Tag: fatos

  • Ikja mortore e Nanos me urimin për të gjallët “Mos vdeksh kurrë!”

    Ikja mortore e Nanos me urimin për të gjallët “Mos vdeksh kurrë!”

    Nuk pati asnjë përpjekje për të fshehur dhimbjen mes lotëve, shkruan A2 CNN, në raportimin e ceremonisë mortore të Fatos Nanos, ikur nga jeta dy ditë më para, referuar bashkëshortes së dytë të ndjerit, Xhoana Nano. Ashtu ndodhi edhe kur do të duhej ballë të gjithëve të mbante fjalimin e lamtumirës për bashkëshortin e saj, martesa më të cilin shënoi një thyerje tabuje të fortë në shoqërinë shqiptare.
    Ju pohoi të pranishmëve në mort pse ishte dashuruar me Fatos Nanon:
    “Këtu e çerek shekulli më parë unë një vajzë e re, rashë në dashuri me Fatosin. Atëherë nuk e kuptoja pse, por tani e di. Kisha rënë në dashuri, jo vetëm me Fatosin si njeriu, por kisha rënë në dashuri edhe me vizionin për një Shqipëri ndryshe, të një Shqipërie që lipsej të largohej nga barbaria, hakmarrjeve dhe të fitonte një kurs tjetër, civil modern dhe evropian. Këto do t’i gjeja tek Fatosi”.
    Udhëtarja e tij e jetës në çerek shekullin e fundit, siç vetë Xhoana Nano e quajti veten, me lot në sy u shpreh se këtë ditë nuk donte ta jetonte kurrë.
    Fjalimit me tone emocionuese, ku pas çdo fraze rridhnin lotët, Xhoana i dha edhe ngjyrime politike, si për të thënë që politikës i mungon lloji i politikanit që Nano ishte, shkruan A2 CNN.
    “Ai eci mes baltës së politikës pa u bërë pis prej saj. Ai kishte një zemër të madhe, që dilte të falte, të mirëkuptonte. Hakmarrja, ishte cilësi që nuk e kishte, por nuk pranoi ta njihte. Këtë e bëri pasi udhëhoqi vendin pas burgimit të padrejtë, kur vendi ishte në prag të një lufte civile. Ishte i drejtpërdrejt, ndonjëherë kokëfortë, por i ndershëm me veten dhe të tjerët. Ai e donte këtë vend me shpirt”, tha Xhoana Nano.
    Ndërsa i biri, Sokol Nano, do thoshte: “Po përcjellim tim atë, të pazëvendësueshmin. Tani e tutje jeta s’do të jetë më e njëjtë pa ty”.
    Për gati pesë orë, Fatos Nano u nderua nga mijëra qytetarë, miq dhe bashkëpunëtorë të tij ndër vite, figura të larta shtetërore, përfaqësues të dy kampeve politike.
    Mungonin ish-presidentët që e kanë shoqëruar për keq e për mirë në karrierën e tij politike, si Sali Berisha, por edhe Rexhep Mejdani. Ndërsa njëri pas tjetrit u shfaqën në Pallatin e Kongreseve në Tiranë dy liderët politikë të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, Albin Kurti dhe Ali Ahmeti për t’i dhënë lamtumirën ish-kryeministrit dhe liderit historik të Partisë Socialiste.
    Ndërsa kryeministri Rama mbajti një fjalim për Nanon e ndjerë, duke e finalizuar me frazën e denjë për të gjallët “Mos vdeksh kurrë!’’.
    Ndër të tjera, Rama tha: “Do të më mungojnë darkat e rralla miqësore, komunikimi ynë si mes shoferit të turnit të parë me shoferin e turnit të dytë për të njëjtën makinë, ku e kuptonim njeri-tjetrin në ajër dhe ku, kur ndodhte të ndanim ndonjë dilemë strategjike, këshillat e tua vinin të qëruara mirë, duke më ndihmuar shumë për të vënë pikën mbi ‘I’”. /tesheshi.com/
     
     

  • DOKUMENTI I PLOTË/ 13 vite më parë, intelektualët më në zë të vendit i propozuan partive Fatos Nanos si President

    DOKUMENTI I PLOTË/ 13 vite më parë, intelektualët më në zë të vendit i propozuan partive Fatos Nanos si President

