Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha ka zbardhur detaje nga dëshmia e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Erion Alibej në seancën e shqyrtimit të dosjes “Plumbi i artë” në Gjykatën e Posaçme.
Gjatë dëshmisë ai tregon një nga bisedat e tij me të penduarin tjetër të drejtësisë, Nuredin Dumanin, ku shprehet se i tregoi ekzekutorët e familjarëve të tij.
Alibej: Ditën që jam liruar kam takuar Arjan Spahiut. Kam qenë përdorues i rregullt, fillimisht me ENCHROCHAT pastaj SKYECC.
I kam kontaktuar Arjan Spahiun, i thashë jam në Shqipëri. Nuredin Dumani kishte kërkuar të takohej me mua. Kishte dëgjuar që unë jepja 100 mijë euro për dikë qe mund të vrasë Talo Çelën dhe 200 mijë nëse ma sjell të gjallë.
Kisha dy makina, për të cilat nuk dinte askush veç familjes. Dërgoj Arjanin të shkojë të merrte Nuredinin. Për të dija gjithçka, grupin që rrethohej.
Takoj Nuredinin në të njëjtin pallat ku jetoja unë, në katin e 7, ku jetonin kushërinjtë e mi.
E kam bërë takimin 2 orë e 48 minuta, e them këtë se e kam incizuar takimin. E lashë atë te fliste. Isha i sëmurë shumë rëndë, sidomos atë natë.
Po më shpjegonte, se çfarë kërkon ti nga Talo Çela. Më thotë edhe për Festim Qolin, por unë nuk e njihja. Ma përmendi si njeri që kishte bërë plane me të.
Më tregon ekzekutorët e familjarëve të mi. Fill pas kësaj, më thotë kush janë ekzekutorët e dy njerëzve të mi të afërt, Klevi dhe Aldo Baho … dhe me pas edhe djalit të dajës tim, 25 vjeç, 6 muaj më pas.
Më shpjegon se kishte kërkuar takim me mua, por gjithmonë ma zvarriste takimin.
Nga të gjitha informacionet e mia, ia vura në dispozicion. I kisha zbardhur të gjitha ça kishin ndodhur me vrasjet e familjarëve të mi.
I tregoj foton e vëllait të tij, Dashnor Dumanit që kishte kryer atentatin ndërsa Talo Çela ishte shofer.
Më tha që nuk besonte se ishte vëllai i tij, madje më tha që ka probleme me vëllain. Unë i thashë qëndro besnik, unë vendos dorën në Kuran që nuk e fal gjakun e vëllait tim.
Ka qenë dhe Dorjan Shkoza më tha që gjuajti nga ana tjetër. Nuk e njihja, ai ma tha për herë të parë.
Unë kam problemet e mia me ta. Nuk më interesojnë fare, unë jam vrasës me pagesë. Problemin unë i thashë që e kisha me Talo Çelën. Më intereson vetëm ai.
Unë i thashë që dua edhe vëllezërit Çopja, se e dija që ishin porositës të vrasjes së vëllait tim dhe Mikel Kamami. Ai më tha i bëjmë të gjitha.
E pyeta çfarë do nga unë. Unë për çdo vrasje marr gjysmat e lekëve përpara. E pashë që nuk kishte telefon të enkriptuar. I thashë Arjanit, ky s’paska telefon të inkriptuar. Mbaja dhe telefona të tjerë. Kisha përshtatur një Iphone 6 me SKY dhe e pajisa me të.
Top Channel

