Tag: ekspozita

  • Ekspozita për Ballkanin/ Hapet në Korçë me fotot e zbulimeve të bëra në Gradishtë, hedhin dritë mbi historinë e rajonit

    Ekspozita për Ballkanin/ Hapet në Korçë me fotot e zbulimeve të bëra në Gradishtë, hedhin dritë mbi historinë e rajonit

    Zbulimet e bëra në Gradishte, afër Bitolas, një nga sitet arkeologjike më të pasura të Maqedonisë së Veriut që po hedhin dritë mbi historinë e Ballkanit janë sjellë në Korçë përmes një ekspozite fotografike.

    Përgjatë dy viteve të fundit në këtë sit arkeologjik u zbuluan monedha të cilat datojnë që nga koha e Aleksandrit të Madh.
    Për arkeologun, Engin Nasuh në vendbanimin që ka qenë një qendër e rëndësishme qytetërimi krahas monedhave janë gjetur edhe artefakte të tjera që datojnë nga neoliti i vonë deri në periudhën e bronzit çka dëshmon shkëmbimet tregtare, politike dhe kulturore në Ballkan.
    “Këto zbulime janë nga siti arkeologjik i Gradishtës dhe mund të themi që ky është gërmimi më i rëndësishëm që po bëhet momentalisht në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Një nga gjetjet më të rëndësishme që duhet të përmendim është një poçe me monedha romane prej argjendi që na tregojnë një histori që zgjati për 60 vjet dhe ka te bëjë me prodhimin e monedhave në rajon, sepse prodhimi i monedhave në perandorinë romake ishte i lidhur me ngjarje specifike që ndodhnin në atë periudhë. Me çfarë kemi zbuluar këtu jemi të vetëdijshëm që kjo është një qendër ekonomike politike që ka qenë e lidhur me Apolloninë, Dyrrahun, Selanikun etj.”
    Ekspozita erdhi si një mundësi që publiku të njohë më mirë historinë e pasur të Ballkanit dhe të ndjejë lidhjen me të kaluarën e lashtë të këtij rajoni.
     

    Top Channel

  • Projekte filmike, ekspozita, diskutime me artistët në festivalin “Ekrani i Artit”, edicioni i tetë në Shkodër

    Projekte filmike, ekspozita, diskutime me artistët në festivalin “Ekrani i Artit”, edicioni i tetë në Shkodër

    Nga Juljana Vrapi
    Festivali “Ekrani i Artit” një nga eventet e rëndësishme kulturore të Shkodrës vjen këtë vit me projekte të ndryshme filmike, ekspozita arti dhe aktivitete të tjera. Edicioni i tetë i festivalit nisi në kinema “Republika” në qytetin e Shkodrës, ndërsa po vijon me një program të pasur artistik.  Edicioni i tetë i festivalit “Ekrani i Artit” në Shkodër nisi me temën poetike “Kartolina nga Tjetërkund”. Dita e parë e festivalit nisi me dy ekspozita të rëndësishme dhe u përmbyll me një premierë filmike në kinema “Republika” në prani të artistëve të ndryshëm dhe më gjerë. Kryetari i Bashkisë së Shkodrës Benet Beci shprehet në rrjete sociale se është një festival që përfshin projekte të ndryshme dhe Shkodra do të jetë kryeqendër e artit.
    “Deri më 22 qershor Shkodra do të jetë kryeqendër e artit me këtë festival, që përfshin projekte filmike, ekspozita, diskutime dhe prezenca artistike në vende të ndryshme të qytetit”, shprehet Beci ndër të tjera. I organizuar nga Art House festivali është i bashkëfinancuar edhe nga BE-ja. Në faqen e Delegacionit të BE-së në Shqipëri thuhet se “Ekrani i Artit” i dhuroi një tjetër atmosferë të veçantë Shkodrës. “Në një nga qendrat kryesore kulturore të Shqipërisë dhe në qytetin, ku filmua për herë të parë në historinë e  Shqipërisë, “Ekrani i Artit” i dhuroi një tjetër atmosferë të veçantë Shkodrës. I organizuar nga Art House dhe i bashkëfinancuar nga BE-ja, festivali mbledh qindra dashamirës të filmit nga i gjithë rajoni, duke nxitur dialogun midis regjisorëve evropianë dhe shqiptarë. Më shumë se 120 prodhime do të shfaqen në vendodhje të ndryshme rreth qytetit – një koleksion magjepsës i “kartolinave nga vende të tjera” që premton të ngjallë kuriozitet dhe imagjinatë”, thuhet rreth festivalit që nisi më 18 qershor në Shkodër.
    Aktivitet në festival
    Projektet filmike, ekspozitat, diskutimet mes artistëve zhvillohen në disa vende në qytetin e Shkodrës si kinema “Republika”, Galeria e Arteve Shkoder, Art House, Rruga e Gjuhadolit, Auditori Françeskan. Ekspozita “Covers” nga Barbara Prenka pjesë e festivalit është kuruar nga Zef Paci. Barbara Prenka rikthen mbulesën, jo si nostalgji, por si transformim. Mes kujtesës, teknologjisë dhe kujdesit, “Covers” thur së bashku të kaluarën me të ardhmen. Ekspozita është në Art House – Shkodër, por një tjetër ekspozitë  është “Si doli emni prej gurit” koordinuar nga Melisa Paci në bashkëpunim me artisten Bora Baboçi po në “Art House”.
    Një ekspozitë e ndjerë mbi kujtesën, imagjinatën dhe përkatësinë – me punë nga nxënësit e shkollave “Ismail Qemali” dhe “Ndre Mjeda”, në dialog me artisten Bora Baboçi. Në materialet rreth festivalit bëhet me dije se pjesë e aktiviteteve është dhe “Rimbledhje” – një vështrim mbi videoartin në Shqipëri kuruar nga Edi Muka. Një antologji unike dhe në shkallë të gjerë e videoartit shqiptar, për herë të parë, kjo ekspozitë historike gjurmon zhvillimin e tij që nga vitet ’90 e deri më sot. Përmes veprave të rralla nga artistë pionierë dhe zëra të rinj, “Rimbledhje” eksploron videon si një formë thelbësore të shprehjes për të naviguar identitetin, kujtesën dhe ndryshimet shoqërore.

