Tag: federale

  • Sulm kibernetik ndaj rrjeteve federale në SHBA

    Sulm kibernetik ndaj rrjeteve federale në SHBA

    Zyrtarë të qeverisë amerikane njoftuan të mërkurën se rrjetet federale janë bërë objektivi i një “kërcënimi të rëndësishëm kibernetik” që po përpiqet të shfrytëzojë dobësi në produktet e kompanisë së njohur të sigurisë kibernetike, F5.
    Në një deklaratë zyrtare, Agjencia për Sigurinë Kibernetike dhe të Infrastrukturës (CISA) paralajmëroi se këto dobësi mund t’i lejojnë aktorëve kërcënues të kenë akses lateral në rrjetet e organizatave, të vjedhin të dhëna sensitive dhe të sigurojnë qasje të përhershme në sistem, me rrezik të lartë për kompromentim të plotë të rrjeteve të synuara.
    Sulmi zbuloi edhe dobësi të brendshme në F5

    Kompania F5 pranoi më herët se kishte zbuluar qasje të paautorizuar në disa prej sistemeve të saj, por theksoi se incidenti nuk kishte ndikuar në operacionet ditore të saj.
    Sipas dokumenteve të dorëzuara në Komisionin Amerikan të Letrave me Vlerë (SEC), F5 ka identifikuar ndërhyrjen më 9 gusht dhe ka ndërmarrë masa të gjera për ta izoluar kërcënimin, duke angazhuar kompani të specializuara si CrowdStrike, Mandiant, NCC Group dhe IOActive për hetimin e ngjarjes.
    Sipas hetimeve, hakerët kishin arritur të kishin akses afatgjatë në sistemet e brendshme të përdorura për zhvillimin e softuerit të njohur BIG-IP, duke vjedhur pjesë të kodit burimor dhe informacion rreth cenueshmërive ende të pazbuluara publikisht.
    Sistemet thelbësore nuk janë komprometuar, por alarmi mbetet i lartë
    F5 deklaron se nuk ka prova që cenueshmëritë thelbësore të jenë përdorur në ndonjë sulm apo që procesi i zhvillimit të softuerit të ketë qenë i kompromentuar.
    Megjithatë, kompania ka konfirmuar se disa informacione të klientëve janë komprometuar dhe se po i kontakton drejtpërdrejt ata për masat e mëtejshme.
    Pas incidentit, F5 po forcon më tej kontrollet dhe infrastrukturën e saj të sigurisë.
    Ndërkohë, Departamenti Amerikan i Drejtësisë kishte kërkuar shtyrjen e publikimit të këtij incidenti deri më 12 shtator, për arsye të sigurisë kombëtare.

  • Trump nis valën e re të pushimeve nga puna/ Panik te punonjësit federalë amerikanë: Nuk kam akses në e-mail, do të thotë se…

    Trump nis valën e re të pushimeve nga puna/ Panik te punonjësit federalë amerikanë: Nuk kam akses në e-mail, do të thotë se…

    Punonjësit federalë në Shtetet e Bashkuara po përjetojnë panik dhe pasiguri, ndërsa administrata Trump ka nisur një valë të re pushimesh masive gjatë një pezullimi të qeverisë federale.

    Mungesa e qasjes në e-mail-et zyrtare ka bërë që shumë të mos mund të verifikojnë nëse kanë marrë njoftime për pushim.
    Sipas autoriteteve, rreth 4,200 punonjës federalë në shtatë agjenci u pushuan nga puna të premten, megjithatë, rreth 700 nga këto njoftime te Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) u anuluan gjatë fundjavës.
    Një nga problemet më të mëdha është se në Departamentin e Arsimit disa punonjës nuk mund të hyjnë në llogaritë e tyre të email-it zyrtar për të kontrolluar nëse kanë marrë njoftime pushimi.
    Sindikata të punonjësve federalë kanë paditur për të ndaluar këto pushime, dhe sot pritet të mbahet një seancë gjyqësore për vendimin.
    Presidenti Doanld Trump ka deklaruar se “një numër i madh” punonjësish qeveritarë do të pushohen, dhe nuk është e qartë nëse planet e tij për largime do të zgjaten.

    Top Channel

  • Udhëheqësit e Antifa-s ikin nga Amerika ndërsa Trump godet rrjetet e terrorizmit të brendshëm

    Udhëheqësit e Antifa-s ikin nga Amerika ndërsa Trump godet rrjetet e terrorizmit të brendshëm

    Nga Mia Cathell

    Disa udhëheqës të profilit të lartë të Antifa-s kanë ikur nga vendi ose janë duke bërë plane për t’u arratisur jashtë shtetit.

    Lajmi për arratisjen e tyre vjen pasi presidenti Donald Trump e shpalli Antifa-n si një kërcënim të terrorizmit të brendshëm dhe urdhëroi autoritetet federale të çmontojnë rrjetet terroriste që veprojnë brenda Shteteve të Bashkuara.

