Tag: evropën

  • Shtatori pritet të jetë më i ngrohtë se normalja në të gjithë Evropën Juglindore

    Shtatori pritet të jetë më i ngrohtë se normalja në të gjithë Evropën Juglindore

    Foto ilustruese

    TIRANË- Vlerësimet e fundit afatgjata, të lëshuara në fillim të gushtit, tregojnë se temperaturat e shtatorit në të gjithë Evropën Juglindore pritet të jenë mbi normalen për sezonin. Siç tregohet në grafikun më poshtë nga “Meteo”, sipas 83% të skenarëve të disponueshëm, temperatura mesatare e shtatorit do të jetë mbi normalen.
    Konkretisht, probabiliteti për devijime pozitive midis 0 dhe 1°C, midis 1 dhe 2°C dhe mbi 2°C është përkatësisht 42%, 32% dhe 9%. Probabilitetet për devijime negative midis 0 dhe 1°C dhe mbi 1°C janë përkatësisht 16% dhe 1%. Vlera mesatare e 400 skenarëve është +0.84°C. Në përgjithësi për Evropën, përshkruan devijimin e temperaturës mesatare të shtatorit bazuar në mesataren e 400 skenarëve. Siç rezulton, devijime pozitive priten në të gjithë kontinentin, me vlerat më të mëdha në Francë dhe Ballkan, ku ato kalojnë +1°C.

    Parashikimet afatgjata karakterizohen nga pasiguri e lartë dhe synojnë të vlerësojnë trendin në evolucionin mujor dhe sezonal të kushteve mesatare të motit.
    Lidhur me korrikun e kaluar, devijimi mesatar i temperaturës në Evropën Juglindore ishte +1.61°C, ndërsa vlera mesatare e të gjithë skenarëve të parashikimit afatgjatë të lëshuar në qershor 2025 ishte +1.04°C./ZËRI

  • Pse i themi Evropë, kontinentit të vjetër…

    Pse i themi Evropë, kontinentit të vjetër…

    Prej fillimit të këtij aktiviteti, kemi folur pafund për ngjarjet historike lidhur me Evropën, duke u kthyer pas në qytetërimet e para që pushtuan kontinentin. Edhe pse kemi folur shumë për këtë kontinent, që shumë prej nesh e quajnë shtëpi, nuk kemi folur kurrë sesi e ka marrë emrin kontinenti. Për ta zbuluar këtë, duhet të kthehemi në origjinën e panteonit grek dhe historitë që lidhen me të. Më e rëndësishmja, historia e Zeusit dhe demit të bardhë./Konica.al

    Zeusi dhe demi i bardhë

    Ashtu sikurse plot gjëra në mitologjinë greke, historia jonë fillon me Zeusin. Zoti i perëndive njihej për kuturisjet që bënte në botën e të gjallëve, duke zbritur nga mali i Olimpit për të ndikuar në rrafshin e të vdekshmëve sipas tij. Ky ishte edhe rasti kur pa vajzën e Agenorit, mbretit të Fenicias (Phoenicia).

    Zeusit i bëri kaq shumë përshtypje bukuria e femrës, saqë vendosi të zbriste dhe ta joshë atë. Kur zbriti nga Olimpi, ai u shndërrua në një dem të bardhë, një pamje e rrallë dhe e bukur që shumë ia atribuuan ndikimit të perëndive. Pasi Zeusi takoi vajzën e mbretit, ai e rrëmbeu duke e vënë në shpinë dhe u nis drejt ishullit të Kretës. Aty, vajza, e cila quhej Europa, lindi tre djem të Zeusit: Minos (i cili më vonë do të bëhej mbreti i Kretës), Rhadamanthys (i cili do të bëhej mbreti i ishujve të Cyclades) dhe Sarpedon (i cili do të bëhej mbreti i Lycia-s). Më pas, Zeusi do ta braktiste Europën në Kretë, ku ajo u vendos dhe u martua me Asteriusin, asokohe mbreti i Kretës, i cili mori nën kujdes djemtë e saj tashmë jetim. Evropa do të adhurohej nga banorët e ishullit, duke bërë që emri i saj të përhapej deri në detin Egje. Emri i Evropës do të lidhej ngushtë me tokën, me disa rrëfime të Greqisë së lashtë që, madje e përshkruanin Evropën, si perëndeshë e tokës. Si e tillë, emri i saj u përdor gjerësisht për të përshkruar atë që ne tani enjohim si Evropë, kur hartat filluan të ndajnë Evropën si një kontinent, përveç të gjitha masave tëtjera tokësore përreth saj./Konica.al

