Florjan Lata do të jetë sot gjyqtari kryesor, ndërsa Slavia e Pragës U-19 dhe Atletik Bilbao U-19 masin forcat në “UEFA Youth League”. Erind Burgu si i parë dhe Elvis Gjoka gjyqtar i katërt, do e asistojnë gjatë ndeshjes në Pragë.
Ky takim nis në orën 13:00 dhe vendos përballë në “Sportovní areal Radotin”, dy ekipe që kanë bërë mjaft mirë. Atletik Bilbao U-19 kryeson me pikë të plota renditjen pas katër javësh.
Në anën tjetër Slavia e Pragës numëron 7 pikë. Gjyqtari i katërt dhe vëzhguesi i UEFA-s për këtë takim janë vendës, pikërisht nga Çekia. Delegat i UEFA-s është vendosur hungarezi Peter Kezdi.
Në Pragë bën ftohtë, ndërsa temperaturat kanë shkuar edhe minus gjatë këtyre ditëve duke u shoqëruar me borë. Për Florjan Latën kjo sfidë vjen pasi gjykoi ndeshjen Dinamo-Elbasani(1-1) në stadiumin “Air Albania”.
Gjyqtar kryesor: Florjan Lata
Asistent i parë: Erind Burgu
Asistent i dytë: Elvis Gjoka
Arbitër i katërt: Jakub Vulkan(Çeki)
Vëzhgues i UEFA-s: Mikal Benes(Çeki)
Delegat i UEFA-s: Peter Kezdi(Hungari)
Tag: Elbasan
-

Nga “Air Albania” në Pragë/ UEFA ia beson gjyqtarit shqiptar ndeshjen ku vëzhgohet nga vendasit
-

Elbasani, qyteti i parë që shpalli Pavarësinë 113 vjet më parë
Më 25 nëntor 1912, Elbasani u bë qyteti i parë që shpalli Pavarësinë, duke vendosur gurin e parë në themelin e shtetit të ri shqiptar.
113 vjet më parë, 35 patriotë nga Elbasani dhe trevat përreth u mblodhën për të shpallur Pavarësinë e qytetit në Shqipërinë e Mesme, duke ngritur të parët flamurin kombëtar dhe duke i paraprirë aktit historik të 28 nëntorit në Vlorë.
Aqif Pashë Elbasani, një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Ismail Qemalit, luajti rol kyç si në kryengritjen e përgjithshme antiosmane të vitit 1912, ashtu edhe në organizimin e çetës së Elbasanit. Ai, së bashku me popullin e qytetit dhe me mbështetjen e Ismail Qemalit, ngriti flamurin kombëtar më 25 nëntor 1912, duke shpallur i pari Pavarësinë dhe duke i dërguar një mesazh të qartë ushtrisë serbe që po afrohej, se ajo kishte hyrë në territore të një Shqipërie tashmë të pavarur.
Rruga drejt Pavarësisë së Shqipërisë ishte e mbushur me pengesa dhe drama historike. Kryengritjet shqiptare të viteve 1910–1911 shërbyen si hyrje e natyrshme e ngjarjes së madhe të vitit 1912, duke dëshmuar vendosmërinë e shqiptarëve për t’u shkëputur nga Perandoria Osmane. Në atë kohë, një rrezik tjetër po afrohej me shpejtësi, ushtria serbe po zbriste në trojet shqiptare dhe po i afrohej Elbasanit, duke e vënë qytetin përballë domosdoshmërisë për të vepruar shpejt.
Në këtë klimë tensioni dhe përgjegjësie historike, rrethet patriotike të Elbasanit e panë të domosdoshme shpalljen e menjëhershme të Pavarësisë, në mënyrë që autoritetet ushtarake serbe të përballeshin me faktin e kryer të ekzistencës së një Shqipërie të pavarur.
