Tag: faktoje

  • 6 vite pas tërmetit/ Rindërtimi në Durrës, proces ende i papërfunduar

    6 vite pas tërmetit/ Rindërtimi në Durrës, proces ende i papërfunduar

    Gjashtë vite pas tërmetit shkatërrimtar të nëntorit 2019 dhe pas premtimeve të përsëritura për përfundimin e rindërtimit, banorët e lagjes nr. 5 në Durrës vijojnë të presin të futen në banesat e tyre.
    Edhe pse Bashkia konfirmon se një prej pallateve është përfunduar dhe familjet janë sistemuar, rindërtimi për pjesën tjetër të pallateve ende nuk ka nisur.
    Premtimi
    Në maj 2023, gjatë një takimi me banorët e njësisë nr. 3, kryebashkiakja Emiriana Sako u angazhua publikisht për rindërtimin e të gjitha pallateve të cilat janë klasifikuar me nivel dëmi DS5 pas tërmetit të vitit 2019, në lagjen nr. 5, në të njëjtin vend.
    “Në takim me banorët e njësisë nr. 3 ku u angazhuam që pallatet DS5 të lagjes nr. 5 të rindërtohen në të njëjtin vend”, deklaroi Sako në një  postim në Facebook. Ky angazhim u përsërit disa herë nga Bashkia gjatë viteve 2023-2024, por verifikimet e “Faktoje” kanë treguar se puna në terren nuk ka ecur sipas planeve.
    Faktet nga verifikimet e mëparshme
    Në tetor 2023, “Faktoje” konstatoi se vetëm një pallat në lagjen nr. 5 ishte rindërtuar, ndërsa tetë të tjerë ishin ende në pritje të fondeve. Banorët nuk ishin sistemuar, sepse mungonte shorti për ndarjen e apartamenteve dhe prej muajsh nuk merrnin bonus qiraje.
    Në nëntor 2024, “Faktoje” konstatoi se situata kishte mbetur thuajse e pandryshuar: vetëm pallati nr. 30 në rrugën “Hysen Myshketa” ishte përfunduar, ndërsa asnjë nga 8 të tjerët nuk ishte shembur apo rindërtuar. Bashkia deklaronte se ishte në pritje të fondeve nga qeveria qendrore dhe se financimi i bonusit të qirasë ishte ndërprerë në mars 2023.
    Verifikimi në terren (tetor 2025)
    Fotografi nga pallati i demtuar në Durrës, tetor 2025,
    Në tetor 2025, “Faktoje” u rikthye në terren në lagjen nr. 5 për të parë nga afër ecurinë e rindërtimit dhe kushtet e banorëve.
    Një zonjë që punonte pranë godinës së vetme të rindërtuar në rrugën “Hysen Myshketa”,  tha se pallati ishte hapur “rreth një vit më parë” dhe aktualisht ishte i banuar, pa specifikuar sesa familje jetonin aty.
    Në pallatet e tjera të lagjes, puna mbetet e bllokuar. Dy godina 10‑katëshe, fare pranë pallatit të rindërtuar, qëndrojnë si gërmadha, me çarje të dukshme në katet e para, të cilat janë mbushur me copa betoni, tullash e mbetjesh ndërtimi të grumbulluara që prej dëmeve të tërmetit, si edhe me lloj‑lloj mbeturinash të hedhura nga qytetarët.
    Njëri nga këto dy pallate 10‑katëshe të paprishura, ndodhet tek rruga “Teodor Rupi”, i rrethuar ngushtë nga shtëpi private, ku sipas banorëve kjo është dhe arsyeja se pse shembja e tij është shtyrë. I dyti prej këtyre dy pallateve është dy rrugica larg nga rruga “Hysen Myshketa”, me ish‑dyqane tashmë të braktisura në katin përdhes.
    Fotografi nga pallati i demtuar në Durrës, tetor 2025
    Disa banorë të moshuar e përshkruan godinën e dëmtuar si “kosh mbeturinash dhe vend ku të rinjtë konsumojnë lëndë narkotike”. Të rinj të zonës treguan se në katin e dytë të njërit prej pallateve, në ballkonin ku ishin varur batanije dhe rroba, jetonte një grua. Situatë kjo që ngre pikëpyetje mbi rrezikshmërinë që këto godina paraqesin për qytetarët e zonës.
    Fotografi nga pallati i demtuar në Durrës, tetor 2025
    Përgjigjia e Bashkisë Durrës
    Bashkia Durrës rikonfirmoi për Faktoje në tetor 2025 se në lagjen nr. 5 është rindërtuar vetëm 1 pallat, saktësisht pallati nr. 30, në rrugën ‘Hysen Myshketa’, ku sipas Bashkisë janë strehuar 29 familje.
    Nga 8 pallatet e tjera është shembur vetëm njëri, kurse 7 të tjerët janë në proces ekspertize për tu shembur. Sipas përgjigjes së Bashkisë Durrës në buxhetin e saj për vitin 2025 është parashikuar projekti për rindërtimin e godinës nr. 32, rruga ‘Teodor Rupi’, por në terren nuk u panë shenja të nisjes së punimeve.
    Sa i përket bonusit të qirasë, Bashkia sqaroi se: “Nga momenti i fatkeqësisë deri në mars 2023, bonusi është financuar nga Ministria e Financave. Pas këtij muaji, financimi është ndërprerë dhe Bashkia nuk ka patur mundësi buxhetore për ta vijuar. Fondet janë orientuar drejt përfundimit të objekteve për të mundësuar dorëzimin e banesave sa më shpejt”

    Një punëtor ndërtimi i zonës, foli për “Faktoje” mbi vështirësitë ekonomike që hasin “ish-banorët” e pallateve të dëmtuara.
    “Shumë ish-banorë nuk marrin më bonus qiraje dhe disa e kishin blerë banesën me kredi: tani janë pa strehë, por vijojnë të shlyejnë kredinë. Që nga viti 2023, shteti nuk i rimburson më. Situatë shumë e vështirë”, tregoi ai.
    Në të njëjtën përgjigje, Bashkia na bëri me dije se deri në mars 2023, 2,400 familje të prekura nga tërmeti kanë përfituar bonus qiraje. Pavarësisht se 29 familje janë strehuar tashmë në pallatin nr. 30 në rrugën “Hysen Myshketa”, pjesa më e madhe e familjeve të lagjes nr. 5 mbeten pa banesë dhe pa bonus qiraje.
    Kronologjia e procesit të rindërtimit
    Procesi i rindërtimit në lagjen nr. 5 nisi në vitin 2019, kur tërmeti dëmtoi rëndë 9 pallate; gjatë viteve 2020-2022 procesi u zvarrit mes planifikimit dhe mungesës së fondeve. Në maj 2023 Bashkia premtoi rindërtim “në të njëjtin vend”; në tetor 2023 “Faktoje” konstatoi se vetëm një pallat ishte përfunduar, por banorët nuk kishin hyrë akoma. Ndërsa banorët e pallateve të tjera, përvec se kishin mbetur jashtë, iu ishin ndërprerë edhe bonuset e qerave. Në nëntor 2024 banorët nisën të hynin në pallatin e vetëm të rindërtuar, por situata për rindërtimin e pallateve të tjera mbeti e njëjtë. Në tetor 2025, gjashtë vite pas tërmetit, premtimi për rindërtimin e pallateve mbetet i parealizuar: 1 pallat i shembur, 7 në proces ekspertize për shembje dhe vetëm 1 i përfunduar.
    Përfundimi
    Pas tre verifikimeve të kryera në secilin nga tre vitet e fundit (2023, 2024 dhe 2025), “Faktoje” konstaton se premtimi për përfundimin e rindërtimit në lagjen nr. 5 mbetet i pambajtur. Edhe pse një pjesë e vogël e familjeve është sistemuar, pjesa më e madhe vijon të jetojë pa strehë, pa bonus qiraje dhe me kredi për banesa të shkatërruara, ndërsa godina të dëmtuara qëndrojnë ende mes blloqeve të banimit si dëshmi e një procesi të zvarritur dhe pa afat për përfundim./Faktoje.al

  • Italia dha ekspertizën, rrëfimi tronditës i babait të Brian Spahiut: Jam i shokuar

    Italia dha ekspertizën, rrëfimi tronditës i babait të Brian Spahiut: Jam i shokuar

    Ankthi i pritjes së ekspertizës për vdekjen e djalit të tyre Brianit, vetëm tre vjeç, mori fund mëngjesin e 23 shtatorit, por përgjigjet e ekspertizës shtuan edhe më shumë brengën e përjetshme.

