Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, duke iu referuar mbylljes së hetimeve ndaj tij, deklaroi se akuzat janë të formuluara nga Edi Rama dhe theksoi se fletërrufenë e Kryeministrit do ta shpartallojë në gjykatë.
Në një intervistë ekskluzive për Syri.net, Meta nuk shprehu pendesë që nuk hyri në listën e mbyllur, por evidentoi bindjen se megjithëse nuk do të jetë vetë në Parlament, Partia e Lirisë do të ketë aty një përfaqësim dinjitoz.
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në një intervistë ekskluzive për Syri.net komenton përfundimin e hetimeve ndaj tij, por edhe rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit. Marrjen të pandehur Meta e cilëson si një zhvillim procedurial dhe shprehet i bindur se procesin ndaj tij të iniciuar nga Edi Rama do ta çmontojë në gjykatë.
“Për mua vetëm zhvillim pozitiv procedurial i ri dhe asgjë tjetër. Akuzat ndaj meje janë formuluar zyrtarisht dhe publikisht nga Kongresi i ‘Rilindjes’ që në kohën kur kam qenë President i Republikës. Nga mercenarët e Edi Ramës nuk mund të zhgënjehesh, sepse edhe ai është mercenar i të tjerëve. Por për mua është pozitive çdo ditë që shkojmë drejt Gjykatës dhe gjykimit që nuk mund të jenë të mbyllura, ku ne do të shpartallojmë fletërrufenë e Edi Ramës publikisht nga Tirana dhe deri në Strasburg.”
I pyetur nëse është penduar apo ka vepruar gabim që nuk hyri në listën e mbyllur në zgjedhjet e 11 majit, presidenti i Partisë së Lirisë thotë se ka qenë gjithmonë kundër listave të mbyllura, por gjithashtu ka bindjen se ai dhe Partia e Lirisë do të përfaqësohen denjësisht në Parlamentin e ri.
“Së pari, parimore sepse përherë kam qenë kundër listave të mbyllura dhe është absurd që qytetarët mund të zgjedhin praktikisht vetëm 1/3 e deputetëve, se 2/3 janë të paravendosur. Së dyti, nuk doja të krijoja asnjë avantazh individual vetes në dëm të Opozitës së Bashkuar, pasi nëse do isha në listë të mbyllur, një nga tezat më kryesore kundër opozitës do të ishte që ja, koalicioni u bë për të nxjerrë Metën nga burgu. Por jam i sigurt se zëri im do kumbojë fort në Kuvendin e ri dhe besoj plotësisht se z. Tedi Blushi do bëjë një diferencë të dukshme në Kuvendin e ri, ashtu siç e bëri edhe në Këshillin e Bashkisë së Tiranës. Duke i falënderuar të 8 mijë heronjtë që votuan Ilir Metën, shpreh mirëkuptimin edhe ndaj dhjetëra mijëra të tjerëve që për fajet tona u ‘dekonspiruan’ te patronazhistët dhe ose u penguan të votojnë, ose u detyruan të votojnë në mënyrë të kontrolluar.”
Presidenti i Partisë së Lirisë thotë se tashmë partia që ai drejton do të zhvillojë një analizë të këtyre zgjedhjeve dhe do të nisë përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme lokale.