Tag: ekspozita

  • Ekspozita “Një popull në lëvizje”, italiani Gianni Bellesia sjell fotografitë e realizuara 31 vite më parë

    Ekspozita “Një popull në lëvizje”, italiani Gianni Bellesia sjell fotografitë e realizuara 31 vite më parë

    31 vite më parë, fotografi italian Gianni Bellesia mbërriti për herë të parë në Shqipëri si pjesë e një misioni humanitar, duke shoqëruar dy kamionë me ndihma për familjet e varfra të një vendi që sapo kishte hyrë në rrugën e demokracisë.
    Pas tri dekadash, ai kthehet sërish, jo më si vëzhgues i vuajtjeve, por si dëshmitar i një transformimi, për të hapur ekspozitën e tij fotografike me 30 imazhe që rrëfejnë historinë e një populli në lëvizje dhe të një kohe që nuk duhet harruar.
    Fotografitë janë realizuar nga Durrësi në Tiranë, Shkodër e deri në fshatin e thellë të Nënshatit. Në kujtesën e fotografit, shqiptarët mbeten njerëz të buzëqeshur e mikpritës, edhe pse jeta ishte e ashpër.

    “Ishit një vend me njerëz që buzëqeshnin. Edhe pse kalonit vështirësi, ata na prisnin gjithmonë me mirësi. Nga sytë e një italiani, më dukej një popull në zhvillim. Të rinjtë ëndërronin të shkonin në Itali, për të mësuar e për t’u kthyer me njohuritë e reja. Edhe të moshuarit i mbështesnin, sepse shpresonin që dija e perëndimit të sillte ndryshim. Sot, duke parë rilindjen e vendit tuaj, mendoj se ajo profeci e tyre është bërë realitet, dhe kjo më gëzon shumë”, tha Gianni Bellesia, fotograf.
    Ekspozita fotografike “Shqipëria 1994, Një popull në lëvizje” u realizua në bashkëpunim me Foto Klub Durrësi. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun gjatë fundjavës në mjediset e qendrës Kulturore të Fëmijëve Durrës.
    /vizionplus.tv

  • Piktori Mentor Berisha hap ekspozitë personale në Berlin (Foto)

    Piktori Mentor Berisha hap ekspozitë personale në Berlin (Foto)

    Ekspozita”Nëna dhe fëmija”, para publikut berlinez

    Piktori kosovar, Mentor Berisha, vazhdon që artin e tij ta ekspozoj nëpër qendra evropiane. Brenda një harku kohor jo të gjatë, ai pas Madridit dhe Vjenës, këto ditë, prej 24 shtatorit deri më 29 shtator, ka hapur ekspozitën e tij personale në Berlin. Në galerinë e këtij qyteti, Erstererster, Berisha ka hapur ekspozitën e titulluar “Nëna dhe fëmija” me 15 punime ku shpërfaqet motivi aq emotiv, që sjell raporti primar social në mes nënës dhe fëmijës“Janë punime të viteve të fundit. Më ka preokupuar ky motiv i përjetshëm dhe i patjetërsueshëm, pikërisht në kohën ku po përballemi me një krizë morale të familjes”, sqaroi Berisha.Pikturat e Berishës, dallohen përmes një qasjeje ekspresioniste, ai përdor teknikën spachtel dhe stilin alla prima, për të krijuar tekstura të trasha që ngjajnë me skulptura të ngritura mbi sipërfaqen e kanavacës – një proces që u jep veprave thellësi emocionale dhe plastike.Sipas Berishës ekspozita është mirëpritur nga publiku berlinez.”Më ka habitur gatishmëria e vizitorëve të cilët me aq spontanitet pyesin për ngjyrat e përdorura, për motivin dhe për Kosovën” , tregon Berisha, i cili po qëndron këto ditë në Berlin.

    ObserverKult

    Lexo edhe:

    NË GJILAN U HAP EKSPOZITA “SOLIDARITETI SI REZISTENCË“ E PIKTORIT, MENTOR BERISHA

  • “Dy botë, një realitet”/ Durrës, ekspozita në Galerinë e Artit Pamor “Nikolet Vasia”

    “Dy botë, një realitet”/ Durrës, ekspozita në Galerinë e Artit Pamor “Nikolet Vasia”

    Në Galerinë e Artit Pamor “Nikolet Vasia” në Durrës është çelur ekspozita e titulluar “Dy botë, një realitet”, që sjell përballë njëri-tjetrit krijimtarinë e dy piktorëve të njohur, Abaz Hado dhe Kamuran Goranci.