    13 vite më parë, në javën e pare të qershorit 2012, intelektualët më në zë të vendit u bënë bashkë për të propozuar zgjedhjen e Fatos Nanos si President të Republikës. Në atë kohë, mandati i Bamir Topit ishte në përfundim, ndërsa emrat më të njohur si Ylli Popa, Moikom Zeqo, Gjergj Sinani, Mihal Tase, Bujar Kapexhiu, Edit Mihali, Mentor Petrela, etj., vunë theksin te roli i Nanos në 22 vite demokraci dhe te ajo çfarë ai mund të kontribuonte më tej, jo vetëm në politikën shqiptare, por edhe në rrugëtimin evropian të vendit.
    “Mund të na japë me kandidaturën e Fatos Nanos një stad të ri të demokracisë shqiptare. Një stad që i përgjigjet aspiratave të shoqërisë për tolerancë, për ekuilibër, për emancipim dhe për evoluim drejt një shoqërie të pjekur demokratike, të denjë për një Shqipëri në BE, edhe më shpejt se thjesht një ambicie të zakonshme e rutinore”, thuhet ndër të tjera.
    Kryetarëve të Partive Parlamentare
    Sali Berisha, kryetar i Partisë Demokratike
    Edi Rama, kryetar i Partisë Socialiste
    Ilir Meta, kryetar i Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim
    Fatmir Mediu, kryetar i Partisë Republikane
    Vangjel Dule, kryetar i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut
    Shpëtim Idrizi, kryetar i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet
    Gazmend Oketa, kryetar i Komisionit Nismëtar të Partisë Fryma e Re Demokratike
    Duke ndjekur me vëmendje debatin për Presidentin e ri të Republikës dhe procesin politik lidhur me këtë zgjedhje jetike për demokracinë dhe institucionet shqiptare jemi të prirur të kontribuojmë në këtë këtë proces duke apeluar ju, deputetë dhe kryetarë të partive parlamentare në Kuvendin e Shqipëri lidhur me kandidaturën e ish-kryeministrit Fatos Nano për President të Republikës.
    Duke iu drejtuar juve, kryetarë të nderuar të partive shqiptare të përfaqësuara në parlament dhe më gjerë spektrit politik shqiptare, ne besojmë se kontribuojmë në mbështetjen e një procesi për çështjen e Presidentit që fiton një vlerë të re dhe një përmasë të re emancipuese dhe evolutive në raport me historinë tonë politike të pluralizmit këto 22 vjet.
    Ne besojmë se duke mbështetur Fatos Nanon si kandidat për President të Republikës, formësojmë një precedent të ri dhe pozitiv për demokracinë shqiptare: përfilljen e trashëgimisë sonë politike me të gjithë vlerat dhe problemet e saj, por që mund të jetë në shërbim të vendit, institucioneve dhe demokracisë shqiptare shumë më tepër sesa formulat e tjera që prodhojnë një president nga një proces negociues i mbyllur e i kufizuar. Qoftë për moshën e re që ka demokracia shqiptare, qoftë për vështirësitë nëpër të cilat ajo ka kaluar, ky precedent nuk ka qenë i mundur të krijohet deri më tani, ndaj është shans që në fakt më në fund ne kemi mundësi të tërheqim nga tradita jonë më e mirë politike një figurë të tillë si Fatos Nano, për ta inkurajuar në gatishmërinë që ai ka manifestuar publikisht për të kontribuar tashmë në krye të një institucioni të rëndësishëm si Presidenti i Republikës.
    Nano, përfaqëson vlera liberalizuese dhe mirëfilli demokratike në traditën tonët re politike, ndoshta si pak kush tjetër, me reformimin e së majtës së vjetër shqiptare, me reformat e para liberalizuese për shoqërinë dhe ekonominë shqiptare dhe me reformat demokratizuese të gjysmës së dytë të viteve ‘90-të; me marrëveshjet historike mes të majtës dhe të djathtës, ku Nano ka qenë protagonist i dorës së parë duke i dhënë vendit hope dhe avancime të rëndësishme demokratike; me zgjedhjet e lira të organizuara në kohën e qeverisjes së tij dhe me rrotacionin paqësor të pushtetit Fatos Nano ka vendosur precedentë por aq të rëndësishëm sa gurët kilometrikë të një demokracie të re; me dorëheqjen e tij nga Kryetar i Partisë Socialiste në 2005, Fatos Nano ka instaluar në jetën politike shqiptare precedentin e përtëritjes së elitave politike në këtë vend duke i dhënë frymëmarrje dhe konkurueshmëri skenës sonë politike.
    Për të gjitha këto arsye, duke qenë të bindur se vlerat dhe përvoja politike duhen përfillur dhe konsideruar nga shoqëria, për t’u vënë në shërbim të saj, ne besojmë se demokracia shqiptare ka nevojë të hyjë në një fazë të re, kombi shqiptar të shpëtojë nga vënia e shkelmit trashëgimisë sonë politike duke kaluar nga fazat e përmbysjeve ciklike në fazën e vijimësisë së natyrshme të takuar të vlerat dhe përvoja pozitive e asaj që ne na ndodhur këto 22 vjet në politike.
    Ne besojmë se Fatos Nano përmbush të gjitha kriteret personale, politike dhe kontekstuale për të qenë një President i denjë e Republikës, duke pasur kapacitetin real për të qenë i pavarur, mbi palët dhe garantues i pavarësisë dhe evoluimit të institucioneve të pavarura për t’i ndarë ata përfundimisht nga loja politike partizane, për t’i bërë ato funksionale dhe në shërbimit të shtetit e jo në shërbim të palëve.
    Duke ju respektuar fort për përfaqësimin të vullnetit të popullit, ne besojmë se Ju dhe trupa jonë parlamentare mund të na japin me kandidaturën e Fatos Nanos një stad të ri të demokracisë shqiptare. Një stad që i përgjigjet aspiratave të shoqërisë për tolerancë, për ekuilibër, për emancipim dhe për evoluim drejt një shoqërie të pjekur demokratike, të denjë për një Shqipëri në BE, edhe më shpejt se thjesht një ambicie të zakonshme e rutinore.
    Ylli POPA
    Moikom ZEQO
    Gjergj SINANI
    Dhori KULE
    Arben GJATA
    Mihal TASE
    Petrit MALAJ
    Bujar KAPEXHIU
    Mentor PETRELA
    Adrian CIVICI
    Edit MIHALI
    Ksenofon KRISAFI
    Zef PREÇI
    Sulo HADERI
    Anila GODO
    Blendi FEVZIU
    Kujtim CASHKU /TEMA/

  • Lamtumira për Nanon në Sharrë, reagon Ngjela: Turp kombëtar, duhet të prehet në varrezat e personaliteteve të kombit

    Lamtumira për Nanon në Sharrë, reagon Ngjela: Turp kombëtar, duhet të prehet në varrezat e personaliteteve të kombit

    Këtë të diel iu dha lamtumira e fundit ish-kryeministrit Fatos Nano, i cili u nda nga jeta dy ditë më parë.

    Gjithsesi, avokati Spartak Ngjela ka reaguar me tone të ashpra sa i përket vendit ku do të prehet përgjithmonë ish-kryeministri.
    Ai thotë se Nano duhet të prehet në varrezat e personaliteteve të kombit dhe jo në ato të zakonshme të Sharrës.
    Postimi i plotë i Spartak Ngjelës:
    Turp kombëtar dhe fyerje e personalitet të Republikës së Shqipërisë
    Sot në Tiranë, tre herë kryeministrin e Shqipërisë, shkëlqesinë e tij zotin Fatos Nano, po e varrosin në varrezat e zakonshme në Tiranë.
    Dhe kjo është një shkelje e rëndë kundër historisë së Shqipërisë dhe ndjenjës kombëtare, karakterit dhe personalitetit të Republikës së Shqipërisë dhe vetë shoqërisë shqiptare.
    Urgjentisht ky akt duhet të ndalohet sa më shpejt që të jetë e mundur, dhe shkëlqesia e tij, Fatos Nano, të vendoset në Varrezat e Personaliteteve të Kombit shqiptar.
    Me respektimin sublim për
    Kryeministrin e Shqipërisë Fatos Nano
    Spartak Ngjela
    2 nëntor 2025

    Top Channel

  • Gaqo Apostoli: Një pjesë e madhe e socialistëve janë bukëshkalë, hipokritë!

    Gaqo Apostoli: Një pjesë e madhe e socialistëve janë bukëshkalë, hipokritë!

    Ish-drejtuesi i PSD-së, Gaqo Apostoli ka reaguar në lidhje me reagimet e sotme gjatë ceremonisë mortore në kujtim të Fatos Nanos në Pallatin e Kongreseve, duke i quajtur shumicën e bashkëpunëtorëve të ish-kryeministrit, si hipokritë.