  • Adrian Devolli: Në këtë stad kaotik që jemi, antivlera mbizotëron mbi vlerat në art

    Adrian Devolli: Në këtë stad kaotik që jemi, antivlera mbizotëron mbi vlerat në art

    Ekspozita e radhës e artistëve të grupimit “Muri” do të hapet në galerinë e Beratit. Piktori i njohur Adrian Devolli bën me dije se ajo pritet që të hapet gjatë këtyre ditëve të qershorit dhe do të vijojë për publikun edhe në ditët e para të muajit që vjen. Në intervistën për gazetën “SOT” piktori i njohur Adrian Devolli ndërsa tregon për ekspozitën e radhës të grupimit “Muri” ndalet dhe te problemet me të cilat përballen artistët në aktivitetin artistik. Sipas tij në Tiranë është vështirësia me sallat për të ekspozuar, por ai shpreh keqardhjen që në aktivitetin artistik ndihet mungesa e kritikës profesionale në fushën e artit.
    Piktori Adrian Devolli thotë  me mungesën e kritikës në art nuk dihet kush janë artistët e vërtetë dhe kush punon. Me kritika piktori Adrian Devolli shprehet edhe ndaj Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, që sipas tij me artistë të brezit të tij nuk është zhvilluar ndonjë takim mbi krijimtarinë sot apo dhe problemet.    Adrian Devolli me aktivitetin e tij është pjesëmarrës në ekspozita të ndryshme me grup autorësh, por edhe ato personale me të cilat është prezantuar për publikun me veprat e tij. “Trace” (Gjurmë) titullohej ekspozita më e fundit e piktorit të mirënjohur Adrian Devolli që u hap në Galerinë FAB pranë Universitetit të Arteve në Tiranë në shtator të vitit 2023.
    Një ekspozitë e pritur shumë mirë nga artistët e arteve figurative, artdashës dhe më gjerë, të cilët ishin të shumtë në përurimin e saj. “Gjurmë”, në Galerinë e Fakultetit të Arteve të Bukura, (FAB) përmblidhte një pjesë të punëve më të mira të artistit, në pikturë, grafika, skulpturë dhe qeramikë. Kjo ekspozitë personale erdhi pas disa vitesh me punët e tij. Piktori Adrian Devolli nga viti 1979 deri më 1987 ka qenë restaurator pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës, më pas nga viti 1987 deri më 1991 ka qenë pranë Galerisë Kombëtare të Arteve, ku është marrë me shumë vepra. Aktiviteti i tij është me projekte restauruese në Manastirin e Ardenicës, si dhe në bashkëpunim me restauratorë të tjerë në Kishat e Bregut, Mborje të Korçës, etj.
    -Grupimi artistik “Muri” që është krijuar para disa vitesh pritet që të hapë një tjetër ekspozitë këtë verë. Kur pritet të hapet ekspozita e radhës?
    Nga data 24 qershor deri më datë 4 korrik do të hapet ekspozita e grupimit të artistëve “Muri” tek galeria e qytetit të Beratit. Kjo galeri është e madhe dhe jo e vogël, por siç ndodh këtu tek ne që i lënë pas dore, nuk ka sistemin e kondicionimit, është dhe taraca dhe duke qenë soletë pasdite bëhet si furrë. Për këtë arsye ne kemi vendosur, që ekspozita do të hapet paradite në orën 11:00.
     -Ju keni hapur dhe të tjera ekspozita më parë si grupim artistik jo vetëm në Tiranë, por edhe në galeritë e rretheve, ku sipas jush kjo edhe për shkak të mungesës së sallave të ekspozimit. Me çfarë vështirësish janë përballur artistët?
    Tirana i ka mbyllur dyert. Edhe Galeria e Artit Tiranë, duke bërë lloj -lloj aktivitetesh aty, aktivitete të nivelit social, etj, ka filluar dalëngadalë duke e humbur funksionin e saj si galeri kur duhet të mbante të njëjtin status si galeri arti. Ndërkohë dhe te Piramida janë dy salla shumë të mira, por që dhe aty kërkojnë të plotësosh formularë, qëllimi, etj. Formulari për mendimin tim është me tepër burokratik dhe nuk ka lidhje. Atje janë dy salla të mira, por dalin gjëra të tjera dhe kur shkon aty shikon edhe piktorë diletantë, sepse nuk ka një këshill artistik kush quhet vepër arti dhe kush nuk quhet. Nëse doni të shikoni degjenerimin e Shqipërisë sot, në çfarëdo lloj lokali që të ulesh dëgjon një muzikë të tmerrshme, muzikë tallavaje në nivelin teknotallava që është kulmi i degjenerimit të shijes artistike. Kur një komb arrin në këto nivele është fundi, nuk ka më ku të shkojë.
     -Si piktor ju keni shprehur herë pas here si problem edhe mungesën e kritikës profesionale në fushën e artit. Në reagimet tuaja më parë keni shprehur se duhet të ketë një institucion, që është kritika, e cila i drejton njerëzit kush janë vlerat e vërteta ne art. Çfarë ka ndodhur për artin?
    Kritika profesionale në fushën e artit mungon. Një pjesë e artistëve këtu nuk punojnë. Këta artistë për të mbajtur një lloj pozicioni të vetin i duhen fjalë. Unë nuk gjykoj mbi atë çka flitet, por gjykoj mbi çka shoh. Të gjithë ata që dalin sot janë njerëz që flitet, por duhet të tregojnë çfarë veprash kanë bërë? Institucionet këtu duhet të kishin rol kryesor, por flenë gjumë. Unë jam 70 vjeç dhe nuk jam thirrur njëherë unë dhe kolegët e mi brezi im nga institucionet, që kemi një interes të madh dhe prodhimtari të jashtëzakonshme, sepse nuk është kollaj të bësh një ekspozitë, dy, tre në vit pasi kjo kërkon impenjim të madh.
    Por nga institucionet nuk i bie mendja të thërrasin për të bërë një simpozium, ku janë të metat, etj, sepse një vend pa kulturë është një vend i vdekur, është baraz me një vend analfabet. Këtu një pjesë e madhe po kthehen në analfabetë dhe analfabetë që të dish të shkruash dhe mos të kuptosh mbi atë çfarë shkruhet dhe për çfarë flitet. Një pjesë  e madhe artistëve, duke mos punuar dhe duke pas të vetpëlqyerin kërkojnë të mos ekzistojë kritika në art. Në Shqipëri ka ekspozita personale dhe ka shumë pak ekspozita të përbashkëta, kjo sepse artistët nuk duan të përballen me vlerat e njëri -tjetrit.
    Në këtë stad kaotik që jemi antivlera mbizotëron mbi vlerat, sipas meje Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit duhet patjetër të financojë dhe subvencionojë dhe të inspirojë krijimin e një gazeta artistike siç ka qenë analoge në kohë të partisë gazeta “Drita” që ishte brenda kuadrit të asaj kohe, por si strukturë gazeta duhet të jetë një gazetë e tillë në të cilën të shfaqen kush punon, galeritë, veprat artistike që bëjnë artistët, ekspozitat e artit që hapen, koncerte që bëhen, etj. Kjo do sjelli si rrjedhojë dhe  fillimin e mendimit të kualifikuar kritik. Në këtë situatë siç është kaos nuk dihet kush janë artistët dhe kush punon, ku qëndrojnë vlerat, si janë, si vihen në pah këto vlera dhe këto antivlera. Ka ardhur si domosdoshmëri dhe duhet të ishte bërë prej shumë kohësh. A duhet me financim nga MEKI, etj, kjo diskutohet , por është domosdoshmëri.

