Nga Julia Vrapi
“Shqipëria në periudhën bizantine” mblodhi në Tiranë përfaqësues nga bota akademike, një konferencë shkencore, që u zhvillua përgjatë dy ditëve me synimin për të hedhur dritë mbi një ndër periudhat më të rëndësishme, por më pak të studiuara të historisë sonë. Konferenca mblodhi bashkë në Tiranë mbi 40 përfaqësues nga bota akademike brenda dhe jashtë vendit, historianë dhe profesorë të njohur me kumtesat e tyre hodhën dritë mbi këtë periudhë, ndër më pak të studiuarat dhe theksuan rolin e trojeve shqiptare si një urë lidhëse mes Lindjes e Perëndimit, por gjatë saj u prezantuan dhe kodikë bizantinë dhe pasbizantinë të ruajtur në fondet arkivore. Ceremonia e hapjes u moderua nga prof. dr. Paskal Milo, i cili në fjalën e tij ndër të tjera u shpreh se Shqipëria ka qenë dhe mbetet një qendër e kulturës identitare kombëtare, rajonale dhe europiane. Ndërsa akad. Skënder Gjinushi kryetar i ASH, i cili e vlerësoi konferencën ndër të tjera tha se trashëgimia bizantine në Shqipëri nga monumentet, ikonat, kodikët, deri te tradita muzikore dëshmon një vazhdimësi të fortë qytetërimi.
“Kjo konferencë për nga natyra është një qasje shumëdimensionale shkencore ku ndërthuren disiplina të ndryshme si: historia, arkeologjia, arti, arkitektura, paleografia dhe epigrafia, kultura shpirtërore dhe jurisprudenca bizantine. Në këtë mjedis shkencor multidisiplinar studiues nga më të mirët, vendës dhe të huaj, do të bëjnë përpjekje që të rindërtojnë tablonë e përgjithshme të botës shqiptare në universin bizantin përmes analizave, prurjeve e përfundimeve origjinale dhe qasjeve të reja metodologjike”, u shpreh ai. Konferenca u përshëndet edhe nga Imzot Joani, Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë dhe dr. Antonio Riggio, president i Shoqatës Ndërkombëtare të Studimeve Bizantine.
Konferenca mblodhi përfaqësues nga bota akademike për një ndër periudhat më të rëndësishme, ku punimet shkencore të prezantuara trajtuan tema që nga roli strategjik i Durrësit, përhapja e hershme e Krishtërimit, zhvillimi i peshkopatave, tradita e pasur e shkrimit të kodikëve në Berat, etj. Sipas ASH, seanca e parë, “Shqipëria ndërmjet Bizantit dhe Perëndimit”, u drejtua nga dr. Peter Schreiner (Universiteti i Këlnit, Gjermani) dhe akad. Pëllumb Xhufi (ASH). Në kumtesën e tij historiani Pëllumb Xhufi foli për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Italisë bizantine në shekujt VI-XI. Në këtë seancë të parë vijon njoftimi nga ASH folën dhe prof. emeritus Taxiarchis Kolias, prof. dr. Ardian Muhaj, prof. dr. Ermal Baze, prof. dr. Ilira Caushi, dr. Peter Schreiner, etj. Veprimtaria shkencore më 5 dhe 6 dhjetor u organizua nga Akademia e Shkencave në bashkëpunim me Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë; Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, Universiteti i Tiranës; Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave dhe Shoqatën Ndërkombëtare të Studimeve Bizantine.
Ekspozita “Kodikët bizantinë dhe pasbizantinë të Shqipërisë”
Konferenca e parë ndërkombëtare “Shqipëria në periudhën bizantine” solli dhe ekspozitën “Kodikët bizantinë dhe pasbizantinë të Shqipërisë” në Arkivin Qendror Shtetëror. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave prezantoi ekspozitën e veçantë, duke shpalosur dorëshkrime të çmuara të trashëgimisë sonë dokumentare. Kodikë bizantinë dhe pasbizantinë të ruajtur në fondet arkivore; Dorëshkrime unike që dëshmojnë tradita liturgjike, artistike dhe intelektuale ndër shekuj; Miniatura, shkrime të lashta dhe teknika ikonografike, që pasqyrojnë mjeshtërinë e skriptoriumeve të hershme ishin pjesë e kësaj ekspozite. Të pranishëm në hapje të ekspozitës ishin dhe zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Arkivave Endrit Musaj, zëvendësdrejtoresha e Përgjithshme e Arkivave Marinela Ndria, studiuesi Agamemnonas Tselikas, njohësi i gjuhëve të rralla, moderuesi dhe kuratori i ekspozitës Sokol Çunga, si edhe bizantinologë dhe studentë.