Tag: egjiptit

  • Netanyahu kundër Egjiptit: Burgos banorët e Gazës që duan të largohen nga zona e luftës

    Netanyahu kundër Egjiptit: Burgos banorët e Gazës që duan të largohen nga zona e luftës

    Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu akuzoi Egjiptin se mban të burgosur banorë të Gazës që dëshirojnë të largohen nga zona e luftës.
    Komentet e Netanyahut erdhën pas deklaratës së Egjiptit, i cili tha se nuk do të pranojë shpërnguljen masive të palestinezëve dhe veprimet që i konsideron si gjenocid.Lexo edhe :Related Posts
    Ministri i Jashtëm egjiptian Badr Abdelati tha se vendi i tij “dënon në mënyrë absolute” deklaratat e kryeministrit izraelit, duke i quajtur ato një përpjekje për të “zgjatur përshkallëzimin në rajon dhe për të konsoliduar paqëndrueshmërinë”.

    Ai gjithashtu theksoi se dëbimi i palestinezëve nga atdheu i tyre është një “vijë e kuqe” për Egjiptin dhe nuk do të lejohet.
    “Dëbimi do të thotë shfarosje dhe fundi i çështjes palestineze”, u tha Abdelati gazetarëve, duke përsëritur akuzën se Izraeli po kryen gjenocid, një akuzë që Izraeli e mohon kategorikisht.
    Egjipti ka mbyllur kufirin e tij me Gazën pasi Izraeli pushtoi pikën e kalimit Rafah, dhe që nga shpërthimi i luftës në rajon në tetor 2023, ka ndërtuar një mur kufitar betoni që shkon deri në gjashtë metra nën tokë dhe është i mbuluar me tela me gjemba.
    Gjithashtu ka ndërtuar diga dhe ka rritur mbikëqyrjen në pikat kufitare, sipas burimeve të sigurisë./vizionplus.tv

  • 10 fakte të lashta për Ramsesin e Madh

    10 fakte të lashta për Ramsesin e Madh

    Nga arritjet ushtarake deri te jeta e tij personale, zbuloni 10 fakte për Ramsesin e Madh, një nga faraonët më të famshëm të Egjiptit.

    Ramses II sundoi Egjiptin me stil, fuqi dhe një talent të jashtëzakonshëm. Ai ishte sundimtari i tretë i Dinastisë së Nëntëmbëdhjetë dhe mbretëroi për plot 66 vite, duke fituar pseudonimin “Ramsesi i Madh” dhe duke u bërë faraoni më i njohur në historinë e Egjiptit.

    1. Luftëtari që udhëhiqte nga fronti

    Ramsesi nuk ishte tipi që fshihej pas mureve të pallatit. Ai luftonte në vijat e para të frontit nëpër beteja, duke udhëhequr ushtrinë e tij në Betejën e madhe të Kadeshit kundër Hititëve. Mijëra qerre u përleshën në këtë betejë historike. Edhe pse beteja përfundoi pa një fitues të qartë, Ramsesi siguroi që versioni i tij i historisë të mbizotëronte, duke skalitur heroizmat e tij si luftëtar në muret e tempujve.

    2. Diplomati i parë

    Pas Kadeshit, Ramsesi dhe Hititët zgjodhën paqen. Marrëveshja e tyre, e firmosur nga Ramsesi II dhe mbreti Ḫattušili III në vitin 1269 p.e.s., u gdhend në pllaka balte. Ajo është traktati më i hershëm i paqes i njohur në botë. Origjinali ruhet në Muzeun Arkeologjik të Stambollit, ndërsa Kombet e Bashkuara zotërojnë një kopje prej bakri me shkëlqim.

    3. Arkitekti i madhështisë

    Ramsesi nuk ndërtoi thjesht tempuj; ai krijoi kryevepra. Ramseseum-i, një tempull i madh mortor i ndërtuar në bregun perëndimor të lumit Nil, është kryevepra e tij. Ai e filloi ndërtimin e këtij tempulli për veten që para vdekjes.

    Tempulli iu kushtua mbretit të ndjerë dhe perëndisë egjiptiane të luftës, Amonit. Një statujë 17 metra e gjatë e Ramsesit II qëndronte dikur në krye të tempullit, por sot kanë mbetur vetëm fragmente.

    Abu Simbel është një tjetër shembull mahnitës i ambicies së tij. Tempulli i lashtë është gdhendur në faqen e një mali dhe është ndërtuar në mënyrë të tillë që rrezet e diellit të ndriçojnë dhomat e brendshme në ditë të caktuara. Në hyrje të tempullit ndodhen skulptura të mëdha të Ramsesit II, bashkë me imazhe të gruas së tij, Nefertari, dhe fëmijëve. Brenda tempullit ndodhen skulptura që lartësojnë udhëheqjen e tij heroike në Betejën e Kadeshit. 

    4. Njeri i familjes (në ekstrem)

    Me rreth 100 fëmijë, Ramsesi siguroi dominimin e gjakut të tij. Djemtë dhe vajzat e tij ndihmuan në forcimin e aleancave dhe administrimin e perandorisë së gjerë. Të organizoje mbledhje familjare me kaq shumë njerëz duhet të ishte një sfidë e vërtetë.

    5. Faraoni me mbretërimin më të gjatë

    Pak sundimtarë në histori mund të krahasoheshin me sundimin 66-vjeçar të Ramsesit. Ai u mbijetoi dallgëve, zgjeroi ndikimin e Egjiptit dhe siguroi reputacionin e tij si një perëndi e gjallë. Në kohën e vdekjes së tij, populli e shihte si të përjetshëm.

    6. Një varr me histori të trazuar

    Varri i Ramsesit nuk u shpëtoi grabitësve të varreve, por mumia e tij mbijetoi dhe u zbulua më vonë në një strehë sekrete. Sot, eshtrat e tij prehen në Muzeun Kombëtar të Qytetërimit Egjiptian në Kajro, një kujtesë fizike e sundimit të tij.

    7. Mjeshtër i propagandës

    Ramsesi ishte një mjeshtër i PR-it të lashtë. Përshkrimet e tij e portretizonin si një luftëtar të pamposhtur, shkatërrues të armiqve dhe të preferuar të perëndive. Me pak fjalë, ai e dinte si të kontrollonte narrativën e tij.

    8. Nefertari: mbretëresha dhe e barabarta e tij

    Ramsesi nuk glorifikoi vetëm veten; ai nderoi në një mënyrë të veçantë mbretëreshën e tij, Nefertari. Tempulli i saj në Abu Simbel e portretizon si të barabartë me faraonin. Një mbishkrim e quan atë “ajo për të cilën shkëlqen dielli”, një shfaqje e rrallë publike e dashurisë në kohët e lashta.

    9. Jetë më e gjatë se trashëgimtarët

    Jetëgjatësia e Ramsesit nuk ishte pa sfida. Shumë nga fëmijët dhe gratë e tij vdiqën para tij. Mosha e tij e thyer e la Egjiptin në një gjendje të qëndrueshme, megjithëse gjetja e një pasardhësi pas një mbretërimi kaq të gjatë ishte e vështirë.

    10. Një emër që jeton ende

    Ramsesi mbeti një simbol madhështie edhe shumë kohë pas vdekjes. Trashëgimia e tij pati ndikim mbi faraonët pasardhës dhe vazhdon të mahnitë historianët modernë. Edhe në kulturën popullore, emri i tij evokon imazhe fuqie dhe lavdie.

    Gjatë një periudhe prej rreth 3,000 vitesh, Egjipti u sundua nga rreth 170 faraonë. Jo të gjithë magjepsin egjiptologët si Ramsesi i Madh. Ai nuk ishte vetëm një sundimtar; ishte ambasadori i fundit i markës së Egjiptit. / bota.al/ KultPlus.com

  • Lidhja e Pirros me qytetin e lashtë të Antigonesë.

    Lidhja e Pirros me qytetin e lashtë të Antigonesë.

    Në moshën 12-vjeçare, Pirro kthehet në Epir dhe bëhet mbret me ndihmën e Glaukut, mbreti ilir i Taulantëve . Disa vite më vonë kur ndodhej përsëri te taulantët, rrëzohet nga froni pas një kryengritjeje kundër tij. Pas kësaj ai shkoi në shërbim të mbretit Demetër të Maqedonisë e më vonë në oborrin e mbretit Ptoleme të Egjiptit. Atje tërhoqi vëmendjen e mbretëreshës së Egjiptit, Berenices, që e përzgjodhi midis princërve të tjerë për t’u martuar me Antigonenë, njërën prej vajzave të çiftit mbretëror të Egjiptit. Duke pasur mbështetjen e gruas së tij, Antigonesë ai mblodhi të holla dhe ushtri dhe u kthye në Epir duke rrimarë fronin mbretëror. Mirënjohja ndaj vjehrrës Berenice dhe gruas së tij Antigone e nxitën Pirron të themelojë dy qytete me emrin e tyre: Berenika dhe Antigonea. I pari gjendej në Thesproti, ndërsa Antigonea në Antitani. Antigonea u themelua në vitin 295 p.e.s.📷 Antigonea – Sipas historianit të lashtësisë, Plutarkut, Antigonea qe qyteti që u lind nga dashuria dhe u shkatërrua nga urrejtja.Dh. Budina ishte i pari që zhvilloi gërmime shumëvjeçare arkeologjike si dhe nga vrojtimi i gjurmëve të rrugëve e banesave mundi të paraqes në vija kryesore fortifikimin dhe urbanistikën e Antigonesë