ObserverKult
Lexo edhe:
FJALË QË NDEZIN NETËT/ MBRËMJE POETIKE NË NDER TË NDRE MJEDËS NË KUKËL
-

Rozi Kostani: Komedia “Shumë pak vrasës”, sarkazma e ditëve që jetojmë
Nga Julia Vrapi
Komedia “Shumë pak vrasës” me ngjarje që vendosen në një sallon bukurie, premierë në teatrin “Skampa”. Komedia me regji të Rozi Kostanit solli në skenë situata enigmatike dhe surprizuese për publikun. Shfaqja teatrore e bazuar mbi motivet e autorit Paul Portner është dhe një ndër premierat e reja këtë sezon artistik në teatrot tonë, ku kjo komedi në skenën e Elbasanit shënoi një sukses. Ngjarjet në komedi vendosen në një sallon bukurie, ku ndodh një vrasje, ndërkohë që dëshmitarët përpiqen ta hedhin fajin tek njëri-tjetri, ndërsa një dedektiv kërkon ndihmën e publikut për të zgjidhur çështjen. Për regjisoren nga Rozi Kostani komedia me pritjen që i bëri publiku i kaloi pritshmëritë e saj. Rozi Kostani është një nga zërat e veçantë të regjisë teatrore shqiptare, e njohur për qasjen e saj të thellë, të ndjeshme dhe moderne ndaj materialit dramatik. Edhe më parë me pjesët teatrore që ka vënë në skenë ka përcjellë dhe mesazhe të publiku dhe për këtë komedi, që shënoi premierën në teatrin “Skampa” të qytetit të Elbasanit, regjisorja Kostani thotë se është sarkastike ndaj fenomeneve që ne po kalojmë.
“Premiera e komedisë “Shumë pak vrasës” në teatrin “Skampa” u prit jashtëzakonisht mirë, madje i ka kaluar pritshmëritë e mia. Ajo pse unë e kam zgjedhur këtë vepër pikërisht për kohën që ne jemi. Një titull i goditur për kohën, sepse komedia vë gishtin në plagë. Është sarkastike ndaj fenomeneve që ne po kalojmë, ndaj fenomeneve të shoqërisë që po kalon tani”, thotë regjisorja Rozi Kostani ndër të tjera për këtë shfaqje që solli në skenë këtë nëntor. Deri tani në skenën e teatrit “Skampa” janë dhënë tre shfaqje, ndërsa do të vijojë sërish për publikun dhe në datat 29 dhe 30 nëntor, si dhe 1 dhjetor.
E veçanta e veprës teatrore
Komedia “Shumë pak vrasës” vjen në skenë si produksion i teatrit “Skampa” të Elbasanit dhe është në vijim të aktivitetit artistik në këtë teatër. Komedia pasuron dhe kalendarin artistik të këtij teatri këtë sezon vjeshte. Shfaqja teatrore e bazuar mbi motivet e autorit Paul Portner është me përkthim nga Maklena Nika. Një vepër teatrore që është në një stilistikë të veçantë, ndryshe nga dramaturgjia klasike. Rozi Kostani një regjisore që i jep skenës zë, gjuhë dhe emocion tregon se është përpjekur për ta sjellë këtë vepër me problematikat që ka shoqëria jonë. “Jemi përpjekur për ta sjellë te publiku me problematikat tona. Komedia “Shumë pak vrasës”, sarkazma e ditëve që jetojmë, sepse ajo çfarë vepra ka në thelb të saj është që publiku duhet ta gjejë vrasësin dhe publiku vetë voton kush është vrasësi. Unë këtë e kam bërë që ne jemi të gjithë vrasës dhe të gjithë të vrarë. Ne vrasim me sjellje, vrasim me një fjalë, vrasim me ato shkopinjtë që i fusim tjetrit nën rrota. Vrasja merr dimension më të madh.E veçanta e veprës është që ka interaktivitet me publikun. Pra publiku voton edhe flet me spektatorin, me dedektivin për të gjetur vrasësin, pra e gjen publiku. Asnjëherë në Shqipëri nuk është vënë kështu një vepër”, thotë regjisorja Rozi Kostani. Në rolet e komedisë interpretojnë aktorët e njohur të teatrit Helidon Fino, Ola Harizaj, Marin Orhanasi, Vin Bejleri, Erli Fortuzi, Elona Mamo, Marsias Lila, Rudi Koçibelli. Nën regjinë e Rozi Kostani, aktorët sollën me mjeshtëri në skenën e “Skampas” komedinë misterioze “Shumë pak vrasës”, duke rrëmbyer duartrokitjet e publikut. Rozi Kostani ka sjellë në skenë vepra të ndryshme teatrore drama dhe komedi, por në vijim të aktivitetit të saj artistik premiera e re me regji prej saj u shfaq në teatrin “Skampa”.
