Tag: emigrantë

  • Tragjedi në ishullin grek: Katër emigrantë humbin jetën, 23 të shpëtuar

    Tragjedi në ishullin grek: Katër emigrantë humbin jetën, 23 të shpëtuar

    Trupat e katër emigrantëve – një djali, një vajze dhe dy grash – janë nxjerrë nga një varkë që po fundosej pranë ishullit grek të Lesbos, ndërsa 23 persona të tjerë janë shpëtuar, njoftoi roja bregdetare e Greqisë të enjten.

    Varka u zbulua nga një anije patrulluese rreth orës 2 të mëngjesit, duke shkaktuar një operacion të menjëhershëm kërkimi dhe shpëtimi. Autoritetet ende nuk kanë konfirmuar numrin e saktë të njerëzve që ndodheshin në bord.

    Greqia mbetet një nga rrugët kryesore të emigracionit drejt Bashkimit Evropian, me mijëra refugjatë që vijnë nga Lindja e Mesme, Afrika dhe Azia. Në vitin 2015, rreth 1 milion emigrantë zbarkuan në ishujt grekë, ndërsa vitin e kaluar ky numër arriti në 54,000, duke e bërë Greqinë destinacionin e dytë më të madh në Evropën Jugore pas Italisë.

    Operacionet e kërkimit dhe shpëtimit po vijojnë, ndërsa autoritetet paralajmërojnë për rrezikun e lartë të udhëtimeve të paligjshme detare.

  • Ikja masive, vetëm në 2022-2023, gati 100 mijë shqiptarë emigruan në BE

    Ikja masive, vetëm në 2022-2023, gati 100 mijë shqiptarë emigruan në BE

    Ritmet e emigracionit janë përshpejtuar ndjeshëm vitet e fundit, duke tejkaluar dhe nivelin e vitit 2015, kur u konstatua një ikje masive.

    Teksa në 2015-n e dhëna u reflektua direkt në kërkesat për azil në Bashkimin Europian, treguesi real tashmë jepet nga e dhëna tjetër për emigrantët që kanë hyrë në vendet e BE-së, e publikuar nga Eurostat.

    Instituti Europian i Statistikave referoi në publikimin e fundit për emigracionin në BE, se në vitin 2023 janë regjistruar rreth 49 mijë emigrantë të hyrë nga Shqipëria. Edhe në 2022-n emigrimi nga vendi ynë kishte qenë në nivele të ngjashme, duke bërë që vetëm në dy vjet, 2022-2023 të emigrojnë gati 100 mijë persona nga vendi. (Të dhënat nuk përfshijnë Greqinë, që është një destinacion kryesor i shqiptarëve).

    Kjo shifër është dhe më e lartë se në vitin 2015, kur emigrantët nga Shqipëria në BE arritën në 44 mijë, sipas të dhënave të përpunuara nga Monitor (shiko grafikun). Më pas tendenca ishte në rënie, por një valë e re emigracioni nisi pas pandemisë.

    Këtë herë ikjet nuk po reflektohen më përmes kërkesave për azil. Po sipas Eurostat në 2022-n kishte vetëm 13 mijë kërkesa për azil dhe në 2023-n numri i tyre zbriti në 9,145, ndryshe nga 2015-a, kur aplikimet për azil arritën rekordin në 68 mijë.

    Ndërsa aplikimet për azil të krijojnë idenë që tendenca e emigracionit është në tkurrje, duket se shqiptarët tashmë nuk ikin më përmes kësaj forme, por me bashkimet familjare (kryesisht Itali), apo për punë (Gjermani).

    Në vitin 2023, rreth 30 mijë emigrantë u regjistruan në Itali, ose 62% e totalit. Edhe në 2022-n, ku shtet regjistroi rreth 29 mijë emigrantë. Italia ka një numër të lartë të bashkimeve familjare, si një nga destinacionet kryesore historike të shqiptarëve që ikin jashtë, por nuk mungojnë as të rinjtë. Në 2023-n, 59% e emigrantëve ishin të grupmoshës deri në 34 vjeç, ndërsa 21% të grupmoshës mbi 50 vjeç.

    Gjermania është destinacioni i dytë, me rreth 15 mijë emigrantë në 2022 dhe 14 mijë në 2023.  Vitet e fundit Gjermania ka qenë e preferuar nga të rinjtë që ikin në kërkim të një pune. Më shumë se gjysma e atyre që emigruan në Gjermani në 2023-n, (55%), sipas të dhënave ishin të grupmoshës 20-34 vjeç, me dominim të 25-30 vjeç.

