Ish-krerët e uÇk-së
HAGË- Procesi kundër ish-krerëve të UÇK-së në Hagë hyn në fazën e mbrojtjes. Në seancën e 15 shtatorit, që do të fillojë në orën 09:00, do të paraqitet dëshmitari i parë i thirrur nga mbrojtja e Thaçit.
Më 15 shtator, Dhomat e Specializuara të Kosovës e njohur si Gjykata Speciale, do të nisin fazën e re të procesit gjyqësor ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve, me paraqitjen e provave nga mbrojtja.
Bëhet me dije se seanca do të jetë kryesisht publike dhe do të transmetohet me 45 minuta vonesë në shqip, serbisht dhe anglisht përmes faqes zyrtare të DHSK-së.
Deri më tani, në këtë proces kanë dëshmuar 127 dëshmitarë – 125 të thirrur nga Prokuroria dhe dy nga Mbrojtja e Viktimave – ndërsa janë pranuar edhe 137 deklarata me shkrim.
Trupi gjykues ka paralajmëruar se paraqitja e provave nga mbrojtja pritet të mbyllet më 14 nëntor 2025, ndërsa dosjet përfundimtare dhe deklaratat mbi pasojat për viktimat duhet të dorëzohen deri më 22 dhjetor 2025.
Ndërkohë, më 15 prill 2025, Zyra e Prokurorit të Specializuar njoftoi se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast. Aktakuza e konfirmuar ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit u dorëzua më 30 shtator 2022 dhe përmban dhjetë pika, ku të akuzuarit ngarkohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020./ZËRI