Në shfaqjen teatrore
Një pianiste e moshuar, Izabela, jeton e vetmuar në katin e dytë të një ndërtese të vjetër. Ajo i ka dhënë me qera katin e parë Tonit, një burrë ambicioz që ka hapur aty një sallon bukurie ku punon me asistenten e tij, Sofi. Toni ka një synim të fshehtë: të fitojë trashëgiminë e Izabelës, të cilën e sheh si pengesë për pasurinë që ëndërron. Por gjërat ndryshojnë kur Izabela, në vend që të mbyllet në vetmi, afrohet me Sofinë. Ajo e sheh tek vajza një ndjenjë të ngrohtë dhe e zgjedh si shoqe të re, duke organizuar madje një festë me të. Kjo gjallëri e papritur, dashuria për pianon dhe dëshira për të bërë sërish një turne muzikor, e ringjallin shpirtin e Izabelës, por zgjojnë zilinë dhe nervozizmin e Tonit. Ndërkohë, Sofi njihet me një biznesmen të dyshimtë, Leon, që shet antikuare. Ai përpiqet të përfitojë përmes saj, duke e shtyrë të bindë Izabelën t’i shesë pianon dhe orenditë e vjetra të vlefshme.Të tre, Toni, Sofi dhe Leo fillojnë të mendojnë për vrasjen e Izabelës dhe hartojnë një plan. Sipas planit, Sofi duhet t’i thotë Izabelës se Leo ka qëllim ta sulmojë, që ajo të lajmërojë policinë. Kur Izabela njofton forcat e rendit, mbërrin detektivi Robert, i shoqëruar nga dy policë të maskuar si klientë të sallonit: Andrea dhe Niku. Roberti heton fshehurazi, ndërsa Andrea vjedh një paruke që më vonë detektivi e përdor si maskim. Në sallon mbërrin edhe Zonja Hubert, një kliente e pasur dhe e zhurmshme që po përgatitet të udhëtojë për në Bali. Ajo kërkon të krehë flokët, ndërsa nga kati i sipërm dëgjohet muzika e Izabelës që luan në piano. Kur Zonja Hubert pyet se kush po luan kaq bukur, Toni dhe Sofi i përgjigjen me bezdi: “Plaka e katit të dytë- Izabela”. Zonja Hubert kujton me admirim kohën kur ajo ishte pianiste e famshme, ndërsa Toni fillon të humbasë durimin dhe kontrollin.Gjatë kësaj kohe, Leo ngjitet fshehurazi lart në apartamentin e Izabelës, me pretekstin se po shkon në banjë. Ndërkohë, muzika nga sipër acaron Tonin, që godet në qafë detektivin Robert, i cili është ende nën mbulesën e klientit të thjeshtë. Gjaku dhe reagimet e tepruara të personazheve kthejnë skenën në një përzierje trilleri dhe satire. Nga tualeti dëgjohet zhurma e ujit që derdhet. Leo kthehet, Sofi trembet. Çdo veprim bëhet i dyshimtë, çdo fjalë fsheh një frikë. Në mes të tensionit, Sofi del nga salloni duke mbajtur një qese plehrash, brenda së cilës ka fshehur një palë gërshërë. Pak më vonë, ajo kthehet e tronditur dhe e mbuluar me gjak, duke ulëritur: “Ndihmë! Ka vdekur! Lart… lart! Izabela është vrarë!”.
Policia ndërhyn. Detektivi Robert zbulon identitetin e tij të vërtetë dhe fillon hetimin. Ai shpall se vrasësi është një nga personazhet në sallon, dhe se asnjëri nuk duhet të largohet. Në versionet e ndryshme të shfaqjes, publiku luan rolin e dëshmitarit: në natën e parë, fajtor del Leo, në të dytën, Sofi, në të tretën, Toni. Por në çdo rast, faji mbetet i përbashkët. Çdo personazh ka vrarë me mënyrën e vet me veprim, me qëllim, ose me heshtje. Në fund, kur të gjithë mendojnë se gjithçka ka përfunduar, Izabela del në skenë nëpërmjet një videomesazhi. Ajo i drejtohet publikut me një monolog përfundimtar me video mesazh, që shërben si pasqyrë e ndërgjegjes njerëzore, duke thënë: të gjithë jemi vrasës dhe të gjithë të vrarë… -

E martë 25 nëntor, mot me shi në të gjithë territorin
Shërbimi Meteorologjik Ushtarak njofton se sot vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme.
