Tag: eksperti

  • Edhe pas mbylljes TikTok sërish mund të hapet nga Shqipëria/ Eksperti tregon sa e sigurtë është ‘VPN’ për të dhënat personale

    Edhe pas mbylljes TikTok sërish mund të hapet nga Shqipëria/ Eksperti tregon sa e sigurtë është ‘VPN’ për të dhënat personale

    Zyrtarisht, platforma TikTok nuk funksionon më në Shqipëri. Këtë lajm e dha vetë kryeministri Edi Rama në rubrikën “Sy m’ sy”.
    Kreu i qeverisë tha se çdo formë tjetër që lejon përdorimin e kësaj platforme është e rrezikshme, pasi të dhënat e përdoruesve mund të përdoren nga keqbërësit, në këtë rast hakerat.
    “Procedura për mbylljen e TikTok-ut ka përfunduar për telefonat smart. Dhe mënyra për t’iu shmangur bllokimit duke përdorur VPN është shumë e rrezikshme, pasi dihet botërisht se përmes VPN-ve falas hakerat bëjnë namin në grabitjen e të dhënave të telefonit”, tha Rama.
    Por, për ekspertët e IT-së, Erion Demiri, ekspert IT, qeveria nuk zgjodhi mënyrën më të mirë për të bllokuar një platformë gjigante si TikTok.
    “Metoda më normale me të cilën mund të mbyllet një platformë është duke dhënë një sasi të madhe adresash për ISP-të e ndryshme, të cilat kanë për detyrë që të bllokojnë këto adresa. Për momentin, ofruesit e shërbimit të internetit dhe kompanitë telefonike po i bllokojnë manualisht këto adresa”, tha ai.

    Sipas Erion Demirit, TikTok-u do të jetë sërish në telefonat e shqiptarëve edhe pa qenë nevoja e një VPN-je.
    “Nuk është kjo mënyra që duhet të ishte zgjedhur. Kjo është mënyra më e vështirë dhe njëkohësisht më pak efikase, sepse platformat e mëdha si TikTok-u i ndryshojnë vazhdimisht adresat e tyre. Nëse ne arrijmë një rezultat, ato do ta ndryshojnë shumë shpejt adresën dhe do të kthehet në një lojë si macja me miun.”, shtoi eksperti.
    Ashtu siç tha kreu i qeverisë, ka forma të tjera për të bllokuar TikTok-un. Por, ne kemi naviguar në TikTok. VPN është një sasi protokollesh dhe teknikash ku një pajisje, qoftë telefon apo kompjuter, lidhet me një server jashtë Shqipërisë.
    “Shkarkojmë një VPN falas, ku me anë të një adrese emaili mund të krijojmë një llogari dhe, pasi ta krijojmë këtë, do të na kërkohet të instalojmë aplikacionin përkatës. Na jepet mundësia që të zgjedhim nga cili vend të dukemi sikur jemi, në këtë rast, Amsterdam. Dhe normalisht, nuk kemi më këto kufizime që na janë vendosur nga ISP-të shqiptare”, tha eksperti.
    Dhe kështu, jemi sërish në TikTok pa ndryshuar adresën dhe pa paguar asgjë.

  • “New York Times”: Shqipëria mes destinacioneve mahnitëse evropiane për t’u vizituar në 2025

    “New York Times”: Shqipëria mes destinacioneve mahnitëse evropiane për t’u vizituar në 2025

    Eksperti i udhëtimeve, Simon Calder ka zbuluar destinacionet e fshehta evropiane “mahnitëse” për të vizituar në vitin 2025 – përpara se ato të pushtohen nga turistët ndërkombëtarë, shkruan David Landsel në gazetën e përditshme amerikane “New York Times”.
    “Amerikanët thyen rekordet e udhëtimeve në vitin 2024 – ku 1 dhjetori u shënua si dita më e ngarkuar ndonjëherë në aeroportet e vendit”, sipas TSA.
    “Mbi 20,2 milionë turistë amerikanë vizituan Evropën në vitin 2023”, sipas Zyrës Kombëtare të Udhëtimeve dhe Turizmit në SHBA – miliona turistë më shumë krahasuar me periudhën para pandemisë – ku u regjistruan 17,3 milion vizitorë në 2019.
    Nëse vizitoni Spanjën, Francën apo Italinë, merrni masa drastike – pasi për shembull, mund të tarifoheni për nje “selfie” në shatërvanin Trevi në Romë, apo të merrni parasysh pezullimin e Airbnbs në Barcelonë.
    Ekzistojnë dy destinacione evropiane që gazetari dhe eksperti i udhëtimeve, Simon Calder rekomandon dhe i vlerëson si vende magjepsëse dhe të paprekura nga turizmi masiv.
    “Të gjitha indikacionet që kemi parë, për shembull, numri i turistëve që qarkullojnë në aeroporte dhe shifrat e fundit nga kompanitë e udhëtimeve tregojnë se ekziston “një oreks i pangopur” për udhëtime. Dhe viti 2025 do të jetë fantastik për të ofruar alternativa të shumta”, tha gazetari dhe eksperti i udhëtimeve, Simon Calder për “Daily Express”.

