5 Tetor 2025
19:13
Telesport
Qyteti i Ersekës mund të nisë të ëndërrojë? Ndoshta po, edhe pse jemi ende në hapat e parë por duket sikur më në fund futbolli do të rinisë të luhet sërish duke qenë se KF Gramozi është shkrirë si skuadër pas një sërë peripecish dhe rënien në Kategori të Dytë e kështu problemet financiare. Koha e Artë e shkurtër e Rezart Taçit është një kujtim, por së fundmi një lajm duket se jep shpresë rilindje dhe rikthimi për klubin kolonjar.
Ja si shkruan faqja e Superligës Shqiptare Fan Club në Facebook: “Burime të Superliga Shqiptare Fan Club pranë FSHF bëjnë me dije se klubi është blerë nga biznesmeni italiani Gerardo Masucci. Ky i fundit pas një bisedë të gjatë me Bashkinë e Ersekës dhe Federatën Shqiptare të Futbollit është dakordësuar për të paguar 100 mln lekë për klubin.
Stadiumi i mbetet Bashkisë së Ersekës. Presidenti Duka ka kontribuar direkt për arritjen e marrëveshjes së bashku në kryebashkiakun, Erion Isai. Ditën e nesërme pritet që një lëvizje e tillë të miratohet me votë pozitive dhe nga Këshilli Bashkiak i Ersekës.
Gramozi ka qenë një ndër ekipet që ka lënë gjurmë në futbollin shqiptar. E paharrueshme ndeshja miqësore me Realin e Madridit në “Qemal Stafa”. Në 2012 ishin për herë të fundit në Kategori 1. Pastaj shume vite në Kategori 2. Tani, ekipi është i shkrirë.
Por gjithçka duket se do të rinisë me ardhjen e biznesmenit italian dhe mbështetjen e bashkisë.”