Moti parashikohet të jetë me vranësira mesatare e të denduar si dhe alternime kthjellimesh të herëpashershme. Prezencë e reshjeve të shiut që në orët e pata të 24-orëshit në pjesën më të madhe të vendit me intensitet të ulët.
Gjatë ditës hera-herës në zonën e veriperëndimit e jugperëndimit priten reshje shiu në formën e shtrëngatave afatshkurtra.
Në orët e mesditës dhe pasdites në jugperëndim në Vlorë, Himarë, Delvinë dhe në veriperëndim, Velipojë, Shkodër, Lezhë reshje shiu me intensitet mesatar deri të lartë, hera-herës shtrëngata të shoqëruara me shkarkesa elektrike. Në zonën e Alpeve dhe në lartësinë mbi 1500 metra reshje bore me intensitet të ulët.
Shikimi i reduktuar nga prezenca e reshjeve të shiut.
Era do të fryjë me drejtim nga juglindje-jugperëndim me shpejtësi mesatare me shpejtësi mesatare deri në 7 m/sek, e cila hera-herës përgjatë vijës bregdetare dhe zonave luginore fiton shpejtësi deri në 20 m/sek.
Valëzimi në detet Adriatik dhe Jon do të jetë i forcës 3-5 ballë.
Temperaturat parashikohen:QYTETET
Temperaturat
SiglatShkodër
7/12
Re shiKukës
7/14
Re shiLezhë
7/14
Re shiDibër
3/11
Re shiDurrës
8/18
Re shiTiranë
8/19
Re shiElbasan
7/17
Re shiBerat
7/19
Re shiVlorë
3/17
Re shiKorçë
3/11
Re shiGjirokastër
3/17
Re shiSarandë
8/18
Re shi -

Rruga Qukës–Qafë Plloçë, tregon krimin që bën politika kur dikton projekte
Nga Mero Baze
Rruga Qukës–Qafë Plloçë është vërtet një projekt ekonomik i gabuar. Nuk është fjala se është i gabuar si lidhje alternative me Korçën, por si projekt inxhinierik. Është një projekt i miratuar nën qeverisjen e Sali Berishës dhe kompanitë janë përzgjedhur nën pushtetin e tij, kryesisht nën lobimin e ish-ministrit të Financave Ritvan Bode, që u pasua me po aq zell nga socialisti i ri më i rëndësishëm i qarkut, Niko Peleshi.
Projekti inxhinierik i nxituar dhe i përciptë bëri që, ndërkohë që punimet kishin filluar, të kuptohej se lotet nuk lidheshin me njëri-tjetrin dhe duheshin fonde shtesë.
Tani, meqë Belinda Balluku është në qendër të vëmendjes për shkak të përballjes me drejtësinë, shikoj që i janë turrur të gjithë asaj dhe për këtë projekt. Në këtë projekt Balluku është vrima e fundit e kavallit. Ai ka nisur nga Sokol Olldashi, ka vazhduar me Haxhinaston, Gjiknurin dhe Balluku është ministrja e fundit që ka pasur punë me të. Madje është ministrja që i dha fund një projekti të tmerrshëm që u kthye në gëlltitës fondesh.
Është pak a shumë si projekti i rrugës Tiranë–Elbasan, që Berisha e mbaroi shpejt e shpejt, pa projekt të saktë inxhinierik, dhe pastaj u deshën 50 milionë euro të stabilizohej rrëshqitja e Krrabës që nuk të lejonte të kaloje, vetëm se rruga ishte kaluar gabimisht në krahun e rrëshqitjes dhe jo përtej lumit.
Apo si projekti i rrugës Gjirokastër–Tepelenë, që nuk kaloi nga ana e Hormovës por përballë saj, dhe tani, siç e shikoni, rreth 2 km rrugë është e pandërtuar pasi pas çdo shiu rrëzohet një faqe mali në rrugë dhe duhet të zhvendosësh dheun. Është një betejë e humbur me terrenin për shkak të vendimeve politike dhe jo inxhinierike.
Defekte të tilla janë defekte projektimi, që i kushtojnë pastaj me miliona euro ekonomisë shqiptare. Në rastin e Qukës–Qafë Plloçë kësaj i shtohet edhe kotësia e projektit, i cili mund të ishte zëvendësuar me një rrugë rurale për zonën e Mokrës me një të dhjetën e këtyre shpenzimeve.