    Teori të tjera

    Gjuhëtarët tregojnë teori të tjera rreth origjinës së emërtimit të Evropës. Shumë argumentojnë sërish Greqinë dhe parashtrojnë teorinë, se emri Evropë vjen nga dy fjalë greke, εὐρύς (anglicizuar: eurys), që do të thotë i gjerë dhe ὤψ (anglicizuar: ops), që do të thotë ose fytyrë ose sy në varësi të përdorimit të tij. Së bashku εὐρύςὤψ do të thotë “vështrim i gjerë”, një emër që për shumicën e personave lindi për shkak të përvojës detare greke në detin Mesdhe, të cilën ata e panë të shtrirë tejendanë aq sa mund të rrokte shikimi.

    Një tjetër teori tregon për qytetërimin e Mesopotamisë dhe gjuhën që ata përdorën si rrënjë për emrin. Në gjuhën e qytetërimit, veçanërisht në gjuhën semite akadiane, fjala për “perëndimin e diellit” ishte erebu dhe fjala për “lindjen e diellit” ishte asu. Gjuhëtarët e përmendin këtë si prejardhjen e fjalës Evropë, pasi Evropa ishte në perëndim të perandorisë së vjetër të Mesopotamisë, kështu që emri “erebu” u përdor për përshkrimin e saj njëlloj Azinë, që shtrihej në lindje të Mesopotamisë, duke çuar si opsion në teorinë e etimologjisë së emrit “asu” semite akadiane për Azinë.

    Prejardhja e saktë e etimologjisë së Evropës ende debatohet nga shumë studiues, pasi referenca e kontinentit që përmendet si Evropë shkon prapa në kohët kur të dhënat nuk mbaheshin aq saktë sa në ditët e sotme. Si të tilla, shumë nga teoritë e etimologjisë së Evropës janë vetëm supozime. Pa një zbulim të ri revolucionar, ne nuk mund ta dimë kurrë argumentin e saktë, pse Evropa filloi të quhej Evropë./Konica.al

  • MEPJ reagon pas akuzave të Berishës: Nuk ka presion ndaj vëzhguesve ndërkombëtarë, është praktikë standarde

    MEPJ reagon pas akuzave të Berishës: Nuk ka presion ndaj vëzhguesve ndërkombëtarë, është praktikë standarde

    Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, ka reaguar pas deklaratave të bëra ditën e sotme nga kreu i PD, Sali Berisha, lidhur me një letër të dërguar nga ministri Igli Hasani institucioneve ndërkombëtare që ndoqën procesin zgjedhor të 11 majit 2025.

    Sipas berishës në këtë letër po u bëhet presion vëzhguesve ndërkombëtarë. Por në reagimin e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme theksohet se nuk bëhet fjalë për ndërhyrje në punën e Misionit të vëzhguesve të ODIHR, dhe aq më pak për ushtrim presioni ndaj tyre.
    Ministria thekson se është praktikë standarde në çdo proces zgjedhor që autoritetet shtetërore të shtetit pritës të përcjellin sqarime dhe kontekst shtesë mbi gjetjet e raportit paraprak të vëzhguesve.