    Mark Bray, një financues i operacioneve ndërkombëtare të Antifa-s dhe ideologu kryesor i saj në Amerikë, njoftoi se po ikën drejt Europës, konkretisht në Spanjë, nën pretekstin e shqetësimeve për sigurinë pas vëmendjes negative nga media.

    Para largimit, Bray bëri një thirrje të hapur për veprim, duke nxitur militantizëm të gjerë. “Vetëm antifashizmi masiv, ligjor ose jo, mund të na shpëtojë,” deklaroi Bray në Bluesky, një platformë e njohur në të majtën politike.

    Bray, profesor asistent në Universitetin Rutgers, do të vazhdojë të japë mësim në distancë për lëndët “Terrorizmi” dhe “Historia e Antifashizmit”, pavarësisht një peticioni në Change.org nga studentët që kërkojnë shkarkimin e tij.

    I quajtur përçmueshëm “Dr. Antifa” nga kritikët në kampus, Bray mbështet hapur dhunën e ekstremit të majtë në punën e tij akademike. Libri i tij, Antifa: The Anti-Fascist Handbook, është një udhëzues praktik që shërben si material “referimi operacional” për zhdukjen e të ashtuquajturit fashizëm.

    Gjysma e të ardhurave nga ky libër shkon për krahun financiar të Antifa International, që mbështet me fonde qindra degë në mbarë botën, përfshirë edhe grupet e certifikuara të Antifa-s në SHBA, si Atlanta Antifascists dhe Central Oregon Anti-Fascist Action.

    Përmes fondit të saj të lirimit me kusht, Antifa International paguan një gamë të gjerë shpenzimesh, jo vetëm tarifat ligjore të mbrojtjes, por edhe pajisje taktike për trazira dhe “zhvendosje emergjente.”

    “Si masë paraprake,” Antifa International ka mbyllur që atëherë infrastrukturën e saj të donacioneve “për të mbrojtur donatorët dhe përfituesit tanë.” Njoftimi përmendi zhvendosjen e operacioneve për shkak të dekretit të Trump-it, duke sugjeruar se mekanizmi global i mbledhjes së fondeve të grupit bazohet në Shtetet e Bashkuara. Antifa International pranon donacione përmes fushatave aktive në Patreon, FundRazr dhe Action Network, të gjitha platforma amerikane për mbledhje fondesh.

    Goditja e Trump-it ndaj Antifa-s përfshin ndjekjen penale, si bashkëkomplotistë, të individëve të dyshuar për mbështetje materiale ndaj organizatave kriminale të listuara si terroriste.

    Zyrtarët amerikanë të inteligjencës po hetojnë gjithashtu lidhjet ndërkombëtare të Antifa-s dhe po punojnë për ta klasifikuar atë si organizatë terroriste të huaj. Sipas ligjit amerikan kundër terrorizmit, sponsorët e terroristëve të huaj mund të dënohen me deri në 20 vjet burg, ndërsa qeveria federale mund të ngrijë pasuritë dhe të ndërpresë fluksin e financimeve si pjesë e sanksioneve kundër terrorizmit.

    Bray nuk është i vetmi anëtar i Antifa-s që ka kërkuar strehë në vende të huaja.

    Gazetari i pavarur Christian Peterson ka zbuluar së fundmi udhëheqësit e Rose City Antifa, celulës më famëkeqe amerikane të Antifa-s, të fshehur në Europë.

    Caroline Victorin (e lindur Gauld), një nga themelueset e fraksionit të Antifa-s me bazë në Portland, u zbulua këtë javë duke u fshehur në qytetin bregdetar të Varbergut të Suedisë me bashkëshortin e saj, Johan Victorin, një aktivist suedez dhe bashkëthemelues tjetër i Rose City Antifa-s.

    Së bashku, si bashkëthemelues të Rose City Antifa-s, degës më të vjetër të njohur të Antifa-s në Amerikë, Victorin-ët thuhet se kanë ndihmuar në importimin e modelit europian të ekstremizmit antifashist në SHBA.

    Peterson, një gazetar investigativ suedez që mbulon radikalizmin e majtë, u përball me Johan Victorin-in, që ka shtetësi të dyfishtë, jashtë banesës së tyre dhe e pyeti nëse çifti ka frikë nga ndjekja penale federale në SHBA.

    “Ju jeni qytetar i Shteteve të Bashkuara. A keni frikë se mos akuzoheni vetë për komplot?” pyeti Peterson, sipas një përkthimi në anglisht të bisedës të publikuar të hënën. Victorin refuzoi të komentonte.

    Sipas ekspertit të Antifa-s, Andy Ngo, Rose City Antifa, një organizatë e sofistikuar me praktika të rrepta rekrutimi, është fshehur nga frika e akuzave për komplot.