    Ekspozita ndërton një dialog artistik mes dy qasjeve të ndryshme, ku natyra shfaqet në figuracion poetik përmes penelit të Hados, ndërsa Goranci kompozon bukur ngjyrat në teksturë kromatike.
    Në këtë ndërthurje, arti nuk është thjesht pasqyrim i botës, por një mënyrë për ta rishfaqur dhe ripërjetuar atë.
    “Zgjedhja është e veçantë, se Çamëria, dhe Kosova bëjnë një ekspozitë të përbashkët. Një shembull i mirë që të bashkojmë vlerat tona kombëtare dhe Abazin e kam edhe mik”, tha Kamuran Goranci-Piktor.
    Pas afro dy dekadash mungesë, Abaz Hado rikthehet me një ekspozitë në Durrës, duke sjellë 11 punime të realizuara vitin e fundit, ku vijon të hulumtojë figurën e pemës si simbol i jetës dhe natyrës.
    “Vijmë nga krahina të ndryshme. Jemi mes dy botëve, por me një realitet të përbashkët, atë shqiptar. Kam shumë nostalgji për Durrësin, sepse kjo galeri më pëlqen shumë”, deklaroi Abaz Hado-Piktor.
    Ekspozita “Dy botë, një realitet” do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 4 tetor.

    Top Channel

  • Ekspozita me libra fetarë në Korçë, më i vjetri ungjilli i shenjtë i Kishës së Ristozit i vitit 1737

    Ekspozita me libra fetarë në Korçë, më i vjetri ungjilli i shenjtë i Kishës së Ristozit i vitit 1737

    Botime religjioze të cilat datojnë nga shekulli XVIII- fillim të shekulli XX janë ekspozuar për herë të parë në Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë.

    Pjesë e koleksionit me 25 botime kryesisht ungjij të gjetur në kishat e vendit është edhe Ungjilli i Shenjtë i Kishës së Ristozit i cili daton në vitin 1737 dhe është më i vjetri prej tyre.  Në ekzistencën dhe ruajtjen e këtyre botimeve religjioze një rol të rëndësishëm kanë luajtur edhe filantropët  korçarë të cilët i  kanë dhuruar ato për kishat apo për fondin e muzeut
    Për studiuesin Pandi Bello kontributi i filantropëve korçarë në botime mbetet një prej aspekteve kryesore që i ka shërbyer ruajtjes së identitetit kombëtar në Shqipëri
    Ekspozita e re në Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë ofron një mundësi unike për të njohur jo vetëm historinë e botimeve religjioze, por edhe përpjekjet e brezave të mëparshëm për të ruajtur trashëgiminë kulturore.

    Top Channel

  • Ekspozita “Close as Distant Horizons” me veprat e artistëve nga Shangai

    Ekspozita “Close as Distant Horizons” me veprat e artistëve nga Shangai

    “Close as Distant Horizons” sjell për herë të parë për publikun shqiptar veprat e dy artistëve të njohur nga Shangai, Wu Jun dhe Lin Zhaoyang. Në galerinë FAB të Universitetit të Arteve rreth 40 piktura mbartin një estetikë të veçantë, ku gërshetohen simbolika, individualiteti dhe një dialog i gjallë mes Lindjes dhe Perëndimit.
    Ekspozita që u hap në galeronë FAB është në vijim të aktiviteteve të Javës së Kulturës Kineze në vendin tonë. Wu Jun përmes kompozimeve neo-figurative sjell reflektime mbi botën moderne dhe fatin e njerëzimit. Lin Zhaoyang, duke ndërthurur traditën lindore me teknikat perëndimore, rikrijon madhështinë e civilizimeve në një gjuhë bashkëkohore. Ekspozita në galerinë FAB do të qëndrojë e hapur deri më 25 shtator. Në kuadër të Javës Kulturore Kineze, Ambasada e Republikës Popullore të Kinës, me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, sjell një program të pasur aktivitetesh në Tiranë dhe Elbasan, që synon të afrojë dy kulturat dhe të krijojë mundësi për shkëmbim dhe mirëkuptim mes popujve. Java e Kulturës Kineze u çel më datë 22 shtator dhe do të vijojë deri më datë 26 shtator.
    Java e Kulturës Kineze është në vijim dhe të javëve të kulturës të shteteve të tjera më parë në vendin tonë. Njëzet shtete pjesëmarrëse janë në Javët Kulturore Ndërkombëtare, që këtë vit shënojnë edicionin e katërt në vendin tonë. Javët Kulturore Ndërkombëtare vijnë me një sërë aktivitetesh të ndryshme, si ekspozita, filma, performanca artistike, etj.