    E treta është Kroacia, që ka parë vitet e fundit emigrimin e mbi 1 mijë personave nga Shqipëria, teksa ky shtet po tërheq punonjës në ndërtim dhe në turizëm.

    Siç u theksua, Greqia nuk i raporton të dhënat, çka nënkupton se numri i të emigruarve në vendet e Bashkimit Europian është edhe më i lartë sesa raportohet.

    Europa

    Sipas Eurostat. në vitin 2023, 4.3 milionë persona imigruan në BE nga vendet që nuk janë anëtarë të BE-së. Kjo shifër nuk përfshin kërkuesit për azil dhe/ose refugjatët nga Ukraina që kanë marrë mbrojtje të përkohshme në disa vende (shih shënimin metodologjik).

    Për më tepër, 1.5 milionë persona migruan midis vendeve të BE-së. Krahasuar me vitin 2022, numri i personave që imigruan në BE ka rënë me 17.9% (nga 5.3 milionë), ndërsa numri i personave që migruan midis vendeve të BE-së mbeti i qëndrueshëm në 1.5 milionë.

    Në total, në BE u vlerësua se kishte rreth 10 imigrantë nga vendet jo-anëtare për çdo 1,000 banorë në vitin 2023.

    Në raport me madhësinë e popullsisë rezidente, Malta regjistroi normën më të lartë të imigracionit nga vendet e BE-së dhe ato jo-anëtare në vitin 2023 (76 imigrantë për çdo 1,000 banorë), ndjekur nga Qipro (43) dhe Luksemburgu (40).

    Nga ana tjetër, Sllovakia regjistroi normën më të ulët të imigracionit, me 1 imigrant për çdo 1,000 banorë, ndjekur nga Franca (6) dhe Italia (7)./MONITOR

  • Samiti në Londër për emigrantët/ Qeveria e Starmer nën presion, britanikët kërkojnë marrëveshje se ajo me Shqipërinë

    Samiti në Londër për emigrantët/ Qeveria e Starmer nën presion, britanikët kërkojnë marrëveshje se ajo me Shqipërinë

    Për të kuptuar rëndësinë e këtij samiti të paprecedentë për migracionin ilegal dhe luftën kundër trafikimit të organizuar kriminal, mjafton t’i referohesh shifrave të kryeministrit Starmer, i cili sot në Londër në Samit tha se Britania ka rikthyer në vendet e tyre 24 mijë persona që nuk do duhej të jetonin në Britani që kur erdhën në pushtet para 8 muajsh.

    Ndërkohë, Starmer nuk përmendi se rreth 30 mijë emigrantë të rinj kanë mbërritur që nga qershori i kaluar në brigjet angleze me 542 gomone, ku vetëm në tre muajt e parë të këtij viti kanë mbërritur mbi 6 mijë e 500 emigrantë të tjerë.
    Këto shifra tmerrojnë britanikët e thjeshtë, që ishte një nga arsyet përse votuan largimin e konservatorëve nga pushteti dhe dhënien e një shansi laburistëve.
    Dhe sondazhet janë të vështira për t’u lexuar nga laburistët dhe britanikët; për momentin i kanë hedhur sytë nga Partia Reforma e babait të Brexit, Nigel Farage, me qëndrim mjaft të ashpër kundër emigracionit.
    Kryeministri kërkoi bashkëpunim ndërkombëtar nga çdo vend në këtë luftë vitale për sigurinë ndërkombëtare.
    Interesant ishte fakti se ai përmendi Vietnamin dhe Shqipërinë në fjalën e tij hyrëse si raste bashkëpunimi në këtë luftë, ku një pjesë shumë e madhe e të kthyerve janë nga marrëveshja me Shqipërinë e vitit 2023 mes Ramës dhe Sunak.
    Britanikët dukshëm janë gjithnjë e më vokalë në dëshirën për një variant të tyre të skemës deportuese të Ruandës, e iniciuar nga Boris Johnson, që laburistët e kanë braktisur, pasi sipas Starmer, 700 milionë stërlina u harxhuan për vetëm 4 emigrantë të rikthyer vullnetarisht.
    Mbetet enigme nëse britanikët do të duan të avancojnë me idenë e ngritjes së qendrave në vende të tjera për përpunimin e kërkesave për azil të atyre që mbërrijnë në Britani, pak a shumë si ajo mes Shqipërisë dhe Italisë, dhe nëse kjo ide do të ngrihet me përfaqësuesit zyrtarë të Shqipërisë në samitin e Londrës. Shqipëria deri më sot e ka hedhur poshtë një ide të tillë.