    -Në reagimet tuaja mbi problemet që janë në fushën  e artit ju keni shprehur dhe kritika në drejtim të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Sipas jush me artistë të brezit tuaj nuk kanë zhvilluar takime për çfarë ndodh me artet figurative, zhvillimet dhe problemet që hasin sot artistët. Çfarë prisni si piktor nga MEKI?
    Ministria nuk bën asnjëherë lëvizje për artin, kur bëhet një ekspozitë dhe një drejtor drejtorie nuk dënjon të vijë dhe është një punë e madhe që bëjnë artistët. Unë nuk pres të rregullohet diçka, nuk bëhet asgjë në këtë vend, sepse kur një vend për 30 vjet nuk bën asnjë lloj lëvizje nuk pres të bëhet më gjë. Në atë Galeri Kombëtare të Arteve ishin ata njerëz që e krijuan atë me një përkushtim dhe shteti nuk bën një kolanë me libra, asnjë antologji për këta njerëz, ndaj nuk mund pres më nga shteti. Ne kemi ministra fjalësh, nuk bëjnë gjë. Nuk kemi pse t’i lutemi ministrisë për Kulturën. Nuk është ndihmë për artistët, por është ndihmë për shtetin. Artisti është udhëheqësi shpirtëror i një shteti. Në Greqinë e lashtë paguhej 100-fish një poet i madh në krahasim me një politikan, sepse ngre moralin e kombit, zhvillon kombin. Tek ne kjo gjë nuk kuptohet. Duhet të stimulosh artistët që derdhin djersën këtu, jo ata që janë jashtë dhe vijnë këtu një herë në 20- 30 vjet.
    Intervistoi: Juljana Vrapi
     
     
     
     

  • “Kujtesa e Mesdheut”, ekspozita me 700 vepra nga shekulli XIV-XIX në Bibliotekën Kombëtare

    “Kujtesa e Mesdheut”, ekspozita me 700 vepra nga shekulli XIV-XIX në Bibliotekën Kombëtare

    Një ekspozitë me rreth 700 vepra nga shekulli XIV – XIX, që pasqyrojnë trashëgiminë e pasur mesdhetare u çel mbrëmjen e kaluar në ambientet e Bibliotekës Kombëtare,

    “Kujtesa e Mesdheut – Nga antikiteti në kohët moderne”, prezanton për publikun e gjerë libra, dorëshkrime, harta e gravura mes viteve 1300-1900, duke dëshmuar bukurinë e marrëdhënieve e kulturave të ndryshme, por që i bashkon diçka e madhe: MESDHEU.
    Piro Misha, drejtor i Bibliotekës Kombëtare tha: “Të tregojmë se si rrugëtimi ynë në histori, ashtu siç do popull tjetër është produkt i një procesi kompleks marrie-dhënie, shkëmbimesh, migrimesh, luftërash, bashkëjetesë nga popujt e kulturat e tjera. Një koncept aq kompleks sa dinamik, kulturor e politik që shpjegon shumë prej tipareve, vlerave, traditave dhe mënyrave të tjerave që kemi të përbashkët me popujt e tjerë, sidomos të Mesdheut”.
    I pranishëm në aktivitet, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhe, tregoi projektin për ndërtimin e Bibliotekës se re Kombëtare, pranë Gardës.
    “Do të jetë një godinë e re në dispozicion të Bibliotekës Kombëtare, duke ofruar ambiente të reja dhe funksionale, që të afrojnë jo vetëm ambiente për lexim, por dhe kushte shumë optimale për arkivimin e fondit të Bibliotekës Kombëtare, duke integruar dhe teknologjitë më të avancuara të informacionit”, u shpreh ministri.
    Ekspozita, që vjen pas shpalljes së Tiranës si Kryeqyteti Mesdhetar për Kulturën dhe Dialogun 2025, do të qëndrojë e hapur për një muaj, deri më 18 korrik.