  • Ekspozita “Mos kthe kokën nga shtëpia që digjet”, Jutta Benzenberg: Është historia ime personale dhe e Shqipërisë

    Ekspozita “Mos kthe kokën nga shtëpia që digjet”, Jutta Benzenberg: Është historia ime personale dhe e Shqipërisë

    “Mos kthe kokën nga shtëpia që digjet” vjen përmes fotografive nga fotografja Jutta Benzenberg. Ekspozita që çel këto ditë në Tiranë sjell tre kapituj të punës së Benzenberg: vitet ’90 – fotografi të jetës dhe realitetit shoqëror të kohës; kolazhet – rikrijime nga fragmentet e negativët e djegur; negativët e djegur – imazhe të ekspozuara për herë të parë nga arkivi i fotografes. Ekspozita u çel në galerinë hbs, pjesë e pavijonit të përkohshëm në sheshin “Skënderbej”  dhe në të njëjtën ditë u mbajt edhe promovimi i librit me të njëjtin titull, botuar nga fondacioni Heinrich Böll, zyra Tiranë, me përkujdesjen e kuratorit Olsi Hoxha, një ese nga Bashkim Shehu, si dhe tekste të dr. M. Gökhan Tuncer, drejtor i fondacionit në fjalë dhe vetë autores.
    Në hapjen e ekspozitës “Mos kthe kokën nga shtëpia që digjet” i pranishëm ishte edhe ambasadori i Bashkimit Eurpoian në Shqipëri, Silvio Gonzato. Vetë fotografja Benzenberg shprehet se kjo ekspozitë është dhe historia e saj. “…..Duhet të them se kjo ekspozitë ka të bëjë me rezistencën, ka të bëjë me emocionet dhe anën e pavetëdijshme dhe nuk është vetëm për mua, për Shqipërinë, është historia ime, historia ime e familjes, historia ime personale. Nuk munda të flija me javë të tëra, duke pritur se si do të ishte reagimi kur të shihnit këta negativë të shkatërruar… Ajo që dua të them është se shtëpia ime u dogj, por e rindërtova. Nuk e lashë të ndodhte kështu. E rindërtova në 6 muaj. Rindërtova edhe diçka këtu, në formën e kolazheve”, shprehet Benzenberg. Vitet 1990 shënuan një nga kthesat më dramatike në historinë e Shqipërisë: nga izolimi i gjatë dhe rendi autoritar, drejt një realiteti të ri të mbushur me shpresa dhe tronditje të thella. Ishte pikërisht në këtë periudhë që fotografja gjermane Jutta Benzenberg mbërriti në Shqipëri, për të dokumentuar përmes aparatit të saj çastet e një shoqërie në transformim. Për më shumë se një dekadë, ajo krijoi një arkiv sa personal aq edhe historik, duke sjellë sa fragmente të jetës së përditshme. ashtu dhe ndryshime të rëndësishme socio-politike.
    Në vitin 2006, një zjarr shkatërroi mbi 90 përqind të këtij arkivi. Për shumë vite, humbja e madhe e mbajti autoren larg këtyre kujtimeve. Por në vitin 2023, së bashku me artistin Olsi Hoxha, ajo nisi procesin e rikthimit dhe rimagjinimit të negativëve të djegur. Rezultati është një vepër e re: imazhe që qëndrojnë mes fotografisë dhe artit, mes kujtesës dhe ëndrrës, mes asaj që është humbur dhe asaj që mbetet. Kjo ekspozitë që sjell tre kapituj të punës së Benzenberg do të presë vizitorë deri në 16 nëntor dhe shoqërohet nga një program i gjerë edukimi politik dhe kulturor që përfshin biseda, punëtori, shfaqje filmash dhe net kulturore, duke hapur një hapësirë të re për reflektim mbi vitet ’90 në Shqipëri.