    ‘Do t’i klasifikoja që të gjithë kanë punuar nën dritën e Nanos, por një pjesë e madhe e saj, janë të gjithë bukëshkalur, e thash me një fjalë popullore se nuk gjeta fjalë tjetër. Ka një masë të madhe hipokritësh. Unë kështu e klasifikoj’, u shpreh Apostoli për mediat.

    Kujtojmë se në Pallatin e Kongreseve u zhvilluan sot homazhet në nder të ish-kryeministrit Fatos Nano, i cili humbi jetën më 31 tetor në moshën 73-vjeçare nga një arrest kardiak.

  • Si e ndryshoi burgu Fatos Nanon/ Martin Leka: E bëri më të vendosur në aspiratat për paqe dhe prosperitet demokratik

    Si e ndryshoi burgu Fatos Nanon/ Martin Leka: E bëri më të vendosur në aspiratat për paqe dhe prosperitet demokratik

    Analisti Martin Leka, i ftuar në emisionin “Newsroom” në ABC News, ka folur mbi ndikimin që burgu pati në formimin politik dhe njerëzor të ish-kryeministrit Fatos Nano.
    Sipas Lekës, periudha e burgimit e forcoi Nanon në aspiratat e tij për paqe dhe prosperitet demokratik, duke e bërë më të vendosur dhe më tolerant.
    Ai tregoi se Nano ruajti humorin dhe kurajën edhe në kushte të vështira, duke shkruar letra për partinë në copa paketash cigaresh apo çokollatash, ndërsa pas daljes nga burgu zgjodhi rrugën e tolerancës në vend të hakmarrjes, madje edhe ndaj atyre që e çuan pas hekurave.
    “Burgu e bëri më të vendosur në aspiratat për paqe dhe prosperitet demokratik, të cilat arrihen vetëm me politikë dhe demokraci. Ishte i qartë në garat e tij, kur betejat nuk kishin kohë dhe mbarim. Ishte një njeri shumë i vendosur, saqë nuk e imagjinoje dot që të kishte një kurajo të admiruar.
    Kam marrë kurajo të admirueshme nga Fatos Nano. Ishte një njeri që kishte jashtëzakonisht humor dhe kurajo. Shkruante letra në burg në paketa cigaresh, letra alumini apo çokollate, vetëm për të mbajtur aktiv komunikimi me partinë.
    Në burg, ishte e trishtë që të shikoje një njeri intelektual, të mbahej në ato kushte. Ishte e gjithë pjesa intelektuale e Shqipërisë në burg. Kur doli nga burgu, nuk doli kundër dhe nuk u hakmor ndaj njeriut që e çoi në burg, Sali Berishën. Hapi mendjen e njerëzve se hakmarrja mund të zëvendësohej me tolerancën”, tha Martin Leka.

  • Fjalimi i Ramës në ceremoninë mortore të Fatos Nanos, reagon Berisha: Puthja e Judës

    Fjalimi i Ramës në ceremoninë mortore të Fatos Nanos, reagon Berisha: Puthja e Judës

    Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër ndaj fjalimit të kryeministrit Edi Rama gjatë homazheve në nder të ish-kryeministrit Fatos Nano, duke e cilësuar atë si një akt hipokrizie dhe “tradhti morale”.
    Përmes një postimi të shkurtër në rrjetet sociale, Berisha ka shpërndarë një video të momentit kur Rama mbante fjalimin e tij, duke e shoqëruar me një koment të vetëm: “Puthja e Judës.”

    Në ceremoninë mortore për Fatos Nanon, Partia Demokratike u përfaqësua nga nënkryetari Agron Gjekmarkaj dhe sekretari i përgjithshëm Flamur Noka, të cilët vendosën një kurorë me lule në emër të opozitës.

  • “Lider vizionar”, ish-zëdhënësi i qeverisë së Fatos Nanos për TCH: Pa të, tranzicioni i Shqipërisë do të ishte i vështirë

    “Lider vizionar”, ish-zëdhënësi i qeverisë së Fatos Nanos për TCH: Pa të, tranzicioni i Shqipërisë do të ishte i vështirë

    Sot iu dha lamtumira e fundit ish-kryeministrit dhe liderit historik të Partisë Socialiste, Fatos Nano.

    Në ceremoninë mortore dhe në reagimet publike, personalitete të jetës politike dhe institucionale vlerësuan rolin e tij në konsolidimin e shtetit, reformat ekonomike dhe rrugën euro-atlantike të Shqipërisë.
    Në këtë kuadër, ish-zëdhënësi i qeverisë së asaj periudhe, Aldrin Dalipi, në një intervistë për gazetarin e Top Channel Muhamed Veliu, u ndal te ndikimi dhe vizioni i Nanos gjatë viteve në pushtet, duke theksuar kontributet e tij në transformimin e vendit, integrimin evropian dhe mbështetjen e çështjes shqiptare në rajon.
    “Natyrisht ka qenë një periudhë e rëndësishme vitet 2002-2005 kur kam punuar si zëdhënës i qeverisë dhe kryeministrit Nano, kane qenë vite të transformimit të Shqipërisë. Kanë qenë vite të transformimit të madh të Shqipërisë, ju e dini shumë mirë që Shqipëria u mor në ’97 nga rrënimi i plotë ekonomik dhe shoqëror, e u la në me parametra të shëndoshë ekonomik, me banka të konsoliduara. Sigurisht edhe si një ri reformator në pikëpamjen e ligjeve. Është miratuar ligji antimafia. Do ta bashkoja dimensionin tij edhe në raportin e tij me rrugën europaine të Shqipërisë ku filluan me disa reforma të rëndësishme për integrimin evropian të Shqipërisë.  
    Në atë kohë zoti Nano vazhdimisht udhëtonte drejt Brukselit për të avancuar këtë proces të rëndësishëm, por edhe drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të konsoliduar hapat e rëndësishëm drejt NATO-s. Ju e mbani mend që Shqipëria si kandidate dhe kryeministri Nano ka qenë në Shtëpinë e Bardhë në pranimin e disa vendeve baltike, por që Shqipëria ishte në krah të tyre që së bashku të vazhdonin integrimin në NATO, një parametër tjetër i rëndësishëm që mendoj unë që është parë në reagimin e zotit Thaçi, Kurti, por që ka pasur një rol determinant në luftën e Kosovës, në mbështetje të luftës çlirimtare. Faktorët kosovarë e thoshin që kur të shkruhet historia e Kosovës, aty do të zërë një rol të veçantë edhe Nano me mbështetjen që i ka dhënë faktorëve në Kosovë, shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe kudo ku ishin.
    Pra mendoj që këto e bënin zotin Nano një politikan ekselent, një lider vizionar. Pa Fatos Nanon Shqipëria do të kishte një tranzicion shumë më të vështirë, pasi dosa plagë të dhimbshme ai i mbajti në trupin e vetë sikurse ishte burgu ose elementë të tjerë”, u shpreh ai.

