Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar vendimin e qeverisë për shkarkimin e Erion Veliajt nga posti i kryetarit të Bashkisë së Tiranës.
Vendimmarrja në trupën e gjyqtarëve, raporton gazetarja e Vizion Plus Olta Blaceri, ka qenë 5-3 në favor të rrëzimit të vendimit të Qeverisë që shkarkonte kryebashkiakun e Tiranës, pas propozimit që i kishte bërë Këshilli Bashkiak i Tiranës.
Me këtë vendim, anulohet gjithashtu edhe dekreti i Presidentit Bajram Begaj për caktimin e datës së zgjedhjeve në Tiranë.
Që prej arrestimit më 10 shkurt, seanca e 31 tetorit ishte shfaqja parë publike e Veliajt, i cili gjatë fjalës së tij theksoi se mandati i tij kushtetues nuk mund të ndërpritet nga askush para përfundimit të afatit, përveç rasteve kur ka shkelje të rënda të Kushtetutës.
Veliaj u shkarkua nga posti i kryetarit tw Bashkisw në Asamblenë Socialiste të 11 shtatorit, nga kryesocialisti Edi Rama i cili lajmëroi nevojën për zgjedhje të parakohshme në Tiranë.
Pas kësaj kërkese të kreut të qeverisë, anëtarësia socialiste në Këshillin Bashkiak kërkoi shkarkimin e Veliajt, e cila mori dhe mbështetjen e opozitës.
Më 25 shtator Këshilli i Ministrave finalizoi shkarkimin e Erion Veliajt. Gjatë mbledhjes së drejtuar nga kryeministri Edi Rama, Veliaj u shkarkua nga detyra e kryetarit të Bashkisë së Tiranës.
Në vijim të procedurave presidenti Begaj nxori dekretin për zgjedhjet më 9 nëntor, ku pjesë e këtij dekreti ishte edhe Bashkia e Tiranës.
Por, më 9 tetor Kushtetuesja e cila u vu në lëvizje me kërkesë të Veliajt, vendosi që të pezullonte dekretin e Begajt lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve në Tiranë.
Ky proces pezulloi përkohësisht zgjedhjet e parakohshme për Bashkinë e Tiranës, të planifikuara për 9 nëntor. Ndërsa tashmë me vendimin e Kushtetueses për ta lënë Veliaj në postin e kryebashkiakut, Tirana nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme, por pas 2 vitesh, atëhere kur edhe ligjërisht do të zhvillohen zgjedhjet vendore./vizionplus.tv









