Ekspozita “Fraktura” nga tetë artistë në muzeun “Shtëpia me gjethe” në Tiranë. Ekspozita vjen si një reflektim artistik mbi kontrollin, manipulimin, vëzhgimin dhe censurën, por edhe mbi qëndresën, kujtesën dhe refleksionet e reja në të tashmen tonë.
Artistët pjesëmarrës: Berina Kokona, Fabrizio Bellomo, Ergys Krisiko, Ervis Gjini, Kristanja Çene, Ardian Isufi, Ena Bulku dhe Altin Çelmeta. Ekspozita është e kuruar nga Elton Koritari që shprehet se “Fraktura 2025” integron një ndërthurje të fuqishme ndërmjet artit bashkëkohor dhe kujtesës historike, në një nga hapësirat më simbolike të Tiranës: Muzeu “Shtëpia e Gjetheve” ku janë mbajtur peng shumë shpirtra të lirë. Sipas tij, titulli i ekspozitës nënkupton thyerjen metaforike jo thjesht në trup, por në mendjet tona, në realitetin kolektiv dhe si pasojë e një regjimi diktatorial, që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë shqiptare. Kuratori Elton Koritari thotë se artistët ndërtojnë përmes veprave të tyre një trajektore simbolesh, gjurmësh dhe imazhesh që dialogojnë me historinë e errët të persekutimit dhe me sfidat e sotme për të mbrojtur lirinë dhe të drejtat e njeriut. “Ky akt është ndërhyrje radikale artistike si një mundësi për të shëruar frakturat e së shkuarës përmes forcës së artit. Çdo cep i muzeut bëhet një pikë takimi midis aksionit artistik dhe historisë, për të analizuar mbi raportet komplekse që autoritarizimi dhe izolimi krijoi në marrëdhëniet njerëzore. Veprat shfrytëzojnë elementë të arkivit si “Epika e yjeve të mëngjesit” e Edison Gjergos, materiale audio-vizuale, objekte të ripërdorura, performanca, dhe ndërhyrje site-specific për të krijuar një atmosferë të ngarkuar emocionalisht dhe intelektualisht. Artistët janë ftuar të përballen me hapësirën si dëshmi, por edhe si një vend procesual për rivendosje, apo për të çarë heshtjen me gjuhën e artit bashkëkohor”, shprehet kuratori Elton Koritari.
Projekti në këtë muze është mbështetur nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe në kuadër të ekspozitës u prezantua edhe guida me ilustrime pamore dhe animacione, si një udhëtim interaktiv dhe tërheqës, projektuar posaçërisht për fëmijë dhe prindër. Sipas organizatorëve, kjo eksperiencë edukative u ofron familjeve një mundësi për të eksploruar muzeun “Shtëpia me gjethe” nëpërmjet lojërave, pyetjeve, mjeteve kreative dhe narrativave të përshtatura për grupmosha të ndryshme.