    Top Channel

  • Java Kulturore Suedeze sjell dhjetëra ekspozita e koncerte! Aktivitete të ndryshme që do të shërbejnë si ura kulturore mes dy vendeve

    Java Kulturore Suedeze sjell dhjetëra ekspozita e koncerte! Aktivitete të ndryshme që do të shërbejnë si ura kulturore mes dy vendeve

    Nga data 13 deri më 19 qershor, Shqipëria mirëpret Javën Kulturore Suedeze, e cila do të sjellë në vendin tonë një kalendar të pasur me aktivitete.

    Ekspozita, koncerte, puntori dhe aktivitetete të shumta, që sjellin në vëmendje fuqinë që ka kultura për të lidhur komunitete, ndërtuar ura ndërkombëtare dhe frymëzuar brezat e rinj, do të organizohen në Tiranë dhe Gjirokastër përgjatë kësaj jave.
    Java Kulturore Suedeze, e cila është pjesë e Javëve Kulturore Ndërkombëtare, nismë e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, nis në Galerinë “Harku i Triumfit” në Tiranë me ekspozitën “Fleeting” nga artistet suedeze Nina Wedberg Thulin dhe Maria Backman. Përmes pikturës, skulpturës dhe mediumeve të ndryshme, ekspozita eksploron lëvizjen, ndryshimin dhe identitetin, si pjesë e krizës globale të migracionit. Në qendër qëndron koncepti “NUTOPIA”, një hapësirë imagjinare që sfidon realitetin dhe nxit reflektim.
    Në mbrëmjen e 14 qershorit, Teatri Metropol do të jetë skena e një koncerti të jashtëzakonshëm të muzikës klasike nga Daniel Thorell në çello, Danial Shariati në violinë dhe Eni Barbullushi në piano, e cila ka studiuar në Suedi. Koncerti “Elegjik” është një përvojë muzikore që bashkon virtuozitetin dhe emocione të thella në një atmosferë të rafinuar artistike.
    Programi i Javës Kulturore Suedeze zhvendoset më pas në Gjirokastër, ku në Shtëpinë e Polifonisë, më 16 qershor do të zhvillohet një punëtori kulturore mbi rolin e muzeve në përfshirjen sociale. E udhëhequr nga Rani Kasapi, Drejtoreshë në Muzeumet Kombëtare të Kulturave Botërore në Suedi, kjo ngjarje synon të ndërtojë ura midis institucioneve kulturore dhe komuniteteve lokale mes dy vendeve.
    Një nga kulmet e javës është koncerti madhështor i Jenny-s, zërit ikonik të grupit legjendar Ace of Base, i cili do të mbahet më 17 qershor në Sheshin Skënderbej. Ky koncert live i hapur për publikun do të sjellë nostalgjinë dhe energjinë e hiteve ndërkombëtare, përmes një atmosfere që bashkon breza.
    Java mbyllet më 18 qershor me një aktivitet të dedikuar biçikletave dhe sigurisë në trafik që do të mbahet në Shkollën e Biçikletave në Tiranë, duke ndërthurur ndërgjegjësimin qytetar me argëtimin dhe edukimin për një qytet më të gjelbër e të sigurt

    Top Channel

  • Greqi/ Kristo Hasa nderohet me titullin “Qytetar Nderi” nga bashkia e Amaliadës