    “Ekspertiza e dytë e kryer në Itali mbi shkakun e vdekjes së djalit tim është e tmerrshme. Shkaku i humbjes së jetës është anestezia e tepërt.

    Në këtë përfundim arriti edhe mjekësia jonë ligjore, por ekspertiza më e detajuar që erdhi nga Italia e ka shtjelluar më thellë. Jam i shokuar sa herë që lexoj çdo rresht”, thotë për Faktoje.al Bledar Spahiu, babai i Brian Spahiut.

    Qëndrimet

    Në qëndrimet e mëparshme pas humbjes së jetës së djalit Bledar Spahiu shprehej se për ndërhyrjen kirurgjikale në mbushjen e 14 dhëmbëve kishte paguar 700 euro dhe 33 mijë lekë të reja shtesë për “dy herë anestezi”.

    Djalin e nxori në agoni nga klinika, duke marrë sigurinë e dy mjekëve, Roland dhe Ina Xhaxho, se narkoza do i dilte shpejt, por pak orë më vonë nisen me urgjencë drejt Pediatrisë në QSUNT dhe e shtrojnë në Reanimacionin e Pediatrisë ku më pas humbi jetën.

    “Kur doli nga salla mjekja Xhaxho më tha se kishte ndërhyrë në 14 dhëmbë, autopsia dhe ekspertiza nxorën se gjashtë dhëmbë nuk ishin mbushur fare”, kujton këtë detaj me shumë dhimbje Bledari, sot një prind që kërkon prej dy vitesh drejtësi për jetën e humbur të djalit 3-vjeçar.

    “Drejtësi për tim bir. Këtë dua dhe do i shkoj deri në fund”, thotë për Faktoje Spahiu, ndërsa shpesh habi se përse u deshën dy vite zvarritje për të arritur në përfundimin se mjekët shkelën çdo protokoll mjekësor dhe etikë profesionale duke sjellë pasojën e rëndë, vdekjen e një fëmije vetëm 3-vjeçar.  

    Drejtësi e vonuar

    Pas përgjigjes së akt-ekspertizës së hollësishme, Prokuroria e Tiranës kërkoi masë sigurie “arrest me burg” për mjekun anestezist Roland Xhaxho dhe “arrest shtëpie” për Ina Xhaxhon stomatologe (vajza e tij) dhe stomatologen tjetër të klinikës Marta Gina. Gjykata vendosi të zbusë masën për Roland Xhaxhon duke e lënë në “arrest shtëpie” dhe po në arrest shtëpie dy stomatologet.

    Ata akuzohen deri më tani për “vrasje nga pakujdesia dhe mjekim i pakujdesshëm”. Megjithatë, përgjigjet e mbërritura mund të rëndojnë akuzat.

    Faktoje.al mëson se po diskutohet mundësia e rikualifikimit të veprës penale në “Vrasje me dashje indirekte”, ç’ka rëndon më shumë pozitat e mjekut Xhaxho, vajzës së tij dhe stomatologes së punësuar në klinikën e tyre.

    Dosja

    I mituri Brian Spahiu humbi jetën në reanimacionin e pediatrisë më 1 tetor 2023, dy ditë pasi kishte kryer ndërhyrje kirurgjikale dentare pranë klinikës private “Splendent”.

    Faktoje.al mëson se nga akt-ekspertimi prej afër 200 faqesh jepen hollësi për të gjithë ecurinë fillimisht të anestezisë, më pas ndërhyrjes nga stomatologët dhe pasojave fatale që solli kjo “neglizhencë”, e cila nuk mund të lidhet kurrsesi me paaftësinë e mjekut, pasi Xhaxho renditet ndër mjekët më të mirë anestezist që ka vendi.

    Po ashtu po hetohet edhe protokolli mjekësor pas përkeqësimit të shëndetit dhe trajtimit në reanimacionin pediatrik.

    Vdekja e 3-vjeçarit Brian Spahiu nuk është rast i izoluar dhe janë me dhjetëra çështje të padive për mjekim të gabuar, apo edhe mitmarrje në sektorin ku është në peshore jeta njerëzore, para së të përfundojnë në peshoren e drejtësisë nga ngjarjet fatale.

     “Kam dy vite që shkoj në çdo derë, kam vetëm një qëllim: Drejtësi për tim bir”, thotë Bledar Spahiu, prindi që nuk feston më ditëlindjet e djalit, por përkujton vitet e ditës së mortit.

    Urdhri i mjekut

    Edhe pse janë me dhjetëra raste të denoncimeve ndaj mjekëve për mjekim të gabuar me pasoja të rënda deri humbjen e jetës së pacientëve, dënime për këtë vepër penale nuk janë dhënë. Kjo konfirmohet edhe nga një përgjigje e Urdhrit të Mjekut për Faktoje.al.

    “Gjatë 10 viteve të fundit, Urdhri i Mjekëve ka marrë gjithsej 15 vendime disiplinore për gjykime të zhvilluara në të dyja shkallët e gjykimit, si dhe në shkallën e parë, kur ankesat janë shqyrtuar pranë Këshillave Rajonale, dhe në shkallën e dytë, kur ato janë kaluar për shqyrtim pranë Këshillit Kombëtar”, thotë Urdhri i Mjekut, që më tej shton se: “Në pjesën dërrmuese të rasteve, mjekët janë shpallur të pafajshëm”.

    Përgjatë dhjetë viteve të fundit Urdhri i Mjekut numëron pak raste masash disiplinore për pezullim license, vërejtje dhe paralajmërim për heqje license.

    “Janë marrë edhe masa disiplinore, përfshirë: 2 raste pezullimi licence (me kohëzgjatje 3 dhe 4 muaj), për shkelje të neneve 13 dhe 25 të Kodit të Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore; 2 raste vërejtjeje me shkrim, për shkelje të nenit 26 të Kodit të Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore; 2 raste vërejtjeje me paralajmërim për heqje licence, për shkelje të neneve 34, 35 dhe 36 të Kodit të Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore”, thuhet në qëndrimin e Urdhrit të Mjekut për Faktoje.al.

    Aktualisht urdhri konfirmon se nuk ka masa disiplinore në fuqi për mjekët. “Për të gjithë mjekët ndaj të cilëve janë marrë masa disiplinore, ato masa janë shlyer tashmë. Për këtë arsye, aktualisht nuk ka masa në fuqi”, thuhet në reagim.

    Rastet e rënda

    Onkologjiku, QSUT (Tiranë), qershor 2024, Hetim për skemë zhvatjeje/transferimi pacientësh nga publiku te privati “Megis”, mosfunksionim i qëllimshëm i “Kobalto Terapisë”, shitje/transferim ilaçesh spitalore; nën hetim: Edmond Gashi, Alketa Ymeri (Pere), Emiljano Lela, Brikena Qirjazi (ish-zv/drejtoreshë), Halil Gashi (admin i klinikës), Florian Marku (farmaci). Masa sigurie: arrest shtëpie/detyrim paraqitjeje.

    Kardiokirurgjia, QSUT (Tiranë), 2021-2024, Dosje SPAK ndaj prof. Edvin Prifti: 4 akuza (korrupsion në 7 raste, vjedhje duke shpërdoruar detyrën, fshehje të të ardhurave, pastrim parash); sekuestrim rreth 1.1 mln euro (pjesërisht cash në banesë/zyrë). Më 13 shkurt 2024 dosja u çua për gjykim; shtator 2024 GJKKO ktheu për plotësime hetimi.

    Klinika dentare “Splendent” (Tiranë), tetor 2023 (zhvillime 2024-2025), Vdekja e 3-vjeçarit Brian Spahiu pas një ndërhyrjeje dentare me anestezi të përgjithshme në klinikën private të Roland Xhaxho (anestezist/kardiolog), ku punonte dhe e bija Ina Xhaxho. Prokuroria sekuestroi dokumentacionin mjekësor dhe kërkoi ekspertizë të pavarur ndërkombëtare. Akuza: vrasje nga pakujdesia / mjekim i pakujdesshëm. Masa sigurie: arrest shtëpie dhe detyrim paraqitjeje për mjekët. Çështja penale vijon në hetim me akt-ekspertizë italiane për shkaqet e vdekjes.

    Spitali i Traumës (Tiranë), “masakra e Velipojës”, korrik 2021, Arrest me burg për Serdi Memini (kirurg ortoped) dhe Ervin Sulaj (anestezist), si dhe një infermiere, pasi u dyshuan se morën 3.7-3.9 mln lekë ryshfet nga i ati i një 17-vjeçari të plagosur. Apeli Shkodër la në fuqi “arrest me burg”.