  • Rikthim në vitet ’90- Çelet në Tiranë ekspozita: Mos kthe kokën nga shtëpia që digjet!

    Rikthim në vitet ’90- Çelet në Tiranë ekspozita: Mos kthe kokën nga shtëpia që digjet!

    PAMJE NGA EKSPOZITA

    TIRANË-‘Mos kthe kokën nga shtëpia që digjet’ titullohet ekspozita nga Jutta Benzenberg, e çelur së fundmi në Tiranë, një fotografe gjermane, vështrimi i të cilës u formua mes historisë së Shqipërisë së viteve 1990. Imazhe bardhezi që qëndrojnë mes fotografisë, artit, që tregojnë rrugë, fytyra dhe mungesën e asaj që nuk shihet më. 
    Teksa shumë shqiptarë largoheshin, Jutta Benzenberg mbërriti në Shqipëri me një aparat fotografik në dorë. Për më shumë se një dekadë ajo ndoqi dhe fotografoi çdo zhvillim, ku Shqipëria brenda pak vitesh u hodh nga izolimi në rrymat e demokracicë. Ekspozita tregon realitetet e jetës në Shqipëri gjatë viteve 1990.
    Në hapjen e ekspozitës, e cila do të presë vizitorë deri në 16 nëntor, i pranishëm ishte drejtori i HBS (Heinrich Boll Stiftung) Goekhan Tuncer, dhe ambasadori i Bashkimit Eurpoian në Shqipëri, Silvio Gonzato. Në fjalën e tij ambasadori i BE shprehu mbështetje për projektin, ku theksoi se duke u përballur me të shkuarën mund të ecim përpara. Sipas tij kjo ekspozitë me foto tregon vendosmërinë për të ecur përpara, pasi e kaluar nuk është kurrë e heshtur.

    Sivio Gonzato: Nuk mendoj se e kaluara duhet të na ndalojë së ecuri para, por nëse ju nuk përballeni me të shkuarën, nuk mund të ecnin para. Ajo ju ngadalëson, ju ndalon së zhvilluari si shoqëri dhe demokraci. Prandaj është e rëndësishme që ne të mbajmë ekspozita si këto. Prandaj ne i mbështesim këto foto sepse na ndihmojnë të përballemi me të shkuarën dhe me konfuzionin që na ka ndaluar, por edhe na ka treguar vendosmërinë që të ecim para. Sepse e kaluara nuk është kurrë e heshtur. Ju nuk mund ta bëni të kaluarën të heshtë. Dhe prandaj ne së bashku me delegacionin e BE-së në Shqipëri ndihmojmë organizatat dhe njerëzit që duan drejtësi dhe që duan të shohin padrejtësisë e bëra gjatë periudhës komuniste.
    Nga ana tjetër, drejtori ekzekutiv i HBS, i cili mundësoi ekspozitën në Tiranë, Goekhan Tuncer rrëfeu se puna nuk ishte aspak e lehtë pasi nuk bazohet vetëm në material por edhe në emocion. Goekhan u ndal te ngjarja e fotografes, ku në 2006 si pasojë e një zjarri në shtëpinë e saj, fotot e shkrepura në vitet 1990 u bënë hi dhe tregoi se kanë punuar prej vitesh për t’i rikthyer ato.
    Goekhan Tuncer: Unë mësova se Jutta përjetoi diçka si një fotografe. Diçka kaq shumë e rëndësishme saqë nuk mund ta shpjegoj dot me fjalë. Është djegja e shtëpisë së saj me arkiva. Në momenti që dëgjova se çarë lloj fati është ky, u shokova. Pasi e di se ajo po udhëtonte dhe po angazhohej, e di që ishte pothuajse si një burg në vitet ’90. Dhe unë nuk mund ta imagjinoj sesi mund të ketë qenë puna e saj në ato vite . Për mua është shumë e rëndësishme pasi prej shumë vitesh kam punuar shumë për të sjellë gjithçka nga vitet ’90. Pra, më lejoni të them se nuk ishte e lehtë, pasi këto djegie nuk ishin vetëm materiale, por edhe emociale.
    Jo vetëm një ekspozitë, por “Mos shiko pas te shtëpia që po digjet” (“Don’t Look Back at the Burning House”) është edhe libri i fotografes Jutta./ZËRI