  • Faruku i Egjiptit, si u rrëzua nga froni mbretëror i fundmi i dinastisë shqiptare 

    Faruku i Egjiptit, si u rrëzua nga froni mbretëror i fundmi i dinastisë shqiptare 

    Më 23 korrik të vitit 1952. Mbreti Faruk I i Egjiptit lëshon fronin pas një grusht shteti të drejtuar nga Gamal Abdal Nasser. Për shkak të simpative të tij pro-Boshtit gjatë Luftës së Dytë Botërore, britanikët imponuan mbi të një kryeministër pro-britanik në vitin 1942. Korrupsioni i madh, dhe humbja në vitit 1948 në luftën arabo-izraelite, përfundimisht çuan në grushtin ushtarak të shtetit të vitit 1952, të kryesuar nga Muhammad Naguib dhe Gamal Abdal Nasser. Faruk, i fundmi i dinastisë shqiptare Muhhamet Ali, u detyrua të heq dorë nga froni…

    …Faruku, ishte sundimtari i dhjetë i Egjiptit nga Dinastia e Mehmet Aliut dhe mbret i parafundit në Mbretërimin e Egjiptit dhe Sudanit, duke pasuar babanë e tij, Fuadin I që vdiq në 1936 dhe që ishte konsideruar mbreti i parë egjiptian. Titulli i plotë i tij ishte “Madhëria e Tij Faruk I, nga hiri i Perëndisë, mbreti i Egjiptit dhe Sudanit, Sunduesi i Nubias, Kordofanit dhe e Darfurit.” Faruku u përmbys nga një revolucion egjiptian, tip ala socialist që u mbështet nga BS dhe Tito në vitin 1952. Faruku u detyrua të abdikojë në favor të tij djalin e mitur, Ahmed Fuad, i cili e pasoi atë si Mbret duke u quajtur Mbreti Fuad II. Faruku vdiq në mërgim në Itali në rrethana shumë të dyshimta, për të cilën vdekje, kurrë nuk u bënë hetime. Motra e tij është Fevzia Shirin, si gruaja e parë dhe njëkohësisht ish Mbretëreshë e Iranit duke qënë bashkëshorte e Shahut të Iranit, Mohammad Reza Pahlavi e cila vdiq në moshën 91 vjeçareje në vitin 2013.

    Kurora

    Princi Faruk erdhi në fron në vitin 1936. Mbreti i ri në atë kohë ishte vetëm 16 vjeç dhe do të kontrollonte tërë punët e mbretërisë, megjithatë, derisa ai u bë 18 vjeç nuk i pati të gjitha kompetencat e Mbretit pasi një këshill prej disa vetësh bënte punën e tij. Si stërnip i të Madhit Mehmet Ali Pashë, Faruku ishte shqiptar nga babai dhe egjiptian nëpërmjet nënës së tij mbretëreshë e cila, në fakt kishte gjak të përzier egjiptian-francez-shqiptar. Para vdekjes së babait të tij, ai ishte arsimuar në Akademinë Ushtarake Mbretërore, Uluiç, Angli. Pas kurorëzimit të tij, në moshën 16 vjeçare, Faruku mbajti një fjalim në radion publike të vendit. Ishte hera e parë që në Egjipt, Mbreti i fliste drejtpërsëdrejti popullit të vet në mënyrë të tillë: “Me që është vullneti i Zotit të vë mbi supet e mia një barrë të tillë, në një moshë kaq të njomë, unë marr përsipër ta kryej atë me nder e përkushtim…dhe jam i përgatitur për të gjitha sakrificat në rrugën e detyrës time… Jam krenar për besnikërinë tuaj, ashtu siç betohem të jem edhe unë ndaj jush e Perëndisë. Le të punojmë së bashku. Ne do të kemi suksese dhe do të jemi të lumtur. Lavdi atdheut!” Në moshën 18 vjeçare ai tashmë ishte një i ri bukurosh që ishte i kënaqur me gjithçka dhe dukej në publik tepër ekstravagant, impulsiv, egoist, mëndjemadh. Pasuria e tij ishte jashtëzakonisht e madhe. Këshilli i dha tërë kompetencat dhe ai tashmë dukej akoma me ekstravagant. Gjëja e parë që bëri ishte urdhri që të kishte në dispozicion disa qindra makina luksoze të tipit Rolls-Rojses të shpërndara nëpër Evropë ku ai filloi të frekuentonte klubet shumë të shtrenjta evropiane dhe dyqanet me të kripura të botës. Gjëja e dytë që bëri ishte blerja e disa dhjetëra jahteve luksoze për shëtitje në det dhe gjeja e tretë ishte blerja pa masë e xhevahireve dhe gurëve të tjerë të çmuar nga Van Cleef & Arples. Më vonë i lindi pasioni për tokën dhe bleu disa mijëra hektarë ku ndërtoi mbi 40 pallate madhështore të cilat i mbushi me gjëra antike shumë të shtrenjta, po ashtu bleu shumë vepra arti nga më të shtrenjtat. Edhe pse ai tashmë kishte mijëra hektarë tokë, dhjetëra pallate, dhe qindra e makina, mbreti i ri shpesh do të udhëtonte për në Evropë për një pazar të ri duke shtuar zemërimin e shumë ndjekësve të tij. Ai në fillim të mbretërimit ishte shumë popullor dhe bujar. Për shembull, ai ndalonte dendur diku nëpër fshatra dhe festonte bashkë me fshatarët. Ai kur takohej me njerëz të thjeshtë nuk linte gjë pa u premtuar, bile zotohej se do ta zbriste për ata edhe Diellin në tokë! I qeshur, i bukur, fjalë ëmbël, tërë populli i Egjiptit u gënjye dhe e ndoqi me besnikëri nga pas. Faruku fillimisht ishte vërtet inkurajues për popullsinë, kështu ai bëri disa gjëra që populli i donte. Përsa i përket politikës pushtetore, Mbreti Faruk do të sundonte Egjiptin në mënyrën e trashëguar nga paraardhësit e tij duke aplikuar një metodë moderne të pushtetit. Ndërtimet e stilit evropian që edhe sot e kësaj dite janë në Kajro, janë bërë në kohën e mbretërisë së Mbretit Faruk. Madje, Egjipti konsiderohej si një shtet modern, i civilizuar, properëndimor e proamerikan falë Mbretit Faruk. Me ardhjen në pushtet të “Oficerëve të Lirë” të udhëhequr nga kryetari Abdul Al Naseri, Egjipti u kthye në një shtet të tipit diktatorial dhe vazhdon të jetë akoma i tillë. Ai mburrej shpesh për gjakun e tij egjiptian nga nëna dhe nuk bënte asnjë fjalë për gjakun shqiptar nga babai. Populli në fakt nuk e dinte se ai kishte gjak të huaj (shqiptar) por miqtë e tij dhe sferat e larta intelektuale e dinin, dhe sigurisht që ndjenin njëfarë xhelozie që një shqiptar të ishte mbret i tyre. Kështu që dolën armiqtë e parë disa prej të cilëve ai i shtypi me egërsi. Gjatë vështirësive të Luftës së Dytë Botërore, Faruku mbeti asnjanës, ai e kishte mirë me anglezët që i kishte brenda në Egjipt qysh nga koha e gjyshit të tij i cili i kishte thirrur për ndihmë në Aleksandri dhe ata kishin ngelur atje… Po ashtu ai mbajti lidhje të njëllojta si me Italinë Fashiste e Gjermaninë Naziste ashtu dhe me Boshtin Anti Nazo-Fashist. Ka një histori të pakonfirmuar që Faruku dhe ambasadori britanik Sir Miles Lampson kishin bërë një marrëveshje ku Faruku të shpëtonte italianët tek anglezët (gruaja e Lampsonit ishte një italiane) dhe anglezët t’i shpëtonte tek italianet ! Faruku kësaj marrëveshjeje ia doli mbanë. Po ashtu mendohet se në datën 8 gusht 1951, Mbreti Faruk ka qënë bashkë me Mbretin Zog dhe nipin i tij Tati kur u pritën në Departamentin e Shtetit për një vizitë ceremoniale nga Xhejmes Bombrajt, zëvendes sekretar për çështjet Evropiane. Ata diskutuanë gjatë me Grac Jaceviçin dhe oficerët e tjerë të lartë të CIA-së lidhur me arsyet e dështimeve të njëpasnjëshme të misioneve që kishin desantuar në Shqipëri. Nga ky moment, ndoshta, Enver Hoxha është betuar se do t’i vrasë të dy mbretërit bastardë e antishqiptarë !

    Lexo më shumë Çfarë kuptimi ka jeta pa liri?Përmbysja e Mbretit të Qejfit

    Pas Luftës së Dytë Botërore Mbreti Faruk u dha i tëri pas qejfit dhe nga një djalë i bukur dhe i hequr që kishte qenë erdhi dhe u bë rrumbullak duke shtuar në peshë nga grykësia e tij shumë e madhe. Faruku kishte sy blu, fytyrë të bardhë dhe flokë të zes. Ishte i gjatë dhe i bukur.

