Tag: faktoje

  • Ekspertët ngrenë alarmin: Shëndeti mendor i fëmijëve i kërcënuar

    Ekspertët ngrenë alarmin: Shëndeti mendor i fëmijëve i kërcënuar

    Në Shqipëri çështjet e shëndetit mendor tek fëmijët dhe adoleshentët po nxisin gjithnjë e më shumë debate përsa i takon nevojës dhe cilësisë së shërbimeve. Ekspertët ngrenë probleme tejet shqetësuese në këtë drejtim, duke renditur disa faktorë që rëndojnë mbi shendetin mendor të kësaj grupmoshe, mes tyre pasojat e pandemisë Covid 19, varësia nga interneti, bullizmi, dhuna online apo raportet e demtuara me prindërit, shoqërinë apo shkollën. Njohës të fushës janë kritikë dhe nxisin autoritetet të shtojnë shërbimet për shëndetin mendor të fëmijëve, ndërsa Instituti i Shëndetit Publik  i tha Faktoje.al se janë hartuar dhe po zbatohen një sërë strategjish në këtë drejtim.
    Në Shqipëri shërbimet mbi shëndetin mendor kanë njohur disa faza zhvillimi në tre dekadat e fundit. Reforma e viteve 2000 në këtë fushë përfshiu shërbimet në komunitet ndërsa me herët, ofroheshin shërbime të specializuara vetëm në qëndra spitalore.
    Çështjet e shëndetit mendor gjithnjë kanë nxitur debate përsa i takon ofrimit të shërbimeve. Por një nga problemet më shqetësuese sot lidhet me shëndetin mendor të fëmijëve dhe adoleshentëve.
    Profesonistë në fushën e shëndetit mendor i thanë Faktoje.al se së fundi pandemia e Covid 19, i shtoi edhe më tej problemet e shëndetit mendor tek kjo grupmoshë si dhe nevojat për të marrë shërbime. Çrregullimet e ankthit, humori i ulët, mungesa e vetëbesimit, ndryshimet në sjellje, janë  grupi më i lartë i shqetësimeve, por mjekja psikiatre për fëmijë dhe adoleshentë, Valbona Alikaj thotë se ajo dhe kolegë të saj po ballafaqohen me disa të reja që kanë nevojë për t’u marrë në analizë.

    Po shohim që kemi dhe ndryshime në simptomatika. Shpesh na duken gjërat si të paqarta. Disa gjëra janë sikur nuk kanë qenë para dhjetë vitesh. Dhe besoj se këto duhen riparë”– thotë për Faktoje.al Prof.asc. Valbona Alikaj, mjeke psikiatre për fëmijë dhe adoleshentë.

    Autoritetet zyrtare të shëndetit publik thanë për Faktoje.al se po i kushtojnë vëmendje shëndetit mendor të fëmijëve dhe adoleshentëve dhe se në Planin Kombëtar të Veprimit të Shëndetit Mendor 2023-2026 është përfshirë një kapitull i veçantë për këtë qëllim. Specialistja e shëndetit mendor në Institutin e Shëndetit Publik Andia Meksi thotë se Ministria e Shëndetësisë ka filluar të përfshijë psikologë dhe punonjës social në qëndrat shëndetësore të kujdesit parësor, ndërsa janë ngritur qëndra të shërbimeve komunitare për shëndetin mendor në qytetet kryesore të vendit, 3 vetëm në Tiranë. Edhe Ministria e Arsimit dhe Sportit përgjatë viteve të fundit, ka ndërmarrë një sërë strategjish për të forcuar rolin psiko-social në shkolla.
    Ky institucion i tha Faktoje.al se është përmirësuar kuadri ligjor lidhur me organizimin dhe funksionimin e njësive të shërbimit psiko-social duke shtuar se numri i punonjësve të shërbimit psiko-social është rritur vit pas viti. Me tej Ministria e Arsimit sqaroi se sot janë mbi 850 punonjës që ofrojnë shërbime në institucioner arsimore parauniversitare duke theksuar se në varësi të numrit të nxënësve shkollat mund të kenë dhe dy punonjës psiko-socialë.
    Por aktivistë që mbrojnë të drejtat e fëmijëve në Shqipëri mendojnë se shërbimet për të rinjtë janë të pamjaftueshme.