    Spitali i Traumës (Tiranë), shtator 2022, Arrestim në flagrancë i anestezistit Fitim Marku pas infiltrimit policor; dyshohet për marrje 20 mijë lekë ryshfet për shërbim. (Më pas masa sigurie u ndryshua në arrest shtëpie).

    QSUT (Tiranë), shkurt 2023, Arrestim i dy punonjësve për korrupsion te shërbimi i skanerit: Nazmi Metaliu (mjek) dhe Astrit Mansaku (teknik imazherie); akuzohen se u merrnin para pacientëve për të kryer skanerin.

    Spitali Rajonal Fier, qershor 2021, Pas pezullimit nga detyra, u ndaluan për korrupsion Agim Sula dhe Eduart Shyti; dyshohet marrje ryshfeti nga pacientë.

    Durrës, janar 2023, Arrestohet mjek i Bankës së Gjakut: dyshohet se kërkoi 5,000 lekë për të mundësuar transfuzion gjaku.

    Institucione të shëndetësisë publike (Tiranë), korrik 2020, Operacion antikorrupsion: 14 mjekë/ish-mjekë & punonjës (Higjiena, ISHSh, poliklinika) nën masa sigurie; ndërmjetësim për tamponë COVID-19 dhe ryshfete 5,000-10,000 lekë, libreza fiktive, etj. Disa me “arrest me burg”, disa me “arrest shtëpie/pezullim”.

    Materniteti “Koço Gliozheni” (Tiranë), shtator 2016, Ndalohen për mjekim të gabuar/neglizhencë në rastin e vdekjes së Adia Çajku (35 vjeçe): Dritan Deçka, Helidon Klosi; Nazmie Ceni hetohet në gjendje të lirë.

    “Shefqet Ndroqi” (Tiranë), tetor 2024 – Arrestohet radiologu Pëllumb Hysko nën akuza për ngacmim seksual/shpërdorim detyre; në hetim edhe një teknik laboratori. (Rast i vitit të kaluar, ende pa përfundim gjyqësor)/ Faktoje.al

  • Sekretet e udhëtimeve qeveritare! ‘Konfidencialiteti’ që fsheh luksin

    Sekretet e udhëtimeve qeveritare! ‘Konfidencialiteti’ që fsheh luksin

    Sekretet e udhëtimeve qeveritare! ‘Konfidencialiteti’ që fsheh luksin
    Më 8 tetor 2025, Këshilli i Ministrave firmosi një vendim që i ndalon zyrtarisht shqiptarëve të dijnë se si shpenzohen paratë e tyre nga pushtetarët.
    Një vendim i ri i Këshillit të Ministrave (VKM) i jep Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare të drejtën që të blejë bileta avioni, të rezervojë hotele apo shërbime të tjera për zyrtarët e lartë të shtetit përmes kontratave konfidenciale me kompani private.
    Në dukje, një ndryshim teknik. Në thelb, një ndarje midis pushtetit dhe qytetarëve: një mur tjetër që ngrihet mes atyre që paguajnë taksa dhe atyre që i shpenzojnë frytet e punës së qytetarëve.
    Konfidencialiteti” që fsheh luksin
    VKM-ja që pritet të hyjë në fuqi me botimin në Fletoren Zyrtare, thotë se Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare ka të drejtë “të mbrojë të dhënat personale dhe të ruajë informacionin e detyrueshëm mes palëve”.
    Fjalë burokratike që, në praktikë, përkthehen kështu: publiku nuk mund të dijë më sa kushton një udhëtim i kryeministrit, një natë qëndrimi në hotel i ministrit apo një fluturim i një delegacioni shtetëror.
    Është një vendim që i jep pushtetit komoditetin e luksit, pa rrezikun e turpit publik.
    Studiuesi Afrim Krasniqi, e quan VKM-në “një kthim prapa në standardet demokratike”:
    “Ky vendim bie në kundërshtim me parimet e transparencës, llogaridhënies dhe me detyrimin e institucioneve publike për të dhënë informacion të detajuar për përdorimin e buxhetit të shtetit,” – shpjegon Krasniqi, sipas të cilit në asnjë vend demokratik nuk ndodh që kontrata të tilla të jenë konfidenciale.Për një vend që kërkon anëtarësimin në Bashkimin Europian, ky akt është një shuplakë ndaj transparencës, një rikonfirmim i qeverisjes pa llogaridhënie.
    “Standardet e BE-së, ku Shqipëria dëshiron të anëtarësohet, e bëjnë detyrë që krahas pasurisë dhe të ardhurave të politikanëve, të deklarohen qartë edhe shpenzimet e udhëtimeve, akomodimit dhe çdo shpenzim tjetër publik,” argumenton për Faktoje, Afrim Krasniqi.Sipas tij, ky vendim bie ndesh jo vetëm me etikën publike, por edhe me detyrimet që Shqipëria ka marrë ndaj BE-së, ku transparenca është kriter kyç i anëtarësimit.
    “Në vend që ta zgjerojmë transparencën, – thotë ai, – ne po e mbyllim atë”.Ishte viti 2022, kur pas akuzave për shpenzime marramendëse në udhëtime charter, kryeministri Rama deklaroi se gjithçka ishte “brenda buxhetit të qeverisë”. Ne kërkuam provat. Por përgjigja që morëm ishte befasuese: “faturat tatimore janë të natyrës private”.
    “Faturat tatimore të lëshuara nga kompania ajrore Air Albania janë të natyrës private dhe pa efekt mbi individë” pretendoi Kryeministria asokohe, duke shtuar se “Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare nuk është e përligjur të komunikojë elementë material të kësaj natyre”
    Sipas qeverisë, privatësia e kompanisë që shet biletat është më e rëndësishme se e drejta e qytetarëve për të ditur se si përdoren paratë e tyre.
    Në një rast tjetër, Faktoje fitoi në gjykatë të drejtën për t’u pajisur me faturat e udhëtimeve të ministrit të jashtëm, por vendimi gjyqësor kurrë nuk u zbatua.
    Shkak për këtë “hermetizim” të informacionit, me gjasë ishte ngjarja e 2019-ës kur Faktoje zbuloi se qëndrimi një natë në Romë i ministres së Drejtësisë në kabinetin Rama 1 në 2019-ën, Etilda Gjonaj, i kushtoi buxhetit të shtetit 700 euro.
    Heshtja që kushton
    Në fund të ditës, kjo nuk është thjesht një çështje ligjore. Është një çështje morali publik.
    Çdo euro që shkon për një biletë luksoze ose një suitë qeveritare është një para që del nga xhepat e njerëzve që punojnë, paguajnë dhe jetojnë me sakrifica.E nëse qeveria kërkon të fshihet pas një kontrate “konfidenciale”, pyetja mbetet e hapur:
    Kujt i shërben kjo fshehtësi, interesit të publikut, apo rehatisë së pushtetit?/Faktoje.al

  • Shëndetësia që s’duam! Pediatria pa ezhe, mbahet vetëm si inventar

    Shëndetësia që s’duam! Pediatria pa ezhe, mbahet vetëm si inventar

    Në katin e nëndheshëm të pavionit të Konsultave Pediatrike në QSUNT, mesditën e 30 gushtit rendën sanitare dhe personel që të shpëtonin nga përmbytja pajisjen EEG, Elektroencefalogramë (Ezheja), që e kishin lënë aty për “mungesë ambienti”.
    Arritën ta nxirrnin në kohë, pa dëmtime, por e gjithë kjo betejë ishte një shfaqje për të siguruar atë aparaturë vetëm si inventar, pasi prej më shumë se pesë vitesh është jashtë funksionit. “Nuk ka ezhe për momentin”, të thotë nën zë kushdo punonjës, nga sanitarja tek mjeku në pavionin e konsultave pediatrike.
    Me këtë përgjigje u përball edhe fëmija G.T vetëm 5 vjeç, prindërit e të cilit u detyruan që për ta ekzaminuar të shkonin në privat, në një ambient të vogël përballë spitalit pediatrik. “Pagova 60 mijë lekë (të vjetra) dhe tani më duhet t’ua nis përgjigjen mjekëve neurologë”, thotë prindi i fëmijës, i cili kërkon ruajtjen e anonimatit sepse “me gjasë fëmija im do kalojë në kemp dhe e meriton, por nuk dua të hap telashe”, argumenton ai.