    Top Channel

  • “Lamtumirë”/ Taulant Balla pas ceremonisë mortore të ish-liderit historik të PS-së: Kongresi i fundit me Fatos Nanon

    “Lamtumirë”/ Taulant Balla pas ceremonisë mortore të ish-liderit historik të PS-së: Kongresi i fundit me Fatos Nanon

    Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla teksa i dha lamtumirën e fundit mes lotësh ish-shefit të tij  parë Fatos Nano, e cilësoi ceremoninë shtetërore të përcjelljes së tij si “kongresi” i fundit me Fatos Nanon, duke iu referuar vendit ku Fatos Nanos iu bënë nderimet më të larta dhe ku tradicionalisht zhvillohen kongreset e PS-së.

    Në këtë godinë sot Nano nuk bashkoi vetëm socialistë, por edhe kundërshtarë politikë të mazhorancës, personalitete shtetërore dhe liderë nga trojet shqipfolëse në rajon.
    “Lamtumirë”, shkroi Balla në postimin e tij në Facebook, të shoqëruar me pamjet teksa hynte për homazhe në Pallatin e Kongreseve, pa dyshim ndër çastet më të trishtuara në karrierën e tij politike, të cilën e kishte nisur në vitin 2004, pikërisht si anëtar i kabinetit të Kryeministrit Nano, për t’u bërë  më pas një nga politikanët më të zëshëm të mazhorancës sot.
    Balla kurrë nuk harroi mjeshtrin e orëve të para, që e mësoi në fillimet e tij, as sa ishte gjallë, dhe e falënderoi publikisht edhe në ditën që Nano u nda nga kjo botë për mësimet që i kishte dhënë atij  dhe gjithë socialistëve të tjerë.

    Top Channel

  • Ikja e një reformatori

    Ikja e një reformatori

    Fatos Nano, një nga figurat më të rëndësishme të tranzicionit politik dhe ekonomik shqiptar, u nda nga jeta në tetor 2025, duke lënë pas një trashëgimi të ndërlikuar, por themelore për shtetin modern shqiptar.Në historinë e politikës së vendit, emri i tij lidhet me momentin e rikthimit të ekuilibrit ekonomik pas krizës së vitit 1997 dhe me përpjekjet për të vendosur themelet e institucioneve që do ta drejtonin Shqipërinë drejt integrimit europian.Në fillim të viteve ’90, Nano u bë një nga figurat e para që artikuloi qartë nevojën për kalimin nga ekonomia e centralizuar drejt asaj të tregut të lirë. Mandati i tij i parë si kryeministër në vitin 1991 ishte i shkurtër, në një periudhë të trazuar politike dhe institucionale, por përpjekjet e tij për të hapur ekonominë dhe për të nisur procesin e transformimit strukturor të saj shënuan një moment të rëndësishëm simbolik.Ato reforma, megjithëse nuk arritën të konsolidoheshin për shkak të ndryshimit të pushtetit në vitin 1992, treguan drejtimin që Shqipëria do të ndiqte më vonë: orientimin drejt tregut dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.Por ishte pas vitit 1997 që Fatos Nano la gjurmën e tij më të fortë në historinë ekonomike të vendit. Në krye të qeverisë që mori detyrën për të rimëkëmbur një Shqipëri të shkatërruar nga kriza e skemave piramidale, ai udhëhoqi një nga proceset më të vështira të stabilizimit ekonomik.Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, programi i qeverisë Nano përfshinte masa të menjëhershme për uljen e deficitit buxhetor, forcimin e administratës fiskale dhe rikthimin e besimit në sistemin bankar (IMF, Press Release on Albania’s Economic Recovery Program, 1997). Kjo periudhë u konsiderua nga FMN si “fillimi i stabilitetit të qëndrueshëm pas një kolapsi të plotë ekonomik”.Sipas Bankës Botërore (World Bank Country Report: Albania 1998), rritja ekonomike u rikthye për herë të parë pas krizës, inflacioni u ul ndjeshëm dhe vendi rifitoi mbështetjen e institucioneve ndërkombëtare. Këto masa u ndoqën nga një fazë konsolidimi gjatë mandatit të tij të dytë (2002–2005), kur qeveria Nano u fokusua te modernizimi i infrastrukturës, përmirësimi i sistemit energjetik dhe reformat fiskale që synonin stabilitetin afatgjatë.Sipas një raporti të Bankës Botërore për vitin 2004, gjatë kësaj periudhe Shqipëria ruajti një rritje mesatare prej mbi 6% në vit, ndërsa inflacioni u mbajt në nivele të ulëta dhe të ardhurat buxhetore u rritën ndjeshëm. Nano gjithashtu mbrojti idenë e autonomisë së institucioneve ekonomike dhe të një qeverisjeje teknokratike, që i vendoste prioritet stabilitetit financiar përpara populizmit politik.Në vizionin e tij, reformat nuk ishin qëllim politik, por mjet për ndërtimin e shtetit modern. Qeverisja e tij u mbështet te dialogu me institucionet ndërkombëtare – FMN, Bankën Botërore dhe Bashkimin Europian – duke e përfshirë Shqipërinë në një proces të qëndrueshëm afrimi me strukturat europiane.Ishte një periudhë ku reformat ekonomike dhe diplomatike shkuan paralelisht, me qëllimin e ndërtimit të një ekonomie funksionale dhe të një administrate profesionale.Sipas vlerësimeve të kohës, Fatos Nano ishte një reformator racional, që shihte stabilitetin si themel të çdo zhvillimi. Ai i përkiste brezit të politikanëve që besonin se zhvillimi i vërtetë nuk vjen nga retorika politike, por nga politika ekonomike e matur dhe nga forcimi i institucioneve.Në ditën kur vendi i jep lamtumirën, Shqipëria kujton njeriun që riktheu shtetin në funksion pas kaosit dhe që i dha një drejtim të qartë reformës ekonomike.Trashëgimia e tij është një kujtesë se për çdo vend në tranzicion, ekonomia dhe institucionet janë dy shtyllat që mbajnë peshën e demokracisë. Fatos Nano do të kujtohet si një nga arkitektët e parë të stabilitetit ekonomik shqiptar — një lider që besonte se rruga drejt Europës kalon përmes reformës, jo përmes fjalës.Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

  • Kush ishin 50 sekretet e jetës së Fatos Nanos!