    “Mungesa e shërbimeve është një ndër ndër hallkat, por flasim për mungesën në tërësi të një qasje që i vendos të rinjtë në qendër. Nuk jemi ende aty ku duhet, që vërtet t’u japim të rinjve shërbimet e duhura”– shprehet për Faktoje.al Altin Hazizaj, Drejtor ekzekutiv i Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri.

    Nga ana tjetër specialist të shëndetit mendor tërheqin vëmendjen specialistët është bashkëvperimi mes institucioneve.
    “Nevojitet një bashkëpunim më i fortë institucional që do të thotë se ato institucione që merren më shërbime shëndetësore, me edukimin, me shërbimet sociale duhet të jenë më të unifikuara dhe më të shpejta përsa i përket përgjigjes për nevojat që kanë sot adoleshentët dhe të rinjtë”– argumenton për Faktoje.al, Andia Meksi, specialiste e shëndetit mendor në Institutin e Shëndetit Publik në Tiranë.
    Psikologët  në shkolla po ndeshen sot me një sërë ankesash të fëmijëve dhe adoleshentëve, që nga ato në lidhje me pamjen e jashtme, ankthin, probleme me humorin dhe deri me sjelljen. Grupmosha me nivelin më të lartë të këtyre shqetësimeve është ajo 15-19 vjeç, ndërsa vajzat kanë një tendencë më të lartë për të kërkuar ndihmë, edhe pse mund të mos jenë ato që kanë më së shumti nevojë.
    Ekspertët mendojnë se është e vështirë të maten dhe veçanërisht të trajtohen shqetësimet e shëndetit mendor te fëmijët dhe adoleshentët pa kuptuar kontekstet që krijojnë shqetësim. Studimet në këtë rrafsh veçojnë ndërthurjet e gjenetikës, faktorëve mjedisorë që në fëmijërinë e hershme, duke përfshirë prindërimin, shkollimin, ekspozimin ndaj dhunës ose abuzimit, diskriminimin, varfërinë, krizat humanitare dhe emergjencat shëndetësore të cilat mund të ndikojnë në shëndetin mendor të tyre.
    Njohës të fushës argumentojnë se një nga problematikat më të thella që ndikon në shëndetin mendor të fëmijëve dhe adoleshentëve është përdorimi  për një kohë të gjatë dhe pa kontroll i internetit.

    “Varësia nga interneti është një nga problematikat kryesore. Sigurisht që në internet mund të gjenden materiale të pakontrolluara, materiale pornografike, me të cilat adoleshenti dhe fëmija mund të jetë në kontakt. Prandaj është shumë e rëndësishme që prindi dhe të afërm të tyre të vendosin kontroll dhe  limite për kohën që fëmija kalon rrjete sociale dhe në përdorimin e teknologjisë”- thotë Elisa Bano, psikologe në shkollën 9 vjeçare Naim Frashëri në Tiranë.

    Mjekja psikiatre Valbona Alikaj, ndau me Faktoje.al një shembull nga përvoja e saj profesionale në lidhje me rrezikun që i kanoset sot fëmijëve dhe adoleshentëve nga përdorimi pa kriter i internetit.
    “ Unë kam në terapi prej disa kohësh një vajzë të mbyllur, jo shumë të shkathët, nxënëse shumë e mirë, e cila ishte futur në këto programet e internetit ku ti dërgon foto dhe fotot kthehen si alienë apo diçka e tillë.  Papritur ajo kuptoi që ky ishte një program takimesh virtuale me njerëz të panjohur. Në fillim tha se e kishte nisur si lojë, duke u tallur, dhe duke thënë se ishte pak më e madhe, dhe papritur bie në kontakt me një person i cili i ofron dashuri, siguri dhe dhunë verbale. Rastësisht nëna e saj  kontrollon celularin dhe gjen një komunikim i cili nuk ishte fshirë, dhe këtu fillon i gjithë kalvari i ndërprerjes së komunikimeve me këtë person dhe patjetër kanë shkuar dhe në Autoritetin e sigurisë kibernetike që e kanë referuar. Po punojmë shumë me simptomatikën e ankthit tek ajo”- tregon Znj. Alikaj.
    Edhe pse përdorimi në masë i teknologjisë nga fëmijët shihet nga mjaft specialistë si burim problemesh në lidhje me shëndetin mendor, disa prej tyre janë më të tërhequr për të dhënë konkluzione.
    “Nuk do nxitohesha sepse brezat dhe e fëmijëve dhe adoleshentëve që kanë lindur dhe janë rritur me praninë e përditshme të teknologjisë, kanë akoma kohë për të dhënë produktin e tyre, qoftë nga ana intelektuale, psikologjike apo kontributin në shoqëri”- shprehet për Faktoje.al Neli Demi, mjek psikiatër.
    Një prej momenteve ku specialistët e shëndetit mendor ndalen është ai që lidhet me aktet vetëdëmtuese.
    Që prej vitit 2019  të dhënat e policisë tregojnë se 36 fëmijë janë vetëvrarë, dy mbi 14 vjeç gjatë këtij viti, ndërsa kanë tentuar të vrasin veten gati dy herë më shumë. Të dhënat zyrtare tregojnë se aktet vetëvrasëse janë ulur ndjeshëm nga 12 në vitin 2019 në 1 në vitin 2024, por sërish ekspertët janë vigjilentë kur bëhet fjalë për jetën.

