Mutacione gjenetike të lidhura me një toksinë bakteriale janë zbuluar më të zakonshme te personat që zhvillojnë kancer në moshë të re, krahasuar me ata që diagnostikohen pas moshës 70 vjeç. Një studim i ri sugjeron se ekspozimi gjatë fëmijërisë ndaj një toksine të prodhuar nga bakteret në zorrë mund të jetë ndër shkaktarët kryesorë të shtimit të rasteve me kancer kolorektal tek të rinjtë.
Zbulimet përfaqësojnë një tjetër dëshmi në rritje mbi arsyet që po shtyjnë rritjen globale të kancereve me shfaqje të hershme. Dikur i konsideruar si sëmundje e moshës së thyer, kanceri po godet gjithnjë e më shumë njerëz nën moshën 50 vjeç, ndërsa shkencëtarët po përpiqen të kuptojnë pse.
Sipas një studimi të publikuar në vitin 2023, numri i rasteve të diagnostikuara me kancer në moshë të re është rritur me rreth 80% që nga viti 1990, ndërsa numri i vdekjeve ka shënuar rritje me 28%. Kanceret e prostatës dhe të fytit janë ndër ato me rritjen më të madhe të incidencës.
Shkaktarët ende nuk janë plotësisht të qartë, por studiuesit besojnë se një kombinim i faktorëve mjedisorë dhe atyre të stilit të jetesës mund të nxisë mutacione gjenetike që rrisin rrezikun për disa lloje kanceri.
Analiza më e fundit, e publikuar në revistën shkencore Nature, tregon se për kancerin kolorektal, një faktor kyç mund të jetë ekspozimi në fëmijëri ndaj një toksine bakteriale të quajtur kolibaktinë, e prodhuar nga një shtam i veçantë i baktereve E. coli, të cilat jetojnë normalisht në zorrë.
Studimi zbuloi se ekspozimi në moshë të vogël lë një “gjurmë” gjenetike karakteristike në qelizat e zorrës së trashë, duke rritur rrezikun që individi të zhvillojë kancer kolorektal përpara moshës 50 vjeç.
“Këto modele mutacionesh përfaqësojnë një lloj arkive historike në gjenomë dhe tregojnë për një ekspozim në jetën e hershme ndaj kolibaktinës si një forcë nxitëse pas sëmundjes së hershme,” tha Ludmil Alexandrov, autori kryesor i studimit dhe profesor në Universitetin e Kalifornisë në San Diego.
Studiuesit analizuan mostra nga 981 pacientë me kancer kolorektal në 11 vende të ndryshme. Ata zbuluan se mutacionet e lidhura me kolibaktinën ishin 3.3 herë më të zakonshme tek pacientët nën 40 vjeç, krahasuar me ata të diagnostikuar pas moshës 70 vjeç. Në vendet ku kanceri kolorektal në moshë të re është më i përhapur, mutacionet ishin edhe më të pranishme.
Këto ndryshime gjenetike shfaqeshin që në fazat e hershme të zhvillimit të tumorit, në përputhje me kërkime të mëparshme që tregojnë se mutacionet mund të ndodhin brenda dhjetë viteve të para të jetës. Kjo sugjeron se bakteret mund të krijojnë terrenin për zhvillimin e kancerit dekada përpara se të shfaqen simptomat.
“Kjo e ndryshon mënyrën se si mendojmë për kancerin,” shtoi Alexandrov. “Ndoshta nuk ka të bëjë vetëm me atë që ndodh në moshën e rritur – kanceri mund të ndikohet edhe nga ngjarje që ndodhin në vitet e para të jetës.”
Ekspertët theksojnë se nevojiten më shumë studime për të konfirmuar nëse mutacionet e lidhura me kolibaktinën shkaktojnë drejtpërdrejt kancer kolorektal, si dhe për të kuptuar se si fëmijët ekspozohen ndaj këtij bakteri.
“Ende nuk është e qartë se si dhe kur shtami i veçantë i E. coli arrin në zorrë, dhe pse zakonisht zhduket përpara se të fillojë zhvillimi i kancerit,” tha Trevor Graham, drejtor i Qendrës për Evolucionin dhe Kancerin në Institutin e Kërkimeve për Kancerin në MB.
Gjithashtu, ka paqartësi mbi mënyrat e eliminimit të baktereve, si dhe nëse ky veprim do të ketë pasoja të padëshiruara për shëndetin e zorrëve, pasi disa shtame të E. coli përdoren edhe në probiotikë.
“Ka shumë njerëz që mund të ekspozohen ndaj kolibaktinës pa zhvilluar kancer,” tha Graham. “Mendoj se është shumë e mundshme që kanceri të ndodhë vetëm në disa raste, sepse edhe nëse një person ka ‘bakteret e këqija’ që shkaktojnë mutacione, ato duhet të shkaktojnë mutacionet e duhura që kanceri të zhvillohet.”/ Euronews – Syri.Net