    Ndër vite, Rose City Antifa është lidhur me një sërë sulmesh ndaj kundërshtarëve politikë dhe pronës shtetërore. Të paktën një anëtar i grupit përballet me akuza federale për sulm të rëndë ndaj një polici, pasi dyshohet se ka goditur me grusht një oficer jashtë qendrës së Imigracionit dhe Doganës (ICE) në South Portland. Krimi mbart një dënim deri në tetë vjet burg federal.

    Së fundmi, Departamenti i Sigurisë Kombëtare të SHBA (DHS) tha se Rose City Antifa është përgjegjëse për publikimin e informacionit privat të personelit të ICE-s, duke përfshirë adresat e tyre personale në internet dhe në fletushka publike në stilin “të kërkuar”, që supozohet se kërkonin “informacione shtesë” për agjentët individualë të ICE.

    Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, premtoi ndjekje penale për këdo që përfshihet në publikimin e paligjshëm të të dhënave të agjentëve të ICE-s. “Do t’i ndjekim penalisht ata që publikojnë informacionet e agjentëve të ICE-s deri në maksimumin e ligjit. Këta kriminelë po mbajnë anën e karteleve dhe trafikantëve të qenieve njerëzore,” tha Noem në një deklaratë. “Nuk do ta lejojmë këtë në Amerikë.”

    Rrjeti kombëtar Torch Anti-Fascist Network, pjesë e të cilit është edhe Rose City Antifa, pretendoi se DHS-ja po përhapte “një teori konspirative të rreme për anëtarët tanë.”

    “Nuk e ka vendosur RCA-ja këtë fletushkë,” tha rrjeti Torch Network. Autoritetet e konsiderojnë këtë rrjet si “më radikalin” ndër kolektivët e Antifa-s, që mbikëqyr akreditimin dhe njohjen e degëve rajonale të Antifa-s në të gjithë Amerikën.

    Në një postim të veçantë, Rose City Antifa deklaroi: “Jemi të vetëdijshëm se adresa jonë e emailit për këshilla u fut kohët e fundit në fletushka që identifikojnë agjentë të ICE-s. Ne përshëndesim çdo përpjekje për të zbuluar policinë sekrete të ICE-s, të cilët i konsiderojmë agjentë të fashizmit shtetëror.”

    Megjithatë, grupi shtoi: “Nuk mund të marrim merita për këto fletushka.”

    Celula tha se fokusi i saj si grup është përgjithësisht lufta kundër “aktivitetit lokal fashist.” Ndërsa “mbështesim publikimin e të dhënave dhe çdo veprim tjetër që minon abuzimet flagrante të ICE-s ndaj të drejtave të njeriut,” Rose City Antifa vuri në dukje se “nuk është brenda mundësive ose kompetencave tona të merremi me këshilla të kësaj natyre.” / Washington Examiner – Syri.net

     

  • Administrata Trump fillon të pushojë nga puna mijëra punëtorë

    Administrata Trump fillon të pushojë nga puna mijëra punëtorë

    Administrata Trump ka filluar të pushojë nga puna mijëra punonjës federalë në një përpjekje për të ushtruar presion mbi demokratët mes mbylljes së vazhdueshme të qeverisë.

