Nga Shpresa Dine dhe Vladimir Kodhelaj
Qindra qytetarë shqiptarë dhe nga diaspora e mes tyre shumë nga Saranda përcollën pak ditë më parë për në banesën e fundit një prej figurave më të rëndësishme të politikës shqiptare pas viteve ’90 — lideri historik i së majtës, themeluesi dhe arkitekti i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Fatos Nano.
Veprimtaria e tij politike dhe drejtuese është ndjerë fuqishëm edhe në Sarandë, qyteti me të cilin Ai ka pasur lidhje të veçanta gjatë viteve të angazhimit të tij politik.
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2005, Fatos Nano kandidoi për deputet në Sarandë, përfaqësues i Partisë Socialiste. Në programin e tij politik, ai përfshiu një sërë objektivash të rëndësishme për zhvillimin e qytetit bregdetar, me synimin për t’i dhënë një shtysë të re ekonomisë dhe turizmit. Me stilin e tij karakteristik dhe gjuhën e drejtpërdrejtë, Nano premtonte se do të luftonte “balozët e politikës”, siç shprehej shpesh në fjalimet e tij.
Rezultatet e atyre zgjedhjeve e treguan mbështetjen e fortë që Ai gëzonte në Sarandë: me mbi 2000 vota më shumë se kundërshtari politik, qytetarët e zgjodhën Fatos Nanon si përfaqësuesin e tyre në Kuvendin e Shqipërisë.Duke shfrytëzuar arkivin e Studio “Kodhelaj”, po sjellim një montazh kujtimesh me disa nga momentet më të rëndësishme të pranisë së tij në Sarandë.
Një prej vizitave më të veçanta ishte ajo e 15 shkurtit 2004, kur, në emër të Qeverisë së Shqipërisë, Fatos Nano, takoi kryetarin e sapozgjedhur të Bashkisë Sarandë nga radhët e opozitës, Edmond Gjoka. Gjatë këtij takimi, ai i dorëzoi zyrtarisht vendimin e qeverisë për kalimin e godinës së ish Shtëpisë së Oficerëve nga Ministria e Mbrojtjes në pronësi të Bashkisë Sarandë — një akt me rëndësi të madhe për jetën kulturore e qytetare të qytetit.
Një moment tjetër është materiali nga inaugurimi i kantinës së verërave “Isak” në Vrion, si dhe pamje nga fushata elektorale e vitit 2005: vizitat në portin e qytetit, në spitalin “Petro Nako”, dhe në fund, takimi përmbyllës i fushatës, ku Fatos Nano mbajti fjalimin e tij përpara qytetarëve të Sarandës.
Në kujtesën e shumë sarandiotëve, Fatos Nano do të mbetet politikani me vizion, energji dhe qartësi politike — një figurë që, pavarësisht debateve të kohës, la gjurmë në historinë e re të Shqipërisë dhe në zemrat e atyre që e ndoqën dhe e mbështetën.