    “Shkaqet janë nga më të ndryshmet. Është shumë e rëndësishme përgjigja në kohë. Studimet tregojnë që vetëvrasjet parandalohen dhe ka mënyra që mund të vlerësohet nëse ekziston një rrezik i menjëhershëm tek një adoleshent, edhe pse është shumë e vështirë, sepse adoleshentët e kanë shumë të vështirë ndryshe nga një i rritur të flasin për problemet e tyre, por nuk është e pamundur” – thotë Znj. Meksi specialiste e shëndetit mendor në ISHP.
    “Vihet re një lloj stigme përsa i përket problemeve të shëndetit mendor tek fëmijët dhe adoleshentët. Mund të ketë persona që e vuajnë diçka por kanë shumë turp që problemet t’i ndajnë me dikë tjetër, sepse mendojnë se do duken të dobët në sytë e bashkëmoshatarëve, do të gjykohen, nuk do ndihmohen dhe situata do përkeqësohet edhe më tej”- argumenton Elisa Bano, psikologe në shkollën 9 vjeçare Naim Frashëri në Tiranë.
    Ministria e Arsimit në fund të vitit 2024 njoftoi se është miratuar Plani Kombëtar i Veprimit për parandalimin e dhunës, bullizmit dhe rritjen e sigurisë në shkolla, si dhe krijimin e shkollave të hapura për të përfshirë prindrit dhe komunitetin.
    E megjithatë aktivistë që mbrojnë të drejtat e fëmijëve në Shqipëri dhe disa mjekë të shëndetit mendor kanë një qasje tjetër për ndërveprimin mes adoleshentëve prindërve dhe komunitetit kur bëhet fjalë për problemet e shëndetit mendor.
    “ Edhe kur ulesh të bisedosh me ta një ndër çështjet kryesore për të cilat ankohen adoleshentët dhe fëmijët është mungesa e komunikimit me dhe fakti se atyre u duket sikur nuk  kuptohen nga të rriturit. Për ta ky është një problem shumë i madh. Në fakt ata kanë kohë që  flasin por nuk jemi ne të gatshëm t’i dëgjojmë”- vijon Z. Hazizaj.

    “Nga adoleshentët që unë shoh, kuptoj që ka plot prindër të cilët nuk janë gjithë ditën në shtëpi, mungojnë dhe nuk e dinë se çfarë bën fëmija i tij. Dhe jo vetëm kaq, por as nuk e njohin fëmijën e tyre. Prindër që i mbushin fëmijët me lekë, por nuk e njohin fëmijën”- vijon mjekja psikiatre Valbona Alikaj.  .

    Elementë të këtij realiteti kanë gjetur vend dhe në studimet e ISHP.
    “ Shumica e prindërve, gati 90% e prindërve refuzojnë të japin lejen me konsensus, pra me firmë, që fëmijët e tyre të marrin shërbime për probleme të shëndetit mendor. Kjo tregon stigmën e lartë që ekziston. Pra duhet punuar shumë, por gjëja më e mirë është po flitet dhe media luan një rol të rëdësishëm në këtë drejtim”- vijon Andia Meksi, specialiste e shëndetit mendor në ISHP.
    Përtej stigmatizimit që ndeshet sot rëndom në lidhje më problemet e shëndetit mendor tek fëmijët dhe adoleshentët, në fakt disa barriera janë thyer. Sot flitet më shumë se më parë për to, ndërsa sfida është që në të ardhmen të flitet më shumë se sot. Nga ana tjetër të gjithë aktorët bien dakort se ka ende shumë punë për të bërë në këtë drejtim duke nënvizuar se nuk mund të ketë shëndet pa shëndet mendor.
    /Faktoje.al/

  • Bilanci i ministrave ndër vite para drejtësisë, sa u paraqitën në SPAK dhe kush ka kallëzim penal

    Bilanci i ministrave ndër vite para drejtësisë, sa u paraqitën në SPAK dhe kush ka kallëzim penal

    Kryeministri Edi Rama deklaroi në fund të muajit Shkurt se nga lista e gjatë e ministrave ndër vite vetëm dy prej tyre janë të dënuar nga drejtësia.