    Ai fitoi një peshë të madhe që arriti mbi në 136 kg. Punëve mbretërore pothuajse ua vari fare dhe nuk kishte më asnjë interes të dëgjonte se çfarë bëhej në mbretërinë e tij! Korrupsioni filloi të vrapojë me galop. Ishte koha kur Palestina humbi 78 % të tokave të saj nga krijimi i shtetit të ri të hebrenjve. Arabët po egërsoheshin. Pakënaqësia publike kundër Farukut u rrit jashtëzakonisht. Së fundi do të vinte revolta dhe si pasojë më 23 korrik 1952 ajo do të triumfonte. Lëvizja revolucionare nën Muhammad Naguib dhe Gamal Abdel Nasser, kishte bërë një grusht ushtarak. Faruk u detyrua të heqë dorë nga pushteti dhe shkoi në mërgim, në Monako të Italisë, ku jetoi pjesën tjetër të jetës së tij. Menjëherë pas përmbysjes së tij, Faruku shpalli Ahmed Fuad, djalin e tij foshnjë gjashtë muajsh, si Mbret Fuati i II, por kundër të gjitha qëllimeve të tij, Egjipti ishte tani nën qeverisjen e Naguib-it dhe Naser-it. Më 18 qershor, 1953, Qeveria Revolucionare shfuqizoi zyrtarisht Monarkinë duke i dhënë fund 148 vjetëve të sundimit të Dinastisë së shqiptarit Mehmet Ali Pasha. Egjipti u shpall republikë e cila nxori në ankand tërë pasurinë e Farukut. Ai mundi të marrë me vete vetëm 1933 monedha floriri pesëshe që kishin në një anë të faqes shqiponjën dy kokëshe. Këto monedha ishin gjëja më e shtrenjtë dhe më e famshme e tij. Pjesa tjetër e floririt mbretëror u zhduk.

    Mërgimi dhe Vdekja

    Jahti Mbretëror “Mahroussa”, me Farukun dhe familjen e tij brënda, la portin e Aleksandrisë në vjeshtën e 1952-shit duke u zhdukur kështu njëherë e përgjithmonë një prej dinastive mbretërore më të famshme në Lindjen e Mesme, e njohur botërisht për origjinën e saj shqiptare.

    Dinastia e shqiptarit të Kavallës, me origjinë nga Zëmblaku i Korçës, Mehmet Aliut, ushtarit trim turk që me shpatë në dorë, kishte thirrur ndjekësit e tij që ta ndiqnin drejt majës së pushtetit në Misirin e largët. Pushtet të cilin, vetëm tashti, pas 148 vjetësh, ia hoqën nga dora Dinastisë së tij dhe pinjollëve të saj shqiptarë. Jahti “Mahroussa” mbante në bord Mbretin e fundit të Egjiptit, rrethuar si stërgjyshi i tij, vetëm me roje besnike shqiptare. Jahti rrëshqiste drejt të panjohurës njëlloj si atëherë kur Mehmet Aliu me 300 shqiptarë, në kuvertën e një anije luftarake turke, rrëshqiste drjet të panjohurës në Egjiptin Mamluk dhe bonopartian! Fillimisht, Faruku mbërriti në Monako, dhe më pas në Romë, Itali. Në 1959, ai mori shtetësinë italiane. Ai vdiq në “Ile de France”, restorant në Romë, Itali, më 18 mars 1965. Sipas dëshmive ai u rrëzua në tavolinë kur ishte duke darkuar. Ndërsa disa thonë se ai ishte helmuar. Kurrë nuk u krye një autopsi zyrtare mbi trupin e tij. Njerëzit e Farukut kanë kërkuar që ai të varrosej në xhaminë Al Rifa’i në Kairo, por kërkesa e tyre ishte mohuar nga ana e qeverisë nën egjiptianin Gamal Abdel Nasser, dhe ai u varros në Itali. Më vonë trupi i tij u përcoll për në Egjipt dhe u varros në varrin e Ibrahim Pashës, Komandanit Legjendar që ishte djalë, nip dhe kushëri i Mehmet Pashës.

  • Mbreti i Shqiptarëve Zogu I dhe Mbreti Faruk i Egjiptit

    Mbreti i Shqiptarëve Zogu I dhe Mbreti Faruk i Egjiptit

    ADIL FETAHU

    Të mos dish se ç’ ka ndodhur para nesh,   Do të thotë të mbetesh përherë kalama”, (Cicero)

    Pas odisejadës së Mbretit të Shqiptarëve, Zogu I, që pati pas pushtimit Italian (1939), duke u shpërngulur prej një shteti në tjetrin, më në fund, me ftesën e Mbretit Faruk, të Egjiptit, Zogu u vendos në Kajro  e prej aty – në Aleksandri.

    Më 5 janar 1948, në rezidencën e tij, po bisedonte me Mbretin Faruk për ngjarjet në Palestinë, pasiqë Myftiu i Jerusalemit, me 2000 veta kishte ikur dhe ardhur në Kairo. Ishte situatë e tendosur, dhe Mbreti Faruk kishte ardhur të konsultohej me Zogun. Mbreti Zog ishte shprehur kundër përdorimit të forcës. E këshillonte Mbretin Faruk për urtësi dhe për bisedime me amerikanët, anglezët dhe francezët, për të gjetur rrugëzgjidhje të përshtatshme për të dy popujt, duke thënë se e vetmja mënyrë ishte ndarja e Palestinës në dy shtete.

    “Unë ju dua si një vëlla që ju kam. Po ju them atë që unë parashoh. Në rast se bëni gabim për të ndërmarrë masa ushtarake, kjo do të jetë një humbje e papërmirësueshme për ju dhe  për ata një million arabë që do të vijnë në vendet tuaja. Kështu hebrenjtë menjëherë do ta okupojnë krejtësisht Palestinën. Siç ua kam thënë shpeshherë, se izraelitët kanë Britaninë e Madhe dhe Amerikën e Francën mbrapa…Veçanërisht, në asnjë mënyrë nuk duhet arabët palestinezë ta lënë vendin e t’ikin në vende të ndryshme, si në Egjypt, Siri, Liban, Jordan”.

    Ndërkohë kishte filluar lufta arabo-izraelite. Izraelitët zotëronin armë shumë më superiore se ato të arabëve. Ata ishin shumë të organizuar dhe të furnizuar, jo vetëm prej sovjetikëve, por edhe nga të tjerët. Flitej se një fuqi për të mbrojtur Palestinën izraelite, që më 1947, ka qenë në kampet e Polonisë, si edhe në disa kampe të Alpeve italiane. Ata ishin stërvitur me mjetet më moderne dhe komandant i tyre ishte një gjeneral i Shtatmadhorisë ruse, me emrin “Kozak”. Dhe të gjitha ato trupa të stërvitura me të gjitha llojet e armëve të shumta, transportoheshin me anije nën flamurin e Panamasë, në disa limane italiane.

    Mbreti Zog ishte munduar për t’i këshilluar që të mos u japin ndonjë shkas për luftë, veçse të veprojnë në rrugë të hollë e të drejtë diplomatike. Por, dukej se nuk ishte e mundur t’i bindte. Ata (arabët) e konsideronin vetën të fortë, ndonëse u doli siç u kishte thënë Mbreti Zog dhe një million arabë palestinezë u shpërndanë në vendet e përmendura dhe mbetën të humbur.

    Më 2 shtaor 1949, kishin ardhur te Mbreti Zog në Aleksandri kryetari i Republikës së Sirisë, Shyqyri Kuatly, Myftiu i Jerusalemit, Hysen Efendiu, dhe Xhemil Madam Beu. Ata donin të  bisedonin me Mbretin e Shqiptarëve mbi rrethanat kritike që ishin krijuar pas humbjes së luftës me izraelitët. Kryetari i Sirisë tashmë kishte dhënë dorëheqjen. Ata kërkonin mendin e Mbretit Zog, se çfarë duhej të bënin tani? Zogu u kishte thçnë: “Tani është vonë, se çdogjë ka mbaruar në dëmin tuaj. Unë një vit u mundova, si me ju ashtu edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Britaninë e Madhe e Francën. Bile, në këtë rrymë, pata shtyrë edhe Turqinë në favorin tuaj, por ju nuk pranuat. Kjo situatë nuk kishte nevojë për një gjykim aq të madh, se shihej haptas që Hebrenjtë ishin të gjithë të siguruar me të gjitha nevojat, si politike ashtu edhe ekonomike. Por kjo tani iku, do të bisedojmë se ç’mund të bëjmë, e sonte do të jeni këtu për darkë. Kemi kohë të sheshojmë të gjitha problemet me interes”.

    Në bisedime e sipër, rreth orës 9 të mbrëmjes, kur po uleshin në sallën e ngrënies, kishte ardhur edhe Mbreti Faruk, me Dr.Reshatin dhe Qerim Sabitin. Pas darkës së përbashët të gjithë ishin kthyer në sallon për të pirë kafe. Atëherë, Mbreti Faruk iu kishte drejtuar Mbetit Zog me fjalët: “Madhëri, erdhëm tek një mik i madh e një gjeni. Sikur të të kishim dëgjuar këshillat e programin e Mbretit Zog, nuk do të kishim pasur këtë katastrofë, jo vetëm me humbje, por edhe me plot turp përpara botës mbarë. Ne nuk meritojmë për asgjë në gjendjen që  kemi ardhur. Të tallen me ne 2 milion hebrenjë me 50 milionë arabë”. Mbreti Zog u tha: ”Lypset gjakftohtësi, si në fitime që nuk lypset të gëzohet shumë po ashtu edhe në humbje nuk duhet të dëshprohesh aq tepër. Vetëm se lypset një gjë ta keni parasysh gjithmonë. Të jeni të bashkuar! Mos t’ju fusin asnjë shkëndijë në mes për t’ju përçarë, se atëherë nuk fitoni asgjë dhe tani prapë si një miku juaj, që më vjen keq, ju them se këtu po zhvillohet një propagandaë e Rusisë Sovjetike. Unë dua t’ju them haptazi se ajo ka futur hundët gjithkund, si në polici, në gjithë dikasteret, e bile edhe në ushtri e ndër profesorë e studetë të lartë. Kanë mbërrijtur deri në shkretëtirë të zhvillojnë propagandën e tyre edhe duke derdhur të holla. Dhe, ju vet i ndihmoni duke kritikuar anglo-saksonët e francezët. Jo, miqtë e mi, se nuk ju bëhet vonë atyre për fjalët e jueja e as për propagandën ruse që zhvillohet. Ata janë të fortë. Ata e kanë botën në dorë”. 