    Kush ishin 50 sekretet e jetës së Fatos Nanos!

    Mijëra qytetarë, socialistë, personalitete nga rajoni e krerët e besimeve fetare i dhanë lamtumirën Fatos Nanos në homazhet që zgjatën rreth 5 orë.
    Të majtë e të djathtë u bënë bashkë, me mungesën e Berishës. Nga Kosova erdhi Albin Kurti, nga Maqedonia e Veriut zv.kryeministri dhe kreu i BDI-së Ali Ahmeti.
    Trupi i Nanos u përcoll nën shtratin e një topi dhe me tingujt e këngës “I did it my way”.
    Që nga fëmijëria, pjesëmarrja në politikë, arrestimi, qëndrimi në burg, pafajësia, divorci, martesa e dytë me Xhoanën e deri te pesë tentativat për vrasje.
    Nano ka qenë për 13 vite kryetar i PS-së, ka dhënë plot 5 herë dorëheqjen, tri herë si kryeministër dhe dy herë si kryetar i PS-së.
    Fatos Nano dinte pesë të gjuhë të huaja. Në vitin e dytë të gjimnazit, ai formoi një grup rroku (ishte solisti) që luante muzikën Bitëllsave. Gjatë burgimit atij i janë qethur flokët si ndëshkim për deklaratat që bënte në media. Dashuria për futbollin dhe cigaret.
    Njihuni me sekretet e Fatos Nanos nëpërmjet një profili me 50 fakte.
    1- Fatos Nano ka lindur më 19 shtator 1952 në Tiranë. Është djali i vetëm i katër fëmijëve të Thanas dhe Marie Nanos. Motrat e tij janë Sashenka, Vjollca, që janë dhe më të mëdha në moshë, ndërsa Mimoza është motra e vogël.
    2- Fatos Nano ka lindur në një familje që ishte pjesë e elitës së regjimit komunist të vendit. Babai i tij, Thanas Nano, ishte drejtor i Radio Televizionit Shqiptar për shumë vjet.
    3- Nano ka studiuar në shkollën e mesme “Sami Frashëri” në Tiranë, e rezervuar për fëmijët e nomenklaturës. Aty mësoi gjuhët e huaja si dhe të luante me kitarë. Në vitin e dytë të gjimnazit, ai formoi një grup rroku (ishte solisti) që luante muzikën Bitëllsave, rreptësisht e ndaluar për publikun gjatë asaj periudhe.
    4- Pasi përfundoi gjimnazin në shkollën “Sami Frashëri”, Nano studio në Universitetin e Tiranës në degën Ekonomi Politike. Në nivel të arsimit është vlerësuar si nxënës i shkëlqyer dhe një nga studentët më të mirë të universitetit. Fatos Nano di pesë gjuhë të huaja, anglisht, frëngjisht, italisht, rusisht dhe serbo-kroatisht. Cilësohej si një nga pedagogët më të kualifikuar.
    5- Fatos Nano ka qenë katër herë kryeministër i vendit. Më konkretisht: në qeverinë që përgatiti zgjedhjet pluraliste të vitit 1991, në qeverinë e fituar nga Partia e Punës për tre muaj më 1992, në qeverinë e vitit 1997 dhe në qeverinë e vitit 2002 deri në 2005-ën. Nano ka qenë kryetar i PS-së për 13 vjet. Ka dhënë dorëheqjen tri herë si kryeministër dhe dy herë si kryetar i Partisë Socialiste, duke themeluar “institucionin” e dorëheqjes në Shqipëri, por edhe duke vënë një rekord në këtë fushë.
    6- Koha më e shkurtër e qëndrimit kryeministër ka qenë në vitin 1991, kur drejtoi kabinetin vetëm për tre muaj. Ndërsa koha më e gjatë e qëndrimit ka qenë mandati i tij i fundit. Si kryetar i Këshillit të Ministrave drejtoi qeverinë socialiste për 36 muaj. Nga gushti i vitit 2002 deri në shtator 2005, kur dha dorëheqjen.
    7- Fatos Nano është zgjedhur deputet i Parlamentit pesë herë. Deputet i Tiranës në vitin 1991. Deputet i Kuçovës në vitin 1992. Deputet i Tepelenës në vitin 1991 dhe në vitin 2001 dhe deputet i Sarandës në vitin 2005 deri në vitin 2009.
    8- Fatos Nano mban titullin “Doktor Profesor i Shkencave Ekonomike”. Titullin e parë e ka marrë në vitin 1980 dhe titullin profesor kur ishte kryeministër në vitin 2003 nga Fakulteti i Ekonomisë së Tiranës. Mban tituj nderi nga dy universitete italiane. Në vitin 2000 Universiteti i Ndërkombëtar i Milanos, e dekoroi me titullin “Doktor Honoris Causa” në fushën e Ekonomisë dhe po në këtë vit merr titullin e nderit “Doktor Honoris Causa” në fushën e Shkencave Ekonomike nga Universiteti i Barit. Ka marrë titullin “Honoris Causa”, edhe nga Universiteti Europian i Tiranës.
    9- Pas mbarimit të universitetit, për katër vite, Fatos Nano zhvendoset në Elbasan, ku punon si ekonomist në Kombinatin Metalurgjik. Më pas transferohet në Tiranë, ku punon fillimisht si ekonomist në kooperativën e Priskës.
    10- Ngjitja e karrierës profesionale të Nanos nisi pas rikthimit në Tiranë në vitin 1980. Ai emërohet të punojë në Institutin e Studimeve Marksiste-Leniniste. Një post që i dha mundësinë të kishte kontakte më të shpeshta me botën perëndimore për shkak të udhëtimeve.
    11- Gjatë viteve 1984-1990, Fatos Nano do të ishte një nga ekonomistët e parë që paraqiti projekte për reformat social-ekonomike dhe reformën e Ekonomistë në Europën Juglindore. Në të njëjtën kohë do të punonte edhe si pedagog i jashtëm në Fakultetin Ekonomik të Tiranës.
    12- Në vitet 1989-1990 ishte një ndër intelektualët që kërkon ndryshime në ekonominë e vendit. Së bashku me kolegët pedagogë, Gramoz Pashko, Leontiev Çuçi dhe Anastas Angjeli përbënin bërthamën e një grupi profesorësh liberalë në Universitetin e Tiranës.