    Greqi/ Kristo Hasa nderohet me titullin “Qytetar Nderi” nga bashkia e Amaliadës

    Në një ceremoni të zhvilluar në Qendrën Kulturore Multifunksionale të Amaliadës, Bashkia e Elidës nderoi piktorin Kristo Defrim Hasa me titullin “Qytetar Nderi”, duke vlerësuar 33 vitet e tij të shërbimit dhe kontributit të vyer në jetën kulturore të qytetit.Amfiteatri ishte i mbushur me përfaqësues të autoriteteve lokale, organizatave kulturore dhe qytetarë të lidhur me artistin, të cilët vlerësuan punën e tij të palodhur për komunitetin. Ndër të pranishmit ishte edhe Kryebashkiaku i qytetit të Gramshit në Shqipëri, Besian Ajazi, Nënkryetarja e Bashkisë Pineos, Vanta Kontouli, përfaqësues nga Shoqata e Emigrantëve Shqiptarë “Emigranti”, si dhe figura të tjera të rëndësishme kulturore dhe fetare.Në një fjalim prekës, Kristo Hasa rrëfeu rrugëtimin e tij, duke nisur nga largimi nga Shqipëria në vitin 1992 dhe kalimi i vështirë katërditor përmes kufirit, deri në vendosjen në Amaliada, të cilën e konsideron sot “atdheun” e tij. Ai falënderoi komunitetin vendas për dashurinë dhe mbështetjen, veçanërisht piktorin e ndjerë Giorgos Fokas dhe edukatoren Evi Palla – Chronopoulou që e ndihmuan në hapat e parë artistikë.“Kur e sheh tokën nga lart, nuk ka kufij, ngjyra apo fe. Unë përpiqem gjithmonë të ndërtoj ura mes njerëzve,” u shpreh artisti, duke dedikuar titullin nderi bashkëkombësve të tij në Greqi.Kryetari i Bashkisë Elida, Christos Christodoulopoulos, theksoi se nderimi nuk është vetëm për një artist të madh, por edhe për një njeri që ka kontribuar thellësisht në jetën kulturore të komunitetit. “Ndoshta një ditë Shteti do të njohë thelbin e qytetarisë përtej kufijve të ngushtë të shtetësisë,” shtoi ai.Kryebashkiaku i Gramshit, Besian Ajazi, e quajti këtë nderim një fitore jo vetëm për Kristo Hasan, por për gjithë emigrantët shqiptarë në Greqi, ndërsa kryetarja e Këshillit Bashkiak, Theonis Georgopoulou, vuri në dukje se “nderi i takon vetë Hasës për atë që ka dhënë mbi 30 vite për Amaliadën.”Pas ceremonisë së ndarjes së titullit, ku Kryebashkiaku i Elidës i dorëzoi Hasan zyrtarisht diplomën, u hap ekspozita retrospektive e piktorit me temë “Art dhe Atdheu”, e cila do të qëndrojë e hapur deri më 8 qershor 2025 në Galerinë Kulturore Multifunksionale të Amaliadës.Ngjarjes iu bashkuan edhe departamenti i vallëzimit i Shoqatës së Emigrantëve Shqiptarë të Greqisë Perëndimore “Emigranti”, me valle tradicionale shqiptare, në një shfaqje prekëse nderi për artistin që përmes artit ka lidhur dy atdhe. Mbi artistinKristo Dëfrim Hasa ka lindur në qytetin e Gramshit më 17 janar 1964. Ai rrjedh nga një familje me prindër punëtorë dhe tetë fëmijë. Dëshirën për artin, dhe veçanërisht për pikturën, e shprehu që në shkollën fillore, ku vizatonte faqet e librave. Mësuesja e vizatimit në atë kohë i sugjeroi babait të tij që ta dërgonte në kursin e pikturës në Shtëpinë e Pionierëve të Gramshit, ku ndoqi këto kurse për disa vite. Me mbarimin e shkollës fillore, fitoi konkursin për të vazhduar studimet në degën e skulpturës në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë.Pas përfundimit të liceut, për shkak të pamundësive ekonomike për të vazhduar studimet në Institutin e Arteve, u kthye në vendlindje dhe punoi zanate të ndryshme si marangoz, tapicier dhe mekanik. Më vonë u integrua në fushën e kulturës, ku punoi për 12 vite si drejtues kulture dhe propagande në Uzina e Amëve në Gramsh. Atje drejtoi grupet artistike, muzeun, bibliotekën, dhe shërbeu si fotograf dhe dizenjator. Paralelisht, u përfshi edhe në aktivitetet e Shtëpisë së Kulturës të Gramshit dhe në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve. Ishte piktor, skenograf dhe valltar me grupin e valleve të qytetit për 9 vite, duke marrë pjesë në të gjitha aktivitetet kulturore dhe artistike në shkallë rrethi dhe kombëtare.Në vitin 1992, si shumë shqiptarë, la atdheun e tij të dashur në kërkim të një jete më të mirë. Kaloi malin e Gramozit, i mbuluar nga bora, katër ditë në këmbë, pa ditur gjuhën greke, pa ditur ku po shkonte dhe çfarë e priste, me vetëm pak ushqime dhe shumë ëndrra e shpresë për të ardhmen, si dhe me dashurinë e pafund për vendlindjen.Filloi punë si marangoz në Amaliadë, zanat që kishte trashëguar nga babai. Paralelisht, merrej edhe me pikturë dhe vizatim në kohën e lirë deri në vitin 2000, kur ra në kontakt me persona të fushës së artit dhe kulturës në atë zonë. Ata i mundësuan hapjen e një ekspozite personale pikture dhe fotografie, ku pati jehonë në mediat lokale dhe kombëtare greke. Kjo ishte një shtysë dhe besim për të ardhmen. Më pas mori pjesë në shumë aktivitete kulturore dhe u integrua edhe në çështjet e refugjatëve shqiptarë, duke drejtuar për tre vjet Shoqatën e Shqiptarëve në Qarkun Ilia të Peloponezit.Në vitin 2006, u ftua nga bashkitë e Amaliadës dhe Gastunit të ngrinte dhe drejtonte grupet e pikturës për fëmijë dhe të rritur, punë që e pranoi me shumë dashuri dhe përkushtim. Gjatë këtyre 19 viteve si mësues pikture, ka marrë pesë herë çmimin e parë në rang kombëtar dhe shumë çmime të tjera ndërkombëtare. Ka marrë pjesë në ekspozita dhe konkurse në Greqi dhe jashtë saj, ku shumë shqiptarë, fëmijë dhe të rritur, kanë qenë pjesëmarrës në këto aktivitete.Gjatë 20 viteve të veprimtarisë artistike, ka pasur një rrugëtim të pasur me suksese dhe arritje, duke marrë pjesë në shumë ekspozita, galeri dhe takime kombëtare dhe ndërkombëtare, ku shpeshherë ka përfaqësuar Shqipërinë. Është nderuar me shumë tituj, çmime dhe vlerësime për punën dhe kontributin modest në fushën e artit dhe kulturës.Në Amaliadë ka realizuar dy ekspozita personale dhe 56 kolektive; në Olimpia dhe Athinë mbi 8 ekspozita si anëtar i Grupit të UNESCO-s. Në Qipro, Lefkosia dhe Limasol, si anëtar i grupit ndërkombëtar “Artistë pa Kufij”. Në Turqi ka marrë pjesë katër herë në Stamboll, Çanakkale, Izmir dhe Kapadokya, si anëtar i grupit ndërkombëtar “Miqësia dhe Paqja midis Popujve”. Në Kosovë, Gjilan, mori pjesë në ekspozitën ndërkombëtare “Miqësia dhe Paqja midis Popujve”. Në Firence, Itali, në ekspozitën ndërkombëtare “Popuj dhe Art”, duke ngritur me krenari flamurin tonë kombëtar. Në fund, në Luvër, Paris, Francë, mori pjesë në ekspozitën ndërkombëtare me 1100 artistë nga e gjithë bota, ku prezantoi dy punime, duke realizuar një ëndërr të tij.Ka realizuar me iniciativën e tij ekspozita pikture në qytetin e tij të vendlindjes Gramsh, me piktura të fëmijëve të vegjël shqiptarë dhe grekë, në bashkëpunim me Qendrën Kulturore “Vëllezërit Çetir”. Gjithashtu një tjetër ekspozitë me piktorin e paharruar gramshiot Adem Hoxha. Në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë, në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë, Ambasadën Greke në Tiranë, Bashkinë Gramsh dhe Bashkinë Amaliadë, ka hapur dy ekspozita pikture ku u nderua nga Bashkia Gramsh me titullin “Nder i Kulturës Gramshiote”.Është anëtar i rregullt i Shoqatës së Artistëve të Shqipërisë “Pranvera Art” dhe merr pjesë rregullisht në ekspozita kombëtare. Është nderuar me çmim të veçantë nga Ministria e Kulturës së Çekisë për punën e palodhur dhe kontributin në fushën e artit. Është anëtar nderi i Shoqatës “Emigranti” në Patra.Ka marrë pjesë në shumë aktivitete bamirësie, si individ dhe në grup, duke kontribuar për shkolla, spitale, shoqata shqiptare dhe greke, evente artistike, karnavale, teatro, koncerte, për fëmijët e luftës në Irak dhe Siri, për fëmijët në Bangladeshi, për të dëmtuarit nga zjarri në Greqi, nga shpërthimi në Gërdec, nga tërmeti në Shqipëri, për fëmijët me kancer në Greqi, dhe shumë të tjera.Me iniciativën e tij është mundësuar vendosja e urave të miqësisë midis popujve. Konkretisht, ka organizuar sjelljen në Gjirokastër të një grupi prej 50 vetësh nga Greqia në bashkëpunim me Bashkinë dhe Konsullatën Greke, me finalizimin e mbjelljes së pemëve të miqësisë. Ka pasur bashkëpunim të frytshëm me Bashkinë Gramsh, Lida Amaliadhën dhe Ambasadën Shqiptare në Athinë, me rastin e hapjes së ekspozitës së tij personale të dytë në Amaliadë.Në bashkëpunim me Bashkinë dhe Qarkun e Gjilanit arriti të organizojë një ekspozitë ndërkombëtare me pjesëmarrjen e 6 artistëve, ku u vendosën ura miqësie midis popujve në vende të ndryshme historike të Kosovës.Për gjithë veprimtarinë artistike dhe kontributin e dhënë është nderuar me shumë tituj, çmime, diploma nderi. Është nderuar nga katër bashki të ndryshme në Greqi, si dhe nga Bashkia Gramsh me titullin “Nder i Kulturës Gramshiote”. Ka marrë falënderime nga Ministria e Jashtme e Kinës dhe Ambasadorja kineze në Shqipëri për ekspozitën në Muzeun Historik të Tiranës, nga Ambasadori Rumun në Athinë, nga grupi UNESCO dhe Internacional Art në Greqi, nga Ministri i Jashtëm i Greqisë Janis Zafiropulos (2006), nga Ministria e Turizmit e Greqisë (2015) dhe Ambasadorja Greke në Tiranë, si dhe nga shumë deputetë. Në takimin me Presidentin e Greqisë Prokopi Pavlopulos mori urimet dhe vlerësimet më të sinqerta për kontributin në art dhe kulturë për mirëqenien e komuniteteve tona.Në vitin 2020 u shpall “Personazh i Vitit” nga gazeta më e vjetër greke “Patris” për kontributin në ndihmën e të dëmtuarve nga tërmeti në Shqipëri dhe debutimin e tij si shkrimtar me romanin “Përtej bardhësisë”.Në vitin 2021 botoi romanin “Përtej bardhësisë” me shtëpinë botuese “55” në Athinë.Në vitin 2022 botoi një libër me poezi në greqisht, ku shpreh shqipen dhe bashkëveprimin me gjuhën greke.Në të gjitha këto vite ai është bërë simbol i forcës, dashurisë për artin, kulturën, dhe unitetin mes popujve, duke ruajtur dhe promovuar me krenari origjinën e tij shqiptare në emigracion. 