    * * *

    Më 15 korrik 1951, Mbreti Zogu I, është larguar nga Egjipti (Aleksandria) për në Paris, e pas dy ditëve ka udhëtuar për Njujork. Ka vdekë në Paris më 9 prill 1961.

    Mbreti Faruk ishte sundimtari i dhjetë i Egjiptit dhe Sudanit, nga Dinastia shqiptare e Mehmet Ali Pashës. Ky sundoi prej 18prill 1936deri më 23 korrik 1952, kur u detyrua të abdikojë nga froni, për shkak të revolucionit të Lëvizjes së quajtur “Oficerët e Lirë’, të udhëhequr na Muhammad Naguib dhe Gamal Abdel Naser. Faruku iku fillimisht në Monako, e pastaj në Romë,ku edhe ka vdekur më 18 mars 1956. Fronin mbretëror e trashëgoi djali i tij, Fuadi II, por qeveria revolucionare e “Officerëve të Lirë”, më 18 qershor 1953, e hoqi edhe formalisht mbretërinë dhe e shpalli Egjiptin Republikë, me në krye G.A.Naserin. Kështu përfundoi sundimi gadi 150 vjeçar (prej 13 maj 1805 deri më 18 qershor 1953) i Dinastisë shqiptare të Ali Mehmet Pashës (1769-1849), me  prejardhje nga fshati Zemblak i Korçës.

    Shqiptarët gjithnjë u dhanë të tjerëve sundimtarë, luftëtarë, shkencëtarë, papë, duke filluar nga Perandoria Romake, ajo Bizantine, Osmane, dhe ndihmuan çlirimin dhe sundimin e shteteve tjera: Egjiptit, Rumunisë, Greqisë, Serbisë, ndërsa më së paku dhe më së voni  kontribuan për vendin e vet, duke mbetur të fundit me mëpak se gjysëmsheti të çliruar tek pas Luftës së Dytë Botërore. 

    Kënga popullore thotë:

    “Ah, o shqiptar i mjerë,

    Se ç’u vrave për të tjerë,

    Për të tjerë e për të huajtë,

    Duke hequr e duke vuajtë.

    Puna të shkoi kot, 

    Se ke shërbyer për botë”!

    Miku im (tashmë i njderë), mërgimatari,  poeti, shkrimtari e publicisti Zeqir Lushaj, nga Shëngjini,  në librin e tij me poezi “ROKADA (politike)”, ka një poezi të titulluar “Tragjikisht…, në fund!”, dhe në atë poezi një strofë, ku thotë:

    “Të fundit u shkëputëm nga Turqia,

    Nga komunizmi dolëm…në fund,

    Të fundit do të hyjmë në Europë,

    Dhe të fundit…, e kudo në fund”.

    (Burimi: Shyqri Nimani: “Mehmet Ali Pasha, kapedani shqiptar që ia ktheu dinjitetin Egjiptit”) 

    Adil FETAHU

  • ​A ishte Egjipti i lashtë një shkretëtirë?

    ​A ishte Egjipti i lashtë një shkretëtirë?

    Falë imazheve moderne të piramidave ikonike të Egjiptit që ngrihen mbi një peizazh të madh ranor, shumë njerëz supozojnë se kjo zonë është dhe ka qenë gjithmonë një shkretëtirë.

    Por duke pasur parasysh se klima dhe peizazhet mund të ndryshojnë me kalimin e kohës dhe se njerëzit kanë qenë të njohur për të ndryshuar mjediset natyrore, a ishte Egjipti i lashtë një shkretëtirë? Dhe a konsiderohet Egjipti ende sot një shkretëtirë?

    Përgjigja e thjeshtë është jo. Jo i gjithë Egjipti, i lashtë apo modern, kualifikohet si shkretëtirë.Zonat pranë lumit Nil priren të jenë më të harlisur dhe egjiptianët – si në kohët e lashta ashtu edhe ato moderne – kanë pasur një sistem bujqësor të lulëzuar.

    Megjithatë, mjedisi ka ndryshuar gjatë historisë së Egjiptit dhe ndërtimi i Digës së Lartë të Aswanit përtej Nilit midis 1960 dhe 1970 ndryshoi ndjeshëm peizazhin.

    Disa zona të Egjiptit që tani janë shkretëtirë ishin më të lagështa në të kaluarën.

    Një shembull i famshëm është “Shpella e Notarëve” në pllajën Gilf Kebir në Egjiptin jugperëndimor.

    Sot, zona është shumë e thatë, por mijëra vjet më parë, ishte më e lagësht dhe disa nga artet shkëmbore të gjetura në shpellat në zonë duket se tregojnë njerëzit duke notuar, sipas Muzeut Britanik.

    Ky art shkëmbor daton midis 6.000 dhe 9.000 vjet më parë, vëren Muzeu Britanik. Por kjo periudhë më e lagësht përfundoi rreth 5.000 vjet më parë, dhe që atëherë, shkretëtirat e Egjiptit kanë mbetur shumë të ngjashme me atë që janë tani, tha për Live Science Joseph Manning, profesori i klasikëve William K. dhe Marilyn Milton Simpson në Universitetin Yale.

    Diga e Lartë e Aswanit shkaktoi përmbytje të disa zonave në Egjiptin jugor, duke çuar në krijimin e një rezervuari të konsiderueshëm të quajtur Liqeni Naser. Shumë njerëz, veçanërisht nubianët e sotëm, duhej të zhvendoseshin dhe disa vende arkeologjike përfunduan nën ujë.

    Ndërtimi i digës i dha fund edhe përmbytjes natyrore të Nilit. Nuk ka “më përmbytje natyrore; kjo është e sigurt,” tha Manning.

    Krijimi i liqenit Nasser çoi gjithashtu në më shumë lagështi në ajër në disa zona të Egjiptit jugor, vuri në dukje Manning.

    Përpara ndërtimit të digës, përmbytja e Nilit në përgjithësi kishte qenë më pak intensive.

    Hulumtimet tregojnë se gjatë epokës së bronzit (rreth 3.300 p.e.s. deri në vitin 1.200 p.e.s.), përmbytjet e Nilit prireshin të ishin më të mëdha se gjatë epokës së hekurit (rreth 1.200 p.e.s. deri në 400 p.e.s.), dhe ky nivel më i ulët i përmbytjeve vazhdoi deri në atë kohë diga u ndërtua, tha Manning.

    Një efekt i niveleve përgjithësisht më të larta të lumit Nil gjatë epokës së bronzit është se rreth vitit 2.500 p.e.s., kur u ndërtuan piramidat në Giza, “dega Khufu”, një krah i zhdukur i lumit Nil, erdhi pikërisht pranë piramidave. Kjo degë lejonte që materialet të transportoheshin në vend me anije, duke ndihmuar në ndërtimin e piramidave.

    Egjiptianët e lashtë që jetonin pranë Nilit në një farë mënyre e shihnin veten sikur jetonin në një ishull në Luginën e Nilit, me shkretëtirat si një lloj deti i madh, tha Pearce Paul Creasman, drejtor i Qendrës Amerikane të Kërkimeve Orientale, për Live Science.

    “Shumë nga mitet e tyre të krijimit flasin për këtë, perënditë dhe tokat e tyre dhe popujt që dalin nga ujërat fillestare, duke u ngritur si një ishull për të lulëzuar,” tha Creasman.

  • Dinastia Rameside: Një epokë e artë në Egjiptin e Lashtë

    Dinastia Rameside: Një epokë e artë në Egjiptin e Lashtë

    Përgjatë historisë së tij shumë të gjatë, fati i Egjiptit të lashtë është vendosur gjithnjë nga dinastitë e mëdha sunduese. Një shtet dhe perandori e fuqishme ka nevojë për një sundimtar po aq të fuqishëm. Dhe që nga bashkimi i Egjiptit të Poshtëm dhe atij të Sipërm dhe themelimi i Dinastisë së Parë rreth vitit 3000 Para Krishtit, kjo perandori e lashtë ka pasur zakonisht një lider të fortë në krye të saj.

    Kur kjo gjë nuk ndodhte, ajo zhytej në kaos dhe ishte shumë e brishtë. Praktika e dinastive të fuqishme vazhdoi për mijëra vjet. Një nga dinastitë më të fuqishme që bie në sy në historinë e Egjiptit është Dinastia XIX-të, e njohur edhe si Dinastia Rameside. Po cilët ishin faraonët më të mëdhenj të kësaj epoke? Dhe çfarë i bëri ata kaq të veçantë?

    Bashkimi i Egjiptit të Sipërm dhe atij të Poshtëm, ishte një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e lashtë. Ajo arritje diplomatike dhe ushtarake i atribuohet përgjithësisht Faraonit Narmer dhe daton rreth vitit 3100 Para Krishtit, një kohë vërtet e hershme sa i përket formimit të qytetërimeve më të vjetra në botë.