    13- Gjatë kohës që ishte i burgosur në burgun e sigurisë së lartë në Bënçë të Tepelenës u shpall “Qytetar Nderi” nga dy qytete. Në mars të vitit 1996 u bë “Qytetar Nderi” i Kuçovës dhe në prill të po atij viti, qyteti ku ishte burgosur, Tepelena i dha titullin “Qytetar Nderi”.
    14- U martua në moshën 24-vjeçare me Rexhina Fatollin, vajza simpatike, qe e njohu në vitet e para të gjimnazit “Sami Frashëri” në kryeqytet. Pas 27 vitesh martese, çifti u divorcua në vitin 2001.
    15- Fatos Nano, në vitin 2001, atëherë 50 vjeç, u martua sërish, me një ceremoni në Kishën Ortodokse të Tiranës me Xhoanën. Ceremonia u drejtua nga kryepeshkopi Janullatos. 29-vjeçarja Nano jetonte në Athinë ku dhe ishte divorcuar në vitin 1998 nga martesa e parë.
    16- Martesa e parë e Fatos Nanos u bë në një ambient familjar, në shtëpinë e të atit të tij në Tiranë. Ndërsa martesa e dytë u bë me një ceremoni gjigante në Kishën Ortodokse në Tiranë dhe më pas në qytetin e Durrësit.
    17– Martesa e Fatos dhe Xhoana Nanos, dhe divorci i ish-kryeministrit ishin një ngjarje që lanë shenjë në sjelljen politike të vendit. Duke sfiduar mentalitetin e kohës, ish-kryeministri Nano deklaroi publikisht lidhjen e tij me gruan shumë vite më të re në moshë, divorcin dhe nisjen e një jete të re. Në një intervistë televizive, pak kohë para ceremonisë së martesës, Xhoana Nano, asokohe 10 vite më e re kishte deklaruar me Fatos Nanon do të bënte më shumë se një fëmijë dhe se mosha nuk përbënte asnjë problem mes tyre.
    18- Fatos Nano ka dy fëmijë, Sokolin 36 vjeç dhe Edenë, 33 vjeç, nga martesa e parë me Rexhina Nanon. Ndërkohë që ka dhe një djalë të birësuar nga martesa e tij me Xhoana Nanon, Klajdin, 23 vjeç.
    19- Sipas të dhënave mediatike, ndaj Fatos Nanos janë bërë pesë tentativa për vrasje. Një ndër atentatet ka ndodhur në Berat, një në Shkodër, një në vilën kryeministrore, një kërcënim në zyrë dhe ngjarjet e 14 shtatorit të vitit 1998.
    20- Fatos Nano ka bërë 1 353 ditë burg. Ai u dënua me 12 vjet burg me akuzën për shpërdorim detyre në favor të të tretëve dhe vuajti dënimin në burgun e Tiranës deri në vitin 1994 dhe në burgun e sigurisë së lartë në Bënçë te Tepelenës deri në vitin 1997.
    21- Fatos Nano u arrestua në 30 korrik 1993 në Tiranë dhe u lirua më 13 mars 1997, pas revoltave të armatosura në jug të vendit. Lirimi i tij ishte një kërkesë e opozitës së majtë, por edhe e ndërkombëtarëve si një lëvizje për të qetësuar trazirat në vend.
    22- Kristina Çupi, ish-sekretarja personale e Nanos, në një nga kapitujt e librit të Ylli Polovinës, “Të jesh apo të mos jesh” se çfarë Nano bëri para se ta arrestonin.
    Ditën kur do të ikte, më 30 korrik, më është thyer filxhani. Ishte mëngjes. Njoftimi me shkrim, një pusullë thirrëse, erdhi nga Prokuroria e Tiranës. Ishte ora tetë. Mirëpo Fatosi duhej të shkonte patjetër në mbledhjen e socialistëve të kryeqytetit, që mbahej në Teatrin e Operës dhe i thashë se kishte për të shkuar edhe … Më dridhet zëri kur e them. Ai tha: “Do vete njëherë në mbledhjen e Tiranës”. Shkoi. Kur erdhi këtu, ishte me një grup njerëzish. Një mik i tij, një afarist, i tha se duhet të blinin “Fanta”. I blemë ato dhe Fatosi tha: “Tani duam edhe një kafe”. Ia bëra kafet te një nga zyrat. Kur ia solla të tijën, më pa në sy (se si po më shihte) dhe tha: “Mund të mos kthehem”. E dëgjuan edhe të tjerët. Mbetëm. Sepse shtoi: “Ata do të bëjnë shpejt atë që kanë ndër mend ta bëjnë”. Aty m’u thye filxhani. Mos u mërzit i thashë, mos u mërzit se kam shenjë të mirë. Pastaj iku. E pritëm, e pritëm. Dikush vajti. Vajtën të tjerë. Prisnim para Prokurorisë. Disa druheshin të pyetnin (siç e kemi ne që ndonjëherë kemi frikë). E kishin arrestuar”, ka treguar Kristina.
    23– Gjatë kohës që ishte i burgosur mori vetëm 24 orë leje. Në dhjetor të vitit 1995 i vdes e ëma dhe shteti i dha vetëm një ditë leje për ta varrosur. Ndërkohë që trajtimi i tij në burg, sipas dëshmive, nuk ndryshonte nga ai të dënuarve të zakonshëm.
    24- Sipas dëshmisë së ish-bashkëshortes së tij, Rexhina, gjatë qëndrimit në burg, Fatos Nanos i janë qethur flokët si ndëshkim për deklaratat që bënte në media. Ndërkohë që në të gjitha seancat gjyqësore ai sillej nga policia në pranga. Dosja e Fatos Nanos për shpërdorimin e ndihmave italiane ishte 3200 faqe. Në të përfshiheshin dhe vendime të dhëna nga qeveria e Adil Çarçanit. Kryetari i Gjykatës së Kasacionit, Zef Brozi, nuk pranoi të ishte ai njeriu që do të gjykonte Nanon.
    25- Avokat Idajet Beqiri ka rrëfyer në media para disa kohësh detaje nga jeta në burgun 313 në Tiranë dhe në atë të Bënçës në Tepelenë, ku ndodhej i izoluar së bashku me kryesocialisti Fatos Nano.
    Ja çfarë kujton Idajet Beqiri nga ajo kohë:
    Në kushtet e vështira të burgut 313 erdhi dhe vuajti së bashku me ne në 30 korrik 1993 edhe Fatos Nano. Fillimisht kam menduar se “si bythëpambuk Tirane” nuk do i duronte dot këto kushte skandaloze në burg dhe do thyhej. Por isha i gabuar. Fatos Nano sillej dhe qëndronte në burg si burgaxhi i regjur. Më zgjuarsinë e tij, me batutat e tij të hidhura, jo vetëm që i vinte të gjithë në lojë, por gjithashtu i shkujdeste aq keq gardianët dhe oficerët e burgut, sa e thyente sa herë të donte izolimin e egër që i bënin”.