  • Ekspozita “I soli di tutte le terre”, për herë të parë në Tiranë prezantohet vepra e artistit Enzo Cucchi

    Ekspozita “I soli di tutte le terre”, për herë të parë në Tiranë prezantohet vepra e artistit Enzo Cucchi

    Nga Julia Vrapi
    Ekspozita “I soli di tutte le terre” në Tiranë. Një prej figurave më të rëndësishme të pikturës italiane bashkëkohore, artisti Enzo Cucchi vjen për herë të parë me një ekspozitë për publikun shqiptar, e cila u hap në mjediset e COD. E titulluar “I soli di tutte le terre”, (Diejt e të gjitha tokave) ekspozita antologjike e Enzo Cucchi-t, një prej përfaqësuesve më të shquar të lëvizjes italiane të Transavangardës, përshkruan në mënyrë të detajuar gjithë rrugëtimin artistik të këtij krijuesi nga rajoni i Marche. Përmes veprave të tij, ekspozita ofron një panoramë të pasur të zhvillimeve artistike dhe filozofike që kanë karakterizuar karrierën e Cucchi-t, duke reflektuar mbi temat që e kanë preokupuar gjatë jetës së tij krijuese. Përveç kësaj, ekspozita krijon një lidhje dhe një paralelizëm mes dy realiteteve historike dhe kulturore: Italisë së viteve 1980 dhe Shqipërisë së sotme.
    Të dyja këto shoqëri janë të përshkuara nga një tension mes së shenjtës dhe progresit, mes botës së brendshme shpirtërore dhe ndikimeve të globalizimit modern. Mbrëmjen e datës 5 qershor ekspozita “I soli di tutte le terre” – “Diejt e të gjitha tokave” e kuruar nga Spazio Taverna u çel në COD, ku ishin të pranishëm dhe figura të njohura nga diplomacia, arti dhe kultura. Figurë kryesore e artit bashkëkohor ndërkombëtar, në ekspozitën e tij të parë institucionale në Shqipëri, Cucchi paraqet një sërë veprash që rindërtojnë, duke ilustruar, fazat më të rëndësishme të karrierës së tij të gjatë, duke filluar me disa kryevepra të hershme, pjesë e një koleksioni të rëndësishëm privat, të tilla si Quadro santo (1980), Carro di fuoco (1981), Paesaggio barbaro (1983) dhe Il miracolo della neve (1986), të cilat nuk ishin ekspozuar së bashku prej shumë vitesh.
    Aktiviteti i artistit
    Artisti Enzo Cucchi ka ekspozuar në hapësirat më të rëndësishme ekspozuese italiane dhe të huaja. Ai ka ekspozuar në hapësirat më të rëndësishme ekspozuese italiane dhe të huaja, si Kunsthalle në Bazel, Solomon R. Guggenheim në Nju Jork, Tate Gallery në Londër, Centre Georges Pompidou në Paris, Castello di Rivoli, Rivoli (Torino), Palazzo Reale në Milano, Muzeu i Artit Sezon në Tokio, Akademia Franceze në Romë – Villa Medici, Musèe d’art modern në Saint-Etienne Metropole dhe MAXXI. Ka marrë pjesë gjithashtu në ekspozitat më të rëndësishme ndërkombëtare të artit bashkëkohor, duke përfshirë Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecia, Documenta në Kassel dhe Kuadrienalen e Romës. Veprat e tij gjenden në koleksionet kryesore të muzeve të botës dhe në koleksionet private më prestigjioze kombëtare dhe ndërkombëtare. Instituti Italian i Kulturës dhe COD- Qendra për Hapje dhe Dialog, në bashkëpunim me Ambasadën Italiane në Tiranë dhe Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit të Shqipërisë prezantuan ekspozitën personale nga Enzo Cucchi “Diejt e të gjitha tokave” kuruar nga Spazio Taverna që është dhe në kuadër të Javës së Kulturës Italiane në vendin tonë dhe do të qëndrojë e hapur deri në 5 korrik.