Mbi të gjitha këto projekte nuk dështojnë nga kompanitë ndërtuese. Kompanitë kanë përpara projektin dhe zbatojnë atë. Në rastin konkret, rruga ka kaluar në vendin më të gabuar të mundshëm, në një masiv të përzier mes argjilave, qymyreve dhe shkëmbinjve të copëtuar, që me pak shi kthehen në vullkan balte.
Ajo rrugë nuk qetësohet më nëse nuk devijohet ose nëse nuk zhduket tërësisht shpati përmes një fondi që do ta bënte edhe më të madhe gropën financiare.
Po të ishte gabim zbatimi, do ishte dëmi më i lehtë, pasi e zgjidhje me kompaninë ndërtuese. Problemi është tek projektimi i rrugës dhe akoma më keq tek ideja e ndërtimit të saj. Nëse do gjykosh atë, duhet të çosh para drejtësisë dy kryeministrat, Berisha dhe Rama, dhe gjithë ministrat e infrastrukturës që nga 2012 kur ka filluar procedura. Po deshët ta bëni këtë, bëjeni, por të gjithë që flasin janë pjesë e kësaj balte dhe gurëve që na kanë zënë rrugën. Edhe pse në modë këtë javë është të shash Ballukun./ TemA -

Vllaznia humb gjyqin në FIFA, ja cili lojtar i ka kushtuar merkaton për 1 vit e gjysmë shkodranëve
Sezoni mjaft i mirë i Vllaznisë deri në këto momente, ku ndan vendin e parë me Elbasanin në Kategorinë Superiore, duket të jetë tronditur nga lajmi i kësaj të hëne.
FIFA ka publikuar vendimin për klubin shkodran, duke i shtangur këta të fundit pasi njofton humbjen e gjyqit që kanë pasur me një nga lojtarët që nuk është më në ekip.
Top Channel mëson ekskluzivisht se bëhet fjalë për futbollistin kroat Marko Juriç, i cili ka qenë lojtar i shkodranëve që nga sezoni i vitit 2022 deri në prag të fillimit të këtij viti.
Diskutimet financiare në ndarjen e palëve me sa duket kanë qenë pretendimi i lojtarit kroat, i cili e ka çuar këtë çështje deri në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve në FIFA. Me sa duket, qeveria e futbollit botëror ka vendosur t’i japë drejtë lojtarit duke penalizuar klubin shkodran.
Sipas vendimit të FIFA-s, shkodranëve u është bllokuar merkatoja për 3 sesionet e ardhshme. Ky penalizim ndalon drejtuesit e skuadrës së Vllaznisë të bëjnë lëvizje lojtarësh dhe regjistrimin e të rinjve deri në arritjen e një marrëveshjeje për shlyerjen e detyrimit ndaj lojtarit.I pyetur nga Top Channel, presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferri, siguron: “Është një gjyq që kemi humbur me lojtarin Marko Juriç dhe shumë shpejt kemi filluar të marrim masat për zgjidhjen e ngërçit, për të pasur në muajin janar merkaton e zhbllokuar për ndonjë lëvizje të mundshme,” – siguron numri 1 i shkodranëve.
Sa i përket sezonit aktual, “kuqeblutë” po bëjnë mjaft mirë. Pas 12 javëve kampionat, Vllaznia ndan vendin e parë me Elbasanin, ku të dy ekipet kanë nga 24 pikë. -

Berisha: Rama dhe Lubia kanë vjedhur 90 përqind të 67 miliardë eurove! Moti i keq ua shembi rrugët e florinjta
Berisha: Rama dhe Lubia kanë vjedhur 90 përqind të 67 miliardë eurove! Moti i keq ua shembi rrugët e florinjta
Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, Rama dhe Lubia kanë vjedhur 90 përqind të 67 miliardë eurove! Berisha tha se, moti i keq ua shembi rrugët e florinjta, kurse skarpatat e ndërtuara në kohën tonë nuk lëvizën.
“Të dashur miq, këto ditë Shqipëria është e ngërthyer e tëra në një debat për tunelin e Llogarasë, në të cilin kanë vjedhur minimumi 50 milionë euro, e vërteta është 90-97.
Por kjo shumë, çdo shqiptar duhet ta dijë se është shumë më pak se një e qindta apo një e dyqindta e atyre që kanë vjedhur këta hajdutë të pafytyrë.
Miq, jemi i vetmi vend në botë që në një hark kohor 7-vjeçar janë shpenzuar 400 milionë euro për djegësin e Tiranës, Fierit dhe Elbasanit.