    26- Historiani amerikan, Fred Abrahams, në librin e tij ‘Shqipëria e re’, tregonte se si ndryshoi Fatos Nano pas daljes nga burgu.
    Nanoja dukej ndryshe nga ç’kishte qenë përpara burgosjes së tij- më i shëndoshë dhe me mjekër. Këshilltarët e tij të afërt treguan se Nanoja kishte vuajtur në burg dhe doli prej andej një njeri i ndryshuar, me më pak kontroll të vetvetes. Megjithatë ai mbeti i mençur dhe dinak. Prapa hekurave, ai kishte qëndruar aktiv në parti, duke pasur furnizim të pandërprerë me lajme, cigare dhe pije”.
    27- Në vitin 2000 Gjykata e Tiranës i dha pafajësinë për akuzat e ngritura nga Prokuroria. Pas marrjes së pafajësisë, Nano fitoi edhe mbrojtje morale për akuzat për korrupsion. Më vonë edhe Sali Berisha ka deklaruar se burgosja e Nanos ishte veprim i nxituar. Në vitin 2002, Fatos Nano dëmshpërblehet nga shteti për burgim të padrejtë në shumën prej 72 milion lekësh. Nano, paratë e burgut ia dha ish-bashkëshortes së tij, Rexhina Nanos, si edhe apartamentin e tij në Tiranë.
    28- Në një nga kabllogramet konfidenciale të Ambasadës Amerikane në Tiranë të zbardhur nga Wikileaks bëhej edhe një biografi e detajuar e Fatos Nanos në vitin 1997. Nano ishte liruar nga burgu pak muaj më parë dhe sapo ishte zgjedhur kryeministër.
    Ambasada tregon detaje të jetës së tij:
    Nano është intensiv, i fokusuar dhe individual. Është 168 cm, një gjatësi mesatare për meshkujt shqiptarë. Doli nga burgu mbi peshë dhe i parruar. Shumë të njohur të vjetër u shprehen se nuk e kishin njohur atë pas daljes nga burgu. Një duhanpirës i regjur, një kafshë sociale që shijon bredhjet në orët e vona të natës me rrethin e ngushtë të shokëve politikanë. Nano është serioz edhe kur bën shaka…. …Gruaja, e vizitonte Nanon një herë në javë në burgun e Tepelenës. Ata janë dukshëm të përkushtuar ndaj njeri-tjetrit. Edhe pse ajo nuk është shumë e aftë në gjuhët e huaja dhe nuk flet shumë në publik, në prani të të huajve, duket qartë se Nano ka konsideratë të lartë për të”, është përshkrimi i Ambasadores Mariza Lino për ish-kreun e opozitës.
    29- Është akuzuar si pasardhës i komunistëve dhe bllokmenëve. Ndërkohë që ka meritën se transformoi Partinë Socialiste nga një parti që idealizonte Enver Hoxhën dhe Marksin, në një parti moderne të majtë dhe arriti ta integrojë në partitë e majta evropiane. Meritë kjo që është njohur së fundmi nga ish-rivali i tij më i madh Sali Berisha. Në 25 vjetorin e PS-së, Berisha duke iu drejtuar me anë të një mesazhi socialistëve, vlerësonte Fatos Nanon si reformator.
    Fatos Nanos, në një garë, nga anëtar i thjeshtë arriti të zgjidhet kryetar i PS dhe ta shkëpusë PSSH nga modeli stalinist pothuaj 60-vjeçar i partisë së një njeriu! Fatos Nano e aderoi PS-në në organizmat e socialistëve europian dhe ka meritën e pranimit të rotacionit jo vetëm në parti por dhe në nivel vendi!, shkruante Berisha ndër të tjera në mesazhin e tij, ku sulmonte kryetarin aktual të PS-së, Edi Ramën, se e ka mbushur PS-në e sotme me kriminelë.
    30- Batuta më e fortë e Fatos Nanos është për kryetarin aktual të Partisë Socialiste, Edi Ramën. “E mora nga Parisi me thonj të paprerë dhe shitësh ikonash të vjedhura”, deklaronte Nano në një nga takimet elektorale. Ndërsa një tjetër batutë e famshme ka qenë për LSI-në. “Lëvizja e Skraparllinjve të Inatosur” e pati quajtur Fatos Nano LSI-në e Ilir Metës, kur u themelua, atë shtator të vitit 2004
    31- Një tjetër thënie e famshme e Fatos Nanos është përshkrimi që i bënte historisë së vendit tone me një fjali të vetme. “Ne kemi kaluar nëpër çdo gjë si komb – copëtim, diktaturë, madje dhe anarki”, ka deklaruar Nano.
    32- Fatos Nano ishte një nga figurat kryesore të intelektualëve që u thirr në takimin e famshëm të Presidentit Ramiz Alia me inteligjencën në gusht të vitit 1990. Së bashku me të ishin Sali Berisha e shumë të tjerë që përbënë bërthamën e politikës në 25 vitet e fundit.
    33- Në moshën 39-vjeçare, Nano do të marrë një nga postet më të rëndësishme në qeverinë e Adil Çarçanit. Emërohet zëvendëskryeministër për reformat në ekonomi. Ylli politik i Fatos Nanos nis të shkëlqejë që në momentet e para. Në shkurt të vitit 1991, Nano emërohet nga Partia e Punës si kryeministër. Një nga arsyet që Nano depërtoi në qendër të pushtetit në një kohë shumë të shkurtër, ishte fakti që vendi po ndërmerrte reforma shumëplanëshe. Vetëm një politikan që nuk kishte qenë funksionar i mëparshëm mund ti bënte.
    34- Në 31 mars 1991, qeveria Nano arrin të zhvillojë zgjedhje normale dhe pa incidente serioze. Fatos Nano zgjidhet deputet në një nga zonat elektorale të Tiranës dhe merr mandatin e dytë si kryeministër, përsëri nga Partia e Punës.
    35- Dorëheqja e parë si kryeministër u bë në maj të vitit 1991. Kundërshtimi i opozitës për legjitimitetin e pushtetit, grevat e punëtorëve në vend dhe gjendja e rënduar ekonomike në vend bënë që Nano të jepte dorëheqjen për t’u krijuar Qeveria e Stabilitetit që u drejtua nga Ylli Bufi.