  • Ekspozita e konkursit fotografik “Mbro & Promovo” në edicionin e pestë

    Ekspozita e konkursit fotografik “Mbro & Promovo” në edicionin e pestë

    Ekspozita e konkursit fotografik “Mbro & Promovo” synon të nxisë artistët e rinj dhe profesionistët të shprehin përmes fotografisë perceptimin e tyre mbi trashëgiminë kulturore shqiptare. Ky konkurs fton të pasionuait e fotografisë të sjellin në vëmendje jo vetëm bukuritë e trashëgimisë sonë, por edhe sfidat që lidhen me identitetin kulturor, duke kontribuar kështu në mbrojtjen dhe promovimin e tij. Në Qendrën e Artit “Agimi” ekspozita e pestë e konkursit fotografik “Mbro & Promovo”, një nismë e shoqatës “Argjiro” u çel të premten më 12 shtator. Konkursi u lançua në kuadër të muajit të frankofonisë, ku morën pjesë shumë të rinj të rrjetit frankofon në Shqipëri. Një falënderim u drejtua për partnerët e këtij edicioni: Ambassade de France en Albanie- Ambasada e Francës në Shqipëri dhe Agjencinë e Industrisë Krijuese dhe Qendrën e Artit “Agimi”, për mbështetjen në realizimin e ekspozitës.
    Finalistët e edicionit V: Abi Fusha- Qeparoi i Sipërm Marine Brissard Virginie Elfiguigui – Bisedë Marinela Pashaj- Ksamil Bujar Gashi – Shteg, Lumi i Gashit, Tropojë Erdit Asllanaj – Duke luajtur Curle Dyjare – Shtëpia Kadare Maria Balliu – Rikthimi i banorëve të qiellit në brigjet e tyre Emi Divjaka – Pelegrinazh Renilda Cani – Shpirti i natyrës Blendi Kareco – Tirana Noir. Juria profesionale, e përbërë nga Gent Shkullaku, Lara-Scarlett Gervais, Ornela Durmishaj, Wandrille Potez, Amélie Lombardini-Morin, Sara Gurabardhi dhe Ilda Mara, shpalli si fitues të këtij edicioni fotografin nga Kosova Bujar Gashi, me veprën “Shteg, Lumi i Gashit, Tropojë”.
    Vepra sjell në fokus Lumin e Gashit, një nga mrekullitë natyrore të Shqipërisë, shpallur “Rezervë Strikte Natyrore” në vitin 1996 dhe pjesë e rrjetit të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s prej vitit 2017. Ky habitat i rrallë, me sipërfaqe 3 mijë hektarë në Alpet Shqiptare, është i mbuluar me pyje të virgjëra ahu dhe pisha alpine, duke strehuar një biodiversitet unik me flora dhe faunë të mbrojtur. Ekspozita do të qëndrojë e hapur në Tiranë deri më 19 shtator 2025, ndërsa më pas do të udhëtojë drejt Parkut Arkeologjik Kombëtar Apolonia, ku do të prezantohet në hapësirën e Trapezarisë gjatë gjithë muajit tetor.

  • Ekspozita 4 mln euro, automjetet e rralla të koleksionistëve italianë në Gjirokastër

    Ekspozita 4 mln euro, automjetet e rralla të koleksionistëve italianë në Gjirokastër

    20 automjete prodhim i fillimit dhe mesit të shekullit të kaluar, në pronësinë e koleksionistëve italianë, u ekspozuan në zonën historike.