    Nëpërmjet atij bashkimi, Narmer themeloi Dinastinë e Parë të Egjiptit dhe filloi diçka që do të ndikonte tek fillimet e botës së qytetëruar. Përgjithësisht pranohet se Egjipti është sunduar nga 34 dinasti të tilla, derisa u pushtua dhe u bë pjesë fillimisht e Perandorisë Romake dhe më vonë e pushtuesve të tjerë.

    Disa ishin të mira, të tjera ishin të shkëlqyera, dhe të tjerët ishin thjesht më të këqij. Dhe çdo dinasti prodhoi disa faraonë vërtet legjendarë. Një dinasti që la shumë gjurmë në historinë e Egjiptit ishte Dinastia XVIII-të. Në atë kohë Egjipti arriti kulmin e fuqisë dhe dominimit të tij në rajon.

    Ai mbajti armiqtë larg dhe e zgjeroi shumë ndikimin e tij. Sundimi i kësaj dinastie filloi rreth vitit 1550 Para Erës Sonë dhe përfundoi në vitin 1292 Para Erës Sonë. Por pse përfundoi një periudhë kaq e fuqishme? Thuhet shpesh se epokat e mira dhe të begata  prodhojnë sundimtarë gjithnjë e më të këqij.

    E vërteta është se në atë periudhë u ngjit në pushtet faraoni Akhenaten, një udhëheqës i fuqishëm, por i çuditshëm, i cili u përpoq të reformonte tërësisht fenë e vjetër të kombit të tij.

    Akhenateni imponoi adhurimin e Diellit, duke nxitur shumë zemërimin e njerëzve. Egjipti u përça, u përfshi në trazira të brendshme dhe u dobësua.

    Populli nuk ishte gati për ndryshime aq të mëdha. Kur Akhenaten vdiq, trashëgimtari dhe pasardhësi i tij, Tutankhamun, u përpoq të zhbënte ndryshimet rrënjësore të babait të tij.

    Por ai ishte një fëmijë shëndetlig për shkak martesave të shumta brenda fisit, ndaj dhe mbretërimi i tij ishte relativisht i shkurtër.

    Duke pasur asnjë fëmijë për t’ia lënë trashëgim fronin, Tutankhamun u pasua nga këshilltari i tij i ngushtë Keperkheperure Ay. Ai kishte plane të mëdha për të vazhduar Dinastinë XVIII.Por vdiq pas vetëm 4 vite sundim, dhe në vend të tij u ngjit një burrë pa asnjë lidhje me dinastinë mbretërore të mëparshme.

    Horemheb e mori kurorën përmes martesës. Gruaja e tij ishte një nga vajzat e Ay. Ky faraon shkëlqeu në rolin e tij. Ai bashkoi një shtet të përçarë, e stabilizoi atë dhe nisi një fushatë për fshirjen e gjurmëve të paraardhësve të tij. Ai shkatërroi tempujt dhe statujat e Akhenaten, ripërdori monumentet e Ay dhe Tutankhamun, dhe fshiu ngadalë kujtesën e reformave të tyre fetare.

    Horemheb mbretëroi për 14 vite dhe të gjithë menduan se Dinastia XVIII do të vazhdonte pas tij. Por kjo gjë nuk ndodhi. Faraoni nuk la pas djem, dhe në vend të tij emëroi aleatin dhe zëvendësimin e tij, Paramesin. Ashtu si Horemheb, Paramesi nuk ishte me origjinë mbretërore.

    Gjithsesi familja e tij ishte shumë e njohur për kohën, dhe nga vezir ai u bë faraon. Me ngjitjen në fron, i vuri vetes një emër mbretëror:Menpehtir Rameses I, ose Ramsesi I. Dhe me të filloi Dinastia XIX e famshme e Ramesidëve. Me Ramsesin I, filloi një periudhë e re e historisë së lashtë egjiptiane.

    Ramsesi ishte tashmë i moshuar kur u bë faraon, dhe kishte një djalë dhe një nip. Mbretërimi i tij ishte i shkurtër. Zgjati vetëm një ose dy vjet, para se të vdiste. Ai u pasua nga djali i tij, Seti, që mori emrin Menmaatre Seti I. Edhe atij, iu desh të korrigjonte pasojat e këqija të mbretërimit të diskutueshëm të Akhenatenit.

    Por pati shumë sukses në këtë aspekt dhe mbretëroi për rreth 15 vjet si një mbret i fuqishëm dhe dominues. E konsolidoi perandorinë dhe u fokusua në rikonfirmimin e ndikimit mbi Sirinë dhe Kanaanin, dy rajone që ishin vazhdimisht në presionin e Perandorisë Hitete fqinje, një nga armiqtë tradicionalë të Egjiptit.

    Për shkak të kësaj, Seti I kreu disa fushata të mëdha ushtarake kundër hititëve në veri. Shumica e betejave përfunduan me fitoren e Egjiptit. Megjithatë ai nuk ia doli të thyente fuqinë e Perandorisë së madhe Hitite. Gjithsesi arriti të ripushtojë shumicën e territoreve që u prekën nga lufta, dhe e rikonfirmoi dominimin e Egjiptit në rajon.

    Seti vdiq në 1279 Para Krishtit dhe u varros në një varr luksoz në Luginën e Mbretërve. Por e gjithë madhështia dhe fuqia e tij do të mbetej në hije nga djali dhe trashëgimtari i tij, RamsesiII, i cili do të bëhej një faraon edhe më i mirë se I ati. Duke mbajtur emrin e gjyshit të tij, Ramses II fitoi epitetin “I Madh” dhe konsiderohet si faraoni më i famshëm dhe më i fuqishëm i periudhës së Mbretërisë së Re, e cila është epoka e artë e Egjiptit të lashtë.

    Pjesa e parë e sundimit të tij iu kushtua ndërtimit të tempujve, monumenteve, madje edhe qyteteve të reja mbresëlënëse për kohën Ai ndërtoi Pi-Ramesses, kryeqytetin e tij të ri që shtrihej në deltën e Nilit, nga i cili do të kryente fushatat e tij të reja ushtarake. Dhe punimet u kryen shumë shpejt, pasi Ramsesi II synonte të ripushtonte territoret që tashmëkontrolloheshin nga hititët, nubianët dhe fiset libiane.

    Ai depërtoi thellë në Nubi, Siri dhe Kanaan, duke i shkatërruar armiqtë e tij dhe duke i mbajtur kufijtë e Egjiptit të sigurta nga kërcënimet e Popujve të Detit. Kudo që lindnin kërcënime, Ramsesi i Madh i përballoi ato me efikasitet dhe vendosmëri. Fuqia e ushtrisë së Egjiptit të lashtë arriti kulmin pikërisht gjatë mbretërimit të Ramsesit II.

    Ajo numëronte rreth 100.000 burra, që shifër e jashtëzakonshme për një epokë kaq të lashtë. Dhe ishte ai numër kaq i madh që i mbajti armiqtë larg dhe e forcoi ndikimin e Egjiptit. Ramsesi i Madh mbretëroi për shumë kohë, dhe vdiq diku në vitin e 90-të apo të 91-të të jetës së tij.

    Ai u pasua nga djali i tij i 13-të, Mernepta. Mbretërimi i tij ishte mjaft i qetë kur krahasohej me babanë ose gjyshin e tij, dhe zgjati jo më shumë se 10 vjet. Me vdekjen e tij, nisi një rënie graduale e fuqisë dhe madhështisë së Dinastisë XIX Rameside.

    Marrë me shkurtime nga Ancient Origins – Bota.al

  • Mbreti shqiptar Faruk, monarku i pangopur i Egjiptit 

    Mbreti shqiptar Faruk, monarku i pangopur i Egjiptit 

    Mbreti shqiptar Faruk, monarku i pangopur i Egjiptit – Nga Enver Robelli

    Enver Robelli

    Në romanin «Pan Aroma» të Tom Robbins përshkruhet një mbret, i cili përpiqet me çdo kusht t’i shmanget plakjes si lepuri dhelprës dinake. Alobari, kështu quhet mbreti, ka arsye të ndalë procesin e plakjes, sepse në fisin e tij është traditë që mbreti të vritet me një vezë të helmuar në atë çast që te ai shihen shenjat e para të plakjes. Mbreti Artus, ndërkaq, sipas sagës, u bë i njohur për tryezën e tij të famshme, rreth së cilës i mblodhi kalorësit. Asnjëri nga kalorësit nuk favorizohej me ndonjë vend nderi, të gjithë qenë të barabartë pranë tryezës. Ky motiv, i përmendur për herë të parë më 1155, konsiderohet si një ndër aktet e hershme demokratike në shoqëritë feudale europiane të asaj kohe.

    Mbreti Faruk i Egjiptit, pinjoll i dinastisë me origjinë shqiptare, e cila sundoi Egjiptin që nga viti 1805, as nuk bëhej merak për plakjen e tij, as nuk e shikonte tryezën si sipërfaqe për debate demokratike. Aty ai dëshironte vetëm të shuante nepsin e tij, lakminë e paparë për të shijuar specialitete të llojllojshme kulinarike, para se të hidhej në krahët e ndonjë gruaje për të shënuar në regjistrin e tij të gjatë aferën e ardhshme romantike.