    Foto ne ambientet e brendshme te Pediatrise tek holli i konsultave

    Pesë vite një problem
    Pas informimit nga prindërit e fëmijëve për këtë problematikë, Faktoje.al u interesua për mosfunksionimin e kësaj aparature. Në letra, shërbimi EEG duket i “plotë”. Së pari e kanë në inventar, madje edhe një infermiere të dedikuar specifikisht për të kryer shërbimin ezhe. Rituali i punës së saj është i përcaktuar: mbërrin në mëngjes në orën 08.00 për të hapur “kabinetin e shërbimit EEG” dhe e mbyllin në orën 15.00, pa kryer një ekzaminim të vetëm. “Ka më shumë se pesë vite që EEG nuk është venë në funksion…”, thotë një burim për Faktoje.al.
    Në heshtje të vazhdueshme kjo aparaturë ndodhet si gjendje për të qenë korrekt me “letra”, por në realitet pacientët e vegjël, shumica e të cilëve vijnë nga rrethet, detyrohen të shkojnë në privat.
    Faktoje.al iu drejtua QSUNT me disa pyetje për problemin e pajisjes EEG, por deri në botimin e këtij shkrimi nuk patëm përgjigje.
    Jo larg pediatrisë
    Faktoje.al nga burime të konfirmuara mësoi se ka një mesatare prej 18-20 pacientë fëmijë në ditë që u kërkohet ekzaminimi EEG (Ezhe), jo vetëm për të përcaktuar diagnozën e saktë, por edhe si dokument që shërben për plotësimin e kartelës mjekësore të pacientit. “Fëmijët që ekzaminohen janë nga rrethe të ndryshme të vendit, shumë prej tyre janë referuar fillimisht nga mjeku i familjes e më pas nga mjeku neurolog në spitale rajonale për të kryer ekzaminime më të specializuara pranë shërbimit Pediatrik në QSUNT”, thonë burime pranë repartit të kunsultave pediatrike.
    Pajisja (s) punon…
    Katër vite më parë, pas disa ankesave të prindërve, mësohet se  administratorë të repartit të Konsultave Pediatrike nisën shkresa në drejtorinë e QSUNT për të sjellë “grup specialistësh” që të kryenin shërbimet e nevojshme për aparaturën. Teknikët mbërritën dhe dolën në përfundimin se aparatura ishte në rregull dhe funksionale. Por javë më vonë, në momentin e printimit të ekzaminimit shfaqej në letër një njollë e vogël e vazhdueshme që atë kohë u konsiderua nga mjekët si “e palexueshme dhe e pasaktë”.  Aparatura vijoi të figuronte në dokumente, por zyrtarisht nuk konfirmohet se pati kërkesa për zëvendësimin, ose riparimin e saj. Ndërkohë, vetëm 40 hapa larg Spitalit Pediatrik ndodhet një klinikë e vogël e cila ofron shërbimin EEG.

    Në bodrum
    Me rikonstruksionin e godinës së Spitalit Pediatrik edhe shërbimi i konsultave njohu ndryshime të ambienteve. Dy nga aparaturat, EEG dhe Audiograma, fillimisht u lanë në një dhomëz të vogël. Prej pak muajsh të dyja përfunduan në katin e nëndheshëm, duke e arsyetuar këtë lëvizje si nevojë dhe ‘kushte specifike’ larg zhurmave, sidomos për pajisjen audiogranë, ndërsa EEG zuri pluhur, pa kryer ekzaminim. Pacientët e vegjël, disa prej të cilëve me probleme të shëndetit mendor, por edhe fizik, detyrohen që të shkojnë për ekzaminim në klinikën private. Një i mitur pacient me probleme neurologjike e ka të nevojshme ekzeminimin me EEG, të paktën dy herë në vit.
    Për çfarë shërben Ezheja?
    Ezheja (EEG) Elektroencefalogramë, është pajisje mjekësore që ndihmon për të diagnostikuar dhe më pas monitoruar të gjitha llojet e konvulsioneve (dridhjeve), qofshin këto nga epilepsia, tumoret e trurit, nga trauma të kokës, infeksione të trurit deri te çrregullime të gjumit, dhimbje të kokës (migrena dhe gjithë llojeve të tjera të dhimbjes të kokës) si dhe çrregullime të caktuara sjelljes. Nga viti në vit numri i fëmijëve që referohen me këto probleme ka ardhur në rritje dhe reparti i konsultave Pediatrike është i vetmi që e ofron shërbimin e specializuar, pikërisht në këtë repart.
    /Faktoje.al/

  • Kapsulimi i malit të mbetjeve në Vlorë, ende një dëshirë

    Kapsulimi i malit të mbetjeve në Vlorë, ende një dëshirë

    Nga Sebi Alla-Faktoje.al

    Tri zjarre të mëdha brenda dy muajve (qershor-korrik), në vendgrumbullimin e mbetjeve në Lagjen 24 Maji në Vlorë, ishin lajmërimi i fundit se nëse nuk ndërhyhej në kohë, zona përreth, por edhe i gjithë qyteti do të vijonte të rrezikohej nga ndotja në nivel mjaft të lartë. Pavarësisht trajtimit të mbetjeve urbane në Landfillin e Sherishtës, që nga 26 prilli i këtij viti, Vlora ende e ka të pazgjidhur vendgrumbullimin e mëparshëm të mbetjeve në lagjen 24 Maji.

    Për kryebashkiakun në detyrë (që dha dorëheqjen dy ditë më parë) Ermal Dredha, ‘lajmi i mirë’ ishte se shumë shpejt kjo çështje merrte fund një herë e mirë, duke kapsuluar mbetjet ekzistuese dhe kthyer zonën në eko-park. ‘Fusha e depozitimit të mbetjeve, e vjetra, shumë shpejt do të fillojë edhe pjesën e kapsulimit, siç është parashikuar në kontratën me KfË, që do të thotë se ata kanë filluar procedurën dhe pasi të përfundojë procedura shpresoj se për një 3-4 muajsh fillon zbatimi i projektit për tu kapsuluar dhe kthyer në eko-park’, tha Dredha më 13 qershor të këtij viti.

    Faktoje.al ishte në Vlorë në mesin e muajit gusht dhe konstatoi se në vendgrumbullim ‘mali me mbetje’ ishte ulur disi, pasi një fadromë e bashkisë po punonte për nivelimin e saj, por nuk kishte asnjë shenjë për kapsulimin.

    Paçka optimizmit të kryebashkiakut të dorëhequr Dredha se brenda tre ose katër muajve projekti, tenderimi dhe financimi do kishin përfunduar dhe nisur puna për zbatim, problematika është e pazgjidhur, ç’ka konfirmohet zyrtarisht edhe nga Bashkia Vlorë.

    ‘Nuk ka ende një projekt përfundimtar për kapsulimin e mbetjeve në vend depozitimin e mëparshëm. Pas përfundimit të projektit, punimet për realizimin e tij do të tenderohen nga Banka Gjermane për Zhvillim KfË dhe vetëm pas përfundimit të këtyre procedurave do të kemi vlerën e kontratës për këto punime të cilat do të zgjidhin përfundimisht problemin e vengrumbullimit të vjetër të mbetjeve urbane’, tha për Faktoje.al Bashkia Vlorë. Sipas tyre, ‘…është duke u përgatitur nga konsulentët e huaj, projekti përkatës i kapsulimit të vendgrumbullimit, si pjesë e Programit të Menaxhimit të Mbetjeve të Ngurta – Rajoni Vlorë, të financuar nga Qeveria Gjermane nëpërmjet Bankës Gjermane për Zhvillim KfË’.

    Premtimin e kryebashkiakut të dorëhequr Ermal Dredha për fillimin e zbatimit të projektit, brenda  3-4 muajve për kapsulimin e mbetjeve urbane në vendgrumbullimin pranë lagjes 24 Maji në Vlorë, do e konsiderojmë deri më tani të pambajtur.

     

  • Terminali i ri i autobusëve në Vlorë, ëndërr ende pa projekt

    Terminali i ri i autobusëve në Vlorë, ëndërr ende pa projekt

    Nga Sebi Alla Në fushatën elektorale të vitit 2023, për mandatin e tij të parë si kryebashkiak, si pikë të parë të një liste me premtime, Ermal Dredha shkruante se do të punonte fort për: “Ndërtimin e terminalit të autobusëve ndërqytetas, për të mundësuar akses për të gjithë vizitorët nga brenda dhe jashtë vendit”, por dy vite më pas, Vlora nuk ka akoma një projekt, e aq më shumë një terminal.

    Qindra autobusë dhe furgona të linjave të ndryshme nuk kanë një stacionim të përcaktuar dhe në çdo hapësirë të mundshme sheh autobusë në rrugë kryesore dhe furgonë të futur në qoshëse lagjesh.