    Mjetet e rralla me vlerë gati 4 milionë euro tërhoqën qindra vizitorë dhe turistë që kishin udhëtuar enkas për ti parë. Me pjesëmarrjen e pilotëve nga Shqipëria dhe Italia, ky aktivitet shënoi një event ndryshe në kalendarin e vjeshtës.
    “Ndodhemi këtu në Shqipëri për një tur 10-ditor për të njohur vendin tuaj. Unë personalisht disponoj një makinë të tillë të vitit 1954 dhe ishte kënaqësi e veçantë që e prezantova në këtë aktivitet”, tha një vizitore italiane.
    “Disponoj një automobil tip ‘Fiat Topolino’ të vitit 1950, e kemi trashëgimi në familje nga babai, kjo makinë ka qenë pjesë e jetës sime dhe ishte një kënaqësi e veçantë që e prezantova në këtë ekspozitë retro këtu në Gjirokastër, emocion i veçantë edhe vizita në këtë qytet të mrekullueshëm dhe me njerëz mikpritës”, u shpreh një tjetër vizitor.
    “Automjetin që kam sjellë në këtë ekspozitë e kam blerë para 10 vitesh dhe është një ‘Fiat Topolino’ prodhim i 1954, tashmë është pjesë e familjes sime, dëshiroj të vlerësoj edhe çeljen e kësaj ekspozite në Gjirokastër, me të vërtetë një aktivitet shumë i bukur”, tregoi një nga të pranishmit.
    Vetë anëtarët e klubit të koleksionistëve thanë se tashmë pjesëmarrja në aktivitete të tilla është bërë një rutinë e rregullt për ta, sepse vizitorët dhe kureshtarët janë të shumtë. Në qytetin e Gjirokastrës kjo është ekspozita e gjashtë e automjeteve retro, dhe vetë qyteti është një stacion dinjitoz për historikun dhe vlerat e tyre.
    Aktiviteti gjithashtu ka rezultuar në të gjitha edicionet si një mundësi e shkëlqyer për vizitorët që të njihen me historinë e automobilizmit krahas eksplorimit të trashëgimisë kulturore të qytetit.

    Top Channel

  • Java Kulturore Malazeze, një ekspozitë me libra të vjetër, harta e kartolina që trajtojnë temën e Shqipërisë

    Java Kulturore Malazeze, një ekspozitë me libra të vjetër, harta e kartolina që trajtojnë temën e Shqipërisë

    Ekspozita me libra të vjetër, harta e kartolina, që trajtojnë temën e Shqipërisë në shekujt XIX dhe XX u çel në kuadër të Javës Kulturore Malazeze, në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë nga Biblioteka Kombëtare “Durde Crnojevic”. Ajo vjen e kuruar nga Daniela Radulovic dhe ekspozitën e përshëndetën drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë Piro Misha dhe drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Malit të Zi “Durde Crnojevic” Dragica Lompar. Ndër veprat më të veçuara gjenden: Udhëzues për Shqipërinë në frëngjisht (Paris, 1930), Gjuha e Shqiptarëve në gjermanisht (Frankfurt, 1835), Katër muaj në Shqipëri në gjermanisht (Berlin, 1916) dhe shumë të tjera. Ekspozita pasurohet edhe me kartolina të shumta, ku spikasin punimet e mjeshtrit të fotografisë shqiptare, Marubi, si dhe një hartë ushtarake e Shkodrës e realizuar në Vjenë në vitin 1881. Një koleksion që fton vizitorët të zbulojnë historinë, kulturën dhe kujtesën e një epoke.
    Biblioteka Kombëtare shprehet se midis dy institucioneve kulturore u nënshkrua gjithashtu Memorandumi i Mirëkuptimit, që synon rritjen e bashkëpunimit profesional, shkëmbimit të materialeve me interes dhe ekspertëve, si dhe realizimin e projekteve të përbashkëta kulturor. Ekspozita do të qëndrojë e hapur edhe sot më 11 shtator në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë. Ekspozita që u çel këto ditë në Bibliotekën Kombëtare është në vijim dhe të tjera aktiviteteve që zhvillohen në kuadër të Javës Kulturore Malazeze në vendin tonë. Java Kulturore Malazeze shënon dhe fillimin e sezonit të dytë të Javëve Kulturore Ndërkombëtare këtë vit. Java Kulturore Malazeze në Tiranë nisi më datë 8 dhe vijon deri më 11 shtator. Javët Kulturore Ndërkombëtare ose JKN, është një platformë e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit që sjell një seri eventesh. Çdo javë i dedikohet një kulture të caktuar botërore. 20 shtete janë pjesëmarrëse këtë vit në edicionin e katërt të Javëve Kulturore Ndërkombëtare.