Tag: erson

  • “Babai” i Viktor Zhustit/ Premiera me regji të Erson Zymberit do jetë në fillim të muajit tetor

    “Babai” i Viktor Zhustit/ Premiera me regji të Erson Zymberit do jetë në fillim të muajit tetor

    “Teatri është pasion dhe dashuri. Nëse të mungojnë këto gjëra ke marrë fund”, thotë Viktor Zhusti.

    Skena është dashuria më e madhe e aktori Viktor Zhusti, aty ku e gjen duke u përgatitur me përkushtim për shfaqjen e radhës.
    Ky fund shtatori e gjen aktorin në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, me rolin e Babait, dramën e Florian Zeller. Si një udhëtim i thellë në botën e një burri të moshuar që po humb kujtesën, vepra përcjell mesazhe të forta sociale.
    “Është një rol që ka thyerje të mëdha psikologjike. Kjo është edhe vështirësia, duhet t’i afrohesh sa më shumë memories së tyre, të jesh edhe i vërtetë, edhe i besueshëm. Por njëkohësisht, të sjellësh edhe një mesazh se çfarë do të ndodhë në jetën e këtyre njerëzve dhe familjeve të tyre”, shprehet më tej Zhusti.
    Drama tregohet përmes vajzës së protagonistit, që interpretohet nga Egla Ceno. Aktorja rrëfen përjetimin kur pa se teksti i rolit që mori në dorë, është në fakt roli i jetës së saj…
    “Çdo familje e njeh shumë mirë këtë përjetim, aq më tepër unë, që pata në familjen time një situatë të njëjtë me mamin. Ajo pësoi një ishemi, unë nuk mund ta lija dot vetëm dhe mami. Ajo pësoi një ishemi, është e paralizuar në shtëpi. Ajo më tha një bekim në heshtje, duke më thënë pranoje shfaqjen Egla… unë jam këtu, pranoj të rri me një kujdestare. Dhe ndërkohë, unë lashë mamin për të kapur babin (në skenë). Ndonjëherë më kap ngashërimi, sepse duket sikur gjërat që ndodhën me mamin janë të njëjtat me personazhin”, shprehet Egla Ceno, aktore.
    Me regji të artistit nga Gjilani, Erson Zymberi, “Babai” që do të shfaqet premierë në Teatrin Eksperimental në fillim të tetorit.
    “Kam bërë ‘Djalin’, po bëj ‘Babain’ dhe do të bëj ‘Nënën’ deri në fund të këtij viti, për të përmbyllur realizimin e ciklit të këtyre dramave, që në thelb të përmbajtjes së tyre kanë njeriun. Është një shfaqje që i flet kohës në të cilën jetojmë dhe natyrisht shoqërisë, njerëzve për të cilët bëhet teatri”, shprehet Erson Zymberi, regjisor.
    Teksa artistët kërkojnë një kalendar të përbashkët kulturor me kolegët nga Kosova, drejtori i Teatrit fton regjisorët e rinj të propozojnë projektet e tyre këtë sezon.
    Sinkron Gjergj Prevazi, drejtor i Teatrit Eksperimental – Ersoni është regjisori i dytë që vjen nga Kosova. Janë regjisorë të një brezi të ri, ashtu sikurse edhe vetë Teatri Eksperimental ka në strategjinë e tij për të ofruar regjisorë të një formati ndryshe.
     

    Top Channel

  • Drama “Babai” me në rol dhe aktorin Viktor Zhusti premierë këtë sezon artistik në skenën teatrore

    Drama “Babai” me në rol dhe aktorin Viktor Zhusti premierë këtë sezon artistik në skenën teatrore

     Nga Julia Vrapi
    Shfaqja “Babai” e autorit të njohur Florian Zeller do të jetë premierë këtë sezon artistik në teatër. Provat e para për shfaqjen “Babai” me regji nga Erson Zymberi që rikthen në teatër dhe aktorin e njohur Viktor Zhusti kanë filluar në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivgoli” në Tiranë. Regjisori Erson Zybmeri e sjell këtë vepër në skenën teatrore me një kast aktorësh të njohur. Premiera e kësaj shfaqja teatrore me regji nga  Zymberi sipas teatrit pritet të jetë në datat 8 dhe 9 tetor, ndërkohë që dhe vetë regjisori është shprehur në rrjete sociale për punën që ka nisur. Regjisori Zymberi i njohur për aktivitetin e tij me teatrin thotë se është vepra “Nëna”, që e mbyll ciklin e triologjisë së dramave familjare të autorit Florian Zeller.
    “Pas “Djalit”, së fundmi në Tiranë kemi nisur punën me “Babain”, ndërsa në dhjetor më pret “Nëna”, duke mbyllur kështu ciklin e trilogjisë së dramave familjare të Zellerit. “Babai” është një udhëtim i thellë në botën e një burri të moshuar që po humb kujtesën dhe lidhjet me realitetin. Përmes syve të tij dhe marrëdhënies me vajzën, shfaqja sjell një histori intime për fragjilitetin e kujtesës, dashurinë familjare dhe betejën e njeriut me kohën që i ikën”, shprehet regjisori Erson Zymberi. Drama “Babai” do të vijë në skenë me aktorët Viktor Zhusti, Egla Ceno, Linda Jarani, Pjerin Vlashi dhe Adriana Tolka. Muzika nga kompozitori Endri Sina, kostumet nga Sofi Kara, skenografia Bekim Korça dhe koreografia është nga Mariel Brahimllari.
    Regjisori Erson Zymberi ka nisur provat e para për veprën “Babai” në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, që pritet të jetë në skenë në muajin tetor, por në aktivitetin e tij është prezantuar në shumë festivale dhe teatro vendore si dhe evropiane, duke u shpërblyer edhe me çmime për regjisurën e shfaqjeve të tij dhe jo vetëm. Në vijim të aktivitetit të tij më parë një tjetër shfaqje u vlerësua në Festivalin e Teatrove në Ferizaj. “Djali” me tekst të Florian Zeller dhe regji të Erson Zymberit u shpall shfaqja më e mirë e edicionit të 55-të. “Djali” që shënoi premierën në nëntor të vitit 2024  në Teatrin e Qytetit të Gjilanit në Kosovë është historia e një familjeje në krizë. Është një thirrje që shkon përtej zërit të zakonshëm të skenës, e cila kërkon të zbulojë ato dhimbje të thella që fshihen pas formave apo fasadave të heshtura të familjeve moderne.
    Shfaqja në sezonin e ri artistik
    Shfaqja teatrore “Babai”, që do të vijë në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” është në vijim dhe të tjerave që janë pjesë e sezonit të ri artistik që nisi këtë muaj. Përgjatë gjatorit në skenën e këtij teatri kalendari artistik përmban shfaqje të ndryshme, vepra shqiptare dhe të huaja, ndërsa në tetor në teatër vjen dhe drama “Babai” nga Florian Zeller, që është një romancier, dramaturg, regjisor teatri, skenarist dhe regjisor francez. Ai ka shkruar drama që janë vënë në skenë në mbarë botën, duke e bërë atë një nga dramaturgët më të njohur bashkëkohorë. Edhe më parë vepra të tij kanë qenë në skenën e teatrit tonë dhe këtë sezon vjen drama “Babai” nga regjisori Erson Zymberi.