Asnjë prej tyre sot nuk ekziston.
I Tiranës nuk ka një tullë sepse paratë i ka vjedhur Edi Rama me Erion Veliajn.
AKSHI është kopshti privat i Edi Ramës, në të cilin baxhanaku i tij ka fituar me dhjetëra e dhjetëra tendera.
Çfarë i ka ndodhur atij?
E kemi denoncuar me dhjetëra herë, asnjë gjë, përkundrazi vazhdon të vjedhë taksat tuaja.
Unaza e Madhe e Tiranës këto ditë mediat kanë publikuar lotin 4.
A e dini ju miq si loti 4 janë 14 lote, me të cilat Lubi Balluku me Edi Ramën e rritën kostot e ndërtimit të unazës në 450 milionë euro.
Më falni, unaza nga TEG tek Teknologjikja është ndërtuar para vitit 2013. Cila ka qenë kostoja me të gjitha ato vepra arti që ka, shkoni dhe shiheni, kostoja ka qenë 3.8 milionë euro.
Cila është kostoja e kilometrit sot? 20-22 milionë euro kilometri dhe jo vetëm loti 4, por çdo lot.
A ka njeri në botë që mund të imagjinojë se një njeri e ndan 13 kilometra rrugë në 14 lote, si e si të vjedhë më shumë.
Sigurisht këto ditë ishin mote të mëdha, të pamohueshme.
Pa pyesni pak, pse nuk lëvizën skarpatet në Gjirokastër-Tepelenë?
Në rrafshin gjeologjik, ajo është skarpata më e rrezikshme.
Këto ditë pati mote të mëdha, pse nuk lëvizi skarpata e Rrugës së Kombit? E dini vetë si janë skarpatat e tij.
Pse nuk lëvizi skarpata e rrugës Fratar-Memaliaj. Shkoni dhe e shihni si janë.
Kurse rrugët e Lubisë dhe të Ramës u shembën njëra pas tjetrës.
Po, miqtë e mi, se kur ndërtohet rruga, pjesa e madhe e investimit shkon me ngurtësimin, me mbrojtjen nga skarpata.
Skarpata është pjesë edhe më e rëndësishme se vetë rruga.
Urdhëro se çfarë ndodh tani.
Dhe ndodh pasi kanë katërfishuar çmimet.
Të vjen ndonjëherë, duket sikur një kafe 50 milionëshi i tunelit të Llogarasë.
Vetëm një gjë për secilin prej jush, por edhe për çdo shqiptar kudo që është, i rikujtoj këtu se në 12 vite, Edi Rama me Lubi Ballukun kanë administruar taksat tuaja, 67 miliardë euro.
Në 8 vite, kemi administruar 28 miliardë euro, sepse ne kishim gjysmën e taksave, besonim dhe besojmë se qeveria duhet të marrë minimumin nga qytetarët.
67 miliardë euro, krahasojini me 28 miliardë.
U dyfishuan rroga dhe pensione.
U ndërtuan rrugë të paktën 13 herë më shumë se në 12 vitet e tyre.
Merrni pak, nga Hani i Hotit në Kakavijë akset dhe çdo drejtim.
U rindërtuan 1 mijë e sa shkolla dhe kopshte. Një numër i konsiderueshëm spitalesh.
Me ato para.
Po me 67 miliardë çfarë është ndërtuar?
Me 67 miliardë, e ka thënë Banka Botërore, e ka thënë Komisioni i Lartë i Shtetit, janë vjedhur të paktën 90 përqind e tyre.
Nuk ka popull në botë më të vjedhur. Është kushtrim për çdo shqiptar”, u shpreh Berisha. -

‘Shi binte edhe në fushat e Gjakovës, por s’vura re asnjë pellg, le më përmbytje’
Nga Artan Fuga
Duke shkuar dhe ardhur nga Gjakova pardje dhe dje, rrugës vura re:- Makina të rënda bujqësore anash rrugës ose për shitje a riparime. Ata punojnë me makineri, kuptimin pastaj e dini vetë.- Shi binte edhe në fushat e Gjakovës, por s’vura re asnjë pellg, le më përmbytje, dalje lumenjsh, diga që rrezikonin të çaheshin.
