pronarja e baneses ku jetonte familja e erionit
DURRËS- Banesa ku jetonte familja Boba në zonën e ish-Kënetës Durrës, është sot e braktisur, për shkak se trupi i Erionit 15-vjeçar do të varroset në Bulqizë, nga ku ishte dhe origjina e prindërve të tij. Familja ishte shpërngulur 3 vite më parë në Durrës, për një jetë e edukim më të mirë për fëmijët, njëri prej të cilëve iu vra në mënyrë barbare nga një bashkëmoshatar i tij.
Ngjarja ka shokuar të gjithë banorët e zonës, pore dhe shokët e lagjes së të miturit, i cili për ditë më radhë u dergj në QSUT, pa mundur që t’iu mbijetojë plagëve të marra me thikë, pas një sherri që ka nisur fillimisht në rrjetet sociale.
“Na erdhi shumë keq për ngjarjen, tani çfarë të bëjmë? Më erdhi shumë keq. Duhet të merren masa, po ndodhin ngjarje të rënda shpesh. Unë nuk i njoh familjarët, por djali i djalit ka qenë moshatar në shkollë, dhe më ka ardhur shumë keq”, shprehet një banor i zonës me lot në sy.
Ndërkohë që një prej shokëve të Erionit, me të cilin qëndronin në të njëjtën lagje u shpreh: “E kam pasur shok në lagje dhe më erdhi shumë gjynah. Ishte djalë shembullor. Ka qenë djalë shumë i mirë, se di… djalin tjetër (autorin) nuk e njoh. Erionit i pëlqente të bëhej mekanik.”
Pronarja e shtëpisë ku jetonte familja Boba, e përshkroi Erionin si djalë të urtë dhe të sjellshëm.
“Jemi tronditur të gjithë. Ta bësh djalin 15 vjeç… kur ta merr Zoti ta merr… te kabina e kanë varrë afër shtëpisë. Kanë tre vite që jetojnë në shtëpinë me qira. Erioni djalë i urtë, i sjellshëm. Ta varin atje në litar, kam rritur 5 fëmijë dhe s’ka ndodhur ndonjëherë diçka e tillë”, u shpreh ajo.
Erion Boba, vetëm 15 vjeç, u godit me thikë nga një bashkëmoshatar gjatë një përleshjeje të nxitur nga një debat online. Katër plagë i përshkuan gjoksin, një prej të cilave në zemër, që rezultoi të ishte fatale për të miturin. Jo më larg se dy ditë më parë, familja e Erion iu bëri thirrje shqiptarëve për ndihmë, pasi shpresat te shteti shqiptar duket se u shuan. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve në spitalin e Durrësit, dhe më pas të atyre në QSUT, Erioni nuk ia doli, duke u bërë rasti i dytë në pak kohë, pas atij të Martin Camit, ku nxënësit vriten pas konflikteve të nisura në shkollë.
Autori, 14-vjeçar ka shprehur pendesë përpara grupit hetimor, ku me keqardhje deklaroi se nuk kishte qëllim për të vrarë 15-vjeçarin. Sipas dëshmisë mësohet se në sherr janë përfshirë shumë persona, bashkëmoshatarë, të ndarë në grupe. I mituri deklaroi se ishin pajisur me mjete të forta, si masë për ndonjë konflikt të mundshëm. Ditën e ngjarjes, pasi kanë debatuar dhe qëlluar me sende të forta, 14-vjeçari ka nxjerrë thikën, por sipas tij për vetëmbrojtje dhe vetëm për ta trembur./ZËRI