    “RIF-et kanë filluar”, njoftoi Drejtori i Zyrës së Menaxhimit të Shtëpisë së Bardhë, Russell Vought, në një postim në X të premten në mëngjes, duke iu referuar një akronimi për “reduktime në fuqi”.
    Një zëdhënës i zyrës së tij konfirmoi se shkurtimet kishin filluar dhe ishin “të konsiderueshme”. Madhësia dhe fushëveprimi i tyre filluan të bëheshin të dukshëm më vonë të premten, kur administrata zbuloi se shtatë agjenci kishin filluar të pushonin nga puna më shumë se 4,000 punonjës.
    Presidenti Donald Trump ka kërcënuar vazhdimisht se do ta përdorë mbylljen e qeverisë për të çuar përpara qëllimin e tij të kahershëm për të zvogëluar fuqinë punëtore federale.
    Sipas ligjit, qeveria federale duhet t’u japë punonjësve të saj një njoftim të paktën 30 ditë përpara se po i pushon nga puna.
    Pas postimit në Twitter të Vought, departamente të mëdha si Thesari dhe Shërbimet e Shëndetësisë dhe Njerëzore (HHS) konfirmuan se po lëshonin njoftime për punonjësit, dhe Siguria Kombëtare, ku shumë prej punonjësve të saj konsiderohen thelbësorë, tha se do të pushonte nga puna punonjësit në Agjencinë e saj të Sigurisë Kibernetike dhe Sigurisë së Infrastrukturës.
    Por detajet e sakta ishin të pakta.
    Dy sindikata të mëdha, Federata Amerikane e Punonjësve të Qeverisë dhe AFL-CIO, kishin ngritur një padi duke sfiduar ligjshmërinë e planeve të njoftuara të Vought për të kryer shkurtime nga puna gjatë mbylljes.
    Të premten, pasi ai tha se procesi kishte filluar, ata i kërkuan një gjykate federale në Kalifornian Veriore që ta bllokonte përkohësisht këtë veprim.
    “Është e turpshme që administrata Trump e ka përdorur mbylljen e qeverisë si justifikim për të pushuar në mënyrë të paligjshme nga puna mijëra punëtorë që ofrojnë shërbime kritike për komunitetet në të gjithë vendin”, tha presidenti i AFGE-së, Everett Kelley.
    Çfarë e bën këtë mbyllje të SHBA-së të ndryshme (dhe më të vështirë)?
    Në kundërshtimin e tyre ndaj urdhrit të përkohshëm kufizues, avokatët e OMB-së zbuluan se cilat agjenci dhe sa prej punonjësve të tyre do të prekeshin të parat, duke treguar se rreth 4,600 punonjës do të merrnin njoftime RIF duke filluar nga e premtja.
    “Presidenti, nëpërmjet OMB-së, ka përcaktuar që agjencitë duhet të veprojnë në mënyrë më efikase dhe i ka udhëzuar ato të marrin në konsideratë hapa për të optimizuar fuqinë e tyre punëtore në dritën e mungesës së vazhdueshme të alokimeve”, argumentuan avokatët e departamentit të drejtësisë në dosje.
    Më shumë se një e katërta e shkurtimeve do të bëheshin në Departamentin e Thesarit, ku njoftimet po u dërgoheshin afërsisht 1,446 punonjësve.
    HHS po njoftonte midis 1,100 dhe 1,200 punonjës, thuhet në dosje.
    Departamenti i Arsimit dhe Departamenti i Strehimit dhe Zhvillimit Urban kishin ndërmend të pushonin nga puna të paktën 400 punonjës secili, ndërsa Departamentet e Tregtisë, Energjisë, Strehimit dhe Zhvillimit Urban dhe Sigurisë Kombëtare planifikonin secili shkurtime nga 176 deri në 315 punonjës, sipas dokumentit të paraqitur.
    Nuk kishte asnjë tregues se sa njoftime lëshuan agjencitë të premten.
    Në dokument thuhej gjithashtu se 20 deri në 30 punonjës në Agjencinë e Mbrojtjes së Mjedisit morën njoftimin “me qëllim për RIF” të premten, duke i njoftuar ata se mund të preken në të ardhmen. Agjenci të tjera federale gjithashtu mund të bëjnë shkurtime.
    Avokatët e qeverisë thanë se sindikatat nuk kishin arritur të vërtetonin se anëtarët e tyre do të dëmtoheshin në mënyrë të pariparueshme nga shkurtimet e vendeve të punës, gjë që është e nevojshme që gjyqtari të japë urdhrin e kufizimit. Por ata thanë se një urdhër kufizimi do të “dëmtonte në mënyrë të pariparueshme qeverinë”.
    Një urdhër i përkohshëm kufizues do t’i pengonte agjencitë “të përcaktonin se si të organizonin më mirë forcat e tyre të punës”, argumentuan ata, duke vënë në dukje se qeverisë tradicionalisht i është dhënë liria më e gjerë e veprimit në “drejtimin e punëve të saj të brendshme”.
    Në mbylljet e kaluara, punonjësit e pezulluar u kthyen në punë kur qeveria u rihap dhe u paguan në mënyrë retroaktive për kohën e tyre të lirë.
    Si punëtorët e pezulluar nga puna ashtu edhe ata “thelbësorë” që duhet të kryejnë ende detyrat e tyre të punës nuk paguhen kur financimi qeveritar ndërpritet përkohësisht.
    Mbyllja aktuale filloi 10 ditë më parë, pasi ligjvënësit nuk arritën një marrëveshje mbi një masë financimi për ta mbajtur qeverinë të hapur.
    “Ata qëndruan për 10 ditë,” u tha gazetarëve senatori republikan John Thune, duke iu referuar Shtëpisë së Bardhë. “Në një moment ata do të duhej të merrnin disa nga këto vendime dhe të përcaktonin përparësitë se ku do të shpenzonin paratë kur qeveria të mbyllej.”
    Udhëheqësi i pakicës në Senat, Chuck Schumer, një demokrat, akuzoi Trumpin dhe Voughtin për shkaktimin e “kaosit të qëllimshëm”.
    Demokratët kanë refuzuar të votojnë për një plan shpenzimesh republikan që do të rihapte qeverinë, duke thënë se çdo rezolutë duhet të ruajë kreditë tatimore që skadojnë dhe ulin kostot e sigurimit shëndetësor për miliona amerikanë dhe të përmbysë shkurtimet e Trump për Medicaid, programin e kujdesit shëndetësor për të moshuarit dhe njerëzit me të ardhura të ulëta.
    Republikanët akuzojnë demokratët se e kanë ndaluar panevojshëm qeverinë dhe i fajësojnë ata për efektet anësore të shkaktuara nga ndërprerja e punës federale.
    Një mbyllje nënkuptonte që punonjësit federalë “jo-thelbësorë” do të vendoseshin në pushim të papaguar. Aktualisht kjo po prek rreth 40% të fuqisë punëtore federale – rreth 750,000 njerëz.
    Punonjësit e pezulluar nga puna supozohet ligjërisht të marrin pagat e prapambetura pasi të përfundojë një mbyllje dhe ata të kthehen në punë, por administrata Trump ka lënë të kuptohet se kjo mund të mos ndodhë.
    Shkurtimi i konsiderueshëm i fuqisë punëtore federale ka qenë një përparësi afatgjatë për Vought.
    Presidenti dhe shefi i tij i buxhetit e kanë përshëndetur mbylljen e qeverisë si një mundësi unike për të bërë shkarkime të mëtejshme, përveç mijëra shkurtimeve që kanë bërë që kur Trump u rikthye në detyrë në janar, përmes një kombinimi shkarkimesh, shpërndarjesh, lejesh administrative dhe dorëheqjesh.
    Partneriteti për Shërbim Publik, një grup dypartiak që studion qeverinë, vlerësoi se fuqia punëtore federale ishte zvogëluar me rreth 200,000 punonjës që nga 23 shtatori.
    Firma e shërbimeve të karrierës Challenger, Gray & Christmas, raportoi muajin e kaluar se sektori qeveritar kishte njoftuar 299,755 shkurtime të planifikuara të vendeve të punës këtë vit, nga të cilat 289,363 ishin punonjës federalë të prekur nga Departamenti i Efikasitetit të Qeverisë (Doge), përpjekja e Shtëpisë së Bardhë për uljen e kostove e udhëhequr fillimisht nga miliarderi Elon Musk.
    Përpara mbylljes, zyra e Vought udhëzoi agjencitë federale të përgatisnin plane për reduktimin e fuqisë punëtore që synonin shkurtimin e punonjësve ose programeve, financimi i të cilave mund të ndërpritej ose “nuk ishte në përputhje me prioritetet e Presidentit”, raportoi Politico.
    Një ditë pasi filloi mbyllja e qeverisë, Trump postoi në Truth Social se ishte takuar me Vought “për të përcaktuar se cilat nga shumë agjencitë demokrate, shumica e të cilave janë një mashtrim politik, ai rekomandon të shkurtohen, dhe nëse këto shkurtime do të jenë të përkohshme apo të përhershme”.