    Bashkia

    Faktoje.al iu drejtua Bashkisë Vlorë me disa pyetje për çështjen e terminalit, nëse kishte projekt, dhe nëse po a është buxhetuar?! “Nuk disponojmë projekt për terminalin dhe  rrjedhimisht nuk është e buxhetuar në buxhetin e bashkisë në vitet 2024 dhe 2025” thotë zyrtarisht Bashkia Vlorë.

    Shqetësimi për mungesën e një stacionimi të linjave interurbane është i hershëm në Vlorë, ndërsa si ide e hedhur nga Bashkia Vlorë ishte që të ndërtohej terminali pranë ish-Stacionit të Trenit në qytetin e Vlorës.

    Fakt

    Faktoje.al gjatë vëzhgimit në qytetin e Vlorës konstatoi disa autobusë të stacionuar në qendër pranë “Lagjes Pavarësia”, por edhe në brendësi të qytetit kudo që mund të gjendej hapësirë boshe për parkim.

    Për Faktoje Bashkia Vlorë tha se janë ende në bisedime paraprake për të siguruar fondet, por pa lënë një afat se kur mund të hartohet projekti, të kryhet buxhetimi dhe nisë puna. “Aktualisht jemi në bisedime paraprake me Fondin Shqiptar të Zhvillimit për ndërtimin e një terminali autobusësh si dhe shpresojmë sa më parë të konkretizojmë me një projekt dhe realizimin e tij”, thotë Bashkia Vlorë.

    Në faqen zyrtare të Drejtorisë së Përgjitshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor harta “Stacione dhe Terminale” nuk e ka të përfshirë Vlorën, duke mbetur qyteti që jo vetëm nuk ka një terminal, por as një stacion qëndror.

    Përfundim

    Nga konstatimi në terren, por edhe përgjigjja zyrtare e Bashkisë Vlorë për Terminalin e Autobusëve Ndërqytetas rezulton se nuk ka projekt konkret dhe janë në fazën e bisedimeve me Fondin Shqiptar të Zhvillimit, ndaj premtimin për ndërtimin e këtij terminali, do ta kategorizojmë deri tani të pambajtur./ faktoje.al

  • Vlorë/ Premtime për zgjidhje, por ujë vetëm dy orë

    Vlorë/ Premtime për zgjidhje, por ujë vetëm dy orë

    Pas një “dushi të ftohtë” publik që kryeministri Edi Rama i bëri kreut të bashkisë Vlorë Ermal Dredha për punë të dobët në drejtimin e bashkisë, ai premtoi se një nga problemet që lidhej me furnizimin me ujë do merrte zgjidhje me vënien në shërbim të rrjetit të ri shpërndarës.
    “Ka zona periferike që ka pasur probleme me shkuarjen e ujit, pasi normalisht kur vendosen tuba të reja marrin ajër dhe derisa të zhbllokohet e gjitha ajo, normalisht ka këtë lloj problemesh”, tha Dredha më 11 qershor, duke e cilësuar problemin e mungesës së ujit të pijshëm për rreth një javë në disa lagje përgjatë asaj periudhe, si teknik.
    Kryetari i Bashkisë Vlorë tha gjithashtu se problemi me karakter “teknik” që kishte prekur, sipas tij, zonat periferike të Vlorës do të merrte zgjidhje shpejt
    Premtimet për ujë
    Ermal Dredha kërkoi votën e qytetarëve për një mandat katër vjecar (2023) duke përfshire si prioritet të programit të tij zgjatjen e rrjetit të furnizmit me ujë të pijshëm.
    Një vit më parë, në një intervistë televizive, ai foli për një projekt që kishte katër vite që kishte filluar në Vlorë me qëllim furnizimin me ujë të qytetit, duke përmendur në funksion të saj edhe një tjetër marrëveshje të rëndësishme me gjermanët (18 milion euro investim) që do të zgjaste mbi një vit kalendarik.
    Fakt

    Në mesin e gushtit, nga verifikimi në terren i Faktoje.al rezulton Vlora vijon të ketë probleme me furnizimin normal me ujë të pijshëm. “Furnizimi normal me ujë është shumë problem. Vjen një herë në ditë nga ora 6-7. Katet e sipërme të pallateve e vuajnë më shumë mungesën”, thotë për Faktoje.al, Agimi, pronar i një bar kafeje në lagjen “Çlirimi”. Një tjetër banore e së njëjtës lagje e cila ka me qira një dyqan të vogël me rroba të përdorura thotë se për disa ditë ka pasur shkëputje të furnizimit me ujë për një kohë të gjatë.
    Situata
    “Zbresin njerëzit nga kati i pestë dhe mbushin ujë në dyqan te unë. Të vijë behari dhe mos kesh një grusht ujë për të larë sytë është shumë keq. Të lahen ata të plazhit në ‘Ujin e ftohtë’ dhe ne të lagjes këtu (Çlirim) mos kemi nuk është e drejtë”, thotë për Faktoje.al Tefta Gjolekaj e cila thekson se ka një lloj “diskriminimi” në orarin e ujit për zonat periferike.

    Banorët thonë se në zonën “Lungomare” dhe të “Ujit të Ftohtë”, ku fluksi turistik është më i madh, furnizimi me ujë bëhet me orë më të zgjatura.
    Edhe në lagjen “Pavarësia” janë të “varur” nga orari që u ka caktuar ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimit Vlorë. “Kjo është Vlora turistike. Uji ka munguar për disa kohë. Thanë se pas ndërhyrjes në rrjetin e ri gjithçka do zgjidhej, por ajo që na mbeti janë edhe rrugët copë-copë nga hapja e kanaleve të tubacionit”, thotë një qytetar që nuk pranon të identifikohet me arsyetimin se: “ku po merret vesh ç’po bëhet nga bashkia, ma mbyllin atë dyqan që kam”, thotë ai. Krejt ndryshe nga sipërmarrësi i vogël, një zonjë që jeton në Itali është fare e lirshme.
    “Ujë nuk ka. Uji vjen vetëm një orë në mëngjes 6-7 dhe në darkë 6-7, kaq ujë ka në Vlorë. Unë jetoj në Itali dhe kur erdha në maj pashë gjithë këto rrugë të prishura se do të vinte tubacioni, dhe thashë se kur të vinte tubacioni do e gjej ujin… Kemi frikë të lahemi me ujë bolieri, po na zë ndonjë sëmundje lëkure”, thotë 57-vjeçarja, teksa ngre shqetësimin që kanë edhe shumë qytetarë të tjerë të lagjes “Pavarësia”, se kur ka shkëputje për rreth dy ditë kur rikthehet, uji vjen i ndotur.
    Bashkia
    Faktoje iu drejtua Bashkisë Vlorë me disa pyetje për çështjen e furnizimit me ujë të qytetit, por edhe pse ka kaluar afati ligjor deri në publikimin e shkrimit nuk patëm përgjigje.
    Përfundimi
    Vlora vijon të përballet me mungesë të ujit të pijshëm, veçanërisht në disa lagje të saj përgjatë gjithë sezonit turistik. Ndaj dhe, premtimin për zgjidhjen e furnizimit me ujë në ketë qytet deri më tani do e konsiderojmë të pambajtur.
    /faktoje.al/

  • Delvina, shkrumb e hi/ Zjarri na dogji edhe shpresën!

    Delvina, shkrumb e hi/ Zjarri na dogji edhe shpresën!

    Nën një oaz të vogël poshtë pjergullave të zhuritura, bashkëshortët, Luan dhe Monika Muho shfaqin emocione të përziera; gëzim që shpëtuan jetët e tyre dhe frikë e panik se ai zjarr katastrofik nuk do u shuhet në kujtesë, këtu e më pas.

    “Shpëtuam, por këtë tmerr që jetuam nuk do e kalojmë lehtë, as ne e as fqinjët”-thotë 73-vjeçari Luan Mara për Faktoje.

    Në Delvinë asgjë nuk është si më parë! Qindra banorë të traumatizuar, fëmijë e gra të larguar në panik e sipër nga vatra e tmerrit, gjashtë banesa të djegura, mijëra ullinj të shkrumbuar, vreshta të kthyera në thengjinj dhe bimësi e zhdukur.