    “Në tre mandate kanë qenë rreth ose 60 ministra, numërojini pak. Dy ministra janë dënuar nga mandati i parë, njëri i Partisë Socialiste, njëri i aleatit strategjik ndjesë pastë partia aleate strategjike, pastaj një i tretë në paraburgim sot e gjithë ditën por i padënuar ende që prezumohet i pafajshëm sipas drejtësisë europiane dhe një i katërt në arrati, zëvendës kryeministri. 4, ok?”, është shprehur Rama në rubrikën “sy me sy”. Kjo ishte e para, por jo e fundit deklaratë e Ramës për korrupsionin dhe hetimet ndaj anëtarëve të qeverisë së tij.

    Edhe në takimin e fundit me diasporën në Milano, Rama është përpjekur të relativizojë perceptimin e përcjellë nga opozita se “gjysma e qeverisë është në burg”, duke ofruar më shumë një kornizë statistikore. Në takimin me diasporën, Rama tha me pak fjalë se hetimet ndër vite janë arsye për krenari dhe jo për turp, pasi janë rezultat i një drejtësie të pavarur.

    Arsyeja

    Politologu Ilir Kalemaj thotë për Faktoje.al se, “deklarata e Ramës që kërkon të shfajësohet duke bërë spin-in e zakonshëm, për të justifikuar akuzat e shumëfishta ndaj anëtarëve të tij të kabinetit, janë thjesht për efekt elektoral por nuk dihet çfarë efektshmërie mund të kenë”.

    Pse? “Kjo pasi është në kontradiktë termash si dhe sfumon logjikën elementare. Pra, nga njëra anë SPAK si institucion është krijuar dhe vijon të mbështetet vetëm nga PS dhe Rama si garant i tij dhe nga ana tjetër, mbi 90 përqind e të akuzuarve të SPAK në nivelet e larta janë ish-ministra, ish-deputetë dhe ish-kryebashkiakë të PS, duke filluar nga ish-bashkëpunëtorët më të ngushtë të Ramës si Tahiri, Ahmetaj dhe Beqaj”.

    Nga ana tjetër, sipas tij, një aradhë e gjatë funksionarësh të lartë duke nisur nga Veliaj janë gjithashtu rrugës së përballjes me drejtësinë.

    Kalemaj e ka një shpjegim të relativizimit të fenomenit.

    “Nuk mund ta kapitalizosh SPAK dhe reformën në drejtësi elektoralisht thjesht se sondazhet e nxjerrin këtë organ të drejtësisë të vlerësuar nga qytetarët dhe njëkohësisht të nënvleftësosh rolin dhe peshën e bashkëpunëtorëve të tu të dikurshëm ose të tashëm thjesht për të marrë vota”.

    Fenomeni

    Rrethi i hetimeve dhe ndjekjeve penale ndaj zyrtarëve të lartë dhe ish-zyrtarëve në Shqipëri është zgjeruar ndjeshëm ndër vite, me një seri rastesh që përfshijnë emra të njohur të politikës shqiptare si ministra, deputetë, kryetar bashkie… etj

    Në morinë e hetimeve Faktoje.al i është referuar vetëm paraqitjeve publike në dyert e SPAK , kallëzimeve të raportuara nga opozita si dhe njoftimeve zyrtare të SPAK që prekin emra ministrash dhe ish-ministra nga viti 2013, sa kohë deklarata e Ramës i referohej vetëm ministrave ndër vite.

    Çfarë ka ndodhur?

    Duke përmendur vetëm dy ministra të dënuar dhe dy të tjerë (njëri në paraburgim dhe tjetri në arrati), Rama deri diku është përpjekur ta përdorë edhe si argument për një standard të lartë moral, por edhe institucional.

    Por le të marrim vetëm ata që aktualisht janë në burg dhe për çfarë për të kuptuar se sa qëndron ky standard?