    Top Channel

  • SHBA fillon shkurtimet masive të punonjësve federalë

    SHBA fillon shkurtimet masive të punonjësve federalë

    Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se ka filluar të pushojë nga puna punonjës federalë, teksa mbyllja e qeverisë amerikane hyn në ditën e saj të dhjetë.

    Një zëdhënës i Zyrës së Menaxhimit dhe Buxhetit të Shtëpisë së Bardhë (OMB) konfirmoi se shkurtimet kanë nisur dhe se ato janë “të konsiderueshme”, pa dhënë megjithatë detaje të tjera. “RIF-et kanë filluar,” njoftoi drejtori i OMB-së, Russell Vought, në një postim në platformën X, duke iu referuar akronimit për “reduktime në fuqi” (Reduction in Force).

    Administrata Trump kishte paralajmëruar më herët se mund të përdorte mbylljen e qeverisë për të kryer shkurtime të personelit, në përputhje me objektivin e saj afatgjatë për të zvogëluar fuqinë punëtore federale.

    Sipas burimeve të brendshme, përmasat e shkurtimit mbeten të paqarta, ndërsa disa agjenci kanë filluar të shpërndajnë njoftime për punonjësit që do të preken. Një zëdhënës i Departamentit të Sigurisë Kombëtare tha për BBC-në se do të ketë reduktime edhe në Agjencinë e Sigurisë Kibernetike dhe të Infrastrukturës (CISA). Departamenti i Thesarit po ashtu konfirmoi fillimin e njoftimeve për reduktime në fuqi.

    Në Departamentin e Shëndetësisë dhe Burimeve Njerëzore, disa divizione kanë marrë njoftime për shkurtim të personelit “si pasojë e drejtpërdrejtë e mbylljes së qeverisë së udhëhequr nga demokratët”, sipas zëdhënësit Andrew Nixon.

    Ndërkohë, dy sindikata të mëdha — Federata Amerikane e Punonjësve të Qeverisë (AFGE) dhe AFL-CIO — kanë ngritur padi në një gjykatë federale në Kaliforninë Veriore, duke sfiduar ligjshmërinë e shkurtimit të punonjësve gjatë mbylljes. “Është e turpshme që administrata Trump e ka përdorur mbylljen e qeverisë si justifikim për të pushuar në mënyrë të paligjshme nga puna mijëra punëtorë që ofrojnë shërbime kritike,” tha presidenti i AFGE-së, Everett Kelley.