    Top Channel

  • Emigrantët e dëbuar në Gjadër, qeveria italiane nxjerr dekret të ri për qendrat e pritjes në Shqipëri

    Emigrantët e dëbuar në Gjadër, qeveria italiane nxjerr dekret të ri për qendrat e pritjes në Shqipëri

    Qeveria italiane ka miratuar këtë të premte një dekret të ri që lejon transferimin e emigrantëve të parregullt nga qendrat e ndalimit në Itali drejt qendrave që janë ngritur në vendin tonë.
    Në qendrat në Shqipëri do të dërgohen edhe persona të ndaluar në Itali për t’u riatdhesuar dhe jo vetëm kërkuesit e azilit nga vende të sigurta që nuk kanë prekur kurrë territorin europian.
    Këshilli i Ministrave ka identifikuar këtë zgjidhje për të përdorur strukturat që kanë mbetur ende bosh pas përpjekjeve të përsëritura të qeverisë për të zhvendosur atje emigrantët e parregullt.

    Nuk është ende e qartë nëse ky ndryshim nga ana e qeverisë italiane bie apo jo ndesh me marrëveshjen dypalëshe të firmosur me Shqipërinë, e cila parashikon që në kampet e Gjadrit dhe Shëngjinit të qëndrojnë përkohësisht vetëm emigrantë në pritje të azilit politik, dhe jo emigrantë që tashmë janë në pritje të dëbimit.
    Vendimet e gjykatës së Romës dhe shqetësimi për shkeljen e të drejtave të njeriut ishin bërë pengesë në të gjitha herët e kaluara kur autoritetet italiane sollën emigrantë në Shqipëri.
    Të gjithë ata që erdhën u kthyen sërish vetëm në pak ditë qëndrimi.
    /vizionplus.tv

  • Trafikuan mbi 650 emigrantë nga Kameruni dhe Bangladeshi, SPAK dërgon për gjykim 17 persona

    Trafikuan mbi 650 emigrantë nga Kameruni dhe Bangladeshi, SPAK dërgon për gjykim 17 persona

    FOTO ILUSTRUESE

    TIRANË-SPAK ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim 17 persona, të cilët akuzohen se kalonin emigrantë të paligjshëm drejt vendeve të BE-së. Grupi kriminal trafikonte qindra shtetas nga Azia dhe Afrika, të cilët hynë në vendin tonë me kontrata pune dhe që më pas u larguan përmes transportit tokësor.
    17 personat dyshohet se përmes agjencive në Emiratet e Bashkuara Arabe rekrutonin të rinj që kërkonin të punonin në vendin tonë, por që qëllimi i tyre ishte vendet e BE-së. Dy prokurorët e çështjes, Elida Kackini dhe Altin Dumani, thonë në fashikull se në skemën e punësimit fiktiv u përdorën agjenci punësimi me seli në Tiranë, Vlorë dhe Durrës.
    Nga viti 2023 deri në prill 2024, Shqipëria u përdor për tranzit për kalimin e paligjshëm të 650 shtetasve nga Kameruni dhe Bangladeshi, të cilët përmenden në dosje.
    Në dosjen esiguruar nga TopChannel thuhet se secili nga të akuzuarit kishte rol aktiv, që nga transporti nga aeroportet e Dubait dhe Kamerunit, pritësit në Rinas, nxjerrja e vizës, deri te punësimi fiktiv në subjekte të ndryshme. Shoqëritë e përfshira dyshohen të jenë mbi 15 të tilla, duke nisur nga një agjenci udhëtimi me seli në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe deri te subjektet në Shqipëri që operonin në fushën e konfeksioneve dhe konservimit.
    Ortakët apo administratorët e këtyre të fundit dyshohen se lëshonin dosje punësimi fiktive me qëllim pajisjen me vizë pune të të huajve. Në këtë praktikë, sipas akuzave të ngritura të SPAK, u përfshinë edhe zyrtarë të policisë kufitare dhe emigracionit.
    Për largimin e tyre u përdor rruga ballkanike: Shqipëri – Kosovë – Serbi e më tej BE.
    Për përpilimin e akuzave, ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit, kryer në bashkëpunim, falsifikim dokumentesh, dhe grup kriminal, SPAK ju referohet edhe përgjimeve dhe vëzhgimeve ambientale, ku të dyshuarit shfaqen duke pritur dhe akomoduar punëtorët fiktivë.