    Eksperti i udhëtimeve ka sugjeruar Shqipërinë dhe Bullgarinë si dy destinacionet kryesore evropiane për të vizituar në vitin 2025 – në një përpjekje për të nxitur turistët e huaj të zgjedhin vende që nuk janë prekur ende nga turizmi masiv, dhe të cilat i vlerëson si ideale për pushime verore.
    Shqipëria
    Shqipëria është shtëpia e shumë resorteve bregdetare në detin Adriatik – dhe disa prej tyre janë krahasuar me Maldivet – falë ujërave të pastra kristal. Ky vend mesdhetar konsiderohet si një nga destinacionet më të përballueshme për pushime në Evropë.
    “Shqipëria është një nga vendet më buxhetore në Evropë. Unë e shoh Shqipërinë si destinacionin e ardhshëm turistik”, tha Calder.
    “Plazhe fantastike, njerëz miqësorë dhe çmime të përballueshme”, shtoi ai.
    Shqipëria është shtëpia e vargmaleve të ndryshme malore, plazheve mahnitëse të konsideruara si “Maldivet e Evropës”, me një kryeqytet të gjallë dhe rrënoja të mrekullueshme në atraksionet e përfshira në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Në vitin 2023, 10 milionë turistë të huaj vizituan Shqipërinë për të kaluar pushimet. Numri i vizitorëve në Shqipëri pritet të rritet në vitet në vijim.

  • Prostitucioni me “qira” në Airbnb, eksperti i ashpër: Pronarëve t’u sekuestrohen shtëpitë

    Prostitucioni me “qira” në Airbnb, eksperti i ashpër: Pronarëve t’u sekuestrohen shtëpitë

    Në muajin mars të vitit të kaluar, Ministria e Financave u tërhoq nga detyrimi që pronarët e banesave që jepen me qira nëpërmjet AirBnB apo Booking të regjistroheshin në QKB.
    Gjatë muajve të fundit, në Tiranë janë rritur ndjeshëm aktivitet e paligjshme që zhvillohen pikërisht në këto ambiente, të cilat kryesisht ndodhen në bllok pallatesh e në zona të tej populluara. Rasti më i fundit ishte shfrytëzimi i 44 vajzave kolumbiane për prostitucion në banesa të marra me qira në platformën Airbnb, si dhe më herët i një vajze të mbajtur peng në zonën e Astirit ku me një grup vajzash e djemsh kishin konsumuar lëndë narkotike.
    Eksperti Fation Softa thotë se për personat që japin banesat me qira dhe në to ushtrohet aktivitet kriminal, duhet të ketë ndjekje penale, deri në sekuestrim të ambientit.
    “Këto struktura duhet të jenë të regjistruara. E dyta duhet të ngarkohen me përgjegjësi administratorët e pallateve të cilët duhet të informojnë. Duhet të ngarkohet me përgjegjësi ligjore ai që e përdor këtë strukturë, pra pronari i asaj strukture që e jep këtë gjë dhe si duhet të ketë një regjistër. Duhet të ketë detyrimin ligjor të informojnë për aktivitetin që bëjnë dhe në rastet kur aktiviteti i tyre është i paligjshëm do të thotë që është i padeklaruar vendi, nipti ose përgjegjësitë që kanë, atëherë duhet të merren masa ndoshta ligjore, duke filluar që nga bllokimi i aktivitetit, që nga procedimi penal ndaj tyre dhe pse jo nëse këta përdorin si qendër prostitucioni, të shikohet mundësia deri në sekuestrimin e banesës së tyre. Pra duhet të shtohet presioni ligjor”, tha për A2 CNN eksperti Fation Softa.
    Por a duhet të legalizohet prostitucioni në vendin tonë? Eksperti Fation Softa nuk është i sigurt nëse kjo e zgjidh problemin por thotë se ka nevojë të ketë më shumë kontroll, jo vetëm mbi territorin, por që në Pikat Kufitare.
    “Sot vijnë prostitutat, nesër mund të vijnë grupet terroriste. Pra në mënyrën e kontrollit të sistemit hyrje-daljet në Pikat Kufitare, patjetër duhet të jetë më e kontrolluar. Pastaj nëse ky fenomen duhet të disiplinohet apo duhet të legalizohet unë nuk jam në gjendje të shprehem sepse menjëherë duhet të marr krahun e dikujt apo krahun e dikujt tjetër pa dëshiruar, them se duhet të jetë referendum”, shtoi eksperti.
    Pak ditë më parë, policia goditi në Tiranë një bazë prostitucioni me vajza kolumbiane, të cilat pasi dolën në gjykatë deklaruan se nuk kishin dijeni që në Shqipëri ky aktivitet ishte vepër penale.