    Ajo që ka mbetur pas mes hirit të zi, është dalja në “dritë” e pafuqisë së strukturave shtetërore, mungesës së mjeteve dhe sakrifica njerëzore e efektivëve të ushtrisë, zjarrfikësve dhe policisë, të cilët punuan pa pushim, të paktën të shpëtonin jetët e qytetarëve, dhe ia arritën…

    Tmerri në prag

    “Vatra më e madhe e zjarrit ndodhi në shtatë e gjysmë në darkë (shënim e martë 12 gusht). Kjo erdhi si pasojë e zjarrvënies në Leshnik dhe nuk u parapri që të ndërhyhej dhe shpëtonim edhe ne nga e keqja që na erdhi. Duhet të ishin marrë masa më përpara që ta përballonin”-thotë për Faktoje.al, 73-vjeçari Luan Mara, një nga ata banorë të rrezikuar seriozisht, banesa e të cilit është buzë kodrinës e cila u shkrumbua plotësisht.

    “Erdhën policia dhe na largoi”-ndërhyn bashkëshortja e tij, ndërsa herë pas here kur kujton çdo moment të forcës së zjarrit para pafuqisë së tyre që për pak u mori jetën. Përlotet…“Nuk merrnim dot frymë, afshi i zjarrit, tymi, paniku na përfshiu të gjithëve”-tregon 65-vjeçarja ndërsa qan teksa kujton çastin ku dy vajza fqinje të saj bërtisnin e mundoheshin të shuanin zjarrin që i shkoi në pragun e shtëpisë.

    “Situata e rëndë filloi në shtatë e gjysmë. Erdhi nga mali përbri. Unë isha në oborr kur shpërtheu flaka. Filluan të bërtisnin vajzat poshtë, nuk dilnin nga shtëpia. Zjarrfikësit kishin vajtur tek pusi i naftës. Një tmerr, luftë. Erdhën zjarrfikëset dhe policia, nuk ishin pak erdhën 50 policë. Na tërhoqën edhe ne. Dëme kemi në ullinj, po shpëtuam kokën”-thotë 65-vjeçarja Monika Moho për Faktoje.al.

    Edhe fqinji i saj Liro, që sapo ka ardhur i drobitur nga qafa e malit pranë, me një pompë të vogël në krahë, thotë se tashmë po ndihmon sa të mundet forcat zjarrfikëse për të shuar trungje pemësh të larta të cilat janë ende aktive nga zjarri dhe mund të bëjnë dëm sërish.

    Të gjithë në “sheshin e panikut”

    “Sheshi para Bashkisë u mbush me shumë njerëz, ishte i vetmi vend që nuk rrezikohej përkohësisht nga zjarri. Kaos i madh e frikë, njerëzit pyesnin për të afërmit nëse i kishin parë dikush.

    “Më keq nuk kish ku shkonte”-thotë Gëzim Lame, banor i Delvinës dhe pronar i një lokali aty pranë Bashkisë. “Me thënë të drejtën angazhim pati për të shpëtuar shtëpi e njërëz, por duhet të ishte ndërhyrë më parë nga ajri”-këmbëngul një tjetër qytetar, i cili vetë thekson se  nuk ka pësuar dëme, por shumë familje të tjera kanë lënë katandi, kryesisht ullishte të dëmtuara thujase plotësisht.

    Duart në kokë

    Bimësia, ullishtet, vreshtat, pishat e buta, gështenjat, pemët frutore dhe shkurret, janë shkruambuar thuajse plotësisht, duke lënë pas një pamje të trishtë, pasojat e së cilës do jenë aty, për shumë dekada. Vetëm 14 orë…kaq mjaftuan që Delvina dhe rrethinat e saj sot të duket si pas apokalipsit. “Bo bo ullinjtë e mi. Bo bo c’qenka bërë…”-qe reagimi i parë i një banori të Delvinës sapo u ngjit në kodrën e qytetit, kah Mali i Sopotit. Poshtë saj, në një pllajë të madhe ndodheshin mijëra pemë ullinjsh, disa shekullorë dhe tjerë më të rinj.

    Asgjë nuk ka mbetur, shkrumb e hi gjithçka, zi kudo, me përjashtim të ndonjë gropëze që zjarri nuk ka mundur të jetë aq i fuqishëm duket ndonjë pemë e përcëlluar, ende e pakallur.

    “Ke dëgjuar ‘vaj Delvine’? Ja këtu bëhej. A sheh më ullinj t’i, a sheh si janë bërë”-flet, pyet sikur gjithkush ka përgjegjësi (edhe ne), e më pas po vetë jep përgjigje. I kërkojmë të flasë me emër e para kameras, por mesoburri që nuk do dhe gjithkush do i jepte të drejtë teksa gjithë kohës shfaq një lloj traumatizimi.

    “Çfarë të flas unë? Shihni çfarë bëhet. Kujt t’ja vë fajin për këtë nuk e di”-vjon të përsërisë, duke shtuar pas çdo fjalie të shkurtër vetëm:.. “Bo, bo, bo,”- me duart në kokë.

    Një zjarrefikëse e Delvinës prodhim i vitit 1963

    Një grup i vogël ushtarësh gatiten disi përtueshëm sapo shohin se po fotografohen dhe mediat janë përqark. Mundohen të mbajnë qëndrim drejt, edhe pse këmbët i lëshojnë. Duart të nxira nga shkrumbi i zi i zjarrit që la lënë pas, fytyra e sterrosur, ndonëse këta njerëz i zbardhën faqen Delvinës, shpëtuan jetë njerëzish.

    Secili prej tyre është hero I gjallë në vetvete, sepse kanë bërë që sot të mos numërohen të vdekurit, po ashtu edhe një grup zjarrfikësish ca më tej dhe disa efektivë policie po aq të dërmuar. Ti pyesësh në u lodhën duket sikur i fyen… Lodhjen, mundin, problemet me frymëmarrjen dukshëm e shfaqin. Mjetet që kanë në duar një pirg lopatash, ndonjë shkurre dhe pak pompa krahu që shërbejnë për neutralizimin e vatrave të vogla.

    Një zjarrfikëse e Delvinës, nga dy të vetmet që ka qëndron paksa pushim… Vitprodhimi është 1963…! “Mbahet ende dhe ishte mirë se futej në terren të thyer”-thotë një burim në kushtet e anonimitetit. Sa për veshje speciale është luks të kërkohet. Po ashtu edhe zjarrfikëse moderne që kanë fuqi hedhëse të ujit në distancë të largët.

    Një tjetër problem me pjesën logjistike ishte se zjarrfikëset nuk shoqëroheshin me autobote në vendin ku ndërhynte dhe u duheshin të ktheheshin për furnizin në qendrën e tyre. Zjarrfikës të paguar keq, po ashtu edhe ushtarë, veçanërisht të repartit të xhenios që futen të parët mes flakëve.

    Sanduiç dhe ujë… Kjo qe dreka dhe darka e forcave ushtarake, zjarrfikëse dhe policore që morën pjesë për gati 24 orë në shpëtimin e zonës urbane të Delvinës. Shpëtuan njerëz e shtëpi, pasi gjithçka tjetër këtu është shkrumbuar.

    Zjarri një javë përqark…

    Gati një ironi therëse edhe e natyrës u luajt në trekëndëshin Vlorë-Delvinë-Finiq. Ndërsa qyteti i Vlorës një javë më parë përmbytej nga shtrëngata shiu, në Finiq dielli përvëllues dilte e humbte nga re të dendura duke shkarkuarr shumë rrufe.

    “Një rrufe ra në majën e Malit pranë Finiqit duke ndezur një varët zjarri fillimisht të vogël, por që me kalimin e kohës pati përhapje”-thotë për Faktoje.al, Prefekti i Vlorës, Plator Nesturi, i cili gjithashtu shton se “terreni ishte mjaft i thyer dhe ishte e pamundur ndërhyrja me forca njerëzore”. Ndërsa për ndërhyrje nga ajri erdhi por vonë, shumë vonë zjarri shkatërroi gjithçka gjeti përpara.

    Dy avionë canader të ardhur nga Italia dhe dy helikopterë shuan një pjesë të zjarrit aktiv në mëngjesin e së mërkurës.

    “Duket që situata është përmirësuar ndjeshëm megjithëse kanë qenë orë shumë të ethshme nga zjarri kërcënues. Zjarri shkoi në tre anët e Delvinës dhe u bë shumë problematik”-thotë për Faktoje.al, Prefekti i Vlorës Plator Nesturi, i cili pohon gjithashtu se situata ishte mjaft serioze.