    Reagimi i plotë:
    Në lidhje me pretendimet e sotme të Kryetarit të Partisë Demokratike mbi letrën e Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme drejtuar institucioneve ndërkombëtare të përfshira në vëzhgimin e zgjedhjeve të 11 Majit 2025 në Shqipëri, sqarojmë se:
    Siç është e qartë dhe në letrën e përmendur, nuk bëhet fjalë për ndërhyrje në punën e Misionit të vëzhguesve të ODIHR, dhe aq më pak presion ndaj tyre.
    Është në praktikën normale të çdo procesi zgjedhor, që autoritetet e shtetit pritës të përcjellin pranë Misionit vëzhgues saktësime teknike dhe kontekst lidhur me gjetjet e raportit paraprak, për të cilat vlerësohet se janë të nevojshme për t’u konsideruar në një raport përfundimtar të bazuar në fakte dhe prova.
    Edhe në rastin në fjalë, janë paraqitur sqarime që janë vlerësuar se mund të merren parasysh nga raportuesit gjatë hartimit të Raportit përfundimtar. Sigurisht, marrja në konsideratë apo jo e sqarimeve, është ne diskrecionin e plotë të Misionit vëzhgues.
    Kujtojmë se edhe vetë ODIHR ka reaguar më parë që nuk ka pasur një presion të tillë.
    MEPJ mbetet gjithmonë e angazhuar për të respektuar pavarësinë dhe integritetin e çdo mekanizmi vëzhgues në përputhje me mandatin që i është ngarkuar nga ODIHR.