    Në historinë gjashtëmijë vjeçare të Egjiptit, Faruku nuk hyn në mesin e mbretërve me karrierë të shkëlqyer politike. Dallimi me stërgjyshin e tij s’ka si të jetë më i madh: Mehmet Ali Pasha, i njohur si themelues i Egjiptit modern, drejtoi fatet e vendit përmbi katër dekada. Ai u lind më 1769 në Kavallë të Greqisë së sotme, por familja e tij ishte me origjinë nga Zëmblaku i Korçës. Si sundimtar i Egjiptit ai ka merita të mëdha në formimin e një shtrese udhëheqëse, e cila duke marrë si model Europën filloi ndërtimin e administratës moderne dhe themelimin e industrisë së orientuar nga eksporti.

    Ndryshimet që i nisi Mehmet Ali Pasha në historinë arabe quhen «Nahda», që domethënë «Rilindje». I njohur u bë Mehmet Ali Pasha jo vetëm me ndërtimin e infrastrukturës dhe zhvillimin ekonomik të Egjiptit, por edhe për shkak të luftës së tij shfarosëse ndaj vahabinjve (ekstremistëve islamikë). Udhëheqës i trupave kryesisht shqiptare kundër vahabinjve ishte Ibrahim Pasha, i biri i adoptuar i Mehmet Ali Pashës, i cili kishte katër djem. Në shtator të vitit 1816 Ibrahim Pasha zbarkoi në Janbu, në portin e qytetit të Medinës. Dy vite më vonë, pas luftimeve të ashpra, ai pushtoi dhe e shkatërroi qytetin Dirija, që ishte bërthama e kryengritjes së vahabinjve. Sot Dirija është një paralagje e Riadit, kryeqytetit të Arabisë Saudite. Trupat e Ibrahim Pashës atëbotë zunë rob shumë prijës fetarë, mes tyre edhe Abdallah Ibn Saudin, imamin e vahabinjve. Ai u ekzekutua më 17 Dhjetor 1918 në Stamboll pasi ishte dënuar nga një gjykatë për shkak të «korrupsionit mbi tokë», «përçarjes së myslimanëve» dhe «kryengritjes kundër Kalifit».

    Mbreti Faruk I, i parafundit mbret i Egjiptit, u ngjit në fron në vitin 1936, kur ishte vetëm 16-vjeçar. Në fillim ai ishte mjaft i popullarizuar. Egjiptianët e pëlqenin mbretin e ri, ai dukej bukur, ishte arsimuar në Britaninë e Madhe dhe premtonte reforma sociale. Politikanë nga bota arabe thoshin: «Ai nuk është vetëm mbret i Egjiptit, por Mbret i të gjithë arabëve». Por nami i familjes dhe i shtëpisë mbretërore nisi të zvetënohej për shkak se Faruku u tregua i paaftë të reformojë vendin, të demokratizojë sistemin politik dhe të frenojë prirjen e tij për plaçkitje. Për shkak të korrupsionit Faruku u hoq nga froni më 1952 pas grushtit të shtetit të udhëhequr nga oficerët Ali Muhamad Nagib dhe Xhamal Abdel Naser.

    Pas shfronësimit mbreti Faruk iku në Romë. Në vitin 1963 publicisti amerikan Michael Stern botoi biografinë e Farukut, në të cilën e përshkruan monarkun si një person tejet dekadent, të pangopshëm, të tmerrshëm dhe të dhunshëm. Sipas Michael Stern ai vuante nga një neurozë, e cila e çorientoi si në jetën private ashtu dhe në politikë. Atje ku burri, sipas Sheikut Nefzavi, babait të Kamasutrës arabe, duhej të ishte së paku «një pëllëmbë e gjysmë» i gjatë, Faruku kishte mbetur në nivel fëmijëror, gjysmë pëllëmbe. Kjo e metë iu shndërrua në kompleks dhe gjithnjë përpiqej që cilësinë ta kompensojë me shumësi. Kur i afrohej ndonjë qyteti a fshati, vetura e tij kuiste si një qen i shkelur; në mëngjes i hante nga 12 vezë përnjëherë; kur luante bixhoz, së pari i hidhte në tavolinë 25 mijë dollarë.

    Por, mbi të gjitha, ai ishte i pangopshëm me ushqim dhe në afera me gra. Sipas vlerësimit të biografit Michael Stern gjatë jetës së tij të shkurtër (Faruku jetoi vetëm 45 vjet) ai pati rreth pesë mijë gra. Pasi me vite ishte frikësuar se do të trajtohej si dështak në shtrat, Faruku njoftoi këngëtaren franceze të klubeve të natës Annie Berner. Ajo ishte vetëm 20-vjeçare kur mbreti e takoi në klubin e natës «Scarabée» në Kajro dhe e mori me vete në veturën e tij «Cadillac». Të dy bashkë, të dehur nga epshi, shkuan në një vendparkim veturash, që ishte i njohur si zonë e të dashuruarve. Rastësi apo jo: po atë natë policia egjiptiane bëri një kontroll në atë rajon me qëllim të përzënies së çifteve. Bashkë me patrullën policore ishte edhe një fotoreporter i revistës «Al-Musavar». Mbreti i zënë ngushtë ia prishi aparatin fotografit, nxori një pushkë automatike, shtiu disa herë në ajër dhe i përndoqi policët që po e pengonin. Michael Stern shkruan se Faruku kurrë s’e kishte harruar leksionin e parë që atë natë ia kishte dhënë Annie Berner në karrigen e pasme të «Cadillac-ut»: «S’është gjatësia me rëndësi, por mënyra se çfarë bën me të».

    Sidoqoftë, këtu e tutje, pas takimit me francezen Annie Berner, mbretit me origjinë shqiptare nuk i interesoi më politika, por vetëm aventurat dhe ushqimi i begatshëm. Formalisht Faruku ishte sovran i popullit, por në realitet ai ishte vetëm sovran i ushkurit. Ai i detyronte shërbëtorët e tij të shkojnë në hotel, t’i zgjojnë nga gjumi stjuardesat e kompanive ajrore perëndimore dhe t’u thonë atyre se mbreti po i priste në pallat.

    Kur aktorja Nadja Gray hyri në një lokal me të dashurin e saj, mbreti e ftoi në tavolinën e tij me këtë kusht: «Madamë, kjo ftesë vlen vetëm për ju». Kur mbretëresha greke, Frederike, vizitoi Egjiptin, Faruku hyri në dhomë të saj, fiku dritat dhe iu afrua. Sundimtarja greke e frikësoi mbreti egjiptian me këto fjalë: «A nuk e patë atë burrin e madh para derës? I veshur me uniformë admirali? Ai është burri im dhe unë e dua shumë». Faruku u zbeh pak dhe u largua. Njëherë, ndërsa gjendej në shtrat me një angleze, burri i së cilës kishte shkuar në udhëtim zyrtar, Faruku dëgjoi disa rrapëllima në bodrum. «O Zot, ky është burri im», tha anglezja e trishtuar. Mbreti doli i zhveshur në ballkon dhe priti me orë të tëra në shi derisa u gjet një shtegdalje për të ikur.

    Faruku i trajtonte gratë si lodra. Njëherë shkoi në Qipro, ku e takoi aktoren hebraike Lillian Cohen. Të nesërmen ajo gjeti mbi komodinë 50 funte, por mbreti tashmë kishte ikur. Njëherë tjetër Faruku e përzuri një franceze nga dhoma e fjetjes me këto fjalë: «E dashur, je tepër e hollë». Thuhet se monarku kishte një dobësi për gratë e mbajtura mirë.

    Lakmia e Farukut ishte e pafundme. Bleu një jaht për 86 mijë dollarë dhe ia shiti qeverisë së tij për 360 mijë; hapi disa xhirollogari në Zvicër dhe bashkë me tregtarë të armëve furnizonte ushtrinë e tij me armë të vjetra, të papërdorshme (fitimet, kuptohet, i fuste në xhep); kur motra e tij Favzia, e cila një kohë ishte e martuar me Shahun e Persisë Muhamed Reza Pahlavin, erdhi për vizitë në Kajro, Faruku ia vodhi nga valixhet gurët e çmuar të kurorës; në vitin 1944, kur në Johanesburg vdiq babai i Shahut të Persisë, trupi i tij u soll njëherë në Egjipt, ku iu bënë nderime. Ndërsa po përulej para kufomës Faruku iu lut shërbëtorëve të tij ta lënë vetëm për pak çaste. Kur arkivoli arriti në Teheran, u zbulua se shpata e artë e Pahlavit mungonte. I zemëruar Shahu Muhamed Reza Pahlavi i tha ambasadorit egjiptian në Teheran: «Tregojini Mbretit tuaj se është vjedhës». Pas heqjes së Farukut nga froni shpata u gjet në bodrumet e tij, ndërsa në pallatin mbretëror në Aleksandri oficerët puçistë hasën në koleksionin më të madh pornografik në botë (fotografi, libra, filma). Me arritjen e mbretit Faruk në Romë çmimet e prostitutave u shtrenjtuan nga 16 në 32 dollarë.

    Më 17 mars 1965 rreth orës 22:00 mbreti, pasi kishte ngrënë gjashtë senduiçë dhe katër qese me çipsa, ndali televizorin, vendosi alltinë në brez (Beretta, 6,35 milimetra) dhe doli në qytet – për darkë! Në xhep kishte dy kartëmonedha nga njëmijë dollarë dhe dy kuti të arta me tableta kundër shtypjes së gjakut dhe dhembjeve në veshkë. Me 130 kilogramë peshë mbreti mezi u fut në veturën e tij Fiat 2300.