    “Gjëja e parë ishte evakuimi i banorëve dhe më vonë filloi ndërhyrja shtëpi më shtëpi e rrugë, pikërisht në segmentet që vinte zjarri. Sipër Delvinës ndodhen pikat e puseve të naftës dhe këtu kishte vëmendje të shtuar si dhe një depozitë gazi”-thotë ai, ndërsa shton se ka pasur ndihmë nga të gjithë bashkitë e qarkut Vlorë me mjete zjarrfikëse, por edhe nga Gjirokastra dhe Fieri.

    “Ka pasur një ndihmë të shtuar nga forcat e ushtrisë mbi 120 efektivë, kjo e shoqëruar me 60 efektivë të zjarrfikësve nga njësitë vendore. Në të gjithë atë luftë që u bë mund të themi që dëmet jo se janë të vogla, por kemi shpëtuar me efektivitet një dëm që do ishte shumë herë më të mëdha. Së pari kemi shpëtuar jetë njerëzore”-thotë Nesturi.

    Ai gjithashtu zbulon për Faktoje.al se është në plan hartimi krijimi i dy qendrave zjarrfikëse që do të shërbejnë për ndërhyrjet me efikase në të ardhmen.

    “Kemi menduar të kemi krijimin e dy zonave, që do jenë të tilla që të përmbushin kapacitetet, të jenë të varura nga ushtria. Njëra do jetë në Bonavi, afër Vlorës, dhe tjetra në Finiq. Do ketë një pozicionim zjarrfikëseve në dy zona më problematike. Efikasiteti është më i madh madh jo vetëm bashkitë e zjarrfikësve që punojnë në terren, por në situata emergjence do ketë ndërhyrje me shtim kapacitetesh të këtyre dy stacioneve”-tha Nesturi.

    Bilancet e dëmeve ende nuk janë bërë, një për një, porn ë fund do shfaqet një shifër katastrofike. Delvina dhe rrethinat e saj janë shkrumbuar. Bimësia, gjallesat pemët frutore, ullishte dhe vreshta nuk janë më, qindra hektarë janë shndërruar në pluhur e hi, e bashkë me të zbuluam mangësitë e mëdha të mjeteve dhe burimeve njerëzore në kohë ermërgjancash./ Faktoje.al/ 

  • Ngecin hetimet për fondet IPARD

    Ngecin hetimet për fondet IPARD

    Foto ilustruese

    TIRANË- Prej dy vitesh, bujqësia shqiptare është pa miliona euro nga programi IPARD III, pasi fondet e Bashkimit Europian për zhvillimin rural janë bllokuar për shkak të dyshimeve për korrupsion. Brukseli ka dy vite që u kërkon autoriteteve shqiptare ta trajtojnë me seriozitet këtë çështje, por deri më tani reagimi i tyre i ngjan ritmit të breshkës. Që prej vitit 2020, dosja për hetimin e abuzimeve me fondet e IPARD ka kaluar nëpër tryezat e institucioneve të drejtësisë shqiptare, pa asnjë rezultat konkret. Fillimisht, çështja u regjistrua në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Pas dy vitesh, SPAK shpalli moskompetencën dhe ia kaloi dosjen Prokurorisë së Tiranës. Në shtator 2023, dosja u rikthye sërish në SPAK.
    Asokohe, SPAK i tha Faktoje.al se hetimi penal mbi shpërndarjen e fondeve ishte ende në fazë paraprake dhe, për shkak të sekretit hetimor, nuk mund të jepte më shumë informacion. Të njëjtën përgjigje e dha edhe këtë fillim gushti.
    “Çështja është në fazën e hetimeve paraprake. Për shkak të ruajtjes së sekretit hetimor, nuk mund të bëjmë publike informacione të mëtejshme,” – SPAK.
    Pra, edhe pas dy vitesh, hetimi për dosjen IPARD vijon të endet në fazë paraprake. Asnjë emër. Asnjë arrestim. Asnjë akt akuze.
    “Të detyrojnë të besosh se nuk ka drejtësi!” – thotë Romeo Nazarko, një nga denoncuesit e parë të skemës së abuzimeve me fondet IPARD në Shqipëri.
    “Kam bërë tre kallëzime në SPAK, përfshi edhe IPARD-in, të treja në gjumë,” shton ai.
    Në vitin 2023, Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF) përfundoi hetimin administrativ mbi abuzimet me fondet e IPARD II dhe ia përcolli raportin përfundimtar, së bashku me rekomandimet, autoriteteve shqiptare dhe Komisionit Evropian. Në një reagim për Faktoje.al zyra e shtypit pranë OLAF nënvizon se tanimë vendimmarrja për çdo hap të mëtejshëm u takon autoriteteve kompetente vendase, sipas vlerësimit të tyre. Me fjalë të tjera, OLAF e kalon topin në fushën tonë.
    “OLAF zhvillon hetime administrative. Më pas, u takon autoriteteve kompetente të vendosin mbi çdo veprim të mëtejshëm lidhur me rekomandimet e OLAF, sipas vlerësimit të tyre. Për këtë arsye, ne nuk jemi në gjendje të komentojmë më tej, përfshirë detajet e hetimit dhe provat e mbledhura nga OLAF”, nënvizon zyra e shtypit të OLAF për Faktoje.al.
    Paratë europiane të mbrohen siç duhet
    Që kur u pezulluan fondet IPARD, Komisioni Evropian ka përsëritur vazhdimisht kërkesën që çështja të trajtohet me seriozitet nga autoritetet shqiptare. Për dy vite me radhë, kanë theksuar nevojën për masa korrigjuese dhe për transparencë të plotë në hetimin e abuzimeve, duke e bërë këtë kusht të domosdoshëm për rifillimin e financimeve.
    Komisioni është në dijeni të një auditimi të jashtëm që qeveria shqiptare ka kontraktuar për të verifikuar grantet dhe pagesat e IPARD II, si dhe sistemin e ri të menaxhimit dhe kontrollit të brendshëm. Por ndërkohë që procedurat bilaterale vazhdojnë, nuk jepen detaje të tjera, ndërsa pritshmëria është që çështja të zgjidhet shpejt e me përgjegjësi.
    “Bashkimi Evropian është i gatshëm të vazhdojë të mbështesë fermerët shqiptarë, sektorin agroushqimor dhe zonat rurale në të ardhmen, me kusht që interesat financiare të Bashkimit Evropian të mbrohen siç duhet,”- bën të qartë një zëdhënës i Komisionit Evropian për Faktoje.al.
    Nuk ka datë për rikthimin e IPARD
    Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural deklaron për Faktoje.al se “është e angazhuar maksimalisht dhe po zbaton një plan veprimi me masa konkrete, dakordësuar me strukturat e Komisionit Evropian.” Auditimi i jashtëm, që sipas ministrisë “është në fazë zbatim dhe rezultatet e tij priten brenda këtij viti”, është një nga hapat kryesorë për rifillimin e fondeve.
    Pas përfundimit të tij, ministria thekson se do të kryhen “procedurat në zbatim të Marrëveshjes Financiare Kuadër të Partneritetit dhe Marrëveshjes Sektoriale”, të cilat janë vendimtare për finalizimin e Marrëveshjes së Financimit për Programin IPARD III dhe hapjen e thirrjeve për aplikime. Por pavarësisht përpjekjeve, ende nuk ekziston një datë konkrete për rikthimin e fondeve IPARD. Ministria shton se “në përfundim të auditimit dhe përmbushjes së rekomandimeve të dhëna, do të finalizohet Marrëveshja e Financimit dhe më pas do të hapen thirrjet për aplikime.”
    Megjithatë, për fermerët dhe gjithë sektorin e bujqësisë, këto janë vetëm hapa në një proces që po zvarritet prej kohësh. Ata kërkojnë një datë të saktë për rifillimin e financimeve që do t’i japin frymëmarrje bujqësisë shqiptare.
    Programi i mbështetjes në bujqësi IPARD ofron grante në ndihmë të sektorit bujqësor për të gjitha vendet që janë në proces anëtarësimi me Bashkimin Evropian. Shqipëria është një prej pesë vendeve përfituese të mbështetjes me grante. Përmes programit IPARD II, i cili u zbatua gjatë viteve 2014 dhe 2020, Shqipëria përfitoi mbi 71 milionë euro fonde. Dhe teksa vendi priste të niste mbështetjen në bujqësi përmes IPARD III me 146 milionë euro grante, Komisioni Evropian vendosi pezullimin bazuar në dyshimet për korrupsion./Faktoje

  • Vlora turistike me djegie mbetjesh

    Vlora turistike me djegie mbetjesh

    Kryebashkiaku aktual i Vlorës, Ermal Dredha, në nisje të punës së tij në vitin 2023, shpalli “prioritet pastrimin e qytetit” dhe zgjidhjen e çështjeve të mbetjeve. Për të tretin vit radhazi, Vlora ka përjetuar në periudhën e sezonit turistik disa herë djegie të mbetjeve urbane në venddepozim pranë lagjes 24 Maji.