    Mbyllja e qeverisë amerikane filloi më 1 tetor, pasi demokratët dhe republikanët nuk arritën të bien dakord për një masë të re financimi. Rreth 40% e fuqisë punëtore federale — afro 750,000 punonjës — janë aktualisht në pushim të papaguar.

    Presidenti Donald Trump dhe drejtori i buxhetit Russell Vought kanë theksuar se mbyllja do të shfrytëzohet për të “ristrukturuar” agjencitë që, sipas tyre, “nuk përputhen me prioritetet e administratës”. Një memo e brendshme e OMB-së u kërkon agjencive të përgatisin plane për reduktime në staf dhe programe, duke përfshirë edhe ato që humbasin financimin për shkak të mbylljes.

    Demokratët, nga ana tjetër, kanë akuzuar Shtëpinë e Bardhë për “kaos të qëllimshëm” dhe për përdorimin e punonjësve federalë si “peng politik”. Udhëheqësi demokrat në Senat, Chuck Schumer, tha se “administrata Trump po luan me jetesën e qindra mijëra amerikanëve për përfitime politike”.

  • Mbyllja e qeverisë në SHBA, nisin shkurtimet e punonjësve federalë

    Mbyllja e qeverisë në SHBA, nisin shkurtimet e punonjësve federalë

    Drejtori i Zyrës së Buxhetit të Shtëpisë së Bardhë, Russ Vote, njoftoi sot nëpërmjet platformës X se “reduktimi i stafit ka filluar”, që do të thotë shkarkimi i punonjësve federalë për shkak të paralizës fiskale të shtetit.
    Zyra e Vote i tha AFP-së se një “numër i konsiderueshëm” punonjësish do të pushoheshin nga puna, pa dhënë shifra specifike ose pa specifikuar se cilat departamente do të preken.
    Një zëdhënës i Departamentit të Shëndetësisë tha se punonjësit po pushoheshin nga puna, gjë që ai e quajti “pasojë e mbylljes së qeverisë nga demokratët”.

    Punonjësit që morën njoftime për pushimet e tyre të afërta nga puna u konsideruan jo-thelbësore për departamentet e tyre dhe “departamenti vazhdon të mbyllë shërbime të panevojshme, duke përfshirë ato që bien ndesh me axhendën e administratës Trump” mbi kujdesin shëndetësor, shtoi ai.
    Presidenti Donald Trump ka kërcënuar të pushojë nga puna punonjësit federalë që nga 1 tetori, duke përmendur mbylljen, të cilën demokratët dhe republikanët e kanë fajësuar njëri-tjetrin. Mbyllja e buxhetit ka detyruar qindra mijëra punonjës jo-thelbësorë të largohen nga puna.
    Gjatë mbylljes, 2.3 milionë punonjës federalë nuk po marrin pagat e tyre, ashtu si edhe 1.3 milionë personel ushtarak.