  • Plani i Trump për të nënshtruar Rezervën Federale rrezikon rëndë edhe Evropën

    Plani i Trump për të nënshtruar Rezervën Federale rrezikon rëndë edhe Evropën

    Donald Trump ka kritikuar një projekt rikonstruksioni të ndërtesës së Rezervës Federale në vlerë prej 2.5 miliardë dollarësh një lëvizje që në dukje mund të duket e vogël, por që mund të ketë pasoja shumë më të mëdha për ekonominë globale, përfshirë Evropën dhe kursimtarët italianë. Në thelb, ky veprim është pjesë e një strategjie më të gjerë të Trump për të ushtruar kontroll mbi bankën qendrore të SHBA-ve, e cila mund të ketë pasoja të rënda për stabilitetin financiar ndërkombëtar.
    Që nga fillimi i mandatit të dytë, Trump duket se është i vetëdijshëm për cenueshmërinë e madhe të financave amerikane. Borxhi publik i SHBA-ve është rritur në mënyrë dramatike gjatë dekadave të fundit, duke kaluar nga bilancet pozitive në fund të administratës Clinton te deficitet kronike që pasuan çdo krizë, recesioni pas shpërthimit të flluskës së internetit, sulmet e 11 shtatorit, luftërat në Irak dhe Afganistan, kriza financiare e vitit 2008, pandemia COVID-19 dhe së fundmi, politikat industriale dhe uljet e taksave të miratuara nga administratat Trump dhe Biden.
    Sot, SHBA zotëron gati dy të tretat e borxhit publik global rreth 37 trilionë dollarë nga 59 trilionë në total dhe në vitin 2025 pritet të lëshojë gjysmën e të gjithë borxhit të ri publik në botë. Megjithatë, mungon çdo konsensus politik për të ndërmarrë masa shtrënguese për uljen e këtij borxhi. Për këtë arsye, administrata Trump po kërkon rrugë alternative për të shmangur një krizë borxhi pa kërkuar sakrifica nga votuesit amerikanë.
    Në këtë kuadër, Trump ka përdorur tarifat doganore si një lloj takse indirekte ndaj vendeve të huaja, që realisht godet konsumatorët amerikanë si dhe ka nxitur zhvillimin e “stablecoin”-eve, monedhave digjitale të lidhura me dollarin, që kërkojnë investime në bono të thesarit amerikan. Por, këto janë masa të përkohshme, që nuk adresojnë problemin themelor SHBA-të janë gjithnjë e më shumë të varura nga financimi me borxhe afatshkurtra, një strategji që po e shtyn vendin drejt kufijve të menaxhueshmërisë fiskale.
    Sipas OECD-së, SHBA-të kanë nevojën më të madhe për rifinancim mes 38 demokracive të përparuara, dhe deficiti i saj për vitin 2024 është më i larti, pas Izraelit që ndodhet në gjendje lufte. Kjo situatë po përkeqësohet më tej me miratimin së fundmi të paketës fiskale “Big Beautiful Bill”, që parashikon një borxh të ri prej mbi 3 trilionë dollarësh në dekadën e ardhshme.
    Në këtë sfond, sulmet e Trump ndaj kreut të Fed-it, Jay Powell, kanë një qëllim të qartë: nënshtrimin e bankës qendrore. Kritikat ndaj kostos së rikonstruksionit të ndërtesës janë thjesht një pretekst për të ushtruar presion ndaj Powell, me qëllimin përfundimtar që të zëvendësohet me një figurë më të afërt me Trump, sapo mandati i tanishëm të përfundojë në maj 2026.
    Një bankë qendrore nën kontroll politik mund të ulë normat e interesit edhe në kushte të papërshtatshme, për shembull, me inflacion të lartë dhe punësim të plotë, për të ulur kostot e shërbimit të borxhit. Në planin afatshkurtër kjo mund të duket si zgjidhje, por në realitet do të shtonte më tej inflacionin dhe do të zvogëlonte vlerën reale të dollarit dhe të borxhit.
    Investitori i njohur Ray Dalio e ka përshkruar këtë strategji si një formë e fshehtë falimentimi: kreditorët do të marrin mbrapsht shumat e premtuara në dollarë, por vlera reale e këtyre dollarëve do të jetë shumë më e ulët për shkak të inflacionit.
    Çfarë do të thotë kjo për Evropën? Në mënyrë të heshtur, por të qëndrueshme, vendet e eurozonës janë kthyer në kreditorët kryesorë të qeverisë amerikane. Vetëm Belgjika dhe Luksemburgu mbajnë rreth 827 miliardë dollarë në obligacione amerikane, më shumë se Kina. Shtete si Franca, Irlanda dhe Gjermania kanë gjithashtu investime të mëdha, duke e çuar ekspozimin e përgjithshëm të zonës euro ndaj borxhit amerikan në mbi 2 trilionë dollarë.
    Por që nga janari, kur Trump mori detyrën, dollari është zhvlerësuar me rreth 13% ndaj euros, duke shkaktuar humbje të ndjeshme për investitorët evropianë. Dhe nëse pavarësia e Fed-it minohet, kjo do të nxisë një zhvlerësim edhe më të madh të dollarit me pasoja të rënda për ekonomitë evropiane.
    Në fund, kërcënimi më i madh për Evropën nuk janë tarifat apo negociatat tregtare me Trump, por pikërisht ky sulm ndaj sistemit financiar amerikan një sulm që, nëse realizohet, mund të përhapë pasiguri të thellë në tregjet globale dhe të godasë drejtpërdrejt bankat, fondet dhe kursimtarët evropianë që kanë investuar në borxhin amerikan.

  • “Europa duhet të mbledhë veten”, Trump në Skoci: Emigracioni masiv po e dëmton kontinentin

    “Europa duhet të mbledhë veten”, Trump në Skoci: Emigracioni masiv po e dëmton kontinentin

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka bërë deklarata të forta për çështjen e emigracionit, gjatë një vizite katërditore në Skoci, ku po qëndron në klubet e tij të golfit në Aberdeen dhe Ayrshire.

    Gjatë mbërritjes në aeroport të premten në mbrëmje rreth orës 20:30, Trump u prit nga Sekretari Skocez, Ian Murray, dhe më pas foli me gazetarët. I pyetur për emigracionin e paligjshëm – një çështje e ndjeshme në Britaninë e Madhe dhe në gjithë Evropën – Trump u shpreh me tone të ashpra.

    “Për emigracionin, më mirë mblidheni veten. Nëse nuk e bëni, nuk do ta keni më Evropën,” tha Trump. Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara “muajin e kaluar nuk patën askënd që hyri në vend”.

    Trump paralajmëroi se emigracioni masiv po dëmton kontinentin evropian: “Duhet ta ndaloni këtë pushtim të tmerrshëm që po ndodh në Evropë. Po e vret Evropën.”

