon transparencë, por kritikët e cilësojnë të rrezikshëm dhe antikushtetues.
    Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, synon të zbusë aksionin kundrë emigrantëve të paligjshëm, të paktën në shtetin e tij. Ai ka firmosur një projektligj që synon ndër të tjera edhe ndalimin e mabjtjes së maskave nga agjentët federalë të emigracionit, të cilët Newsom i quan “polici sekrete” që enden nëpër rrugë.
    Ky vendim vjen pasi autoritetet lokale kanë ngritur pikëpyetje mbi llogaridhënien, ligjshmërinë dhe respektimin e të drejtave të njeriut nga ana e zbatuesve të ligjit.
    Përveç ndalimit të maskave, paketa ligjore ka përfshirë edhe masa të tjera mbrojtëse për komunitetet.
    Agjentëve federalë u ndalohet të hyjnë në mjediset shkollore apo spitale pa një urdhër gjykate, ndërsa familjet duhet të njoftohen kur oficerët ndodhen në ambientet arsimore të fëmijëve të tyre.
    Ligji i ri i cili do të hyjë në fuqi më 1 janar 2026, dhe do të ketë përjashtime vetëm në raste kur do të përdoren në i operacionet e fshehta, apo për tu përdorur si masa mbrojtëse nga sëmundje.
    Por ky prokurur nuk ka ardhur pa kritika, Prokurori i Shtetit për Kaliforninë, Bill Essayli, i emëruar nga Presidenti Trump, deklaroi se Guvernatori nuk ka juridiksion mbi operacionet federale dhe se ky ligj “nuk do të ketë asnjë ndikim tek agjentët, të cilët sipas tij, do të ruajnë anonimatin për arsye sigurie.
    Ndihmës Sekretarja e Departamentit të Sigurisë Kombëtare, Tricia McLaughlin, e Sigurisë Kombëtare po ashtu e cilësoi si “të rrezikshëm dhe të papërgjegjshëm”, duke theksuar se ai “kompromenton sigurinë e oficerëve federalë dhe nxit klimë armiqësore ndaj ligjit”.
    Ndërsa nënshkruesit në mbrojtje të projektligjit u përgjigjën se “Askush nuk dëshiron që oficerë të maskuar të enden nëpër komunitetet e tyre dhe të rrëmbejnë njerëz pa u ndëshkuar”.

  • Administrata Trump nuk i ndahet Harvardit: Tregohuni të përgjegjshëm financiarisht nëse doni fonde federale

    Administrata Trump nuk i ndahet Harvardit: Tregohuni të përgjegjshëm financiarisht nëse doni fonde federale

    Administrata e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, po përshkallëzon fushatën e saj kundër Universitetit të Harvardit, duke vendosur kufizime të reja në fondet federale për ndihmën studentore, duke përmendur shqetësime në lidhje me “gjendjen financiare” të universitetit më të vjetër dhe më të pasur në vend.

    Departamenti i Arsimit i SHBA-së njoftoi se e kishte vendosur Harvardin nën “mbikëqyrje të shtuar të kapitalit” për shkak të “shqetësimeve në rritje në lidhje me gjendjen e tij financiare”.
    Sipas departamentit, ky regjim kërkon që universiteti të përdorë tani e tutje fondet e veta për të promovuar ndihmën federale të dhënë studentëve përpara se të jetë në gjendje të rikuperojë këto shuma nga shteti.
    “Studentët do të vazhdojnë të kenë qasje në fondet federale, por Harvardi do të duhet të mbulojë pagesat fillestare për të siguruar që universiteti shpenzon fondet publike në mënyrë të përgjegjshme”, tha Departamenti i Arsimit i SHBA-së në një deklaratë.
    Për më tepër, ministria kërkon që Harvardi të “sigurojë një letër krediti të pakthyeshme prej 36 milionë dollarësh ose një garanci tjetër financiare të konsideruar të pranueshme”.
    Ky sulm i ri ndaj universitetit vjen menjëherë pas fitores së parë ligjore të Harvardit kundër administratës Trump, e cila e akuzon atë se shërben për të kultivuar ideologjinë “woke” dhe se nuk ka mbrojtur në mënyrë adekuate studentët e saj hebrenj gjatë protestave pro-palestineze.
    Më 3 shtator, një gjyqtare e Bostonit urdhëroi qeverinë të anulojë një ngrirje fondesh prej rreth 2.6 miliardë dollarësh. Në vendimin e saj, gjyqtarja akuzoi qeverinë për “përdorimin e antisemitizmit si një perde tymi” për të nisur një sulm “të motivuar ideologjikisht”.
    Harvard, i cili nuk ka reaguar ndaj vendimit të Ministrisë së Arsimit, njoftoi dje se ka filluar të rikuperojë disa nga fondet që ishin ngrirë.
    “Jemi të kënaqur të njoftojmë se Departamenti i Shëndetësisë ka dhënë 46 milionë dollarë në fonde kërkimore. Ky është një hap i parë dhe shpresojmë të shohim të gjitha fondet tona të rikuperuara nga të gjitha agjencitë qeveritare”, tha universiteti në një deklaratë.

    Top Channel