  • Si i përdor Trumpi paratë publike për qëllime politike

    Si i përdor Trumpi paratë publike për qëllime politike

    Nga Stephen Collinson, CNN
    Presidenti Trump duket se e sheh buxhetin federal si një “derrkuc kursimi” personal.Paralajmërimi i tij i fundit se disa punonjës të pezulluar mund të mos marrin pagën e prapambetur pas mbylljes së qeverisë tregon qartë se ai e konsideron paranë publike si një fond personal që mund ta shpërndajë sipas dëshirës.
    Trump tregohet bujar vetëm me ata që i shërbejnë interesave të tij politike — nga subvencionet për fermerët e dëmtuar nga tarifat doganore, deri te ndihmat për miqtë populistë jashtë vendit, si presidenti argjentinas Javier Milei.
    Por kur bëhet fjalë për programe që i urren, apo për kërkesa nga shtete të drejtuara nga demokratët, ai mbyll rubinetin. Viktimat e uraganit në Porto Riko, Kalifornia që ka shpërfillur këshillat e tij për pyjet, apo “qytetet e shenjta” që kundërshtojnë dëbimet, janë përballur me kërcënime për heqje fondesh.
    Armë politike në luftën për buxhetin
    Që nga mbyllja e qeverisë javën e kaluar, Trump ka rritur përdorimin e fondeve federale si armë kundër kundërshtarëve politikë.
    Ai ka kërcënuar me pushime nga puna për punonjësit e agjencive që “nuk përputhen me vlerat e presidentit”. Të martën, ai tha se mund të vendosë vetë kush do të marrë pagat e prapambetura, duke paralajmëruar se “disa njerëz nuk meritojnë të paguhen.”
    Megjithatë, ai siguroi se ushtarakët nuk do të preken: “Do t’u japim çdo qindarkë,” deklaroi gjatë një ceremonie për 250-vjetorin e Marinës Amerikane.
    Në të njëjtën linjë ndëshkuese, administrata kërcënoi të bllokojë 18 miliardë dollarë fonde për Nju Jorkun — për projektin e metrosë “Second Avenue” dhe tunelin e ri hekurudhor nën lumin Hudson — si dhe 8 miliardë dollarë për projekte klimatike në 16 shtete, pothuajse të gjitha me guvernatorë demokratë.
    Sfidimi i Kushtetutës
    Shtëpia e Bardhë e justifikon këtë qasje me pretendimin se synon “agjencitë që janë humbje për taksapaguesit”. Por kjo përbën, sipas analistëve, një keqkuptim të qëllimshëm të Kushtetutës.
    Në fakt, Kongresi dhe jo presidenti ka “fuqinë e portofolit” — pra të drejtën për të përcaktuar shpenzimin e fondeve publike.Gjykatat e kanë ndaluar më parë administratën të ngrijë grantet federale, duke theksuar se Trump “ka tentuar t’ia rrëmbejë Kongresit fuqinë e buxhetit.”
    Tarifat doganore si burim i paligjshëm
    Administrata ka propozuar që të ardhurat nga tarifat doganore të përdoren për programe ndihme ushqimore për 7 milionë gra dhe fëmijë gjatë mbylljes së qeverisë.Ekspertët theksojnë se problemi nuk është mungesa e parave, por fakti që Kongresi nuk ka dhënë leje për t’i shpenzuar ato.
    Deri tani, kërcënimet për pushime nga puna nuk janë realizuar, dhe disa zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë pranojnë se vendimi mund të kthehet në bumerang politik.
    Një model i njohur në stilin Trump
    Stili i tij i qeverisjes ndjek logjikën e biznesit: çdo situatë shihet si garë për fitore.Ai kërkon vazhdimisht leva presioni ndaj kundërshtarëve, qoftë brenda kabinetit, qoftë me liderë të huaj.
    Gjatë takimit me kryeministrin kanadez Mark Carney, ai nuk ngurroi të përsëriste me humor deklaratat se “Kanadaja duhet të bëhet shteti i 51-të i SHBA-ve.”Edhe impeachment-i i parë i tij u shkaktua nga përpjekja për të përdorur armët e financuara nga Kongresi si presion ndaj Ukrainës për hetime kundër Joe Bidenit.
    Një praktikë e vjetër, por me përmasa të reja
    Trump nuk është presidenti i parë që përdor fondet federale si levë politike.Franklin Roosevelt e përdori ndihmën federale për të nxitur shtetet të zbatonin politikat e tij gjatë “New Deal”-it, ndërsa Obama dhe Bush u akuzuan për presione të ngjashme në fushën e arsimit.
    Por analistët theksojnë se praktikat e Trump janë më të hapurat dhe më të paturpshmet deri tani.
    Historianët kujtojnë se edhe Richard Nixon, pas rizgjedhjes më 1972, tentoi të bllokonte programe të miratuara nga Kongresi, gjë që çoi në miratimin e ligjit që ndaloi “impoundment”-in — praktikën e mosshpenzimit të fondeve të miratuara.
    Përfundim
    Trump ka humbur disa beteja në gjykata dhe Kongresi ka arritur të rikthejë fonde të caktuara, si 7 miliardë dollarët për arsimin.Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se një president që e sheh jetën si lojë fitoreje nuk ka gjasa të ndalojë së përdoruri paratë e taksapaguesve për qëllime politike.

  • Incidenti me agjentët federalë, zyrtarja e lartë e Trump: Çikagoja është “zonë lufte”!

    Incidenti me agjentët federalë, zyrtarja e lartë e Trump: Çikagoja është “zonë lufte”!

    Sekretarja për Sigurinë Kombëtare e Donald Trump, Kristi Noem, e quajti Çikagon “zonë lufte” të dielën, pas incidentit ku agjentët federalë qëlluan një grua. Noem kritikoi kryetarin e qytetit, Brandon Johnson, duke thënë se ai gënjen për situatën që kriminelët të mund të veprojnë lirshëm.
    Komentet e Noem erdhën pas autorizimit të Trump për të dërguar 300 anëtarë të Gardës Kombëtare të Illinois në Çikago për të mbrojtur oficerët dhe pronën federale. Noem tha se banorët mbështesin ndërhyrjen e qeverisë dhe se kjo ka bërë qytetin më të sigurt.
    Guvernatori demokrat i Illinois, JB Pritzker, akuzoi administratën se po ushqen krizën dhe kërkoi largimin e trupave federale nga qyteti. Ai e quajti vendimin “të papranueshëm dhe antiamerikan”.

  • Përshkallëzohen tensionet në SHBA/ Trump autorizon dërgimin e trupave në Çikago, guvernatori kundërshton ashpër

    Përshkallëzohen tensionet në SHBA/ Trump autorizon dërgimin e trupave në Çikago, guvernatori kundërshton ashpër

    Një gjyqtar federal në Oregon ka lëshuar urdhër të përkohshëm që ndalon planin e Presidentit Donald Trump për të dërguar trupa federale në Portland, duke argumentuar se ai ka tejkaluar autoritetin kushtetues.