     

     

    Komentet e tij vijnë në një moment tensioni në Mbretërinë e Bashkuar, pas protestave në Epping lidhur me strehimin e emigrantëve në dy hotele lokale. Qindra qytetarë marshuan me pankarta nga The Bell Hotel drejt këshillit vendor, ndërsa policia ndërhyri për të parandaluar përshkallëzimin e situatës. Në fund të mbledhjes, këshilli vendosi njëzëri t’i kërkojë qeverisë mbylljen e The Bell Hotel dhe The Phoenix Hotel si ambiente për strehimin e azilkërkuesve

    Trump gjithashtu përmendi disa liderë evropianë që sipas tij kanë ndaluar flukset migratore, por nuk përmendi emra konkretë. Ai vlerësoi kryeministrin britanik Sir Keir Starmer, duke e quajtur “një njeri të mirë”.

    “Më pëlqen kryeministri juaj. Është pak më liberal se unë, por është një njeri i mirë. Ka përfunduar një marrëveshje tregtare që e kishin negociuar prej 12 vitesh. E realizoi dhe është një marrëveshje e mirë për Mbretërinë e Bashkuar,” deklaroi Trump.

    Ai tha se planifikon të takohet me Starmerin “nesër në mbrëmje”, megjithëse burime pranë Downing Street konfirmuan se takimi është parashikuar të zhvillohet të hënën.

  • Shqipëria në BE, Spanja vend mbështetës për procesin

    Shqipëria në BE, Spanja vend mbështetës për procesin

    Zv/ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Megi Fino u takua me sekretarin e shtetit për Bashkimin Evropian në Spanjë, Fernando Sampedro.
    Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njoftoi sot se të dy palët patën një diskutim të frytshëm mbi forcimin e bashkëpunimit mes vendeve tona.

    Gjithashtu në takim u riafirmua mbështetja e Spanjës për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

  • Vala e të nxehtit përfshin Evropën: Shkollat ​​janë mbyllur në Francë, puna në terren kufizohet në Itali

    Vala e të nxehtit përfshin Evropën: Shkollat ​​janë mbyllur në Francë, puna në terren kufizohet në Itali

    Foto ilustruese

    EUROPË- Një valë e fortë të nxehti po përfshin Evropën, duke bërë që disa rajone italiane të ndalojnë punën në terren gjatë orëve më të nxehta të ditës, ndërsa dhjetëra shkolla në Francë janë mbyllur. Ndërkohë, Spanja konfirmoi se qershori i kaluar ishte më i nxehti i regjistruar ndonjëherë. Nxehtësia intensive ka ngritur alarme shëndetësore në shumë vende.
    Ndërkohë, autoritetet në Spanjë po hetojnë nëse vdekja e një punëtori pastrimi në Barcelonë gjatë fundjavës kishte lidhje me të nxehtin, sindikatat po fajësojnë shtetin për vdekjen e një punëtori 47-vjeçar në një kantier ndërtimi pranë Bolonjës të hënën. Sipas Shërbimit të Ndryshimeve Klimatike Koperniku të BE-së, Evropa po ngrohet më shpejt se pjesa tjetër e botës, dyfishi i mesatares globale. Valët ekstreme të nxehtësisë tani po ndodhin më herët gjatë vitit dhe zgjasin deri në fund të vjeshtës.
    “Ajo që është e jashtëzakonshme – dhe e theksoj, e jashtëzakonshme, por jo e paprecedentë – është koha. Jemi në fillim të korrikut dhe po shohim ngjarje ekstreme të nxehtësisë që normalisht do të ndodhnin më vonë gjatë verës,”-tha zëdhënësja e Organizatës Botërore Meteorologjike, Claire Nalis. 
    Ajo shtoi se temperaturat e larta në Mesdhe priren të amplifikojnë temperaturat ekstreme. Sipas agjencisë meteorologjike spanjolle AEMET, temperatura në Mesdhe këtë vit arriti deri në 6 gradë Celsius mbi mesataren për sezonin, duke arritur një rekord deri në 30 gradë Celsius në Detin Balearik për shkak të të ashtuquajturës “kupolë e nxehtësisë” që bllokon ajrin e ngrohtë mbi Evropën.
    Përveç kësaj, temperaturat në Francë pritet të arrijnë kulmin të martën, duke arritur në 40-41 gradë Celsius në disa zona dhe 36-39 gradë në shumë të tjera. Numri i shkollave që janë mbyllur plotësisht ose pjesërisht është rritur në 1,350, nga rreth 200 që ishin mbyllur të hënën, ndërkohë, kati i sipërm i Kullës Eiffel do të mbetet i mbyllur të martën dhe të mërkurën, me vizitorët që u kërkohet të pinë shumë ujë.
    Në Itali, autoritetet kanë lëshuar një alarm të kuq për valë të nxehti për 17 qytete, përfshirë Milanon dhe Romën. Në Siçili, një grua 53-vjeçare me probleme me zemrën vdiq ndërsa ecte në qytetin e Bagherias, ndoshta nga goditja e të nxehtit./ZËRI