    Pasi kaloi disa çaste te vajza e një taksisti, Faruku shkoi te e përzgjedhura e tij, Annamaria Gatti, 25-vjeçare, trupmbushur, deri-diku e hijshme. Pasi zunë vend në restorantin «Isle de France» në Romë, Faruku iu vërsul 12 midhjeve me salcë Tabasco, një kofshe dashi me patate, një sallate dhe fasules. Meqë si mysliman s’pinte alkool, Faruku zbrazi disa shishe me Coca-Cola, pija e tij e pëlqyer. Pas ëmbëlsirës ndezi një puro dhe befas u dridh, sytë i mbetën hapur, trupi i tij ra përtokë si lis. Vdiq nga sulmi në zemër. Nëna e tij tha: «Ai ishte një përbindësh».

    Kur vdiq, Faruku ishte si një thes me dhjamë. Gjatë drekës në tryezën e tij zakonisht shtroheshin gaforre, pula, jahni, kotëleta qengji me patate, bizele, oriz dhe angjinare. Për çdo javë mbreti Faruk porosiste nga 300 midhje të freskëta nga Kopenhaga në Kajro. Kështu, mes grumbujve të ushqimit, mori fund jeta e mbretit Faruk, i cili ishte i martuar dy herë; me njërën grua pati tri vajza, me tjetrën një djalë.

    Në gazetat perëndimore mbreti Faruk për herë të fundit u përmend në vitin 2006, kur në Kajro ngordhi breshka e tij vigane. Sipas të dhënave nga kopshti zoologjik breshka kishte 270 vjet dhe ngordhi për shkak të moshës. Kur shkoi në ekzil në Romë mbreti Faruk e la breshkën në kopshtin zoologjik.

    Lakmia dhe nepsi i mbretit egjiptian me dekada u kanë shërbyer si model autokratëve të botës arabe për plaçkitjen e popullit dhe për luks të neveritshëm.

    Më datën 18 Mars 1965 gazeta zvicerane «Neue Zürcher Zeitung» jepte këtë lajm për vdekjen e Farukut: «Ish-mbreti i Egjiptit Faruku vdiq papritmas të mërkurën në mbrëmje në Romë në moshën 45-vjeçare. Faruku po hante darkë në një restorant në Via Aurelia Antien para portave të Romës. Pasi hëngri, ai u ndie keq. Pas pak vdiq me gjasë si pasojë e një krize të zemrës ose embolisë. Ai u soll në spitalin San Camillo, ku të gjitha përpjekjet për ta rikthyer në jetë, qenë të pasuksesshme».

    Faruku ishte djali i vetëm i mbretit Fuad I. U lind si princi Faruk më 11 Shkurt 1920 në Kajro. Në vitin 1917 babai i tij me lejen e britanikëve u ngjit në fron si sulltani i parë i egjiptianëve dhe pasi mori fund protektorati britanik më 1922 ai u kurorëzua si mbreti i parë i Egjiptit. Faruku u shkollua si ushtarak në Akademinë Mbretërore të Woolwich në Angli dhe pas vdekjes së Fuadit mori këtë titull: «Mbret i Egjiptit, Sovran i Nubias, Sudanit, Kordofanit dhe Darfurit». Kur u bë mbret Faruku ishte 16-vjeçar dhe me gjasë nuk dinte të drejtonte veturën, por kjo s’e pengoi diktatorin gjerman Adolf Hitler që t’i dhuronte sundimtarit egjiptian një Mercedes. Mbreti britanik George VI i bëri një dhuratë më të rrezikshme: disa pushkë gjuetie.

    Pasi e dëbuan nga froni më 1952, oficerët egjiptianë të ndikuar nga Bashkimi Sovjetik shpallën Egjiptin republikë (më 18 Qershor 1953), e akuzuan mbretin për tradhëti kombëtare dhe më 1958 ia morën edhe shtetësinë. Më 1959 Faruku mori shtetësinë e Monaco-s. Qeveria e re konfiskoi menjëherë gjithë pasurinë e mbretit në Egjipt, por ai ishte kujdesur që të transferonte në botën e jashtme mjaft mjete materiale, të cilat ia mundësuan një jetë prej merakliu të grave të bukura dhe gostive të bollshme.

    © KOHA

  • Jeta dhe vepra e Mehmet Ali Pashë Kavallës

    Jeta dhe vepra e Mehmet Ali Pashë Kavallës

    Nga: Agron Islami

    Janë të shumta rastet kur personalitet shqiptare njiheshin me nofkën e vendlindjes. Në mesin e tyre është edhe Mehmet Ali Pashë Kavalla, që lindi në Kavallë më 1769. Në moshën 18-vjeçare (1787) për herë të parë shërbeu në ushtrinë osmane. Megjithatë, emri dhe nofka e tij do të bëhet i njohur pas përplasjes së tij të suksesshme me disa fshatarë që refuzonin shlyerjen e taksave shtetërore. Mehmet Aliu, i cili vinte nga një familje me kushte mesatare, më 1787 martohet me zonjën Emine nga Kavalla, por që ishte trashëguese e pasurisë së ish-burrit të saj.

    Më 8 mars 1801, bashkë me 300 trupa tjerë nga Kavalla, Mehmet Aliu u gjend në tokat e Egjiptit, i cili ishte pushtuar nga Francezët më 1798. Si rezultat i sukseseve të treguara në beteja kundër francezëve, valiu i Egjiptit, Mehmet Hysrev Pasha, i dha gradën e majorit dhe për një kohë të shkurtër mori komandën e togut më të madh të Egjiptit që përbëhej nga ushtarët shqiptarë.

    Reklama

    Pas rikthimit të Egjiptit, filloi beteja për pushtet në mes memlukëve vendorë dhe pashallarëve osmanë. Megjithatë, edhe krahu i memlukëve edhe i osmanëve ishte i përçarë ndërmjet vete. Për rezultat, Stambolli ishte vërshuar me shkresa, ankesa e akuza ndaj pashallarëve osmanë në Egjipt. Kjo gjendje ndikoi negativisht edhe në ekonominë dhe në vetë sigurinë e popullatës lokale. Me këtë rast u aktivizua edhe paria e Egjiptit (ylemaja dhe eshrafët), e cila ndikoi që pashallarët osmanë të tërhiqen nga drejtimi i Egjiptit dhe në këtë pozitë të sillet Mehmet Ali Kavalla (3 korrik 1805). Në favor të Mehmet Ali Kavallës ishte edhe vdekja e dy pretendueseve kryesorë të memlukëve (Bardisi dhe Elfi-u) për të udhëhequr me Egjiptin.

    Në kuptimin juridik, Mehmet Ali Kavalla ishte vetëm një vali (guvernator) osman, por në realitet ai ishte shndërruar në sundimtar të vërtet të Egjiptit. Aq më shumë që mori dhe Sudanin nën sundimin e vet.

    Një qasje të pavarur pati edhe ndaj fermanit të sulltan Mahmudit II për të shtypur kryengritësit grekë. Kavalla, dekretin e vitit 1821 e konsideroi si kërkesë të sulltanit për ndihmë (ashtu dhe ishte) dhe e vuri kushtin që Valiliku i Moresë të drejtohej nga i biri, Ibrahim Pasha. Në kuadër të politikave të pavarura, Mehmet Ali Pashë Kavalla, pasi që filloi shtypjen e kryengritësve në More, me kërkesën e përfaqësuesve ndërkombëtar (pas negociatave të fshehura) kërkoi nga Ibrahim Pasha të tërhiqet nga Morea.

    Pavarësisht faktit se nuk e çoi në vend kërkesën e Sulltanit, kërkoi nga Stambolli që Ibrahim Pasha të emërohej vali i Sirisë, gjë e cila u refuzua kategorikisht. Kështu, në dimrin e vitit 1831, Ibrahim Pasha me trupat e veta që dominoheshin nga shqiptarët, nga deti dhe toka hyri në Siri. I biri i valiut të Egjiptit, ndryshe prej babait të tij, pasi shpalli fitoren në Siri përcolli mesazhin për besnikëri ndaj sulltanit. Megjithatë, marrjen me forcë të Sirisë, administrata osmane e shihte si pushtim.

    Qasjen e babait të tij, Ibrahim Pasha filloi ta kuptojë kur i erdhi urdhri për të zaptuar territore të Libanit dhe zonave përreth. Më pas (21 dhjetor 1832), ushtritë e drejtuara nga Ibrahim Pasha arritën deri në Konia, ku thyen ushtrinë perandorake dhe robëruan edhe kryeministrin osman.

    Zgjerimet e njëpasnjëshme të ushtrisë së Mehmet Ali Pashës, shtrënguan sulltanin osman që të kërkojë paqe me këtë të parin. Gjatë kësaj kohe, sulltanit i erdhën në ndihmë ushtri të carit rus, i cili edhe pse ishte armiku më i madh osman, forcimin e pashait shqiptar e shihte të rrezikshëm për politikat zgjeruese ruse ndaj hapësirave osmane, sidomos ndaj Ballkanit. Prezenca e ushtarëve rusë në Stamboll shkaktoi frikë dhe shqetësim tek anglezët dhe francezët. Këta të fundit ushtruan presion tek të dy palët (osmanët dhe Mehmet Ali Pashë Kavalla) dhe me 6 maj 1833 u arrit Marrëveshja e Kytahjas, e cila parashihte që Siria dhe Adana t’i jepen në administrim Mehmet Ali Pashës.

