Tag: eksportuara

  • Shqipëria rrit eksportet, ja cilat janë 5 shtetet që kërkojnë produkte ‘made in albania’

    Shqipëria rrit eksportet, ja cilat janë 5 shtetet që kërkojnë produkte ‘made in albania’

    Produktet shqiptare kanë një hartë të gjerë të tregjeve botërore ku mund të gjenden, por kjo është në varësi të kërkesës specifike të secilit shtet, por edhe të standardeve të përcaktuara dhe që duhen plotësuar.
    Produktet më të eksportuara të tokës bujqësore, për vitin 2025 janë bostanorët, domate, tranguj, zarzavate dhe kërpudha.
    Por cilat janë shtet kryesore që kanë kërkesë të lartë për këto produkte?
    Të dhënat zyrtare për periudhën janar-gusht 2025, tregojnë se bostanoret si produktet më të kërkuara “Made in Albania”  janë eksportuar më së shumti në Kosovë, Serbi, Çeki, Bosnje-Hercegovinë dhe Bullgari.  Sasia më e lartë e bostanoreve është eksportuar në Kosovë, afro 21.4 mijë ton, ndjekur nga Serbia me afro 11.3 mijë ton.
    Ndërsa domatja shqiptare, si produkti i dytë më i eksportuar shkon në Serbi dhe Kosovë, ku edhe në këtë rast, sasia më e lartë shkon në Serbi, me afro 11.7 mijë ton dhe rreth 10 milionë euro.
    Po ashtu trangujt shkojnë më së shumti në tregun serb, ku në 8 muaj, janë rreth 5.6 mijë ton dhe zarzavatet e tjera në tregun e Kosovës, me afro 6.2 mijë ton të eksportuara deri në muajin Gusht.
    Sipas të dhënave, rezultojnë se pjepër dhe shalqi janë  54.6 mijë ton të eksportuara vetëm në 8 muaj, duke regjistruar një rritje prej 12.4 mijë ton. Vlera e bostanorëve të eksportuara arriti në 12.9 milionë euro nga 10 milionë euro në 2024-ën. Ndërsa janë eksportuar 18 mijë ton domate me vlerë 11.3 milionë euro
    Sasia e produkteve të prodhuara në tokën shqiptare që kanë shkuar në tregjet botërore ka arritur në 361.994 ton deri në muajin Gusht 2025.
    Krahasuar me periudhën janar-gusht të vitit të kaluar, volumi i eksporteve është rritur me 9.1%.
    Objektivi ambicioz i qeverisë është  që përmes instrumenteve të mbështetjes, siç është Skema Kombëtare, Skema e Investimeve, Garancia Sovrane apo linja e kredisë së butë, që deri në vitin 2030 vlera e eksporteve të produkteve bujqësore të arrijë në 1 miliardë euro.

  • Edhe specat e kuq të eksportuara nga Shqipëria me pesticide, Sllovenia i tërheq nga tregu

    Edhe specat e kuq të eksportuara nga Shqipëria me pesticide, Sllovenia i tërheq nga tregu

    Sllovenia ka tërhequr nga tregu një sasi me speca të kuq, të eksportuara nga Shqipëria për shkak të nivelit të lartë të pesticideve.

    Pas domateve dhe pjeshkëve të bllokuara në Kroaci, në Slloveni është bllokuar një sasi me spec të kuq. Kompania Geaprodukt në Slloveni, që merret me tregtimin e fruta-perimeve, u ka kërkuar konsumatorëve që të kthejnë pas produktin në dyqanet ku i kanë blerë ose t’i hedhin në mbeturina.

    Në to janë gjetur pesticide në sasi të lartë si acetamiprid, formetanate dhe flonicamid. Produkti i eksportuar nga Shqipëria drejt Sllovenisë, nga data 24 gusht deri në 4 shtator, ishte paketuar në kuti kartoni dhe më pas në qese plastike.

    Sipas mediave të huaja, kompania sllovene iu ka kërkuar të gjithë qytetarëve të mos e konsumojnë produktin, për shkak të pesticideve të tepërta, por ta kthejnë në vendin e blerjes ose ta hedhin. Ndërsa, personat që kanë qenë në kontakt me ushqimin e kontaminuar, duhet të dezinfektojnë duart, njoftuan autoritetet në Slloveni.

    Ndërkohë, më 3 shtator, Kroacia dhe Bosnjë Hercegovina bllokuan pjeshkët nga Shqipëria, pasi përmbajnë pesticide. Po ashtu, Kroacia asgjësoi 4 tonë me domate shqiptare, pasi rezultuan të ishin spërkatur 5 herë më tepër se norma e lejuar me helmin që vret insektet chlorfenapyr. Domatet e rrezikshme u groposën nga shteti kroat, i cili po ashtu më 22 gushti kishte asgjësuar 5 tonë pjeshkë nga Divjaka, sepse në këtë frutë shqiptar ishte gjetur prezencë e lartë e metalit të rëndë, nikel.