– Në restorant dhe kafe dëgjoheshin këngë të bukura elbasanllie, korçare, etj., sikur të ishe në qytetet përkatëse. A këndohen live në party në Korçe dy orë këngë gjakovare?- Nëpër qytete nuk pashë asnjë polic, dhe në qytete vende për parking, nuk pashë polici bashkiake të etur për gjoba.- Shumë logo sipërmarrjesh furnizimi me karburant dhe jo vetëm një të vetme dhe ca rroç e poça përreth. Për të mos folur për çmimin e karburantit dhe cilësinë e tij. Dukej sikur kisha bërë riparim motorri.- Ripashë vendbanime rurale ku shtëpitë ishin të mbledhura dhe toka bujqësore ishte e lirë nga muret, themelet, betoni, si diku ka ndërtohet edhe në tokë bujqësore !- Shtëpi dykatëshe në zonat rurale, me estikë, me kopshte të lulëzuara, të rregulluara, jo ndërtesa kaba, pa suvatime, gjysmë të mbaruara.
– Në qytet konstatova se kishte ngrohje qendrore dhe nuk pashë kondicionerë në çdo dritare.- Tokat e punuara cep më cep, aq sa shiheshin sigurisht.
– Nuk pashë rrugës banesa me suva të rëna, gardhe të rrënuara, mure të prishur.- Qarkullimi fluid.
Këto më kujtohen tani se nuk mbajta shënime! Në furrën e bukës kishte një poçe qelqi me etiketën : SADAKAJA, po të doje hidhje ndonjë monedhë kusuri për institucionin fetar.Kafja një euro te zona turistike ishte me një shije të mrekullueshme, pak njerëz nëpër kafene, si duket nuk i ha shtëpia si gjetiu. -

Banorët të alarmuar/ Ura Antike e Kamarës rrezikon shembjen
Rrjedha e vrullshme e lumit Shkumbin e cila vijon prej një jave me intensitet të lartë, ka vënë në rrezik serioz shembjen e Urës Antike të Kamares mbi lumë e cila është një ndër monumentet më të çmuara të trashëgimisë kulturore në qarkun e Elbasanit.
Banorët e lagjes Mirakë pranë së cilës ndodhet Ura Antike kanë dhënë alarmin për rrezikun e shkatërrimit të plotë, pasi një nga harqet e saj kryesorë është dëmtuar rëndë.
Ura e Kamarës ndodhet rreth 5 km larg qytetit të Librazhdit në fshatin Mirakë në Njësinë Administrative Polis.
Për vlerat arkitektonike dhe historike që mbart, ajo u shpall monument kulture i kategorisë së parë në vitin 1963. -

FSHF organizon kualifikueset për Euro 2026 U-19, Shqipëria e nis ndaj Luksemburgut
Nesër nis turneu i fundit kualifikues europian i organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit për këtë vit.
Të gjitha ndeshjet e grupit B2, të raundit të parë të Kampionatit Europian 2026, ku marrin pjesë Shqipëria, Sllovakia, Lihtenshtejni dhe Luksemburgu, do të luhen në “Egnatia Arena”, “Air Albania” dhe “Elbasan Arena”.
Kombëtarja U-19 e vajzave do të përballet nesër me Luksemburgun U-19 në “Egnatia Arena”, në orën 14:00. Ndërkohë, në orën 12:00, në “Air Albania” do të zhvillohet takimi Sllovaki U-19 – Lihtenshtejn U-19.
Nën drejtimin e trajneres Daniela Kodra, vajzat kanë mbyllur përgatitjet. Asnjë futbolliste nuk ka probleme fizike dhe të gjitha do të jenë në dispozicion për ndeshjen e parë kualifikuese ndaj Luksemburgut.
Ndeshja Shqipëri U-19 – Luksemburg U-19 do të transmetohet live në kanalin FSHF TV në platformën “Klani im”.
Turneu U-19 për vajza në Shqipëri
Sllovaki U-19 – Lihtenshtejn U-19, “Air Albania”, 25.11.2025 12:00
Shqiperi U-19 – Luksemburg U-19, “Egnatia Arena”, 25.11.2025 14:00
Luksemburg U-19 – Lihtenshtejn U-19, “Air Albania”, 28.11.2025 12:00
Sllovaki U-19 – Shqiperi U-19, “Egnatia Arena”, 28.11.2025 14:00
Luksemburg U-19 – Sllovaki U-19, “Elbasan Arena”, 01.12.2025 13:30
Lihtenshtejn U-19 – Shqiperi U-19, “Egnatia Arena”, 01.12.2025 13:30