Kreu i PD-së, Sali Berisha, u shpreh se kandidatët e primareve të partisë janë takuar ose kontaktuar të gjithë, duke theksuar se askush nuk është i përjashtuar dhe çdo anëtar ka të drejtë të marrë pjesë në proceset e brendshme.
Ai nënvizoi se gjatë këtij procesi, sfida kryesore ka qenë angazhimi i plotë për mbrojtjen e votës së qytetarëve dhe denoncimi i farsës elektorale të krijuar nga kryeministri Edi Rama. Berisha kujtoi raportet e organizatave ndërkombëtare, duke përfshirë OSBE-ODIHR dhe Këshillin e Europës, që faktojnë se zgjedhjet e 11 majit 2025 u mbajtën nën kushte të partisë-shtet dhe ishin një farsë e vërtetë elektorale.
Ai theksoi se ky proces tregon se çdo demokrat dhe opozitar ka të drejtë legjitime të luftojë për rivendosjen e votës së lirë dhe për përmbysjen e një pushteti që përdor administratën, paratë publike dhe çdo instrument shtetëror për të manipuluar rezultatin zgjedhor.
Pjesë nga deklarata:
Kandidatët e primareve në tërësi i kam takuar ose i kam telefonuar. Vetë Salianji ka qenë disa herë në këtë zyrë, Ilir Alimehmeti edhe më shpesh. Në këtë kontekst askush nuk është i përjashtuar në këtë parti.
Po ka patur një problem serioz dhe ky problem ka qenë angazhimi ynë total në mbrojtjen e votës. Në rast se ju rikujtoni deklaratat e mia, ato kanë qenë dy.
E para me Edi Ramën zgjedhje nuk ka dhe kjo është përsëritur dhjetëra e dhjetëra herë.
Unë jam kryeministër dhe unë e di se, në rast se një kryeministër vendos të mos zhvillojë zgjedhje, por farsë, opozita nuk i fiton kurrë ato zgjedhje.
Ka të gjitha mjetet, siç thotë raporti i OSBE-ODIHR, të gjithë potencialin e madh për të rrëmbyer votën, për të shndërruar zgjedhjet në një farsë. Dhe Edi Rama është i tillë dhe unë këtë e kam denoncuar me dhjetëra herë.
Por kam bërë një zotim tjetër, krahas kësaj. Zotimi ka qenë se do të mbroj votën. Çfarë do të thotë kjo. Pra do të bëj gjithçka për të vërtetuar se ishin zgjedhje apo farsë, se ishte votë e lirë apo e rrëmbyer.
Dhe kjo mendoj unë u realizua për herë të dytë në historinë e këtij vendi, u realizua për herë të dytë pas vitit 2001. U bë një përpjekje shumë e madhe, por një përpjekje në këtë aspekt plotësisht të suksesshme.
Tre raportet, e tre organizatave më të mëdha ndërkombëtare që erdhën së bashku dhe vëzhguan zgjedhjet dhe raporti i tyre i përbashkët faktojnë se 11 maji i 2025 ishte një farsë e vërtetë elektorale.
Po të marr raportin më të shkurtër të tyre, atë të Këshilli të Europës. Nëse ju lexoni me interes rekomandimet, njëri prej rekomandimeve bazë është në Shqipëri të ndahet partia nga shteti.
Çfarë nënkupton kjo? Kjo nënkupton se zgjedhjet në Shqipëri u mbajtën në kushtet e partisë-shtet. Zgjedhjet që zhvillohen në kushtet e partisë-shtet nuk janë kurrë më të lira, por janë thjeshtë farsë elektorale.
Mund të imagjinoni ju, një parti-shtet që organizon në periudhën kohore të ndaluara për aktivitete 4500 aktivitete elektorale në mënyrë që të ndikojë te zgjedhësi.
Që përdor 100 euro për çdo pensionist për të blerë vota.
Që fal, 1 miliardë. Gjer këto kohë kemi thënë 200 milionë. Jo. Llogaritjet treguan se janë falur 1 miliardë e 700 milionë gjoba dhe kamata të 10 viteve të fundit.
Që licencon mbjelljen e 28 mijë hektarëve kanabis në vend.
Që përdor administratën si një ushtri elektorale në kundërshtim flagrant me ligjin dhe parimet ndërkombëtare.
Pra janë ky kompleks faktorësh i cili bëri të mundur që ne ti dalim zot votës së shqiptarëve, në kuptimin ligjor shqiptar dhe ndërkombëtar.
Kjo do të thotë se, çdo demokrat e demokrate, çdo opozitar dhe opozitare e ka legjitime betejën për përmbysjen e këtij pushteti dhe rivendosjen e votës së lirë. Dhe ky nuk është një rezultat i vogël. Kjo është realizuar dhe në vitin 2001, nëse ju kujtohet që u konkludua me një president konsensual, formulë e cila sot opozitës në vlerësim tim më të madh nuk i intereson.