  • I nxehti ‘pushton’ Evropën/ Temperatura mbi 40 gradë C, disa shtete në alarm të kuq

    I nxehti ‘pushton’ Evropën/ Temperatura mbi 40 gradë C, disa shtete në alarm të kuq

    Valët e të nxehtit që përshkojnë Evropën kanë rritur temperaturat mbi 40 gradë Celsius në disa vende.

    Autoritetet po bëjnë thirrje për kujdes pasi kushtet e thata, erërat e forta dhe valët e të nxehtit kërcënojnë shfaqjen e zjarreve.
    Disa rajone italiane po shqyrtojnë ndalimin e disa aktiviteteve të punës gjatë orëve më të nxehta të ditës, ndërsa një valë e fortë e të nxehtit përshkon vendin, duke shkaktuar alarme të kuqe në 17 qytete, shkruan Euronews.
    Lazio, Toskana, Kalabria, Puglia dhe Umbria janë ndër rajonet që planifikojnë të prezantojnë masën në përgjigje të temperaturave të larta.
    Ministria italiane e Shëndetësisë vendosi 17 nga 27 qytete të monitoruara nën alarmin më të lartë për nxehtësi, duke përfshirë Romën, Milanon dhe Napolin.
    Nga ana tjetër agjencia kombëtare meteorologjike e Spanjës AEMET paralajmëroi se qershori është në rrugën e duhur për t’u bërë më i nxehti i regjistruar ndonjëherë, me temperatura në Sevilje dhe qytete të tjera jugore që do të ngjiten në 42 gradë Celsius.
    Autoritetet shëndetësore këshilluan publikun të shmangë aktivitetet e lodhshme gjatë kulmit të nxehtësisë dhe të qëndrojë i hidratuar, veçanërisht grupet e cenueshme si të moshuarit dhe fëmijët e vegjël.
    Ekspertët ia atribuojnë frekuencën dhe intensitetin në rritje të valëve të nxehtësisë në Evropën Jugore ndryshimeve klimatike.
    Temperatura të larta u raportuan gjithashtu në Greqi dhe Portugali, me vendasit dhe turistët që kërkonin lehtësim nga moti ekstrem.

    Top Channel

  • “Fitorja e Trump e tronditi Europën nga përgjumja”, Rama për The Guardian: Putin bëri që Brukseli të ndryshojë qasje për anëtarësimet e reja

    “Fitorja e Trump e tronditi Europën nga përgjumja”, Rama për The Guardian: Putin bëri që Brukseli të ndryshojë qasje për anëtarësimet e reja

    Rama, i cili mbush 60 vjeç në korrik, e bazoi fushatën e tij zgjedhore mbi premtimin se do të shtynte përpara procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

