Teatri i Operas dhe Baletit do të ngjisë në skenë sot në mbrëmje koncertin vokalo-instrumental “Winterreise” të kompozitorit austriak Franz Schubert. Ky koncert i veçantë do të vijë në formën e një muzike dhome, duke sjellë një cikël të fuqishëm prej 24 këngësh, të interpretuara nga baritoni Artur Vera dhe pianistja Etrita Ibrahimi.
Në tingujt e thellë të “Winterreise”, zemra rrëfen për dashurinë e humbur, ëndrrat e thyera dhe vetminë që e shoqëron njeriun në udhëtimin e tij të jetës. Muzika është ajo që do të ngrejë peshë zemrat e publikut, nën notat e pianos dhe zërit potent të Artur Verës, përmes kësaj historie të fortë dashurie.
Pjesë e mbrëmjes do të jetë edhe vepra për piano, “Barokjare” e kompozitorit Aleksandër Peçi.
/vizionplus.tv