  • Çelet në Qendrën për Hapje dhe Dialog ekspozita “Diejt e të gjitha tokave”

    Çelet në Qendrën për Hapje dhe Dialog ekspozita “Diejt e të gjitha tokave”

    Në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD) u çel mbrëmjen e djeshme ekspozita “I soli di tutte le terre”- “Diejt e të gjitha tokave”.
    Në çeljen e ekspozitës ishte i pranishëm Kryeministri Edi Rama, e dërguara e SHBA-ve në Tiranë, Nancy Van Horn, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë si dhe personalitete të artit dhe kulturës.

    Në këtë ekspozitë prezantohet për herë të parë në Tiranë, vepra e Enzo Cucchi, një nga emrat më të rëndësishëm të pikturës italiane bashkëkohore.
    Në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës dhe Spazio Taverna, ekspozita zbulon dimensionet ku shpirtërorja takohet me materien, një ekspozitë që sjell dritën si simbol bashkimi mes dy brigjeve, një urë arti dhe reflektimi.
    Në këto punime prezantohen fazat më të rëndësishme të karrierës së tij të gjatë, duke filluar me disa kryevepra të hershme, pjesë e një koleksioni të rëndësishëm privat, të tilla si Quadro santo (1980), Carro di fuoco (1981), Paesaggio barbaro (1983) dhe Il miracolo della neve (1986), të cilat nuk ishin ekspozuar së bashku prej shumë vitesh.
    Vëmendje e veçantë i kushtohet marrëdhënies së Cucchi-t me krahinën e Marche-ve, një territor themelor i kërkimit të tij artistik, me një seksion që bashkon një seri pikturash të vogla kushtuar vendeve të ndryshme të një krahine që zotëron, sipas Cucchi-t, “të gjithë aktualitetin e një emocioni që është i nevojshëm për një artist”.
    Pjesa e dytë e ekspozitës i kushtohet vizatimit, një shprehje e rëndësishme e mendimit të Cucchi-t me një përzgjedhje që dokumenton aktivitetin dhjetëvjeçar të artistit kushtuar vizatimit, të cilin ai e konsideron bazën e artit dhe marrëdhënies së tij me Marche-t, duke i mbushur fletët me elementë tipikë të peizazhit të krahinës.
    “Kështu, arti i Cucchit mbërrin në Shqipëri, duke sjellë diellin, selvitë, tokën, fushat dhe kodrat e Marche-ve, për të ndarë diejt mesdhetarë, të cilët ngrohin tokën dhe bashkojnë dy brigjet e Adriatikut, të cilin Predrag Matvejević e përcaktoi si “deti i intimitetit”, nën shenjën e pikturës”, shpjegojnë kuratorët e Spazio Taverna-s.
    I konsideruar si artisti më vizionar midis eksponentëve të Transavanguardia-s, Enzo Cucchi (Morro d’Alba, 1949), që nga vitet 1980, ka fituar famë ndërkombëtare. Ai ka ekspozuar në hapësirat më të rëndësishme ekspozuese italiane dhe të huaja, si Kunsthalle në Bazel, Solomon R. Guggenheim në Nju Jork, Tate Gallery në Londër, Centre Georges Pompidou në Paris, Castello di Rivoli, Rivoli (Torino), Palazzo Reale në Milano, Muzeu i Artit Sezon në Tokio, Akademia Franceze në Romë – Villa Medici, Musèe d’art modern në Saint-Etienne Metropole dhe MAXXI.
    Ka marrë pjesë gjithashtu në ekspozitat më të rëndësishme ndërkombëtare të artit bashkëkohor, duke përfshirë Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecia, Documenta në Kassel dhe Kuadrienalen e Romës.
    Veprat e tij gjenden në koleksionet kryesore të muzeve të botës dhe në koleksionet private më prestigjioze kombëtare dhe ndërkombëtare.
    Ekspozita “Diejt e të gjitha tokave” do të jetë e hapur për publikun deri më 5 korrik 2025 në ambientet e galerisë COD në Kryeministri. /e.i/ /a.g/

  • Ekspozita “Abito Mari”, si një udhëtim artistik dhe reflektues mbi peizazhin bashkëkohor të rajonit të Mesdheut

    Ekspozita “Abito Mari”, si një udhëtim artistik dhe reflektues mbi peizazhin bashkëkohor të rajonit të Mesdheut

