Rikthehet energjia elektrike në Spanjë dhe Portugali, pas blackout-it që përfshiu gadishullin Iberik për 12 orë me radhë. Dritat u ndezën sërish në Madrid dhe në Lisbonë.
Metrotë janë në funksion, edhe pse me vonesë. Shkollat janë rihapur dhe spitalet kanë rinisur operacionet e planifikuara, duke u përpjekur t’u përgjigjen në vijim të gjitha takimeve dhe operacioneve të vonuara për shkak të ndërprerjes së rrymës.
Por ndërkohë, shkaku i rënies së sistemit energjetik mbetet ende i paqartë. Hipotezat janë të ndryshme, duke përfshirë një sulm kibernetik apo dhe ndonjë fenomen të pazakontë meteorologjik ose atmosferik. Por këto pista janë përjashtuar nga operatori i energjisë së Spanjës.
Për situatën reagoi edhe kryeministri spanjoll Pedro Sánchez:
“Nëse do të kishim pasur një varësi më të madhe nga energjia bërthamore, rimëkëmbja nuk do të kishte qenë aq e shpejtë sa kjo që po përjetojmë.”
Sánchez paralajmëroi publikun që “të mos spekulojë”, për shkak të rrezikut të dezinformimit, ndërsa paralajmëroi zbatimin e reformave që një situatë e tillë të mos përsëritet në të ardhmen. Nga ana tjetër, kryeministri portugez, Luis Montenegro, tha se burimi i ndërprerjes ka gjasa të jetë në Spanjë.
Komisioni Evropian bëri të ditur se ishte në kontakt me Spanjën dhe Portugalinë për situatën e krijuar. Ndërsa presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, shkroi në X se “nuk ka tregues për ndonjë sulm kibernetik.”
Ndërprerja e rrymës ndikoi për pak kohë edhe në jugperëndim të Francës, ndërsa në Marok pati ndërprerje të shërbimeve të disa operatorëve të internetit dhe sistemeve të regjistrimit në aeroporte.
/vizionplus.tv