    Politikat zgjeruese të pashait shqiptar ishin të papranueshme për Stambollin. Njëherësh, marrja nën kontroll e gjirit të Basrës dhe prezenca e ushtarëve të Egjiptit në Detin e Kuq shihej e rrezikshme edhe për politikat zgjeruese të anglezëve drejt Indisë. Më 1834, sulltani provoi që pushtetin e Kavallës ta mposht nga brenda dhe këtë deshi ta realizojë duke i dhënë mbështetje kryengritjeve të popullit në Liban, kryengritje e cila kishte ardhur si rezultat i reformave rigoroze që kishte filluar t’i aplikonte Mehmet Ali Pasha – reformat që lidheshin me forcimin e ushtrisë së tij nëpërmjet taksave të reja dhe standardizimin e ushtrisë duke e bërë të obligueshme pjesëmarrjen në ushtri. Megjithatë, kjo kryengritje u shtyp nga Ibrahim Pasha. Me të njëjtat ideale bënë kryengritje edhe durzinjtë e Sirisë. Pas kësaj u aktivizua dhe Sulltani, i cili tentoi që të merr ndihmën e ndërkombëtarëve dhe këtë pjesë ta rikthejë. Kjo bëri që Mehmet Ali Pasha të përgatisë ushtrinë karshi osmanëve. Madje, më 25 maj 1838, përfaqësuesve evropianë iu bëri me dije se synimi i tij ishte shkëputja nga Perandoria Osmane. Me këtë rast ai fitoi një mbështetje politike të përkohshme të këtyre të fundit (evropianëve) dhe sulltani nuk e pati guximin që të përballet me ushtrinë e pashait, e cila ishte shumë më e modernizuar se ajo osmane. Megjithatë, vetëm pak ditë më vonë, arriti që të marrë mbështetjen e parisë siriane dhe vendosi që të hyjë në luftë. Përballja e dy ushtrive në Nizip ishte fatale për sulltanin. Më 24 qershor 1839, ushtria e Egjiptit e theu ushtrinë osmane, duke kidnapuar edhe flotën osmane e cila ishte nën drejtimin e admiralit Ahmed Fevzi Pasha.

    Fitoret e njëpasnjëshme të Mehmet Ali Pashës, shkaktuan nervozizëm edhe tek Fuqitë e Mëdha evropiane, përfshirë edhe Rusinë. Si rezultat, përfaqësuesit osmanë, anglezë, rusë, austriakl e prusianë u mblodhën në Londër dhe nënshkruan marrëveshjen e 15 korrikut 1840, që parashihte që Egjipti dhe Akaja te lihej në duart e Mehmet Ali Pashës sa të ishte ai në jetë, po pa Sirinë, Hixhazin dhe Kretën që ishin në duar të Pashait. Me sugjerimin edhe të francezëve, këto kushte të marrëveshjes nuk u pranuan nga pashai i Egjiptit. Flota osmane dhe Austriake arritën që të marrin Bejrutin, Hajfen dhe më 4 nëntor ra dhe Akaja. Shkëputja e këtyre zonave strategjike nga Egjipti si dhe dekreti sulltanor për shkarkimin e pashait nga pozita e valiut të Egjiptit, bëri që më në fund të kërkojë paqe me sulltanin. Pashai shqiptar kërkonte që Egjipti të shndërrohej në “dianasti” dhe të drejtohej nga familja e tij dhe në këmbim të kësaj ai premtoi që ta dorëzojë flotën osmane. Kjo marrëveshje e negociuar nga admirali Napier u zyrtarizua me fermanin e sulltanit osman, më 24 maj 1841.

    Stambolli respektoi marrëveshjen me Kavallasin. Më 1846, Mehemt Ali Pasha u mirëprit në Stamboll. Pas disa problemeve shëndetësore më 1848, shkoi në Napoli dhe stambolli aprovoi kërkesën që Egjipti të drejtohej nga i biri, Ibrahim Pasha, i cili vdiq vetëm pas disa muajve dhe në vend të tij erdhi i biri Tosun Pasha, Hilmi Abbas (Kavalla).

    Mehmet Ali Pasha ndërroi jetë më 2 gusht 1849 në Aleksandri (Iskenderije) dhe u varros në oborrin e xhamisë së re (të cilën e kishte ndërtuar vetë) në kështjellën e Kajros në Egjipt.

    Gjatë kohës sa sundoi Mehmet Ali Pashë Kavalla, mbështeti reformën në ushtri, forcoi ekonominë e Egjiptit duke hapur shumë kanale për ujitjen e tokave pjellore. Më 1820 themeloi shtypshkronjën Bulak. Më 1828 e themeloi gazetën “Vekay-i Misir”. Përveç modernizimit të shkollave në Egjipt, qysh nga viti 1809 dërgoi nxënës në Evropë për të shkollim. Ai konsiderohet si reformatori më i madh i Egjiptit. /Telegrafi/

  • Historia e panjohur e sundimtarit të Egjiptit, me origjinë shqiptare

    Historia e panjohur e sundimtarit të Egjiptit, me origjinë shqiptare

    Ka historianë që thonë se origjina e Mehmet Aliut (ose Muhamed Ali Pashës), sundimtarit të Egjiptit në shekullin e 19-të, është e paqartë.

    Për historianin britanik me origjinë hebraike Simon Sebag Montefiore nuk ka dilemë: Mehmet Aliu ishte shqiptar, i lindur në Kavallë të Greqisë së sotme. Për 15 vjet Mehmet Aliu dominoi rrethanat politike në Lindjen e Afërt dhe pushtoi gati tërë Perandorinë Osmane. Ai u lind më 1770, një vit pas Napoleon Bonapartës.

    Nga bashkëkohësit Mehmet Aliu u quajt Napoleoni i Orientit. Të dy, Mehmet Aliu dhe Napoleon Bonaparta, shquheshin si gjeni ushtarakë dhe si strategë tepër ambiciozë. Montefiore e përshkruan Mehmet Aliun si shqiptar mjekërbardhë, që vishej thjeshtë – me turban të bardhë, pantofla të verdha dhe një pelerinë të kaltër me tis të gjelbër.

    Me vete bartte përherë një llullë prej ari e argjendi, një metër e gjysmë të gjatë, të stolisur me diamante. Tiparet e fytyrës së tij ishin tatare dhe nga sytë e tij buronte një zjarr i shfrenuar. Si shenjë të pushtetit të tij ai mbante një jatagan.

    Mehmet Aliu arriti në Egjipt në çastin e duhur dhe me ushtarët e tij shqiptarë mbështeti osmanët në luftë kundër Napoleonit. Kur u larguan francezët, Mehmet Aliu e shfrytëzoi vakumin e pushtetit dhe mori kështjellën e Kajros. I biri i tij Ibrahimi (disa mendojnë se ishte nipi i tij) e ftoi udhëheqjen e mamelukëve për të marrë pjesë gjoja në një ceremoni ushtarake.

    Mamelukët erdhën – dhe Ibrahimi urdhëroi masakrimin e tyre (më 1811). Dy dekada më vonë, më 1830, krerët e Perandorisë Osmane ftuan prijësit shqiptarë në një banket në Manastir, me ç’rast do të arrihej pajtimi mes osmanëve dhe kryengritësve shqiptarë.

    Ky ishte një kurth: krerët shqiptarë u masakruan. Në romanin «Komisioni i festës» Ismail Kadare e ka përshkruar këtë ngjarje.

    Pas vrasjes së mamelukëve, Sulltani e emëroi Mehmet Aliun guvernator të Kajros. Sipas historianit Simon Sebag Montefiore, Mehmet Aliut i duheshin vetëm katër orë gjumë. Ai thoshte se kishte mësuar të lexojë tek në moshën 45-vjeçare.

    Çdo mbrëmje konkubina e tij më e dashur i lexonte nga veprat e Montesquieu dhe Machiavelli. Charles-Louis de Secondat, Baron de La Brède et de Montesquieu (1689-1755) ishte shkrimtar francez, filozof, teoricient i çështjeve shtetërore gjatë periudhës së iluminizmit. Montesquieu konsiderohet pararendës i sociologjisë dhe themelues i shkencës moderne të historisë.

    Niccolò Machiavelli (1469-1527) ishte filozof, politikan, diplomat, kronist, shkrimtar dhe poet italian. Kryevepra e tij është «Princi» («Il Principe»). Maksima pragmatike e Machiavellit në këtë vepër është kjo: qëllimi i arsyeton mjetet.

    Parakusht për një shtet të fuqishëm, sipas Machiavellit, është aftësia e sundimtarit për të mbrojtur pushtetin e tij me të gjitha mjetet dhe pa marrë parasysh çmimin. Mehmet Aliu duket se e dëgjoi me vëmendje porosinë e Machiavellit, andaj duke u bazuar në modelin europian ai themeloi ushtrinë e Egjiptit të përbërë nga 90 mijë pjesëtarë dhe ndërtoi një flotë të organizuar mirë.

    Në fillim Sulltan Mahmuti i II-të me shumë dëshirë e shfrytëzonte ndihmën e armatës efikase të Mehmet Aliut. Kur vahabitët, të prirë nga dinastia e Al-Saudëve, pushtuan Mekën, Sulltan Mahmuti i II-të i kërkoi ndihmë Mehmet Aliut. Shqiptari i përzuri vahabitët nga Meka dhe ia dorëzoi osmanëve imamin e vahabitëve, Abdallah I. ibn Saud. Më 1818 imami i vahabitëve u ekzekutua në Stamboll me heqje koke. /Nga Enver Robelli