    Ai tani beson se negociatat do të përmbyllen deri në vitin 2027 dhe se “brenda vitit 2030 do të jemi anëtarë të BE-së”. Shqipëria, e cila iu bashkua NATO-s në vitin 2009, është kandidate për anëtarësim prej më shumë se një dekade.
    “E gjithë qasja ndaj procesit ka ndryshuar në mënyrë dramatike,” tha ai.
    “Tani ata [BE-ja] janë shumë të etur për të ecur përpara … Me agresionin rus gjithçka ndryshoi, kështu që, në njëfarë mënyre, edhe Vladimir Putin e bëri këtë – e bëri Evropën shumë më të interesuar për t’u bashkuar.”
    Ai sheh një efekt të ngjashëm mbi BE-në edhe nga banori i ri i Shtëpisë së Bardhë dhe është “100% i bindur që fitorja e Donald Trump është një gjë e mirë për Evropën.” Rama tha se fitorja e Trump e tronditi Evropën nga përgjumja e saj dhe solli “një shpirt shqetësues” që botës i duhej.
    “Mendoj se kur Trump thotë se Zoti e shpëtoi sepse kishte një plan për Amerikën, ai thotë vetëm gjysmën e së vërtetës. Zoti e shpëtoi sepse kishte një plan edhe për Evropën – për ta zgjuar atë,” u shpreh Rama.
    Më vonë këtë vit, kryeministri shqiptar – dikur piktor – do të nisë një tur falënderimi nëpër komunitetet e diasporës që, për herë të parë, patën mundësinë të votonin në zgjedhjet e muajit të kaluar, duke ndihmuar në sigurimin e një fitoreje të thellë. Më shumë se 500 mijë shqiptarë etnikë besohet se jetojnë vetëm në Greqi.
    Shpresa e Ramës është që t’i tërheqë ata të kthehen në vendlindje:
    “Sepse tani pagat tona janë shumë afër me ato në Greqi – dhe këtu është shtëpia.”
    Por kreu i Partisë Socialiste, i gjatë 2.01 metra dhe ish-basketbollist në rini, ka edhe kritikët e tij.
    Akuza për korrupsion në shoqërinë shqiptare janë të përhapura. Po ashtu edhe akuzat për autoritarizëm në rritje – Rama do të jetë udhëheqësi më jetëgjatë në Shqipëri që nga diktatori brutal Enver Hoxha – ndonëse admiruesit dhe zyrtarë të BE-së në Bruksel i quajnë këto akuza të pakuptimta.
    Një ish-ministër i BE-së u shpreh: “Edi është më i madh se vetë jeta. Problemi i tij është se ai është shumë i madh për vendin e tij – dhe nuk po i referohem vetëm shtatlartësisë.”
    Nëse Shqipëria ia del të anëtarësohet në BE, Rama tha se do të ishte “momenti i duhur dhe më i mrekullueshëm për të dorëzuar stafetën.”
    Do të ishte një arritje personale, por gjithashtu do të “ndihmonte Evropën të bëhej më pak e mërzitshme dhe më e ndritshme.”

    Top Channel

  • Rama për “The Guardian”: Nga plani i Starmer për emigrantët, te anëtarësimi në BE

    Rama për “The Guardian”: Nga plani i Starmer për emigrantët, te anëtarësimi në BE