    Nga Julia Vrapi
    Një grupim punësh, që janë zhvilluar gjatë njëzet viteve të fundit në ekspozitën “Abito Mari” të artistit Fabrizio Bellomo. Ekspozita vjen si një reflektim mbi peizazhin bashkëkohor të Mesdheut, me vëmendje të veçantë ndaj ndërthurjeve kulturore midis Pulias, Kalabrisë dhe Shqipërisë. Kjo ekspozitë që do të hapet nesër në galerinë GOCAT në Tiranë vjen e kuruar nga Ardian Isufi dhe Elton Koritari. Galeria feston një-vjetorin e saj me ekspozitën “Abito Mari” nga artisti italian Fabrizio Bellomo, pjesë e kalendarit të Javës së Kulturës Italiane që po vijon me aktivitete të ndryshme në vendin tonë.
    Muzika, teatri, ekspozitat e artit pamor janë pjesë e aktiviteteve në Javën Kulturore Italiane, që ka nisur në vendin tonë, ku pjesë është dhe kjo ekspozitë që vjen e kuruar nga Ardian Isufi dhe Elton Koritari. Përmes veprave të tij, Bellomo eksploron marrëdhëniet komplekse dhe shpesh të padukshme mes njeriut dhe mjedisit përreth, duke vendosur në qendër të vëmendjes ndërthurjet kulturore dhe historike që lidhin Pulian, Kalabrinë dhe Shqipërinë. Kuratori Elton Koritari shprehet se përmes një grupimi punësh të zhvilluar gjatë njëzet viteve të fundit, artisti eksploron shtresëzimin e kujtesës, hapësirës dhe arkitekturës, duke vendosur konceptin e gjuhës artistike popullore në qendër të kërkimit të tij si një mjet për leximin dhe ripunimin e territoreve.
    “Itinerari i ekspozitës zhvillohet në të dy hapësirat e galerisë, duke krijuar  një dialog midis videos, instalacioneve dhe fotografisë. Gjuha popullore, e kuptuar si një gjuhë spontane dhe e shtresuar që del nga ndërveprimi  midis njeriut dhe mjedisit, shfaqet në veprat e Bellomo-s si një element  hibrid, i aftë të vërë në dyshim narrativat zyrtare dhe të zbulojë kompleksitetin e strukturës sociale dhe arkitektonike”, shprehet ai.
     Ekspozita një mundësi për të eksploruar kujtesën vizuale dhe materiale të Mesdheut
    Ekspozita e artistit Fabrizio Bellomo në Galerinë e Arteve Bashkëkohore Tiranë do të qëndrojë deri më 12 korrik dhe përfaqëson një mundësi unike për të eksploruar kujtesën vizuale dhe materiale të Mesdheut përmes një gjuhe artistike që ndërthur dokumentacionin, arkivin dhe ndërhyrjen emergjente. Kuratori Elton Koritari vijon më tej në tekstin kuratorial se projekti synon të kthejë një interpretim kritik dhe poetik të bashkëkohësisë, duke stimuluar një dialog të hapur midis së kaluarës dhe së tashmes, midis Italisë dhe Shqipërisë, midis artit dhe territorit. Artisti Fabrizio Bellomo (1982) jeton dhe punon në Bari (Itali).
    Ai është një artist multidisiplinar, kurator, shkrimtar dhe regjisor që zhvillon kërkimin e tij në një mënyrë hibride dhe eksperimentale. Qasja e tij është e gjerë: ai punon  me material arkivor dhe historik, video dhe instalime publike. Kërkimi i tij lëviz nga bota reale në atë digjitale. Veprat e tij janë ekspozuar në ekspozita personale dhe në grup, përmes projekteve publike, festivaleve të filmit dhe prezantimeve. Ai mori pjesë në edicionet e 41-ta, 39-ta dhe 38-ta të Festivalit të Filmit në Torino, duke fituar Çmimin Special të Jurisë në seksionin e dokumentarit italian në edicionin e 39-të. Kjo ekspozitë që do të hapet nesër, më pas do t’ia lërë radhën dhe të tjera aktiviteteve në kuadër të Javës Kulturore Italiane, që vjen e organizuar nga Ambasada e Italisë në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës dhe mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

  • Ekspozita “Nga bohemizmi te përjetësia”/ Rama në Exclusive: Xhevahire të një thesari të jashtëzakonshëm, rrit prestigjin e vendit

    Ekspozita “Nga bohemizmi te përjetësia”/ Rama në Exclusive: Xhevahire të një thesari të jashtëzakonshëm, rrit prestigjin e vendit

    “Nga bohemizmi te përjetësia”, është ekspozita që solli në vendin tonë si rrallë herë vepra të njohura nga Arti Modern, Fovizmi, Art Deco e Avant-Garde, me krijimet të artistëve të mëdhenj të artit botëror.

    Koleksioni i rrallë, që erdhi në Qendrën për Hapje dhe Dialog, në bashkëpunim me Fondacionin MTA dhe ambasadën e Izraelit pasqyroi ndërgjegjen kolektive të epokës, stilin e jetës dhe momentin historik, në Evropën Perëndimore dhe Lindore e më gjerë.
    Kryeministri Edi Rama tha për Drejtoresheën e Qendrës për Hapje dhe Dialog pranë Agjencisë për Dialog dhe Komunikim Jetona Koçobellin në Exclusive se në COD janë mbledhur së bashku disa xhevahire të një thesari të jashtëzakonshëm.
    Rama: Kjo hapësirë mendoj që ka fituar një distancë autonomie nga selia e pushtetit siç e quajnë edhe është konsoliduar si një hapësirë që vërtet është pjesë fizike e godinës së Këshillit të Ministrave por shpirtërisht është një hapësirë që u takon atyre që e vizitojnë, kjo ekspozitë e forcon këtë mesazh dhe e zgjeron besoj spektrin e atyre që do të interesohen më tej për të ndjekur aktivitetin e COD.
    Këtu janë mbledhur së bashku disa xhevahire të një thesari të jashtëzakonshëm ai ajo periudhë e kapërcimit të të parit të sipërfaqes së telajos si një territor autonom i pavarur nga territori fizik i realitetit të përditshëm, është patjetër ekspozita më domethënëse nga pikëpamja e vlerave të mbledhura në një hapësirë në raport me historinë e artit botëror, rrit prestigjin e COD, patjetër rrit edhe prestigjin e hapësirës artistike të vendit në përgjithësi.

    Top Channel