    Rastet

    Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ndodhet në arrest me burg pasi ai dhe bashkëshortja e tij Ajola Xoxe dyshohen nga SPAK se janë ideatorët dhe zbatuesit e një skeme korruptive dhe pastrimi parash, me zanafillë bashkinë e Tiranës. Në fillimet e qeverisë Rama, Veliaj (para se të zgjidhej kryetar bashkie) ka mbajtur prej dy vitesh postin e ministrit të Punës dhe Çështjeve Sociale. Një tjetër funksionar i lartë, ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj ndodhet në kërkim ndërkombëtar. Ndaj tij janë ngritur akuza për “pastrim parash”, “fshehje të pasurisë” dhe “korrupsion pasiv”. Hetimet janë shtyrë tre herë deri tani. Ndaj tij është në zhvillim edhe një hetim pasuror, ku janë sekuestruar disa prona

    Në një tjetër çështje, SPAK ka kërkuar gjykimin për 11 të pandehur në aferën e SASPAC, përfshirë ish-ministrin Ilir Beqaj, i akuzuar për 6 vepra të rënda penale, ndër to korrupsion dhe mashtrim.

    SPAK gjithashtu ka shpallur pretencën për ish-drejtoreshën e ARRSH, Sonila Qato, e akuzuar për shkelje të barazisë në tendera për një kontratë prej 19 milionë euro. Për të është kërkuar 1 vit burg dhe ndalim nga funksionet publike për 5 vite. Qato ka mbajtur edhe postin e Ministres për Mbrojtjen e Sipërmarrjes në vitin 2017.

    Të dënuarit

    Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, u dënua me 10 vite burg për çështjen e inceneratorëve, por përfitoi ulje dënimi nga gjykimi i shkurtuar, duke u dënuar përfundimisht me 6 vite e 8 muaj. I njëjti dënim vlen edhe për çështjen e inceneratorit të Elbasanit. Ndërkohë, ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, u dënua me 5 vite burg për “shpërdorim detyre”, i reduktuar në 3 vite e 4 muaj. Ai u lirua në qershor 2023, megjithëse i kishin mbetur edhe 1 vit e 8 muaj nga dënimi. Akuzat më të rënda ndaj tij nuk u provuan.

    Kallëzimet

    Disa prej ministrave aktualë apo ish kanë dëshmuar në SPAK rreth kallëzimeve që janë adresuar ndaj tyre kryesisht nga forcat politike kundërshtare, por ka edhe prej tyre (në një numër shumë të pakët) që kanë dëshmuar edhe pa qenë të kallëzuar, si persona që kanë dijeni mbi çështjet që po heton SPAK. Fenomeni ndër vite tregon gjithashtu se jo çdo kallëzim apo denoncim ka qenë i bazuar në prova, ndërsa PD-ja për shkak edhe të luftës së brendshme ka qenë e fragmentuar pa arritur të krijojë një data bazë se sa kallëzime ka depozituar ndër vite dhe për çfarë konkretisht ndaj ministrave të qeverisë “Rama”. Të paktën një e tillë nuk iu vu në dispozicion Faktoje.al deri në botimin e këtij artikulli.

    Lista

    Faktoje.al sjellë një listë emrash të ministrave aktualë dhe atyre ndër vite që janë paraqitur të paktën një herë në SPAK, si dhe atyre ndaj të cilëve ka pasur një kallëzim penal. Mbi 30% e listës së 65 ministrave (qysh prej vitit 2013) rezulton të ketë pasur të paktën një ballafaqim direkt ose indirekt me organet e drejtësisë. Ndërkohë, me probleme ligjore të theksuara deri më tani (të dënuar, pandehur, arrest me burg, në kërkim) rezultojnë 6

    Përfundim

    Referuar sa më sipër, deklaratën e kryeministrit Edi Rama se nga viti 2013 e deri më sot janë dënuar vetëm dy ministra, një tjetër ndodhet në paraburgim dhe një I katërt në arrati do ta kategorizojmë gjysmë të vërtetë

    Skedari i ministrave në raport me drejtësinë nga viti 2013

    Ministra aktualë që janë paraqitur në SPAK dhe/ose ndaj tyre ka një kallëzim penal

    Ish-ministra, aktualisht deputetë

    Ish ministra, por jo deputetë

    Të larguar nga politika që janë paraqitur në SPAK

    / Nevila Gjata / Faktoje.al