    Problematika

    “Isha aty atë ditë (më 7 qershor) kur u ndez zjarri në fushën e depozitimit të mbetjeve. Dukej si shpërthim bërthamor mjedisor. Është e patolerueshme djegia e mbetjeve”, tha për Faktoje.al eksperti mjedisor, Lavdosh Ferruni.

    Ende nuk ka një studim të mirëfilltë sa është sasia e mbetjeve urbane që krijojnë problematikë aty, por diskutohet të jetë mbi 350 mijë ton dhe përveç erës së rëndë, kryesisht banorët pranë vendgrumbullimit të mbetjeve janë të riskuar seriozisht në shëndet. “Dioksina dhe furanet që dalin nga djegia e mbetjeve, janë të vërtetuara që janë kancerogjene. Gjithashtu ka kontaminim në tokë, ujë dhe ajër. Djegiet e mbetjeve urbane, veçanërisht plastika, klasifikohet nga ndotjet më të rrezikshme”, thotë Ferruni.

    Reagimi

    Vetë Bashkia Vlorë shkon edhe më “larg” në problematikën e djegies së mbetjeve, duke pranuar se ka pasoja të rënda, e madje ndikim edhe në ngrohjen globale. “Djegia e mbetjeve çliron në ajër shumë elementë si dioksina, furane, polikarbone, okside të squfurit, okside të azotit CO2 dhe metani i çliruar nga mbetjet kontribuojnë në ngrohjen globale. Tymin dhe aromën e rëndë e përjetojnë komunitetet përreth”, konstaton Bashkia Vlorë në përgjigjen e dhënë për Faktoje.al.

    Ndërkohë, kreu i bashkisë Ermal Dredha nuk është i vetmi që premtoi zgjidhjen e këtij problemi. “Na kanë premtuar se do zgjidhet kjo çështje. Madje para zgjedhjeve erdhën disa deputetë dhe na thanë që mbetjet do të largohen, por asgjë nuk shihet, plehrat vijojnë të hidhen ende”, shprehet për Faktoje.al Valentin Aliaj.

    “Ehhh sa kemi dëgjuar nga këta, çdo kryetar bashkie që ka ardhur këtë ka thënë gjithnjë; ’do ta zgjidhim shpejt’, po ku është zgjidhja?”, ngre pyetjen banori tjetër Ismail Lazaj, duke treguar me dorë malin e madh me mbetje që në dy tre vatra të vogla vijon të nxjerrë tym. 

    Fakt

    Mes një pirgu të madh me mbetje, dy barinj heqin udhën për një tufë të madhe dhensh, ngjyra e të cilëve ka marrë tërësisht pamjen e mbeturinave urbane, një gri e theksuar. Lirshmërinë ua prish zhurma e një kamionçine me logon e Bashkisë Vlorë të mbushur me plehra, e cila shkarkon vrullshëm dhe largohet shpejt për të mos rënë në sy. Me këtë pamje Faktoje.al u përball mëngjesin e 16 qershorit në nisjen e sezonit turistik në Vlorë.

    Në reagimin për Faktoje.al, Bashkia Vlorë pranon se aty vijojnë të hidhen mbetje, por, sipas tyre, janë materiale që nuk pranohen për përpunim në Landfill. “Në vendgrumbullimin e vjetër hidhen vetëm mbetje inerte të cilat nuk pranohen në Landfill si: mbetjet e orendive shtëpiake, pajisjet elektroshtëpiake, pajisjet hidrosanitare, mbetjet e pajisjeve elektronike dhe materialeve të ndërtimit”, thotë Ndërmarrja e Pastrimit e Bashkisë Vlorë.

    Faktoje.al, në dy raste konstatoi se kamionçinat shkarkuan mbetje urbane. Lagjja “24 Maji” në Vlorë, në pikën ndarëse mes Pyllit të Sodës dhe Zvërnecit, është kthyer në një burim të frikshëm infeksionesh nga mbetjet, erës së rëndë, dioksidit të karbonit nga djegia dhe pasiviteti nga administrata lokale në përballimin e situatës. “Aty është sëmundje e madhe. Sidomos mëngjesi kur digjen plehrat është problem, nuk marrim dot frymë”, thotë Ismail Lazaj, një banor i zonës, nga të paktit që pranoi të fliste, pasi frika se po folën u hapen probleme në punë, apo në biznesin e vogël, është e madhe.

    Bashkia

    “Mos të hidhen akuza në tym, sepse i bëhet dëm Vlorës. Është gjithë ajo punë kolosale. Duhet të kuptojmë një gjë, ka 40 e ca vite që përdoret ajo fushë mbetjesh dhe është jashtë kapaciteteve. Lufta më e madhe që ne kemi pasur, të paktën që kur kam marrë këtë detyrë, ka qenë pjesa ligjore, për të vënë në funksion landfillin. Mbetjet urbane shkojnë të gjitha në landfillin e Sherishtës që prej 26 prillit 2025”, tha në një reagim të fundit publik, Ermal Dredha, kryetar i Bashkisë Vlorë. Ky institucion në një përgjigje zyrtare për Faktoje.al pranoi problematikën, ndërsa thekson se fenomeni i djegieve në vendgrumbullimin e mbetjeve nuk është i ri. “Situata problematike përsa i përket mbetjeve urbane në fushën e vendgrumbullimit është një situatë e përsëritur edhe në vitet e kaluara”, thuhet në reagimin e Bashkisë Vlorë, ndërsa shtojnë se: “për shkaqet e kësaj problematike janë bërë të gjitha denoncimet ku institucionet përkatëse janë në proces hetimi, nëse janë të qëllimshme apo aksidentale”.

    Kryebashkiaku Dredha foli gjithashtu edhe për mundësinë e kapsulimit të vendgrumbullimit të mbetjeve, por në përgjigjen zyrtare nga Bashkia Vlorë, nuk konfirmohet një projekt i tillë. “Ndërmarrja e Pastrimit nuk ka një informacion mbi projektin për kapsulimin e mbetjeve, koston dhe nëse këtë projekt do ta realizojë vetë bashkia apo me kontraktor”, thuhet në reagim, ndërsa pranohet prej tyre se: “nuk mund të flasim definitivisht për mbylljen përfundimtare të problemit në fushëdepozitimin e vjetër të mbetjeve”. 

    Ligji i mbetjeve 

    Për menaxhimin e mbetjeve urbane ka një ligj të veçantë që përcakton qartë se si duhet të trajtohen mbetjet, cilët institucione janë përgjegjëse dhe çfarë masash merren në raste të shkeljeve. Ligji nr. 10 463, datë 22.09.20211 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, e ka të qartë: përgjegjësia për menaxhimin, mirëmbajtjen dhe sigurinë e fushave të mbetjeve bie plotësisht mbi njësitë e qeverisjes vendore. Po duke iu referuar ligjit, disa paragrafe të tjerë saktësojnë edhe masat ndëshkimore në rast të shkeljeve të procedurave në trajtimin e mbetjeve ku konkretisht djegia e mbetjeve në mënyrë të pakontrolluar është e ndaluar dhe përbën shkelje, që mund të ndëshkohet me masa administrative dhe ndjekje penale, në varësi të pasojave.

    Përfundim

    Faktoje.al pa nga afër fushën e mbetjeve dhe u konstatua se mbetjet urbane që mblidhen në Vlorë dhe Orikum vijojnë të hidhen në këtë fushëdepozitimi mbetjesh edhe pas deklaratës së kryebashiakut Dredha se ai venddepozitim nuk përdorej më. Faktoje.al dokumentoi me pamje se në të paktën dy raste mëngjesin dhe drekën e 16 qershorit mjete me logon e Bashkisë Vlorë shkarkuan mbetje në venddepozitimin e lagjes 24 Maji.

    “Plehrat vijojnë të hidhen. Ditën vijnë kamionçina të vogla gati çdo dy orë dhe i hedhin plehrat, ndërsa gjatë natës kamionët e mëdha me mbetje shtohen”, thotë për Faktoje.al, Valentin Aliaj, një i ri i cili ka lindur aty dhe është rritur bashkë me mbetjet që i zenë frymën.

    Ndaj dhe, çështjen e trajtimit të mbetjeve në Vlorë deri më tani do ta konsiderojmë premtim të pambajtur./ Faktoje.al