    Në të njëjtën kohë, Shtëpia e Bardhë njoftoi se ka autorizuar dërgimin e 300 anëtarëve të Gardës Kombëtare në Çikago për të “mbrojtur asetet federale”, ndërsa protestat për zbatimin e ligjit federal për imigracionin po vazhdojnë me intensitet të lartë.
    Gjykatësi i distriktit Karin Immergut, që ka bërë kritika për urdhrin e Trump, tha se autoritetet e Oregonit “ka të ngjarë të kenë sukses” në pretendimin se Presidenti po përzihet në kompetenca që i takojnë shtetit, dhe se protestat e Portlandit nuk përbëjnë “rrezik për rebelim”. Sipas Immergut, deklarata presidenciale nuk përputhej me situatën reale në terren dhe po kërcënonte ndarjen mes pushtetit civil dhe ushtarak.
    Në të njëjtën kohë, tensionet u përshkallëzuan në Çikago të shtunën, kur agjentët federalë qëlluan “në vetëmbrojtje” ndaj një gruaje, e cila sipas Departamentit të Sigurisë Kombëtare përplasi automjetin me një automjet federal. Ajo është arrestuar nga FBI-ja dhe po trajtohet në spital. Shtëpia e Bardhë pret të përdorë Gardën Kombëtare për të forcuar prani federale në qytet, një premtim të cilin Trump e ka bërë që prej disa javësh, përballë rezistencës nga udhëheqësit lokalë dhe shtetërorë.
    Urdhri i përkohshëm do të qëndrojë në fuqi 14 ditë dhe pritet të apelohet nga administrata federale.
    Ndërsa vendimi për Portlandin mbetet pezull, Çikago po përballet me sfida lokale, përplasjen e forcave federale me qytetarët dhe akuzat për abuzim me autoritetin presidencial.
    Në një kohë kur Amerika është përfshirë nga debatet mbi rolin e qeverisë federale dhe të drejtat lokale, këto episode mund të ngrenë çështje thelbësore për ekuilibrin e pushteteve dhe interpretimin e Kushtetutës.

    Top Channel

  • Bastisjet e policisë, reagon guvernatori i Illinois: Taktika çnjerëzore ndaj emigrantëve

    Bastisjet e policisë, reagon guvernatori i Illinois: Taktika çnjerëzore ndaj emigrantëve

    Chicago është bërë së fundmi epiqendër e një serie bastisjesh të organizuara nga Shërbimi i Imigracionit dhe Doganave të SHBA (ICE), si pjesë e një operacioni të quajtur “Midway Blitz“, i cili ka çuar në arrestimin e mbi 1 mijë emigrantëve të paligjshëm. Sipas të dhënave të analizuara nga Chicago Sun-Times, që nga fillimi i vitit janë kryer rreth 5 mijë ndalime vetëm në shtetin e Illinois-it.
    Bastisjet janë përqendruar veçanërisht në Broadview, një periferi e Chicago-s me rreth 8 mijë banorë, shumica afro-amerikanë. Kryetarja e bashkisë së Broadview, Katrina Thompson, ka protestuar ashpër ndaj aksioneve të ICE-së, duke i quajtur ato “luftë ndaj komunitetit”. Ajo ka kritikuar edhe sekretaren e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, e cila mori pjesë personalisht në një prej bastisjeve dhe më pas tentoi të vizitonte bashkinë pa paralajmërim, por iu ndalua hyrja.
    Ndërkohë, qytetarët raportojnë raste të frikshme. Një banor i Chicago-s, Andrew Denton, tha për Associated Press se agjentët e ICE-së përdorën gaz lotsjellës pa ndonjë kërcënim të dukshëm. Në një tjetër rast, një aktiviste publikoi pamje të arrestimit të saj, ndërsa një protestuese tjetër u dërgua në spital pas një incidenti gjatë manifestimeve.
    Guvernatori i Illinois-it, Jay Pritzker, e ka dënuar ashpër operacionin, duke e cilësuar si përdorim të taktikave çnjerëzore nga ana e autoriteteve federale: “Po përdorin taktika çnjerëzore. Forcat federale nuk po mbrojnë sigurinë dhe të drejtat kushtetuese të qytetarëve”.
    Ai ka zbuluar gjithashtu se ka marrë një ultimatum nga Pentagoni për të vendosur trupat e Gardës Kombëtare në terren, ose ndryshe do ta bëjë vetë administrata federale. Sipas tij, kjo është një përpjekje për të ushtruar kontroll të drejtpërdrejtë, gjë që e konsideroi si një veprim anti-amerikan dhe të rrezikshëm për demokracinë.
    Ndërkohë, qytetarët dhe organizatat lokale vazhdojnë të protestojnë në rrugë, duke e konsideruar situatën si përshkallëzim të frikshëm të kontrollit shtetëror ndaj emigrantëve dhe komuniteteve të pambrojtura.