    36- Fatos Nano është kryetari i parë i Partisë Socialiste. Në Kongresin e 10-të të PPSH-së, Nano mori drejtimin e partisë më të madhe në vend, duke shënuar ndarjen e partisë që drejtoi regjimin komunist dhe zëvendësimin jo vetëm me një emër tjetër, por edhe me një tjetër frymë.
    37- Ishte politikani i parë që vendosi kontaktet me partitë e tjera të majta evropiane që i dhanë njohjen PS-së në rajon e më tej. Nano bashkëpunoi me Beneto Kraksin e të majtës italiane, Andrea Papandreun e PASOK-ut grek, etj.
    38- Takimi i parë i Fatos Nanos me kundërshtarin e tij më të madh, Sali Berisha, sipas dëshmive të të dy palëve, ka ndodhur më 1990 në ambientet e redaksisë “Zëri i Popullit”, ku diskutuan për një shkrim që ishte botuar.
    39- Është politikani i parë që ka njohur rezultatin e zgjedhjeve në vend fill pas daljes së rezultateve. Në zgjedhjet parlamentare të 22 marsit 1992, Nano pranoi humbjen dhe daljen në opozitë të PS-së. Në këto zgjedhje, Nano fitoi mandatin e deputetit në Kuçovë.
    40- Takimi që i ka dhënë më shumë pikë Fatos Nanos, ka qenë ai me presidentin amerikan Bill Klinton. Gjatë mandatit të parë në krye të qeverisë arriti të shkëlqente në marrëdhëniet ndërkombëtare duke sjell një bashkëpunim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
    41- Vizita më e rëndësishme e Fatos Nanos jashtë vendit është ajo në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, në vitin 2004 dhe takimi me Presidentin Xhorxh Bush. Vizita u bë në kuadër të anëtarësimit të vendeve të reja në NATO. Gjatë takimit doli edhe një detaj interesant, Bush theu protokollin duke e zgjatur takimin me Nanon më shumë sesa koha e programuar. Siç duket kryeministri shqiptar e bëri për vete me batutat e tij liderin amerikan.
    42- Pas humbjes së zgjedhjeve nga Partia Socialiste në 3 korrik 2005, Fatos Nano jep dorëheqjen nga posti i kryeministrit. U vlerësua për rotacionin paqësor të pushtetit.
    43- Pas dorëheqjes së kryeministër i vendit, në shtator 2005, Fatos Nano jep dorëheqjen edhe si kryetar i Partisë Socialiste. Me këtë veprim, Fatos Nano futi një akt civilues në politikën shqiptare, që kryetari që humbet zgjedhjet largohet, veprim ky që nuk është përsëritur nga liderët e tjerë politikë. Sali Berisha e bëri këtë veprim kur humbi zgjedhjet e vitit 2013.
    44- Fatos Nano është duhanpirës që nga vitet e para të adoleshencës. Cigaret e preferuara për të janë puro kubaneze dhe cigaret me filtër “Marlboro”. Në shumicën e takimeve dhe daljeve publike, në dorën e tij të majtë do të ishte pothuajse gjithnjë një cigare. Fatos Nano nuk është vetëm një i pasionuar pas muzikës, por edhe një njeri që në adoleshencë ka kënduar. Në intervistat e tij ka pohuar se grupi i tij i preferuar muzikor ishin “Bitëllsat”. Këngët e këtij grupi i këndonte fshehurazi nën shoqërinë e miqve.
    45- ishte politikani i parë që u pa të ndiqte ndeshjet e Kombëtares. Pothuajse ka marrë pjesë në të gjitha ndeshjet më të rëndësishme brenda dhe jashtë vendit. Edhe pasi u largua nga politika. Nano është një i apasionuar i madh i futbollit. Në Shqipëri bën tifo me “Partizanin”, ndërsa në Itali me Interin, ndërkohë që është edhe tifoz i Italisë.
    46- Ishte një nga politikanët që ka një raport të veçantë me pijen. Padyshim që njohja që ka ai për verën dhe xhinin, por edhe shumë pije të tjera alkoolike futen në kulturën e tij gjenerale. Pija e tij e preferuar “Xhini” i shoqëruar me tonik.
    47- Më 17 gusht të vitit 2003, Fatos Nano kryen një operacion të planifikuar në tëmth. Operacioni u bë pas disa shqetësimeve shëndetësore të Nanos të përsëritura që nga viti 1996. Ky ishte operacioni i dytë i Nanos, pasi po në vitin 2003 bëri një ndërhyrje estetike në sy.
    48- Më 19 shtator të vitit 2007, Nano anononçoi themelimin e Lëvizjes për Solidaritet dhe Politikë Institucionale në PS. Në këtë lëvizje, Nanos iu bashkuan plot 14 deputetë socialistë. Por me kalimin e muajve, Nano pak nga pak e la në hije nismën, duke bërë që kjo lëvizje të shuhej. Ndërsa Edi Rama vendosi të hakmerrej ndaj mbështetësve të Nanos, duke i lënë jashtë listave të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.
    49– Ëndrra më e madhe politike mbeti Pallati i Brigadave. Më 8 korrik 2007, Fatos Nano hyn zyrtarisht në garën presidenciale. Por Partia Socialiste nuk e mbështeti ish-kryetarin e saj. Për tu hakmarrë ndaj mosmbështetjes së Ramës, 6 deputetë socialistë, mbështetës të Nanos, ia dhanë votat Bamir Topit. Në 20 gusht, Bamir Topi zgjidhet president me votat e Nanos, ndërsa Shqipëria arrin të shmangë zgjedhjet e parakohshme.
    50- Fatos Nano prej vitesh ishte larguar jetës politike në vend. Numërohen me gishtat e dorës deklaratat e tij të rralla politike gjatë kohëve të fundit. Nano bënte një jetë mes Vjenës dhe Tiranës, por vitet e fundit i kaloi në Shqipëri ku dhe mbylli sytë përgjithmonë.