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka dhënë një intervistë për median ndërkombëtare “The Guardian“.
    Rama u shpreh se plani i Mbretërisë së Bashkuar për të dërguar azilkërkuesit e refuzuar në “qendrat e kthimit” në vendet e treta, tregon se Britania pas Brexit-it, është “në një vend shumë të errët”.
    Për kreun e qeverisë, ideja që Britania e Madhe të donte të “kërkonte vende për të larguar emigrantët”, ka qenë e pakonceptueshme një dekadë më parë.
    Rama, i cili është i njohur për pikëpamjet e tij të hapura dhe kontradiktore, shprehu zhgënjim për nivelin e diskursit publik në Mbretërinë e Bashkuar. “Si një anglofol i përkushtuar, tha ai, ishte e vështirë ta pranonte këtë”, shkruan The Guardian.
    “80%e gjërave që thuhen, shkruhen ose pranohen si pjesë normale e diskursit në Britaninë e sotme janë gjëra që para Brexit do të kishin qenë krejtësisht të papranueshme, krejtësisht qesharake, krejtësisht të turpshme”, tha ai.
    Vizita e Starmer në Shqipëri në maj, e para ndonjëherë nga një kryeministër britanik, kishte si qëllim vendosjen e marrëdhënieve dypalëshe në një nivel më të lartë. Teksa ndodhej në Tiranë, udhëheqësi i Partisë Laburiste tha se bisedimet ishin duke u zhvilluar “me një numër vendesh” për të ngritur qendrat. Por, në një veprim të parë si një qortim i butë ndaj mysafirit të tij, Rama tha në një konferencë të përbashkët për shtyp se Shqipëria nuk do të merrte pjesë në skemë, shkruan The Guardian.
    Për të shpjeguar refuzimin e bërë ndaj Starmer, Rama u shpreh në intervistë se kryeministri britanik është një “person shumë i mirë dhe i këndshëm”, e se nuk ishte udhëheqësi i parë anglez që ka hapur këtë temë.
    “Kam qenë i qartë për këtë që kur Boris Johnson ma kërkoi dhe Rishi ma kërkoi… Gjithmonë kam thënë jo”, tha Rama.
    Por përse një marrëveshje e tillë për emigrantët u bë me Italinë dhe jo me Britaninë e Madhe?
    “Praktikisht ne jemi një vend i përbërë nga dy vende të pavarura… Italia ka qenë aty për ne në çdo moment të errët dhe situatë të vështirë që nga dita që dolëm nga ferri i të qenit Koreja e Veriut e Evropës. Ne kemi një pikë të dobët për Italinë, kështu që kur Italia na kërkon diçka, ne themi po, pikë.”, tha Rama, duke nxjerrë në pah raportin e ngushtë politik dhe shoqëror që vendi ynë ka me Italinë.
    Kuriozitet nga media e huaj pati dhe për hapat e mëdhenj e të shpejtë që Shqipëria po bën për anëtarësimin në unionin evropian, teksa theksojmë se Partia Socialiste aspiron mbylljen e negociatave deri në 2027 dhe futjen në BE, deri në vitin 2030.
    “E gjithë qasja ndaj procesit ka ndryshuar në mënyrë dramatike. Tani ata (BE-ja), janë shumë të etur të ecin përpara… Me agresionin rus gjithçka ndryshoi, kështu që në një farë mënyre edhe Vladimir Putin e bëri këtë, ai e bëri Evropën shumë më të interesuar për bashkimin”, u shpreh Rama.
    Qëndrim pozitiv të Ramës pati dhe ndaj presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump. Sipas kryeministrit shqiptar, Trump e nxori Evropën nga plogështia e saj dhe i solli “një frymë shqetësuese” që i nevojitej botës, raporton The Guardian.
    “Mendoj se kur Trump thotë se Zoti e shpëtoi sepse kishte një plan për Amerikën, mendoj se ai thotë vetëm gjysmën e së vërtetës. Zoti e shpëtoi sepse kishte një plan edhe për Evropën, për ta zgjuar Evropën”, shtoi ai.
    Politikat e Ramës brenda Shqipërisë
    Teksa për herë të parë në Shqipëri, emigrantët arritën të votojnë nga jashtë, synimi i Ramës është rikthimi i pjesës më të madhe të tyre në atdhe, e këtë gjë e shprehu dhe për The Guardian.
    Më shumë se 500,000 shqiptarë jetojnë në Greqi, e për ata, Rama u shpreh se mund t’i rikthejë në Shqipëri pasi “tashmë pagat tona janë shumë të ngjashme me ato në Greqi dhe se kjo është shtëpia jonë”.
    Duke iu rikthyer e një herë aspiratës së bashkimit të Shqipërisë me unionin evropian, Rama u shpreh se “nëse Shqipëria do të arrinte sukses në përpjekjen e saj për anëtarësim, do të ishte momenti i duhur dhe më i mrekullueshëm për të kaluar pishtarin. Do të ishte një arritje personale, por gjithashtu do ta ndihmonte Evropën të ishte më pak e mërzitshme dhe më me diell”./tvklan.al